Freitag, 23. August 2013

Shahadije Neziri Lohaj: Poezi


PERANDORINË E HADIT

S'di pse më kujton ëndrrën e natës, ...

Kur ajo iku para se të lindë dielli i ri,
Dhe shkrinë ato copëza drite,
Që t’i vodhën prej copës tënde të artë,
Prej copës,
Që loti im lau sytë e tu.

Do të hyjmë në Perandorinë e Hadit
Vetëm unë e ti
Rrënjet tona aty do t’i ngulim,
Nuk do t'i kemi syzhbiruesit,
Që të na i presin zemrat,
As korbat,
Që të na hanë të gjallë
Nuk do t'i kemi,
Nuk do të kemi njeri të gjallë.

Në Perandorinë e Hadit do të hyjmë,
Ëndrrat do t'i varim në yjet e zjarrtë,
Që do të shkëlqejnë vetëm për ne,
Te një gurrë do të pimë ujë
Do t'i lajmë sytë,
Dhe trupin do ta shenjtërojmë.

Do t'i hedhim netët e vetmisë,
Mbrapa kësaj kohe të krisur,
Hallet, këngët, thashethemet,
Vetminë, ah vetminë,
Vetëm bilbilat do të zbusin,
Ku do të shuajmë mallin
Me melodinë e hijeve,
Në gjinjtë e Perandorisë,
Me puthjet do të lozim
Deri në një perandori tjetër...

 

GRAFITET E MIA NË MUR

A thua jam e vetmja në botë
Që më ka burgosur liria?
A thua ku flenë e ku zgjohen
Ato grafitet e mia?
K.R. e Eho
Janë në djersën e shtetit
A në djersën fëmijërore?
Janë në themele të kthyer përmbys,
A në kala ëndrrash
Sot e mot!
Gjithë jetën kam rendur
Me to në duar
Edhe ato më ndiqnin pas
Ato grafite me pak shkronja,
Që pikonin gjakun tim.
Sa ironike!
Sa patriotike!
O Zot, sa shumë dhimbje
Ka pirë loti im
Për të dëgjuar tingujt
E lirisë shpirtërore
Kur ditë e natë duarlidhur
Vënë pas murit ngrysesha,
Në qeli prapë se prapë shkarravisja
Të njëjtat grafite.
Në atë lakuriqësi
Ushqeja shpresën me shkëlqimin e lirisë
Lexoja grafitet nëpër
Gjethe të pranverës
Në lisin e dhembjeve të mia.

 

SONTE PËR TY

Ja trupi, shpirti dhe gjethi lëkunden pa pushuar,
Do të kujtosh me mote freskinë që të kam dhuruar,
Të ëmblit sy që të shihnin, sa e sa bukuri të kanë dhënë,
Matur me tiktaket e zemrës sime që fjala dot s’i ka thënë.

Sot jam aq larg sa duart e mia që drejt teje rrinë shtrirë,
Sot gjithkah pergamenave të tua kambana po bie më të gdhirë,
Më kupto! Sot drejt teje është nisur këmbë shpirti im i etur,
Duart i shkojnë prapa, nga dheu zgjohet zemra moti e tretur.

Të të gjejnë kudo që je e të të marrin në meshën time të rrallë,
Qoftë vetëm edhe një herë të belbëzosh muzgjeve atë përrallë,
Që të shoh në pikë të ditës hënën të derdhur në dritën e diellit,
E të ngrihem nga varri e të fus një e një në gji të gjithë yjet e qiellit.

Për të të takuar vetëm edhe një herë jo nuk do jetë vonë,
E me ata gishtërinj zjarri e mallit të shpupuritim hirin tonë,
Në vatrën legjendë, ku rritet dhe piqet vetëm molla e dashurisë,
Me vetëtimat e shiut të verës, me bekimin tonë e të Perëndisë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen