Donnerstag, 31. Mai 2018

Beqir Musliu: SKËNDERBEU

Beqir Musliu


S K Ë N D E R B E U
(poemë – magjistrali)

Gjuha e shkri në diell si fjala ‘pëshertima
E gurit të fortë në dashni emën i kish dhënë
Rrugës së shtruar me trëndafila e shkreptima
Gjakun për ta ruajtë bashkë meshqipen Nanë

Kalanë mbi andërr e çelën vetëm andrrat e veta
At’botë kur shqiponjat sollën gëzim dhe dritë
Së bashku me malësorët e kunorëzuen ndër shkrepa
Të madhnuem me kohën e Arbërit mbetën historitë

Rrugës së lavdisë kush i doli mbanë aq krenar
I madh në dashni dhe i patundun në shpresë
O vetëm shqipja që fërfëlloi flatrat në zjarr

Tash me të urtin Promete u zgjua në histori
I bani të lirë e të oastër të lidhun në besë
Tanë Ballkanin e madhnoi me Bijtë e tu Arbën


E P I L O G

NË TROLLIN e lashtë e të madhnuem të Arbërisë
Askush nuk pati aq fuqi sa me shkimë zjarrin –
Por, ajo në verën e vet e çeli lulen e barin
Me përjetue aq të pastër Parajsën e Bukurisë.

Por … – deri te Troja e re, e quajtun: Iliri
Edhe shpata e vuejti n’dhimbje historinë e vet
Para dashnisë secili u kthy’ n’gërmadhë, mbet –
Legjendë mbi fatosat që u flijuen për Liri!

Kumbonat e trandën bjeshkën në ankth e kumbim,
Deri në gjelbrimin e pranverës së zezë n’ar –
Kangëtarët e rinj i nxorrën lahutat për këndim.

Me na shpie në nji kohë që na duhet me e dashtë –
Për të cilin lulja n’ballsamim u zgjue me na varë
Aty, ku shqipja e pavdekëson Skënderbeun e lashtë !


( P O S T S C R I P T U M )

DIKUR edhe djajtë shitoheshin n’zili me hovin tand
– Edhe tokës me të grishë n’emën i vinte randë.
Fusha shkretnohej, e lumi rridhte në atë pik’llim
Nuk lindte kanga, as lahuta s’binte n’tërbim –
Kur vorrimi yt i shejtë u ba mbi këtë Dhe
N’gojë u ngrinë klithmat për ty, o Skënderbe
Dhe të uruen si shejtnitë – Prometheu me qenë
Me ujitë me gjakuntand djersën e me vesë lulen
Me mbjellë synin tand si ma t’mirën dritë n’male
Aty, ku trimninë dhe krenarinë bjeshkëve ua fale!
Tash po jeton edhe aty ku s’kanë dijtë me të dashtë
Mbi shkrepa je ngritë si petrit me shpatën e lashtë –
Aty, ku dikur ashti yt shëronte o çdo plagë e varrë
Që mbajte tanë Ballkanin për emnin tand, o varë …
Tash – të grish me zbritë edhe shqipja në kreshtë
Katundari në mal, e blerimi me të pasë edhe n’vjeshtë.
Bjeshkët me ty me u krenue në pikëllime e n’hare –
Kur ti ende jeton madhështor mbi ne, o Skënderbe !
Lulet tue u rritë edhe nëpër çdo saksi e n’dritare –
Dielli tue të ngrohë në Krujë, Lezhë, në tokën kosovare !
Gjithkund kanë klithë e kanë brohoritë: “O, Skënderbe –
Ti që na shpëtove, ti që na ktheve votër e A t d h e ! ”
Kalatë u ngritën për hir tandanin deri n’qiell e n’naltësi –
Me mbrojtë qetësinë tande me shqipen të lirë n’malësi

Tash je shtri dhe po rrin mu aty ku s’të harruem
– Në tokën që për ty, përherë ka klithë dhe pa le
Aty, ku edhe gurët kanë hapë gjuhët, o Skënderbe –
Aty, ku si perëndi, e shenjt t’Madh t’dashunuem !
Aty, ku lulet thaheshin n’brymë me vesën si ar –
Të mban të gjallë ndër kohë e mote çdo shqiptar !

Po të shohim t’gjallë pranë luleve në nji, o, Kumbonë
Flakën në hinin e gjallë tue ndezë përsëri me flakë –
Tue lindë prapë vigab si lulja e re mbi saksi e gjak –
Tash me emnin tand po e shërojmë edhe sëmundjen tonë !

( GJILAN – PRISHTINË, 1963 – 1968 )

Andon Zako Çajupi: TRIM I SHQIPËRISË

Andon Zako Çajupi

TRIM I SHQIPËRISË

Kush ka qenë trim një herë? 
Aleksandr' i Math i vjerë, 
Pirrua me shokë të tjerë 
në Shqipëri kanë lerë, 
Po nga të gjithë m'i zoti, - 
Skënderbeu Kastrioti. 
0 mbret i dashur, ku je? 
Ku je, more Skënderbe? 
Si duron ti nënë dhè? 
Nukë të vjen keq për ne? 
Që ditdnë, që 'na le, 
vendi yn' u bë rajë')... 
Të lutemi dit' e natë, 
n'atë jetë ku ke vatë, 
dërgona shpresë e uratë 
të mos rrojëmë si gratë... 
Të ngrihemi të lëftojmë, 
Turqit ti dëbojmë, 
Shqipërinë ta shpëtojmë 
Dhe lir' e me nder të rrojmë.

Naim Frashëri: SKËNDERBEU



Skënderbeu

Këndo, ëngjëll, urtësinë,
edhe mirësinë,
Skënderben’ e trimërinë,
q’i dha Shqipërisë dritë.
Të lumtë goja, këndona,
me gjuhë t’ëmblë si mjaltë,
Skënderben’ e math tregona,
Trimnë burrë, Zotn’ e naltë.
Punëtë, që ka punuar
Kordhëtari i vërtetë,
Kombinë duke nderuar
dhe Shqipërinë për jetë,
nga gjiri i Perëndisë
pa m’i sill nër mënt të mija,
t’i ap dritë Shqipërisë
nga shpirt’ i ndritshim i tija.
Engjëll i bukur, pa xbritmë,
Dhe me dritët të uruar
Shko përpara mej’ e ndritmë,
Të shoh gjithë ç’kanë shkruar.
Që kur ngrehu gjithësinë
Zot i math e i vërtetë,
ka bërë dhe Shqipërinë
e shqipëtarët në jetë.

Llazar Siliqi: TRIM MBI TRIMA


Llazar SILIQI

TRIM MBI TRIMA

Trim mbi trima ai Gjergj-o Kastrioti
fuqi t’madhe qi m’i falka Zoti,
s’e djeg flaka e s’e djeg baroti!

Shpata e tij, tha, malin dyshë e çanë,
me nji t’rame, nji ushtri përlanë...
ç’bërtet sulltani i Turqisë,
Skënderbeu me luaj t’Shqipnisë,
po lufton-o hypun maje kali,
s’e ndal lumi, s’e ndal det as mali,
gjith’ ushtin’ ma çarti e ma faroi!

Lavd, o Gjergj, o Skënderbe dragoi,
krahu yt çdo ditë-o u forcoftë,
lavdit yt-o brez mbas brezi u kndoftë!

Ali Podrimja: SKËNDERBEU

Ali Podrimja

SKËNDERBEU

Bëja roje Nuk e pashë
Zbriti bjeshkës
Apo fushës erdhi

Në krah kish një shqiponjë
Të cilën mes nesh
Na e la amanet

Gjergj i Gjonit më thonë
Po më thërrasin edhe Skënderbe
Kur hëna përgjaket

Mori udhë larg e larg nami

Bëja roje Nuk e pashë
U ngjit bjeshkës 
Apo rrjedhës së lumit vajti

Kohëve bredh dherave
Në Kështjellë thonë zgjuar rri
Unë besoj: Mbi kokë të Njeriut

Dritë bën Ai

Krujë, 1971

Mittwoch, 30. Mai 2018

50 fakte nga jeta e Gjergj Kastriot Skenderbeut


50 fakte nga jeta e Gjergj Kastriot Skenderbeut

Nga Roland QAFOKU

Më 17 janar mbushen 550 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar. Ndërkohë qeveria shqiptare e ka shpallur vitin 2018 si vitin e Skënderbeut. Po cili është Skënderbeu? Cila ka qenë jeta dhe veprimtaria e tij? Përse Skënderbeu u shndërrua në pikën referuese të shqiptarëve gjatë Rilindjes dhe përse edhe sot ai mbetet krenaria më e madhe e shqiptarëve? Përse Bota dhe sidomos Evropa e krishterë e vlerëson atë si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të qytetërimit të krishterë? Gazetari Roland Qafoku, publikoi dje në emisionin “Debati në Channel One”, 50 fakte nga jeta e Skënderbeut. 

  1. Gjergj Kastriot Skënderbeu mban titullin “Hero i Kombit Shqiptar”, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar. 
  2. Gjergj Kastriot Skënderbeu lindi më 6 maj të vitit 1405. Për vendlindjen e tij ka dy versione. I pari në Dibër dhe i dyti në Mat. Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468 në Lezhë. Ai jetoi 62 vjet, 7 muaj e 11 ditë. 
  3. Për 25 vjet Gjergj Kastriot Skënderbeu mbajti të papushtuar Arbërinë nga ushtria osmane që e sulmoi atë dhjetra herë duke u bërë mbrojtës jo vetëm i kësaj toke por edhe i krishtërimit në Evropë. 
  4. Për shkak se Skënderbeu u bë diga, mbrojtja dhe rezisteca e krishterë ndaj ushtrisë osmane, Evropa dhe Vatikani e kanë cilësuar heroin kombëtar të shqiptarëve, si atlet i krishtit dhe pararendës të aleancës Atlantike NATO. 
  5. Për 25 vjet me radhë Kruja që ishte kryeqyteti i Arbërisë, u quajt nga shumë personalitete të kohës akropoli i Kristianizmit në Evropë. 
  6. Gjergj Kastriot Skënderbeu cilësohet nga historianët si një nga 4 gjeneralët dhe strategët më të zotë në historinë e botës pas Aleksandrit të Madh, Jul Çezarit dhe Napoleon Bonapartit. 
  7. Skënderbeu me ushtrinë e tij shkatërroi 20 ushtri të huaja dhe sipas Marin Barletit ai vetë gjatë gjithë jetës së vete vrau në beteja 3 mijë persona. 
  8. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Arbërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit mes 4 djemve Stanishin, Reposhin dhe Konstandinin si dhe 5 vajzave Mara, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica që kishin Gjon dhe Vojsava Kastrioti. 
  9. Familja e Kastriotëve zotëronte një principatë të vogël midis Matit dhe Dibrës në kufirin verior në zotërimet e Topiajve. Paraardhësi Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vititn 1383. 
  10. Gjergj Kastrioti u martua me Donika Arianitin nga Kanina e Vlorës dhe bashkë patën një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vunë në nder të të atit. Djali I Gjonit, e kishte emrin Gjergj Kastrioti,  në nder të gjyshit. 
  11. Gjergj Kastrioti dhe Donika Arianiti u martuan më 23 prill të vitit 1451 kur ajo ishte 23 vjeç dhe Gjergji 46 vjeç. Në Kaninë dasma zgjati 3 ditë dhe Skëndebeu shkoi nga Kruja atje me 500 kalorës. Më pas dasma vazhdoi në manastirin e Ardenicës dhe më pas akoma në kalanë e Beratit. 
  12. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i përkiste fesë së krishterë si e gjithë familja dhe të gjithë paraardhësit e tij. Ai u kthye në muhamedan pasi u mor peng dhe më pas u kthye sërish i krishterë kur u kthye në Shqipëri. 
  13. Në moshë të vogël Gjergj Kastrioti bashkë me 3 vëllezërit e tij u mor peng nga Sulltan Murati I II si ndëshkim për luftën që i shpalli babaii tyre Gjon Kastrioti. Gjergj u nvndos në Edrene dhe më pas në oboprrin e sulltanit. 
  14. Gjergj Kastrioti vazhdoi shkollën e içogllanëve në Ederne të Turqisë së sotme në të cilin mësonin artin ushtarak djemtë e sundimtarve të nënshtruar me frymë osmane 
  15. Pas shkollës Skënderbeu nisi karrierën ushtarake si pjesë e disa ekspeditave në Ballkan dhe Azi në të cilat u shqua në luftme por edhe si strateg. Nga spahi, ai mori gradën sanxhakbeut. 
  16. Për trimërinë dhe fitoren në betejat si pjesë e ushtrisë osmane Sulltani iu kishte dhënë Gjergj Kastriotit gradën e lartë gjeneral. 
  17. Skënderbeu studio dhe u stëvrit në Stamboll për artin ushtarak. Ai njihte gjuhën osmane, latine dhe shqip. Titullin Skënderbej “Iskander bej” ose Aleksandri i madh iu dha nga Sulltan Murati i II pas fitores së betejave ne Azi. 
  18. Në vitin 1443 Skënderbeu arrestoi sekretarin e Sulltanit dhe e detyroi të firmoste një urdhër të Sulltanit për komandantin turk të Krujës sipas të cilit duhet tia dorëzonte qytetin Skënderbeut. Me 300 kalorës dhe ushtarë besnikë Skënderbeu mbërriti në Krujë, mori në dorëzim kalanë dhe brenda natës vrau të gjithë ushtarët osmanë. 
  19. Kryengritja kundër osmanëve vijoi në të gjithë Arbërinë dhe pasi u morën të gjitha kalatë, në një kuvend  Skënderbeu u shpall komandant i të gjitha forcave. 
  20. Janë disa shtete në botë që kanë sheshe me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeu si Tirana në Shqipëri, Prishtinë në Kosovë, Zyrihu në Zvicër, Parisi në Francë, Roma në Itali, Çikago në SHBA, Shkupi në Maqedoni etj. 
  21. Simbolet dhe armët orgjinale të Skënderbeut gjenden në muzeun e armëve në Vjenë të Austrisë. Pas vdekjes së Skënderbu bashkëshortja i ka lënë me testament.  Por më pas ato ndërruan duar te disa koleksionues dhe në fund u vendosën në muzeun e Armëve.
  22. Armët e Skënderbeut që ndodhen në muzeun e armëve në Vjenë janë dy shpata. Shpata e parë i është dhuruar nga Papa në krishtlidnjen e vitit 1466. Ajo është e drejtë dhe e gjatë 85.5 cm dhe e  gerë 5.7 cm dhe peshon 1.3 kilogram. Shpata e dyt është e modelit turk dhe është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. 
  23. Në muzeun e Krujës janë vetëm kopjet e tyre. Në Shqipëri aktualisht nuk gjenden sende apo objekte personale të Skënderbeut. Ato janë zhdukur pas vdekjes së tij dhe dyndjeve osmane në vendin tonë. Madje edhe eshtrat e tij janë marrë nga osmanët dhe janë përdorur si hajmali. 
  24. Në nëntor të vitit 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, armët e Skënderbeut u ekspozuan për disa ditë në muzeun historik kombëtar në Tiranë. Numri i vizitorëve që panë armët orgjinale të Skënderbeut ishte 1.4 milionë persona. Vetëm më 28 nëntor atë e vizituan mbi 200 mijë vizitorë. 
  25. Përkrenarja me kokën e Skënderbeu ishte simbol i huzuar nga legjenat e Pirros së Epiriut dhe Aleksandrit të madh. Ajo ishte me metal të bardhë dhe me një rrip të lar me ar. Skënderbeu deklaronte se ishte pasardhës i Pirros. Marin Barleti nënshkruante se Skënderbeu i referohej shpesh Pirros së Epirit. 
  26. Kali i Skënderbeut është një nga simbolet e jetës së tij. Sipas Barletit ai ishte i bardhë dhe i një rrace të zgjedhur. Pas vdekjes së Skënderbeut kali nuk pranoi ti hipte dikush tjetër dhe pas disa kohësh vdiq (ngordhi). 
  27. Flamuri i Skënderbeut ishte me fushë të kuqe dhe shqiponja me dy koka, flamuri që edhe sot është zyrtar i shtetit shqiptar. Në fjalimin e tij më 28 nëntor 1912 në Vlorë, teksa shpallte pavarësinë e shtetit shqiptar, Ismail Qemali përmendi se flamuri që ngriti ishte ai i Skëndebeut. 
  28. Eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij që ndodhej në kishën e Shën Nikut në Lezhë u dhunua dhe eshtrat e tij u morën si hajmali nga ushtarët turq. 
  29. Dy herë Papa Piu I II u nis në Shqipëri për të kurorëzuar si mbret Gjergj Kastriot Skënderbeun. Por kjo nuk u bë e mundur. Herën e dytë Papa Piu vdiq në Ankona duke ardhur në Arbëri. 
  30. Emrin e Skënderbeut në Shqipëri e mbajnë: Sheshi qendror në Tiranë, tri rrugë në Tiranë, Krujë, Durrës, një muze ne Krujë, një fshat në Librazhd, klubi i futbollit të Korçës, një titull i lartë. Akademia ushtarake e Shqipërisë në Tiranë mban emrin e Skënderbeut si startegu më i lartë ushtarak i të gjitha kohrave. Më parë emrin Skënderbej e mbante edhe shkolla e mesme ushtarake në Tiranë. 
  31. Kanë qenë disa tentative për ta vrarë Skënderbeun. Sipas historianëve disa herë janë bërë përpjekje për ta helmuar atë. Por duket se përpkeja më serioze ka qenë e Venedikut. Gjatë kohës që ishin në luftë me të venedikasit shpallën çmim si pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh për vrasjen e Skënderbeut. 
  32. Janë 4 autorë shqiptarë si biografë të Skënderbeut: Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo dhe Kristo Frashëri. 
  33. “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit e shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë në 1508 është vepra më shumë e përkthyer e një autori shqiptar. Kjo vepër është përkthyer në 40 gjuhë dhe pas 500 vjetëve u përkthye edhe në gjuhën shqipe. 
  34. Mbreti i Napolit i dhuroi Skënderbeut 60 kilometra katrorë tokë dhe një kështjellë në Napoli në shenjë nderimi dhe respekti për ndihmën që ai i dha në luftë ndaj kundërshtarëve. Edhe sot kjo kështjelël është pronë e pasardhësve të Skënderbeut. 
  35. Varri i Donika Kastriotit, bashkëshortes së Gjergj Kastriotit, ndodhet ende në Spanjë që në atë kohë pjesë e mbtretërisë së Napolit. Për koicidencë edhe varri i bashkëshortes së Ismail Qemalit, ndodhet po në Spanjë. 
  36. Lekë Zaharia, Gjon Muzaka, Stres Balsha, Pal Engjëlli, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Vrana Konti ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut. Nipi i Skënderbeuit Hamza Kastrioti dhe Moisi Golemi e tradhëtuan atë. 
  37. Dy janë fjalimet më të rëndëishëm të Skënderberui. I pari i mbajtur në Krujë kur mbërriti nga Turia. Fjalët “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush”, janë unikale edhe sot e kësaj dite. Fjalimi i dytë është në formën e testamentit përpara vdekjes në të cilin thotë: “ska asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë që të mos shembet kur i lëshon vendin mërive dhe grindjeve”. 
  38. Tre herë u sulmua qyteti i Krujës ngaushtria osmane. Dyherë nga sulltanët Murati i II dhe djeali i tij Mehmeti dhe një herë nga ushtria e gjeneralit Evrenoz Pasha. Por megjithatë bqytetei nuk ra. Ushtria osmane në të tre rastet numëronte 100 mijë ushtarë.
  39. Skenderbeu zhvilloi 30 beteja nga të cilat fitoi 29 dhe humbi vetëm 1 atë të Beratit në të cilën u tradhëtua nga besnikët e tij më të mëdhenj. Ushtria e Skënderbut aty pati 5 mijë të vrarë. 
  40. Besëlidhja e Lezhës është i pari bashkim i madh i shqiptarëve kundër një pushtuesi. E ideuar dhe organziaur nga Skëndebeu ajo bashkoi princat shqiptarë. 
  41. Më 2 mars 1444 në katedralen e shën Kollit në Lezhë u mbajt kuvendi kombëtar I prindërve dhe fisnikëve shqiparë. Në kuvend morën pjesë Skëndebeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia me dy7 djemtë, Gjergj Stres Balsha, Nikoll dhe Pal Dukagjini, Teodor Muzazka iriu, Lekë Zaharia, pjhesëtr Spani, Lekë Dushmani, Stefan Gojçini etj 
  42. Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut u largua në Napoli pas vdekjes së Skënderbrut bashkë me të ëmën. Ai mori titullin Dukë dhe kont. U martua me Irena Brankoviç Peleologlu, pasardhësja e fundit e familije sperandorake Bizantine dhe patën shumë fëmijë. Në vitin 1700 pasardhësit u shpërngulën në Leçe. 
  43. Ushtria e Skënderbeut arriti të numërojë deri në 40 mijë ushtarë. Nga këta 3 mijë siguronin kufijtë që kishin komandant Moisi Golemin. 8 mijë ishin kalorës dhe 7 mijë ushtarë këmbësorë special që ishte garda e Skëndebeut. 
  44. Janë 24 përpjekje të ushtrisë osmane për të marrë Krujën dhe princiatën e Skëndebeut por nuk e arriti asnjëherë sa ishte ai gjallë. 
  45. Gjergj Kastrioti shkjoi disaherë në ndihmë të Vatikanit dhe mbretërisë së Napolit. Në vitin 1463 Skënderbeu u bë komandant i forcave kryqtare të Papa Piut të II-të. 
  46. Në të gjithë botën për figurën e Skënderbeut janë shkruar rreth 600 libra. Mes tyre janë dhjetra romane, libra historikë, studimorë dhe legjenda. 
  47. Janë të shumta veprat e artistëve botërorë me temë Skënderbeun. Piktori hollandez Rembrand ka bërë portretin e tij, shkrimtari Longfelloë ka shkruar poemë, kompozitori Antonio Vivaldi ka shkruar një opera dhe kompoziorët François Rebel dhe François Francoeur nga një operetë. 
  48. Buste dhe shtatore të Skënderbeut ndodhen në Tiranë, Prishtinë, Gjenevë, Londër, Bruksel, Budapest, Romë, Miçigan. Pritet që bust të tij të ketë edhe në Spanjë, Australi, etj. Në të gjitha punimet artistike, Heroi Kombëtar qëndron hipur mbi kal duke simbolizuar luftëtarin. 
  49. Monumentin e Sknderbut mbi kal në qendër të Romës e zbuloi Benito Musolini më 27 tetor 1940, një vit e gjysmë pas pushtimit që Italia i bëri Shqipërisë. 
  50. Viti 2018 është shpallur nga kryeministri Edi Rama si vit i Skënderbeut për nder të 550 vjetorit të vdekjes së tij.

Marrë nga oranews.tv

30 thënie për Gjergj Kastriotin Skënderbeun



30 THËNIE PËR GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUN

Nga Roland QAFOKU

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu. Sot më 17 janar, në këtë ditë që mbushen 550 vjet nga vdekja e tij, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

1. Papa Kalikst i III
“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

2. Papa Piu I II
“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

3. Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559
“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

4. Sulltan Mehmeti II
“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

5. Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez
“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

6. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut
“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

7. Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”
“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

8. Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën
“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

9. Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia
“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

10. Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”
“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.”

11. Marin Barleti, shkrimtar, historian (Historia e Skënderbeut, faqe 491)
“Kur e dëgjoi që (Skënderbeun) po e qanin të vdekur, Lekë Dukagjini, princ epiriot, doli me vrap në mes të pazarit dhe, me fytyrë të pikëlluar e me zë të lartë, tha duke shkulur mjekrrën dhe flokët: Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbërorë! Sot, bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot u shua krejt, së bashku me këtë njeri, çdo shpresë e jona!”

12. Fan Noli, historian, studiues, shkrimtar, përkthyes (Gjergj Kastriot Skënderbeu, 1405-1468, faqe 11, 38)”
“Skënderbeu ka mbrojtur me sukses Krujën, kundër tre rrethimeve të Muratit II dhe Mehmetit të II, dy pushtonjësve më të tmerrshëm të kohës, që kishin në dorë ushtritë më të forta të botës”.

“Historia e Skënderbeut është interesante, nga katër pikëpamje të ndryshme: si një kryqëzatë kristiane kundër turqve; si një luftë klase e fshatarësisë së lirë shqiptare, kundër feudalizimit turk nga njëra anë dhe kundër kapitalizimit venedikas, nga ana tjetër; si një luftë e gjatë e rezistencës kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të turqve dhe, në fund, si një kapitull shumë i rëndësishmë i historisë së Gadishullit të Ballkanit.”

13. Aleks Buda, historian, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
“Veprimtaria e Skënderbeut nuk është “një balon i fryrë, siç është thënë, por një fakt historik. Këtu s’kemi të bëjmë vetëm me operacione banditësh nëpër male, por me një luftë gjigandeske, me përpjestime europiane, që zgjati më tepër se një çerek shekulli dhe vuri përballë forcave vigane turke, popullin tonë të vogël”.

14. Faik Konica, gazetar, studiues, diplomat (Shqipëria, kopështi shkëmbor i Evropës Juglindore, faqe 17)


“Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit. Në kohën e tij, Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave. Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend, për të gjithë princat, në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes. Ishin më shumë se një dyzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë, ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar, derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do mund t’ia arrinte. Herë pas here, disa prej tyre, u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort, si në mengene. Por mengeja u prish, sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit, më 17 janar 1468. Pak kohë më pas, Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më, deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh. Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan, që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet”.

“Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar Skënderbeun, është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar. Diku, në veprën e tij të vëllimshme, Volteri ka guxuar të shprehet se, sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453".

15. Ismail Kadare, shkrimtar (Mosmarrëveshja, faqe 112)
“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madhi i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor, rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij. Ai qe themeluesi i idesë shqiptare, me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marrë kaq famë në Europë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se, Shqipëria vetë. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit, që i dha vendit të tij një orientim drejt Europës, deri në fund, sa vdiq! Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare. Ky është një rrugëtim shumë i gjatë. Tani kanë dalë lloj-lloj sofistash që thonë, po jo turqit s’kanë qenë aq të këqinj. Thuhet, po pse qëndruam ne 500 vjet me ta? Pesëqind vjet e patën të gjithë ballakanasit Turqinë në qafë, jo vetëm ne shqiptarët. E pati greku që mbahet si flamurtar kundër Turqisë, serbët, bullgarët, gjithë Ballkani. Nuk është teori, kjo është e vërtetë!

“Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë. Çmitizimi i tij është një nga turpet e kombit shqiptar!”

16. Artan Fuga, akademik (14 janar 2018, Analizë në faqen e tij Facebook)
“Skënderbeu i madhërishëm e magjik, sepse drejtohej nga ideja dhe shihte larg, nuk ishte një shpatar i zakonshëm, që priste koka me jatagan. Ai shihte larg, sepse ndjenja kombëtare në të gjithë Europën, kishte nisur të shpallej hapur kundër universalizmit latin. Në Gjermani, Luteri shkruan në gjermanisht dhe predikon një fè, duke i bërë thirrje fisnikëve gjermanë, kundër kishës romane; Gutenbergu i heq kuvendeve të drejtën për të riprodhuar dijet me skribë dhe shpik makinën e shtypit masiv, duke ia dhënë dijen turmave dhe masave të burgerëve vendas lokalë, duke nxitur ndjenjën kombëtare. Makiaveli i madh shkruan më pas Princin, në italishten e vjetër, dhe vazhdon traditat e kohës së tij, duke e bërë politikën një fakt lokal. Dekarti, më pas, shkruan logjikën në frëngjisht, pra në gjuhën e vulgut të kohës. Kjo lëvizje laike me ndjenja kombëtare, është Europa Qendrore dhe Perëndimore, ku noton bota moderne e kohës. Në këtë lëvizje kaq moderne dhe antikonservatore, shkruhet edhe projekti i Skënderbeut. Ai e di se çështja do të fitojë, në mos kur është gjallë, në pasvdekjen e tij. Ky është Heroi legjendar. Këtë e dinin të gjithë vizionarët e kohës dhe më pas, që nga Luteri, Serveti, Jan Husi, Galileu, Gutenbergu. Ata ishin njerëz të ndriçuar dhe pranonin të gjitha torturat, vuajtjet dhe persekucionet, në emër të asaj që ata e dinin se do të fitonte, në mos sot nesër!”

17. Pëllumb Xhufi, historian, studiues (Në emisionin “Debati në Channel One, 11 janar 2018)
“Gjergj Kastriot Skënderbeu është një emblemë në historinë tonë. Eshtë një strumbullar rreth të cilit është krijuar edhe ndërgjegja kombëtare shqiptare . Ështrë ajo magma që lidh shqiptarët e të gjitha krahinave, besimeve, madje edhe të bindjeve politike. Por Skënderbeu nuk ishte një meteor që vinte, erdhi, u shua dhe iku. Para Skënderbeut ka patur princër të tjerë Shqipëria, që në shekullin e 12-të. Ishin pirncërit e Arbërit, me rezonancë ndërkombëtare, që lidheshin me Papën, Venedikun, lidheshin me republikën e Raguzës. Por përpara Skënderbeut, kanë qenë Balshajt. Madje, Balshajt kanë arritur shtrirjen më të gjerë të shtetit mesjetar shqiptar, nga Budva deri në Kostur. Zgjati vetëm 20 vjet, por ishte shtrirja më e gjatë. Pra, Skënderbeu vinte nga një realitet, i cili vinte nga një vazhdimësi ...”

18. Virgjil Kule, gazetar (“Gjergj Kastriot Skënderbeu, kryqtari i fundit”, faqe 516)
“Tre vjet më parë, Gjergj Kastrioti kishte qenë në pikën më të afërt të realizimit të projektit të tij, por gjithçka ishte hedhur në erë, me vdekjen e Papa Piu II. Tani, idea e kryqëzatës sikur po gjallërohej. Piu II po bënte çmos të kapërcente mbi gardhin që kishin ngritur kontradiktat ndëritaliane dhe Kastrioti donte të besonte se, një ditë, mund të arrinte diçka.”

19. Fatos Lubonja, analist
“Miti i Skënderbeut është një konstrukt historik i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftërash dhe urrejtjesh nacionale. Pra, kur ai trajtohet si mit, çështja nuk duhet shtruar, si ka qenë Skënderbeu, por si dhe në ç’kontekst është strukturuar miti i Skënderbeut. Për mua, Skënderbeu është një mit i rimarrë dhe i rikonstruktuar, mëse një herë.

20. Aurel Plasari, studiues, historian, përkthyes “Shqiëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”
“Një aventurier i madh, siç e ka cilësuar ndonjë historian i kishës, duke ia përgojuar të ritë? Apo një papë i madh, siç e kanë quajtur historianë të tjerë?Pa dyshim një humanist emërmadh dhe i pari që ripohoi unitetin shpirtëror të Europës, me përfshirjen në të, si të pjesës së saj perëndimore edhe asaj lindore, çfarë e zhdukte tendosjen e dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit, duke e riaktualizuar konceptin Europë, e duke i dhënë përmbajtjen e re, tanimë politike!”

“Luftërat e Skënderbeut nuk kanë qenë, as kryengritje të vegjëlisë, as përplasje klasore. Ato janë ashtu siç ishin, përpjekje për të ndaluar avancimin në këtë pjesë të Europës, të gjysmë hënës së Islamit. Janë pra luftëra fetare, sigurisht brenda një konteksti politik”.

21. Oliver Jens Schmitt, historian në Institutin e Historisë së Europës Juglindore në Vjenë, (Skënderbeu, faqe 533)
“Me figurën e Gjergj Kastriotit që pat marrë epitetin Skënderbeu(zoti Aleksandër), do të merreshin burra shteti, humanist dhe historiografë të shekullit 15; pas tyre edhe biografë, shkrimtarë, autorë libretesh e publicistë politikë, deri në ditët tona. Harku i këtyre evropianëve të njohur të cilët kanë trajtuar Skënderbeun shtrihet prej Papës Piu II Piccolomini te Vivaldi e deri te Benjamin Disraeli”

“Historia e Skënderbeut, ashtu siç është trajtuar deri sot në historiografinë botërore dhe shqiptare, ka veshjen e një miti”.

“Skënderbeu ishte i vetmuar në fund të jetës së tij. Ai nuk ishte as kampion i luftës çlirimtare, as themeluesi i shtetit shqiptar, as mbrojtësi i qytetërimit europian, por hakmarrës për vrasjen e të atit”.

22. Ardian Klosi, analist, studiues
“Babai i Skënderbeut quhej Ivan. Gjon është emër i shpikur.”

23. Kristo Frashëri, historian, akademik
“Trajta sllave Ivan, me të cilin ai (Schmit), e quan të atin e Skënderbeut, ka shkaktuar me të drejtë një përshtypje të hidhur në opinionin shqiptar. Arsyeja nuk është vetëm fakti se, opinioni shqiptar është mësuar deri tani ta quajë të atin e heroit me emrin shqiptar, Gjon Kastrioti, por edhe te ngarkesa e heshtur etnike që nënkupton përdorimi i pasaktë dhe i panevojshëm për shqiptarët, i një trajte sllave që ata nuk e kanë dëgjuar asnjëherë. ”

“Schmitt sheh te Skënderbeu i vetmuar në fund të jetës së tij, jo kampionin e luftës çlirimtare, as themeluesin e shtetit shqiptar, as mbrojtësin e qytetërimit europian, por hakmarrësin për vrasjen e të atit. Kapedani shqiptar nuk kishte nevojë për “casus belli”, sepse ai ndërmori një kryengritje çlirimtare dhe pastaj zhvilloi luftë mbrojtëse. Për më tepër, motivi i hakmarrjes së Skënderbeut, nuk ka si t’i ketë bindur në kuvendin e Lezhës në mars 1444, krerët e tjerë të zotërimeve feudale shqiptare, që të pranonin të ndërmerrnin luftën kundër sulltanit turk, nën udhëheqjen e Kastriotit. Me të tilla motive, mund të shkruhen romane, por jo histori”.

“Për të provuar trashëgiminë gjenetike të pasardhësve të Skënderbeut, disa prej tyre kanë përgatitur edhe pemë gjenenealogjike, të cilat nisin me emrin e heroit dhe vazhdojnë me një mori pasardhësish të njohur dhe të panjohur, të cilët mbërrijnë deri në ditët tona. Por themeli i këtyre pemëve gjenealogjike, rrëzohet porsa me Ferdinandin, biri i Gjon Kastriotit merr fund trashëgimia e Skënderbeut”.

24. Sabri Godo, shkrimtar, politikan
“Skënderbeu është kthyer në legjendë dhe legjenda kthehet në mit. Por ka një të vërtetë të madhe, rreth figurës së tij. Ai e shkriu jetën në luftën kundër ivazionit turk dhe bëri çmos që këtë ta kthente në një luftë të të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Po të mos ishte kjo rezistencë e madhe, shqiptarët do të ishin kthyer në një popull të robëruar.”

25. Sandër Lleshi, gjeneral, autor i librit “Skënderbeu ose misioni i pamundur i Schmitt-it”
“Dokumenti i cituar, është mjaft i mjegullt për të marrë atë vlerë që i jep Schmitt-i” dhe për të hyrë “pa koment, në qendër të trajtimit” të tij. Një rrethanë tjetër që e bën edhe më të pabesueshëm këtë dokument, sipas Lleshit, është fakti “se, hartuesit e dokumentit nuk kanë asnjë ide për kë shkruajnë, se ata shkruajnë për njëfarë Xanderbech. Fakti që e gjithë kjo padije e diplomatëve milanezë, është e vitit 1454 dhe sa ajo kontraston me famën e jashtëzakonshme që gëzonte ndërkohë Skënderbeu, jo vetëm në Itali, por në gjithë Europën e asaj periudhe, nuk e bëjnë aspak dyshues Schmitt-in, rreth dokumentit të tij të dashur.”

26. Ardian Ndreca, publicist, studiues (Kur Skënderbeu nuk asht historia e Skënderbeut, faqe 1)
“Asht shumë e vështirë, ndoshta e pamundun, me mendue se ni ndërmarrje e tillë epike, si ajo e heroit tonë kombtar, Sakënderbeut, mund të fillonte e të mbahej nga një udhëheqës jo katolik. Titujt Papnor, “Athleta Christi”, “dilecti fili, “viri catholici”, konfirmojnë një situatë të këtillë në atë moment të veçantë historik”.

27. Ylli Polovina, gazetar, studiues (Gjysma e harruar e Skënderbeut”, faqe 260)
“Duke e mbajtur Gjergj Kastriotin me helmet, u kemi dhënë kaq shumë shans kritizerëve të tij atyre që, në të vërtetë, nuk do të kishin kurrë dëshirë ta shihnin atë si luftëtar. Epopeja skënderbejane ishte luftë heroike pikërisht, sepse qe inteligjente. Akuzuesit e gjallëruar tinëzisht, në çastet kur po bëhemi gati të hyjmë në BE, po përfitojnë nga gropa jonë e kujtesës, nga boshllëqet e lëna në të. Ata e dinë mirë që, shekuj të tërë më pas, shqiptarët modern gjenden tërësisht jashtë atij konteksti gjeopolitik e historik, ku veproi Skënderbeu dhe kështu ndihen më pak të imunizuar nga përhapja e fjalëve se ka qenë përgjakës i popullit të vet.”

28. Gjergj Zheji, (Kruja e Skënderbeut), faqe 62.
“Që figura e një trimi të rrallë si ajo e Skënderbeut, të hiperbolizohej në legjendat tona, kjo është e natyrshme dhe ne gjejmë ende sot, gojëdhëna që na flasin për forcën e çuditshme të krahut të Gjergj Kastriotit, për shpejtësinë e kalit të tij, që nuk vraponte, por fluturonte. Legjenda që kemi hetuar sot, në malet e Krujës, kanë si tipar të tyre të përgjithshëm, frymën realiste. Edhe nëse kryen ndonjë mrekulli (të çarët e një shkëmbi me shpatë, të fluturuarit me kalë, të lënit të gjurmëve të kalit në shkëmbinj etj.,… është një hiperbolë, mbase fort poetike, por e zakonshme në rapsoditë dhe përrallat tona”.

29. Abas Ermenji, (Vendi që zë Skënderbeu, në historinë e Shqipërisë, faqe vi)
“Skënderbeu është figura qendrore që lidh historinë e vjetër të ilirëve, të epiriotmaqedhonasve dhe atë të arbëreshëve. Por figura e Skënderbeut ka lozur rol kryesor, edhe në historinë e pastajme të kombit shqiptar. Ajo i ka sunduar rrjedhimet e kësaj historie, deri në ditët tona.”

Tajar Zavalani, gazetar i BBC, studiues, (Histori e Shqipnis faqe 128)
“Gjergj Kastrioti i kishte kushtue vehten lirisë dhe mirëqënies së popullit, me vetmohim të plotë. Qëllimi i tij ishte jo vetëm ta mbrinte nga sulmet e armikut të hue,j por edhe t’i bashkonte në një komb të pamvarur”.

Faik Konica: Legjendat dhe të vërtetat për Skënderbeun

Mund të ketë mendime të ndryshme për vetitë luftarake të shqiptarëve të kohëve të fundit; kam parasysh brezat e sotëm dhe ata që ishin menjëherë para tyre. Personalisht nuk dëshiroj të shpreh asnjë mendim për këtë çështje. Është e sigurt se ikja e vazhdueshme e krahut të punës gjatë pesë shekujve e ka mpakur në njëfarë mase kombin. Të rinjtë më të mirë e më të fuqishëm i rekrutonte Turqia për t’i dërguar në luftëra të largëta dhe mbaj mend në fëmijërinë time se si një regjiment shqiptarësh, që u nis për të mposhtur një kryengritje në Arabi, u kthye vetëm me një grusht njerëzish. Mund të jetë një teprim të thuhet se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të atyre, që ishin aq të dobët, sa nuk dërgoheshin në luftë, por sidoqoftë do të pritej një ulje e vitalitetit si pasojë e rekrutimeve për pesëqind vjet. Megjithatë, pak vite më parë, në kohën e Luftës Greko-Turke të vitit 1897, gjenerali prusian fon Grumbkov e ka shprehur botërisht adhurimin e tij kur pa një trupë shqiptarësh në Thesali, që po i ngjiteshin një kodre përballë një zjarri kositës dhe po kapnin një bateri të armikut. Korrespondenti i gazetës së Londrës “Times” në këtë luftë, Kliv Bingam, ka shënuar se “shqiptarët në tërësi e përgënjeshtruan famën e tyre”, por edhe ai dëshmon për një betejë ku, siç shkruan ai, “disa herë rresht shqiptarët vërshuan teposhtë shpatit dhe u përpoqën ta kapërcenin shkëmbin, por zjarri që u derdhej nga sipër ishte vdekjeprurës, kurse bateritë prapa tyre patën pak efekt mbi faqet e shkëmbit e të gurit”.
          Sidoqoftë, ka një mendim të njëzëshëm lidhur me vetitë luftarake të shqiptarëve për brezat më të largët. Do të ishte e tepërt ta rrëfeje këtë dhe ka material aq të pasur, sa mund të mbushësh një vëllim të trashë. Unë do ta kufizoj veten vetëm me nja dy shembuj nga më domethënësit. Në një raport dërguar Senatit të Venedikut më 1576, Andrea Justiniani thotë se në një forcë prej treqind e pesëdhjetë ushtarësh, që përbënin garnizonin e Korfuzit, kishte një togë prej dhjetë shqiptarësh, të cilët “ishin më të mirë se gjithë italianët e tjerë”.
          Neve na duhet ta pranojmë këtë vlerësim të hapur italian për vlerën luftarake të shqiptarëve, që i bie të jetë të paktën tridhjetë e katër herë më e lartë se e italianëve. Venedikasit kanë qenë çmues të ftohtë të njerëzve e të sendeve: ata nuk do ta kishin ndërtuar dot një perandori, nëse nuk do të kishin pasur një gjykim të saktë e të pagabuar për vlerat aktuale. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë ende nuk ishin shpikur makinat për të plotësuar mungesën e trimërisë njerëzore.
          Raimondo Montekukoli (Montecuccoli), një gjeneralisim i shkëlqyer i Perandorisë së Shenjtë Romake, që fitoi betejën e madhe të Shën Gotardit kundër turqve më 1664, pohon në kujtimet e veta të luftës.
          “Se në çfarë rreziku ishim për ta humbur betejën, bëhej fare e dukshme vetëm nga rrëmuja dhe arratisja e një pjese të ushtrisë sonë dhe nga lufta e guximshme e jeniçerëve dhe e shqiptarëve, të cilët, edhe pse mbetën më të paktë në numër, asnjëherë nuk kërkuan mëshirë ose t’u falej jeta, ndërsa beteja për një kohë të gjatë ngjisnin me baticat dhe zbaticat e dallgëve të detit, që shtyheshin përpara e tërhiqeshin pas”.
          Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë që kërkonin fatin e tyre duke u quajtur me emra të ndryshëm (kapeletë, stratiotë dhe estratiotë, kowali, morienë, xhenetarë), kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perëndorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve. Francezët zemëroheshin me seriozitetin e këtyre ushtarëve, të cilët luftonin për punëdhënësit e tyre me gjithë shpirt, sikur po luftonin për çështjen e tyre. Kur u dorëzua qyteti i Novarës në vitin 1500, francezët bënë një përjashtim për shqiptarët dhe nuk u dhanë dëshmi mbrojtjeje, sepse, siç thotë Zhan d’Oton, “ata kishin ardhur nga një vend i largët me zemër të lehtë për të luftuar kundër francezëve si tepër shpesh”.
          Megjithatë, më pas, me sa duket, francezët e kuptuan se këta shqiptarë nuk kishin ndonjë inat të veçantë kundër tyre, por thjesht luftonin siç e quanin se i detyronte nderi i tyre. Më 1503 francezët, nga ana e vet, i morën shqiptarët në shërbimin e tyre dhe shpejt në ushtrinë e Luigjit XII pati një trupë prej një mijë e dyqind shqiptarësh, të cilët treguan trimëri të rrallë, aq sa ata u bënë një pjesë e veçantë e ushtrive franceze për pothuaj një shekull, ndërsa mbretërit e Francës e bënë si rregull që gjithmonë të kishin ndonjë fisnik në krye të këtyre trupave speciale. Ndër të tjera, komandanti i tyre i përgjithshëm për një kohë ishte Duka dë Brisak (Brissac). Në betejën e Kutrës (1587) shqiptarët u vranë pothuaj të gjithë. Beteja e Ivrit (1590) ka parë praninë e fundit të trupave shqiptare në ushtritë franceze. Brantomi shkruan se shqiptarët kanë qenë krijuesit e kalorësisë së lehtë; autorë të tjerë ushtarakë shkruajnë se nuk janë të një mendimi me opinionin e Brantomit, por besojnë se shqiptarët, me metodën e tyre të luftimit, kanë dhënë idenë e krijimit të kavalerisë së lehtë. Kronika e Zhan d’Otonit, të cilën e përmendëm, përshkruan me disa hollësi metodën e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Me shenjën e kryekomandantit të ushtrisë, ata e nisnin betejën duke hyrë me galop në mes të rreshtave të armikut, mbanin ushta të gjata me flamurthe në majë, jepnin një goditje dhe krijonin pështjellim; pas kësaj tërhiqeshin një çikë, i riformonin rreshtat e veta dhe sulmonin përsëri, atëherë hynte në veprim pjesa tjetër e ushtrisë. Të rreptë e të pamëshirshëm në betejë, këta shqiptarë, duke i ndenjur besnikë kodit të tyre të nderit, pasi mbaronte përleshja, kurrë nuk e harronin rregullën që “Koka e falur nuk pritet”.
          Në një raport me datën 27 qershor të vitit 1510 dërguar Luigjit XII, mbretit të Francës, nga Seneshali i Madh i Normandisë, i cili ka qenë një ndër gjeneralët që komanduan ushtritë e tij në Itali, ka një krahasim të mprehtë ndërmjet etikës luftarake të sllavëve dhe të shqiptarëve: “Sllavët, – shkruan Seneshali i Madh, – janë të egër në luftë, sepse ata vrasin kë të mundin dhe kurrë nuk zënë robër dhe prandaj me ta e bëmë kokë për kokë”. Kurse lidhur me shqiptarët, Seneshali i Madh vijon: “ata kanë treguar një sjellje krejt të ndryshme dhe i kanë trajtuar me mëshirë ata që kanë kapur, prandaj edhe ne i kemi trajtuar me të njëjtën mënyrë”.
          Ky borxh nderi që ia paguan kalorësisë shqiptare një gjeneral i shquar i Francës monarkike mund të shumëfishohej lehtë nga mjaft dëshmi të tjera të paanshme. Por nganjëherë trimëria e shqiptarëve ka vepruar kundër tyre, sepse ka ngjallur smirë të fortë e të qëndrueshme. “Shpirti sipërmarrës i shqiptarëve, – thotë koloneli Lik, – gjallëria e tyre, qëndrueshmëria dhe epërsia në gjithçka që lidhet me luftën, i bën ata që t’ua kenë zili dhe t’i urrejnë’, madje edhe ndërmjet turqve, për të mirën e të cilëve janë vënë në shërbim shpesh ato cilësi.
          Gjithashtu dhe në det shqiptarët, duke shërbyer si oficerë detarë të marinës turke, si kapitenë privatë anijesh të përdorura në luftë dhe si piratë, kanë treguar një veprimtari sypatrembur. Njëherë e një kohë emri shqiptar përdorej për të gjithë piratët në Mesdheun Lindor dhe Servantesi na tregon se rrëmbyesi dhe pronari i tij në Algjer ishte një pirat shqiptar me emrin Arnaut Mami, që do të thotë Mami Shqiptari.
          Në prill të vitit 1770 kapitenët shqiptarë nga Ulqini shpartalluan një flotë ruse nën komandën e Aleks Orlovit pranë Navarinos. Me rënien e fuqisë detare osmane dhe me heqjen e pranimit të kapitenëve privatë nga fusha e përdorimit ndërkombëtar në kohë lufte, u erdhi fundi edhe veprimtarive të shqiptarëve në det. Por është një fakt i mirënjohur roli i madh që kanë luajtur kapitenët privatë shqiptarë në Luftën e Greqisë për Pavarësi dhe, deri një brez më parë, elementi shqiptar në flotën greke ka qenë aq mbizotërues, saqë gjuha shqipe detyrimisht përdorej në anijet luftarake si më e parapëlqyera se greqishtja.


Skënderbeu

          Asnjë rrëfim për vetitë luftarake të shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa përmendur Skënderbeun, heroin mesjetar të Shqipërisë, i cili për afër një çerek shekulli i mundi turqit e hatashëm nën udhëheqjen e dy sulltanëve të fuqishëm dhe vetë kurrë nuk u thye. Në Shqipëri ai është bërë legjendar për pesë shekuj dhe gjithashtu e kanë quajtur me të drejtë “kampion i krishterimit”, titull ky që ia kanë dhënë papët e Romës, sepse ishte veprimtaria e tij për t’u bërë një ledh, që ndihmoi të shpëtonte Evropa e krishterë nga pushtimi turk, një katastrofë kjo që do të kishte qenë shkatërrimtare për botën e qytetëruar.
          Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar Skënderbeun është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar. Diku në veprën e tij të vëllimshme Volteri ka guxuar të shprehet se sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kuebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Autori anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”, e rendit Skënderbeun me shtatë mbretër të pakurorëzuar të Evropës:
          “… bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishterimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta iu bënë ledh për aq shumë vjet gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë veta për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë si numër mbi njëqind mijë”.
          Vetë Sulltani Mehmeti II, pushtuesi i Stambollit, ka thënë një herë: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”.

***
          Sipas legjendës Skënderbeu, siç njihet me këtë emër turk Gjergj Kastrioti, lindi në vitin 1403 dhe, siç na thotë peshkopi Noli, por pa e besuar plotësisht, “e mori peng Muradi II në moshën nëntë vjeç. Kjo do të ketë ndodhur më 1412, meqë Skënderbeu kishte lindur më 1403″. Më pas peshkopi Noli shton duke e shpjeguar: “Por më 1412 në Turqi sundonte Mehmeti I dhe jo Muradi II, që erdhi në fron nëntë vjet më vonë, më 1421″.
          Po ta ndjekim më tej legjendën, Skënderbeu u edukua në shkollat më të mira të Perandorisë Osmane, ku ai shfaqi një talent ushtarak të shquar dhe në mënyrë paradoksale, u bë njeriu më i dashur për Portën e Lartë. Ishte ky djalosh nëntëvjeçar, që tridhjetë e një vjet më vonë u kthye në Shqipëri dhe i mundi turqit për afër njëzet e pesë vjet deri sa vdiq më 1468.
          Në mendjen e lexuesit mund të lindë kjo pyetje: a është e mundur për një djalosh nëntëvjeçar, të rritur në luks, të trajtuar si hero dhe që i dhanë një titull princëror, t’i hidhte mënjanë këto gjëra tridhjetë e një vjet më pas dhe të kthehej për të shpëtuar vendlindjen nga bamirësit e tij?
          Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të drejtë e të përshtatshme, derisa të mos kemi më shumë fakte konkrete, që mund të jenë diku, ndoshta në Bibliotekën e Vatikanit.
          Peshkopi Noli e hedh fjalën, por nuk e shpjegon plotësisht këtë mister. Megjithatë ai beson me të fortë se Skënderbeu e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës nga viti 1412 deri më 1443 ose në Shqipëri, ose në kufijtë pranë Shqipërisë. Po të jetë e drejtë kjo teori, atëherë do të kemi çelësin për dashurinë dhe përkushtimin e Skënderbeut ndaj vendlindjes.
          Po të pranohej se Skënderbeu kaloi tridhjetë e një vjet diku në Perandorinë Turke, çfarë shoqërie gjeti ai kur u kthye në Shqipëri? Peshkopi Noli mendon, por nuk e përpunon më tej, se shtresat shoqërore shqiptare mund të kenë qenë atëherë këto: fshatarët e lirë në viset malore, një lloj sistemi feudal në tokat fushore pjellore dhe “qytete të lulëzuara” gjatë bregdetit. Sipas peshkopit Noli, ka pasur disa “aristokratë të vegjël, ose më mirë prijës patriarkalë të malësorëve”. Por shumica e shqiptarëve kanë qenë të lirë, meqë “bujkrobëria dhe skllavëria as mund të mendoheshin për ta”. Një vëzhgues i mprehtë ka thënë me mençuri: “Një shqiptar nuk mund të ishte një skllav”. Dhe lidhur me këtë, është mjaft interesante që: “Në tregjet e skllevërve të Turqisë askush nuk mund të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i urdhëroje ata dhe ishin tepër të rrezikshëm për pronarët e tyre”.
          Vëzhgimet e mësipërme mund të shpjegojnë përse popujt e tjerë të Ballkanit iu nënshtruan Turqisë fare lehtë, ndërsa shqiptarët u bënë ballë me sukses turqve për një çerek shekulli.
          Me gjithë fitoret e panumërta, Skënderbeu gjatë gjithë kohës ka pasur telashet e veta me kuislingë. Herë pas here krerë të tij e tradhtonin dhe bashkoheshin me armikun. Disa këmbëngulnin për “bisedime për paqe”, siç na thotë peshkopi Noli, por “Skënderbeu as nuk donte të dëgjonte për to. Megjithatë shpesh shumica mbizotëronte”. Paqja u arrit më 27 prill 1463, pikërisht pesë vjet para se ai të vdiste. Por më 27 nëntor të po atij viti ai e rifilloi luftën kundër turqve, që vazhdoi deri në vdekjen e tij.
          Disa nga veprimet luftarake më të mëdha të Skënderbeut lidhen me përpjekjet e turqve për të pushtuar Krujën, kryeqytetin e tij. Përpjekja e parë për të marrë Krujën u bë më 1450 nga Murati II, i cili pësoi disfatë pas një lufte epike prej pesë muajsh. Duke përshkruar madhështinë e rrethimit të Krujës, autori amerikan Agnes Replajer në një artikull me titullin “Skënderbeu”, botuar në “Catholic World” të dhjetorit 1889, shkruan: “Vetë përmasat në të cilat qe planifikuar pushtimi i Krujës, tregojnë se sa i thellë qe zemërimi i sulltanit dhe sa ngulmues qëllimi i tij. U mblodhën njëqind e gjashtëdhjetë mijë veta… ushtria pushtuese marshoi drejt Krujës, i mbuloi gjithë fushat përreth, përpara portave masive të kështjellës vendosi topat, që atëherë ishin një risi imponuese për punët e luftës, dhe i kërkoi garnizonit të dorëzohej. Ata morën një përgjigje sfiduese dhe osmanët sulmuan muret, por u zmbrapsën me një tërbim aq të madh, sa mbi tetë mijë jeniçerë ranë në luftim, ndërsa Skënderbeu fluturonte si shqiponjë mbi shkëmbinj, priti sa beteja të arrinte kulmin dhe atëherë u lëshua teposhtë mbi armikun e hutuar, i çau llogoret e tij, i vuri zjarrin fushimit dhe gjithçka para tij e shkatërroi dhe i vrau e i preu”.
          Përpjekjen e fundit për ta marrë Krujën e bëri në korrik 1467 Mehmeti II, i biri dhe trashëgimtari i Muratit, pikërisht më pak se një vit para se vdekja ta hiqte heroin nga skena e betejës. Për këtë sulm peshkopi Noli thotë se Mehmeti “e la ushtrinë e tij të madhe të lirë dhe shkatërroi me zjarr e hekur çdo cep të Shqipërisë ku mundi të shkelë”. Por shpejt ai “e kuptoi se çmimi për repartet që binin në kurthe dhe i shfaroste Skënderbeu, ishte shumë i lartë” dhe … “u kthye në Stamboll i poshtëruar e i mundur”.

***
          Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit. Në kohën e tij Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar, për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave. Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend të gjithë princave në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes. Ishin më shumë se një duzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do t’ia arrinte dot. Herë pas here disa prej tyre u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort si në mengene. Por mengeja u prish sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit më 17 janar 1468. Pak kohë më pas Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh. Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet.

*Marrë me shkurtime nga libri “SHQIPËRIA – KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE DHE SHKRIME TË TJERA). Zgjedhur e përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi.

Ismail Kadare: PORTRETI I SKËNDERBEUT

Ismail Kadare

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

Ymer Shkreli: SKËNDREBEU

Ymer Shkreli

SKËNDREBEU

Mbi gurë varresh
drekuan fëmijët e nënat
mblodhën thërmiat;
nga qefinët e bardhë
u ngritën lulet me pjesët tona
e të ditëve plagë –
deri te ashti i kërcyellit të kombit:
mëngjeset i fshinë sytë;
pagjumësia e shekujve
zu pritën në tehun e shpatës së tij
dhe të fjalës sime:
Skenderbeu –
erdh disa herë dhe shkoi përsëri
që të më vijë mbi kokën time
të qelbur të etur për vesën
dhe lulen e hirit
pa u vyshkur
nata e mbrëmshit në kujtimet e irnosura
e pastaj fëmijët me duar të nxira
do t’i shënjojnë gjinjtë e nënave
dhe thërmijat

(1968)

Gani Mehmetaj: VIÇI I ARTË

Gani Mehmetaj

Tregim

Viçi i artë

"Ti vet e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirë ndaj së keqes", i tha Aroni Moisiut. (Nga Bibla)

        Gjetja e viçit të artë i hutoi banorët e katundeve përreth qytezës së vjetër, të braktisur prej kur nuk mbahej mend, e zgjoi nga letargjia edhe qytetin provincial në rranzë bjeshkëve të larta. Çdo gjë që nisi me pëshpërimë, ndërsa u rritë si orteku i borës. Gratë e morën vesh të parat, burrat u shastisen, fëmijët u shushaten nga frika, foshnjat qanin si asnjëherë më parë. 
        Viçin e artë e nxorën nga rrënojat e qytezës së braktisur. Do të mbetej nën dhe, edhe mijëra vjet të tjera, sikur të mos vinin të panjohurit, që thyen kryqet mbi varre, e shkulën kumbonaren gjysmë të rrënuar, prenë pemët mijëravjeçare, hapën gropa si gojë përbindëshi. Vendësit i shihnin me habi të huajt që prishnin varre, përmbysnin kryqe e nxirrnin eshtra, që nuk respektonin shenjtëri as nuk i druanin mallkimit. Legjenda fliste për qytezën- vend të shenjt po aq sa të mallkuar. Vendësit më shumë nuk sqaronin. Ua kishin thënë të parët se qyteza e vjetër nuk duhej të prekej. Dy herë erdhën ushtritë e huaja, dy herë rrëmuan në qytezë, morën gjëra të shenjta, lanë gropa të hapura që i mbuloi shiu, por nuk u shkoi gjatë, ushtritë e huaja u bënë hi e pluhur. 
        Fëmijët nuk shkelnin mbi këto varre, nuk preknin rrënojat e kishës, të rriturve nuk u shkonte ndër mend të ndërtonin shtëpi të reja me gurët e rrënojave. Druanin se mund të zgjonin a të trazonin shpirtrat e fjetur. Kur lopët kullosnin mbi varre, barinjtë e vegjël s’guxonin as t’i dëbonin.
        Për viçin e artë secili përpiqej të mësonte më shumë, disa thoshin se ai sillte mbrothësi, shumica frikësoheshin se ai do t'u sillte prapsi, disa i druanin mallkimit, disa prisnin të përmbytej bota, ashtu u kishin thënë të vjetrit, apo mbase e kishin lexuar diku, nuk e sqaronin dot ku, sepse mjegulla kishte rënë mbi kujtesën e tyre. Gjëra u ngatërroheshin, kohërat u përziheshin, nuk e dinin mallkimi për viçin e artë ishte para apo pas, ndërsa emrin e atij para e pas nuk ua nxirrte goja, sepse edhe atë e kishin braktisur. Dinin që viçi i artë është mallkim, por pse është mallkim nuk e dinin, dinin se e tradhtuan dike, prapë pse e tradhtuan nuk e kapnin. Tisi i mjegullës u kishte rënë mbi kujtesë. Sa më shumë përpiqeshin ta hiqnin rrjetin e merimangës nga truri, më shumë u rrëshqiste legjenda,që e mbështillte e fshehta. 
        Për të parë viçin e artë vinin kureshtarë nga anë e anës, i afroheshin vjedhurazi rrethojës, ku bëheshin gërmime misterioze, përpiqeshin të ngriheshin mbi maje të gishtave që të shihnin më shumë, mirëpo të huajt i dëbonin më egërsi. Askush nuk e dinte çfarë bënin njerëzit e panjohur, habiteshin pse ua prishnin qetësinë varreve të vjetra. 
        Legjenda tjetër ishte edhe më e frikshme. Prapa viçit të artë renditeshin të vrarë e të gjymtuar, 
kundërmonin kufoma ende të patretura në dhe , për viçin e artë vëllai vrau të vëllanë, tata të birin. Një mallkim qëndronte ende pezull mbi ta. 
        - Mund të shkrepte reja për s'kthjelli, e t'i banë hi e pluhur mekatarët- parathoshte Fana, plaka më e vjetër e qytezës. Fana mbante në mend ushtrinë e parë që erdhi me egërsi, vrau e dogji, ndjeni një kohë, rrëmoi varret e qytezës së vjetër, mori kryqe të praruar, gjëra të shenjta e iku. Ushtria u bë hi e pluhur nga ushtria tjetër edhe më e fortë, që po ashtu preku mbi varre. Plaka mbante në mend se ata e morën edhe kumbonën e madhe të kishës. Nuk shkoi shumë kohë dhe ushtria u shkri. Fana ishte e sigurte se shkreptima do t'i digjte të huajt që rrëmihnin në varret e vjetra, do t'i zinte mallkimi edhe vendësit që lejonin të përdhoseshin varret e faltoret e vjetra. Por të huajve askush s' guxonte t’u kundërvihej. 
        Të panjohurit vazhdonin punën e tyre. Ata s'kuptonin gjuhën tonë, as nuk dëgjonin gjë. Krijuan një mur me vendësit, që s'kishte kush e shpërthente. Ata nxorën shumë eshtra mbi dhe. Dikush tha se habiteshin me numrin e madh të eshtrave. Një tmerr kishte ndodh në këtë qytezë mijëra vjet më parë, një mallkim, murtajë, kolerë apo sëmundje e dërguar nga qielli që e goditi qytezën e mirëqenies e të bollëkut, qytezën e banjave termale me mermer e mozaik shtruar, me ujët e ngrohtë që shëronte njëqind e një sëmundje. Por njeriu si njeriu, gjithnjë i pakënaqur me ato që ka, bëri një përdhosje. Cila ishte përdhosja, askush nuk e nxirrte nga goja, ndërsa të gjithë e dinin. 
        -Koftëlargu i futi llugave, - thoshte gjyshja ime. 
        -Viçin që e maruen n'vend t'zotit, e bani maraz zotin, - fliste plaka tjetër që nuk ishte as e kësaj feje, as e asaj feje, ndërsa zotit i falej me devotshmëri.
        Kronikat e vjetra, që thuhet se njerëzit e ditur i nxorën nga bodrumet e lagështa të qendrave më të ditura, nuk e thoshin se e ka goditur qytezën e banjave termale murtaja, kolera, shkreptima nga qielli a lufta e përgjakshme. Dhe megjithatë eshtrat dilnin si patatet qindra metra përtej qytezës, madje përtej varrezave të shënjuara. Kështu u gjet edhe viçi i artë, kur gërmuesit nxorën eshtrat e fundit, nën një sarkofagë mermeri të gdhendur me mjeshtri.
        Shkëlqimi i bëftë i verboi punëtorët e parë, disa thonë i goditi verbimi i përjetshëm, të tjerët i trallisi sa nuk mund ta preknin me dorë shtatoren e floririt, sepse ua digjte duart sikur të dilte nga furra e gëlqeres. Ata që u vinin në ndihmë punëtorëve, të mallëngjyer nga klithmat, pësonin fatin e dy grupeve të mëparshme. Rrëzëllima lëbyrëse e ndriçoi gropën e madhe, u përhap kodërvarreve, shtriu ndriçimin luginës së Drinit. Drita e fortë nga sarkofagu u ngjitë në qiell. 
        Pas kësaj qytezën e vjetër e mbuloi misteri. Policët nuk lejuan kureshtarë të afroheshin, atyre më të guximshmeve një herë u fishkëllenin thekshëm, pastaj u afroheshin, i mbërthenin për supesh dhe i nxirrnin xhadesë së vjetër. Megjithë ndalesat, kureshtja e vendësve shtohej. Ndërkaq flitej se eshtrat që u nxorën u ekspozuan disa ditë, pastaj i dërguan në kryeqytet. çfarë do t' u bënin të vdekurve të para dymijë vjetësh, askush nuk e mori vesh. Sa më shumë që hapeshin varre aq më shumë mistifikohej qyteza e vjetër. 
        Kalonin javë e muaj, arkeologët bënin punën e tyre, banorët afër qytezës termale punonin nëpër ara, mbrëmjeve flisnin për atë që po bëhej prapa rrethojës në qytezën e braktisur. U fol edhe për varrin e mermerit fisnik të princit e princeshës që u gjetën të përqafuar. Gratë ishin ato që ua nxisnin imagjinatë burrave, i bënin të përflakeshin. Por varri i princit e princeshës të përqafuar përjetësisht ra nën hijen e viçit të artë. 
        Ajo që i habiste dhe i zemëronte të gjithë-viçi i artë nuk qenka djegur, shkatërruara as shkrirë, sikurse thoshe libri i shenjtë, sepse dikujt i ra në mend të kërkonte librin e shenjtë, megjithëse më parë nuk kishte shkelur në kishë. 
        "Ti vet e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirë ndaj së keqes", i tha Aroni Moisiut, citonte prifti i katundit fqinj, ndërsa u ula në cep të karriges për ta dëgjuar, sepse dikush tha se prifti i katundit fqinjë do të lëshonte mallkimin për ata që do t'i faleshin viçit të artë, në vend t'i faleshin zotit. Nuk kuptoja asgjë, me hutoi prifti, predikimin e të cilit nuk e kuptova, me hutoi edhe më shumë i moshuari që pas meshës tha me shpoti: - eu sa herë e lamë Moisiun e shkum mbas djallit! Djajtë po na prijnë edhe tash. 
        Njerëzit i mbërtheu lemeria kur morën vesh se të parët e tyre në qytezë i qenkëshin fal viçit të artë. "Bretkosa e peshq binin nga qielli", rrëfente legjenda. "Toka e qielli u bashkuan", vazhdonte tutje. Dikush tha se e braktisen shpëtimtarin dhe shkuan pas qoftëlargut. Kështu e kuptuan fjalën e priftit që u përfol gjatë edhe nga ata që nuk shkonin kurrë në kishë. 
        Gjyshja ime priste kob e mallkim.