Freitag, 9. August 2013

Cikël poetik nga Fatmir Gjestila



NËNOKE, MOJ!

Nënoke, moj!
Në rruzuj lotësh të shoh këtë buzëmbrëmje,
Në rruzuj lotësh puth sytë e tu.

Ah, sytë e tu!
Dy dete të ngrirë në qiellin e akullt të dhimbjes.
Lotët e mi nuk munden t’i shkrijnë, moj nënoke!

 


FIJE FLOKU

Treni kalëron i lodhur në muzg,
osh e tërheq qiellin mbi luginë;
ajo e pagojë,
unë si murg:
qyqanë të dy,
qajmë vetminë.

S’e njoh, s’më njeh… ajo nuk flet;
se si u ndodhëm kaq pranë s’e di;
unë mënjanë,
krejt si asket
të harroj të flas
s’është çudi.

Po vjen një çast e ngre furtunë,
kur treni yjet tërheq nëpër terr:
një fije floku
që vjen tek unë
më tremb,
më lidh,
në krah më merr.

O femër.
fis e bijë e ORËVE
me një fije floku botën drithëron!
Trup e shpirt te ti janë hynore;
te ti jeta lind,
jetën ti mëkon.

 


ËSHTË DHE I VENDIT TIM

Nëse shkoj pa u bekuar
në të gjithë lumenjtë e vendit tim,
deri në harrim;

e dua një vazo të qelqtë pranë.

Nëse shkoj
pa u tretur në pishnajat e vendit tim,
pa u dehur me kupën e tyre të blertë;

e dua një degëz pishe për shtrat.

Nëse shkoj,
pa i puthur gjinjtë e fushave gjithë blerim,
të vendit tim;

e dua një plis mbi ballin e ftohtë.

Por,
mos u nxitoni, bijtë e mi!

Nëse gjer atëherë,
me sy do t’i puth gjithë malet,
në të gjithë lumenjtë do të tretem,
në të gjitha pishnajat do të harrohem,
në të gjitha fushat do të njom buzët;

më harroni,
mbi trupin tim të akullt hidhni vetëm dhè,
asgjë më shumë, bijtë e mi:
ngrohtë do të jem,
dhimbje s’do të kem:

Është dhè i vendit tim.

 


DHIMBJA E POETIT
- Ali Podrimjes -

Merrjani dhimbjen poetit;
në pentagramin e trishtimit bëjeni këngë;
AI do të këndojë në dhimbjen e shpirtit.

Merrjani lotin poetit
dhe sajoni një det dashurie;
AI do të buzëqeshë në lotin e fëmijëve.

Merrjani natën poetit të
përqafoni krismën e agut;
AI do të jetë buzë e puthjes së qiellit.

Veçse... Prani!
Mos qani!
Në ikjen e poetit s’ka vaj!
AI do të rikthehet para saj.

 


VENDLINDJA

Po të lë, vendlindja ime…

Nga ti po marr një copëz qielli,
një vetull hëne,
një rreze dielli,
një puthje nëne.

Vendlindja ime e varfër…
Ti, pasuria ime e madhe,
në dorë po të lë
lotin e syrit tim.

 


SONTE PIKON LOTI I SYRIT TIM

Ronitet e ronitet hëna
mollëzave të mia të rreshkuna;
në malin e bardhë të mjekrës lëvaret e trishtë.

Në rruzullin e saj
meket nota e fundme e një kënge
Që mbeti robinjë e një zemre të brishtë.

 


MË FAL, KOSOVË!

Më fal, Kosovë!
Prita gjatë për të ardhur
Edhe pse krejt faj s’është imi.

Më fal, Kosovë!
U nisa kur nata u kthye në udhë
Dhe dita vraponte për te ti,
Të të them, MIRËMËNGJES.

 


LIQENI PO FLE

Prani!
Liqeni po fle.

Gjumi e përhumbi nëpër ëndrra,
Të lumet e natës ia morën pëlhurën e bardhë të lotëve;
Me të sajuan plisin e thinjur te kodrave.

Mos ikni!
Liqeni do të zgjohet.

Në krismën e agut do të çelë sytë;
Me fund do ta rrëkëllejë diellin;
Me vete do ta marrë qiellin.



ANTILEGJENDË

Natën,
kur hëna,
hëna dhe qielli,
qielli dhe yjet,
marramenden e bien në liqen,
aty mos rri,
merr pyjet;

nga rrënjët e shkëmbinjëve të mbytur
e Bukura e Liqenit do të dalë
e ti do të mbetesh pa gojë,
në sytë e saj krejt do të tretesh,
pa thënë asnjë fjalë.

Por unë,
unë sonte u bëfsha lot i syve,
i syve të së Bukurës,
në u tretsha në pyje;

veç E BUKURA të dalë
e shpirtin të ma marrë.

 


PËRTEJ ËNDRRËS

Me kafkën nëpër duar vrapoj nëpër natë
shpesh e më shpesh;
përtej ëndrrës,
me duar zë kokën e ngratë
dhe si i marrë qaj e qesh.

Po kokës me grushte ende s’i bie…
E ç’faj ka ajo?
Ditën e nis rrugëve si hije
dhe jetës prapë i them “Po”.

Kur nata bie,
me kafkën – top,
vrapoj në erë:
në fushën e ëndrrës, ndalem një hop
si kali nën frerë.

Në zgavrat e kafkës,
me gishtrinjtë e mendjes
kërkoj sytë e humbur;
në ëndërr shoh ëndërr,
përtej së vërtetës
sytë duke puthur.

Përtej ëndrrës,
me lotët e saj,
të humburit sy të natës
me sytë e ditës qaj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen