Murat Aliaj |
BREKËT E QENIT
Jemi
pleq dhe ditën e nisim me kafen e zakonshme, duke u përpjekur edhe të
filozofojmë ndopak. Më dendur na shqetësojnë ato probleme që lanë gjurmë në jetën
tonë. Mirësia dhe ligësia janë dukuri me të cilat është e mbrujtur shpirti i
njeriut, por askush s’mund të dijë deri ku mund të arrijë mirësia? Po ligësia?
E me që as psikologët s’kanë arritur t’i përgjigjen bindshëm kësaj teme, neve
s’na mbetet gjë tjetër, veç të kujtojmë ato çaste jete që na krijuan dilema të
mëdha. Atë mëngjes e mora fjalën unë që zakonisht dëgjoja gjithë kureshtje
eksperiencën e të tjerëve, e cila (ma falni mungesën e modestisë) ishte një
zero me xhufkë përpara times.
Sa
kishte ardhur pranvera, kjo stinë e ripërtëritjeve të përgjithshme të natyrës e
njerëzve. Atë sezon që po niste, punimet fushore do i kryenim në një rajon të
bukur, buzë lumit të Vjosës, e do vazhdonim në ngjitje të Malit të Bardhë të
Sevasterit. Sa e kishim përfunduar rikonjicionin e zonës, ku ishin projektuar
profilet si dhe vendi i pushimit. Me që punimet s’do zgjasnin veç disa muaj, çadrat
i ngritëm në të dalë të fshatit, buzë rrugës. Furnizimet ushqimore i merrnim
nga fshati.
Vendi
ishte i pyllëzuar dhe me aftësi të kufizuara kalimi. Shpërthimi i blerimit
pranveror e kishte shndërruar në një xhungël të pakalueshme. Në fillim u trembëm
se s’do ia dilnim mbanë në kohë, por siç thonë të moçmit: syri është qoti, dora
është flori. Me të nisur punën kuptuam se më kot ishim stepur. Punën e fillonim
herët. Ndiznim traktorët e rëndë dhe fillonim gërmimin e rrugëve të cilat metër
pas metri, iu ngjitën të përpjetës malore.
Këto
anë, siç kanë bukurinë natyrore, kanë edhe njerëzit të mirë e hokatarë dhe ne
shpresonim se njohjet me ta, do sillnin një tjetër kënaqësi për ne. Këta njerëz
sa të ashpër dukeshin me ata që s’ua pranonte shija e tyre, aq edhe të afrueshëm
e të dashur me ata tek të cilët u shkonte biseda.
Gati çdo
ditë para se të shtriheshim për të mbledhur kockat e tronditura nga punët e ditës,
kthenim në klubin e vogël të fshatit, ku mblidheshin gjithë të moshuarit dhe me
nga një gotë raki përpara, shtynin me shaka e qyfyre, orë të tëra.
Kështu
i gjetëm edhe atë natë. Pasi na kishin parë me dyshim për ditë të tëra, ishin
bindur se me ne s’mund të kishin probleme, pasi njeriu i punës, i kushtohet
halleve të tij e nuk i bëjnë përshtypje llafet e fshatit. Na ftuan në tavolinën
e tyre e ne shkuam e u bëmë një me ta.
Për
fat, mes fshatarëve ndodhej edhe kryetari i këshillit të fshatit, ndaj të cilit
kishim disa kërkesa. Akoma nuk kishim plotësuar nëmurin e fuqisë punëtore, por
edhe furnizimet sikur s’po na kënaqnim. Veçse me këta njerëz të ndjeshëm edhe kërkesa
duhet shprehur në kohën dhe mënyrën e duhur, pasi, njerëz të tillë s’ta bëjnë të
gjatë: Po keni ardhur këtu për turizëm,
bëni si të bëni e zgjidhini vet problemet. Po keni ardhur për punë, do
trajtoheni si i gjithë fshati. Kështu na kishin thënë vitin e shkuar në një
fshat të Belshit.
Kryetari i këshillit ishte një burrë babaxhan që na ftoi të shpreheshim
lirshëm dhe ai do bënte sa të mundte për të na i plotësuar kërkesat. Ai nuk na
ftoi në zyrë për të biseduar, siç bënin zyrtarët e thekur që kishim ndeshur
gjithandej, veçse u shkëput nga bashkëfshatarët e tij dhe së bashku me
ekonomatin tonë, u ulën në një tavolinë tjetër. Nxori nga xhepi një bllok dhe
po dëgjonte kërkesat tona.
Ishim
mësuar të mos e ndjenim veten të huaj, kudo që shkelnim, por të tillë njerëz të
bënin borxhlinj ndaj përpiqeshim t’ua shpërblenim me mirësjellje dhe respekt.
Vinim zemrën në tavolinë dhe e linim që ta gjente ajo lidhjen e fortë që
ekzistonte mes zemrave.
Pas
dhjetëra kërkesave që i shtroi ekonomisti ynë e që ai u angazhua për të na i
zgjidhur, guxoi edhe ai të parashtronte vetëm një kërkesë. Të punësonim në
grupin tonë një njeri.
−Është
në gjendje të këputur ekonomike Velua. Ka dhjetë fëmijë dhe s’ndjen asnjë
përgjegjësi për ta. I duket sikur të gjithë ia kanë me hile dhe është armiqësuar
me të gjithë. Por, ju e dini, uthulla e fortë, prish enën e vet dhe ne ndjejmë
detyrim për fëmijët e tij, më shumë se për Velon. Ka qenë traktorist i mirë,
por që kur filloi rakinë, nuk e besojnë më. Nuk i kemi kaq të shumtë traktorët
sa të tallet Velua me ta. Sa herë kemi pat mundësi e kemi ndihmuar me punë të
tjera, por nuk është ngulur në asnjërën.
−Në
tonën do ngulet patjetër dhe gjendja e tij ekonomike do ndryshojë, − e siguroi
ekonomisti, duke mos ndjerë vështirësi në plotësimin e kësaj kërkese−I thuaj të
vijë menjëherë e të fillojë nga puna.
−Ja,
sikur ka ardhur, se këtu në klubin e fshatit e kalon çdo darkë. Pi ndonjë gotë
e pasi bëhet gjeneral, fillon sherrin me të gjithë. i duket sikur ia kemi fajin
ne që është katandisur ashtu.
Dhe
ashtu ndodhi vërtet. Sa kishim marrë gotat e para dhe gjithë ajër mbi vete, në
lokal u fut Velua. I hodhi një vështrim shpërfillës sallës, si të kërkonte dikë
dhe me hap të ngadaltë u drejtua nga banaku. Kur kaloi pranë nesh na vështroi
shtrembër si të desh të thoshte: Edhe ju na duheshit këtu në fshat!
Në këto qendra të vogla banimi, gjithnjë do gjendet
ndonjë manjak që kërkon të bjerë më shumë në sy të të panjohurve. I tillë në këtë
zonë të re ku po shkelnim, ishte Veliu.
Ai
ishte një burrë i shkurtër, i dobët. Jashtëzakonisht i mprehtë dhe i çliruar
nga ca vargoj që e mbajnë fshatarin në të mbyllur në vetvete e që quhen turp e
cipë. Me nofulla të futura thellë e me dhembët e parë të nofullës së sipërme, të
rënë, ai dukej si një çakall që kishte humbur tufën e tij. Nga që bashkëfshatarët
ia njihnin këto veti, e tallnin dhe nuk ndiheshin mirë në shoqëri me të. Por
edhe ai sikur ndjente kënaqësi duke u ndeshur vazhdimisht me ta. Dhembë për
dhembë me cilindo që përpiqej t’i ulte prestigjin.
Pasi
nuk ia vari njeri nga banaku, u afrua tek tavolina e miqve të tij me shpresë se
ndokush nga ata, siç bënte çdo natë, do e zgjidhte qesenë e do i mbushte ndonjë
gotë, sa për të hapur bisedën, por menjëherë i tërhoqi vëmendjen fjala e
kryetarit të këshillit:
−Sonde
fati të erdhi në derë o haram. Shko tek miqtë e uroji mirëseardhjen.
−Ç’janë
këta!- pyeti me një ton shpërfillës, si të mos na kishte në hesap.
−Ata
janë fati yt o haram. Shko dhe uroju mirëseardhjen.
Ai
hodhi një sy nga tavolina jonë dhe u drejtua me hap të ndrojtur. Të gjithë
ishim të panjohur, por fshatarët e tij ia njihnin dobësinë. Me të huajt ai
kishte maninë të shtirej si njeri i rëndësishëm në fshat.
−Tungjatjeta!-
na përshëndeti.
I
hapëm vend dhe e ulëm mes nesh. Tavolinën e pushtoi menjëherë një erë e rëndë,
si ishte ulur ndonjë derr i palarë qysh prej lindjes. Pantallonat e tij të
grisura vende vende, të linin përshtypjen se i mbante veshur qysh kur kishte
lindur. Megjithë përshtypjen e keqe që na bëri, nuk i kushtuam rëndësi pamjes së
jashtme të tij. Kushtet e vështira të jetës, fshati
−Na
thanë që jeni traktorist i mirë.-E hapi bisedën ekonomati ynë.
−Hëm!...-
ia bëri Veliu dhe vështrimin e hodhi nga shokët e tij të fshatit. Sigurisht që
ata do e kishin thënë këtë, por ai s’dinte si e kishin thënë, duke u tallur
apo...-I mirë kam qenë dikur, por këtu edhe flori të jesh, të kthejnë në qymyr.
Nxori
mbi tavolinë tarkaçin e duhanit dhe bëri zakonin e të zotit të shtëpisë. Ne e
falënderuam me dorë në zemër. Kolektivisht ishim shkëputur prej këtij armiku të
shëndetit. Ndër kohë që po përpiqeshim të shkëputeshim edhe prej pijes, me të
cilën shpesh herë e tepronim. Porositëm edhe për të një gotë raki dhe e shtruam
bisedën.
−A
ke qejf të punosh me ne Veli?
−Pyetet
qorri në i do sytë!!!- tha ai dhe po na shikonte të gjithëve me radhë si të mos
e besonte propozimin që po i bënim.
−Veçse
ne kemi ca rregulla. Për punën nuk falim gramin dhe pasi e mbarojmë atë, dimë ne
si e kalojmë jetën. Nuk do kalosh keq me ne.
I
ngeci pështyma në fyt njeriut të vuajtur dhe pasi nuk pa asnjë grimë shakaje në
ato që i thoshim, s’dinte si të na falënderonte. Na u krijua përshtypja se
grupit tonë po i shtohej edhe një njeri të cilin s’do donim ta ndanim prej
vetes. Të varfër kishim qenë të gjithë, por me punë kishim mundur të ndryshonim
gjendjen ekonomike dhe ai i shkretë lek e deformon njeriun. Ndërsa i varfëri
ngjan si lule e vyshkur që s’ka parë kurrë ujë, i kamuri i ngjan lules kur hap
petalet, me t’i gurgulluar uji nëpër rrënjë.
Ndërsa
po bisedonim për kushtet e punës, kamarjerja na sjell një porosi të fshatarëve
të cilët s’donin ta linin të fyer Velon. Ata njerëz të mirë na lanë përshtypjes
se nderi që po i bënim Velos, kënaqte gjithë fshatin. Me njerëz të tillë
shpirtmëdhenj, është krim paragjykimi.
−T’ju bëjë mirë,− na uruan nga tavolina fqinje,−Vetëm Velon na e keni
amanet. Edhe ti o kokëpagure shtroju punës dhe mëkëmbe atë prag që po i mbijnë
ferrat.
−Asnjë merak mos kini për Velon. E gjeti shqiponja qiellin e vet.
Ishte e tepërt ta pyesnim Velon se ç’zanat zotëronte. Ato çaste edhe
sikur ta pyesnim për avjonin, ai do betohej se kishte qenë piloti më i mirë. Me
njerëz të tillë shpresëhumbur kishim përvojë. Shumë nga ata i kishim akoma mes
nesh. U kishte pëlqyer mjedisi i punës dhe nuk na ishin ndarë. Kurse Velua qysh
në atë takim të parë na la përshtypjen se në bashkësi të tilla të vogla, njeriu
ha njeriun. Vet mënyra me të cilën ai i vështronte bashkëfshatarët e tij, dukej
sikur u lutej që të mos ia prishnin edhe këtë fat që i kishte ardhur tek dera.
Ne s’mund të kuptonim përse mendonte vetëm për prishjen, ndërkohë që akoma
s’kishte filluar nga puna. Përse pikërisht ata njerëz që u shqetësuan të parët
për ta rregulluar në punë, do të bëheshin njëkohësisht edhe prishësit e fatit të
tij?
Ishte
i mprehtë Velua dhe e kuptoi menjëherë mëdyshjen tonë dhe nxitoi të na
sqaronte:
−Se...nuk
i njihni ju këta fshatarët e mi. Në bisedë të mbushin mendjen se këta janë ëngjej
të zbritur nga qielli, por me të kthyer shpinën, të bëjnë varrin...Hëm! I njoh
mirë këta unë.
Nuk kishim arsye ta kundërshtonim, pasi ai
kishte një jetë të tërë që kalonte me ata, por edhe pak e çuditshme na u duk një
dyzim i tillë.
−Neve
nuk kanë ç’na duhen të tjerët,− i vuri pikën ekonomati ynë,−Ti do fillosh punën
tek ne dhe asnjeri prej tyre s’do mundet të të bëjë keq. Veçse mos harro një gjë:
Puna është punë dhe s’bëhet pa disiplinë.
−Aman
or të keqen, kujt i kujton disiplinën ti. Mua më kanë vënë poshtë dhjetë
shpirtra që kërkojnë për të ngrënë nga unë. Ku ka hall më të madh se ky që ka zënë
mua?...
Të
nesërmen ai u bashkua me ne dhe së bashku i hipëm makinës që do na çonte tek
traktorët e rëndë me ruspat e shtrira gati për të rrafshuar Malin e Bardhë.
Velua fërkoi mjekrën kur i thanë se njeri nga ata përbindsha do ishte traktori
me të cilin duhej të punonte. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se në të tillë
traktorë ai s’kishte hipur kurrë. Mund të kishte punuar me traktorët e lehtë të
plugimeve e prashitjeve. Por neve nuk na trembi kjo. Rëndësi kishte që i
zotëronte konceptet e drejtimit të traktorit. Do i qëndronim pranë e do
kujdeseshim që të bëhej zanatçi i mirë, për fatin e fëmijëve të tij të
rraskapitur.
Kështu kishim bërë me gjithë të ardhurit rishtas.
Kaluan pak ditë dhe në u bindëm se me Velon kishim gjetur një shok me të
cilin s’do na ndante asgjë. I dëgjueshëm tek zoti dhe i papërtuar. Kjo na bindi
se më kot e kishin marrë nëpër këmbë fshatarët. Po shikonim se Veliu e hoqi atë
frikën e fillimit. Nisi të punonte i vetëm dhe shumë shpejt e ndjeu veten zot.
Na shkonin mirë punët dhe me njerëz të tillë njeriu e humbet distancën e
eprorit me vartësit. Është më i zbatueshëm një urdhër që jepet me buzëqeshje,
se një tjetër që jepet me ngërdheshje.
Kur
mori rrogën e parë ne pamë një njeri të transformuar. Ai njeri që ishte kthyer
në një djall të vërtetë për fshatin, u shndërrua në një ëngjëll që ishte gati të
përqafonte e puthte çdo njeri prej dashamirësisë. Nuk i kishin rënë kurrë aq
para në xhep dhe na ftoi atë natë të mblidheshim në klubin e fshatit.
−Jo.-
i thamë.- Këto lekë duhet t’i çosh në shtëpi.- Këtu do mblidhemi sa herë të na
dojë qejfi e do paguajmë së bashku.
−Jooo,−kundërshtoi
njeriu i cipës.- Ju e bëtë tuajën. Tani duhet ta bëj edhe unë, i zoti i
shtëpisë.
Nuk i
kushtuam rëndësi dhe as iu përgjigjëm ftesës së tij. Jo për ta fyer, por donim
që sa më shpejt edhe ai të ndihej si gjithë fshatarët e tjerë. Të niste të buzëqeshte
buza e tij që ishte mbërthyer prej kohësh prej marazeve. Në bufenë e vogël të
fshatit ne ktheheshim çdo darkë dhe aty zbraznim lodhjen e mundimet tona. Ç’rëndësi
kishte se me ç’shkak e bënim këtë? A nuk ishte bindës fakti që me njeri tjetrin
ne shkonim mirë dhe kishim gjetur vetveten? Ajo që na ngrohta më shumë, ishte
se edhe fshatarët na prisnin atje derisa ktheheshim, bënim disa tavolina bashkë
dhe i fluturonim çatinë e llamarintë, asaj bufeje që s’kishte pritur kurrë njerëz
kaq të gëzueshëm.
Në
një rast të tillë fshatarët nuk ngurruan të shprehnin çudinë dhe kënaqësinë e tyre njëkohësisht:
−Nuk besuam
se ju do ia gjenit vidat e korrigjimit të këtij njeriu, −na thanë, ndërsa të
gjithë ishim mbledhur rreth njeri tjetrit, po pinim nga një gotë raki−Velua
tani na ngjan më ndryshe. Më i butë, më i dashur. Krejt ndryshe nga pak kohë më
parë. Ç’i keni bërë njeriut të perëndisë?
−Asgjë
nuk i kemi bërë. Veçse i kemi hapur zemrën dhe i kemi treguar sa vend ka zemra
e njeriut për mirësi.
−Ashtu
vërtet,− miratonte Velua,−Me njeriun e mirë, kushdo bëhet me krahë. Kurse me
smirëzinjtë i mërzitet jeta.
−Atë
mos e thuaj Velo se ne s’kishim arsye të kishim emirë ndaj teje, përkundrazi na
gëzohej zemra sa herë dëgjonim se kishe filluar ndonjë punë dhe po e ndihmoje
familjen.
−Ja e
shikoni sa smirëzinj janë fshatarët tanë. Ç’punë keni ju me familjen time, kur
zot i asaj jam unë?
−Kemi
Velo, kemi. Se s’na vjen mirë kur të shohim që familja jote arrin në zgrip. Por
falë zotit e mblodhe mendjen dhe i dole zot. Tani mos iu ndaj punës dhe fëmijët
që po rriten njeri pas tjetrit, merri me vete.
−Po më
jepni edhe këshilla tani, por unë u siguroj se s’kam ndryshuar asnjë grimë. Jam
po ai që e keni sharë dhe sikterrisur sa herë u kërkova ndihmë.
−Jo
Velo, se nuk je i njëjti. Ti ke ndryshuar. Harrove që pak kohë më parë të thirrëm
të punoje me ujësjellësin. Punove vetëm dy javë dhe s’le njeri pa u zënë. U bëre
i padurueshëm për të gjithë. ndaj neve na vjen mirë që të paktën me këta naftëtarët,
po na nderon.
−Këta
janë njerëz për së mbari e jo bisha, siç ishin ata të ujësjellësit.
−As ata nuk ishin bisha Velo, por ti e
teprove me ta.
Dhe
biseda zgjatej e zgjatej pa nxjerrë ndonjë kokë, pasi Velua nuk linte njeri ta çonte
mendimin e tij deri në fund. Megjithatë të gjithë i hapnin rrugë këtij huqi të
keq. E rëndësishme ishte për ta, që po e shihnin së mbari dhe uronin që kjo
mbarësi të vazhdonte sa më gjatë.
***
Ishim
futur në pikun e punëve dhe secili përpiqej të mbaronte sa më shpejt pjesën e
vet. Në klubin e fshatit kthenim rrallë, sepse kur linim punën ne, ndodhte
shpesh herë që ai ishte i mbyllur. Por edhe i hapur të ishte, ne ndiheshim aq të
lodhur, sa s’mund të humbnim kohë me zakonin tonë të vjetër.
Kush
ka pat të bëjë me të tilla punë të mëdha e të ngutshme, di mirë ta shkëpus
veten prej dhjetëra huqeve që në kohë të zakonshme do u kushtonte shumë vëmendje.
Por ne shpresonim të mbaronim me suksese punët që kishim nëpër duar dhe kohë do
gjenim boll për të rrëfyer bëmat tona, me miqtë tanë të fshatit që i kishte
merakosur kjo mungesë e gjatë jona.
Për
Veliun s’kishim veç përshtypjet më të mira. Ai ishte bërë ndër ustallarët më të
mirë të grupit. I palodhur e i papërtuar, veçse duke e parë se punimet gjithnjë
e më tepër i afroheshin fundit, kishte nisur të shprehte një shqetësim.
−More
ju mirë e keni, po unë si do ja bëj kur të ikni ju?
−Njeriu
i punës s’ka pse e ndjen veten ngushtë në çdo situatë Veli,− u përpoqëm ta qetësonim.-
Punë ka kudo.
−Vërtet
që punë ka kudo, por jo si kjo.
E
kuptonim ç’donte të thoshte me ato fjalë. Se është ndryshe ta bësh një punë i
vetëm si kukudh e krejt ndryshe ta bësh me shokë e të festosh me ta, kënaqësinë
e punës. Vërtet që puna nuk i ngjan punës, por secila ka të mirën që po s’pruri
shumë shpërblim, do sjellë pak, por Velua ishte njeri praktik dhe kishte nisur
të mendonte edhe për kohët kur ne do largoheshim nga fshati.
Velua ishte bërë pjesë jona dhe ne kishim nisur të mendonim edhe për këtë.
Sigurisht që do e merrnim me vete, jo për ta larguar nga ajo jetë mkizerje që
po e gëlltiste pak nga pak njeriun, por për ta ringjallur e për ta bërë sërish
njeri aktiv. Këtë gjë atij nuk ia thamë. E mbajtëm sekret për ta marrë vesh si
surprizë, kur t’i vinte koha. Ishim të sigurt se këshilli i fshatit nuk do e
kundërshtonte kërkesën tonë, për ta marrë me vete Velon.
Kështu
vazhduam punën tonë të zakonshme me mundime të mëdha, por me kënaqësi të jashtëzakonshme.
Një
natë të trazuar qershori, pas një dite të vështirë, kur shiu përmbysi qiejt,
menduam se ky ishte një shkak i fortë për t’u qetësuar pranë të afërmve tanë. E
dinim që do na kundërshtonin me argumentin se shiu i beharit, është si vrapi i
gomarit, por ne kishim nevojë edhe për atë vrap, ndaj morëm vendimin që derisa
të hapej koha, të bënim pushimet mujore, pranë familjeve tona. Atë natë i pritëm
me padurim shokët, për tu bërë të ditur vendimin e përbashkët.
Pritëm
të shtrirë në krevate dhe nuk na vinte mirë që shiu pushoi aq shpejt. E dinim
se mëngjesi i ardhshëm do zhdukte çdo shenjë të kiametit të ditës së shkuar.
Por kjo s’mund ta ndryshonte vendimin tonë. Në ditë të tilla kur prisnim nisjen
drejt qyteteve tona, nuk kishte rëndësi koha që kalonte. E rëndësishme ishte që
me t’u bërë bashkë mund të niseshim.
Bubullimat kishin pushuar dhe qielli po e fitonte gradualisht kthjelltësinë.
Në qetësinë e natës, na bëhej sikur një zhurmë e mbytur traktori, dëgjohej larg
nëpër gërxhe. Ngjante si stërmundim i një bishe që shfryn e hungëron duke u
sforcuar nëpër gërxhe.
−Ç’është
kjo zhurmë që më dëgjojnë veshët? – tha njeri nga shokët që po i bënte përshtypje.
U bëmë
të gjithë të vëmendshëm. Zhurma herë vinte e sforcuar e herë shuhej fare.
−Mund
të jenë lakuriqët e natës që në kohë të tilla me lagështirë bëjnë festë,− tha
njeri që kishte më shumë përvojë.
−Kurse
mua më duket si zhurmë traktori.
−S’ka
mundësi. Asnjeri nuk është çmendur që të punojë në kohë të tillë.
Zhurma vazhdonte të ndihej kohë më kohë. Ajo u ngjante vërtet zhurmës ngjethëse
që bëjnë lakuriqët e natës, të cilët po braktisnin bodrumet e preferuar përjetësisht,
për tu ngjitur majëmaleve.
Mund
të ishte edhe ashtu por ne ishim bërë të padurueshëm nga pritja për t’u nisur.
Shokët po ktheheshin një nga një, derisa u bëmë të gjithë bashkë dhe dolëm për
të hipur në makina. Ajo që na ra në sy menjëherë ishte se Velua nuk na u nda
asnjë çast derisa të na përcillte. Sikur ndjente një keqardhje, a një padurim,
a trishtim për këtë kohë që do kalonte pa ne.
Së
fundi u përshëndetëm me të dhe e porositëm që ato ditë të shkonte në shtepi e të
çlodhej me fëmijët. T’u thoshte që fati i tyre kishte ndryshuar krejtësisht. Të
kënaqej familjarisht dhe pas katër ditësh të kthehej gjithë dëshirë për punë, e
të vazhdonim aty ku e kishim ndërprerë.
Kështu
u nisëm për të bërë pushimet e muajit. Ditët e pushimeve kalojnë shpejt, kurse
të punës bëhen tërkuzë. Kur ato mbaruan, ne morëm prapë rrugën e kthimit drejt
rajonit të punimeve.
E
kishim bërë zakon që sa herë ktheheshim prej familjeve tona, t’i sillnim Velos
ndonjë dhuratë. Herë për fëmijët, herë për të shoqen e më rrallë për të. Këtë
radhë kisha zgjedhur ca lodra të fëmijëve të cilët ndër kohë ishin rritur e kërkonin
t’i hidhnin. I mblodha të gjitha e i mora me vete. Ndihem keq kur shikoj lodra
fëmijësh në koshat e plehrave, sa herë kujtoj se në botë shumë fëmijëve u ngrin
buzëqeshja për një lodër. Por edhe të tjerët kishin marrë ç’kishin mundur.
Me të
hyrë në fshat, vumë re se kishin dalë të na prisnin fshatarët e mes tyre edhe
kryetari i këshillit, gjë që s’kishte ndodhur më parë. Dukej se diçka e veçantë
kishte ndodhur gjatë mungesës sonë. U takuam me të gjithë dhe s’mund ta
kuptonim dot atë ndjenjë keqardhje që shikonim në fytyrat e tyre. Kryetari u
shkëput prej tyre dhe si të donte të na kërkonte falje në emër të gjithë
fshatit, kryetari tha:
−Duhet
të na falni more djem se u kemi marrë në qafë. Nuk besuam se punët do arrinin
deri këtu, por...
−Ç’ka
ndodhur?- i tha përgjegjësi i grupit gjithë padurim.
−Ai
i mallkuari që gjithnjë na e ka bërë fshatin lesh arapi, prapë e bëri prapësinë.
Priti sa u larguat ju dhe u vërsul nëpër fshat të hapte troje shtëpish. Bënë
pazare e punuan gjithë këto ditë, por s’morëm vesh ku u prishën pazaret dhe krisi
druri si në shtatë puset. U desh të thërrisnim policinë për të vendosur qetësinë,
por ai i mallkuari e bëri edhe proçken më të madhe. E vërviti traktorin në një
humnerë.
Ngelëm
të befasuar. Nuk mund të besonim se Velua do na bënte një pabesi të tillë. Kërkuam
me sy mes turmës, por nuk e pamë gjëkund. Njerëz të prapë, na kishte ndodhur të
njihnim shumë, por ndërkohë me sjelljen tonë kishim arritur t’i bënim që t’i
kujtonin me turp prapësitë e tyre.
−Ku
di qeni të mbajë brekë!- Tha njeri nga fshatarët.
Ndoshta e kishte fjalën për Velon që s’kishte ditur ta mbante fatin që
zoti ia kishte sjellë tek dera. Por ndoshta e kishte edhe për ne që kishim
besuar një njeri të atillë, të prapë.
−Po
tani ku është Velua.
−Në
sytë e tij që t’i dalën. Do zhduket disa ditë e pastaj do dalë si qen i rrahur.
Çdo herë që jemi bërë garant për të, kështu na ka fëlliqur.
Nuk
ishte hera e parë që na përmbyseshin traktorë nëpër rrëpira. Porositëm vinça të
fuqishëm e rimorkiatorë nga ndërmarrja dhe e nxorëm traktorin nga humnera. I
ishte dëmtuar kabina, por pjesët motorike, nuk kishin pësuar ndonjë dëm të
madh. Në se rënie të tilla i kishim pat të zakonshme, kjo na ngjante më e jashtëzakonshmja
dhe fyese për të gjithë. Jo se ishte përmbysur një traktor, por ishte përmbysur
njeriu. Nuk e kishte përmbysur vështirësia e ngjitjes, por mendja e
keqe...pabesia.
Na u
desh të vazhdonim punën si zakonisht. Ngado që shkonim, pyesnim për Veliun dhe
s’na besohej se me të mund të ndaheshim si të panjohur. Ndërsa mendonim të
vinim në shtëpi e ta kërkonim, ai na mbiu përpara çadrave. Kishte një pamje të
qetë dhe ajo bisedë që pasoi na bindi se rrëzimi i traktorit ishte gjëja më e
papërfillshme përpara këtyre që po na dëgjonin veshët. si të mos kishte ndodhur
asgjë, Velua na ftoi për të pirë kafen në lokalin e fshatit.
−Lere kafen, − i thotë përgjegjësi,− por na thuaj
përse na e bëre këtë dëm?
−Ç’dëm paskam bërë?
−Ke
dëmtuar traktorin. Me se do punosh tani?
−M’u
lut tjetri more, si të mos i përgjigjesha? E di ti ç’do të thotë që tjetri të
jetë pa shtepi dhe ti të kesh mundësi e të mos e ndihmosh?
−Po.
Këtë e dimë, por dimë gjithashtu që punët janë të ndara. Ne jemi këtu për të
hapur rrugët e profileve të naftës e jo për troje shtëpish. Kush do përgjigjet
tani për traktorin që doli jashtë përdorimit?
−Traktorë ka shteti sa të duash. Njerëzit ku t’i gjejë. Qeveris Partia e
Punës, që ja marrsha të keqen se na bëri njerëz, por ju s’dashkeni t’ja dini për
mirëqenien e njeriut?
Në
fillim na u duk se ai po tallej, pastaj kuptuam se tej talljes, kishte ca arsye
të tjera kjo situatë anormale që e përdhunonin gjykimin normal. Ishte e tepërt
vazhdimi i bisedës, por Velua s’po ndjente më të përmbajtur. Na shikonte gjithë
neveri dhe vazhdonte monologun e tij. Më
mbetën në mendje vetëm fjalët e fundit:
−Harram e paçi birrat e rakitë që u dhashë çdo mbrëmje në klubin e
fshatit!
Kjo
na erdhi si një shkelm i padurueshëm në vendin delikat, mes shalëve. Triumfi i
tij ishte i papërmbajtur e na bënte thirrje për hakmarrje, por s’mund të binim
aq poshtë, sa të merreshim me të.
Nuk mund të besonim se ndodheshim në
vendin e traditës e të zakonit. Aty ku llafi i burrit peshon më rëndë se shkëmbi,
por as kjo nuk përbën ndonjë çudi, pasi ç’do shtëpi ka qenefin e vet.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen