Nga Rrezart Palluqi
Miliona grimca betoni u sulën drejt sqepeve të vegjël të dallëndysheve të cilat pandehën se lindi më në fund sezoni i pranverës, stinë të cilën qielli shqiptar nuk e kishte njohtur qysh prej dyzet e pesë viteve.
Atëherë kur dallëndyshet menduan se barku i qiellit shqiptar u zbraz nga oksigjeni i përzier me barut dhe grimca gjaku; fjalët vrasëse dhe pemët, ku ato para gjysmë shekulli patën ndërtuar foletë e tyre topolake, u shkundën nga ndryshku i izolimit dhe nëperkat u larguan prej tyre së bashku me vezët e tyre, në qiell u shfaq papritur, cikloni i çoroditur i copëzave të betonit, të cilat herë me dashje, herë pa dashje, nga nxitimi për të fluturuar më shpejt se copëzat e tjera, drejt tokës së gjelbër, çukitnin pamëshirshëm herë sqepet e tyre, herë këmbët e holla.
Disa dallëndyshe e pësuan më keq: copëzat e betonit u thanë barbarisht nga rrezet përvëluese të diellit në krahët e tyre të qëndisura nga peneli i flladit të detit.
-Këndej, le të fluturojmë këndej, drejt jugut!- urdhëroi udhërrëfyesja e tufës, dallëndyshet e tjera.
Dallëndyshet e lënduara, më të shumtat me sqep të mbushur me beton të butë, ndryshuan menjëherë drejtim. Disa dallëndyshe u detyruan të fluturojnë me një krah, mbasi krahu tjetër mezi lëvizte nga rëndesa e shtresës së betonit që ishte shtrirë mbi të. Nuk zgjatën disa milje dhe çereku i tufës së dallëndysheve u rrokullis frikshëm në ajër drejt tokës, nga prej ku ishte ngritur tufani i betontë.
-Bo, bo, motrat tona! Do të treten në beton të mjerat- klithën dallëndyshet e tjera; fjalët i shqiptuan si thuthuqe, gjysmake, mbasi atyre u duhej të pështynin vazhdimisht thërrimet e fundit të betonit në sqepet e tyre bukuroshë, të ëmbël, por edhe fatkeqë.
Tufa e dallëndysheve po fluturonte tashmë mbi pjatën e kaltër gjigande të detit Jon.
-Si dhe nga na erdhi kjo hata e betontë?- pyetnin dallëndyshet njëra-tjetrën të pikëlluara?
-Njerëzit poshtë po marrosen mbas perandorisë së betonit. Duan të ndërtojnë shtëpi të reja, pallate të lartë, pa e çarë kokën për natyrën, pemët tona, ku duhej të ndërtonim foletë- u përgjigj drejtuesja e tufës së hidhëruar.
-Kujdes, fluturoni poshtë- paralajmëroi hutimimthi dhe e tmerruar udhërrëfyesja
dallëndyshet e tjera.
-Ç’janë, çjanë këto sende të metalikta që po na godisin sqepin?- klithën dallëndyshet njëkohësisht.
Më në fund dallëndyshet dalluan miliona monedha metalike, të rrotulloheshin si molekula gjigande në ajër. Qielli nxinte nga monedhat metalike, të cilat në fillim po rrotulloheshin të qeta, duke u përplasur rrallë me njëra tjetrën, përveç trupit të dallëndysheve, të cilat nuk ishin stërvitur për manovra të tilla në qiell. Kopeja e monedhave të parave u egërsua. Miliona zëra njerëzish të egërsuar kumbuan në kupën e qiellit.
-Eja këtu, në thesin tim! Bjer këtu, në pëllëmbën time. He moj e mallkuar, përse re si shpirt në thesin e atij, dhe mua ma le dorën thatë? Këto, dhe shumë thënie, sharje të rënda por edhe kacafytje të tjera kumbuan si një festival i frikshëm akustik në veshët e qiellit shqiptar.
Dallëndyshet rënkonin, njëra pas tjetrës nga goditjet e forta të monedhave kundrejt sqepeve, krahëve, bishtit të tyre në formë gërshëre, dhe këmbëve të tyre të holla. Disa prej tyre humbën të dy sytë e bukur, disa një sy, ndërsa disa të tjera morën plagë të rënda, gërvishje, rrjepje të puplave të tyre të bekuara plot vidra-vidra. Puplat u davaritën gjatë me ojna sa tragjike aq edhe komike, sepse disa prej tyre ngjitën çuditërisht menjëherë në faqen e metaliktë të monedhave.
-Pa shih? Puplat ngjitën me monedhat?- i tregoi një dallëndyshe simotrës së saj.
-Kjo ndodh ngaqë njerëzit atje poshtë, i shihni atje poshtë?
Dallëndyshet drejtuan sqepet e bukur poshtë turmës së njerëzve.
-Njerëzit qajnë mbi to, sidomos kur ato nuk i përfitojnë vetë. Disa të tjerë pështyjnë mbi to nga smira që i shpëtuan nga duart- sqaroi kryetarja e turmës.
-Po, ti nga i di të gjitha këto?
-Para ca vitesh kam shtegtuar në vendet e ngrohta të Amerikës Latine. Por atje nuk e pësuam kaq rëndë si këtu. Jo, jo. Atje u ndeshëm vetëm me grimcat e betonit, por jo kaq masive, të forta dhe të egra.
Ndërsa dallëndyshet po fluturonin të rraskapitura përmbi një varrezë gjigande, përbri Detit Jon, në horizont u shfaqën mijëra kopsa shumëngjyrëshe, të cilat, në kundërshtim me momedhat e mëparshme, nuk fluturonin të çiorentuara, si gjethe peme, por ngadalë, përkujdeseshin të mos përplasen me dallëndyshet. Ato përshpejtuan fluturimin sepse një fenomen të tilllë, sumbulla të gjëra, të ngushta, ose fare të vogla, kopsa këmishe, kopsa palltosh, nuk kishin parë asnjëherë të fluturojnë në qiell.
-Po këto objekte të vogla plastike nga erdhën o nënë natyrë?- mërmëritën dallëndyshet, këtë herë edhe udhërrefyesja, e cila mbartte eksperiencën më të madhe qiellore.
-Ne jemi kopsat e të gjithë viktimave të diktaturës hoxhiste. Shpirti i tyre fryn mbi ne fort që të fluturojmë në qiell. Nuk duam të harrohemi në një varr masiv si dhe drejtësia duhet të shkojë në vendin e saj!
-Domethënë, ju shpërthyet nga rrobat e të egzekutuarve së bashku me shpirtin e tyre?
-Po- u përgjigjen kopsat. Donin të vinin edhe mijëra unazat e tyre, por meqë janë të rënda për trupin tuaj, i lamë atje, në gishtërinjtë e të vdekurve, nën dhé.
Dallëndyshet spikatën midis vrimave të vogla të kopsave një dritë të purpurt të depërtojë me forcë, t’i shtyjë ato me fuqi drejt tyre.
-Le të arratisemi tek ai ishulli atje- propozoi udhërrëfyesja.
Dallëndyshet e ndoqën në heshtje, të shoqëruara nga qindra kopsat shumëllojëshe. Disa prej tyre kishin ende njollat e gjakut të viktimave.
Dallëndyshet vendosën të ndërtojnë foletë e përkohëshme në ishullin e Sazanit. Në to u strehuan edhe mijëra kopsat e rrobave, tashmë të tretura me kufomat.
Kanë kaluar mbi njëzet vjet, qysh kur dallëndyshet tentuan të rikthehen në qiellin shqiptar. Çdo pranverë, ato nuk fluturojnë tutje Sazanit.
-Ç’qiell i bukur? Ç’tokë e bukur,vërtetë për të ndërtuar fole, por ja që thërrimet e betonit dhe monedhat e tërbuara fluturake për pak sa nuk na shfarosën të tëra- tha për të satën pranverë udhërrëfyesja, me një sy tashmë të humbur nga ciflat e betonit.
Edhe këtë pranverë situata në hapësirën e qiellit shqiptar ishte po aq dramatike dhe kaotike sa njëzet vite më parë.
-Nuk do e vizitojmë këte qiell derisa të sigurohemi se fenomeni beton nuk do të shpërthejë si vullkan drejt qiellit shqiptar, monedhat metalike nuk do arratisen si plumba qorrë nga xhepat e portofolëve!- shtoi një dallëndyshe tjetër, tre pemë më tutje.
-Harruat mijëra kopsat jetime!
Dallëndyshet cicëruan me gaz. Njëra prej tyre e ngërçi në majën e sqepit dhe fluturoi për nder të saj me të disa herë rreth pemës ku kishte ndërtuar folenë. Për të satën herë, dallëndyshja dalloi njollat e gjakut në fushën e kopsës si dhe disa fije floku ngjitura në cepin e saj!
-Të premtoj se nuk do e vizitoj Shqipërinë në pranverë pa të marrë edhe ty me vete!- i kujtoi dallëndyshja kopsës së përgjakur dhe e vendosi atë midis vezëve të saj të ngrohta, nga ku shumë shpejt ose shumë vonë mund të shpërthejnë dallëndyshkat e vogla!!!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen