Dienstag, 17. September 2013

Zyba Hysa: Poezi


HYJNORE

Brenda botës së pafundme,
Më e madhja nga të tëra,
Është bota e poetit...

Mban brenda ndjesi,
Që s’i prekim,
Nuk i shohim,
Por magjishëm shpirtin ngrohin...!

Mbret i ndjesive tona,
Është besimi,
Tek vetvetja,
Tek të tjerët,
Veç atëherë lind gjykimi,
Beson Zotin dhe mendimi...

Shih sa pranë qenka Zoti,
Brenda teje,
Brenda meje,
Brenda tjerëve,
Është lart përmes reve,
Është dhe pranë një burimi,
Është tek flladi, gjelbërimi,
Është tek lindja,
Është tek vdekja,
Zoti, pra,
Qenka vetvetja...!”

Besimi nuk dhurohet,
As me dhunë s’imponohet,
Lum atij që i buron,
Thellë nga shpirti,
Mirësia...
Dashuria...
Urtësia dhe mëshira,
S’ka pse thotë:
Besoj në Zot!
Ai vetë...
Është Zot mbi tokë!

 


TE JETOSH ME DASHURINË

Buzëmbrëmjeve,
Dal kuvendoj me Burunin, Sazanin… me valët,
Deri pushtoj me sy horizontin e flas me ty…
E… fshehtas – fshehtas deti pinë diellin me fund…
Një dritë e kuqe shfaqet...
Që s’di… deti është veshur për festë,
A sytë janë përflakur…?
Buruni, Sazani pas valëve më çojnë fjalë:
“Dritën e dashurisë… as deti nuk mund ta marrë…!”

Çudi…
Kur bie mbi shtrat,
E sytë mbyll për të parë më mirë udhë shpirti,
Dritëza më bëhet këmishë nate,
Brenda mëndafshit të saj rrotullohem,
Si fëmija në mitrën e nënës,
E fle... kur ty të zë gjumi…

Vjen mëngjesi...
Me krahët e diellit,
Këmishën më zhvesh plot delikatesë,
E ia hedh si mantel ajrit …
Në frymimin i pandalshëm,
E thith bashkë me të,
E kthehet për shpirtin eter…



ME GURË SHKROVA POEZI

Më mori jeta… pa më pyetur…
Ashtu si kurrë nuk pyet dashuria…
Më mori si skifteri zogun e parritur,
Nuk më hëngri… rashë nga lartësia…

Rashë… agonia më pushtoi pa u shuar,
Plagët më dhembnin përtej dhembjes,
Mbase kam thirrur, mbase kam rënkuar,
Kurrkush pranë meje s’ është gjendur…

Një valë e valët… po që nuk më digjte...
Më pushtoi e zgjoi shpirtin… Ç’ishte magji?
Hapa sytë… greminë… askush s’ishte…
Mbi shkëmb, me gurë… shkrova poezi…

Ndaj… mos e qortoni poezinë time…
Që shpesh harbon… si të ishte rinore…
Ngatërruam kohën... tani çast rinie,
Të dyja së bashku… dorë për dore…!



UKSHIN HOTIT

O Zot…!
A kanë të mbaruar lotët e një nëne,
Që djali i ka humbur…
E varrin nuk e di… se ku e ka?
Qanë Kombi për ty,
E çdo plis nge për të parë,
Nëse ndodhesh aty…
Grykat japin ulërimë…
Jehonat e tyre na drithërojnë,
Si të jenë gjëmime tërmeti…
O Zot…!
Kur do të vijë ajo ditë,
Që bijtë tanë,
S’do t’i ushqejmë me lot???

 


VALLËZIM DASHURIE

Dashuria jonë shtatëngjyrëshe,
Në shtatë nota shndërruar
Shtrirë mbi pentagramin hapësinor..
Dora e Zotit kompozon melodi,
Që s’dëgjohet... po ndjehet,
Si një këngë e pa arrirë e fuqisë njerëzore...
Lajtmotiv...
Pëshpëritim çdo çast nën buzë,
E vjen si muzë,
Për të shkruar poezinë e saj...
Kemi krijuar këngën e dashurisë,
Që na mban në vallëzim të përjetshëm...

 


NË MITRËN E SHPIRTIT

Faleminderit kohë e zezë që m’i ke trembur,
Vargjet e lira që donin fluturim pulëbardhe…
Në mitrën e shpirtit... i mbajta të fshehur,
Nën pulat e muzës i ngroha... s’mi mardhe...

Qofsh e “bekuar” o kohë e stinës Luçiferjane,
Që më bëre t’ia mbroj fort harmoninë poezisë,
Ushqyer me qumësht shpirti plot dashuri nëne,
Sot... si një pulëbardhë... hapësirave grish...

 


PËRCAKTOHEN FATET

Jemi të pa aftë të njohim vetveten...
Vetvetja shpërndarë në gjithë Universin,
Dhe dashuritë... lindin edhe treten...
Larg prej trupit tonë... gjurmët tek ne mbesin...

Ne s’jemi gjë tjetër... veçse një çerdhe,
Ku si zogjtë shtegtarë vinë e shkojnë kuantet...
Nga udhëtimi i tyre, siç i ndodh reve,
Takohen, përplasen... përcaktohen fatet...

 


TI DHE ATDHEU

Unë të dua... ashtu siç dua Atdheun tim...
Që ma bën zemrën, me forcë të më rrahë,
Që më ngazëllen, përherë me shqetësim,
Që edhe në gjumë... zgjuar më mban...

Unë të dua... aq sa shqetësimin vetë...
Se pa dallgë dhembjeje, jeta s’ka kuptim,
Ti dhe Atdheu... më bëni me fletë...
Kur Ju keni dhembje... qaj me ngashërim...

 


VETËTIJ

Në qetësi... s’jam e qetë...
Të dua... edhe me dallgë,
Ty, jetë!
Në përplasje dallgësh,
Latohem mbi shkëmbinj,
Ndryshkun e kohës rrëzoj,
Vetëtij...

 


SI JETOJME... SI RRIME...?

Nuk mund të përshkruaj emocionet shkulore,
Që me sjell afshi yt gatuar me timin bashkë,
Me ty përballë, në puthje, prekje pore më pore,
Vetëdija s'ekziston... mendja bërë flashkë...

Po, di të qëndis ind më ind, mallin e zemrës,
Se mendja, si në një natë shëndreu më nge,
End, thur e shur fjalë, t'i japë shpresë ëndrrës,
Shpirti dridhet, përpëlitet, ankthi çon rrufe!

Mbase tek malli përshkruhen emocionet
E çasteve magjike kur prekim dashurinë,
Se mendja na vjen në vend... kthjellohet,
O Zot, themi... pa të, si jetojmë... si rrimë?!

 


JETA MISTER

Jeta mister e jetës sime,
Vetëm për mua sjell,
Dritë të bardhë...
Të shenjtë e kam,
Të fshehtë e dua,
Ndryshe tërë bota,
Do fryjë mbi mua,
Do që ta fikë...
Të mbetem natë...!

 


MUZIKË KUANTIKE

Na ndodh në jetë, ashtu rastësisht,
Në një pikë takimi ndalesh i habitur,
Shkon në përqafim, si kulpra mbi lis,
Jeta e kaluar... pak nga pak venitur…

Duket sikur vdiqe e aty rilinde...
Duket sikur linde, për një çast vdiqe,
Kthehesh në hyjni, veshur vello - drite,
Në vallëzim me yjet, muzikë kuantike…



BUZË DETIT

O pulëbardha, më lini të qetë,
Dua që lotin... mos ma mirrni...
Aqsa të nxjerr, do ta pi vetë...
Si vaj për dritë të një kandili...

Nuk di…

Nuk di, të bëj dallimin midis deteve,
Ndjenja, nuk përshkruaj kurrësesi,
Por di, që deti ua kalon mbretërve,
E dashuria, më e bukura mbretëri!

 


VENDLINDJES

Eh, Kokrevë, vendlindja ime,
Ngado qeshë e kudo shkoj...
Nuk kam gjetur një thërrime,
Që sa ti... të më shijojë...!

 


ÇELESI

Unë e di...
Atje ku jam futur unë,
S’besoj të hyjë njeri,
Çelësin,
E kam fshehur ne gji...

 


BËHUNI BASHKË, O SHQIPTARË...!

Jam dashuruar me një të vdekur,
Që duhej të vdiste t’më vinte pranë,
O botë ligane... çnuk le pa tretur...
Viganët e kohës... të vdekur i ngjall...

Ty t’u desh të vdisje për të ardhur,
Mua të ngjallesha, për të takuar,
Jemi të dy një dritë e mardhur,
Që frikë na kanë për të na besuar...

Unë jam e gjallë ndër të vdekur,
Ti erdhe i gjallë... në pak të gjallë,
Le të thërrasim të tundim shekuj,
Bëhuni bashkë, o shqiptarë...!

 


FALEMINDERIT DASHURI

Me shkopin e të verbërit,
Që dashuria na fal,
Sapo troket në portën e shpirtit…
Ecim më të sigurtë,
Se sycelët njerëz që dashurinë se takun kurrë…
Ecim…
E pse udhë e panjohur,
Dicka mistike na bën të rendim…
Shpesh…
Dhe shkopin dhuratë vërvitim tej...
Me krahë engjëllorë
Pushtojmë qiej…



NUK ËSHTË E LEHTË
 

Nuk është e lehtë,
Dhe nuk ndodh shpesh,
Që krahët shndërrohen rreze
E me rrezen e krahëve tjetrit,
Edhe nga largësia,
Të ndjehen përqafuar...

Nuk është e lehtë,
Dhe nuk ndodh shpesh,
Që buzët e shpirtit,
Si pëllumbi mëmë me të voglin,
Sqep më sqep,
Japin e marrin frymë jete...

Nuk është e lehtë,
Dhe nuk ndodh shpesh,
Që pritjen ta duash më fort se takimin,
Prekja trupore... i humb shkëlqimin...

Nuk është e lehtë,
Dhe nuk ndodh shpesh,
Ku forcën e saj... s’e mat gjykimi,
E gazin – eter,
S’mund ta shijojë as lumturia...

Nuk është e lehtë,
Dhe nuk ndodh shpesh,
Që dashuria,
Të shfaqet e plotë,
Si dashuria...!

 


DASHURI FISNIKE

Të dua,
Sa mëngjesin kur hap sytë
E kuptoj që jam gjallë...
Si ëndrrat fëminore,
Pa e vrarë mendjen se si do realizohen...
Si deti bregun dashuruar...
Të dua,
Ashtu siç di unë të dua Zotin,
Ku njerëzit ende diskutojnë në ekzistencën e tij,
Unë e strehoj në gji...
Të dua... o njeri,
Me dashuri fisnike,
Ku asnjëherë nuk kuptoj përse të dua,
Dhe asnjëherë pyetjet,
Nuk marrin përgjigje...

 


O ZOT I MADH

Gjithë jetën time,
Si një qiri jam shkrirë,
Si për familjen,
Për farë e fis,
Për miqësinë...
Por që të gjithë,
(veç pjellës sime),
Kur u afruan,
Më njohën mirë,
Më kthyen kurrizin,
Sikur të isha përbindësh i zi,
Që do t’i haja,
Që do t’i bluaja
Me mirësi...!
O zot i madh,
Mos vallë unë jam antikohë,
Apo koha ime,
Akom s’ka ardhë??

 


SHKAK I ËMBËL

Mos qani… kur nxirrni lot…
Po pikën e lotit merreni në dorë
E vështrojeni,
Sikur të kishit aty shkakun e lotit…
Dhe shkaku ka qenë i ëmbël…
Mos qani… kur nxirrni lot…!



MOS MË THUAJ

Mos më thuaj: “U njohëm vonë!”
Fatkeqësi, të mos ishim njohur kurrë...
Njohja…
Na zgjoi dëshirat e bëra shkrumb,
Prej acarit të kohës,
Të kohës që nuk e deshëm kurrë...
Koha…
Na lidhi gjuhën
E dëshirat…
T’i lëpinim një çast s’na la…
Koha…
Na shigjetoi muzën që në bulëzim,
Si një syth prej degëze ra...
Koha vrau dashurinë
Duke e bluar në mullirin e saj,
Deri ajo dha shpirt,
Në prehrin e zemrës
E zemra na u ftoh...
Koha…
Edhe këngën nuk na e la ta mësonim
Gjer në fund
E ne kurrë se kënduam atë të plotë,
Dhe buzëqeshjen,
Nuk na e mësoi kurrë,
Na dhuroi me shumicë ... lotë...
Mos më thuaj:”U njohëm vonë!”
Fatkeqësi, të mos ishim njohur kurrë...

 


LEMZA

Unë,
E njoh lemzën tënde...
Ajo më vjen,
Sikur heq më shpirt...
Qëndroj pak çaste pa frymë...
Them: “U zgjove?”
Apo në darkë,
Kur i mbyll sytë...!

 


FALEMINDERIT

Faleminderit,
Kush më bëri të vuaj aq shumë,
Saqë vetminë ma bëri shoqe të mirë...
Faleminderit,
Kush më lëndoi aq shumë,
Sa shpirtit i dha mundësi të nxjerrë helmin,
Përmes vesimit të syve,
Që dikur lotonin prej ngazëllimit...
Faleminderit,
Kush më bëri të vuaj,
Qoftë dhe mik që më ka tradhëtuar,
Dikur,
Më dha arsye për ta besuar...
Faleminderit Zot,
Që më dhe shqisë perëndie,
Të dalloj dhe jetoj stinë Dashurie,
Edhe përmes largësisë...
Faleminderit...
Faleminderit...
Faleminderit!

Goodbay…

Ka kohë…
Që avioni im pret të ngjitet lart…
Sa herë merrte vrull,
Bombardohej pista…
Qëndronte në përgjim,
Për të rinisur prapë…
Vrapi i pistës,
I dha fuqi,
Përmes bombardimesh,
U ngrit fluturim si një shpend i bardhë…
Goodbay…!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen