Freitag, 23. August 2013

Shefqet Sulmina: Shitja e qytetit

Tregim

Kur erdhi vjeshta dhe filluan shirat dhe natyra u dyllos plot me gjethe që rrezoheshin nga pemët që ngjanin si trungje lakuriq, Rrapit filloi t'i ziente koka dhe filloi të fshihte pirjen e rakisë se re të vitit. Kishte lindur në nëntor të vitit...që nuk kishte dëshirë t'ia përmendje... Ai e dinte si të gjithë se, se një ditë... Por kjo pakë rendësi kishte. E rëndësishmen ishte si ta kalonte këtë fund. Mendonte burrërinë e tij me një copë pensioni të qelbët shtetëror! Turp! Duhet të bënte diçka siç kishte bërë në të shkuarën: Duke u kërrusur bashkë me gruan mbi filxhanët e përmbysur të kafesë, i erdhi një mendim: Politika. Më troç: Para, Autoritet, Lezet... Barku i madh, vetullat e trasha, sytë e bardhë e të fjetur, këmbët e holla ose shumë të holla, lëvizjet e ngadalta, të shkurtra përgjatë rrugës së Fushës së Loparit me një trastë (!) në dorë po e bënin më të dukshëm avashllëkun e tij në të shkuarën dhe po e trashnin në të tashmen. Mundim po bënte duke folur në tavolinat e klubeve përqark, për figura njerëzish të njohura të qytetit dhe shtonte se kishin qenë miq të mirë të tij. Por, pasi vinte re se askush s'e dëgjonte aty rrotull shtonte pastaj nën buzë:
-Eh, gënjeshtër është (shpikje të çuditshme të trurit të tij diabetik). Por brenda tij ruhej ende dhelpëria që kishte kalëruar kohëra. Tashmë edhe pse i thinjur e barkderr kërkonte tu tregonte njerëzve të qytetit se mendja e tij mund të jetë akoma në gjendje që ti japë kësaj shoqërie (d.m.th. ti marrë) D.m.th. ai mund të jetë më të vërtetë një deputet i denjë (gënjen). Nëpër kafetë e qytetit tani pi vetëm kafe dhe kërkon të paguaj blerje të çuditshme njerëzish të thjeshtë, të varfër, të uritur e të përdalë (d.m.th. ata që vetë i shiten). Mirëpo ai e di se e njohin të gjithë në këtë qytet jo pak të vogël. Dhe për dreq, në tërë jetën e hedhur pas krahësh, shumë miq të vjetër jo vetëm i kanë kthyer shpinën, por kanë filluar t'i lexojnë historitë e tij të shkuara që nuk janë dhe aq të bukura me pastërti njerëzore. Një ndër ta është pikërisht Xhorxhi. Një dreq i ardhur që herët nga malet përballë dhe u ngulë në komitetin partisë në atë kohë të vyer për të dy si Rrapin dhe Xhorxhin dhe nuk u shkulë nga qyteti më. Shumë të tjerë kanë ikur për të zhdukur historinë me bëmat e tyre të qelbura, por këta të dy jo që jo. Sepse në kokën dhe mendjen e Xhorxhi-Rrapit për të bërë të këqija apo gjëra të ndryshme nuk ka rëndësi koha. Sepse bëheshin në atë kohë dhe për dreq bëhen dhe në këtë kohë, sepse nuk e kanë fajin kohërat, por njerëzit që bëjnë kohën. Ulur tërë ditën nëpër kafenetë e reja dhe të shumta të qytetit, Xhorxhi pi dhe fillon të bëjë historinë e njerëzve të qytetit që për pakë p.sh. si Rrapin, dhe ai vetë ishin të vyera. S'pyet Xhorxhi, pihet dhe ja mbështjellë; edhe vetes ja mbështjellë ashtu siç ka qenë... Po Rrapi duhet të bëjë dukjen e një babaxhani tashmë. Sepse Rrapi nuk pi e të bëj siç thotë ajo shprehja: “Çka barku, zbraz bardhaku”. Jo. Rrapi bën atë të njeriut që ka ndryshuar. Bën sikur s'e vë re Xhorxhin. Dhe e dini pse? Vetëm ky lugat ka ngelur. Të tjerët kanë ikur. Bile Rrapit për një çast ju duk se qyteti është i shitur.
Një mbrëmje i pati thënë gruas:
"-Do ta shesë!"- i kishte thënë një mbrëmje gruas," - Do ta shesë, se jo mos më thënçin Rrapi Kallaja".
Gruaja e kishte parë me habi, sepse si burrë ai kishte kohë që e kishte shitur "kërcellin" nën barkun e madh, pastaj hodhi sytë rrotull për të parë sendet e shtëpisë. Rrapi e kuptoi edhe kuptimin e sensit të parë, edhe të dytin... Po i qeshnin sytë e bardhë... Do të shes qytetin, moj debile, qytetin
"-Uh pika... ti, debil ti ke qenë tërë jetën", - ia kishte pritur e shoqja me një ndjenjë kurioziteti më të hapur... Kur i qe kujtuar një histori dashurie që e pati bërë për hatër të të shoqit...
"-Unë jam më i vjetër se Rrapi Bezistanit që shohin dhe nuk e vënë re. Qyteti është imi, qytetin e kam të shitur, për ta blerë po vetë. Do ta shesë në politikë dhe do ta blejë po në të. Se që të bësh politikë duhen para, e që të bësh para duhet politikë. Unë s'kam para po kam qytetin e shitur. Më shumë fshatarë grua në qytet" dhe kishte dalë në ballkon.
Asnjë fytyrë e njohur, asnjë fytyrë e egër për Rrapi Kallanë. Dhe ai kishte shtuar pa ngurruar:
"-Sa më shumë të shkulur, që humbin kohen duke u ngulur, më shumë të ikur, më shumë të braktisur, më shumë qytetin pa drita, më tepër pa ujë... do të thotë fitore për mua grua, fitore.Të ikur, hej sa shumë të ikur... E kush do të më njoh pastaj mua se unë dikur kam qenë një komunist... Xhorxhi!? Eh Xhorxhi ky pijanec dreqi (si unë)... Sandri! po Sandri... Po tjetër?... Rrakja ka ikur, Lushi ka vdekur, Poçi ka lajthitur, Manushaqja mërgoi në Kanada, Vasoja po atje. Nexhipi në Amerikë, Novi në Japoni, Lirimi në Vietnam, Sula në Modena, Mihali në Rumani, Koçi në Athinë, Kujtimi në turqi, Miti në Irak, Dhimo u martua me Elin, Musai në Tiranë, Bahriu në Beograd, Dilaveri në Francë, Kovi vdekur...
Kjo listë emrash e bëri paksa të trishtuar nga njëra anë Rrapin, por më i trishtë, sigurisht, Rrapi e dinte që do të ishte Xhorxhi, që bëhej edhe më tepër pijanec e pinte më shumë, sepse në tavolinën e tij kishte më pak njerëz. Largoheshin dhe afroheshin në tavolinat e tjera ku krekosej shoku Rrapi i dikurshëm. Rrapi u tregonte gjepura të porsaardhure në tavolinën e tij se si ndërtohej qyteti me kapitalizmin e ri dhe i këshillonte të sapo ngulurit të mos merrnin shembullin e atij, duke treguar me gisht Xhorxhin si pijanec.
"-Pallavra të pa vlefshme o zot"- klithte Xhorxhi dhe pinte nga inati më shumë.
Më shumë e besonin të sapoardhurit Rrapin se të vërtetën ai po thoshte për Xhorxhin, gjë që e shihnin dhe ata vetë. Dhe Xhorxhi vu e vu, nga inati pinte prapë dhe bëhej ende më trap. Dhe, thonë se një ditë Xhorxhi, i pirë siç ishte, ja kishte përplasur në fytyrë për çka e njihte Rrapin që në rininë e tij. Sherr të madh kishin bërë. Rrapi i kishte thënë se ai ishte një malok, plak, pijanec e torollak. Xhorxhi i kishte thënë se ai ishte një hajdut, zhvatës i fshatarëve dhe kopilë. Rrapi i ishte përgjigjur se nuk ishte kopilë sepse kishte dhe babë dhe nënë me të cilët ngjante si dy pika uji. Xhorxhi ja kthente se nuk ishte malok se kishte kravatë dhe kostum. Bile, Xhorxhi i qe betuar se qepaze do ta bënte në të gjithë shtypin, derisa Rrapit ti shqitej nga koka mendimi të bëhej prapë deputet si në kohen e socializmit ku kishte ngrënë dhe vetë Xhorxhi. Dhe akoma,
po të kishte pasur atë pistoletën që ja kishin marrë në kohen e demokracisë, edhe mund ta kishte qëlluar.
Rrapi u kishte thënë fshatarëve se Xhorxhi edhe gënjen, edhe ka frikë.
E besonin pastaj fshataret, e dallonin pastaj fshataret Rrapin nga Xhorxhi dhe qenë ngritur në këmbë. Në fillim Xhorxhit i qe ngrohur shpirti se kujtoi se duke qenë i lindur nga të njëjtët vise me ta, do mbronin atë, por jo, nuk doli kështu. Burrat e ardhur nga fshati për çudi kërkonin të mbronin Rrapin. Prapë inat i madhi hipi Xhorxhit për Rrapin, por për fshatarët e tij më shumë, aq sa donte të pëlciste prej kësaj padrejtësie.
"-Të mbajnë anën e këtij derrkuci gënjeshtarë?! "Dhe prapë... kishte pirë.
Rrapi kishte qeshur dhe u kishte premtuar fshatarëve se do të ndërtonte te Fusha e Loparit tre ura dhe një digë kështu do të kishin edhe punë. Se për çfarë duheshin tre ura dhe një digë të Fusha e Loparit nuk u interesonte gjë fshatarëve, mjaftë që ata mund të punonin...Dikush tjetër, një bylmes që tre ditë i ngulur në qytet, ju lut Rrapit që t'i ndërtonin tek ish 1 Maji, sepse atje ishte qendra e të papunëve të qytetit, por Rrapi nuk kishte pranuar.
Rrapi pastaj kishte shtuar:
"-Merrni ju tani qytetin" - u kishte thënë,"- Sa të rrijë boshë nga gjithë ata çka janë larguar, pra sa të rrijë bosh dhe ju të vuani atje në fshatë, jetoni më mirë këtu në qytet. Më mirë ta gëzoni (ta vuani) ju sesa pijanec të tillë që nuk e kanë mësuar dhe kurrë nuk do ta mësojnë një gjë"...
Se për çfarë e ka thënë Rrapi këtë të fundit, edhe sot e kësaj ditë fshataret nuk e kanë kuptuar, por një gjë e dinë se qytetin e kanë të blerë. Kjo është ngrohtësi e madhe për tërë të ardhurit e rinj në qytet dhe Rrapi do të fitoj.
Sidoqoftë unë qëndroj në timen dhe më vjen keq dhe e përseris.
Edhe mua tu them të drejtën më vjen keq.
Por unë nuk jam si Xhorxhi . Së pari ç'më duhet mua?! Së dyti Xhorxhi është pijanec. Së treti Xhorxhi është injorant po aq sa Rrapi sepse si Rrapi inteligjent e mjeran në qytetin tonë janë të gjithë.
E atëherë kush do të behët deputet? Në fund të fundit qytetit i duhet një deputet. Që i duhet një deputet, kjo është më se e vërtetë, por i duhet edhe shpejt. Dihet që deputeti që është, është shumë inteligjent dhe tejet i keq, po Rrapi si mendoni ju do të jetë? Po fshataret pse duan ta blejnë këtë qytet? Xhorxhi thotë se e ka fajin Rrapi për njerëzit që e rrethojnë me respekt Rrapin. Rrapi buzëqesh dhe thotë se këta njerëz të padjallëzuar e të porsa ngulur më bëjnë deputet. Në fakt, edhe Xhorxhi edhe Rrapi nuk kanë bërë asgjë në këtë jetë, veçse kanë ngrënë. (Po unë e ti çfarë kemi bërë?). Rrapi ka bërë vetëm barkun e tij, Xhorxhi ka mbushur kokën me raki. Njëri ishte në komitetin e partisë, tjetri në komitetin ekzekutiv.
Sa më shumë të shkulur që harxhojnë kohën duke u ngulur, sa më shumë të ikur për tu ndjerë të braktisur, Qyteti është i shitur!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen