Dienstag, 9. Februar 2021

Murat Aliaj - NGJARJE NE TREN

Tregim nga Murat Aliaj

     Lokomotiva mbrriti në stacion duke gulçuar si përbindësh i lodhur. La ç’kishte për të lënë, mori ç’kishte për të marrë dhe po me atë gulçimën e mbytur, që dukej sikur do e dorëzonte shpirtin pak më tej, nisi të rrëshkasë nëpër shina.
     Ishte treni i parë që përshkonte skajet e qytetit dhe vagonat kishin shumë pak udhëtarë, kryesisht puntorë që nxitonin për të mos u bërë vonë. Në njerin nga vagonat e mesit zuri vend Agimi,  një djalosh shpatull imët, që s’kishte arritur ta ndërronte e përshtaste siç duhet veshjen e ditës. Ndërsa bluzën e kishte të re, pantalonat i kishte të spërkatura me pika boje. Duhej të ishte ndonjë bojaxhi i periferisë, që nxitonte për të mbaruar punën e ndërprerë nga dita e mëparshme. 
      Duke qenë se shumica e udhëtarëve ishin puntorë, rrallë u bën përshtypje veshja e njëri tjetrit. Agimi kishte hedhur në shpinë një çantë me lulka, si fëmijët e shkollës, ku me siguri kishte ngjeshur bukën e ditës dhe shishen e ujit. Përballë tij u ul një grua me fëmijën gati dhjet vjeçar, të cilin e mbante për dore. Kur po i afroheshin stacionit, Agimi vuri re se përpara tij ishte ulur një grua e lodhur nga jeta. Me një fytyrë  të trishtuar e me flokë të pakrehura, të cilat i kishte mbledhur topuz pas koke e i kishte kapur me karficë. Po kështu edhe vogëlushi që mbante për dore ishte i veshur trashë, por i nxirë nga të ftohtit. Ato rroba duhej të kishin qenë dysheku dhe mbulesa e tij. Nuk ishte e vështirë për të kuptuar se nënë e bir, atë natë e kishin kaluar jashtë. Gjurmët e ftomës së natës ishin skalitur në fytyrën e asaj gruaje dhe të vogëlushit. Njerëz të tillë që i harrojnë vuajtjet me daljen e diellit të ditës, janë heronjtë e vërtetë të qytetit.
       —Ku jemi këtu?—Pyeti gruaja, kur treni po ndalonte në stacion e radhës.
       —Tek stacioni i postës. Ju ku shkoni?
       —Ku shkoj unë?!... Unë shkoj atje ku...
        Dhe gruaja i shkeli këmbën vogëlushit, i cili menjëherë kuptoi detyrën e tij. Iu fërkua Agimit dhe i shtriu dorën për lëmoshë. I kishin mbetur në xhep disa të holla, sa për kafen e mëngjesit. Për të ndezur buzëqeshjen në fytytrën e atij vogëlushi të mardhur, ja vlente që atë ditë ta sakrifikonte kafen.  I mblodhi të gjitha qindarkat që iu ndodhën në xhep e ia dha vogëlushit, të cilit i qeshi fytyra dhe besoi se pas këtij fillimi, dita do i shkonte mbarë.    
      Treni nuk ndenji shumë në stacion. Fishkëlleu dhe duke gulçuar si kal gërmuq, u nis përsëri. Në vagon u shtuan të tjerë udhëtarë. Mes tyre ishte edhe një djalosh tek të tridhjetat. Me flokë pis të zinj e të dredhur. Me një veshje të çrregullt. Iu afrua Agimit dhe i tha me ngadalë:
       —Zotëri, kam dy ditë pa futur gjë në gojë. Më jepni diçka u dhentë zoti shendet!
       Agimi i hodhi një vështrim nga koka e deri tek këmbët e ndjeu keqardhje për të. Një djalë në moshën e tij mund të përmbyste malet, ndërsa ky kishte zgjedhur këtë mënyrë jetese, duke u zvarritur nëpër trena.
       —Pse nuk punon?
        —Jam i sëmurë. Nuk më shikon që ecij i krrusur. Kam spostim vertebre dhe si të mos mjaftojë kjo, kam thyer edhe astragallon.
       —Ku e theve, se ti s’punon!
       —Nuk është nevoja të punosh, derisa fatkeqësitë s’të ndahen.
       —Pikërisht atëherë duhet punuar, për t’i larguar ato.
        —Jo zotëri. Fatkeqit kur i nisen fatkeqësitë, s’i ndal do as perëndia. Diçka ju lutem sa të blej një kulaç.
       —Nuk kam më. Ato që kisha ia dhashë vogëlushit, se ai nuk mund të punojë.
        Lypësi i hodhi një vështrim neveritës dhe iu drejtua gruas e cila e mbante vështrimin të mbërthyer nga dritarja e trenit.
        —M’i jep paratë të blej diçka.- i tha lypësi gruas.
        —Nuk kam...
        —Kurv e mutit, e di që ke, po nemi që mos të ti marr me zor.
        —Nuk kam...
       Atëherë djaloshi iu vërsul gruas me një tërbim prej bishe dhe i shqeu bluzën me të cilën mbulonte atë gjoks të mavijosur nga të ftohtit. Atje gruaja mbante ato pak të holla në një shami, të cilat po i mbronte me gjithë forcën e saj. Vogëlushi u fut mes tyre e po përpiqej t’i ndante. Ishte i pafuqishëm djali dhe një shuplakë e përplasi në qoshen e kolltukut.  
       Djaloshi i egërsuar e shumë i fuqishëm po ia merrte gjithë “pasurinë” që gruaja e mbante të fshehur në gjoks. Ai po e poshtëronte atë grua, e cila me vështrimin e saj të këputur dukej se kërkonte ndihmë. Agimi nuk mund të qëndronte më gjatë i heshtur. U fut mes tyre e u përpoq ta largonte djaloshin, por një grusht prej mjeshtri, bëri që t’i shpërthejë gjaku curril nga hundët. Kaq ishte sa për fillim dhe grindja mes tyre u bë më e ashpër. Ka në jetë edhe të tilla ditë ters, kur njeriu niset për në punën e tij të zakonshëme e përfundon duke kryer të tjera punë.
      Gati gjithë udhëtarët e vagonit u ngritën në këmbë për të parë ç’po ndodhte. Nuk ndërhyri askush për t’i ndarë, veç kur mbrritën në stacionin e radhës, tek dera e stacionit i priste policia, e cila ishte njoftuar me telefon prej ndonjerit nga udhëtarët. I morën me vete gruan me vogëlushin dhe djaloshin që ndërkohë ishte qetësuar dhe shkrofëtinte si t’i kishin hyrë në hakë.
      —Keni prishur rregullin në mjetin e udhëtimit urban.- e mori fjalën nëpunësi i policisë.
      —Ky ëshë shkaktari,— tregoi me gisht drejt Agimit djaloshi të cilit akoma nuk i kishte rënë inati.
      Agimi u çudit me këtë guxim të çmendur dhe vështroi nga gruaja e cila mund ta sqaronte situatën. Por ajo heshtëte si të mos kishte ndodhur asgjë.
       —Zoti nëpunës, ky djali sulmoi këtë grua të panjohur dhe unë s’mund të rrija duarkryq. Ju e kuptoni ç’do të thotë të sdulmohet një grua e panjohur...  
       —E panjohur është për ty, por jo për mua.— Tha djaloshi duke shtrenguar grushtat, i gatshëm për ta qëlluar prapë.
       —Ḉ’po të duhet ty se ç’bëj unë me burrin tim?— tha gruaja me një pamje të egërsuar.
       Agimit sa nuk i ra tavani mbi kokë dhe fjalët i mbetën në grykë si ngërç i pa kapërdishëm, ndërsa nëpunësi i sherbimit shikonte herë njerin e herë tjetrin, pa ditur kujt t’ia faturonte gjobën e prishjes së rregullit. I vetmi që s’po kuptonte se ç’po ndodhte, ishte vogëlushi që shikonte gjithë keqardhje të dy prindërit.

5.2.2021

Dienstag, 2. Februar 2021

Buqetë poetike nga Shqipe Hasani

Shqipe Hasani


LETËR NË TUNEL

Për Zotin nuk harrova
Tunelin e errësirës
Plot dënesje asaj mynxyre
Ajo ditë strehë ngushëllimi
Vura duart mbi mure
Strehët e akullta me simfoni dehëse
Frika dhe vuajtja
Rrëfen të vërteten
Trëndafilat gjysmë të vyshkur
Në zgjim kënge
Mbetën pa dritë, pa ujë
Shpirti endej gozhdave
As shiut letra e lagur
Palosur mbeti me ngjyrë gjaku
Pa u copëtuar midis kafkash njerëzimi
Ruajtur ku ndahen dallgët e kohës.



ORA  E KOHËS

Heshtni violina
S'janë histerike britmat
Thonjve të motit shqyhet qyteti
Dhimbja kalon kepin
Kryqëzuar me dritën e varfërimit
Mëkatit

Heshtni daulle
Kot këndoni këngët e vjetra
Me zëra të stërlashtë
Ndiej kohën,akull,dehje dhe ngazëllim

Heshtni shpendkëqija zëplasura
Mes harresës dhe urrejtjes
Mi fshihni perlat përrallore
Çudi- robëri artistike
Buzëqeshje e mangët
Fundi i melankolisë
Qoftë ora e bukur e kohës.



PLISI I FISIT TIM

Mos harro atë arkë të mbyllur
Nënë lokja më tha para se të ikë nga kjo botë
Njëqind vjet para shekujve të thinjur
Gjeta plisin e bardhë
Një flamur qëndisur nga gishtërinjt e gruas
Një qifteli prej druri kujtimesh
Një dry ngjitur për zemre
Në fund një copë- diell atdheu
Armusr me rreze te moçme

Midis të hënës dhe të premtes
Më fillonte dasma Ilire
Krushqit me plis te bardhë
Më kenduam përtej agut dhe muzgut
Pertej kullave te veshura me emblemë gjaku
Legjendave të lashta
Më morën nuse me plis mbi kokë

Me dorën e majtë preka kanunin e zemrës
Nga nëntoka nxorra plisin e bardhë
Zgjuar me këmbanat e vjeshtës
Më ndrydhën nostalogjitë deri në eshkē
Plisin dhe gjakun e dhembjes
Ruaj me emrin SHQIPTAR.



KEPI I DASHURISË

Nuk është  çudi kur ndjenjat përplasen
Në ëndrrat e lashta
E shpërthen klithma"Sikur t'isha djalë"
Nuk do t'ia ndal klithmen as natës
As barit  s'do t'ia mbyll gojën

Si ylber i mbërthyer nuk kurseva
Ngjyrat dhe vargjet e shpirtit
T'ua mesoj fëmijëve të lagjes n'dritë qiriut
Gjurmët e vajzërisë pikturuan në mure kështjellash
Anijet e shpresave të lashta lundruan
Ujërave të bardha

Kjo është e vërteta
E vetëm zoti më besoi
E më la të iki përtej vetes
Në Kepin e Dashurisë.



DESHA TË VDES ARBËRESHË

Që të shprishej gjithësia e luftës
Në gjoksin prej flake
Mbaja flamurin e ndaluar.

Që të  vdes arbëreshe e kulluar
Nuk e ndryshova të gjakut ngjyrë
As s'e dashurova barbarin në të lulimtin shtrat
Veç eshtrat m'u bënë pluhur
Dhe prej hirit arbëreshe përsëri u ringjalla

Mbi flokun tim po vyshkej shpresa
Nuskat e gjyshes kishin humbur fuqinë
Fërkova sytë sakaq:
Tokës s'i ardhka paqja nga muga

Në vijë të agmisë qava nga gëzimihëna nusëronte mes yjesh 
Hyjnitë po rikrijonin Shqipërinë
Mbi hartën e baladës me njëmijë zjarre rrethuar.


Shqipe Hasani u lind në Prishtinë. Shkollën fillore dhe të mesme(Mjeksinë e përgjithëshme)e mbaroi në Prishtinë.Fakultetin Filologjik, dega gjuhë dhe letërsi  shqipe në Prishtine, poashtu punon ne QKUK-Klinika Radiologji -Teknike e Rengenit. Njëherit ka përfundu studimet  në  Kolegjin e shkencave të mjekësisë Rezonanca - drejtimi Radiologji. Është anëtare e Kryesisë së Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës. Po ashtu, Shqipe Hasani ka fituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi.


Veprat:
  • "Shiu i vetmisë", poezi, Pena, Prishtinë 1997
  • "Qielli i varreve", Rilindja 2000
  • "Akuareli i dhembjes", Flomed, Prishtinë 2008
  • "Premtim i lënë peng", LSHK, Prizren 2009
  • "Qëndistarja s'ka mort", dramë, SHB Orfeu, Prishtinë 2011 
  • "Okteti i vajzave", SHB Orfeu, Prishtinë 2012
  • "Prillin ma solle ti", SHB Orfeu, Prishtinë 2013
  • "Ç'gjuhe flasin lulet", SHB Orfeu, Prishtinë 2013
  • "Sytë kërkojnë përtej vdekjes", dramë, SHB Orfeu, Prishtinë2015
  • "Prushimë nën vello ", Meshari, Prishtinë 2018
  • "Mos hesht zëri im"2020 Lena Graphic - Prishtinë
  • "Botë e ëndrrave"2020 Lena Graphic - Prishtinë.