Donnerstag, 22. August 2013

Xhemajl Rudi: Cikël me poezi


ATME

Është gjiri i të gjitha dashurive,
aty ku zogjtë fluturojnë krahhapur
e vallëzojnë qiellit të kaltër
dhe sërish kthehen si ëndërrimet
e bien në gjirin e ngrohtë.
 


ATDHEU 

Është baltë e fjalës
dritë e diellit në sy
natë e magji e ngjizjes
dashuri, përtëritje, vazhdimësi,
shkëmb ku buron kroi e fugon lumi
mal, fushë e hon i zemrës,
dhimbje, lumturi e pikëllim.
Është pemë ku bie vesë e shpirtit
lindje e perëndim i diellit,
varr pranë gurit në sytë e qiellit,
udhë brigjeve të pafund
kambanë e tingujve të hijes sonë
shenjë e shenjtë e amshimit.


KOSOVA
 

Ngjan në kopshtin me mollë
me mollët pa kurorë,
degët e varura në erë
si ngjyra në ngjyra
tretur si vala në valë,
si brigjet e malet pa kurorë
honeve të thella, qiellit pa aurorë.


TIRANA
 

Tirana me sytë e blertë të dritareve,
derën e hapur det i kaltër,
puhizë e verës e vë në gjumë
me zemrën e shtrirë në varësen e orës
mat kohën me tiktakun e çastev.


LUGINA E PRESHËVËS
 

Je veç dashuri që pikon dritë
blerim dhe erë të freskët,
një degë në puhinë e stinës ku vijnë ditët e tua.
Ndanë udhës ndalemi një çast e ofshajmë thellë,

ku mbete luginë e dhembjes?
Në hijen tënde tretemi,
lindim e vdesim përditë.

HOMAZH
 

Homazh për të rënët
kujtim në heshtje,
me lule në ngjyrat e fjalës së tyre
nën tingujt e dritës qiellore,
thirrjeve të heshtura nëpër gjethe trungu.
Dimri dhe zëri i kambanave
të heshtura si fjala
në tingujt e dhimbjes,
pranë varreve të kohës.
Homazhe për ta dhe heshtje

me lule në ngjyrat e fjalës së tyre.

MËNGJES I NËNTORËVE

Erdhi mëngjesi njëherë
kafen e pimë të ngrohtë,
e zezë ishte si koha e shkuar
e hidhur si shekujt.
Një diell lindi në dritën tonë
dhe mëngjes i thamë,
e thirrëm si një rreze të re
që përthyhej si vitet
kodrave e lugjeve të ëndrrave ,
ku e gjelbra ishte në ngjyrën e kuqe
të pëlhurës së shekujve.
Ndriçimi e vuri në erën e re
sipër pemës së lirisë,
te shkëmbi i të gjitha kohëve
ku gjethet binin në prehrin e vjeshtës
e valëviteshin sipër reve të dendura
mbi rrebeshe e trishtime motesh
në dritën e zjarrit të nëntorëve.


JANARI

Janari i vatrës arbërore
zjarr i natës e flakë e ditës
rilindje e kohës.
Janari acar me dhimbje
prush i rindezur moteve
në fluturimin e shqipes
mbi detin e paanë,

mbi tokën e gurët e bardhë,
flakë e qiellit të lashtë
në tempullin e shenjtë të lirisë
kujtesë e përjetësisë.
Janari i skuqur me zjarr
janari i guximtarëve të kohës
janari i moteve të mëdha,
rilindur në gjakun e dritës

me fjalën flakë ndër shekuj
si qielli ynë i praruar me yje,
si lumi në trikohën e jetës.
Janari i prushit e flakës
janari i kuq hyjnor
si ngjyra e fushës së flamurit
me shqiponjën e dritës.


NJËQIND VJET

Njëqind vjet shtet,
njëqind vjet dashuri,

njëqind vjet dhimbje,
njëqind vjet qëndresë e shpresë...


SHENJTËRI

Dashuri e përjetshme,
pa ty s`do ishim ne
as të tjerët që do të vijnë.

Si do ishim ne pa ty,
e lumja shkabë e shenjtë,
simbol i lashtë i Shqipërisë
në qiellin e hyjnisë.
Ti e shenjta dashuri,
para teje falemi me burrëri.


LIRIA

Sa beteja u bënë në emër të dashurisë,
sa luftëra humbën në emër të njerëzisë?
Sa fitore shkëlqyen në emër të lirisë,
sa shkelje mizore në emër të lavdisë?
Sa shekuj perënduan me mirësitë,
sa urrejtje mbeti në zemër të urtisë?
Dhe paqe kënduan e luftëra gatuan
lirinë e mbërthyen në kthetra
e therën në shpirt e të dy sytë .


DHEU I ZEMRËS

Ti je plot hirësi,
ëmbëlsi e dashuri
ëndërr ylberi, fjalë e dheut në gurë
një shenjë flamur.
Qiellit tënd një nur
zbret brigjeve e puth gurët,
si degë shtrihet lugjeve
te burimet e gurgullimet,
melodi e tingujve të lashtë
si vetë fjala, kënga e vallja
si buzëqeshja e harlisur,
plot hirësi e dashuri.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen