Sonntag, 1. September 2013
Rrahim Sadiku: Poezi
“Miqtë”
Përditë vijnë e më thonë:
“Pse shkrove ashtu, ҫka t’u desh?!
Jeto e kënaqu, deti kos le të bëhet!”
Për vete i ke punët mirë…
Futi veshët në lesh!”
Fevzijes, për ditëlindje
Kemi njohur shekullin e dashurisë,
Na ka shoqëruar shekulli i dhembjeve!
Përditë e përnatë duke ndjerë etjen jetë,
Duke shijuar helmin pikëllim,
Nesër duke shkruar në diellin e shpresës.
Kemi sheshuar edhe bjeshkët e mundit,
Në terr kemi parë dritën premtuese,
Hapin pa e humbur, pa u gjunjëzuar!
Pa na u bërë vonë për ikjen e viteve,
Me besë e zemër i përkisnim përjetësisë.
Andaj uroj që ardhmërinë kopsht etjesh,
Në jetën dhuratë ta duam edhe më shumë!
Ditëlindjet të na jenë rilindje e pandarë,
Më nuk kemi ҫka bjerrim e fitoret,
Gjithnjë fanar i kemi në horizont .
14.8.2013
Portret “patrioti”
Shkon kahmos me gojën plot,
mbushur atdhe e liri!
Kur ishte vështirë
atdheun e gjente dikur tjetër,
edhe lirinë!
as luftën jo nuk e donte
e pse të bëhej luftëtar?!
Rrezik atje,
mund të mbetej edhe i vrarë!
Kohës rrëshqiste,
sipas kohës fliste,
qetë, plot nderime.
Dhe ishte e mbeti
mirësia vetë,
pa burg
pa plagë
me shumë përfitime…
Shkon përpara me gojën plot
me xhepin plot shkon tutje:
ia rrahin krahët
e duan shumë
ata që burgun e plagët
i kaluan viteve
mbetur të varfër,
bërë të nënshtruar,
nga vetja e të tjerët
të pavënë re,
të harruar!
Në rrugën e poezisë
Në rrugën e poezisë shpesh shkel trishtueshëm,
Fuqishëm shpesh shkel në rrugën e poezisë
E nuk më bëhet vonë për rregullat,
As për lavdata nuk më bëhet vonë,
Botën përshkoj kah dua si dua
Për askë nuk bëj detyra të shtëpisë…
R u t i n ë
A kalohet jeta me sa për të thënë
Diҫka duke bërë pasi nuk po bënë kurrgjë
Nga mëngjesi në darkë palaҫo
Në rrugë në bisedë në shtëpi
Vetes duke ia mbushur mendjen për madhështinë
Duke ikur nga njohja e vetes
Sot për nesër e sot për nesër
Të pasnesërmën duke e larguar nga mendimet
Pafati
Nga thellësi e mendjes nxjerr gërryerjen e dhembjes
E shpalos në mes të vargut pa pikë pa presë
Kush e solli kërkon
Mandej thellohesh e thellohesh mundimit
Lotit për t’ia gjetur burimim
Pikëllimit për të mos i dhënë shtytje
Mandej i nënshtrohesh fatit
Dhembja e pikëllimi janë pafati yt
I sëmuri njeri
Të sëmurin njeri e gjeta të qeshur
dhembjet përvëluese duke i fshehur
duke u djegur për të arritur madhështinë
pa ditur fillimin pa dashur të gjykojë fundin
me hijen e mëngjesit duke u matur ditën me mjegull
turbullirës së mendjes tutje duke shkuar
vdekshëm duke shkelur mbi dhe, grimcë pa peshë
duke besuar se i jep edhe diellit shkëlqim
duke synuar yjet me hapin prej kërmilli
zvarrë duke u lavdëruar me fluturimin
duke mbetur ҫast pa e arritur kurrë as ҫastin
Ëndërr me demon
Ëndrrën a kam përcjellë në hap
Kam gjetur veten vrarë kujtimesh
Gjallëruar shpresash
Agmi as muzg nuk më kanë zgjuar
Mesnata nuk më ka këndellur
Rrëqethje kanë vërshuar nga krrokamë korbi
Terri demonin ka ftuar në valle
O Zot sa zbrazët shpirti
Vajtim
I mjeri unë, io, oooo!
Me shekuj më vranë
Shkatërruan
Të gjallë më varrosën, io, oooo!
E vet nuk qava dot
Nuk qava,
S’pati kush as t’më vajtojë…
Io, io, io….
Përshëndetje me vdekjen
Më e hollë se përi ishte jeta,
Dhe ishte ajo etje për të jetuar,
Po mbytej edhe shpresa
E besimi mbahej ҫuditërisht!
Gëzimi shikonte pikëllueshëm,
Mungonte tharmi mundësi,
Gjallëri kishte sa për vdekje!
Edhe u takuam diku ftohtë,
Bora thanë mërdhiu!
Nuk doja ta kuptoja ashtu,
Akullohej edhe dielli atje tej.
Mos ke frikë rri lirshëm dëgjova,
Ngurrimi nuk të ndihmon gjë,
Ajo të shëron nga të gjitha!
Mjaft më vuajtje, etje, plagë
Doni diҫka të veҫantë nga ajo?
Kërkoja. Ftohtësi e saj nuk ka fund.
Mora zjarr. Po kthehem edhe një here
Te jeta, te vuajtaj te plagët.
Epo, paҫ veten në qafë
E tmerrshme është ta dashurosh kaq shumë
Atë bote që për ty bëri aq pak!
Dhe putha lirinë… Diell Kosove...
Vdekje lamtumirë, takohemi herë tjetër…
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen