Donnerstag, 8. August 2013

Cikël poetik nga Shefqet Sulmina


Kur do të vish

Kur do të vish, thuajmë kur?
U rralluan dhe yjet në qiell,
Dhe hëna u tretë mbi drurë,
Lumi rrjedh kuturu mbi gurë.

Nën simfoninë kuisese të erës,
Rrugët mbeten të shkreta
Pyjet pikëpyetje të pagjetura
Fjalët e tua sonte të pa thëna.

Kur do të vish?E njëjta pyetje,
I njëjti mendim që më klikon.
Ndërsa nata mbretëron e tera
Siluetën tënde kërkoj në dhomë.

Kurrë s’kisha qenë në Sazan

Dhjetor ishte dhe s’qe as maj...
Kur befas mu shfaq deti i saj.
Unë det të gjallë s’kisha parë,
As Dean s’e kisha parë të gjallë.

Një gri dimri dhe borë e bardhë...
Përplasej det i Jonit mbi Sazan.
Unë det si njeriu nuk kisha parë,
T’më fliste e t’më qeshte si i gjallë.

Dhjetor ishte dhe më duhej zjarr...
Valët zunë të më qanin në Sazan.
Dhe s’kisha forcë dhe s’kisha varkë,
Valët zunë t’më qeshnin në Sazan.

Ç’mu desh të lëvdoi detin e saj?!
Unë det të gjallë s’kisha parë.
As Dean s’e kisha parë të gjallë...
Borë edhe det, rrethuar në Sazan...

 

Ajo më thotë

Ajo më thotë se do të më vrasë me heshtje
Edhe unë në heshtje do ta dua,do ta vrasë,
Do të ngreh një kështjellë të madhe prej rëre
Dhe vetë do të mbyllem në të brenda për inat.

Dritaren do ta mbyll,do ti mbyll dhe grilat,
Që ajo si engjëll drite mos të më zgjoj në gjumë,
Do ti shpallë luftë,me çarçaf do të mbuloj kokën
Që ajo kokës time mos ti trokas më kurrë.

Kështu do të bëjë se ndryshe s'mund ta mund,
Këtë grua që më rri te dera dhe brenda s'hyn.
Kështu do të bëjë në këtë kështjellë prej rëre,
Ku një grua mund ta rrëzoj dhe me frymë.

 

Ti duhet të kthehesh

Ti duhet të kthehesh unë nuk e di përse,
Ndofta se më ike kështu papritur,
Ndofta pse s'të putha për herë të fundit,
Po ku e dija unë se ishte herë e fundit.

Ti duhet të kthehesh unë nuk e di sepse,
Siç nuk e di pse më deshe përse,
Siç nuk e di pse s'të desha më shumë,
Siç nuk e di pse më lë pa gjumë.

Duhet të kthehesh,të kthehesh tek unë,
Nuk e di pse prapë të desha kaq shumë!
Ndofta pse s'të putha për herë të fundit,
Po ku e dija unë se ishte hera e fundit.

 

Moj mike

Ishe ti, ishe ti që vodhe Prometeun,
Para se Prometeu te vidhte Perëndite.
Me zjarrin e tij sa më shumë të më joshje,
Dhe sa më shumë të ishe ti e mirë.

Ah,moj mike të më kishe vjedhur mua
S'do ma kishe ngulur në kokë marrëzinë...
Se unë Perënditë s'do t'i kisha vjedhur
Boten ta ngjyeja me benzinë.

Ah,moj,mike të më kishe vjedhur mua,
Sa mirë kjo botë me Perënditë do ta kish.
S'do kish më të varfër e të robëruar
Dhe Guri i Sizifit s'do ekzistonte, sigurisht.

E shumta,poetet nga pak do t'i vidhja,
Prej tyre do merrja aq zjarr dhe dritë,
Sa mos mërdhija mbrëmjeve e të shihja
Ty,veten dhe Perënditë.

Ah,ç'na bëre moj mike,medet...
Si s'të erdhi keq e ta mendoje më mirë,
Na prishe që na prishe Prometeun,
Na prishe qe na prishe me Perënditë.

Ç'na u desh kaq zjarr,moj,ç'na u desh,
Sa për të djegur gjithçka, moj, për dreq,
Veç Prometeun mos kishe vjedhur,
Se zjarrin brenda teje e pate ti vete.

Na prishe që na prishe Prometeun
Na prishe qe na prishe me Perënditë.
Por ishe ti,që vodhe Prometeun,
Para se Prometeu të vidhte Perënditë.

Nga libri “Siç më the ti”,  Jonalda 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen