Samstag, 31. August 2019

Vazhdojnë dorëheqjet në Lidhjën e Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës

Sevëme Fetiqi
Pas dorëheqjës së anëtarit të kryesisë dhe njërit prejt themeluesve të Lidhjës së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, z. Dan Kosumi; dorëheqjen e saj e bëri publike edhe anëtarja e kryesisë dhe njëherit bashkëthemeluse e ketij institucioni, znj. Sevëme Fetiqi. 

Më heret, për ketë institucion, pakënaqësinë e tyre e kanë shfaqur edhe një numër i konsiderueshem krijuesish letrare të mërgatës, anëtarë dhe joanëtarë te LKSHM-së.
Më poshtë po sjellim tekstin orgjinal të dorëheqjës.


LIDHJES SË KRIJUESVE SHQIPTARË NË MËRGATË

D O R Ë H E Q J E

Unë, Sevëme Fetiqi, zëdhënëse dhe anëtare e Kryesisë së LKSHM jap dorëheqje nga posti im në këtë Lidhje ku ushtrova detyrën time më tepër se pesë vite.
Kliko mbi foto për ta parë në format të madh !

Arsyetimi:
- me themelimin e kësaj lidhjeje në vitin 2013 në Koblenc, mendova se ne krijuesit, po bëjmë një hap të madh në kultivimin e fjalës së bukur shqipe në mërgatë duke i bashkuar të gjithë krijuesit nga çdo anë e botës ku gjenden krijuesit shqiptarë. Çdo gjë do të funksiononte si në fillim, po mos të lindnin problemet të tilla për të cilat jo që u kujdesëm t'i eliminojmë së bashku si na ka hije në një shtet demokratik ku jetojmë të gjithë gati më shumë se dy dekada, por ato u grumbulluan çdoherë e më tepër për shkak të heshtjes së kryetarit, kryesisë së ngushtë, shumicës së nënkryetarëve dhe anëtarëve të tjerë duke mos u bazuar fare në statusin dhe rregulloren e LKSHM- së, në jotransparencë dhe mosmbajtjen e rregulltë të ndonjē mbledhjeje apo Kuvendit të rregulltë dhe të planifikuar, nga të cilët njëri dështoi në vitin 2017 në Koblenc, për shkak të neglizhencës së kryetarit Hasan Qyqalla.

Ai iku nga vendi i ngjarjes, duke u arsyetuar kinse për shkaqe familjare vetëm e vetëm, që ta vazhdojë mandatin e tij edhe dy vjet, në të vërtetë ai në mënyrë dhelprake, vazhdoi edhe vitin e pestë e aktualisht tërë 6 vite, pa u mbajt Kuvendi e as pa u votuar për vazhdimin e mandatit të tij.

Shumicën apo më mirë me thënë, gadi të gjitha manifestimet i organizoi në bashkëpunim vetëm me sekretarin e tij, duke mos e formuar këshillin organizativ dhe pa u konsultuar me anëtarët tjerë të Kryesisë apo bashkpunoi me neve vetëm sipërfaqësisht sa për sy e faqe.
Poashtu për mirënjohjet dhe formimin e jurive gjithmonë vendosi vet dhe pati ndikim dhe "gisht" në zgjedhjen e poezive për çmime, thuase kjo lidhje është pronë e tij private, madje mirënjohje ndau me vetdije edhe atyre personave të kompromituar, prej të cilëve kishte interese personale dhe financiare. Bile, në këtë çeshtje flet dyftyrësia e tij, flasin dëshmitë me shkrim - deklarata e tij negative gjatë bisedës me mua, për konsullen në Frankfurt dhe pas dy jave ia ndau mirënjohjen në emër të LKSHM-së ( lexo më poshtë).

Caktoi disa nënkryetar në kryesi, të cilët fare nuk jane kryetarë të lidhjeve të krijuesve në shtetet e veta dhe kurrë nuk kërkoi ndonjë organizim të aktiviteteve në shtete të tyre. Nënkryetarët, përveç Besnik Camajt (kryetari i atëhershëm në LSHAKSH në Zvicër) i cili së bashku me konsullatën në Zyrih, na organizuan një pritje madhështore.; asnjëri nuk pati ndonjë aktivitet për t' u përmendur. 

Në Hamburg në vitin 2016, nga njëri nga nënkryetarët Hysen Ibrahimi, në mes të sallës ku mbahej manifestimi, isha e abuzuar verbalisht në aspektin amoral, për të cilën gjë menjëherë pas manifestimit e informova kryetarin, por ai mbet i heshtur, dhe nuk ndërmori asgjë.

Kohëve të fundit u infiltruan në këtë Lidhje, madje u ulën edhe në panelet tona, disa pseudo- krijues, persona me të kaluar të njollosur politikisht dhe moralisht, pjesëtarë të UDB- së së viteve 90'ta, për të cilët kryetari, sekretari dhe sekretari administrativ si dhe disa nënkryetar u informuan intern me fakte dhe dëshmi nga anëtari i kryesisë Dan Kosumi, i cili posedonte fakte me foto dhe shkrime nga gazeta KOSOVA E LIRË dhe ZEMRA SHQIPTARE, por ata heshtën, dhe jo që heshtën, por nuk e panë të arsyeshme ta thirrin Kuvendin në mbledhje të jashtzakonshme, ta shqyrtojnë këtë problem, ta largojnë personin e njollosur ose të tërhiqet kryesia vet duke dhënë dorëheqje për këtë. ( dëshmitë ekzistojnë - shihe poshtë). Ata e dijnë pse! E dijmë edhe ne. Dhe, del kryetari Qyqalla me reagim se dorëheqja duhet të jepet në Kuvend brenda lidhjes, apo duhet të bëhet në konform me statusin e LKSHM- së e jo në FB, siç bëri Dan Kosumi i dëshpëruar nga heshtja dhe neglizhenca e kryesisë, kur dihet se këto dyja: Kuvendi dhe Statusi, ekzistojnë një kohë të gjatë vetëm figurativisht.

Duke u nisur nga fakti se kryetari Qyqalla shpesh orëve të vona është i dehur dhe në atë kohë hyn në Facebook dhe në atë gjendje i ofendon, i fyen në opinion krijuesit e lidhjes së tij pa kurrfarë faji, kjo lidhje i ka humbur edhe disa anëtarë, dhe po i humb ende, të cilët me përkushtim të madh janë angazhuar në shtetin e tyre, për afirmimin e kësaj lidhjeje, siç është miku Imri Trena nga Norvegjia, gazetar në Radio Zëri i Arbërit, mësues, krijues, mërgimtar i ndershëm, i cili u sulmua me fjalë fyese nga kryetari pa kurrfarë faji , vetëmse ky ishte i dehur. Kështuqë edhe në fund e largoi edhe nga kryesia pa pardon. Dëshmitë ekzistojnë. (Lexo më poshtë).

Për shkak të neglizhencës së Kuvendit, në Koblenc në vitin 2017, komplet anëtarët e kryesisë të LSHAKSH " Papa Klementi i XI" në Suedi, ishin tërhequr dmth edhe ata kanë dhënë dorëheqje . Por, për këtë kryesia nuk u informua zyrtarisht. 
As në dy Kuvendet paraprake, nuk u shpalosën raportet dyvjeçare të aktiviteteve të gjithëmbarshme e as hyrje- daljeve financiare. Në email adresat e anëtarëve u dërguan vetëm disa shuma simbolike që ministritë paguanin dhe paguajnë për organizimin e manifestimeve.

Kryetari merr guximin dhe shkon edhe më larg me sjelljet e tij prej despoti dhe më largon nga lista e kryesisë pa dhënë sqarim as arsyetim, pse e bënë këtë pa e informuar askend, kurse njëkohësisht e stërmbushë listën me anëtarë të rinj të cilët kurrë nuk i kanë frekuentuar manifestimet tona e as s'kanë kontribuar me aktivitetin e tyre, si dhe me 11 nënkryetarë koti, që emrat e disave vetëm figurojnë aty. Kjo dukuri më përngjanë në ministritë tona, që janë stêrmbushur me zëvendësministra dhe këshilltarë të tepruar. Dhe, kam të drejtë kur them se kryetari vet e ka politizuar këtë lidhje të krijuesve të artit deri në ekstrem, që nuk përket me kodeksin artistik të së bukurës.

Dua të theksoj edhe këtë se çdo krijues, që së paku njëherë ka kontribuar dhe ka qenë pjesëmarrës ose anëtar i jurisë në manifestimet e LKSHM-sê, ai njihet si anëtar i saj, për këtë nuk mund t'iu ndalohet të japin mendimin, propozimin apo këshillat e veta në lidhje me aktivitetet e kësaj lidhjeje, sepse kjo lidhje është Lidhja e Krijuesve në Mërgatë dhe është e të gjithë krijuesve të denjë, pa dallim. 

Në fund dua ta theksoj edhe këtë se kryetari Qyqalla më ka bllokuar në faqen e LKSHM-KRYESIA e cila faqe është e dedikuar vetëm për kryesinë dhe është faqe e mbyllur për të tjerët, si dhe në faqen ku postohen poezitë e postime të ndryshme, me ç'rast ai bllokon punën dhe aktivitetin e zëdhënëses, pa u konsultuar me kryesinë, pa e marrë mendimin e tyre dhe pa i shfaqur arsyet pse.

Një kilometër arsye do të kisha shkruar për gafat dhe dobësitë e kryetarit të LKSHM- së Hasan Qyqallës, të cilat edhe ai vet i din, por po e lë me kaq , që këto besoj mjaftojnë të prekin në ndergjegjen e tij, nese një gramë ndërgjegje i ka mbetur, por edhe në ndërgjegjen e atyre që heshtin para këtyre dobësive, lëshimeve të qëllimta dhe gafave të pafalshme, duke lejuar që para opinionit të zbehet imazhi i LKSHM- së si institucion kulturor.
Kam duruar dhe kam qëndruar aty vetëm per hir të këtij institucioni, por njerëzit që e flasin të vêrtetën haptas dhe nuk i durojnë padrejtësitë, nuk ishin të dëshiruar në këto lloj institucionesh. Vetëm po dufka me heshtë dhe me i pranua jokorrektësitë që me kohë e dëmtojnë etikën njerëzore të një krijuesi.

Arsye të shumta kam për dorëheqje dhe jam shumë krenare që për 6 vite në LKSHM punova dhe u angazhova me dinjitet, pa u shtyrë me bërryla, pa tendenca për poste më të larta, e gatshme t'i kryej punët dhe detyrat që më përkisnin, pa kurrfarë kompenzimi dhe interesi personal, me respekt ndaj kolegeve e kolegëve, me përkushtim maksimal dhe obligim ndaj atdheut, që gjuha shqipe, fjala e shkruar dhe identiteti jonë mos të asimilohen në mërgim. Pasi, që edhe pas këtyre dorëheqjeve të njëpasnjëshme, kryetari nuk e sheh të arsyeshme të mbajë Kuvendin e jashtzakonshëm dhe të jap dorëheqje, i mbetet që në nëntor të këtij viti kokulur t'ia dorëzon mandatin një shteti tjetêr me rradhë.

Me shpresë se shteti që do ta marrë udhëqësinë do të udhëheqë si i ka hije një LIDHJEJE TË KRIJUESVE TË MËRGATËS, unë iu dëshiroj suksese dhe punë të mbarë, edhepse skeptike për ndonjë sukses të madh, sepse nëse një themeli të shtëpisë i hiqen disa gur themeltar, ai s'do të jetë më stabil ta mbajë shtëpinë.

P. S
Për më shumë flasin këto dëshmi poshtë, të cilat janë vetëm një pjesë nga ato dëshmitë e arkivuara në kompjuterin tim.

Freitag, 30. August 2019

Duke lexuar poezinë "Sa herë ndryshon moti" të poetit Haxhi Muhaxheri

Shkruan: Mehmet RREMA, shkrimtar

SA HERË NDRYSHON MOTI
( Një si poezi, për tre faqezi.)

Sa herë që ndryshon moti,
më dhemb gishti i vogel
i dores së majte.
Ai gishti që ma ke thyer ti JLL*,
sall për hatër të hasmit.

Heu...Ti mos pafsh ditë të bardhë !

Sa herë ndryshon moti
e më dhemb ai gisht,
të kujtoj edhe ty 
o njeri me maskë, 
që keq më preve në besë
e tash ndërron shtatë fytyra.

Heu... Ty tu ndaltë ora sonte !

Sa herë më dhemb ai gisht
më kujtohet edhe Xila,
i ziu Xilë i Kryshecit
qe tash digjet në ferr.

Heu... Atij ju harroftë emri !
_____
* JLL - Jakup Llonqari. Inspektor famëkeq i UDB-së në Pejë.


DHE PRAPË TRADHTARËT BREDHIN RRUGËVE TONA, 
DUKE I NDOTUR ATO!

(Duke lexuar poezinë "SA HERË NDRYSHON MOTI" të poetit Haxhi Muhaxheri.)

Që në titull të kësa poezie të poetit fjalë koncentrat, Haxhi Muhaxheri, të shfaqet një panoramë e cila të hapet para syve të mendjes dhe rrok ato hapësira të cilat, ose i ke parë në fragmente të shkëputura dhe provon qe ta bësh montazhin e pjesëve te tyre, ose i ke imagjinuar. Po ashtu, të lind edhe një si pikëpyetje mbi ndryshimin e motit në stinë, si kushte meteorologjike dhe krijon në mendje ditët e bukura muajt, stinët dhe pastaj të shkrep në mendje e nis të thuash: - Ah sikur të gjitha stinët të ishin pranverë! Kësisoj e sos mendjen se ashtu është mirë, po prap të pëlqen edhe vjeshta, të pëlqen edhe dimëri me dëborë; por jo me llucë, me atë baltën deltinë që të ngjitet pas këpucës.

Në rastin tonë, poeti flet për një tjetër stinë. Stinët historike. 
Është një popull, një popull krenar, i lindur në trojet e paraardhësve të tij, i lindur në atë tokë që kur Perëndia bëri "ndarjen", ja dha ati, e ai deshi të qendroi më ata troje, pa i hyrë as në hise e as në hak dikuj tjetër. Aty deshi të qendronte, të lulëzonte e të trashëgonte ky popull bujar. Ashtu desh, po ja që një ditë në qiellin e tij të pastër, në tokën e tij të virgjër e pjellore, u duk një re e zezë, një re që solli furtunë, rrebeshe apokaliptike. Në këto rrebeshe, u duk në tokë një qenje e pa parë deri atëherë. Një qenie që nuk ngjante as me krijesat parahistorike. Dikush, duke parë se kjo qenje kishte shumë kokë e sapo i prisje një i dilnin gjashtë, tha ky është djalli i zi me gjashtë kokë.

Ndoshta vetë Adami, nëse do ta dinte se çfarë kishte ajo mollë brenda në farat e saj, do ta kishte shkatërruar menjëherë bashkë me djallin që mbanin farat e atij fruti. Ndoshta edhe vetë Noe, po ta dinte se njeriu që mori në varkë do të këthehej në një qenie të tillë, nuk do ta kishte marrur atë. E të gjitha ndodhën. Ndodhi që në trojet e këtij populli krenar, zemërbardhë dhe punëtor, u duk vetë djalli. Erdhi me furtunë dhe kudo mbolli gjëmë. E këtij populli krenar ju desh të luftonte gjatë me këtë përbindësh. Shumë gjak e jetë njerëzore humbi ky popull në luftë për të mbrojtur trojet e tij. Shumë u detyruan përdhunshëm të lëshonin shtëpitë e tyre.

Pavarësisht që popull luftoi deri në martirizim, qoftëlargu nuk reshti së vepruari për të realizuar synimet e veta. Ai pra, djalli i zi, i mbushur me të gjitha ligësitë e kësaj bote, ishte i gatshëm të bënte çdo gjë. Përpos dhunës, përdori edhe paranë për të rekrutuar ne radhet e veta njerëz te ligj që përulësisht do ta kryenin punën e sherbetorit, duke vepruar në kundërshtim me interesat e bashkëkombasve të tyre. Dhe fati i asaj kategorie njetëzish gjakprishur dihet. Ata shpejt do të përfundojnë në koshin e plehërave të mbetjeve urbane, por edhe në koshin e historisë. Do të përfunfojnë kështu gjakprishurit (që nuk dihet se nga ç'kromozom kanë dalë), të cilët kanë hyrë në atë rrugë dhe janë kthyer në vegla qorre të armikut, të djallit të zi. Në ketë mënyre, ata anë djallëzuar aq shumë sa, jo vetem që nuk mundtë kthehen për së mbari, por as të qendrojnë në gjendje statike. Dhe shpesh, ata në djallëzitë e tyre ia kalojnë edhe vetë djallit. Ja kalojnë sepse, ndërsa djalli vepron më fushë të hapur duke kërkuar të paraqitet sa më i fuqishëm, sa më i tmerrshëm, të paraqitet i tillë që kushdo ta shikoi apo ta mendoi të trembet; të bijët e tij gjakprishurit, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të maskuar. Atyre u duhet të jenë kameleonë, krokodilë, dinakë si dhelpra. Ata, tashmë të kthyer në shërbëtor të djallit, janë gati edhe të vrasin. Të vrasin dhe të fshehin gjurmët. Të vrasin natën e të vijnë ditën duke gërvishtur fytyrën e tyre të maskuar, por duke ruajtur me fanatizëm maskën e tyre e cila shumë herë i tradhtonte, sepse kundërmonte erë të keqe si të një lëkurëçakalli të ngordhur e të putrifikuar. Në këto raste, kur këto qenie pa shtyllë kurrizore, këto kameleonë, këto gjakprishur, zbuloheshin në veprimet e tyre të liga, bëheshin edhe më të egër, edhe më mizor se vetë babai i tyre djall.

Ai gisht që ma ke thyer ti JLL

Poeti ven përballë kriminelin dhe viktimën. Edhe pse kalon koha në kuptimin e masës kohore, ajo nuk mund të shëroi disa plagë. Ja që një gisht i vogël, një gisht i dorës së majt, i krahut të zemrës, nuk e len rehat personazhin tonë, personazhin që mund të jetë cilido banor i ndershëm i Kosovës martire. Sa herë e shikon atë gisht, sa herë që ai shikon njerëzit e tij të zemrës të cilët janë torturua nga pushtuesi serb dhe veglat e tij të pështira, i rikujtohen ata skena makabre, tragjike të përjetuara në ato vite të rënda.
Duke e lexuar këtë poezi, krejt natyrshëm të lindin disa pyetje: Pse? Çfarë i shtyu këto qenie që u bashkuan me djallin, me pushtuesin dhe nuk arritën kurrë të ngjiten në stadin e të qenurit njeri? Natyrisht të jesh njeri nuk është lehtë. Një zë më thotë se ata i shtyu vetë djalli, me format e tij të dhunës dhe joshjes. Ndoshta... Ndoshta, po kjo nuk është e plotë. Edhe djalli kërkon terren për të vepruar. Ai nuk mund të veproi tek ata që në gen kanë besën, burrërinë, miqësinë, atdhedashurinë, etj. Jo, djalli dhe shkjau veprojnë tek ata që kanë lindur nga vesi e mëkati dhe janë rritur me të. Po çfar tjetër i shtyu? Sigurisht një shpirt i mbushur me smirë, xhelozi dhe egoizëm. Kështu ata, për ta pa veten sa më lart, nisin të bashkëpunojnë me djallin; pra, më pushtuesin serb. E nisin rrugën e errët e të ndyrë dhe nuk kanë më as dëshirë, as forcë të ndryshojnë. Andaj; duke u përshtatur me të, ata kthehen në kameleon, në dhelpra, në gjarpinje...

... të kujtoj edhe ty 
o njeri me maskë
që keq më preve në besë...

Besthyeri...besthyerja... A ka më zi më? Ke ngrënë, ke pirë, ke biseduar, ke lozur me të në fëmijëri, e ke quajtur vëlla, e ke marrë në krah në ditë të vështira, ke ndarë me të copën e bukës, ka veshur këmishën tënde kur iu ka dashur të shkoi në një dasëm se të vetën e kishte të vjetër dhe e ka veshur pa e larë, me erën e djersës së shokut, mikut, komshiut, vëllait; ke folur me të për dashurinë, për çfatë nuk ke folur me të, ke folur si me veten tënde, sepse nuk e dije se ai ishte një kameleon, një tradhtar që të shet për dy lek apo pak karrierë. Kjo është tragjedi e tragjedive, krim i krimeve, kur ai të shet tek i huaj, po jo vetëm kaq, por kur e shikon se i zbulua, ju çorr maska, kthehet në një egërsitë që e tejkalon edhe bishën më të tmerrshme, armikun. Ai bëhet më gjakatar se ç'mund të imagjinohet një gjakatar.
Ky është me pak fjalë tradhtari, një qenie pa ndjenja që jeton mes urrejtjes dhe karrierës. Ai është i paparashikueshëm dhe i pandreqshëm. I gatshëm të tradhtoi edhe motrën e vëllanë, nënën e babanë... Ai bredh edhe skutave më të errëta për të kapur ndonjë informacion që do ta kënaqte padronin e tij.

Sa herë më dhemb ai gisht
më kujtohet edhe Xila,
i ziu Xilë i Kryshecit
qe tash digjet në ferr.

Dhe gishti e shpirti i kosovarit dhemb e dhemb shumë. Plagët e rënda të shkaktuar nga pushtuesi serb dhe servilët apo spiunëte tij, janë aq të thella, janë aq të maisura sa nuk ka doktor t'i shëroi. Madje, as koha nuk do të mund t'i shëroi. Ata kanë prekur rëndë shpirtin e një populli martir. Dhe ky popull nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi. Atë drejtësi që mungon. Si mund të mbahen akoma nëpër institucione ata kriminelë të pashoq. Një veprim i tillë i acaron akoma më shumë plagët e thella në shpirtin e popullit.

E poeti, biri i një populli të pervuajtur, duke mos u pajtuar me mungesën e drejtësisë, mallkon me gjithë forcën e shpirtit tre faqezinjtë që i sherbyen pushtuesit.

Heu... ti mos pafsh dritë kurrë!
Heu... ty t'u ndaltë ora sonte!
Heu... atij ju harroftë emëri! 

Kësisoj pra, poeti kërkon vetëm drejtësi. Por a po vjen kjo drejtësi?
Ndoshta kjo është edhe ajo që e vret më shumë shpirtin e poetit. Kjo e bën që ajo plagë që personazhi ka marrë t'i dhembi e të mos e lëjë asnjë herë të qetë. Të shikosh ekzekutorin, torturuesin, tradhtarin e djeshëm që sot me një çantë lëkure në dorë, ngjit shkallët e zyrave shtetërore, serbes e me mendjemadhësi e arrogancë, kjo vret çdo shpirt të pastër, prandaj poeti me shpirtin e tij të pastër e lëshon mallkimin ndaj të gjithë atyre që tradhtuan, torturuan e masakruan popullin e vet. 

Në këtë poezi, poeti i njohur Haxhi Muhaxheri, ka pasqyruar me vërtetësi atë fenomen tejet të pakëndshëm që ka ndodhur në Kosovë për më se një shekull; e që arriti kulmin në vitet e satrapit Milloshrviç. Si në të gjithë opusin e tij krijues, edhe në këtë poezi, ndjenjat e pastra të poetit bëhen njësh me ata të,popullit, i cili në mos nga pushtetarët, drejtësinë e kërkon nga një fuqi mbinjerëzore. Ai fshikullon hollë nëpërmes artit qendrimin aspak human të pushtetit miop në rastin më të mirë, e dashakeq deri antikombëtar në tjetër rast të pushteteve të cilat lejojnë që këto bisha të dalin në krye të popullit. Nuk di çfar pret sot politika shqiptare që nuk merret me pastrimin e institucioneve nga këto tradhtarë e gjakpirës. Nuk di si do të ndjeheshin këto pushtetar të fuqishëm, nëse do të kishin qenë ata në vend të personazhit që, poeti na jep në këtë poezi të bukur e mjaft të arrirë.

Mittwoch, 21. August 2019

Mehmet Rrema: NJERIU I PËSHTYMËS apo BIRI I ASKUJT

Shkruan: Mehmet Rrema, shkrimtar

NJERIU I PËSHTYMËS

Djalli yshtur e kishte
që ta pështynte krejt botën

E pështyu veten fillimisht
më pas tokën varret fisin

Pështyu lulet pështyu lisin 
lumenjt dhe detet pështyu plisin

Kur nisi të pështyejë kah qielli
Zoti e humbi durimin
e dha urdhër t'i qepej goja

Por ai vazhdoj të pështyente
e pështyente brenda vetes 
dhe fryhej e fryhej si një tollumbace

Thonë se thellë trupit të tij 
është krijuar deponi e madhe pështyme
ku krimbat e zi loznin vallen e mortit


NJËRIU I PËSHTYMËS apo BIRI I ASKUJT
Vështrim rreth poezisë "Njeriu i pështymës" të autorit Haxhi Muhaxheri

Një njeri i vënë kundër një bote! Autori me shumë mprehtësi dhe elegancë në dy vargje na paraqet një njeri të vetëm, sigurisht i shtyrë nga një ngarkesë e madhe neurotike, nga një xhelozi e tepruar, nga një autostime e pa shoqe, që asgjë përveç mendjes dhe trupit të tij nuk i pëlqe, një njeri që siç thotë populli "Po t'u rrit mendja të ulet bafti" apo "Në se e don keq dikë, thuaj të hyftë vetja në qejf" dhe personazhi ynë, që poeti na paraqet është i tillë. Një njeri që e gjithë bota i duket e zezë, e pa vlerë, e shëmtuar, një botë nga e cila i duket se nuk mund të marrë asnjë të mirë. Një botë në të cilën ai ndodhet aksudentalisht, prandaj edhe vuan. Vuan sepse nuk pëlqen, po edhe nuk di të projektoi e të vejë veten në paqë. Por që të arrij deri në këtë pikë, sigurisht njeriu, më parë ka asgjësuar veten, edhe pse këtë nuk e kupton. Nuk e kupton, por kjo e keqe ka ndodhur sepse mendja e tij ka kaluar çdo limit të një mendje normale, dhe kur ndodh kjo, vaj medet për të, thonin të motshmit. Por nuk mjafton me kaq. "Pështyu varret, tokën, fisn..."

Një njeri, i ndodhur në këtë gjendje mendore, është ai që mohon, etërit e tij, pëshryu varret. A ka më zi se të mohosh porindërit, origjinën. Ky njeri tashmë ndodhet jashtë çdo realiteti jashtë çfo konceptimi. Ai mbase ka dëshirë të quhet bir i askujt, po ku gjendet një i tillë, në mos vërtetë i biri i djallit.

Kësisoj, ai tashmë që ka mohuar origjinën e tij, është shkëputur nga çdo realitet njerëzorë. Nuk ka asgjë, as mik, as shokë, as farë e fis. Ai do të jetë i vetëm në këtë botë se vetëm ashtu i duket se është i dobishëm dhe i fortë. Mohon tokën, mohon atdheun duke e pështyrë. Ky është personazhi ynë, ky është narçisti në fazën më të lartë të çrregullimeve psikoemocionale, të cilin poeti ynë i mironjohur e jep me mjeshtëri, në mënyrë mjaft sintetike dhe estetike.

Por personazhit tonë nuk i mjaftojnë vetëm të mohoi e të pështyj farë e fis, varre -  tokë e atdhe; por në fund, ai vazhdon me bukuritë e natyrës, duke pështyrë mbi të bukurën - lulet. Pra nuk e do të bukurën, jo; sepse ajo ia vret sytë e mbyllur, prandaj pështyn traditat e vendit, zakonet, historin, pështyn dhe plisin!

"Kësula e bardhë si dëborë mbi vetull / Amanet na e la çdo shekull" Keshtu shkruante poeti i ndritur Gjok Beci, e personazhi i poezise që ne po zrajtojmë, e pështyu edhe plisin e bardhë. Mohon, mohon, mohon pa pushim. Mohon lisin, po kushë është lisi ynë? Lisi, është simboli i atdheut i cili nuk i hyn fare në sy personazhit, jo ai mbi të gjitha vën veten e tij. Atij i duket vetja mbi gjithçka, edhe mbi natyrën. Ndoshta ndonjë ditë do të dalë e të thotë se nuk mund të bijë shi pa miratimin tim. Prandaj poeti e sheh atë duke iu drejtuar qiellit. Dhe si çdo herë, kur njeriut i ka hyrë vetja në qef dhe atëhere kur ka menduar se ka rrokur majën, atëhere greminën e ka mbas shpine, e ai është duke ecur mbrapësht, mbrapësht duke nxitur drejtë majës. Dhe ja, "Zoti ia mbylli gojën". Ja mbylli gojën, por mendja e tij kishte shkuar aq larg në marramrndje sa nuk mund të rrinte pa pështyrë, pa përçmuar, pa mohuar diçka, e tash nuk i kishte mbetur tjetër përpos vetes. Ai tash do të nisë të mohoi edhe veten, të urrej, të pështyej. Pra, ky inat, ky mllef kundër gjitçkaje vjen dhe i kthehet në një inatë kundër vetes. Fryhet e fryhet se mbi të tani bie e gjithë urrejtja e ai kthehet në depo të pështymës, në një vend ku nuk ka asgjë tjetër të bukur. Në atë depo ka vetëm krimba. Krimba që mbi të "loznin vallen e mortit". "Njëshi është zero e fyll" thotë Majakovski. E personazhi ynë ka mbetur i vetëm në këtë univers nga ku nuk i mbetet tjetër veçse të ngordhi nga krimbi i xhelozisë, i mohimit të gjithçkaje, i urrejtjes së pafundme. Ky është fati i atyre që nuk mund ta shikojnë botën ashtu siç është, me të shtatë ngjyrat e ylberit.

Ashtu si në të gjitha poeziyë e autorit Haxhi Muhaxheri, edhe në këtë poezi spikat rrjedhshmëria, stili i bukur estetik dhe i figurshëm i të rrëfyerit; që ta bën poezinëtë këndëshme dhe të shtyn të mendosh e ta analizosh me kujdes çdo shprehje, sepse ai pothuajse për secilën fjalë nis një mesazh për lexuesin. Poeti është i kujdesshëm dhe i kursyer në vargjet e tij të mbrekullurshme, por ata janë të mbushura përplot me diamante, prandaj peshojnë shumë.

Freitag, 16. August 2019

Filluan dorëheqjet nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë...

Dan Kosumi
Dorëheqje e dyfishtë!
  1. LIDHJES SË KRIJUESVE SHQIPTARË NË MËRGATË / LKSHM
  2. SHOQATËS SHQIPTARE TË MUHAXHIRËVE MBARËKOMBËTARË / SHSHMM
Kuvendit, Kryesisë dhe Kryetarit të LKSHM Hasan Qyalla dhe kryetarit të SHSHMM Asllan Qyqalla.

Unë Dan Kosumi, Anëtarë i kryesisë së LKSHM dhe Koordinator i autorizuar i SHSHMM për Evropë, jap dorëheqje.

Pas vërejtjeve të mija lidhur me organizimin e mbrendshëm të LKSHM dhe SHSHMM, për mooskordinimin e duhur me anëtarët e kryesisë, përkatësishtë këshillin e SHSHMM, si dhe veprimet krye në vehte të dy kryetarëve, jam i shtyrë që të jap dorëheqjen time nga të gjitha pozitat e mija në këto dy shoqata.

Ju bëj me dije se Shoqatat si; Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë / LKSHM dhe Shoqata Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkobëtarë / SHSHMM, mundë të jenë të suksesëshme dhe në shërbim të plotë të artit, kulturës, çështjes Kombëtare, në sensibilizimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar lidhur me aspiratat kombëtare në përgjithësi, si dhe të çështjes së Muhaxhirëve mbarëkombëtar në veçanti, vetëm atëherë kur ato do të udhëhiqen nga njerëz punëtor të devotshëm, atdhetar, të ditur, dhe me përvojën e duhur, e parasëgjithash njohës të mirë të të kaluarës, historisë dhe të drejtës ndërkombëtare për popujt e shtypur.

SHSHMM i duhen ata që duan, dijnë dhe guxojnë të punojnë në hapjen e çështjes pothuaj të harruar të Muhaxhirëve, të dëbuar, të vrarë e persekutuar nga serbia fashiste, deri në gjenocid ndaj një populli autokton në gadishullin Ilirik.

Ftesat e të të ftuarve në organizimet, simpoziumet dhe takimet e LKSHM dhe SHSHMM bëhen përherë në marrëveshje me kryesinë e ngushtë. Është e papranueshme dhe vendim i njëanshëm, krye në vehte i kryeatarit, ftesa që ju bëhen njerëzve me të kaluar të dyshimtë / antikombëtare. Pjesëmarrja në këto takime e njerëzve të tillë i dëmton shoqatat, nuk ju bëjnë as nderë e as mirë këtyre takimeve dhe udhëheqjes së LKSHM dhe SHSHMM.

Pra dorëheqja ime le të jetë një trokitje në ndërgjegjen e kësaj parie që udhëheqë këto dy shoqata, një vërejtje dhe alarm se kështu nuk punohet, dhe se janë të gjykuara për mossukses, për joefikasitet dhe pasqyrë e shëmtuar për LKSHM dhe SHSHMM.

Dan Kosumi

Prishtinë, 15 gusht 2019


Faksimili i dorheqjes...


Disa nga komentet ne Facebook:

Dibran Demaku:
Pak si vonë të paska rënë ndërmend që të japësh dorëheqje nga asociacionet e Qyqallëve!

Përgjigje nga Dan Kosumi:
Po Dibran! Vonë edhe më shumë se vonë! Kështu ndodhë kur pret kohë, mos ndoshta do reflektojnë paria e “temenasë” ...!

Haxhi Muhaxheri:
Dan, te kam mik per zemer dhe e kuptoj deshiren tuaj te sinqerte qe gjerat te shkojne per se mbari, duke vepruar me seriozitet me te madh. Uroj qe dorheqja juaj te kuptohet drejt dhe te jete pernjemend trokitje ne ndergjegjen e atyre qe udheheqin me keto shoqata, ashtu di ju thoni. Nderimet e mia, mik!

Seveme Fetiqi:
Që moti LKSHM-ja ka filluar të tubojë njerëz me te kaluar të dyshimtë, bile bile edhe te akuzuar per sjellje kriminele qe kane vuajtur edhe neper burgje për dhunime dhe amoralitet. Edhe pasi qe disa anetarë të saj, e ndër ta edhe unë, kemi kërkuar që tē largohen këta persona të pamoralshëm, përkundrazi ata persona kane vazhduar "aktivitetet" e tyre në kete Lidhje si dhe iu kanë derguar ftesa dhe iu ka ndarë mirënjohje personave të skandalizuar nëpër faqet e internetit. Përkundër vërejtjeve të mia, kryetari dhe kryesia kanë vazhduar me të njëjtën. Dorëheqjen e kam dhënë që moti dhe për këto arsye më nuk marrë pjesë në këto manifestime! Të lumtë Dan Kosumi!

Tonin Nikolli:
Respektoj zgjedhjen tuaj, miku im! LKSHM lindi e bukur dhe kontribuam që të rritej e bukur... Kam bërë 8000 km Verona - Gjermani, për t'u gjendur mes miqve krijues, për të gëzuar me to, duke promovuar vlerat tona kulturore kombëtare.
Nuk ka qenë kohë e humbur.
Ka dy vjet që unë nuk jam aktiv në atë Lidhje, pavarësisht, se nuk kam dhënë dorëheqjen... Kam parë me kohë gjërat që nuk shkonin...
Është mëkat, të lindësh i madh dhe të...zvoglohesh....
Të uroj shumë fat dhe suksese në krijimtari!

Bukurije Bushati:
Kam kohë që nuk marr pjesë, por po them edhe unë dy fjalë. Është lidhje e krijuesve në emigracion. Pra jo vetëm e Gjermanisë. Mendoj për këtë, stafeta duhet të kalojë nga një shtet tek tjetri. Nuk jemi ne më të mirët se Zvicra, Suedia, Austria,Greqia....! Nuk është vetëm një kryetar i pazëvëndësueshëm në këtë Lidhje internacionale. Mos na i ktheni edhe lidhjen si partitë, që nuk duan të heqin dorë pasi marrin karriken. Nuk duhet të ma merrni për të keq, por kjo është njëra nga pikat kryesore të mbarëvajtjes së lidhjes dhe shtrirjes së saj në të gjithë europën apo edhe kontinentet.

Ragip Ramaj:
Dan i dashur, 
duke kuptuar kontributin tuaj kombëtar si familje me aq shumë vite burg (sa e di unë janë diku afër 40 vjet burg familjar për veprimtari politike); duke kuptuar dëshirën tuaj të sinqertë që gjërat të shkojnë së mbari; duke mos u pajtuar me kostumet e reja me kollare kuq e zi të njerëzve me të kaluar të dyshimtë (e në rastin konkret edhe të vërtetuar me fakte); duke dëshiruar që në shoqatën e krijuesve mërgimtarë të fillojë një riorganizim me njërëz kredibilë dhe jo të përlyer e të mbërthyer brenda interesave personale e klanore, ku dëshira për zhvatje e përfitime përsonale kalon përtej interesit krijues e madje edhe kombëtar - e kuptoj mllefin tuaj që të çon deri në aktin e fundit të një vendimi distancues që mban emrin DORËHEQJE.
I kuptoj dhe i ndiej klithmat e të burgosurve politikë, torturat në mishin, eshtrat dhe shpirtin e tyre; e kuptoj edhe gjendjen shpirtërore e emocionale tuajën dhe të të gjithë atyre që kanë kaluar nëpër këto tortura, kur sot ata që dje kanë torturuar shiten më patriotë se vetë viktimat e tyre.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, jam me ty, Dan i dashur, bashkëndiej dhembjen tuaj: edhe si njeri, edhe si krijues, edhe si bashkëtorturues nëpër birucat dhe zyrat e sigurimit shtetëror jugosllav.
Janë bërë edhe dorëheqje të tjera nga LKSHM-ja, flitet e përflitet për dukuri të ulëta që kanë ndodhur, ka edhe shumë krijues të njohur në mërgatë që duhet të afrohen në LKSHM, por kjo dorëheqje dhe dorëheqjet e ankesat e tjera, le të shërbejnë si një nismë, si një fillim i ri që kjo shoqatë krijuesish të kryejë denjësisht rolin e saj promovues të vlerave të njëmendta krijuese në mërgatë.
Unë pres që edhe anëtarët e tjerë të LKSHM-ës të deklarohen, të japin mendimin e tyre se si të delet nga kjo situatë, si të bëhet një riorganizim i kësaj shoqate krijuesish mërgimtarë, në mënyrë që LKSHM-ja të vëhet në këmbë të mbara dhe të kryejë denjësisht e kombëtarisht rolin e saj organizues e krijues.
Në fund të këtij shkrimi, për ty RESPEKT dhe NDER Dan i dashur, jo vetëm për këtë vendim të drejtë, por për gjithë stoicizmin tuaj - dje dhe sot!