Sonntag, 1. September 2013

Teuta Sadiku: Poezi


Përralla me mbretër

Po u vjen fundi përrallave me mbretër ,
o njerëz,...

as fëmijëve mos ua mbushni mendjen
tani sështë koha e fjetjes.

Dhe ne syfjeturve
që besuam tek orët e zanat e pyllit
me shkopin magjik në duar
mirë të na bëhet.

Me sa duket
o njerëz për së gjalli vdekur ,
po u vjen fundi
në përralla
dhe mbretërve.

 


PASSE-PARTOUT

Hap fletën e jashtme të dokumentit
të ajroset,
ngujuar shekujsh,mbyllur
ashtu si Rozafati shtrirë në këmbët e murit.

Akoma jam nëpër male në qëndrimin
gatitu
veshur xhamadanin e pavdekshëm
fustanellën, pas trupit ngjshur
qeleshen borë të bardhë në kokë ngjeshur.
Trupi im lagur deri në brez nga dy ujra.
lart dhe poshtë vende që iu shqyen degët
dikur kur erërat e forta luanin buzës tënde.

Deri këtu më se llogjike je Pashaporta ime
deri sa shfaqem unë,e shastisura pashpjegushëm
luleartificiale ngjitur fjalët me pështymë ndër dhëmbë.

Jam unë ajo që isha që në lashtësi
në baticat dhe zbaticat e tua bashkë rregjur
në sfond pak më prapa teje,
jam ulur
në karrigen elektrike brenda labirinthit të shekullit
të kundroj zhbirueshëm dhe me shpresë në sy
edhe pse kujtojnë se sapo bëra këmbë në foton tënde.

Vështrimi yt tejpërtej zhbiron kohën
unë buzës kam vënë pak gaz,
si me frikë mos qesh më thanë
kokën pak përpara kam tendosur
të të mbroj,
se korniza mos lëviz pa pandehur
dhe drita e diellit nuk të sheh as mua
as Ty.

 

Lojë-luftrash

U vra një fëmijë në Rripin e Gazës
pa lodër në duar.
e dini me se luante një ditë më parë?!
të shpëtojë nga kthetrat e luftës
gjoja .
luante rolin e të vdekurit me plumba.
Sot,jo,nuk ndodhi kështu
nuk u ngrit nga fusha e dheut
as top futbolli nuk kishte në duar
u vra prej vërteti pas sulmeve me plumba.
shikoni fëmijët me se lujajnë?
Luajnë si të mëdhenjtë ,foshnjat
të vetme gjë që kanë mësuar
është lojë-luftrash
po e vërtetë
edhe pse luajnë pa lodra në duar.
...
ata , ata të mëdhenjtë sahojnë lodra
luajnë me jetën e fëmijve
si të kenë kuklla në duar.


Emigranteske

Na thanë :Ju ikët
si gjethet e pemëve andej nga fryjti era
Po,e vërtetë
morrëm arratinë
kur pamë si i prisnin Lisat e pyllit
për një copë letër.
U vendosëm në Shpellën Para Erës
U hapën qiejt.
Pluhur u bë Guri nga rrebeshet .
Po tani?!
Tani çpojmë qiejt në tjetër Planete.


Palcë dimri bota

Kaloj damarrëve të fryrë të këtij viti
Vështroj vitrinat bosh veshur me letra
diku më kapi syri: Pranvera Arabe, filloi
në një nga gazetat e nderura vyshkur në diell
kapur me ngjitëse ,në dy cepa,
të tjerat varreshin si kryqe të thyera
të plakushes Europa që I therrin nga dhimbjet .

lexova më poshtë,
Pranvera Arabe, lulëzon
U rrënqetha kur pashë fotot në gazetë.
Me qindra shpirtra pa jetë përtokë ,
lumë gjaku i ngrirë rrugëve të Egjyptit.
Zot ,mirë njerëzit që sdinë se çbëjnë,
po dhe ti ke ngatërruar stinët ?!
U afrova , mora gazetën në dorë
Poshtë fotos që vinte era gjak lexova:
Pranvera shpërthen me forcë nga palca e dimrit .




Të shkruash....

 Për çfarë të shkruaj njeri
përse të flas më parë
për gruan që sështë në vendin që meriton
për dashurinë që kërkon një zemër
për shpresën që pret me llahtarë ëndrrën
për drejtësinë që u mbyt nga dhimbjet
për llogjikën pa një pikë ndjenje
për fjalën që bie në heshtje
për shpirtin që lë frymën e fundit në krahët e materies
për mrekullinë e jetës që humbet në skëterrë
përse , për kë të shkruaj këtë mbrëmje
këtë çast
në këtë botë asgjë nuk pipëtin
vetëm duart zgjaten , zgjaten drejt qiellit…



Kronikë modernizimi

Meteor pika e lotit mbi mollzën e jetës
U shua,
u mbyt për një pikë ujë dashurie
prej duarve të burrit,pasi kafshoi mollën.
Nga hidhërimi,
një ngjyrë më pak në natyrën e stinës u shfaq sonte
dhe u ngujua fëmija pas akrep-hekurave të kohës
për të ndryshuar të dhënat meteorologjike të botës.
Po çkanë vallë me gjuhën që luajnë
Bibliotekës në atë qytet do ti vënë llozin
a thua e kuptuan më në fund
se fjala ka peshën dhe forcën e hekurit
mos vallë do shkojë dhe ajo për skrap
ngaqë bashkohësit e mi ,bashkë me mua sigurisht
marin çdo vakt një të tretën e kokrrës së valiumit .
dhe tërhiqemi zvarrë javëve të muajit
si qurrat hundëve në kohë gripi .
Ditë e marrë, ditë e lënë nga trutë e kokës.
Të çarmatosura zemrat prej dashurie
Shpirti mori udhëkryqet me kuje
Eva dhe Adami ishin e janë akoma në ndërfytje
Aty dhe atëherë poshtë pemës së mollës kacafyten
për emra foshnjash shkruar gabimisht
vendlindjet në dogana mbi tela me gjemba .
buste të bardha pa gjoks femrash, ligjet
poeti, pushton rrugën kap njerzit prej zemre
në tragjikomedi kthehet gjithë ç’mbetet
nën dritë hijesh semaforësh në Egnatia
si nën qiell shoh papiruset antik copë copë
Atdheu im dhe ata që ia bënë nënën
Hyjnë në kronikë modernizmi.



Lavanteria

 Vite të tëra laj ...
klorini, tos ilaç,zbardhues ,aromatizues
lavanteri për shekuj dhe të rreshkurat duar
magje zbrasin dhe mbushin orë e çast.

vite të tëra,të pashërueshme, mbushur dengazi
nga lodhja fizike dhe njolla të paheqshme.

Laj kryesisht për të larguar mendjen
dhe më tepër...të<spastroj>
trurin tim nga fjalët e tua.
hidhërimin e ligësisë që derdhet mbi mua
gjurmët nga sharjet e ofendimet e tua
djersën e duarve të tua që zvarrë më tërheq
shenjat e këpucës tënde tek porta
Kur shqelmon nga nervat.

Këtu e vite përpara laj ...
dhe akoma ska të mbaruar
shpëlarja.




Kur Vjosa...

Më thua
se jam e huaj .
Po unë e di mirë
na ndan vetëm një gardh me gjemba
në zemër.

Por kur Vjosa ngrihet
nga shtrati si e marrë
e kaluara na kullon nëpër thembra

myshqet në thellësi bëhen lisa
bari i vdekur në pllajë shndrrohet në plepa
s’mban më gjë rrjeta e kujtimeve.

Atëherë rrëshqasin jashtë saj
kufijtë e caktuara
dhe hartat e historianëve
e humbasin vlerën.




Shija e dhimbjes

asaj ditë të tmershme largimi
u kthyem të vizitojmë shtëpinë
e lashtë, lënë pas dore
gati në të rrënë
të zhveshur lakuriq nga shakatë
duarthatë nga buçimat e së qeshurës

shkretëtirë e shterosur.....
nëpër mure zvarriteshin pa fjalë
vështrime të dremitura bardhë-zeza
këmba këmbës na ndiqnin si të zënë në faj.

diku atje
fshehur mënjanë nga hidhërimi
në vazo prej qelqi të pluhurosura
gjetëm sheqer..
..gur ishte bërë
nga errësirra gojëkyçur e vetmisë

E vumë ta provonim në buzë
nuk arriti dot të na ëmbëlsonte zemrat
shijen e dhimbjes që na la në buzë
..këtu në mërgim ..e kam akoma.




 Parashikim moti

Dëgjoj dënesen e shekullit
lotët e stinëve më kot përpiqen të shuajnë zhuritjen .

Vetëtima mllefi shkrumojnë pyjet e mendimit
Një shi tmerri vërshon në korren e plasaritur të identitetit
Haneve të kujtesës gjuhët përpëliten.

At, ndiz kandilin e baladave
Nënë, mos e hiq dorën nga djepi.

Si do të dalim nga ky qytet
Gjithë portate qytetit ku banoj janë mbyllur
këtu perdet, shpresa i ka të ulura
trishtimi ëndrrën ta rrëmben nga duart
njerezit e mi akoma udhëtojnë në kuvertën e anijeve
në trenin e klasësit të tretë
shumica marrin malet më këmbë
me komardare i dalin bregut matanë, të tjerë.
Gostia e vuajtjes akoma ska mbaruar.



Me hijen time

Po ecja me hijen time,
përcjellë vetëm nga vetja ,
me të rëshqas.

unë gjithnji më e zbehtë
ajo gjithnjë më e gjatë.
Më çon ajo
unë udhëhiqem,
jo , më saktë e ndek nga pas.

Mështeknat e zhveshura buzë rrugës
gishta të bardhë e të lëmuar
cakun e dinë
më mirë se unë,symbylltas.

Kurse unë kam frikë nga hija ime ?!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen