Sonntag, 23. Juli 2017

Tri pamje me presidentin Ibrahim Rugova




Dy poezi për fëmijë nga Mark Krasniqi

Mark Krasniqi

GJIRAFA

Koka si pjepër,
sa plepi – qafa,
këmbët – si shtylla,
kjo është gjirafa.

Lekura e gjirafes
plot pika pika,
krejt si fustani
që e vesh Mrika.

Një gjirafe gome
kam parë në vitrinë,
por qafa e saj
deri n’tra s’mberrin.

Gjirafa e vërtetë
që n’Afrike jeton,
në shitoret tona
kurrë nuk banon.



Urime për Vitin e Ri
(Nga libri për fëmijë “Posta e porositur”)

Ujku deles
Të fala i dërgon,
Vitin e Ri ia uron:
“Oj bardhokë,
Ta ngjitsha në fyt,
T’fala të bën
Kumbara yt!”

Delja shpejt
Iu përgjegj këtij:
“Mua kumbara
Kur t’më vijë
Qeni i Sharrit
I del para
Për të lajmëruar
Se erdh kumbara!
Nga gëzimi
Axha Latë
Do ta zbraz
Martinën e gjatë!
Shumë urime
Për Vit të Ri
Mos t’i pafsha
Sytë e zi!”
______

Poezinë e dytë e ka përzgjedhur shkrimtari Rrahim Sadiku, kurse poezinë e parë e huazuam nga interneti.

Ragip Kçiku - Ikjet

Disa nga shkaqet

Mjaft po mundohem të jap argumente, përse nuk duhet të largohemi nga vendlindja por gjithmonë po më dalin dy kundërargumente! Kundërargumentet më të fuqishme kundër asaj që unë po dua të them janë: 


  1. Unë vet jam emigrant...
  2. Udhëheqja e dobët e shtetit apo shteti i lënë në anarki për nevojat e pushtetit.

Si mund të argumentojmë të kundërtën? Më i vogli jam nga të gjithë për të bërë një gjë të tillë por po jap vetëm ato që unë si vrojtues mesatar kam hetuar dhe përjetuar. Sa herë kem thënë se edukim kombëtar nuk është të flasësh për Skënderbeun, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Adem Jasharin apo gjithë epopenë e UÇK-së. Këto i përkasin historisë dhe me to ajo duhet të merret. Një edukim kombëtar kombit tonë i mungon në Kosovë dhe Maqedoni ai nuk ekziston fare ndërsa në Shqipëri është i dukshëm. Nuk dominon por së paku unë e hetoj. E hetoj sepse janë njerëz të cilët lexojnë. Mendoj se me të lexuar qëndrojnë mbi mesataren evropiane. Janë më pak formalistë. Mundohen të jenë më racional dhe shumë familje kanë këtë parim gjë që në Kosovë dhe në Maqedoni është për t´u dëshiruar.

Shumë shqiptarë të Kosovës marrin borxh në bankë ose nga njerëz privatë 10 000, 20 000 euro për një dasmë, një fejesë. Ka të tillë që marrin borxh edhe për një syneti etj., ekziston edhe në Shqipëri por shumë pak në krahasim me shqiptarët e Kosovës.


Një shqiptar i Maqedonisë është i gatshëm të punojë tërë jetën për një martesë. Në shumicë dasmën e bëjnë për inat të fqinjit ose kushëririt. Ka nga ata që me qindra mijëra euro e stolisin nusen me flori! 


Kurrë një finlandez, çfarëdo qoftë ai, nuk e bën një gjë të tillë. Po pati para, bën dasmë, po nuk pati, dasma mbetet vetëm një akt që atij nuk i përket.



Martohen, lindin fëmijë edhe pa pas bërë dasmë.


Është bisedë e shpeshtë tek finlandezet: “Nuk pata para për ta blerë fustanin e nusërisë.” dhe tërë jetën vajton atë mungesë të aktit më njerëzor, shkrirja e dy shpirtrave në një!
Por borxh nuk ka marrë që të vuajë së paku një vit për gjërat e përditshme.
Tek ne dasmat e fukarenjve janë dasma megallomane që në perëndim dasma të tilla bëjnë vetëm milionerët.


Kur i sheh njeriu limuzinat 20 metra të gjata të cilat fabrika i ka bërë për delegacione shtetërore ose për milionerët që ka bota, njeriu mbetet pa mend! Shto dhe këngëtarët të cilët kanë çmime marramendëse dhe për një të tillë gjysmë anonim duhet pritur edhe në rend edhe një vit.


Kjo nuk ndodhë në Skandinavi. I heton larg gratë dhe vajzat vendore me luksin superior që kanë në krahasim me po shqiptaret që jetojnë në Skandinavi. Nuk ka vend në Evropën perëndimore ku fiton aq shumë këngëtari sa tek shqiptarët e Kosovë dhe Maqedonisë?! Ata nuk i falen kujt për biznesin që bëjnë. 


Habitem kur shkoj në Kosovë dhe fukaraja më i madhi do të shkojë dhe shkon në pushime në bregdetin Adriatik që nga Ulqini deri në Himarë më shumë ka shqiptarë nga Kosova se nga vet Shqipëria. Kë “luks” nuk po zgjatë dy vite por qe pesëmbëdhjetë vite dhe sidomos pas ndërtimit të autostradës.


Shqiptaret e Kosovës shpesh edhe tallen me “skandinavet” se janë demode. Po të shohësh skandinavet vërteta në raport me shqiptaret në përgjithësi hiq ato myslimanet se mbulohen dhe nuk ua le feja! Dallim sa nuk mund të besohet se jetojnë në të njëjtin kontinent. Secili do të mendonte se “ato” shqiptaret pra jetojnë në një shtet të pasur ndërsa skandinavet e vërteta jetojnë në një shtet të varfër.



Shqiptarët në përgjithësi i vret çmimi i dukjes!
 

Për një dasmë, “kanagjeq”, fejesë apo syneti, nuk ka grua që nuk shkon në floktore! Tani nuk dihet cila është nusja! Ahengje të tilla në Kosovë zgjasin katër muaj dhe rreshti për të rregulluar frizurën është i hatashëm; më i madh se për bukën me triska! Ato gra dhe vajza, nuk shkojnë vetëm një herë për një dasmë për ta rregulluar frizurën por shkojnë tri herë: natën e dasmës, ditën e dasmës dhe ditën e dytë të dasmës e quajtur “Dita e grave”.
 

Këto ose nuk e besojnë ose nuk duan ta besojnë se një punëtore skandinave me gjithë këtë standard që kanë luksi më i madhi mund të shkojë dy herë në floktore. Gratë të cilat marrin pagën minimale, kurrë nuk shkojnë në floktore. Ato i rregullojnë shoqja-shoqes flokët sepse kanë gjëra më parësore për të paguar. Drejtoresha e shkollës sime nuk ka ende telefon të “mençur”, ndërsa në Kosovë je jashtë mode si grua nëse nuk ke telefon të “mençur” edhe e papunë po të jesh.


Prej nga gjithë ky formalitet?! Prej nga gjithë kjo para tek të papunët?!


Një Evropian nuk merr para borxh për të bërë një pushim të tillë. Kur ai nuk ka para, e di mirë se duhet të rri në shtëpi dhe të kalojë sa më lirë dhe argëtueshëm që është e mundur.
Në Kosovë nuk dihet kur është natë e kur është ditë. Kur është ditë pune e kur ditë pushimi. Kafenetë janë plot patën apo nuk patën para! Kurse një emigrant sapo të gjej një punë jashtë orarit të punës, pa hezituar e pranon si një mundësi për të rezervuar diç...


Sa është i mësuar një shqiptar që të jetojë në kushte normale, d.m.th. pa luks? Sa është edukuar shqiptari që të bindet se jeta në kurbet është e vështirë dhe e parespekt?! Sa është folur se një kurbetçar vetëm si rast mund të jetë i suksesshëm jashtë atdheut sepse ka mijëra mungesa të cilat nuk e lejojnë të jetë i barabartë me vendasit, që rrallë ndodhë në Kosovë. Nuk duan të punojnë!


Një rol shumë negativ kanë luajnë dhe luajnë mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë gjithashtu! Programet e tyre me kurbetçarë janë përplot romantizma. Ata marrin rastet për ta plotësuar shikueshmërinë. As një program televiziv nuk merr një intelektual të mirëfilltë që të tregojë se çfarë në të vërtetë është jeta e kurbetçarit n ë përgjithësi! Ata flasin për futbollistë, këngëtarë, ahengje të ndryshme pe¨r ditët tona famëmëdha të pavarësive, të “flakëve” të ndryshme. Ndonjë biznesmen të suksesshëm por nuk flasin për njeriun i cili punon 12 orë në ditë në Evropën me të drejtat e punëtorëve! 


Nuk ju tregojnë se çdo evropian e ëndërron të ketë një shtëpi banimi më vete me oborr ku mund terri i qetë pa zhurmën e mijëra hapje-mbylljeve të dyerve të një pallati të cilat dashtë e padashtë nuk të lënë të bësh qetësinë tënde. Thjeshtë nuk marrin njerëz të cilët e njohin jetën dhe mënyrën e të jetuarit në esencë të Evropës perëndimore dhe të Kosovës.


Mars 2015

Faruk Tasholli: Gjëma e grave të dhunuara (Poezi)


Gjëma e grave të dhunuara

Ne të dhunuarat e Luftës së fundit
Nuk jemi gra që ndërruam shtratin,
Për një copë turp të skalitur në ballë.

Guri i dashurisë sonë peshon aq rëndë
Sa nuk lëviz në zemër. Po
Ai u thye copë-copë kur zbarkuan
Vrasësist e qakërdisur para këmbëve tona -
Të lidhura.

Dikush u vra pa e kaluar lumin
Dikush me fëmijën e shtrënguar për gjoksi
Duke ndjerë ndër dënesje-
Përqfimin e fundit.

E neve, oh, neve-o
Si nuk na mori plumbi?!

Ne u vramë në shpirt dhe aty,
Aty mbajmë vdekjen -
Si guvë me grykë të mbyllur.

Ne gratë e dhunuara në Luftën e fundit
Nuk kërkojmë më shumë se dashuri.

Vetëm ne e dimë çka është e shkreta
Për shpirtin e plandosur nga plagët dhe tash,
Ajo na mungon.

Mjafton të vijë pas shpinës sonë 
Vetëm një gisht tregues dhe vrasja
Si refren i trishtë na shiton.

Nëse doni ta shihni vetëm për një çast lirinë 
Si Kështjellë,
Ju lutemi, vini vesh në themelet e saj,
Aty ku u murosën klithjet tona -
Si trupi i Rozafës.

Montag, 10. Juli 2017

Grigor Jovani: Cikël poetik

Grigor Jovani

NJE PORTOKALL I BERE
NE BREG TE DETIT

Jam një portokall i bërë, faqekodrës në breg të detit,
gati të më këpusësh prej degës.

Më pjeku dielli a koha, kush e di! Di vetëm,
se ekzistoj në Dhërmi, siç mund të lindja si diell
në Las Vegas.
Rëndësi ka që jam një portokall i sapobërë. Ta bëj
me sy të më këpusësh...
Sytë m’u mbushën duke parë trupa njerëzish të leshtë,
si kafshët e xhunglës, apo krejt të lëmuar si alabastër,
duke dëshmuar në plazh muskujt antikë,
si margaritarët.
Veshët m’u mbushën me heshtjen e ujërave,
me ulërimat e thellësive furtunave, kur përpijnë anijet
dhe mbytin detarët.
Gojën e kam plot me shijet mesdhetare të verërave,
ndaj më është kaq i ëmbël gjaku.
Këmbët, pasi kam përshkuar ranishten e Pallasës,
ku ngeci Cezari, m’u ngjitën në hënën kozmike të hënës,
atrofizuar si të një plaku.
Duart i kam të mbushura me gjëmba iriqash, ngaqë
kontrolloja shkurret e detit, për të mbledhur
manaferra të egra dhe për të vrarë meduzat.
Zemra? Por gjersa jam një portokall i lëngshëm në Dhërmi,
këputmë,
të të derdh prej saj nektarin në buzë dhe në shpirt
të të përmbysin si erërat e Bregut
muzat.



POROSITE E FUNDIT

Dua të jesh e qetë në ato çaste,
gjërat t’i bësh në rregull, normalisht.
Shtyp në fillim sa duhen lajmërime
për ikjen time. Të kenë kryq dhe Krisht.
Do nxjerrësh paskësaj leje strehimi
për atë botë. Zgjidh një vend të qetë.
Nuk qe dhe kaq e heshtur jeta ime,
e dyta me pak zhurma le të jetë.
Do desha pak të ishim në përcjellje,
një prift, ti dhe unë tek kutia.
Gjithë kohës miqtë nuk më lanë të qetë,
tani, tek iki, më pëlqen vetmia.
Dhe mos harxho për lule dhe kurora,
humbasin qysh të nesërmen nga era.
Një karajfil më vë tek xhepi i zemrës,
mbase më kundërmon andej ngahera.
Edhe shiko, të lutem, mbaje veten,
gjithë kohës qamë edhe qeshëm plot.
I lutem Zotit të jetë ditë me rreshje,
që edhe në qafsh, mos të duket dot.
Ej, të kam thënë, mos e çaj shumë kokën!
Nuk humbim ne. Aty do jem, vërdall...
Do të më gjesh tek librat që kam shkruar,
vetëm mjafton t’i hapësh, kur ndjen mall.



LETER E BARDHE

Kam para meje një letër të bardhë të pashkruar,
fare lehtë mund të bëhet telajo e të mbushet me ngjyra.
Të shndërrohet në një tabllo të pa përsëritshme,
ku të shikojë fshati im bukurinë e tij tek pasqyra.
Nuk duhen shumë gjëra për këtë vepër madhore natyre,
ca kopshte të lulëzuara, oaze të blertë rrëzë një mali,
mes tyre shtëpitë, vajza mandilebardha në moshë martese,
të turpëruara poshtë diellit, si prej shikimit të zjarrtë të atij djali.
Ç’duhet të shtohet tjetër? Në horizont një urëz prej guri,
sa të kapërcejnë ylberët, gjatë ikjes së tyre dallëndyshet.
I kam kapërcyer edhe unë nëpër mend në fëmijërinë time
dhe... “nuk u bëra çupë”, siç na kërcënonin gjyshet...

Pra, kam këtu përpara një letër të bardhë të pashkruar.
“Nxije, mund të bëhesh Van Gog!”, thotë në gjuhën time një gjon.
Veç kujdesu, Imzot, mos shfaqet përsëri ai i paudhi,
shigjetëndezuri diell dhe ëndrrat e bukura m’i zbon.



FTESE

... ju, xixëllonja, që ju ndiqja kopshteve me sandale gome
dhe me pantallonat e babait, që gjer në gju i shkurtoja,
me dritëzat në grushtin tim, e mbani mend, më lumturonit,
pastaj, më vinte keq për qershijat në errësirë
dhe ju lëshoja.
... ju fluturat pendëngjyrosura, me fustane të buta mëndafshi,
që ju ndoqa pa dashur,
vetëm që të bëja detyrat e shtëpisë në një mësim biologjie,
ju lëshoja, ngaqë nuk mund t’ju dënoja me burgim të përjetshëm
në kuti bosh shkrepsesh, si brenda një qelije.
... ju milingonat e heshtura, që gjithmonë punën tuaj shikonit,
përfshirë në atë punën gjigande që bënë kinezët e largët
për Murin e Madh të historisë,
mund t’ju shkelja kur të doja me këmbën time si liliputët,
por nuk iu ngaja, ishit ustallarë të shtëpisë.
... ju pemë të oborrit tim dhe atyre të fqinjve të hershëm,
që ju kam hypur sa herë kam dashur, shumë më tepër
se gomarit tonë dhe mushkës xanxare,
nuk iu rropa me biçak lëkurën si këmishën e hollë,
nuk iu theja si krahët e njomë bisqet fillestare...
... ua kam nevojën tani pas kaq e kaq vitesh,
të më dilni për zot në ca çaste të vështira:
afron gjyqi im, ndaj ju lutem, dëshmoni
se përveç prapësive, kam bërë edhe gjëra të mira.



PIKELLIME

1.
Dëgjon në xham të parin shi?
Re, si gra në ngushëllim, mbushin qiellin.
Dërgojnë letra poshtë, kushedi,
bëhen tre vjet që humbëm diellin.

2.
Mbase e bëri qëllimisht
të hidhur jetën,
Zoti.
Të ngushëllohen të vdekurit,
se është kot së koti.

3.
Mos më çaj më kokën me të njejtën pyetje:
të dua më apo nuk të dua (!)
Më banojnë përbrenda
dashnoret Poezi dhe Vuajtje.
Ty ku të të vë, nuk më thua?!



VJERSHA ME E BUKUR

Nëqoftëse diellin mund ta bëja mik,
s’do më shkrinte fjalët nëpër vjersha.
Nëse hëna s’do më konsideronte armik,
do më ndrinte gjer tek ajo që desha.
Nëqoftëse do të gjeja një papirus të pashkruar,
do të shfaqeshin fjalët që Homeri shpiku.
Nëse do të gatuaja rrufe nëpër duar,
do të digjja shtegun nga dashuria më iku.
Ah, në mund t’i kisha të gjitha këto
- të miat, s’do mend, jo të huaja -
të thurrja vjershën që dashuria më do,
me të dyja duart ta nënshkruaja.

Dienstag, 4. Juli 2017

Kënga e doktoreshës

Nga: Ymer NURKA

Ç’borxh i pati fshati, vallë atij qyteti,
Ç’të mirë i kish bërë, që të mirë s’gjeti?!
Mori për dhuratë, shtatë ballë tërmeti,
Një zanë prej mali, një sirenë deti.

S’ish par’ asaj ane, një e tillë femër,
Gratë shihnin vëngër, si të ishe shemër,
Doktoreshë të thonin, dhe pse kishe emër,
Bridhte stetoskopi, o zemër më zemër.

Moj ç’e bëre fshanë, të ndihej sëmurë,
Gjysma myslimanë dhe gjysma kaurë,
Seç u dogjën pleqtë, me temperaturë,
Të gjorët kërkonin, t’u bëje një kurë.

Nga hiret që mbaje, djemtë seç i çmënde,
Netëve mes fshatit, mbaheshin kuvende,
Kur bënin be burrat, zinin kokën tënde,
Gratë fillikate, flinin nëpër kënde.

Ç’ishte më e keqja, nuk po bëhej punë,
As çoban’ i fshatit, s’vishej më me gunë,
Nuset turfullonin, shfrynin si furtunë,
Nëmnin e mallkonin, ata që të prunë...

Montag, 3. Juli 2017

16 - vjetori i Radio „Zëri i Arbërit“, me suksese dhe probleme.

  • 16 vjet përpjekje për të qenë sa më afer dëgjuesve të vet, duke respektuar çdo herë kërkesat e tyre të arsyeshme. 
  • 16 vjet përpjekje për të sjellur emisione të reja dhe për ti realizuar ato si duhet.
  • 16 vjet përballje me prombleme të natyrave të ndryshme teknike dhe organizative.
  • 16 punë e mirë e themeluesit dhe kryeredaktorit z. Imri Trena; por ende pa portal zyrtar me vetmenagjim dhe me transmetim vetëm 24 kbps (22050 Hz).

Nga: Haxhi MUHAXHERI

Më 2 korrik 2017, Radio “Zëri I Arbërit” shënoj 16 vjetorin e veprimtarisë së vet. Themeluesi dhe kryeredaktori i kësaj radio Imri Trena, për 16 vjet  ka bërë përpjekje dhe punë të madhe e teper të lodhshme që kjo radio ta marr të mbaren. Për 16 vjet nuk ka reshtur së provuari për ta pasuruar skemen programore me emisione të reja, në mënyrë qe të kënaqte sa më shumë kërshërinë e dëgjuesve.

Kësisoj, gjatë këtyre viteve, kryeredaktori Imri Trena, bashkë me stafin; kanë arritur për ti shijuar frytet e punës së tyre. Skema programore është pasuruar bukur shumë me emisione të realizuara si duhet. Po përmendim vetem disa nga to. Emisioni për femijë “E dua atdheun”, “Kuizi I diturisë”, “Fjala artistike”, “Me yjet e lirisë”, “Programi I natës”, “Mikrofoni i dëshirave tuaja”, “Ftesë në studio”, “Me thesaret e odave shqiptare”, “Zëri i Çamërisë”; mandej emisioni kushtuar Luginës së Preshevës, emisioni kushtuar Iliridës dhe së fundmi edhe “Emisioni I mëngjesit”.

Kështu, falë sasisë së emisioneve dhe komunikimit miqsor e të sinqertë të stafit më dëgjuesit, kjo radio ka arritur të bëj për vete një numer goxha të konsiderueshem të atyre që e dëgjojnë. Por përkundër përpjekjeve dhe punës së madh që bënte stafi i udhëhequr nga Imri Trena, këtë radio e kanë përcjellur gjatë viteve shumë problem të natyrës teknike dhe organizative.

Për disa kohë, ata që dëshironin për ta dëgjuar ketë radio e kishin bukur vështirë për ta gjetur atë në internet. Edhe kur gjendej, nuk mund të dëgjohej për shkakun e vendosjes së playerve të vjeter dhe jofunksional.  Problem tjeter që paraqitej shpesh dhe që krijonte shqetsim për dëgjuesit ishte edhe dridhja, vibrimet, lëkundjet apo ndërprerjet e zërit të radios që vinin si pasojë e teknikës së vjeter. Jo pak problem sillte edhe mosfunksionimi si duhet i mikrofoneve dhe zhurmat që vinin si pasojë e mungesës së mjeteve adekuate për transmetim. Por ishte për keqardhje kur puna e madhe qe bëhej nga stafi, shkatrrohej nga tjeterkush. Shkatrrohej nga ai të cilit kryeredaktori ia kishte besuar krijimin dhe mirëmbajtjen e webfaqës zyrtare të radios. Pse dhe si ndodhte kjo?

Pikësepari, portali i Radio “Zëri i Arbërit” nuk është krijuar kurr ashtu si duhet. Ai nuk ekziston as sot. Krejt nga ç’kemi është një nënfaqe e portalit DENYCOMPUTERS  që na paraqitet si faqe e radios përms emrit (domain-it)  ZERIARBERIT.COM. Edhe në ketë nënfaqe, për shkak të playerit të vjeter, dëgjuesit për shumë kohë nuk kanë mundur ta dëgjojnë radion, sepse player nuk hapej nga të gjithë shfletuesit e internetit. Ishte e pakuptueshme se pse gjithë ky problem vinte vetem për dy minuta kohë që duheshin për ta ndërruar playerin dhe që nuk bëhej nga personi të cilit ia kishte besuar ketë punë stafi i radios. Po ashtu, shpesh ndoshte që eshe kjo nënfaqe që ishte, bllokohej dhe nuk hapej nga shfletuesit e internetit për shkakun se administratori përdorte motor të palejueshem për të përfituar nga klikimet dhe për vjedhjen e të dhënave nga vizitoret. Kjo e dëmtonte tejmase punën e stafit dhe vet radion, por pa u kuptuar nga themeluesi, sepse edhe vet ai e pranon se nuk merr vesh nga puna që ia ka besuar tjeterkujt.

Pamëdyshje, Imri Trena dhe stafi i Radio „Zëri i Arbërit” kanë bërë punë të shkelqyeshme për sa i përket skemës progrmore, por edhe sot e kësaj dite nuk e kanë berë atë më parësoren që duhet ta kishin berë fillimisht, krijimin serioz të portalit zyrtar të Radio „Zëri i Arbërit“ dhe marrjen e administrimit të atij portali në duart e veta. Kjo është edhe arsyeja se Radio „Zëri i Arbërit“ mund të përballet në të ardhmen me probleme edhe shumë me të mëdhaja. Uroj që kjo mos të ndodh! Uroj që themeluesi Imri Trena, para së gjithash të merret me zgjedhjen e këtij problem një herë e mirë, në mënyrë që të mos lejohet sërish dëmtimi i punës së mire që ka berë vazhdon të bëj kryeredaktori dhe stafi i kësaj radio!

Së këndejmi, Radio "Zëri i Arbërit" është e vetmja radio e internetit që sot forcën apo kualitetin e transmetimit e ka vetëm 24 kbps (22050 Hz), kurse në anën tjeter radiot e sapokrijuara transmetojnë më 48, 64, 80 apo 128 e më shumë kbps (44100Hz). Edhe për ketë, nuk është përgjegjës themeluesi, por administruesi që i është besuar përkujdesja.

Përndryshe, prap duhet ta përserisim se për sa i përket punës që ka berë për këto vite ekipi i kësaj radio i udhëhequr nga z. Imri Trena, është për tu lakmuar. Ndaj gjithësesi e meritojnë që tu thuhet: JU LUMT dhe suksese të reja!