Donnerstag, 1. August 2013

Grigor Jovani: Lirikat e fshatit


GRIGOR JOVANI

HIJET
 

Ec nëpër fshat dhe flas me hijet.
Hije nga pemët pranë.

Nga retë lart: hije të tjera.
Janë ca hije të padukshme:
i zë me dorë
dhe shkrijnë të tëra.
Hije që kohai harroi
gjatë një kalimi
edhe mbetën.
Si qiparisat mbi varreza,
lëshojnë shi,
por kurrë s’u tretën.
Hije që shkrinë brenda në shpirt
mjergulla
gjysmëshekullore.
Të fjetura dhe të padukshme,
u ngjallën prapë,
më zenë prej dore.

Më rikujtojnë kaq shumë balada,
udhështegtimeve të gjata.

 

AJO ESHTE…

Ajo ka dy sy gjithë dritë,
por nuk është xixëllonjë.
Kundërmon aromë çdo ditë,
veç nuk është lule begonjë.
Ka një ngrohtësi në vete,
veçse diell s’mund te quhet.
Shkul rrënjë ngado ku vete,
por s’është erë, që fryn e shuhet.
Dallgë ndjenjash mbledh në gji,
veçse s’mun t’i themi breg.
Ndezur mban thëngjinj nën hi,
por s’është zjarri, që të djeg.

Ajo është një grua malli.
Kur mungon, më mundon djalli.

 


DUKE PRITUR AGUN

Zhveshur krejt,
mes natës që zezon,
zbathur dhe me flokët e pakrehur,
ngutet hëna e vetme. Që nga poshtë,
ngjan e çmendur.
Pandeh se nuk e sheh njeri,
por s’e di:
poshtë tek deti, si mbi një pasqyrë,
i kërcasin hapat,
duke rendur.

Yjet ndizefiken,
s’dinë ç’të bëjnë,
zemrës sime i vjen keq për të
dhe nuk i rrihet.
Ndjehet e vetmuar edhe ajo.
Ka turp Zotin, që e sheh kështu.
Pret të gdhihet.
 



AJO QE VJEN ME ZJARRIN

Mëngjesit,
fryu një erë e ëmbël
edhe thashë:
do të ma sjellë flladi!

Nuk qe atje.
Dhe isha bërë gati…

Mbërriti vapa e madhe
në mesditë,
u dogj gjithë fshati.

Thashë: nuk më do as fati!

Ndizeshin flakë nëpër pemë,
mbyllnin petalet lulet,
nga zjarrmia.

Dhe e kuptova: po qe zjarr,
është brenda Dashuria!


BELAJA

“Nuk të thashë, belaja ime,
në mulli mos dil!
Të tërheq rrota prej guri,
bëhem unë katil.
Të huton, tek ikën uji,
bije dhe nuk del.
Do më bësh, belaja ime,
me zor kriminel”.

“Mos m’i hidh, nuk të kam thënë,
sytë ngjyrë qiell?
Zemra ime është si gruri,
shkrin dhe bëhet miell.
Të bësh drithin për kaq mote,
se shkon uji kuturu.

Mullixhiu im pa tru!”



NATA

Çudi me natën në fshat!

Shtrihet brenda nesh.
Ulet këmbëkryq.
Nuk di të shkulet.
Si një pemë nxjerr degë.

Vjen qyqja mbi fletë.
Qan mbi lulet.

Si t’i shpëtosh? Farët e saj mbijnë pyje të zinj.
Ec dhe zbo prej tyre
errësirën...
Kafshë të egra i banojnë. Zogjtë,
mbulojnë me duart e dridhura fytyrën.

S’mund ta ç’rrënjosësh nga vetvetja,
në fshat,
natën e errët.
Vetëm dielli
mund të vijë dhe ta presë me sharrë,
në mëngjes herët.

(Shkruar në Jergucat,
26-30 korrik 2013)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen