Freitag, 16. August 2013
Varka e shpetimit
Tregim nga Hamit Taka
Pasi hodhi një vështrim hetues nëpër tavolina, Liri Gurollari u drejtua me vendosmëri tek një tavolinë bosh në një kënd të qetë të lokalit. Mjedisi i brendshëm, falë pajisjeve elektrike, ishte në kontrast të thellë me mjedisin e jashtëm, ku i ftohti të priste si brisk. Ajo tërhoqi një karrige prej vetes dhe çveshi pallton e madhe. Çlirimi, i cili e ndihmoi për ta hequr, e vari në varsen metalike. Pastaj vendosi dhe pallton e tij. Gjatë kohës Liria u kishte bërë klientëve të tavolinës përballë një përshëndetje të lehtë me kokë.
Ndërsa Çlirim Gurollari, vëllai i vetëm, kapi karrigen përballë, ajo tërhoqi karrigen tjetër pranë saj dhe e uli vëllain atje ku deshi ajo, me qëllim që ai të kishte përballë atë vajzën, e cla ishte ulur midis dy burrave në tavolinën që përshëndeti para pak. Qëndrimi i saj i shpenguar dhe indiferent ndaj tavolinës parballë ishte krejt bllof. Gjithçka ishte paramenduar nga ajo dhe Vladimir Qirjazi, i cili me qëllim i kishte kthyer shpinën tavolinës, ku u ulën vëllai e motra. Edhe kjo ishte e paramenduar. Që nga ai çast roli i Lirisë ishte të vrojtonte si një panterë e vërtetë reagimet e dy të rinjve, që ishin vendosur tashmë ballëpërballë. Ato reagime kishin aq shumë rëndësi për të sa ajo e barazvlerësonte me të ardhmen e familjes së saj.
Dy burrat, që kishin futur vajzën në mes dhe tashmë gjerbnin kafetë e freskëta, gati me përtesë, ishin shumë të njohur për Lirinë. Njëri direkt e tjetri indirekt. Ajo nuk bënte pjesë në atë ministri ku punonjësit, siç thoshte populli, të dinin sa lugë kishe në shtëpi, por edhe nga ministria e saj kishte mundësi të siguronte aq informacion sa i duhej.
Burri me atë portretin simpatik, tepër i lodhur, i zbardhur dhe i mpakur, dikur rridhte nga një familje e madhe. Por, pas vendosjes së regjimit komunist, quhej klasë e përmbysur dhe sapo kishte lënë prapa shpine hekurat e burgut politik. Vështrimi i tij, sa i vrarë aq edhe kureshtar, i uritur për jetën, por edhe i lbyrur nga drita e saj, e tregonte tamam si një shtazë që sapo ka dalë nga kafazi. Pikërisht ky njeri, deri dje i përbuzur prej fatit dhe prej tyre, mund të luante një rol vendimtar në të ardhmen e familjes Gurollari.
Ai burri tjetër, me shpinë prej saj, ishte Vladimir Qirjazi. Edhe ai klasë e përmbysur, por që i kishte buzëqeshur fati papritur me një nga ato marifetet që mund t’i quajmë akrobatike. Ai ishte një miku i saj i vjetër, i cili duhet të bënte kërcimin e anasjelltë, duke u rikthyer në vendin e parë. Kërcimi që kishte bërë ai mund të quhej një kërcim social i këmbyeshëm.
Për sa i përket vajzës nuk ishte punë e saj ta vlerësonte. Atë le ta bënte Çlirim Gurollari. Nga ato anë, që u interesonte të gjithëve në familjen Gurollari, ajo e kishte studiuar me hollësi nga të gjitha pikëvështrimet. E kishte peshuar me zigare floriri dhe i dilte flori dyzetë karat. Nuk kishte gabuar kurrë Vladimir Qirjazi. Kartrat i kishte për ta bërë ministre. Por ajo e kishte porasitur se vajza duhej të ishte tmerrsisht e bukur që të matej me të fejuarën e Çimit. Dhe ja ku ishte dhjetë herë më e bukur se Frida Golemi. Por akoma më tepër duhej të ishte shumë e zgjuar, sepse Çimi ishte i prirur sa nga bukuria aq edhe nga intelekti. Bile të parën edhe mund ta toleronte, por këtë të fundit kurrë. Ai pretendonte femra që dinin të silleshin në shoqëri, t’i kishte partnere në jetë dhe oponente në mendime. Po ku gjen femra të tilla tek të cilat të përputhen aq mirë këto dy cilësi, mendonte Liria. Për dreq mençuria shkon e ngjitet tek ato shëmtaraqet dhe bukuria tek ato budallaqet,i kishte thënë Vladimir Qirjazit. Një në një mijë gjen dhe të tilla, përshembull ti, i kishte vazhduar ai, duke e kapur lehtë për beli dhe e afroi aq shumë sa ndjeu aromën e njohur të qafës së saj. Pas një puthje të lehtë dhe të ndrojtur në flokë, ai kishte shtuar: Por ajo i ka cilësitë që do vëllai yt në një shkallë më të lartë se ti. Liria kishte marrë frymë lirisht.
-Dy uiski,-i tha Çimi kamarierit, që rrinte në këmbë para tyre.
Pasi kishte zënë vend dhe u dha porosia, Liria bëri sikur u befasua, sikur s’e kishte vënë re Vladimir Qiriazin, kur i përshëndeti me kokë. Edhe ai ktheu si padashur kokën dhe ajo brofi në këmbë:
-Uaa! Të më falësh Ladi. Nuk vura re me vëmëndje dhe ti s’e kthen kokën fare.
Ladi u ngrit në këmbë, shtrënguan duart dhe ai bëri sikur e njohu me dy të pranishmit e tjerë.
-T’ju themë të drejtën u përqëndrova më tepër tek vajza. M’u duk se pashë diçka të veçantë, ia bëri Liria si aktore.
Babait të vajzës, zotit Dhimitër Furxhi, nuk i erdhi mirë për ato fjalë nga një e panjohur, aq më tepër në prezencë të një djali të panjohur prej tyre.
-Ja edhe vëllai im i vetëm, Çimi,-vazhdoi Liria, duke treguar nga tavolina e saj. Djali lëvizi pak nga karrigja dhe bëri një përkulje me një respekt të shtirur, se nuk i pëlqeu ai prezantim i gjatë e i hollësishëm i motrës. I ngjatjetoi me kokë dhe u rehatua në karrigen me sfungjer. Liria zuri vend dhe, për të mos i lënë kohë vëllait për ndonjë replikë, filloi t’i fliste për gjëra pa rëndësi.
-Ky ambient më ka pëlqyer gjithmonë. Sa u inaugurua hotel “Tirana” unë s’kam preferuar lokal tjetër mbi këtë. Ky është me parametra evropianë. Pavarësisht se puna më ka çuar më tepër te “Dajti”, kur kam patur kohë të lirë, unë kam frekuentuar këtë,-thoshte si një llafazane e përkëdhelur.
Çimi ktheu kokën nga e motra, i buzëqeshi dhe i kapi dorën.
-Më vjen mirë, motër, që të shikoj kaq të qeshur e të gëzuar. Kam sa ditë që të gjej të trishtuar e të menduar.
Paçka se vlerësimi i gjërave në përgjithësi është relativ, në situata të caktuara ato kthehen në kategori absolute,-mendonte me vete Liri Gurollari. Kjo zgjidhje në situatën e sotme është perfekte dhe këtë s’mund të ma kundërshtojë askush. Edhe Çimi do të bindet shumë shpejt.
Ajo e dinte sa e vështirë është të shkulësh një dhëmballë e të ngulësh një tjetër në vend të saj pa dhëmbje. Por ndonjë herë është e domosdoshme të bëhet, nëqoftë se stamatologu dhe pacienti do të shmangin ndonjë infeksion vdekjeprurës. Dhe me ata sytë e gjelbër, që i ndriçonin si të maces në errësirë, ajo vëzhgonte çdo reagim të Çimit. Përsa i përkiste vajzës, s’donte t’ia dinte fare. Atë punë e ndreqte pa një pa dy miku i vjetër, Vladimir Qirjazi. Ai e kishte garantuar se vajza do të pranonte. Veçse kjo punë donte stisur sa më shpejt. Pasi tani vajza ishte më e trullosur se sa babai, që sapo ka dalë nga burgu. Asaj do t’i verbohen sytë kur t’i afrohet ai goxha djalë, kur t’i afrohet Tirana dhe ajo shtëpi me tërë të mirat. Kontrasti midis mizerablës morale e shoqërore, ku ishte zhytur, me këtë që do t’i shfaqet përpara, do ta bëjë atë të besojë mrekullinë, kishte thënë Ladi. Kjo është më se e vërtetë, tha me vete Liria dhe iu kthye sërish bisedës me Çimin.
-Lokalet, pas një dite të lodhëshme dhe të stresuar, gjithmonë më janë dukur si ato oazet për udhëtarët e shkretëtirave. Shkarkohej, harrohej, qetësohej, relaksohej dhe pertërihej…Ha-ha-ha!-qeshi dhe shtoi me zë të lartë:
-Nuk e di ç’mendim ke ti si poet për atë që thashë?
Çimi mendoi se mos motrës i ra keq uiski, pasi po bëhej shumë llafazane. Kjo sjellje nuk i pëlqente. Sidomos përballë asaj tavolinës, ku ishte ulur ajo vajza me një bukuri prekëse dhe ngrinte shpesh kokën si ato kafshët e egra të Afrikës, kur pinë ujë dhe dëgjojnë zërin e një kafshe tjetër, pre e së cilës mund të bëhen nga çasti në çast. Ndërkohë Liria vuri re efektin e fjalëve të saj dhe me kënaqësi konstatoi turbullimin e të dyve. Trupi i zhvilluar mirë i vajzës, vijat sensuale të gjoksit, krahëve e qafës mjaftonin për t’i dhënë zjarr gjakut të vëllait. Gjë që pas pak e ndjeu fare qartë. Pyetja pa përgjigje atë e gëzoi. Dmth vëllai ishte dhënë i tëri pas saj aq sa nuk dëgjonte as pyetjet e motrës. Pikërisht ajo e gëzonte dhe ai ishte qëllimi i saj. Më tej filloi ta hidhte bisedën sa andej këndej, duke mos iu afruar fare bisedave familjare dhe atyre shoqërore. S’donte kurrësesi që Çimi të binte në mendime apo të kujtonte Fridën. Por gjykatësi i ri nguli sytë në tavan, tek një abazhur i madh, sikur atje të priste shfaqjen e një komete apo një eklips të paralajmëruar. Ai nuk e ktheu më kokën as nga e motra, as nga vajza mbresëlënëse. Pastaj u kujtua dhe, për të mos mbetur mospërfillës ndaj motrës, u kthye prej saj dhe i pëshpëriti në vesh:
-Ndihem mirë që po të shoh pak llafazane, se kam kohë që të shoh në një përvuajtje të thellë, pavarësisht se ti nuk jepej lehtë.
Ajo i buzëqeshi. E dinte se vëllai i vetëm i donte dhe i respektonte shumë dy motrat e tij. Bile e dinte edhe se ai e respektonte më shumë se Selën, me qënë se ishte më e madhe, por me Selën ai sikur ndihej pak më mirë, më i lirshëm. Sidoqoftë ai ishte krenaria e të dy motrave. Shpesh i vinte turp edhe nga vetja, kur mendonte se Çimi kishte shpërndarë te motrat dashurinë që duhej të kishte për babanë. Në të vërtetë atë mund ta vlerësoje si djalin më korrekt me të atin, por respekti nuk është tamam dashuri, mendonte ajo. Sela thoshte se ajo disonancë, atë e bir, e kishte krijuar vetë babai me atë përkujdesjen pedante për figurën moralo-politike të tij. Çimi kishte shpirt artisti dhe s’mund t’i duronte pa qejfmbetje gjithë ato presione për muzikën, veshjen, flokët e paraqitjen e tij të jashtme në shoqëri. Bile edhe dega e jurispudencës nuk i dukej fort e përshtatshme për të. Sido që e kuptonte se i ati gjithçka e bënte për të ardhmen e tij, nuk mund të pajtohej deri në fund me të. Një herë, në intimitet, ai u kishte thënë motrave: unë, le që në karakter s’i ngjaj shumë babit, por s’i ngjaj fare as në fizionomi. Motrat ishin vështruar në sy pak me habi, kurse Lirija uli kokën sikur diçka do t’i lexohej në sy.
Padashur Çimi zbuloi një shenjë që Vladimir Qirjazi i bëri Lirisë. Ai nuk deshi ta kuptonin se i pa. Por Liria e kuptoi shumë mirë dhe u kthye nga vëllai, i buzëqeshi me delikatesë dhe i kapi dorën. Ndërkohë tavolina përballë u ngrit. Gjatë kohës që vajza mori pallton e saj jeshile nga varsja dhe filloi ta vishte, Çimi dalloi ca linja edhe më sensuale në vithet, këllqet dhe ijet e saj. Ajo nuk u largua pa i hedhur atij një vështrim të ndrojtur e paksa të zgjatur, që e bëri t’i kalonin ca mornica në trup. E motra i ndjeu sikur të ishte një sizmograf shumë i ndjeshëm.
Minutat pas largimit të klientëve fqinjë Liria i duronte me vetmohim. Cili është misteri i lidhjeve të rrufeshme midis femrave e meshkujve? meditoi ajo. Unë nuk i kam besuar asaj teorisë që pretendon se nga hunda dalin ca neurone simpatie dhe kur ato përputhen në frekuenca, dmth janë valë me gjatësi të njëjtë, që u komunikojnë burimeve maksimumin e energjisë, lind simpatia e më pas dashuria. Mendoja se duhej të ishte diçka më e thellë. Por ja e pashë me sytë e mi si u dashuruan Çimi dhe Marjola me një të parë. S’duhet të jetë pa gjë ajo teori. Duhet të ketë diçka shkencore. Sa herë më ka ndodhur vetë mua. Rashë brënda për vdekje me Bujar Çaparin sa e pashë. Pak a shumë ashtu më ndodhi me Vladimir Qirjazin, me…
Dalim. Makina e ministrisë tënde erdhi,-e ndërpreu zëri bariton i të vëllait.
Lirija ndihej gati e lumtur. Ishte e sigurtë se ia kishte arritur qëllimit. I dukej sikur ishte ngopur deri në grykë me pijet më të ëmbëla e më dehëse në botë. Kurrë s’e kishte shijuar një kafe e një uiski aq shumë. Një lidhje bashkëshortore e vëllait të saj, djali i një zëvendësministri dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë, me vajzën e një të dënuari politik të mirënjohur, do të ishte varka e shpëtimit për gjithë familjen e saj. Kishte shumë besim te miku i vjetër, Vladimir Qiriazi, kandidati për deputet i opozitës.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen