Mittwoch, 30. Januar 2019

Haxhi Muhaxheri: UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

Haxhi Muhaxheri   /   Foto e vitit 1997


UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

1.

Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvëlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri verbuese 
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a nepërkë syri
Si ta kuptoj moj - Më thuaj...

2.

Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat

Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt

Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh*
Hiqte valle mbi kockat tona

3.

Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke

Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave

Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Ne dorën time

Eja e dashur - Eja...
Ujk më është bërë vetja

Prishtinë 1995
_______
* Peruni i Madh - Zoti i Sllavizmit

                                                                - - - - - - - - - -

Disa nga komentet në Facebook


Myrteza MARA:
"Poetit i mjafton nji dhimbje",- ka thene i Madhi Fatos Arapi. E pra, kush me mire se dhimbja, se malli, se kujtimi, brenga e pezmi mund te lidh aleance me Muzen? "...Me emrin tend pagëzoja yjtë, lumenjtë, përrallëzat!"...

Fehmi BERISHA:
Thërret thellësi e shprtit.Thërret ndërgjegjja e pastër lot. Pengesat janë të mëdha,duhet kaluar. Pritja e pambarim të bënë edhe ujk,bënë rrëmuj shpirtërore...
Një poezi e cila përmes metaforave të përdorura bukur shpreh botën dhe gjendjen shpirtërore protestuese të autorit.

Fran TANUSHI:
Poezi impresionuese. E lexova me ëndje, madje disa herë, poezi mjaft e bukur. Uroi të jetë jetësuar dëshira , (e dëshiruara të ketë ardhur) dhe nga ujku të ketë mbetur një qenxh i alpeve tona...

Naim ZHINIPOTOKU:
Nje krijim i kohes se djalerise do thoja, nostalgji se kaluares. E thurrur me metofore te ngjeshur, poeti rrefehet kjarte dhe sinqerte, duke hyre e dale horizonteve te tera si shprehet edhe Ai vet, çmendurisht...por e tille eshte dashuria ne djaleri, kur humbesh e tretesh pas saj...

Adem GASHI:
... Haxhi, ujku poetik nuk paska fjetur!

Skënder BRAKA:
Poezi e mrekullueshme. Vargje përplot ndjenjë.

Tonin NIKOLLI:
Poeti me kete poezi mjaft te bukur dhe te realizuar artistikisht evokon nje dashuri te madhe per te cilen eshte gati te sublimohet.Kete dashuri e enderron si nje melhem qe do te sheroje shume plage pernjeheresh,por nje eshte me kryesorja, SHPIRTIN.

Jeton MUÇOLLARI:
Ti këndosh dhimbjes është dhimbje më vete, por dhe shpresë dhe qetësim i shpirtit, vargje që të tërheqin njëri pas tjetrit.

Valon RASHICA:
Përshkrim i bukur i një ndjenje që karakterizohet nga një pritje plot mall, nga pritja për më të dashurën. Kjo pritje duket sikur ka shkaktuar një konflikt të brendshëm shpirtëror i cili tashmë ka arritur kulmin e vet dhe i cili mund të pushojë vetëm kur të përfundojë kjo pritje: Eja, Ujk më është bërë vetja. Poezi e metaforuar bukur dhe e ilustruar edhe me teza dhe antiteza që theksojnë një dhimbje shpirtërore të shkaktuar nga malli.

Bujar SALIHU:
Ujk i dashurisë dhe ujk i poezisë...

Pëllumb TARE:
Kjo "ulerime" poetike vjen si si klithje e shpirtit, nga malli, nga pritja; ku poeti, me emrin e te dashures, pagezon yjet, lumenjte, perallat... Poezi shume e ndjere, ku fjala ujk vjen njerezore.

Donnerstag, 24. Januar 2019

Naim Fetaj: LIRIA MË NJËMIJË DREQËR NË BARK

Poeti Naim Fetaj


REKUIEM PËR LIRINË

A mund të thuhet... diçka me një strofë
A mund të thuhet ...diçka me njē varg

Shtatëzënē më erdhe ti liria ime
Me njëmijë dreqër në bark...

Me thupra thane të thata 
Më thure...
Sikur thiun në thark

Mittwoch, 23. Januar 2019

Ahengjet poetike dhe juritë "profesionale"

Muharrem Blakaj
Nga: Muharrem Blakaj

Me ka rastisë të jem pjesë e shumë tubimeve “zakonisht poetike” sepse për prozë, tubuesit e tillë nuk kanë kohë... (proza është e gjatë, e lodhshme, e mërzitshme deri në monotoni). 
Mblidhen burra me kollare e gra të pispillosura me veshje të bukura... moda e fundit më, dhe sipas stinës, duke gumëzhirë në brendi të sallave moderne e ambiente hotelesh. 
Fillon leximi... recitim! Garë poezish! Garë poetësh e poeteshash! Konkurrencë e madhe! Hidhen fletët e mbushura me poezi. Disa janë të botuara në libra dhe juria i pranon edhe ato. Disa poezi të shkruara me dorë... me ngutë... me ambicie që mos ta humbë rastin për pjesëmarrje në garë! Zëri i poetëve buçet në kupë të qiellit (me falni, në kupë të tavanit të sallës). Zëruesit dridhen nga zori dhe herë pas here qetësohen për disa çaste nga duartrokitjet që e mbysin zërin e tyre. Të pranishmit i kaplon djersa e rënduar e konkurrencës. Lëvizin lehtas përreth tryezave të mysafirëve poet, sa për t’ia tërhequr vëmendjen jurisë... “ja edhe unë jam këtu miku im?, me shikon?” – i thotë në heshtje jurisë.”! 
Mblidhet juria “profesionale”. Shkelet syri. Luhatet koka. Pëshpërimë vesh me vesh. Drejtime gishtash. 
Anëtarët e jurisë lexojnë poezitë. Ngadalë. Shumë ngadalë. Me pushime të shkurtra, vetëtimë, sa për t’ua hedhë një sy poetëve e poeteshave për ti dalluar se cili është ai simpatiku apo simpatikja që e meriton çmimin e parë, të dytë të tretë, të jurisë, të publikut, të kryesisë dhe të zotit të hotelit! Se a ka vlerë apo nuk ka vlerë poezia, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që mikut poet apo mikeshës poete mos t’i ngelët hatri!
Pas marrëveshjes përmes syve, vetullave, gishtave, marrëveshjeve paraprake e mimikës, juria fillon ndarjen e çmimeve. 
Fitojnë poezitë e mikut, mikeshës, dashamirit, poetit të largët që ka kaluar me qindra kilometra për të ardhur në takim, poetit të talentuar që e ka shkruar poezinë aty për aty në një copë letër gazete, në një copë letër higjienike apo në një fletë të huazuar nga recepsionisti! 
Pastaj, me duartrokitje të dalldisura fillon ceremonia e ndarjes së çmimeve. Prapë buçet zërimi në kupë të tavanit. Fituesit hidhen si akrobat cirku për t’i marrë çmimet që ia ndau miku, shoku, dashamiri. Me flet-mirënjohjen e merituar ndër duar, duke i shtrënguar duart e gëzimit për çmimin e parë, të dytë... e kështu me radhë deri sa të vij koha që të ndahen edhe çmimet e publikut dhe të recepsionistit. Vezullojnë blicet e aparateve duke marrë poza dhe duke bërë fotografi për facebook. 
Dhe në fund, pasi bie heshtja e fituesve kallaballëk, fillon shpërndarja e poetëve. Jo fituesit ndjehen të zhgënjyer jo pse poezia e tyre kishte vlera artistike, por që nuk i kishte rastisur që në përbërjen e jurisë të ishte miku i tyre. Kurse fituesit plot shend e verë, çmimet e fituara, bashkë me poezinë heroinë që ua dhuroj çmimin i mbyllin nëpër çanta. Nga ajo mbyllje hermetike, arrin ta shoh dritën e diellit vetëm çmimi i fituar, që shndritë në kornizë varur në mur në dhomën e miqve. Kurse poezia trimëreshë që ia dhuroj çmimin, mbetët e ngujuar në errësirën e çantës së poetit, për të mos e parë dritën në jetë të jetëve!

Buqetë poetike nga Zeqir Krasniqi

Zeqir Krasniqi


VËLLAIT TIM

Koha ngutet
Vëllai im
Sjell kujtime të hidhura

E kam parë si rrëfen për dritën
Rrugët e mallit i shkrin
Me lotët e pikëllimit

Zemērshkrumbi i moteve pa gjumë
Ia mendoj një këmishë një qiell
Prej nga as emri nuk i flet

Mordja rrufeve zbret
Vret nga pak durimin
Dhe mallin tek shkrihet në pritje
Vret

1992



MOS MË KËRKONI

Mos më kërkoni
Nëpër udhëkryqet e botës

Të varri i Kostandinit
Heq valle me Doruntinën

Aty ku krushqit u gjakosën
Çdo natë shoh ëndërr hije

Mos më këkoni më
S'jetohet dot me eshtra në krahë

Prishtinë, 1992




MIKES

Do të kthehesh një ditë
Mikja ime
Nuk ka rëndësi
A do të më gjesh mua
Apo fijet e barit të tharë

Ti do të kthehesh
Në shtegun e fjalës sime
Dhe s'di a do ndalesh

Unë këngëtar i netëve të shurdhëta
S' e kam ndier mordjen

Në u kthefsh kthehu në pranverë
Se dimri i ha zogjtë vet

Mos e harro këngën e dhembjes
As mallin e stinës së fundit

Prishtinë, 1993




ORA E DHEMBJES

Ora e Dubovikut zgjuar rri
Pret dasmorë që s'duken
Trok Kali shqelmon
Në Perëndimin e Zi

Duboviku ëndërron
Atdheun të lagur në shi
Korbat e ikur
Që s'kthehen më

Pastaj
Bie këmbanë e dhembjes
Deri në amshim

Prishtinë, 1994




BREGU I PIKËLLIMIT

Nëntë plagët e Gjergjit
Për nëntë shekuj nuk shërohen

Ç'errësirë kish rënë mbi Iliri
Kur në ato momente të vështira
Driadat sollën pikëllimin
Me kurorën e vdekjes endeshin vetëm

Tërë jetën diçka thërmohet
Plagët e Gjergj Elez Alisë klithin
Në kullën e shpirtit

E motra mëkon me lot
Orën e dhembjes dëfton me vete
Fjalët lidhen për këmbane

Mbase diçka ngjan në log
Dhe në breg të pikëllimit

Prishtinë, 1994




EJA NË VDEKJEN TIME

Në vitin O
Eja në vdekjen time
Do të jetë ditë me diell
Aty do të shohësh
Si qan Verbëria
Ki kujdes në hap
Çdo ecje flet

Mos u ndal në mole
Mos u ndal as në dete
Eja në vdekjen time
Pikërisht në çastin e varrimit

Dielli do të jetë sa buka
Dashuria loton si qielli në shi
Mbi faqen tënde buzëzeza njelmësi

Nuk më duhen rrobat e vuajtjes
As vaje as zhurmë të mëdha

Këmisha ime s'mund të ketë numër tjetër
Këmbët shtrirë në shtratin tim
Nuk do të jenë kurrë të tjera
Stina ime do të jetë vera

1994



BIJËS SIME

(Yllkës)

Thanë veriu e ngrin
Fryn erë e shkrin
Mbase edhe pas viteve dy mijë

Syleshët në lojë me eshtra
Disfatën festojnë
Ujkojnat shkretuan bjeshkët
Sa shumë ulërijnë e kafshojnë

Rrahur në veri tërbuar në erë
Ç'ishte ç'është s'do jetë përherë

Prishtinë, 1994




PIKËPJEKJA

Nëse e shihni fëmijën tim
I thuani nëna nuk qanë më

Mbi atdheun e përlotur
Dhe kur digjen trarët e shtëpisë
Të gjitha të zezat plasin

Në këtë kohë plot pikëllim
Le të ma kthejë mallin
Kujtim për dhembjen e fisit

Nëse e shihni fëmijën
Në prehërin e nënës
I thuani lamtumirë
Kohë e zezuar

Prishtinë, 1994

Mittwoch, 2. Januar 2019

Miniatura poetike nga Haxhi Muhaxheri (2)

Haxhi Muhaxheri


URIA

Edhe ditën e fundit të këtij viti 
mbetëm të uritur – moj grua.

Kot u munduam ta sosim,
mjaltin e mbledhur buzëve!



ARDHTË NJË LUFTË E RE

Po ikën edhe ky vit e dashur
pa i llogaritur të gjitha betejat, 
armët e zbrazura për at'dhé.
Dhe prapë vazhdojmë të lutemi:
– Ardhtë një luftë e re!



LE TË RROJMË NE

E dashur ime,
harroje krevatin sonte!

Natën e ndërrimit të viteve,
do ta presim në dysheme!

Punë e madhe
në u dridhtë toka moj.
Le të rrojmë ne!



FRIKA

Grua, 
sonte nuk po të thëm:
– Të dua!

Kam frikë se bëhem i bezdisshëm, 
duke e përsëritur të njëjtën fjalë!



NË TË S'ËMËS

Edhe ky vit 
le të shkoj në të s'ëmës!

Punë e madhe!

Ne prapë
të rinj do të mbesim,
gruaja ime…

Buzëve 
do të çelin sërish trëndafila...


31 dhjetor 2018
__________________

Disa nga komentet në Facebook

Grigor Jovani:
Është një cikël i mrekullushëm, Bacë, tamam kartolina të gëzuara dhe të mençura për Vitin e Ri. Shëndet dhe lumturi, mik dhe Poet i dashur!

Sadik Krasniqi:
Një elipsis metaforik i shkelqyeshem!... Të lumt Haxhi!...

Sabit Abdyli:
Miniatura në pamje, por tablo te mrekullueshme në përmbajtje. Përgëzime!

Alketa Maksuti Beqari:
Pesë perla që krijojnë një gjerdan të bukur dhe të shëndritshem emocionesh dashurie. Urime, i dashur Haxhi!

Rizah Sheqiri:
Poezi të krijuara mjeshtrisht!... Urime Haxhi!

Fran Ukcama:
Mrekullisht, estetikisht, saktësisht, dashuri poetike ekucionare...