Freitag, 23. August 2013

Vullnet Mato: Katër poezi


FOLA ME TRUNGUN E NJË PEME

Një çift i dashuruar
kishte gdhendur dy emrat,
mbi lëkurën e një ahu
degëgjerë e shtatgjatë.
Afrova buzët,
te një nga nyjet e kësaj peme
dhe i fola me gjuhë pemësh,
trungut kryelartë:

-Jam një mik i pyllit,
nga vitet e djalërisë së hershme,
dhe gjuhën e drurëve
e kam mësuar me mjaft pasion,
kur gdhendëm emrat
e dashurisë së pavdekshme,
me vajzën që mora grua
dhe në vazhdimësi deri vonë...

- Nuk mund të flas më gjatë
me një njeri që njihet mirë,
në kujtesat drusore,
të transmetuara nga të parët,
te çdo dru që bën hije në pyll,
dhe i ruan në fshehtësi,
sa të digjemi nga rrufetë,
apo të rrëzohemi nga druvarët...

-A mund të më bësh vend,
o dru, të hyj në trungun tënd,
dhe si mik i vjetër i trungjeve pyjor,
të flasim shtruar!...
- Ç’ kërkon të më thuash, o njeri?-
tha trungu me ton të rëndë, -
kur emrin e gdhendur në dru,
tani nuk e ke në zemër të shkruar!...

-Nga e di ti, o dru i moçëm,
kur ne bashkë me gruan jetojmë
në të njëjtin çift që na bekuan
drurët e një pylli tjetër;
Kemi mbjellë e rritur
tre filiza të rinj, si drurët e ahut,
që bëjnë hije në pyllin njerëzor
të botës sonë të vjetër.

-Të jetosh bashkë s’do të thotë,
se ju keni akoma në zemra,
emrat e gdhendur
në zanafillën tuaj të dashurisë.
Përderisa në zemrën tënde
kanë shkruar emrin disa femra,
nuk dihet kujt i përket
zemra jote e ndarë shumëfish!...

-Ou!... hape derën, të hap zemrën,
të ta tregoj konkretisht,
se ruaj gdhendjen e emrit
të asaj që kam ende në shtrat!...
-Shko, ore, se s’ ma hedh dot mua,
ti, zemërgdhendur nga tradhtitë,
se ne i kemi kujtesat të regjistruara,
në rrathët e viteve të gjatë!...


QENI ROJTAR, ERA DHE GJETHJA

Thuhet shpesh, fjalët janë gjethe,
që pasi thahen, bien dhe i merr era.
Shkrimi është qen i madh leshtor
që i ruan lidhur me zinxhir mbi letra.

Megjithatë dhe ky racë qeni rojtar,
Nuk jeton mbi letra përjetësisht,
se ka zbutës qensh që afrohen tinëz
dhe e helmojnë me një copë mish.

Ndryshe si do merrte grabitqari tokën,
shtëpinë e të patundshmet e tjera
të bëhej vet pronar, pa trashëguar
asnjë gjethe të shpëtuar nga era?...

Unë linda bashkë me disa hektarë
tokë buke, truall, pemë dhe shtëpi.
Por gjithë trashëgimet m’i mori era,
pasi qentë roje i helmuan disa qeveri.

Dhe tani pres, derisa dhe trupin,
era e fundit të ma hedhë si gjethe,
te mali i Dajtit, ku do blej dy gurë,
sa të më shkruhet emri i kësaj jete...


NDJEHEM NË NJË REPUBLIKË ÇUDIRASH

Sa herë në muret e trurit
më përplasen lajmet,
ndjehem trishtueshëm
në një republikë çudirash,
ku lumenjtë e shumtë,
fushat bleroshe dhe malet,
ushqejnë tufa karkalecash
në pushtime hapësirash.

Paraja që buron nga djersa
dhe mendjet talente,
këtu rrjedh nga përrenjtë e turbullt,
krejt të fshehtë,
dhe thithet nga sfungjerë kolltukësh
ndër kabinete,
ku pazare matrapazësh
shpërndajnë fitimet fare të qetë.

Sa herë në muret e trurit
më përplasen lajmet,
ndjehem trishtueshëm
në një republikë çudirash,
ku ligjet janë tufa resh
që shtyhen tutje nga tufanet,
të përshtatin motin
në qiej të errët padrejtësirash.

Zbatohet rreptë
ndalimi i gjuetisë së sorkadheve
dhe në vend të tyre
vriten pa asnjë lloj frike gratë.
Burri vret burrin
për currilin e ujit të livadheve,
pa menduar kush korr
për bagëtitë barin e thatë.

Të mençurit janë të lindur
nga barku i kotësisë,
Republikës i duhen në timon
vozitës të shkathët,
që bëjnë turmën të shohë
me shkopin e verbërisë
dhe të brohorasë
mefshtësinë e trurit të ngathët.

Duke zgjatur anabasin e Shvejkut
nëpër Bugjejovicë,
majmen eprorët
që nxitin varfërinë në ecejake,
ku njerëzit dekadave
jetojnë racionimin me pakicë,
të ushqyer me fjalë boshe
nëpër tenxheret partiake.

Sa herë në muret e trurit
më përplasen lajmet,
ndjehem trishtueshëm
në një republikë çudirash,
ku ngjiren kokoshët liderë,
duke kakarisur sloganet,
nga mëngjesi në mesnatë,
nëpër vizione pasqyrash...


GJUHA E TRUPIT

Shumëkush fillon nga përgatitjet
paraprake seriozisht,
t’i drejtohet dashurisë
me fjalë e fraza sa më pikante
dhe qëmton me kujdes
fjalorin e zgjedhur posaçërisht,
për çastet kur do të shprehë
ndjesitë e veta delikate.

Pa menduar se natyra
ka vënë në trupin e çdo njeriu,
një gjuhë më me efekt,
se përpjekja të ëmbëlsoj tonet.
Vetëm me gjestet
që shprehin gjymtyrët vetvetiu,
rizgjohen shumë herë
më të fuqishme emocionet.

Provo, derisa syri i saj të përgjigjet
me vështrim prej miku ! ...
Nëse i lë ninëzat e tua të notojnë
nëpër ujërat e syrit,
ajo pulit qepallat me një
psherëtimë të lehtë qerpiku,
për të treguar se për ty
ka hapur të dy kanatat e shpirtit.

Nga nënqeshja e ëmbël,
me rrudhëzat në cepat e buzës,
kuptohet se ajo të ka fiksuar
në ndjenjat e saj sekrete.
Atëherë je i mirëpritur ta ndalësh,
diku në një cep të udhës,
se më së fundi ke arritur
ta bësh zemrën e saj për vete.

Prapë, s’ke pse lodhesh
me thurje hartimesh poetike,
sepse buza e saj me një dridhje,
të fton vet për puthje.
Madje vetulla e ngritur,
habitet me tonet e tua patetike,
kurse vetulla e ulur, të qorton,
nëse vepron me ngutje.

Kur i gufon gjoksi, sikur dy pëllumba
do i fluturojnë nga trupi,
mund t’i qetësosh urtë e butë
me ledhatime të ëmbla.
Atëherë, asaj i ka ikur
si një rojtar i përzënë, turpi
dhe me brohoritje të zjarrta
fillon t’i flasë vetëm zemra.

O zot, o zot, të më fliste përsëri,
me ato gjymtyrët e veta,
një bukuri nazike, pa pasur
për zërin tim asnjë nevojë
dhe me gjestet memece,
që ua kalojnë fjalëve të tepërta,
të më mundësonte si dikur,
pushtimin e heshtur fare pa gojë!...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen