Mittwoch, 27. Februar 2019

Buqetë poetike nga Petraq Kote

Petraq Kote

Mure akulli

...rasti më kaloi prane vilës tënde, poet.
Ç’shoh? Pyeta Zotin.
“...një mur prej akulli ngrihet për rreth”, më tha, Zoti, “dhe dyer prej akulli”
Ika. Isha më i ulet se muri.
Ika dhe m’ u kujtua thënia e nji herë një plaku të çmendur të veshur me rroba jeshile, 
bridhte rrugët e shenjta të qytetit tim me bastun hekuri në dorë,
si Moisiu kur u printe hebrejve, 
“...paratë janë copa akulli”
ika, dhe luta diellin të kaloj ndonjëhere përsipër vilës...

Fier, 11 shkurt 2019



Asgjë e saktë

Në jetën time nuk erdhi e hyri asgjë e saktë,
unë i saktësova shpirtërisht dhe... më të shumtat i mbajta për vete. 

Fier, 6 shkurt 2019



Koha

 …dje kur dita ecte hapat e fundit të saj,
hapa një varr dhe varrosa të gjithë vitet e mi të vdekur.
U ula mënjanë dhe prita,
kohën të shkonte mbi varr të fshinte çdo shenjë,
por koha nuk shkoi!

Fier, 5 shkurt 2019



Litari i këmbanës

…një kult më ruan gjurmët hap pas hapi,
po unë nuk di ta përdor litarin e kambanave!

Fier, 31 janar 2019



Diçka 

...asnjëherë nuk e mbajta mend se kush më tha, 
“...gjurmët e tua janë alfabeti që do të shkruaj jetën tënde deri tek varri”.
Shoh hartën e shpirtit të shqiptarëve,
mungojnë shumë qytete me dashuri.
Gjithmonë ka patur pak gjëra për të jetuar jeta ime,
por nëna më ka dhënë diçka që përherë ta jap.

Fier, 29 janar 2019


*

...poet, qielli është i yti, toka është prangë!

Fier, 29 janar 2019



Kopeja e njerëzve

...i kyça në gojë sytë,
nuk dua të shoh se si Shqipërinë e fortë e plugon uji,
nuk dua të dëgjoj kur malet si kuajt e luftrave çalojnë,
nuk dua të mbaj mend si kuturisja e përgjegjshme rrjedh mbi fushat e pambarsura e derdhet në det, tërë ndy.
I kyça në gojë sytë, të mos kujtoj kur vetja më vret veten e kopeja e njerëzve gëzohet... dhe,
u bëra armiku im.

Fier, 31 janar 2019

Kriptizëm 

…kam vjet, nuk i bëj unë hapat e mi, 
i bënë kryeministri,
gjurmët i bëj vet… dhe nëse i vdekur.

Fier, 29 janar 2019



Uni. Radha

…unë jam Uni, hedh sytë nga ballkoni, sytë lexojnë fushën e orëve përball
dhe të mësuar vijnë e më thonë, 
“…tani e kanë radhën këmbët!”
Unë jam Uni i ditur ose errësira e natës përbrinj,
ku ndjenjat han barin e artë të yjeve të formësuar fytyra grash dhe ngopur,
vijne e më thonë,
“…tani e ka radhën koka!”
Unë jam udhësi i rrugëve të këputura ilire,
me shalë arrat e pyjeve të prera ne Pukë të cilat bëhen krevate për shtëpitë e kurvave udhëheqëse të shtetit shqiptar, ku shputat vijnë e më thonë,
“…tani radhën e ka arkivoli!”
Unë jam Uni i fëmijërisë sime,
ku ecja ime ngatërrohet me këmbët e mia dhe rrëzohet në humnerën e kokës sime e vjen në mëngjes e më bërtet, 
“…tani radhën e ka sperma e pastër shqiptare!”

Fier, 21 janar 2019



Ndërgjegja e syve

...fle i qet natën në shkretëtirën time,
por mendt më ikin si gratë nomade,
shkojnë atje, ku larg është gjithmonë…
Mëngjes. Shoh përpara
...ndërgjegja e syve të mi.

Fier, 17 janar 2019



Shëllirëza

...atje ndër shëllirat (tokat) e kripura të Semanit,
ka një zog me emër kripe, "Shëllirëz". 
Të vjetër sa fusha janë ata zogj.
Më 1996 gjahtarët e ardhur nga Italia i vranë barbarisht, sa miti i zogjve u shtang.
Moteve mbi kuaj atyre troktheve ndalnin zonja të bukura dëgjonin këngët e zogjve dhe hipur anijeve në Skelën e Semanit, treteshin në Itali.
Prej qëkuri më vret kënga e vrarë e zogjve, kënga e vrarë shpie përpara fundin e fushës.
"Shëllirëzat" u shtuan përsëri, por shëllirëzat e reja i urrejnë njerëzit, tashmë,
ndaj kur shkoj atje, eci leht dhe lut pluhurin e artë të diellit të më mbuloj.
Është tmerr kur ke dëshirë të degjosh, e di se dëgjon dhe nuk dëgjon asgjë!
..."është një orë kur s' tringllin asgjë", por atje në ato kripthe, kur ka njerëz,
asnjë "Shëllirëz" nuk këndon në të gjitha orët...

Fier, 28 Nentor 2018



Shtëpia e vjetër

Shtëpinë e vjetër e kisha buzë një lumi të vjetër në Sheq Marinas.
Lumin e mbushnin lidhjet e ujshme të stuhive të malit Tomorr, 
të cilat nuk e di se përse vraponin per në Adriatik!
Viktor Belting nuk hipi kurrë mbi rrjedhë, 
s' arriti, u mbyt larg së bashku me "Shën Pjetrin".
Shtëpinë e mbushnin njerëzit, edhe njerëzit rridhnin në shtratin e tyre.
Porta e shtëpisë për anë kishte dy sheqa të mdhenj, s' i rroknin dot dy shenjtore.
Në kokë sheqat kishin yje, jo draper e cekan.
Hynin njerëz të gjatë në portë, sa sheqat,
sillnin lajme pellazgjie, 
rrinin pak me gjyshin dhe iknin boçe plotë.
Por "të gjatët" nuk erdhën më, erdhën njerëz të shkurtër.
Sheqat i rrezoi stuhia e detit, lumi u pre,
vetëm dimrat i huanin ca ujë deri në mekje.
Në shtëpinë time s' mbërritën kurrë të pa udhët,
mendjet e sheqarakeve i mbinte dheu i but i fshatit.
Ne, ishin ç' ishte toka.
Shumë vonë erdhën mësuesit, më përpara kishte bërë tkurrje porta.
...nuk rilindëm ndonjëherë, ishim të lindur dhe pse gëzimi ishte i trishtuar.

Fier, 21 nentor 2018



Akulli më pyet...

...dje ndërtova edhe një rrugë për arsyen,
Iku dashuria e fundit.
Si perëndimet e ftohta kam ngelur,
me betimin e vjetër të njeriut,
me eren e vjetër 
me token e vjetër.
...akulli më pyet nëse dua shtëpi.

Fier, 29 tetor 2018



Shega...

...po çel shega prapë, nënë 
shega që mbolle ti,
po hapen sythat, lulet e ndër degë shegëza do të duken...
e mbolle nënë dhe shkove,
prapa i le psherëtimat...

Edhe babai iku, por ai mbolli rrap, afër Skelës së Semanit,
"...të pres vetëtimat, armiqtë e vonuar të cilët bëhen miq", më tha.
O, nënë,
po ti përse mbolle shegë?

Fier, 25 shkurt 2018

Haxhi Muhaxheri: ZGJOHU POET

Haxhi Muhaxheri

ZGJOHU POET

Nuk jam engjull i thinjur
në tempullin e durimit
as memec i përgjumur
arratisur prej vetes

Zotin mallkoj 
që as kokën e ktheu
kur Kosovës ia lidhje plagët

Zgjohu poet
se përseri po „Tkurret Atdheu“

Zgjohu e zhvishi
të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europëzeza prapë fle 
e djalli me shajkaqë ngre krye

Zgjohu për tokën dardane
për „gjakun që nuk falet“

Zgjohu Ali Podrimja
e ti zëm pusi të keqës
se koha nuk pret

Zgjohu... O burr i dheut

Të thërret Kosova
me zërin e saj të mekur

17. 06. 2013
                                   _   _   _   _   _

Disa nga komentet në Facebook

Pal Ndrecaj:
Nje poezi e bukur, e fuqishme dhe tronditese! Poeti, H. Muhaxheri, therret kredon njerezore, poetike e kombetare te poetit te madh Ali Podrimja, per ta mbrojtur nga e liga qe po na i kanoset kohes sone, njeriut tone; per ta mbrojtur ardhmerine qe, kur te vije, te mos na gjeje duke vuajtur denimin e tkurrjes se atdheut.
Eshte nje ze i revoltuar qe shperthen papermbajtshem ne mallkim edhe kunder Zotit qe nuk e kthente koken kur Ali Podrimja po ia lidhte plaget Kosoves.

Mehmetali Rexhepi:

Haxhi kjo poezi shpërfaq reflektime aktuale, thërret për ripërtëritje të qëndresës. Në radhë të parë të qëndresës është poeti, është shpirtërorja e poetëve, pararoja e identitetit. Qofsh i uruar!

Ymer Nurka:

Kjo eshte thirrja e poetit... Ketu shungullon bukur si vete verbi poetik i Podrimes se Madh dhe jo vetem... zgjimi me se pari vjen prej genit te dijes qe flen ne mendjet tona kur deklamohet paqja...dhe veshtire eshte te dallosh opiumin prej nga vjen. Por ne shqiptaret me se tepermi kemi qene te tradhetuar prej vetes, ndaj duhet te themi sikur fleme me te keqen... E zgjimi duhet te jete motivi i vete jetes.

Anastas Nika:

"Zgjohu Ali Podrimja / E e ti zëm pusi të keqës / Se koha nuk pret"...
Vete Ali Podrimja dhe vargu i tij ka qene eshte e do te jete nje kembane e forte e dashurise per dheun e tij Kosoven, dhe ai flet per ata qe kane sy, e kumbon per ata qe kane vesh e duan ta degjojne.("Kosova asht gjaku im qe nuk falet") Vargjet tuaja i nderuar Haxhi kete bejne, qe njerezit te drejtojne syte nga ai i madh mjeshter i dashurise dhe vargut te dhimbjes, dhe e ngrene lart kete figure dhe bejne thirrje per mprapshtite e kohes... e kjo barre i bie poeteve "O prapesi o dreq, qe une paskam lindur te te ndreq". 
"Zgjohu o Ali Podrimja"! Tang-tang! Mbrekullisht bukur!

Fran Ukcama:

Thirrje poetike e përktryer, alarm se dheu i Arbërit prap po hjek. Ngrihu zgalemi i kushtrimit, po thërret Haxhiu poet!

Gjon Rroku:

Qartesia e mendimit shoqeruar me forcen shprehese dhe lirshmerine e vargut percjell mjaft bukur mesazhin e poetit "Zgjohu per token dardane per gjakun qe nuk falet". Ndjeshmeria e poetit eshte prekese...." Po, tkurret Atdheu". Poezi qe te fymezon, te mbushe me ndjenjen e madherishme te atdhedashurise, te ben te mendohesh se zot i kesaj toke jemi ne...

Xhevair Baxhia:

Nje dedikim teper mbreselenes dhe me shume shkelqim, vleresime plotesisht te merituara keto vargje kushtrim dhe plot madheshti per Podrimen e Madh!

Agim Gashi:

Nje përkushtim dhe kushtrim poetik shumë i fuqishem. Ka hohë qe nuk kam lexuar vargje me te bukura. Poeti Haxhi Muhaxheri, figurën e poetit Ali Podrimja e ngrit në nje figur profetike, duke iu drejtuar atij "Zgjohu poet / Se përseri / Po „Tkurret Atdheu“.

Gjon Neçaj:

Nje thirrje, nje kushtrim qe simbolizon tjetersimin e poetit me kombin, per t'u zgjuar se Ali Podrimja eshte i perjetshem me kombin e vet.

Rushit Ramabaja: PSE MA PREVE MOLLËN E KUQE (1)

Rushit Ramabaja

PSE MA PREVE MOLLËN E KUQE
Liber me poezi, pjesa e parë

Etyde për një Bard e një Shegë


BARDI

Një ndajnatë më hamgjisën bukuritë e egra
E zbrita nga malet për të kërkuar Vendlindjen
Në bohemën barbare të këtij qyteti
E Mollën e Kuqe e kisha lënë vetëm
Në të qarën e shtëpisë prindërore
E në mallin e dallëndyshes 
Kur kthehej në atë strehëz miti
E në vajet e dasmave të çupave
Vjeshtave me rituale rrëmbimi
Dhe Shegën atje kisha braktisur
Tej portës së gjumtë të shtëpisë
Mbërthyer në rekuiemet e Orfeut

Udhëve i humba fanitjet dashurore
Dhe lashë murga fluturat, gruan e Mollën

Më çmendi kjo harresë dhe Shega 
Që më zgjoj me vegime të trillta
E më ngjalli të vjollctat agmi të legjendës
Kurrkund më s'e gjeta Vendlindjen 
Në mugën e përrallës moti kish sharruar
As çupëri e Shegës s'm'u fanit kurrkund 
Fustanin prej ëndrre, yllimën e blertë
Në orgjitë hamëtore barbari çjerrë ia kish
Dëgjoja veç të qarën e Mollës së Kuqe
Në legjendën e të vetmuarës Shqipëri

Dhe më mbeti veç kjo prushimë kangjeleje
Që Shegës e Mollës prapë t'u ndizja zemrat



SHEGA

Më ëmbëlhidhura grua e pemë
Me të kuqen e agimeve buzët e emrin ngjyer
Më e hamgjisura pemë e grua
Që më prure vegimin atë të hënë të bardheme
Kur Nëna e Mbrothit ngjalli Adonisin
E vjollca e vendlindjes qiellin zbriti në petale
Ishe farë e fjetur e bimës dhe gruas
Dhe unë sakaq në zemrën e dehur të mbolla
Që në verë qiellin të ta prekte korora
E në acar rrënja të të mos mërdhinte

U çmendëm pastaj tre muaj, tre mijë vjet
Në tundime e mynxyra bashkë
Dhe tash po hyjmë në vjeshtën e rrëmbimit të Persefonës 
A do t'i shkosh prapë Zotit të Mugës
A do të rrijsh me këtë Bard nostalgjik të vendlinjes
Që vetë i dhe këtë çmendje të pijë

Apo duhet të ndodh Lufta e Dytë e Trojës
Që nga ti sërish të krijoj gruan


I

ME ATË PUTHJE NISI HISTORIA E ZJARRIT


vajzat e vendlindjes

Majë botës thërrasin jetën të pafajshme si lulet
Secila nga një diell në vete ka
Me flokët e artë lidhin pranverat në prozhmë
Me sytë e blertë shprishin të dashurimtat mugje

Për njërën nga ato fushëtirave do t'ua rrëmbeja verën
Njërës nga ato do t'i korrja vajzërinë nën dehje xixëllonjash
Për njërën nga ato do të vidhja mëkatin në Kopshtin e Edenit
Njërës nga ato lakuriq do t'i shkoja mespërmes ferrit
Në natën virgjërore
Dhe veç Shega do të lindte Zotin e Dashurisë
Që çdo të premte ta mbërthenin në kryq
Dhe çdo të diel të rilindej nga hiri i të lashtës fajni

Atëherë unë Ati i Tij
Sërish do të prisja të më pikte Mollë e Ndaluar
Në shtratin e së ëmës


serenadat për të magjishmen


e diel: SERENADA E PARË

Të dielën vjen e përgjumur si angjelika
Me flokë të ngjyer me purpur diellor
Dhe nga fjalët më shtrydh sipri dashurinë
Si prilli shiun mbi atë prush zambakësh

Atëherë kuptoj se jam Krishti yt
Që më ringjall çdo të diel me qumështin e gjirit
E unë gjysmë i çmendur pas të bie
Të ta gjurmoj natën mitike të vajzërisë
Larg në burimin e gjakut, në të kremten e përrallës
Ku bëje gjumë lakuriq me perëndeshat
Atëherë ta ndiej nga larg vallëzimin e bjeshkës
Atëherë s’di ç’të bëj me gjithë atë gufim shpirti
Atëherë prehrin tënd shpall Tempull të Shenjtë



e hënë: SERENADA E DYTË

Të hënën t’i lyej qepallat me vjollcat e çupërisë
Flokëverdhën hënë ta zbres në ballë
E faqet t’i spërkas me ëndërr lulemolle
E ciklonin e dhembjes ta zdjerg në gjirin e ënjtur
Mauthes atëherë i bie sëmundja e xhelozisë
Dhe ngutet të t'i vjedh tingujt e emrit
Dhe ngutet të t’i zhvesh bukuritë e Hirushes
Po unë e shpoj tejpërtej me heshtë
Po unë i përzë të gjitha lulet nga vjershat
Dhe zogun e artë dhe të Bukurën e Dheut
Ujvarat e kaltra dhe vetë Tanushën e Bardhë
Kurrkush më s’më duhet
Kur ty të kam ngujuar brenda



e martë: SERENADA E TRETË

Të martën këmishën e virgjërisë tënde bëra flamur
Dhe përpara i dola Medaurit idhnak
Ulë heshtat, zot i marrë i luftës
Ç’të duhen këto zjarre, këto gjëmë rrufesh
E trillshmja tashmë m’i pushtoi
Vjershat, mua dhe tërë mbretërinë e shpirtit
E trillshmja më mbylli në ëndrrën e vet
Dhe kurrë më portat nuk do të m’i hapë
Ulë heshtat, zot i grindjeve
Kurrkujt më s’i duhen pushtime të reja



e mërkurë: SERENADA E KATËRT

A mund të kapërcesh të narcisshmen pasqyrë
E në prillin e Mollës sërish të kthehesh
Në pyllin e të lulimtës çupëri
Në mos mundsh po ta çoj Pegasin 
Me fre zambaku e patkonj yjesh
Në mos ardhsh Melpomenin do të kurorëzoj
Mbretëreshë absolute të kësaj kangjeleje Bardi



e enjte: SERENADA E PESTË

Në ardhshin krushqit të të çojnë gjetkë
Zogjtë do të vdesin duke kënduar pikëllimin
Era do të shkulë me rrënjë bohemat e vjeshtës
Kali i baladës do të hajë barin e varrit tim
E unë do të shndërrohem në gjon
E përnatë do të të hyj në nusërinë e brymtë



e premte: SERENADA E GJASHTË

Nata e dehur nga vallet
Rrotullohet rreth yllit tënd
E ti digjesh e hirshme si dashuria
Jemi pak këtej të lashtës fëmijëri
Flokët tu gështenjë prej ujëvarë hëne
Po lidhin nyjë natën e mëkatit të parë
Kuajt e dasmave ireale afrohen me trokthe
Me tallaze daullesh trembin furtunat
E serenada ime ka veç ty e Mollën



e shtunë: SERENADA E SHTATË

Kur po kërkoja zanafillën e çmendjes
Në të shkruarin mister të syve tu 
Papritur më dolën krahët e engjëllit kusar
Dhe drejt nga kupa e qiellit
Të rashë në të nxehtin pëqi
Dhe pastaj me vete të mora
Në të dalldisshmet bohema të zotave
Që nga ajo natë atje poshtë
Njerëzit po të kërkojnë
Në çdo dasmë e në çdo katund


vdekja në këngën e mjellmës
(Psalm për Shegën)

Tërë ditën, Shegë, iu luta Engjëllit Rojtës
Të ta dëbojë kukuvajkën nga kurora

Ag e terr, Shegë, iu luta Zotit të Dashurimeve
Të ta hedh sëmundjen në gërxhe, në ujë, në zjarr

Tërë ditën, Shegë, iu mëgjunja qiellit

E sonte do t'i falem vetë Hyut të Madh
Të m'i bëjë blatë krahët fajnorë të Erosit

Atëherë
Si hajn zemrash do të të përvidhem në shtrat 
Atëherë
N'e këndofsh ti Këngën e Mjellmës
Unë vdekjen do të ta marrë

helena çmendi trojën

E mban mend, Shegë me trille
Kur me zjarrin e puthjes
Harlise timen verë
E më shtrydhe sipri lulet e Vendlindjes
E shpirt i dhe dashurimit të mbramë
Me aromë të Mollës së Kuqe
Me erë gruaje, me të kaltër xixëllonje
Tevona tre mijë vjet larg
Helena çmendi Trojën

Atë ditë e sot ti ende ngurron të ma fshish 
Të qarën që më pikon në prehër
Qe tre mijë vjet e pak më shumë

Veç mbas pak do të gdhijë e enjtja
Këtë ditë lulja shënmitri flijon virgjërinë
E malli i kangjeles zbret mbi syrin tënd
Të t'i bëjë dritë nusërimit

Sa të gdhihet do të nisë Prendën të të sjellë
Me treqind shtojovalle pas
Mbi kuajt me patkonj yllime
E unë në fyellin e lashtë të Bardit
Do të të këndoj ty e Zotit të Vendlindjes

E në mos ardhsh, ndoshta unë do të vdes
Atëherë veç ti e dashuria do të mbeteni gjallë
Ajo në këtë vjershë të trishtë
Ti në të vetmuarën lule shënmitri
Ndoshta atëherë mes të qarash me llohë
Mbi muranë do të më thërrasësh zemër
Atëherë mbase do t'i hedh dhe e dërrasa
Dhe Jezusit do t'i vjedh ringjalljen



flijimi

Për pak më flijove atë të enjte gushti 
Për pak më vrave si Adonisin Cibela trillane
Po a e di se kori i mjellmave atëherë
Copë e thërrime qiellin do ta bënte
Po a e di se dhimbjen s'do të ta zinte asnjë bjeshkë
Po a e di se kurrë më s'do të shkruhej kjo vjershë



kangjelja me dy të hirshmet

Hijen mund të ta çojnë nuse gjetkë
Veç ti do të nusërosh gjithmonë në këtë vjershë
E kur të më vijë Morti do t'i përgjërohem
Kangjele, moj vjershë me shi
Shegën po ta lë dhe dashurinë bonjake
Do të qajnë ndoshta të zëna dorë për dore
Atëherë ti bjerë në gjunjë dhe lotin ua fshijë
Mos lërë brenda hidhërime, vjershë
Se mund t'i prishet Shegës nusërimi i bardhë
Se mund t'i turbullohet afshi vegullor
Se mund t'i ngjiret zëri, balli t'i errësohet
Moj kangjele me të hirshmet brenda



hënë e vjershave të bajronit

Ai që të solli atë të hënë tek unë
Të veshur me vjollcat e Vendlindjes
Të mbushur me hënën e vjershave të Bajronit
Të ngrirë në të shtojzovalltin nusërim
S'ka se si të të mos ruajë për mua

Veç nganjëherë më mbushin trillet
Dhe e xhelozoj edhe vetë Krijuesin
Që të pa e s'u nginj me bukurimën tënde
Përpara se të të pija unë në këtë kupë çmendjeje



një mijë kalorës prej lulesh

Kur t'i putha sytë për së pari
Qepallat qanë nga malli
Zjarri malit i ra vrullimë
Lotnusja dogji virgjërinë
Kur të zdorgja puthjen
Në atë blernajë sysh

Lodërtare puthja ime
Herë përvidhet të të pushtojë faqen
Herë te sytë prapa kthen paqen
Dhe sërish fle e rritet

A do të hedh kësaj vjeshte shtat
A do të nisë të epshmen fushatë
Me një mijë kalorës prej lulesh




molla

Atë pasditë të brishtë
Gushti të poqi Mollën
Molla në prehër të ra
Dhe ti ma bëre blatë


S'kish sherrin e Afërditës
Veç të Evës hamgjisje kish
Mbante të ngrotën e gjirit
Dhe erën e pëqirit tënd

Mbyllmë në këtë arkivol Molle 
Shegë
Mos lërë vjeshtën të më zërë jashtë



kataklizmi

Kur të ketë rënë kataklizmi
E botën ta ketë kthyer përmbys
Veç mua e ty s'do të na lërë të vdesim
Çmendja e të dashurimtës verë

E duke qenë të vetmit të çmendur të gjallë
Sërish marrëzisë do t'i ngjizim zanafillën

Atëherë ti botës do t'ia qëndisësh lulet
E unë qiellin do t'ia vizatoj
Me sytë tu në të blertën e mëkatit
Tevona te fëmijët që do të lindim
Do të shumëzojmë fanitjen tonë prej engjëjsh kusarë
Dhe ata do të ruajnë në kuti antikuaresh
Copëra të këtij dashurimi të lashtë



të kremtat e çmendjes

Ti u shndërrove në zë dhe përmes telefonit
Në studio më hyre
Me lulet, hijet dhe shtëpinë prindërore
Zëri t'u bë këngë dhe kënga Grua
Gruaja atëherë më dorëzoj
Ftesën solemne për të kremtat e çmendjes
Sot e në një mijë vjetët e ardhshëm



fundvjeshtat e perëndive

Prillat bien në gracka trillane bilbilash
E brezat në kurthe të të lashtës fajni 
Dhe bashkë ecin tutje tëhu
Duke i marrë mëkatit të parë
Rrudhat, psherëtimat, plakjen
Dashuria atëherë tund krahët e lahurimtë
Dhe në prita të reja vihet

Pse të ikim me baltorët, Shegë
Kur Zoti i Vendlindjes vetë hodhi firmë 
Të mbajmë gjithmonë këtë uniformë vegullore
E të çelim prillave si lulekumbullat për shembull
E fudvjeshtave si perënditë 
Të biem në shtratin martesor deri në pranverën tjetër



privilegji

Nga të gjitha lulet e shtojzovallet, Shegë
Ty Zoti të dha privilegjin e Hirushes
Të hysh në këtë vjershë me të pafajshmen virgjëri
Në këtë varg të zdirgjesh dhe të mos plakesh kurrë
Shirat të të rrisin, prillat dehjen të të mbrujnë 
E unë t'ia vjedh Orfeut krejt këngët për ty
Dhe lyrën e artë dhe nostalgjinë për Euridikën
E unë mos të të lë t'i shkosh Burrit të Mugës, zemër
Se bota s'do të kish atëherë 
As shpleksje vallesh, as diell në kangjele
Se atëherë në këtë vjershë
Nëntë vjet shirat do të qëmtonin
E nëntëdhjetë e nëntë vjet do të shkruaja
Të zymtin rekuiem për ty



ritual

Ndajmë trupin nostalgjik të ditës
Me nga tri telefonata
E me nga gjashtë vjet pritje në mes

Në fillim të të shtatit
Zëri yt u çelë kangjelen
Shpirtit të fjalëve
Në mirëmëngjeset e shebojta
Në mirëditat purpurore
Në mirëmbrëmat e gjumta

E kur dyshoj për prita baltorësh
Çukapiku u ha ndezullinë fjalëve
Telefoni kullon të lakuriqtën kujë
E unë marr botën në sy 
Mbi të egrin kalë të xhelozisë

Kur do të të ngujojë Zoti, Shegë
Në gjithkahnajën time
Në ç'orë do të t'i mbyllë portat pas



shtatë mëkatet e zotave

Zojsi me gratë e tij
Ngjizën shtatë tingujt e dashurisë 
Me shtatë ditët e javës
Dhe krijuan të yllnajtën fajni 
E çmendjen time e mua e Shegën
E na hodhën në të dy skajet e botës
E na vunë në provë me çirrjet prej zotash 
Gjejini gjysmat tuaja

U gjetëm mbas mijëra vjetësh
Dhe unë fët e fët piva
Shtatë kupat e ditëve
Me shtatë mëkatet e yllimshme
Dhe asaj i çeli luledielli në buzë
Dhe asaj i rëndoi qepallën e qara e mëkatit

Si mund ta hidhja në baltë, zemër
Dhuratën e shpikësve të dashurisë
Që ngjalli marrëzinë biblike të Adamit

Tash kam frikë se do të të vjedhin zotat
Në vend të lakuriqësisë pagane
Se vetë do të të pijnë në kupë
E sërish nga e para do të shumëzohen
Në të burbujtat orgji



zanafilla e zjarrit

S'është e mundur që në këta pak muaj
Zemrat tona të shtrijnë mbretërinë prej prushi
Nga Vendlindja në tjetrin diell të botës

Ajo do të ketë qenë më e lashta rrufe
Me të do të ketë filluar historia e zjarrit

Më pas nga kjo prushimë, Shegë
Do të kemi farkëtuar puthjen e parë

E kur të ketë rënë zia e Tizbës për Piramin
Ne mund të jemi murosur në dhembjen e saj

Pastaj do të jemi shpërngulë në baladën shqiptare
Ku Çika i shkon nuse varrit të bandillit

E para vdekje e lumtur do të na ketë zënë, shpirt
Në atdheun prej lulesh të Mollës së Kuqe

Këtu me piramidë zemrash do të kemi shënuar
Kufirin e legjendës për Shqipërinë

Atëherë e tash më nuk jemi zgjuar
Deri këtë verë me shtatzënësi engjëjsh

Ti mbase ende s'beson, zemër
Për bredhëritjen tonë mijëra vjet të gjatë
Deri te ky rikarnim i të hamgjisurës puthje



sfurku i hidhërimit

Po të vdisje ti, Shegë
Vjershën do të bëja kukuvajkë
E ajo do të shpërngulte vajet
Brigjeve të Drinit të Zi

Po të të merrte ty Morti, shpirt
Me sfurkun e hidhërimit
Mes botës do të nxirrja
Bjeshkën e Kujës së Madhe

Po ti
Mbas sa orësh, mbas sa ditësh
Do të pije të harrimtën kupë



shegë e trillit

S'mund të rri pa të parë në fije të barit
E në shkundullimë marsi me zogj e me sqotë
Grua e Zjarrit

S'mund ta grish zogun për gjumin tënd të prillit
Pa më pasë kthyer shpirtin me qumështin e gjirit
Shegë e Trillit

S'mund ta dua shiun as bukurezën e verës
Pa u dhënë ti vesën e të blertën e syrit
Hirushe e Përrallës

S'mund të rri pa të zënë në fillin e romancës
E pa të vjelë zërin prej dritë trëndafili
Perëndeshë e Hënës

S'mund ta zgjoj kangjelen as gjethin e lisit
Pa më pasë dhënë vallen për savan të varrit
Shtojzovalle e Mrizit

( V i j o n )
_________
Poezite dhe vargjet e tyre kan qene te organizuar ndryshe nga autori, por ne nuk kemi pasur mundësi teknike ti publikojme ashtu si jan ne liber.

Dienstag, 26. Februar 2019

Faruk Tasholli: SHKRUMI I NËNËS QË E DJEG KËNGËN

Faruk Tasholli

SHKRUMI I NËNËS
QË E DJEG KËNGËN

Ai atje në turrë të druve 
I mbuluar nga flakët
I fundosur në pellg prushi
Nuk është Giordano Bruno

Është fëmija im i pambrojtur
Tek digjet për së gjalli
Mes krismave të drurëve në zjarr

Kot e shpoi qiellin kot kërkoi zot
Me klithmat e fundit
Kot thirri tmerrshëm
Oh Nanë O Nana ime

Mua më ngulfati vrasësi serb
Duke ma mbushur veshin me zë të egër
Tash do ta ngjizim fëmijën tjetër
Me gjakun tim

Kur pushuan vrasjet
Asnjë shi nuk e fshiu shkrumin tim
Derisa po hyja me trishtim
Në kolonën e padukshme të grave të dhunuara

Parathënia e librit të Anton Markut:"Në secilën dritë ka hije"


Pasthënie për përmbledhjen me poezi “Në secilën dritë pak hije’’ të Anton Markut. (IWA Bogdani, Prishtinë 2019)

Nga: Prof. Dr. Jeton Kelmendi

Arti në përgjithësi, e veçanërisht arti poetik paraqet primesa elitash, prandaj ka shumë persona që shkruajnë poezi, ndoshta është fusha që më së shumti ka konkurrencë. Anton Marku e ka para sysh këtë çështje, prandaj e mendon mirë shkrimin e tij, e mat me kujdes dhe e thotë me konsideratë. Thjeshtë është i kujdesshëm me secilën fjalë, me secilën poezi, ndërsa ndërton fjali të shkurtra me mendime të kompresuara. Kësi soji mund të konsiderohet se hyn në grupin e poetëve që përpiqen të shkruajnë pak dhe të thonë shumë. Në letërsinë shqipe kemi disa autorë, të cilët e kishin dhe e kanë ketë formë të shkrimit si model dhe këtu duhet potencuar se Ali Podrimja ishte ai që shkruante shkurt dhe thoshte shumë. Poeti Marku mbi këtë koncept nxjerr nga vetja e tij unin e vet dhe origjinalitetin poetik, duke shkruar shkurt, madje me një pedanteri dhe pa e tepruar me shprehje dhe fraza patetike siç bëjnë disa militantë që duan me zor ta shkruajnë poezinë.


Tematologjia e Anton Markut

Është një larmi temash me të cilat krijon botën e tij poetike, teksa dominojnë temat përkushtuese ndaj personaliteteve të kulturës dhe historisë kombëtare, gjë që dëshmon se poeti është person i dashur dhe i afërt me të tjerët. Ai din ta do vendin e tij, ngase vërehet se ka një përkushtim suptil dhe me kujdes shkruan, për t’i sjellë ‘pranë’ vetës dhe lexueseve të tij vendin e vet me begatitë që ka atdheu. Tek poezitë përkushtim për personalitetet kombëtare, Poeti Marku shfaq një talent ndoshta më të madh dhe atë duke krijuar personifikime për personazhet, me qasjen që kishin ata në fushat e tyre të veprimit dhe duke ju dhënë fuqi drithëruese, gjithnjë me fjalë të zgjedhura dhe kujdes në shprehjen e tyre. Anton Marku është ndër ata krijues që nuk shkruan shumë në sasi dhe as në fjali nuk ndërton mendime të gjata dhe kjo nuk e bënë autorin më të pasigurt, për rrugën e tij, por i jep atij vizionin, ndjenjë dhe mendim.  Jeta e secilit njeri ka kuptim nëse ajo jetohet sipas asaj që e donë njeriu, dhe kur bije fjala për jetën, nuk mund të i iket as kësaj teme. Ai i shkruan jetës, madje jo vetëm tek poezitë dedikuar drejtpërdrejtë dashurisë dhe segmenteve që ngërthen jeta, por edhe tek shumica e poezive, me tematikë të ndryshme, sepse hapërojnë nëpër vargjet e tij elemente që sendërtojnë jetën në forma dhe parametra të qasjes mbi parimin e asaj që poeti e do, ose do të donte ta kishte sipas një dëshire të caktuar. E meqenëse poezia është art që dinë dhe mundet t’i shpërfill rregullat dhe kodet e shkrimit, edhe leximi i poezisë për mua është i kësaj natyre, prandaj unë kështu e lexoj poezinë e Anton Markut, i cili ka krijuar një nivel dhe qasje të konsoliduar në ketë gjini letrare. 

Duke pasur në duar dhe lexuar edhe librin paraprak të Anton Markut, e kisha pak a shumë idenë se për çfarë niveli të poezisë bëhet fjalë, prandaj edhe pranova që edicioni i botimeve ndërkombëtare “IWA Bogdani”, ta botoj këtë libër me poezi, dhe kritika të merret me këtë autor, sepse paraqet vlera letrare dhe artistike. Disa nga krijuesit, sot përpiqen të shkruajnë me një qasje osciluese temash dhe konstruktesh poetike, të cilat konsiderohen si pos-moderniste, me çka jo rrallë herë arti në poezi nuk po na sjellë vlera të mirëfillta. Poeti Marku për mua mbetet poet modern, për çka i mjafton të jetë poet i mirë, mbase edhe këto duket të jenë ambiciet e autorit.

Haxhi Muhaxheri: KUR VJEN E DIELA...

Haxhi Muhaxheri

KUR VJEN E DIELA...

Të hënën
të dua marrëzisht,
për të urrejtur 
të martën 
… prej dashnisë!

Të mërkurën 
të dua si sytë,
që të enjtën
të urrej sa veten 
… prej syrit të keq!

Të premten 
të dua sa jetën,
për të urrejtur
të shtunën –
veç pak 
… prej xhelozisë!

Të dielën... 
Oh... kur vjen e diela,
të dua baras me Zotin 
dhe veten e harroj
duke u lutur për Ty!

24. 04. 2018