CIKLI: Ethe Arbërie
NJE I VDEKUR I ZAKONSHEM
Një i vdekur i zakonshëm
në këmbë mban një shtet
Vrapon shkallëve thyen dritare
Mbledh dhe pikën e fundit të ujit
Mbi tryezë bie galuc
nën dritën e llambës
Një i vdekur i zakonshëm
Dhunues e vrasës bezdisës
I ndjekur e i vrarë vazhdimisht
Shpallet publikisht prishës rendi
Në ballkonin e hapur kah qielli
Një vashë e lakuriquar
Ngacmon moralin qytetar
Delja livadhit shëtit Njeriun
I lumtur se jeton thotë
i Gjithëpushtetshmi
Një i vdekur i zakonshëm
(2000)
FLAKA E VJEDHUR
Si e kafshoi gjarpri?
e Luanit i tha: hesht!
Luani ra në gjunj para shpatës së tij
një mot thanë: kahmot s’kemi parë
një shafqje kaq të çuditshme në cirkun tonë
po vallë si e kafshoi gjarpri?
në qytetin tonë tregojnë tash fëmijët
se Ai shkoi të sjellë flakën
që një ditë me shi ia vodhën njerëzit
e si e kafshoi gjarpri?
Luanit i tha: hesht!
e Luani ra në gjunj para syve të tij t’errët
MACJA E ZEZE
Në udhëtimin tim
një mace e zezë më ndjek
e shpirti më thotë
në gjysmë rruge ke për të mbetur
e kënga më thotë
kurrë s’do t’më këndosh me zë
e drita më thotë
i verbëri i verbër ka mbetur
e ëndrra më thotë
më kërko në zhgjëndërr
po eja e thuaje atë fjalë
kur s’di kë dashuron apo urren
eja e besoji fytyrës në pasqyrë
një mace e zezë më ndjek
në udhëtimin tim
orën e fatit ajo dikton
BUKURIA
Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
“Mos - fqinji im i dashur më bërtiti -
do të vyshket!
unë qava për saksinë time të thatë.
qita hapin, kalin e bardhë me mbërri -
vashën e ëndërruar kaherë
“Mos! - përsëri m’u gjegj fqinji
unë qava me mall edhe atëherë.
hodha dorën në gjithësi me pikëllim -
çel e mshel sytë dritë m’u bë.
“I lumi ti!” - dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva më.
sot e atë ditë kudo e kërkoj fqinjin tim të mirë
(1960)
ATDHEU I MBERTHYER NE ARKE
Martin Camajt
Del në mëngjes Evropës
për një lutje fisi
Shpirtin asgjë nuk ta qetëson
Në mbrëmjë kthehesh dikur vonë
dhe kur zonja Evropë
mbyll dhe syrin tjetër
Nxjerr nga arka atDheun
dhe në dritë të hënës
e peshon në shuplakë
Damar pas damari e shpalon
kushedi për të satën herë
duke i gjetur kuptime të reja
Të bëhet se të thërret ndoj zot i harruar
të bëhet se kush ikën
nga përqafimi i llahtarshëm
Vë veshin pastaj dhe dëgjon trokun
mes Drinit të Bardhë e të Zi
që vetëm ti e kupton
Me ferk mbërthen atDheun në arkë
dhe merr Evropën në sy
i bindur se asgjë nuk peshon më rëndë
Në hall na qite Burrë Malcie
me ata zëra paganë bubullimë Dheu
me ato ethe Arbërie
(1991)
LOJA E PAKRYER
A. Pashkut
Vras m’vrasin
askush s’varroset
pushkët kobzeza
në thumb ime kokë
sillem sillen
hidhem rrëzohen
askush triumfues
kalon luani i çartur
nuk frikësohem
vjen Njeriu nga larg
ik në skaj të Botës
vras m’vrasin
askush humbës
vetëm shumohem
shumohen
planeti bosh e kokat plot varre
KUSH DO TA VRASE UJKUN
F. Altimarit
Dhe lëtini tha
Po qe se takon
Arbëreshin dhe ujkun
Vraje Arbëreshin
Dhe kur fjala i ra në vesh
Arbëreshi buzëqeshi
Dhe drodhi një cigare
Po qe se më vret mua
more i gjorë
Kush do ta vrasë
Ujkun
Mjerë kopeja
(Kozencë, 1988)
LIVADHI
Diku aty ishte shtëpia jonë
Muri i gjyshit dhe Plepi i babait
Hunjtë rreth hapësirës së kuqe
Diku aty zbritnim te Kroi i Dukagjinasve
Shuanim etjen
Bukë e kripë hanim me perëndi të Pashtrikut
Nën kosë rritet tash bari
Dhe mbledhim dhëmbët e derdhur të ujkut
në shtalbët
E muri i gjyshit e Plepi i babait e Hunjtë
Lëvizën nëpër kujtime
Unë me duar në xhepa sosi ditën
Duke i rënë hapësirës së shthurur
Dhe dëgjoj hingëllimën e egër të kuajve
të shkumuar
deri natën vonë
Aty midis livadhit ku e kishim shtëpinë tonë
DRITARJA E HAPUR
E pastaj
Asgjë nuk ka lëvizur
Aty Guri
që nuk na lë ta bëjmë Arbërinë
Pak më tutje
Uji i Madh
Dhe Syri i Gastartë që vezullon
E në fund
E në fund të fundit
Varka e Noes
Por nuk e shohim Bregun
(Ulqin, korrik, 1996)
ZARI
Të bëhet
Se je fitues
Veç ti ke hyrë në lojë
Të bëhet
Se dole në breg
Uji të ka bartur kushedi se ku
Të bëhet
Se jeton më në fund
Ti i harruar tashmë nën bli
Zari është art
Ai që e hedh
Ndan edhe humbjen
PIKELLIME
Unë nuk qaj
shi bie vogëlushi im
shkundet plepi i shtëpisë
Unë nuk këlthas
nën dritare vogëlushi im
coft ra korbi i Edgar Allan Posë
Unë nuk luaj vendit
muret lëvizin sendet vogëlushi im
vjeshtë e keqe mori
Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll
(Sharr, 1981)
UNE NUK JAM AI
Ai pranë dritares
nuk jam unë
është jot ëmë
që të kërkon në turmë
ai në fund të dhomës së errët
nuk jam unë
është yt vëlla
që përmallshëm fyellit i bie
ai para pasqyrës
nuk jam unë
është jot motër
që flokët shkurton
Lum Lumi
unë jam ai që derën hap.
TE SHKOSH NE BEJRUT
Në vitin njëmijenëntëqindekatërdhjetenj
Diku në fusha të djegura të Sremit
Diku në pyje të errta të Sharrit
Ra luftëtari ynë i lirisë
Ti heq shpirt me kokë në jastëk
turp vogëlushi
Im
Ke mundur tekefundit të ngjeshësh armët
e Asimit
E të shkosh në Bejrut
Të vdesësh për Palestinën
(Korrik, 1982)
LITARI I ANKTHIT
E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë
Si dele nuk i dilet në pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë
Nuk e mban litari as e lëshon
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë
E s’e lëshon as e mban një litar.
(Ulpianë, 9.10.2000)
(Ky cikël është botuar së pari tek "Pegasi" 7, 2009, Athinë.
Përcillet për lexuesit e "Sofrës poetike" në shënjë homazhi dhe dashurie nga Redaksia e Revistës, të cilën poeti i madh e nderoi ekskluzivisht me një cikël të mrekullueshëm
(Përgatiti: Grigor Jovani, drejtor i "Pegasit" )