Freitag, 16. August 2013
Qyteti qe fle ne dhimbje
Tregim nga Luan Mema
- Martin, - thirri Diana, - paske ardhur!
- Po, - i thashë.
- Po ç’ke ashtu xhani i motrës, çfarë të ka ndodhur? Përsëri me ata?
- Jo Diana, po kam të ftohtë, bëhu gati të ikim në shtëpi. Irena po më vështronte.
- Më fal Diana, mund të të pyes për diçka?
- Po, - i tha Diana.
- Çfarë e kini këtë djalë?
- Kunat, është vëllai i Petritit. Në atë çast dëgjova se po komunikonin frëngjisht me Dianën e nuk kuptova fjalët e fundit të Irenës. Le garçon qualifiés, je jette, de la bonne musiqueest l'esprit de rebelles.Vetem kaq kuptova. Djalë i shkathët, i hedhur, muzikant i mirë, por me shpirt rebel.
- Nga ana tjetër është dhe simpatik, - e mi përkëdheli flokët. Fjalët e tjera nuk ia përktheva dot, megjithëse nuk bëja lëndën e frëngjishtes në gjimnaz. Në 8-vjeçare lëndën e frëngjishtes e bëra me një mësues të talentuar që kishte mbaruar studimet në Francë, mësues Mondin. Ai fliste një frëngjishte të pastër, me theks parizien dhe shumë korrekt. Asnjëherë nuk e mora vesh pse ai djalë kaq i talentuar dhe me një kulturë perëndimore kishte ardhur nga kryeqyteti në qytetin tonë të vogël për të dhënë mësimin e gjuhës frënge, ndoënse ishte krenari për ne që mësonim me një mësues të tillë. Edhe pse në moshë isha i vogël, arrija të kuptoja se mësues Mondi dallonte nga të gjithë mësuesit e tjerë. Ai ishte korrekt në mësimdhënie, por liberal dhe shumë demokratik në mendime. Edhe veshja e tij binte në sy dhe pasqyronte një stil ndryshe në modë. Atëherë kuptova pse Irena me Dianën folën frëngjisht, se radha e qytetareve ishte e madhe dhe po të flisnin shqip, nuk dihej se si do interpretoheshin fjalët e tyre. Klientët nuk dinin frëngjisht, se shumica e tyre ishin pa shkollë të mesme e të lartë. Orari i punës së Dianës mbaroi. Pasi u përshëndeta me Irenën, u larguam drejt shtëpisë së Petritit. Pasi përshkuam një copë rrugë me kunatën time, dallova në bardhësinë e borës që nuk kishte ikur akoma, Shpendin. U përshëndetëm nga larg dhe dëgjonim të njëjtën melodi të atij qyteti që ishte ngujuar në gjumin e lënë peng nga zyrtarë që nuk njihnin turpësi. Morëm të përpjetën drejt kopshtit për të marrë Xhesin dhe Mirin. E Pyeta Dianën se nga njihej me atë grua qiellore.
- Sa romantik je Martin, - u dëgjua Diana. Kam qenë studente me të, por ajo ishte dy vjet poshtë meje. Është e bija e gjeneralit, i kanë sjellë si të internuar. Po, Irena është vërtet grua qiellore ashtu si the ti, me shumë kulturë dhe profesioniste. Po ti e kupton, sistemi nuk e lejon të punojë në zanatin e saj. U çudita nga fjalët e saj.
- Po pse? A jemi të lirë të ushtrojmë profesionet?
- Do rritesh dhe pak e do kuptosh ca gjëra më shumë dhe hodhi sytë nga një autobus që kthehej i mbushur me aksionistë nga ndërtimi i një hekurudhe. Të rinjtë hidhnin parrulla për pushtetin e partinë e në qafë kishin vendosur shami aksioni e një stemë sulmuese prej materiali plastik. Atë mbasdite po e kaloja te shtëpia e vëllait tim. Brenda vetes ndjeva një brengë që çdo ditë po mësoja se çfarë po ndodhte me banorët e qytetit.
- Sot, - thashë,- njoha Irenën që ka vite që rri e strukur tërë frikë nga ky pushtet e dje njoha Lilin që dhe ajo do përfundojë si Irena. Mendimi më shkoi më tutje. Vallë a ka shkuar në shtëpi Lili? Po dru për zjarr a ka? A do i ketë ardhur lata e druve të muajt? Ajo vjeshtë erdhi ndryshe nga gjithë vjeshtat e tjera. Bora kishte zbardhuar gjithë kodrat, malet e pyjet, gjithë vendi ishte zbardhur. Diana po shtronte tavolinën dhe në derë u duk Petriti. Pasi u përshëndet me mua, vuri buzën në gaz e u shpreh.
- E dija se nuk zemërohej vllaçkoja! Diana hodhi një vështrim dhe iu drejtua: - Nuk bëtë mirë mbrëmë që u sollët ashtu me Martinin, ai është goxha djalë tani dhe e kupton mirë jetën. Petriti u përtyp, uli kokën e rrëmbeu një fetë bukë e filloi të hajë. Diana megjithëse ishte me profesion farmaciste, mbahej si gruaja më nikoqire për të gatuar, ishte një kuzhiniere e vërtetë. Byrekun që gatunte Diana të bënte të lëpije gishtat. Xhesi dhe Miri rendnin të shkujdesur nëpër shtepi e po krijonin zhurmë. E ëma, Diana i ndiqte nga pas e po u tregonte vendin se ku do uleshin. Xhejsi m’u afrua , më shpupurisi flokët dhe më tregoi se si kishte recituar një vjershë në kopësht. Nuk i ktheva përgjigje, vetëm i buzëqesha paksa. Miri qëndronte sërish buzë divanit me një tjetër lugë të mbushur plot më supë. E vështrova në sy Petritin, por ai nuk e ngriti kokën e ishte zhytur në pjatën me fasule e perime. U zbeha. Megjithëse jashtë ishte dëborë, unë ndieja vapë dhe u ngrita e shkova pranë dritares. Emocionet që më krijoi ajo grua, nuk më linin të qetë. Më në fund dielli po i afrohej perëndimit, por ishte disi i pazakontë. Retë e qielli morën ngjyrën e plumbit duke paralajmëruar përsëri fillimin e shtratit të borës. Ajri u bë mbytës e u ngarkua me elektricitet. Zogjtë u mbyllën nën degët e pemëve të mbuluara dhe rrallë ndonjë trumcak cicëronte nëpër çati e parmak dritareje për të kërkuar ushqim. Gjethet e mbetura nëpër pemë kishin ndalur fëshfërimën e ulnin kokën si të thara. Një disharmoni po sundonte natyrën përreth. Pasi drekuam të gjithë bashkë atë ditë vjështë që ishte kthyer në dimër, hymë në një rrjedhë që filloi t’i sillte të papriturat njëra pas tjetrës. Ishin të lodhshme. Petriti hapi pak dritaren e ndezi cigaren. Pasi e thithi disa herë, e flaku.
- Martin, të kërkoj falje që u solla mbrëmë ashtu me ty. Unë nuk fola. E bija iu afrua dhe i vuri dorën në sup.
- Ba, xhaxhi nuk mban inat. Diana po na vështronte të dyve, nguli sytë thellë, pastaj pohoi qetësisht.
- Tani dilni e pini kafe në turizëm. Petriti u bind nga fjalët e së shoqes e u ngrit qetësisht.
- Martin!
- Po Diana!
- Do të ndryshojë për të mirë, - tha pastaj.
- Kështu qoftë! - thashë unë. Diana u mundua të na buzëqështë të dyve për të na treguar se gjërat nuk ishin keq. Gjatë rrugës Petriti u përpoq të sqaronte se në ç’rrethana ndodheshim.
- Punët te ne po shkojnë shumë keq, kaq keq sa po krijojmë armiqësi me njëri-tjetrin. Pra, i prishëm marrëdhëniet me gjithë fqinjët e perëndimin, prishëm marrëdhëniet me shtetet më të fuqishme në botë. Ka vrasje, internime, dëbime, burgosje. Ti kujton se unë s’kam ndryshuar?
- Të lumtë! - psherëtiva unë, - nuk e dija se ishe kaq trim.
- Ashtu? - ma ktheu ai. Tani e tutje unë do jem krenar për ty, por ti mos u mërzit, vetëm mëso, se jeta do të sjellë të mira patjetër. Unë doja që ti dhe unë të jemi dhe shokë, jo vetëm vëllezër. Unë ia pohova me kokë. Përpara se të hynim në turizëm, Petriti u përqafua me shokun e tij, Menon.
- Thashë se të bllokoi bora në fshat, - dëgjohej Petriti.
- Sapo jam kthyer, bëmë katër orë rrugë në këmbë, pastaj erdhi makina e asaj sekretares sonë e na mori. Ishim në ekip në Grabovën e Sipërme.
- Sot qenka mrekulli profesor! - i tha Petriti.
- Tani futemi të pimë ndonjë kapuçino!
- Ku do shkojmë? - pyeti.
- Në turizëm!
- E pranoj kushtin Petrit! -dhe vuri buzën në gaz.
- Po ky djalë kush është Petrit?
- Oh, profesor më fal, vëllai im! Në jetën e njeriut ndodhin ndryshime të çuditshme dhe shpesh të paimagjinueshme.
- Është i krisur ky vëllai yt Petrit! Martini jeni ju, apo jo?
- Po, - i thashë. Po ju ku më njihni? Buzëqeshi e të tre u futëm në kafe. Teksa njerëzit në kafe vijonin bisedën me njëri-tjetrin duke folur për këtë dhimbje që kishte pllakosur qytetin, ne po flisnin edhe për dimrin që kishte filluar përpara kohe. I habitur dhe me një rrënqethje që po më kalonte në trup, pashë se Menua më vërente me bishtin e syrit. Mbase do të bëjë me mua ndonjë shaka. Fjalët e tij përpara kafes po më mbulonin trupin me djersë. Petriti heshti e shikonte që unë po qullesha nga djersët. Menua ishte me profesion mësues. Kishte studiuar në Fakultetin e Filologjisë për histori. Ishte me origjinë nga fshati, por nuk dallonte, se brenda tij, në shpirt e mendje, kishte një qytetërim të veçantë. Kishte gati një vit që e kishin marrë në kabinetin e komitetit të partisë si instruktor. Qënia e tij në këtë punë ma shtonte më shumë ankthin. Me mua dukej mister, por isha i gabuar. Atij i kapërthejnë mendimet hijerëndë si një kadedrale. Ai ishte kundër koncepteve të vjetëruara të uniformitetit absolut.
- Unë, - vazhdonte ai bisedën, - mendoj në përfaqësimin e nivelit partiak, ose në institucionalizimin e mendimit, s’duhet të kemi kushtëzime teorike ose metafizike, duhet zbatuar parimi i ekuilibrit të forcave dhe jo i ushtrimit të forcës.
- Ju shihni probleme të mëdha? - pyeti Petriti.
- Mua më duket një reminishencë e gabuar dha aspak demokratike ideja e njëshave absolutë në drejtim. Do prodhojmë gabime e vështirësi të tjera të mëdha edhe në të ardhmen. Unë, duke i hedhur një shikim, mund të them që shumë gjëra do ndryshojnë për mirë, por ka ende punë. - Për një thellim të këtij transformimi duhet të hidhet vështrimi, - e më pa me ata sytë e tij kafe. Ata ulën zërin dhe zhvilluan debatin mes tyre. - Liria e solidaritetit në parti, - po fliste Petriti, - duhet konceptuar si soldaritet në diversitet dhe jo si uniformitet, pra liria e hapjes dhe jo e mbylljes dhe zëri po i dridhej nga inati.
- Miku im, - u dëgjua Menua, - ato janë principe etike dhe përmbledhin besimin e respektin reciprok si dinjiteti e mirëkuptimet, tolerancë e jo komandim që i përdorin si argumenta për të na mbajtur shtypur. Për mua është e rëndësishme të jem i qetë, modest e dashamirës. Interesante ishin mendimet e Menos dhe po pyesja veten nëse ai është diçka i veçantë, ose një variant për të blerë diçka nga Petriti. Jo, nuk e besoj se provokon. Ata janë shokë, por sa i përket nivelit kulturor e arsimor Menoja qënka lart e jo si Skenderi që bëhet urë e të tjerëve.
- Unë mendoj...- dhe e ndërpreu zërin Petriti.
- Urdhëro, fol, ki kurajo e besim te unë, jemi shokë.
- Vlerat bazë në shoqëri, por edhe për ndonjërin, janë sipas mendimit tim liria, guximi, drejtësia, orientimi drejt familjes, njerëzillëku, patriotizmi e besimi në zot. Ai thithi kafen, nxori një paketë “DS” nga xhepi, ndezi cigaren e filloi ta thithte me pasion. Fjalët e Petritit e detyruan të vazhdonin bisedën e hapur. Gjatë asaj bisede unë qetësova veten. Torturat e vuajtjet e mia do marrin fund shpejt, mendova, por nuk ishte ashtu si mendova.
- Unë isha me një ekip kontrolli prej tre ditësh në Graboven e Sipërme, - mërmëriti Menua. Me ne ishte dhe macja e zezë, Eva. E kishte fjalën për sekretaren e komitetit të partisë.
- Sot në mëngjes bora kishte mbushur rrugët e atij fshati. Siç e dini dhe ju atje banojnë vëllenj të ardhur nga Rumania e Voskopoja. Kanë mbi treqind vjet dhe janë të qytetëruar më shumë se fshatrat e tjera. Rreth e qark fshati është i rrethuar nga bredha e pisha ku këta banorë mbajnë veten me përpunimin e tyre në gdhendjen e bucelave dhe kadeve. Në oborrin e dyqanit takova Josifin, msuesin e fshait. E kam pasur në shkollën pedagogjike, në të mesme.Te dera e dyqanit qëndronin dy burra rreth të pesëdhjetave në këmbë.
- E njeh kush është ai që është mbështetur te muri i dyqanit, - më pyeti Josifi.
- Jo, - i thashë.
- Është gjenerali që e kanë sjellë të internuar. Në atë moment do ta kisha më të lehtë të mos më shtynte kureshtja për ta parë nga afër, por luftova për çudi, këto mendime erdhën tek unë si një mësim i dhimbshëm. Vendosa të merrja vesh e ta njihja nga afër këtë strateg që studioi në Rusi e u diplomua me medalje ari. Sot jeton këtu në Grabovë ku nuk ka as rrugë e tokë për të punuar. Sa e turpshme ishte! Unë i kisha ngulur sytë e dëgjoja me vëmendje. Petriti nuk fliste. I mori një cigare Menos e thithte tymin kot pa e ndjerë.
- Mbërrita përpara dyqanit e i përshëndeta. U futa në dyqan, bleva një paketë cigare, dola për ta parë nga afër.
- Si po ia kaloni këtu?
- Mirë, - u përgjigj gjenerali e uli sytë poshtë. Dallova se ai i kishte sytë si shigjetë. Padija qesh tek pikëpytja mendova me vete, ndërsa dija e këtij burri qëndron në mendjen e tij si një diell i prerë. Ashtu i prerë siç kishte begraundin ushtarak. Kishte pamjen e një kryeboshtori pallati.
- Mrekulli! - ia bëra i hutuar. Të gjithë morën frymë të lehtësuar.
-A mund ta di dhe unë ç’po ndodh pyeta veten? Ku jam këtu? Tjetri m’u afrua, nxori kutinë e duhanit e ma zgjati.
- Faleminderit, - i thashë, - e keni të fortë. Pashë se Qerimi, një nga pjestarët e ekipit, më shikonte shtrembër. Shikimi i Qerimit m’u duk marrëzi. Vetëm nëse do kishte muzikë do më çlironte disi nga ajo gjendje trishtimi.
- Kisha një lutje për ju, - m’u drejtua gjenerali. -Nuk e di nëse shkoni në zyrën e këshillit se doja të bisedoja për një hallin tim.
- Urdhëro, - i thashë, - për njerëzit kemi ardhur këtu.
- Doja të më shikonit atë dhomën që, banjo domethënë, atë që më ka dhënë këshilli. Jam ca si ngushtë atje.
- Po sa pjestarë të familjes banoni?
- Vetëm, - më tha dhe lëshoi pika loti. - Familjen kam vite që se kam takuar për ca rrethana të miat. Më falni se ndoshta ju vë në telashe. Unë jam i internuar këtu. Këtë e dija unë dhe informacionin e mora se më tha Josifi.
- Nuk është larg, - më tha, - ngjitur me mullirin.
- Po mirë, - i thashë, - shkojmë, por sa të marr kryetarin e këshillit. Vazhduam drejt barakës buzë një përroi e u gjetëm te dhomëza e tij. Një dhomëz dy me tre, por që katër muret i kishte mbushur me libra. - Petrit, as në bibliotekat e fakultetit nuk kam parë aq libra. I thashë kryetarit të këshillit që ti mbulonin ato pika në dhomëz me plloça guri për të mos prishur librat që ishin një thesar. Kur zbrita poshtë nga zyra, gjeta Evën dhe ajo më vështroi rrotull.
- Meno, ti je një burracak, - thirri papritur ajo. - Me çfarë të drejte e takove armikun e partisë e të shtetit? A përfaqësoni ju idealin e komunizmit? A ka ndikim te ty figura filozofike e Marksit, apo figura politike e Enver Hoxhës? Për ty është më e rëndësishme takimi me gjeneralin, apo puna në grupe? Po e zbut luftën e klasave shoku Meno!
- Po moj shoqja Eva, mendoni ju ashtu se unë jam i qartë dhe e di mirë se ç’është lufta e klasave, por kurrë nuk mendoj se jemi gjithmonë kalorës dhe të tërheqim frerët. Po t’ia kthejmë vetes dhe dikush të na tërheqë frerin, sa dhimbje do mbanim në shpirt?
- Unë të nxjerr edhe përjashta dhe pastaj ndeshemi bashkë. Unë vështrova nga Moza, një shoqe që mbulonte gruan, ishte dhe ajo me ne.
- Po kjo nga e mori informacionin? - e pyeta. Moza ngriti supet. Qerimi uli kasketën që mbante në kokë dhe nuk fliste.
- Shoqja sekretare, po ta kini nga vetja unë jam gati të jap llogari pse i fola e pashë librat që po i kalbeshin nga shiu. Prandaj kemi ardhur në ndihmë e kontroll. E kuptova se i kishte dhënë informacion të gabuar Qerimi. Pandeh se unë nuk i mendoj këto që thua Petrit? Po ja, këtë nivel ka udheheqja jonë. Unë mora një pamje të vajtueshme.
- Jemi pa shpresë, më erdhi keq për gjeneralin, por nuk kisha parë grua më të çmendur se sa ajo, - mërmëriti Menua. Askush, sado të përpiqet, nuk i shpëton dot kësaj lufte Petrit. Më kujtohet shumë mirë mua se sa shkresa sjell ky kryetari i degës sekretarit të parë për arrestim. Askush nuk e di ku jemi. Unë vështrova kamerieren, një vajzë rreth të tetëmbëdhjetave që po i afrohej tavolinës tonë. Ajo uli sytë e buzëqeshi dhe më pas u drejtua nga një tavolinë tjeter.
- Po pa dyshim Meno, - shtoi Petriti, - edhe në këto kushte të vështira bën një punë të devotshme për njerëzimin. Ai u mbush me frymë dhe u çlirua në fytyrë nga fjalët e Petritit. Unë i vështroja, por mendjen nuk e kisha te biseda e tyre, sepse po bluaja në mendje se edhe ajo ishte njëlloj si motra e vet, Ana. Shpirti i tyre nuk kishte dashuri, por vetëm urretje. Urrejtja e vjetër që më ngjethte mishin. Trokitja e saj na rrëmbente trupin e dashurinë nga ky pushtet shtazarak. I mpakur i mbledh forcat për ti bërë ballë këtij zëri që ndjek një botë tjetër. Bota e ndryshmi nga të tjerët, prandaj duhet mbledhur forca që unë dua, por dhe Petriti e Meno, vetëm kështu ne do ecim përpara. Këto që po mendoja m’u shkëputen kur dy tavolina më tutje nesh hyri kryetari i degës, Ademi, shoqja Eva që pispillosej për të treguar se kishte pushtet. Bisedën e mbyllëm dhe u ngritëm. Meno u përshëndet me ta e më pas u larguam për në fjetoret tona. Te kryqëzimi i unazës u ndava me Menon dhe Petritin.
- Martin, - u dëgjua një tingull zëri femëror. Ishte Tina e bërë qull nga bora e lëshuar nga djemtë e rrugëve që godisnin vajzat që kalonin në atë buzë mbrëmje. Trupi i saj ishte si një engjëll i krijuar me energji. Ishte nga Gjirokastra, por kishte ardhur për të vazhduar shkollën e mesme në qytetin tonë. E motra e saj, Xhuli, ishte mësuese në gjimnaz, ndërsa i shoqi i Xhulit punonte inxhinier ushtarak në uzinën sekrete. Mbështetej te unë, sigurisht si tek vëllai. Kjo siguri që zinte vend në zemrën e saj i shkaktoi lotë të rinj në sy. Qau me zë.
- Përse po qan Tina? -i thashë.
- Shoku yt nga Tirana, Arturi, u internuaa. Dëshira e tij për të më pasur mua u zbeh. Është pa vendodhje, sa do doja ta shikoja. Ashtu Martin, si gjithmonë kur e takova me ty. Ai erdhi si një ëndërr te unë dhe buisja tek ai me të qeshura për ta bërë të lumtur. Arturi i ngjante të atit, Mistos, që ishte tepër i bukur dhe Turi ngjante me të si dy pika uji. I çuditshëm ishte Arturi. Kishte sy të mëdhenj, tepër tërheqës, por me vështrim të ëmbël, ishte i qetë e me flokë të zinj.Tiparet e fytyrës i kishte të rregullta, të qëndisura, buzëqeshje të mrekullueshme si perlë. Inteligjenca e tij dallohej dhe shfaqej karakteri i tij i vërtetë. Megjithëse nuk jetuam shumë bashkë në atë pallat, e donim shoku-shokun si vëllezër. Turi vinte rrallë te i ati kur e sollen Miston të internuar në qytetin tonë. Ai vazhdonte gjimnazin në Tiranë. Luanim bashkë, rrinim, bisedonim dhe miqësia jonë sa vinte e forcohej. Ditët e festave ose të pushimeve, i kalonim duke takuar shokët e shoqet e mia. Kishte raste në pushimet e verës bënim plazh në Devoll. Një ditë duke u larë në Devoll takuam dhe Tinën. Arturi ngriti sytë dhe disa çaste u mëdysh. Pas një minute që u drodh zëri i tij melodioz, nisi të tregonte se si i vinin punët me shkollën në Tiranë. Po na tregonte për një roman të ndaluar dhe për ne gjimnazistët e qyteteve të vogla ishin ëndrra. Romani bënte fjalë për një histori dashurie. Kështu vazhdoi Turi që të tregonte romanin dhe papritur heshti e vështroi nga Tina. Ajo ishte lodhur dhe rraskapitur nga noti që bënte mbi dallgë të larta dhe filloi ta zërë gjumi. Unë e Turi nuk guxonim të merrnim frymë se kishim frikë se mos e zgjonim. Rëra e nxehtë dhe rrezet e diellit i jepnin jetë shpirtit të kristaltë të Tinës. Në atë çast edhe Turin, dhe mua na zuri gjumi. Një fëmijë që luante me top bëri që unë të zgjohesha. Pashë dhe Tinën që nuk flinte. Turi kishte një frymëarrje të qetë, vetëm rrallë e ndërprisnin rënkimet e thella. Tina futi kokën mes pëllëmbëve dhe ra në mendime. Dallova në hapësirën e pafundme të syve të saj engjëj me krahë. Nuk mund ta tregoj kënaqësinë e saj që e pushtoi në atë çast, kur ndjente pranë vetes atë djalë që flinte i qetë dhe Tina u mundua ti merrte kokën e t’ia vendoste në kraharorin e saj. Afroi ngadalë buzët te flokët e tij të zinj e ia puthi lehtë. Në atë puthje Tina dhe Turi ishin ende të pafajshëm. Tina u drodh, u zgjua nga mendimet.
- Sa e lumtur jam sot Martin, - psherëtiu.
- Po Tina e kuptova se s’mbeti copë rëre e gur zalli pa teshtirë nga Tina për mallin që dot se shëron.Turi la shpirtin e vet të mpiksur te Tina e u largua për në Tiranë. Fjalët e Tinës po më shtonin më shumë dhimbjen që më kishte filluar që nga biseda me Menon.
- Po nga e di ti Tina që Turi nuk kthehet më?
- Po ja siç e di edhe ti, babain ia arrestuan dhe familjen e tij e kanë internuar në një fshat të Dumresë së Elbasanit. E dëgjova motrën mbrëmë kur bisedonte me të shoqin. - Gjërat që duam, - pëshpëriti Tina, - vdesin një dite, na i djegin, na i vrasin dhe e keqja i bën t’u vijnë erë. Të kujtohet Martin trupat tanë në rërë dukeshin si pjellë e dëshirës pa kufi. Ca drithma ndjeva nga fjalët e Tinës, lotët më ranë e u bënë lumë i gjatë poshtë në të tatëpjetën drejt Dumresë. Atje ku Turi në moshën e tij më të bukur, ia hoqën studimet, e larguan nga ëndrrat. I thanë lulet që kishte ëndërruar dhe dërguan atje në bujqësinë e famshme të ndërtimit socialist. Në mes të lotëve e pyeta veten. Një ndjenjë e thellë e pushtoi Tinën. Ndarja ishte kaq e rëndë, sa dikur atje në plazh, nuk e dinin, po sot në këtë mbrëmje kujtimi për Turin po i digjte shpirti.
- Mendoja se isha kopështi i luleve me Turin Martin! Ai nuk e di se unë kam brengë, dhimbje e pse nuk ma shprehu dashurinë. Tina ishte jashtë mase e tronditur.
- Tina, ti ke të drejtë të ndjesh dhimbje, por ky pushtet është aq i praptë saqë ndonjë ditë mund të jemi dhe ne si Turi. Para syve të tu u shkatërrua një ndjenjë. - A më thua e dashur Tina se ç’njerëz jemi ne?
- Jemi dy qytetarë të nderur të këtij qyteti, - foli ajo e prekur. Unë tunda kokën vrullshëm e vazhdova bisedën. Po Turi, babai i tij, nuk ishin qytetarë të nderuar, por diktatura nuk të lë, se do jetëgjatësi.
- Ti nuk ke frikë që flet kështu?
- Jo Tina, se jemi ne brezi që kemi peshë e na dhemb shpirti për kombin e njerëzit që nuk jetojnë të lirë, prandaj Tina ikim prej kësaj errësire. Tina nuk foli, ngriti sytë që lotët nuk i shternin e u largua për në shtëpi. Në shtëpinë ku banoi Genci e me pas familja e Lilit, banoi për disa muaj familja e Mistos. Im atë e besonte atë njeri si vetja e tij. Ai ishte me karakter të fortë, sy petrit dhe shumë i zgjuar. Gjithmonë e përshëndesja kur përplaseshim nëpër shkallë. Atë njeri nuk e kujtoj ndryshe, veçse fytyrëngrysur. Fytyrëngrysur nuk ishte me ne, se ishte shumë i dashur, po me dhimbjen që kishte brenda vetes, me atë çka i kishte ndodhur. Furtuna e parë e jetës e theu atë kolloz të drejtësisë, i cili luftoi e punoi për një shtet të së drejtës e jo për një shtet që nuk respektonte këtë drejtësi. Juristi i talentuar nuk ishte dakord me funksionimin dhe formën e shtetit, por ai kërkoi aplikimin e shtetit juridik, largimin nga forma e shtetit diktatorial dhe krijmin e një shoqërie të lirë demokratike, respektimin e parimit të ndërtimit të pushteteve në bazë të votës së lirë demokratike ku sovrani të kishte alternativat e tij për të zgjedhur. Ai i sugjeronte të fortit se shteti të ndërtohet mbi bazën e parimit të ndarjes së pushtetit, atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen