Mittwoch, 30. Dezember 2020

Rexhep Shahu: ANTOLOGJIA POETIKE "DIELL PA HIJE"

“DIELL PA HIJE” - ANTOLOGJIA E PARË POETIKE BALLKANIKE NË GJUHËN SHQIPE

“Diell pa hije” - Antologji e poezisë ballkanike të shekullit XXI, me 52 autorë të njohur nga 12 shtete të Ballkanit, shqipëruar me dashuri e përkushtim nga poeti e studjuesi elitar shqiptar Ramadan Musliu, në muajt e fundit të jetës së tij, përgatitur e botuar nga Shtëpia botuese e promovuese Klubi i Poezisë, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, është libër që i ka munguar bibliotekës shqipe dhe lexuesit shqiptar që nga fillimi i shkrimit, për shkak të urrejtjes.

Lumenjtë e dashurisë në Ballkan, nuk kanë mundë t’i shembin digat e urrejtjes që kanë ngritë shtete të ndryshme të udhëhequra nga makthe e ankthe luftrash që kanë fituar humbje, shpërngulje e dëbime masive njerzish dhe e kanë mbjellë tokën e bukës me varre.

Kur mësova se nuk ka të botuar në gjuhën shqipe, të regjistruar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë asnjë Antologji poetike të autorëve ballkanas, ndjeva një ftohtësi dhe fillova të filozofoj naivisht për ta shtuar edhe këtë mungesë si një shkak më shumë për urrejtjen e verbër, mosmarrëveshjet tragjike dhe mungesën e një paqeje të qëndrueshme mes shteteve të ndryshme ballkanike.

Regjimi komunist diktatorial që sundoi në disa vende ballkanike nuk i ka lejuar as i ka nxitur, detyruar a përkrahur shkrimtarët të ngrenë ura dashurie mes ballkanasve, s’i ka lejuar të ngrenë ura mes popujsh fqinj, ura me dy këmbë, se me një këmbë, urat nuk janë ura…

Në gjuhën shqipe, në bibliotekën shqipe ka Antologji nga anëekënd botës, por nuk ka Antologji poetike ballkanike ku të jenë bashkë autorët e Ballkanit, të këtij rajoni fatlum djep i poezisë së botës, fron hyjnor i Homerit, atdhe i baballarëve të tragjedisë, në gurët, gjakun, lotin, malet e detet e të cilit i ka rrënjët poezia e njerzimit.
 
Në shekullin e luftrave e urrejtjeve të verbëra gjejmë justifikime pse nuk është hartuar një antologji poetike e ballkanasve, gjejmë bashkangjitje me shtetet në urrejtje e mëni edhe të ndonjë shkrimtari ballkanas, por edhe çudia çuditet që urrejtja na u bë ves dhe as në dekadat e paqes nuk u bë një Antologji poetike ballkanike modeste si kjo që po ia japim lexuesit të gjuhës shqipe.

*
Për këtë Antologji të parë ballkanike me poetë nga 12 vendet e Ballkanit, (Bosnje e Hercegovinë; Bullgari; Greqi; Kosovë; Kroaci; Mali i zi; Maqedoni e veriut; Rumani; Serbi; Slloveni; Shqipëri; Turqi, renditur shtetet dhe autorët sipas alfabetit të shqipes), jam i gatshëm të marr përsipër mbi vete të gjitha qortimet e mundëshme, pasi kjo është antologjia ime.
 
Të gjitha lavdërimet e mundëshme i takojnë dhe duhet t’i jepen nga lexuesi e studjuesi poetit, studjuesit e përkthyesit Ramadan Musliu, i cili, duket e ka ndjerë këtë peng tonin dhe për të na e larë mëkatin të gjithëve se nuk kemi bërë dot deri tani një Antologji poetike ballkanike, në muajt e fundit të jetës së tij bëri këto përkthime të mrekullueshme si kartolina dashurie për ne duke ngritë kështu ura të mëdha e të sigurta miqësie mes vendeve të Ballkanit, ura nga do të kalojë e sigurtë dashuria.

Poezitë e zgjedhura e të përkthyera prej Ramadan Musliut nga poetë në zë të Ballkanit të përfshira në këtë Antologji janë perla, hymne të jashtëzakonshme dashurie për jetën, njeriun, metafora brilante, brenga e dhimbje therëse që turbullojnë detet e rrafshojnë maja malesh.
Poezitë e mrekullueshme të kësaj Antologjie të poetëve të Ballkanit si këngë e kumte zogjsh që shtegtojnë te ikë e te ardhë pa pushim, na tregojnë kushedi për sa të mijtën herë se jemi në të njejtin kalë prej mijëra vitesh në rendjen drejt dashurisë, po për çudi gjithmonë dashurinë e kërkojmë larg e urrejtjen gjithmonë afër, në qerpik, ajo na mbin në sy.

*
Gjatë muajve të mbylljes e izolimit prej pandemisë Covid 19 në vitin 2020, Ramadan Musliu ka përkthyer në gjuhën shqipe cikle poetike nga rreth 100 poetë botërorë. Mes tyre 40 poetë ballkanas që ai i donte, ua njihte dhe pëlqente krijimtarinë. Shumë prej tyre i kemi botuar dhe do t’i botojmë në illz, revistë letrare e Tiranës.

Ramadani si poet e studjues klasi e kishte zënë vendin e nderit në letrat shqipe dhe ishte tërhequr në një farë mënyrë, nga përditshmëria, ku për shumë vite kishte qenë lider me shkrime, opinione e analiza.
 
E njihja që nga viti 1998 kur me dashuri i dha vend në gazetën “Rilindja” që drejtonte në Tiranë një shkrimi për promovimin e librit tim të parë me poezi “Mali i Hënës” që u bë nga Lidhja e shkrimtarëve në Tiranë.
 
I kërkova një shkrim për Teki Dërvishin për ta botuar në revistën illz, revistë letrare e Tiranës të cilën e botoj me mikun tim, Izet Duraku, që është drejtor i saj dhe me humanistin Flamur Hoxha që është sponsor i saj.
 
“Viteve të fundit, më tha, kam pushuar së bashkëpunuari me gazetat e revistat, por ja që emri i Tekiut, mikut tim të shtrenjtë, më detyron ta thyej edhe këtë betim.” 

E botova shkrimin e tij si i domosdoshëm për figurën e shkrimtarit Teki Dërvishi.

Më kishte dërguar për revistën poezitë e disa autorëve që kishte përkthyer dhe i kemi botuar e do të vazhdojmë.

Në fund të gushtit 2020 i thashë Danit që për përkthimet e autorëve ballkanas, më llogarit edhe mua për ta botuar një Antologji të poezisë ballkanike me shtëpinë time modeste botuese Klubi i Poezisë, veçse unë nuk kam mundësi të paguaj asnjë cent për përkthimet.
 
Ia përmenda se kam botuar Antologji me poezi turke me 101 poetë turq me titull Puthje mbi Bosfor, Antologji me 80 poetë persë iranianë me titull Trëndafila Persie, Antologji e tregimit shqiptar me 101 shkrimtarë, jam në proces për një Antologji me 101 poetë shqiptarë, pres një Antologji me poetë rumunë e një me poetë grekë. I thashë se unë botoj me tirazhe të vogla se nuk ka shitje por librat që botoj ua dhuroj bibliotekave nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe bibliotekave të institucioneve qëndrore si Akademia e shkencave, Instituteve, Universiteteve shtetërore në të tria këto shtete, etj.
 
“Ra COVID-i dhe u bënë edhe këto përkthime se në rrethana të tjera as që do të më ishte kujtue puna e përkthimit, më tha ai. Propozimi yt me pelqeu… Kërkesa ime e vetme është që mundësisht nja 100 kopje të librit, (Antologjisë), me i marrë, sa me pasë mundësi me ua shpërnda miqve dhe shokëve të shumtë. Po ashtu librit duhet t'ia bëj një parathënie të shkurtë në mënyrë që të jetë sa më i plotë.”
 
Ramë dakort me të gjitha dhe gjatë shtatorit unë e kisha sistemuar pak a shumë Antologjinë. Prisja parathënien prej tij dhe do të diskutonim për autorët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e veriut që do të përfshiheshin në Antologji.
 
Por më mbeti mua parathënia dhe të gjitha gjërat e papërfunduara për Antologjinë, pasi fatkeqësisht, me 22 tetor 2020, Ramadan Musliu, ndërroi jetë prej Covidit të zi në moshë të re, 66 vjeçare, shumë para kohe sa e mendojmë jetën e njeriut, duke lënë në pikëllim familjen, miqtë e të dashurit e tij. Duke lënë pas një emër të madh, të paanashkalueshëm në kulturën dhe letrat shqipe, një trashëgimi të rrallë që do të jetojë gjatë.

As nuk guxoj t’i mendoj këto radhë si parathënien që do ta bënte Dani.
 
Më mbeti veç të tjerave edhe si amanet kjo Antologji e pare poetike me autorë ballkanas që po e merr në dorë lexuesi shqiptar me titull bogdanian Diell pa hije. Shpresoj të jem i paqortueshëm nga Dani.

Do t’ua ndaj dhuratë nga Dani 100 copë nga kjo Antologji miqve të tij që pak a shumë i njoh. 
Shpresoj se edhe poetët nga vendet e ndryshme të Ballkanit që me dashuri e përkushtim i zgjodhi dhe i përktheu Dani për këtë Antologji, do t’i jenë mirënjohës atij që i bëri të flasin edhe shqip.

Faleminderit Ramadan Musliu! 

Çdo lexues ka me të falenderue sa të jetojë ky libër i rrallë dashurie, kjo urë e pashembshme shpirtrash e zemrash të poetëve ballkanas.

Donnerstag, 10. Dezember 2020

Katër poezi nga Neviana Shehi



PORTAT E ËNDRRAVE TË VJETRA

Në çastin kur gishtat e lodhjes
m’i mbyllin qepallat
duke më kthyer
në një udhëtare gjumi
unë hyj në rrugicat e heshtura të pyllit
të ëndrrave
të takohem me të shkuarën
me vitet e pafajësisë dhe naivitetit tim
me sekretet intime
që ne atëherë ia rrëfenim hënës
me imazhin tënd
që më ngrinte në qiell 
dhe më pëshpëriste 
kaq fjalë të panjohura stinësh
për puthjen e parë 
që ti ma dhe mbas një peme
në ditën e festës së tokës.

Fëshfërinin kaq ëmbël degët e pemës
dhe unë që drithërohesha 
më shume se ajo nga lumturia.

Tre ditë me radhë kam vëzhguar 
në pasqyrë buzët
me shpresë se bashkë me to 
mund të riktheja edhe njëherë
magjinë e atij çasti.

Tre dite duke i folur lumturisë 
që e mbaja ngërthyer në gjoks
me fjalë zogjsh.

Të kujtohet
sa shumë jemi argëtuar 
atëherë vetvetja ime
dhe sa herë kemi ndërtuar 
me fantazinë tonë një varkë 
prej resh si të Piter Panit
për të përshkuar qiejt tanë të ëndërrimit
ani se ato na mbyteshin
gjatë rrugës nga gjylet
e zemërimit të anijes së piratëve.

Ne përsëri buzëqeshnim
dhe ishim kaq të lumtur
dhe a e di psenë?

Ne ishim arratisur nga mosha 
duke refuzuar mendimet
mendimet janë thasë me rërë
në balonat e fluturimeve të çdo kujt
dhe ne ishim gatuar për të fluturuar
ky është dhe shkaku
që adresat tona janë si të zogjve
pa adresë.

Në çastin kur gishtat e gjumit 
m’i mbyllin sytë
unë nis të hap portat 
e ëndrrave të vjetra 
dhe udhëtoj me to
gjer kur bien borite e mëngjesit.

Pastaj bëhem përsëri kjo që jam
kjo që njihni ju
prej kaq shekujsh...




ZANA E DHJETORIT

Ujëvara me ujë të kristaltë
e kish çarë mes për mes shkëmbin
me furinë e saj të tejdukshme.

S'kisha menduar ndonjëherë 
që uji mund të kish fuqinë e sëpatës.

Kur shkova vetë në shkëmbin e shkronjave
natyrisht që u binda
se unë kam qenë
dhe jam një soditëse e heshtur e natyrës
kështu që di shumë për të
dhe për zanat e saja misterioze 
që lahen çdo natë nën ujëvarë.

Këtë muaj ishte radha e Heidit 
zanës së dhjetorit 
të ma uronte ditën e parë të dimrit.

Unë jam Heidi tha ajo
dhe ti natyrisht
duhet të jesh një vizitore e borës.

Unë nuk fola
vetëm se lëshova
një buzëqeshje të bardhë...




BOTA E LETRAVE

Në ditën e fundit të javës së madhe
udhëtova krejt rastësisht 
në botën e panjohur 
dhe misterioze të letrave.

Dhe po rastësisht u takova 
me ca njerëz të çuditshëm prej letre
nuk ishin të shkurtër
përkundrazi 
trupat e tyre ishin të formuar 
prej shkronjash 
me konfigurime të çuditshme.

Vetëm krahët dhe këmbët prej letre 
ishin krijuar prej fragmente përrallash
më shume spikasnin fragmente 
të “mbretit lakuriq” 
dhe të ushtarit prej plumbi.

Kokat i kishin si të njerëzve të zakonshëm
të njëjtët sy
veshë 
gojë 
dhe hundë.

Flisnin me një zë të tingullt
të njëjtë si tingujt 
e makinave të shkrimit
kur shkruajnë me ngut 
lajmet e gazetave të mbrëmjes 
“Corriere della sera” për shembull.

Të kristalta rrugët dhe sheshet
edhe pallatet
patjetër
unë zura të flisja 
me banorët e atij vendi
dhe fjalët në çast lëshonin 
një dritë fosforeshente
duke mbjellë në errësirë 
jo vetëm imazhin e tyre 
por dhe një realitet të ri.

Pastaj vështrimet e tyre zunë 
të lëkundeshin 
dhe pashë duke vizatuar papritur
kështjellën e San Angelos 
ndërtuar prej ajrit dhe gjenisë 
së artistëve të pavdekësisë së kësaj bote.

E ç’ishte Edeni përpara tyre 
një përralle e thjeshtë 
besoni letrës
tërë çastet që lëviza në këtë botë letre 
unë isha dhe s'isha vetvetja.

Më kishte depërtuar dhe mua në trup 
magjia fosforeshente e botës së letrave
dhe Bazilika e Shën Pjetrit ishte bërë aq e lehtë
dhe e tejdukshme
sa dhe unë po e mbaja lehtësisht në duar.

Është magjike kjo bota e letrave tona...




PLAKJA E NËNTORIT

Tërë natën frynë erërat e deteve
duke rrëzuar pa reshtur gjethe të verdha 
tërë natën rrugicat e kopshtit tim
u puthën me gjethet duke shkëmbyer 
fjalë dashurie
dhe lamtumirash.

Tërë natën unë pashë
se si zverdheshin dhe thinjeshin
pareshtur mendimet e mia
aq sa në mëngjes
nuk po arrija më të njihja veten.

Mëngjesi hyri me fytyrë të menduar
duke më kujtuar se në ballin tim
ishte shtuar dhe një rrudhë më tepër.

Eh thash me vete
duke mërmëritur
nëntori dhe unë u plakëm.

Edhe një vjeshtë më shumë...

Samstag, 5. Dezember 2020

Lule nga kopshti i poetes Ajne Ibërhysaj



ME ZËRIN E ITAKËS 

Mendimet  më ngjajnë si një shirit filmi 
E mbështjellin kokën me zhurmën e heshtjës
Shpirti si rigë lundron me erën e detit 
Dëgjohet një zë që gufon brenda reve 

Brenda meje thyhen harqet e dëshpërimit 
Yjet vallëzojnë me zjarrin e neuroneve 
Afshi Itakës e përpin pulsin e jetës 
Krahë vrarë e puthim  dheun  me fjalën. 

Errësirën e mbështjellë mëkati i perëndive 
Lutjet ndiejnë klithmën e ngushëllojnë shpresën 
Rrezet e mëngjeseve më bëhen si mëshirë e hyjnive 
Zëri dridhet e çmallet me lotin e Itakës                      

Çdo ditë më ikën me ferrin e harresës 
Sytë i mbajë peng në rrathët  e Dantës
Ku jam? Kush jam? 
Jam unë! Unë! Gurë muri në barkun e Itakës. 

Me rrezet e kuqërremta e trazojmë errësirën  
Fryma lëshon një sinjal trumbete e pushton qiellin
Fytyra të paqarta këputën përherë e bien si zinxhirë
Brenda meje mijëra degë rrjedhin po aq kokëfortë. 

E gjithë koha vertitet e vjen vërdallë e dyzuar 
Zvarriten hijet si flutrat e  natës  mbi xhama 
Me një uri rrëmbyese mes grimcave të ajrit 
M’u bë se dëgjova vajin e djepit të Itakës...




KUR BIE SHI E NDIEJ LOTIN E ZEUSIT
 
Koha i qëndis ëndrrat 
E zgjon zhurmën e shpirtit 
I numërojmë mëkatet 
Me dramën e përditshmërisë 
Në Olimp lindë dielli 
E godet si leve Zeusin 
Pranverat vijnë e shkojnë 
E presim një tjetër tash sa mote 

Shiu i pjekë qershitë 
E vjeshta i kafshon mollët e mëkatit 
Dimri i dehë kujtimet nën dritën e hënës 
Vera e zgjon kurmin e vetmisë 
Brenda nesh ndezën pishtarët e sytë ndrinë 

Rrezet  i zgjojnë gjethet një nga një 
Me buqetë lotësh i njomim stinët 
Ne ikim e koha mbetet me tokën 
Trokëllinë qielli  me rënkimet e zogjve
Melodia e trishtimit i vë duart mbi krahror
Sa shumë lutje e puthje pambarim 
Mbesin pengë me dritën e rrezet e mëngjesit 
Shpirti si qerre druri trokëllinë e i bartë dhimbjet 

Vrapi i kalit ndezë fushën 
I djegë të lashtat 
Një dallëndyshe e prishë qetësinë në qiellin gri 
Ikën e lë gjurmë në pusin e zemrës 
Mbetën fjalët si gravura bardhë e zi 
Jeta përqafon bardhësinë e djajve 
E dita përfundon me zërin e klithmës 

Vitet një cikël pa mbarim pritje e ikje 
Dashuria mbëltohet në qerpikun e Penelopës 
Iliada i etur për shiun e Itakës 
Melodia Lirës tingëllon zë mall 
Dashuritë bien e mbesin në krahët e Olimpit 

Kur bie shi e ndiej lotin e Zeusit 
E loti im pikon mbi shpirtin e shiut...




TI PREKË SI HARK QË VRET

Përtej qelqit të akullt të dritares 
Syri tradhtisht ma kapi një flokë bore 
Kristal i ftohtë ma pushtoi fytyrën 
Ndjesia ma kaploi trupin 
E fjala më mbeti në buzë 
Sa e vetmuar u ndjeva 
Më pushtoi një thekim malli 

Ti prekë si hark që vret 
E shpirtin ma çmend 
Në qelqin e xhamit përpëliteshe 
E ndjeva 
Ishe në palcën e flokut të borës 
Rrëzëlleje aq afër e aq larg 
E syrin ma përflaku loti 

Më mori malli për kohën 
Kur ti bëheshe çerdhe e mallit tim 
Të mbështolla me të ftohtit e zemrës 
Me ndjesinë e shpirtit të ngroha 
Dhe befas m’u ëmbëlsua dhembja
Me valsin e flokut të borës 
Heshtjen e zemrës e hetova 
Diku thellë në zhurmën e shpirtit 
Një tingull të vetëm dëgjova 
Sa përmallshëm po binte floku i borës 

Psherëtimat e fjalët si qershiza 
Kristal bore u bënë 
Edhe vetmia u dashurua në te flokë bore 
E Ti erdhe krejt pranë meje 
Ma dhurove një verë të pafundme 
Si rezonancë acari apo ngrohtësie




SA PAK PASKEMI DASHUR NË KËTË BOTË

Psherëtinë e përpëlitesh më vetën 
Etshëm çapitesh me mendimet e fjalët 
Me aludime gërryese e thumba vrastarë 
E degdisë jetën larg gurit të fjalës 

U muros fjala në qiellin gri 
Kështjella u mbulua me gjethe vaj 
Gjëmon loti  në shpirtin si mal 
Gjithçka e mbështjellë e gdhendur me mall 

U thyen ëndrrat e dëshirat 
Fluturat vallëzuan me qiellin 
Me yjet u miqësuan si miqtë e vjetër 
Ëndërruam e u harruam në vende të tjera 

Rrugët i ngushëllojnë gjethet e erërat 
Vendi im më mbështjellë shpirtin si flakë 
Një ditë do pendohem për Ty 
Sa pak paskemi dashur në këtë botë




ME DRITËN I (LIRISË)

Syri e puth zemrën tënde 
Me rrezen e diellit e vendos kufirin 
E zgjojnë heshtjen e kohës 
Retë bien mbi qerpikun e dhimbjes 
Malli çmallet me dritën I(lirisë) 
Yjet rrëmbejnë e ndezin shpirtin 
Mijëra sy përqafojnë diellin 
Mijëra petale si mirazh dashurie 
Ngrohin shpirtin e qiellin tënd 

E tanëve asht kjo dhimbje jona 
Peshon okë gjak 
Okë shpirti e fjalë zemre 
Dhimbja e prekë qiellin 
Lëshon klithmë shqiponja 
Mbi dymijë vjet e mbajti frymën e fjalës 
E peshën e shpirtit e mat me diellin 

Toka e vendit tim 
Je klithma e zëri i dheut  
Je zjarri e vrulli i njomakut 
Je rrugë e thekur me lotin e mërgimtarit 
Je fushëbetejë brenda nesh 

Fryma jote është e tanëve 

Çdo pëllëmbë toke 
E masim me okë shpirti 
Në qiell jemi të tanë bashkë 

Me kurmin e fjalës tënde


Samstag, 14. November 2020

Murat Aliaj: BAMIRËSI NDËRKOMBËTAR

Tregim nga Murat ALIAJ

     Jam i bindur se edhe miqve të mi u vijnë mesazhe nga shumë anë të botës, e kryesisht nga shtete të Afrikës, ku lajmërojnë se në këtë kontinent të përvëluar, ka plasur peshku. Ka humbur jetën aksidentalisht një bos milioner dhe pasuria e tij ka mbetur e bllokuar në bankë, pasi nuk ka kush ta tërheqë. Në këto kushte, bamirësit e tij, që janë gjithashtu edhe bamirësit tanë, kanë zbërthyer googlin e kanë gjetur emrat tanë. Letrat e tyre kanë afërsisht të njëjtën përmbajtje si:
       “...Disa ditë më parë, në rrethana akoma të pasqaruara ka humbur jetën milioneri Gabriel Aliaj, me banim ne Zaire dhe me aktivitete biznesi në të gjithë Afrikën dhe me depozita të hollash prej 5.5 milion dollarë në Bankën e Zaires. Në këto kushte pasuria e tij, në qoftë se nuk tërhiqet nga ndonjë i afërt, i kalon automatikisht shtetit, ku është depozituar. Ne kërkuam në google dhe gjetëm emrin tuaj i cili fatmirësisht përkon me mbiemrin e të ndjerit. Kjo është një provë bindëse që e shpëton shumën prej shtetit, duke e kaluar në duart tona, e cila do ndahet në mënyrë të tillë: 45 % do i merrni ju, 45 % ne që po e menaxhojmë problemin dhe 10 % do lihen në dispozicion të avokatëve, gjyqtarëve dhe procedurave të tjera ligjore. Që të bëhet e mundur tërheqja e depozitave të tij, lutemi të na dërgoni sa më shpejt, këto të dhëna:
                1. Kopje pasaporte.
                2. Adresën e saktë të vend banimit.
                3. Të dhënat personale të familjes.
                4. Arsimi,
                5. Profesioni.
                6. Gjendja sociale. 
                7. Nr. Juaj i llogarisë etj... etj..  
       Pasi të garantohet tërheqja nga banka e depozitave të të ndjerit do komunikojmë prapë për të ndarë shumën e të hollave, në raportet e sipërpërmendura.
       Gënjehet  i ziu njeri dhe fillon e ëndërron për lepurin e madh që i del nga ferra e papërfillur dhe menjëherë i dërgon të dhënat e kërkuara, që të mos pengohet procesi. E ndërsa vihet në pritje të gjysmagjelit, i vjen letra e dytë nga Gana, me të njëjtën përmbajtje. Thua se gjithë milionerët e botës, paskan pat mbiemrin tim. Por dy gjëra të ngjashme edhe mund të ndodhin, ndaj unë nuk e bëra të gjatë i dërgova edhe këtij të dhënat që më kërkonte. Tashmë isha bërë aksioner në një pasuri milionëshe të cilën po e prisja si ujin në shkretëtirë.
      Në pritje të padurueshme të njoftimit për tërheqjen e çekut, nuk mund ta shprehja dot lumturinë, që së fundi më kishte buzëqeshur fati. I bëra rrush e kumbulla edhe ato të pakta kursime që kisha mbledhur gjatë jetës. Tani s’do kisha më nevojë për to, pasi do mbërrinte çeku që do më bënte të pasur. Kaloi një muaj e dy, por nga ana tjetër s’po bëhej njeri i gjallë. Në krye të vitit më vjen një mesazh tjetër, që ma prishi mendjen. Ai vinte po nga Afrika.
       Këtë radhë milioneri nuk e kishte humbur jetën aksidentalisht, por kërcënohej prej sëmundjes së kancerit në të përbrendshme. Po kështu ai nuk kishte mbiemrin Aliaj, por arsya që e kishte drejtuar tek unë, paskej qenë një shkëndijë hyjnore që i kishte dërguar Zoti para se ta merrte në gjirin e vet. Ai duhej të bënte një bamirësi me përmasa ndërkombëtare para se të shkonte tek shën Pjetri. Mesazhi i tij është i gjatë dhe ka shumë referime nga Bibla. Për të mos më lodhur gjatë leximit, e kishte përkthyer në google. Po kështu edhe unë për të mos e lodhur shumë lexuesin, po jap një përmbledhje sa më të shkurtër:
        “...quhem Donald Ham Humi, nga Koreja e Jugut. Jam 58 vjeçar dhe i ve që aktualisht vuaj nga kanceri i ezofagut. I shtrenjti im Murat, unë ju drejtohem juve për shkakun se disponoj në Bankën e Afrikës shumën prej 3.5 milion dollarë dhe më duhet një njeri i ndershëm, besimtar i përgjëruar i Zotit, i cili duhet t’i tërheqë këto para dhe t’i përdorë për punë bamirësie. Zoti ma solli menjëherë njeriun e duhur nëpërmjet internetit ku unë gjeta emrin tuaj           
       Deri më tani, unë kam shpërndarë para për disa organizata bamirësie në Evropë dhe Kenia. Tani që shëndeti im është përkeqësuar kaq keq, nuk mund ta bëj këtë vetë më. Bibla thuhet në librin e Markut 8:36 (Për çfarë dobie ka njeriu nëse fiton tërë botën dhe humbet shpirtin e tij?) Unë e mora këtë vendim nga shtrati im i sëmurë këtu sepse nuk kam asnjë fëmijë që do të trashëgojë këto para…”
        Etj etj etj.
        Hajde e mos u fut në tundim pastaj! Tjetri do të bëjë bamirësia ndërkombëtare e ne që kemi kaq shumë nevoja, të mos i japim mbështetje. Pa e bërë të gjatë iu përgjigja duke e siguruar se qysh kur mora vesh problemin e tij shëndetësor unë u lidha me të plotfuqishmin, duke i bërë atij lutjet më përgjëruese që nuk ia bëri asnjë i gjallë deri më sot, për shpëtimin e jetës së mikut tim Donald. Natyrisht që i shpreha edhe gatishmërinë time për ta ndihmuar në shpërndarjen e bamirësive.
        I entusiazmuar prej kësaj gatishmërie, Donaldi më dërgoi mesazhin tjetër në të cilin më lutej t’i dërgoja urgjentisht të dhënat standard që kërkonin edhe bamirësit që kishin humbur jetën nga aksidentet.
         Sigurisht që do ia dërgoja edhe ato, por paraprakisht i bëra të ditur se krahas lutjeve që i bëja Zotit për shpëtimin e shpirtit të mikut Donald, unë isha lutur Zotit të shpëtonte edhe jetën time të kërcënuar prej covid−19. I bëra të qartë se ai e dinte mirë ç’do të thotë të ndodhesh në prag të vdekjes e pa para në xhep, ndaj bamirësitë e tij duhej t’i fillonte duke ndihmuar së pari mikun e tij i cili e priste ndihmën si ujët e paktë në përvëlimin e shkretëtirës. 
       U bëra optimist dhe ia bëra kabull vuajtjet covidit. Me të mbërritur çeku i Donaldit edhe ai do ma merrte të keqen
       Pasi e mendova gjatë këtë punë, duke fluturuar prej gëzimit, i ktheva këtë përgjigje:
        I nderuar mik Donal!
        Prej çastit që mora vesh për fatkeqësinë tuaj, i lutem Zotit çdo çast, që t’ju shpëtojë juve dhe mua nga e keqja që na ka zënë dhe kam besimin e patundur se ai do e dëgjojë lutjen time. Nga sa marr vesh nga mesazhi juaj ne të dy jemi në një gjendje të pashpresë për jetën. Ju i sëmurë nga kanceri, kurse unë nga covid−19. Ndërsa kemi të përbashkët rrezikun që na kërcënon, kemi të ndryshme ca gjëra të tjera. Unë or mik kam nevojë për ndihmë, ndaj ju lutem që misioni juaj i bamirësive, të fillojë nga unë, pasi nuk kam mundësi të përballoj as terapinë mjekësore. Unë besoj se Zoti përsëri e bëri mrekullinë, duke na lidhur së bashku në momentet tona më të vështira për jetën.
      Ndërsa unë i lutem Zotit vazhdimisht për shpëtimin tuaj, ju lutem gjithashtu edhe juve, që para se të fillojmë bashkëpunimin tonë bamirës, të më ndihmoni me të holla, sa më parë që të jetë e mundur, pasi virusi im po përparon, duke më kërcënuar seriozisht jetën dhe ka mundësi që shpejt ta bëjë të pavlefshëm misionin tonë bamirës. 
         Isha i bindur se shpëtimtari im, do e merrte në dorë situatën dhe s’do më linte të shkoja dëm. I dërgova edhe të gjitha të dhënat që më kërkonte, me përjashtim të Nr. Llogarisë time, e cila atij s’ka ç’i duhet dhe pasaportës e cila në gjithë botën është për përdorim personal. Kaluan javë e muaj dhe miku Donald nuk u bë më i gjallë. Nisa të shqetësohem për të dhe mësova se ai vejushi, kishte tre gra që i zbukuronin jetën. Faqet e tij skuqnin si molla dhe kanceri i ezofagut e kishte privuar vetëm prej pijeve alkolike të cilat ia kishin nxirë jetën. Iu drejtova i shqetësuar në postën personale internetike dhe ai prapë nuk mu përgjigj.

       Atëherë i shqetësuar u ndala dhe përsëri iu luta Zotit ta çonte në parajsë shpirtin e mikut tim.

Donnerstag, 12. November 2020

Haxhi Muhaxheri: SHËN GRIGORI YNË


SHËN GRIGORI YNË

Është i vetmi gjysëmgrek 
që flet Gjuhë Perëndie 
dhe shkruan shqip
si Thoti 
e ndonjëherë
ulur në gjunjë
puth përmallshëm
shkabën në flamur

Përbesë
është dreq poet Ai
me fjalë deh dhe muzat

Është i vetmi shenjt
që vit për vit
bekon Vreshtat e Dionisit 
dhe para lindjës së diellit
pajton Perënditë

Por s'është fisniku i vetëm
me gjakun blu
si të Gjergjit e Nënë Terezës

Lum ata të lumët që e njohin

-

Haxhi Muhaxheri, 12. 11. 2020

Montag, 9. November 2020

Tri poezi të shkrimtarit Ymer Shkreli, me rastin e ditëlindjes së tij.


Me rastin e 75 vjetorit të lindjes

 
FLAMUJT E KASHTËS

të parin flamur e ngulni në zemrën time
të parin flamur pas besës

unë kam vetëm një zemër dhe një tokë

në tokë shkilni të gjithë me mëkatet
për zemër e pritni radhën

të dytin flamur e ngulni në majë të gjuhës
të dytin flamur pas gjakut

unë kam vetëm një gjuhë dhe një djep

në gjuhën time betohuni se jeni vëllezër
e në djep betejë e madhe ju pret

të tretin flamur e ngulni në shpirtin tim
e hiqni vallen e shtogut

o unë kam një Kosovë dhe një flamur

në Kosovën time e hidhni farën
e fluturën e keni flamur

të katërtin flamur e ngulni në majë të botës
e maja e botës është në kokën time

hej unë kam veç një kohë për betim

kokën time e shqelmoni lirisht si djallin
se betimi është ky që dhashë




ASGJË PUNA JOTE O ALI BINAKU

ti thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu me ushtritë e marra
e kalorësit të kthejnë në konaqe të bardha

ti thoshe he t’u thaftë goja

e në ballë të oxhakut luajnë shtrigat
e pjekin kafe për dorasët e verës
e fëmijët edhe lumit ia ndërrojnë kahjen
e qentë i lehin shiut e breshërit
e mali e shiti edhe atë hajdutin plak
e pleshtat e qëndisën edhe ylberin në gjoks
e ti thoshe
he t’u thaftë goja si rrasa në diell

asgjë puna jote o ali binaku
as e bijve e nipave as stërnipave të tu
se ara pa ujë e mallkoi edhe diellin
e rrugët s’po prekin gjunj mbi dhé
e megjet po tirren në futa të zeza
e pullazet janë të vetmit qefinë për ditët
e varret po heqin lule prej zemrave tona
e zanat po qëndisin shami të djegura
e ti thoshe
thoshe

heu prieçat e tua po i bajmë si flamur
dhe erë e rëndë po ngatërron në mjegull
o ali binaku ti njeri pa oxhak

se tani edhe minjtë po të luajnë në santraç
pra thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu i rëndë si vdekja
e kalorësit të kthejnë në konaqe të fjalës
e besa të shtrohet trojeve si flakë
po ti thoshe he t’u thaftë goja
e u bëfsh qyqe mali atje në maje
ku zemra s’prek e syrin e ndjell lakmia



TAN SALI

piu ujë me gjarpër
fjeti me zhapinj
shtatëdhjetë vjetët ia qepën kapakët e syve
për një sy gjumë më vonë

ushtria e tij
shiu era zjarri

kur ngjesh armë e akuj tan sali
e merr lemza malin
gokëson shkëmbi

fluturat e tij
jetojnë shtatë ditë
ai shtatëdhjetë vjet

kur i mbyllen lulet tan salit
ndërron moti
edhe zogjtë heshtin para shiut

ai nuk e mat kohën
ndaj i besoj asaj

oh tan sali

t a n   s a l i

____________

Poezitë i ka përzgjedhur z. Shaip Beqiri

Samstag, 26. September 2020

Poezi nga libri më i ri i poetit Naim Fetaj, "Zogjtë nuk ndërrojnë fytyrë".


 
ZOGJTË NUK JANË SI NE

Këndojnë zogjtë në pikë të dimrit
Se pa një këngë të re nuk dalin në pranverë
U përzien stinët dhimbja dhe sëmundjet
Si pula pa kokë sillet botë e mjerë...

Zogjtë nuk janë si ne fytyrë nuk ndërrojnë
Nga mërgimi tek lisat e vjetër kthehen
Të krimbur na shohin dhe këndojnë sërish
Ndoshta na ruajnë nga ndonjë krimb tjetër

Rreth globit duke kënduar janë endur
E çfarë nuk kanë parë tokës së qelbur
Mbi kokën tonë rrinin për t'u djegur

( Ah ...sa shumë janë vetëvrarë )

Pa zogj o Zot
Ku ka stinë të bardhë…



TË KAM PËRKUNDUR NË KËNGË...
( Për nënën time )

Buzët edhe dhembjen i kam gri me dhëmb
Sikur krejt ninullat ...atëbotë në prehrin tënd

Edhe nëpër ëndrra të kam pritur ty
Qatje bile desha të mbetem fëmijë...

Po ikin vitet nëno ...sikur uji ndër ura
Edhe sytë kanë shterur si në bjeshkë do gurra

Trembëdhjetë vjet pa ty ...një jetë e rëndë
Gjallë të mbajta në vargje ...
Të përkunda në këngë



DIÇKA E PA THËNË PËR NËNËN...

Kur i fola njëherë për dashuri
Thashë e ndezi botën
E vetë desh u bë hi...

Mesnata më duket se u bë mëngjes
Kur foli për veten
E për një mace në thes

Më puthi në faqe
E sytë iu bënë diell
Dy herë në vit
Kam parë aty pranverë...

Ah sytë e saj
Sa një det të thellë…



KULLA E JETËS...
( Për Kullën e Jasharajve )

Themelet i ka në gjak
E kulmin në legjendë

Çdo guri aty është këngë
Çdo guri aty ka jetë

Është si e Oso Kukës
Si e Kamer Loshit është
Kullë si e Tahir Mehēs
Që gjoksin ia qet vdekjes...

Ajo është Kulla e Jetës



HERË E FSHEH DHE DIELLIN...

Asnjëherë dielli nuk është kthyer pas
As hijet e dëshmorëve që dënesin përmbas

Liria është e madhe
E mbulon dhe qiellin

Po herë ta verbon syrin
E herë e fsheh krejt diellin

Mbi ca kuaj të verbër
Këtu e sjell krejt ferrin…



PRANVERA NË KOSOVË...

Tinëz zbret ngadalë
E ndalet përmbi varre
Aty ku të gjallët e kullojnë
Gënjeshtrën e madhe...

Përbirohet maleve
Po e gjuajnë me plumba
Se dimër e duan
Ca hije me gunga...

Pranvera në Kosovë
Nuk zbret për së mbari
E rëndë sikur hekuri
E ftohtë sikur varri…



DOSJA PA NUMËR...

Binin zogj si breshër nga qielli
Me breshëri plumbash të çarë në mes
Mjegulla solli vdekjen e burrat ranë te lumi
Aty e mbrapa...kush s'ka pa mëngjes...

Vajin e fëmijëve e kanë përkundur lisat
Gjak e tambël kur pinin nëpër terr
Për gra e vasha as Zoti nuk dinte
Se ishte tymnajë si nëpër ferr...

Prej fshati në fshat
Me zorrë nëpër këmbë
Dhe t' vdekurit vinin pas
Me shpirt ndër dhëmbë

Mallkonin plakat ...
Breg rruge sy si gaca
Do të çelet qielli thoshin...
Po larg ishte Bllaca….



NËPËR DRAGOBI...

Kur i nisëm luftërat
Na duhej në ballë një burrë
E kur u nis tradhtia
Kërkonte Bajram Curr

Mbi gjak e eshtra ecim
E mend s'u mbushëm kurrë



TE MAJA E STRELLCIT...

Atje rrufeja vret një herë në vit
Po toka e qielli fytas shkojnë çdo ditë

Atje Guri i Nuses rri përmbi legjenda
Nusen fsheh aty a zotat i ka brenda

Vaji i nuseve kur e zhbiron qiellin
Tri ditë e tri net askush s'e sheh diellin

Lisat bëhen nuse e nuset bëhen zana
Me lot fëmijët andej i lante nana...

Sa herë njerëzia që mori malin
Te Maja e Strellcit ...gjëma e dogji strallin…



VARRI I HAPUR...

Mes varresh diku
Tek një bli i madh
Si një gojë mali
I hapur rri një varr...

Një nënë aty e varrosi dhembjen
Meit e bëri dashurinë
E shtriu edhe këngën...

Aty
Në dhe e futi lirinë...

Lirinë dhe të zezën jetë
Dhe pret e pret e pret
Dy eshtra nga djali

Tash e njëzet vjet….




GARDH GJYMTYRËSH...
( Si vajtim i ri )

Qielli po loton bashkë me ne
Kur të tjerët tokës sonë po i thonë atdhe

Asnjë zog askund nuk mbeti në ahishtë
Edhe dielli e hëna tinëz mbi Kuqishtë ...

Nuk ka më këngë andej legjenda as eshkë
Zana e Shtojzovalle shituan një bjeshkë...

Zezëdita i dogji krahët e një vjeshte
Kur plasën zanorët në mes të çdo vjershe

Vajton sërish Ajkuna e tinëz dënesë mali
Me gjymtyrët tona rishtas po thuret gardhi….



KUR E VIZATUAN EVROPËN...

Nëna na la herët e u rritëm jetimë
Për babën s'dinim shumë
Por thonë se ishte trim...

Njëmijë herë për Trojën na ka djegur malli
Kopil tek dera ...ka mbetur vetëm kali

Edhe plakave thonë ua kanë vu flakën
Prej Odiseut e fshihnin Itakën...

E ne me ninulla e kënduam gjithë botën
Mbi hirin tonë kur vizatuan Evropën…..



SI HISTORI...

Kur linda unë ...në këngë rronin trimat
E nëna më thoshte vdis
Ku bashkohen Drinat

Tek Ura e Fshejtë e shituan të ngratën

Pastaj të vrisnin ditën
E festonin natën

Atë ditë e sot thonë
Dreqi end uratën…



RINGJALLESH PREJ HIRIT...

Ta gozhduan relievin tash
Për një kryq të madh
Si një lëkurë dhie
Si lëkurë për tupan

E kripën e regjën e tkurrën
E bam e bum e bam
Bri ngjitur s'të lanë

Lumi përtej i bartte gjymtyrët
Dhe gurët e kufirit

Duke kapërcye ylberin dëshmorët
U plasi bebëza e syrit

Mes varresh një foshnje
Kërkon tambël të gjirit...

Moj Kosova ime...
Ringjallesh prej hirit.



VALLJA E TROPOJËS...

Dolën prej shkëmbi a pikën prej qielli
Pluhur e mjegull ku mbeti vallë dielli
Edhe zogjtë e malit prenë këngën e gojës
Bam e bum kur nisi ...Vallja e Tropojës

Shkrepat u stepën u rrudhën edhe lisat
Trimat e bajlozët heshtën
E dukeshin vetëm plisat
U zgjuan legjendat ...zanat... shtojzovallet
E bam e bum tupani në valle hynë dhe malet

Vashat hidhen lartë donë ta kapin diellin
Burrat tundin tokën e dridhin edhe qiellin
Çahet edhe bjeshka e digjet logu i lojës
Kur merr flakë e ndizet...Vallja e Tropojës



DITË PROTESTE...

Ende nuk janë ndarë dita dhe nata
Një acar i egër djeg sikur flaka
Kot ca hije të zeza brigjeve kanë zënë pritë
E bardhë e bukur... ngadalë zbret kjo ditë

Zbardhet horizonti sheshet mbushen jetë
Zhurmojnë edhe zemrat si koshere me bletë
Zbret kjo ditë proteste si për teh të shpatës
Ua verbon sytë... lugetërve të natës




PEIZAZH I VDEKUR...

Zgjohen të vdekurit e vdesin të gjallët
Shahen mes veti nuk dëgjojnë as malet
Ikin të rinjtë po zbrazën mëhallët...

Ah, liria ime
T'i hëngri qeni fjalët…




QENTË E ÇARTUR...

U bënë bashkë në muzg e u nisën për gjah
Herë hidheshin në dy e herë në katër këmbë
Qençe i lehnin hënës se ishte e plotë
Çeta e qenve në terr që dukej si një flotë

Kështu bënin prore kur mbushej hëna
Qentë e çartur të një katundi të ri
Pas u shkonte gjëma gjak e jargë ndër dhëmb
Të grithurat e tyre s'i shkelte njeri

Vinin nga çdo anë sa herë skuqej nata
Tokë e qiell i shponin me ulërima
Si në sahat të dekës lutej njerëzia
E lisat më të gjatë i çante vetëtima...

Qentë e çartur kur vinin tek lëndina…




KUR VJERSHA JOTE VDES

Mos i mbledh vargjet si gështenjat e krimbura
Sa për të thënë... e mbusha një thes
Se duhet pastaj të hapësh edhe të pamën
Në mbrëmje dikur...kur vjersha jote vdes



BILBILI...

U trishtua i gjori se iku kjo verë
Tash vajin edhe këngën e marrin ca tjerë

Sorrëshkina e korba e kukuvajka
Që ndjellin sall kob e këngës i bëjnë lajka

Na la gojëhapur në sqep e mori verën
Bebëzat e qiellit i shprishte sikur erën

Do të gjejë ai vend do ta gëzojë këngën
Si furtunë si shi neve na e la dhimbjen

Kokën e la pas...mbrapa i mbetën sytë
Kush i këndon kobit... i plasshin të dytë!



KUR IKËN MJEGULLAT...

Kur hapej qielli thoshin
Plotësohet një dëshirë...

Sa mirë, ah sa mirë !

Iku një kohë e iku krejt një shekull
Vite e decenie plot me mjegull

Kot shikonim qiellin yjet sikur zjarre
Kur ikën mjegullat na gjetën nëpër varre

Të vdekurit i varrosëm
E vetë po rrojmë për marre…




DRITARJA PA TY...
( Mikës së rinisë...)

E mbyllën atë dritare a mua më lanë sytë
Ç'u bëre moj...m'i plase të dytë...

Këta lot e kjo mjegull
Kjo terrinë në sy
Tabut po më dukët dritarja pa ty

Na paçin në qafë
Mori bukuri…




IM ATË...

Drithin e fshehte prej shkive
Si kajsitë prej thive

Larg shpije në tokë e fshehte
N'hambar të perëndive

Pas darke
Unakët e zjarrit i shprushte në votër
E fliste për trima
Për Shkup e për Shkodër...

Dimrin me këngë e priste
Si pëllumbat e egër mbi kodër




KUR VDES NJË POET...

Fusha e male rrudhën... bëhen sikur gogël
Shtatë tërmete lëkundin një det
Shtatë gjuhë dhimbja i flet
Kur vdes një poet...

Nënave thonë nis e u kruhet gjiri
E vashat qajnë si foshnjat në djep
Edhe varret shtyhen vetë e bëjnë një vend
Shtatë qiejve dhimbja u flet
Kur vdes një poet...

Tokë e qiell merren ngryk si fëmijë
Edhe rrjedhat thonë... seç merren në gji
Krejt globi atë ditë nis e vajton
Diçka si lot... si shi diçka rigon

Yjet krej seç turbullohen
Edhe mbi hithra ...atë natë rrufeja vret
Askush nuk e di kur zbardhet a terrohet
Shtatë pash nën dhe dhimbja seç flet
Bota krejt nxihet... kur vdes një poet...

Toka del prej orbitës së vet
Vargjet vajtojnë ndër vjersha
As dielli me hënën nuk flasin sa e sa net
Kur vdes një poet...




EPITAFI PËR MIKUN TIM POET...

Yni ishte ai
Nuk ishte i huaj
Si ky epitaf që s'desha ta shkruaj

Është lagur shumë nga pështyma juaj
Herë për një këngë
E herë për një vjershë
Strehëve nëpër vjeshtë
Poeti i madh me zemër sa një bjeshkë...

Nuk erdhi me ju dhe pshurrej mbi pushtet
Vdiq fukara
Po vdiq poet

Se ishte sa një det…




E BANI ME VAJ DHE QIELLIN...
( Për të madhen Fatmira Breçani )

Tek Liqeni i Zanave vashat ndalën vallen
E prapa Gurit të Shpuem Halili pyet legjendat

Kalave sot pse u lëkundën bedenat

Kroje e currila pse shtyhen mes veti
Ku të mbytën diku në Valbonë a n' gjeti

As dallgët me turr pse s'po i gjuan deti

Edhe zogjtë e malit tek erdhën prej Deçani
Kur e nisi këngën Fatmira Breçani...

Dita e nata thonë nuk donin me u nda
Pëllumbat u kurthuan atje për hava
Valbona shtynte valët
E valët s'rrinin brenda
Valët e Valbonën i ka shitu’ kënga...

Zhdirgjet historia malit edhe fushës
Me atë zë bash si krismë e pushkës

As syzeza më nuk kjante mbi dërrasë veku
Pas shtatë bjeshke thonë qenka shkri orteku

U hutuan lisat u rrëqeth krejt mali
E bani me vaj qiellin...Fatmira Breçani !




THONË SE VDIQ NË KËMBË...
( Për Xhemajl Fetahaj )

Rrugën thonë ia lëshonte
Shkëmbi edhe ahu
Ku e hidhte hapin... Xhemajl Fetahu

E krejt Kosharja i rrinte te krahu...
Nuk ka gurë këtu as piramida

Në Shqipëri po vdes se këtu u linda
Këngën tash ia endin... zogjtë e mirë në rremb
Nëpër atë ahishtë... ku thonë se vdiq në këmbë




GJATË NATËZEZËS...
(Për Saim Tahiraj)

Dimrat i çante e ua lidhte gojën
Trup e trup mes borës
Truponte dhe Tropojën

Guri i Shpuem thonë e mbyllte syrin
Gjatë natëzezës kur kalonin kufirin

Nuk duhet shkruar shumë
Për këtë trim Belegu
Se shumë i ka thënë edhe Sali Çeku

I thonë edhe rrugët e lara me gjak
Tropojë Beleg e deri në Karadak…




MALLI MË TMERRON...

Shpirti im si ujku bredh e nuk gjen vend
Unë si shelg i vjetër lotoj për syrin tënd...

Malli më tmerron
E dhimbja po më çmend

Qysh ike si një zog
E më lë pa këngë…




SKICË PËR BIOGRAFI...

Një herë në jetë... thashë se u bëra zog
Po në çerdhen time... më s'u ktheva dot

Kalova dhe ylberin po më doli ndryshe
Rrugëve të botës tash... endem sikur qyqe

Me këndua di... po zë për këngë nuk kam
Tash ky vaji im trishton krejt dynjanë

Ah ky vaji im... disi pak më ndryshe
Çerdhen ma prishën hardhucat me do qyqe…




PENGU...

Retë u shkopsitën si këmisha
Krejt çuditërisht
Mërdhezur si gji vashe edhe dielli doli
Krejt rastësisht

M'u kujtove moj...sa shumë të pata ndjekur
Si këtë diell vjeshte tash...
... e kurrë s'të pata prekur

Prapa diellit diku
Jam djegur...jam djegur




MIKËS SË RINISË...

Edhe në më vrafshin bash si Sali Sylën
A si Zekë Hajdinin...
... pushkët më bëfshin shoshë

Kam me ta zënë rrugën diku kësaj vere
E me ta puthë atë faqe
E tymi i daltë si në Loxhë…




E LUMJA DASHURI...

Sikur të burgosurit që ndajnë qelinë
Ashtu disa e ndajnë dashurinë

Në radhë princat prisnin Penelopen
E për Helenën zotat kanë lënë edhe kokën

Sa e sa helmin për ty e kanë pi
E sa të kanë mbajtur me gjarpër në gji

Janë rrënuar qytete ushtri e mbretëri

E lum e lum për ty e lumja dashuri
Fjalën e fundit... kush s'e tha për ty...

E ëmbla... e mira... e dashura
... e jona tragjedi




...DHE NDOSHTA S'NA KA HIJE

Shtatë palë qiej i shprisha
E të rashë në fije

Ty ylli i jetës sime
Me nur Perëndie

Të gjeta e të putha e të lash ndër yje
Se jemi plakur thash
E ndoshta s'na ka hije...

Edhe hëna disi
Shpinën na e kish kthye




PAK FËMIJËRI...

Vashat i varnin dy qershi në vesh
Ca tufë kallamboqi çunat si mustaqe
Herë nxihej herë zdritej herë terrohej fare
Kur takoheshin duart kur puqeshin dy faqe

Nuk kishim shumë se ishim dorëhollë
Dimrit në një arkë t'i ruaja dy mollë
Ah ato dy mollë qysh me t'i dhënë ty
Me ma dhënë krejt botën s'të shikoja në sy

Kur e vrava frikën tjerët të vranë ty
( Të mbyllën në shtëpi )
Sikur dimri vjeshtën të mbanin për votër
Mbeti fëmijëria si një mace nën sofër




MIRË QË JANË GËZHOJA...

Në një lis dikur i shkrova dy germa
Emrin tim e të saj ... siç m'i donte zemra

Janë vrarë njerëz andej lisat kanë marrë flakë
Unë ajo e shkronjat
Sa shumë jemi plakë...

Kur shkoj tek ajo pishë
Kur i shoh dy shkronja...
Sa plumbi aty t’më marrë
Mirë që janë veç gëzhoja…




LE TË MË VRASË ERA...

Nuk e kthej gëzofin
Andej kah fryn era
Kur hyn e del ti
Mbes me kokë kah dera

Le të më vrasë era dimri apo diejt
Vdeksha aty ... ku ti më puth meit




... DHE IKIN VITET

Dhe ikin vitet si fëmijë të pshurrur
Buzëqeshjen disi...ia lënë vitit tjetër
Ne çirremi si fëmijë mbi vitin e vjetër

Rinohen kështu vitet e nuk plaken kurrë
S'ka gjë se u vjen nga pak era shurrë
Burrërohemi e plakemi
E veç fjalë këpusim me dhëmbë

S'ka gjë se jetuam...me tlina nëpër këmbë




GJARPËR ME PIKA...

Ai kishte sy të kuq si gaca në kashtë
Verën flakë e kalli sa herë doli jashtë
Lëkurën e ndërronte shtatë herë në ditë
Birucave lëkura i mbeti
Në shtatëdhjetë pritë

Disa e donin si Orën e Shtëpisë
Për disa gjëma moti kishte nisë

Ai ikte prej pulave ne iknim prej tij
Prej gjarprit tonë me pika

Që dukej kuq e zi

Donnerstag, 10. September 2020

Buqetë me poezi nga Ajne Ibërhysaj

Ajne Ibërhysaj



ATO PAK GRIMCA LETRE

Jeta i ngjanë një cope letre
Vjen një çast e zemrën e çjerrë
I rrënon të gjitha ëndrrat
Nëse mundesh flake edhe veten
Në ato grimca dashurie
Që ty të duken me pak vlerë
Ato ngjajnë me zemrën e tretur
Të mbuluar me puthje të heshtura

Ato pak grimca letre
E ndryshojnë edhe natën e varrit
E ty të gjitha të duken pa vlerë
Të mbushura me plot hidhësi
Mos harro
Se brenda tyre je vetëm Ti
Ndryshojmë ne e ndryshojnë stinët
Ka diell po ka edhe shi e stuhi
Jeta s’do kishte kuptim
Pa do pika hidhësi...



NJË DITË TË GJITHA TRETËN
 
Para vetes ke një udhëkryq 
Të mbërthyer në brenga
Me rrugë të pafundme
Përplasesh me shumë dilema
Ke një qiell me plot yje
Një diell me përqafime

Mos u gozhdo me ndjenja 
Se mes ëndrrash fati kryqëzon 
Miklon e shpesh ngushton fytin 
Shtrëngon duart
 
Nuk je vetëm
Sonte 
Shoqëron gota e verës 
Me naze i flet 
E përkëdhel 
E xhelozon 
Shpesh nuk i buzëqeshe 
E din se shpirti dhemb

Ti njeri 
Bekimet të shoqërojnë 
Nuk je i vetëm në këtë botë
Se një ditë të gjitha tretën
Çdo njeri ka bekime e lot
 
Ngrihu 
Mos e shtrëngo atë qafëhollë
Se një ditë
Hallet t’i gllabëron gjiri i tokës
Përqafo dhimbje e buzëqeshi jetës
Shijoje dhembjen e verës
Se një ditë të gjitha tretën 
Harrohen 
Bile edhe Ti 
Së bashku me dhembjen  tënde



FJALA VRET EDHE DRITËN E SYRIT 

Mos i lëndo fjalët
Se zjarri i fjalëve të djegë
Trupin ta dërmon
Mendjen ta ligëson
Shpirtin ta dërmon
 
Kujdes kur flet 
Se fjala edhe mund të shitojë
Me te mund të vrasësh gjithçka
Pafajësia e fjalës
Nuk është as në qiell as në tokë
 
Fjala mbetet e gjithmonë jeton 
Hidhësia të mbetet në gojë
Them se luftërat më të egra 
Me fjalë janë bërë
 
Fjala vret dritën e syrit 
Godet si plumb
Vranë miqësi e dashuri
Fjala ndëshkon
Edhe damarët e gjakut
 
Por fjala gjithmonë shndrit  si ar
Fjala dhuron  lumturi 
Fjala rëndë peshon 
Besa e fjalës është lapidar



NË ZEMRËN E QYTETIT TË GURTË 

Qyteti m’i ngjanë një i udhëtari të huaj 
Duket i ftohtë, akull 
Tani e sa kohë 
Vetëm dielli i zbehtë rrugët ndriçon 
Gjithçka e zymtë 
Edhe gurë dhe drunj 
Secili njeri rëndë merr frymë 
I ngarkuar me sindromën e shtegtimit 

Bredhi në këtë qytet të ftohtë 
Kafshimin e fjalëve e dhembje plagësh 
E ndiej në çdo gjëmë të shpirtit të tij 
Kësaj maratone jete fundi nuk i duket 
Me plasje duarsh e xhepa bosh 
Hidhësia e kafesë helmon ditën 
Fytyra të trishtuara nënash 
Me fëmijë në parzma 
I presin rrugët e pafundme

Rëndë eci rrugëve të këtij qyteti të ftohtë 
Hy në zemrën e qytetit të gurtë 
Aty brenda pushon dimër i madh 
Një geto e dhimbjes së njeriut 
E brenda vetes 
Digjet shpresa e një dite tjetër 

Endem rrugëve ku mëshira ka ikur 
Dielli lind e trupin nuk e ngroh 
Qytet i ftohtë si zemra e gurit 
Dëgjon fjalosje për hiçgjë 
Zhurmë fjalësh e debatet boshe 
Vitet e fjetura ikin e vegimet shtegtojnë
E në ëndërr perëndimin e diellit shohim




YJET NA SHOHIN NDRYSHE

Ecim mes ëndrrave dhe dëshirave
Shpesh përflakim veten  me to
T’i mbledhim rrezet ta bëjmë një diell
Presim t’i shohim yjet
Yjet na shohin ndryshe
E ditët zhveshin e vjelin besimin
Ngjajmë si pyjet pa gjethe
Jeta si stuhi deti
Lundrojmë mes tallazeve 
Ëndrrat qeshin 
Shtrëngojmë duart e lutem drejt qiellit
Se rrugëtimi është sa një frymëmarrje 
 
I shenjtë çasti i bekuar 
Bashkë me fatin diku nxitojmë
Pikë dashurisë
Pikë shpresës
Pikë vdekjes 
Jetë vdekje rilindje 
Trinom i përcjellë
Me trishtim dhembje e gëzime
 
Me Even shenjtërohem
Çuditërisht biem e mbetemi të mjerë
Gotën e jetës bashkë e shijuam 
Nuk e di bota çfarë ka brenda 
Ngjanë si pikë vese 
Nuk i dihet 
Një çast prek diellin 
E në anën tjetër
Përqafon qiellin..



SOT DUA TË PI KAFE ME TY 

Thjeshtë dua të pi kafe 
Me diellin e syve ty 
Me fytyrën flakëruese 
Me buzëqeshjen tënde 
Me shpirtin e shenjtëruar 
Me madhështinë e shijes së kafesë 
Sot dua të jem me ty
 
Ti je shija e kafesë 
Më dhuro pak grimca 
Të mirësisë e shpirtin tuaj 
Më rrezato trishtimin 
Japi ngjyrë kafe hidhërimit 
E ngrohe shpirtin 
E bëje të lumturuar 

Sot dua të pi kafe me ty 
Thjeshtë të pi 
Me ndenja për miqtë 
Edhe për miqtë shtegtarë 
Që ditët na i vodhën 
E vetëm net na dhuruan 
Sot, sot të pi kafe

Për ëndrra, për ato ëndrrat 
Ndoshta unë nuk kam ditur 
Të ëndërroj sa duhet... 


Do pi kafe edhe për ty 
Por mësohu me buzëqeshjen time 
Leri trazimet të ecin tutje 
Se vitet ikin por në kalendar mbesin 
Si gjurmët e gishtave 
Si dëshirat në filxhanin e kafesë 

Të lutem 
Eja të pimë kafe 
Harroi kujtimet e premtimet 
Asgjë nuk mbetet e përjetshme 
E shija e kafesë 
Ndoshta na ëmbëlson jetën 

Sot 
Thjeshtë dua të pi kafe me ty 
Se ti e shija e kafesë që vini si aromë 
E ditëlindjes...




MË PRANO ASHTU SIÇ JAM

Puthja ime i dashur
Ka ngjyrën e shpirtit 
Ka peshën e dhimbjes 
Ka mallkimin e fjalës 
Ka frymën e trupit tënd
Ka bekimin e perëndive

Më puth i dashur 
E dehu me mua
Nata mos të ikën
E dielli le të harrojë të lind
Mëngjesi të na gjejë të shtrënguar 
Ashtu si vathë qershize 
Ndjenja ka përcëlluar 
Në ballë lexohet 
Sytë e ty flasin 
Je dashuruar

Me valsin e puthjeve 
Të kalërojmë nëpër kështjellën 
Të cilën perandorët nuk e pushtuan
Me prano ashtu siç jam
Nuk kam faj
Pse balerinë puthjesh kam qëlluar
Ka kohë që të kam dorëzuar
Me puthje do ta vras shpirtin tuaj
Se të dua...




GUNË DASHURIE NË VALBONË

Në Valbonë aty ku rri ora Shqipnisë
Mes kurorash e shtigje t’mprehta
Dimrat e gjatë i shkrinë guna e dashurisë
Me të shenjtërohet edhe mëkati i Shën Mërisë
 
Në ato maja malesh ku bardhësia pushton 
Gjatë gjithë stinëve
Shkëmbinjtë i puthin akujt me dhimbje
E rrezet përmallshëm shpërndahen
Me borën përqafohen gjethet
Deri sa të shndrit syri i pranverës

 
Në Valbonë dielli thyhet mes dertesh
Bora i pushton shtigjet e ndanë dritë
Fshehtas do gjej një shteg bese
Me imazhin tuaj t’i nisë mëngjeset
 
Shtojzovallet lozin me vetminë
Të rrëmbejnë e kallin trupin si stuhia
Ta grijnë syrin e shtohet mëria
E në pikë të verës të mërdhijnë ngricat
 
Eci mes shtigjeve të Valbonës
E mbështjellë si ujëvare valësh
Dikur moti gjyshi 
Në këto anë kishte kaluar dimra 
Duke i fal shpirtit flakë e valë
 
Eci brigjeve të Valbonës
Edhe dhembjet rrokullisën si ortekë bore



KOMBI IM...

Kombi im 
Të kam si shtjellë ajri 
Ma mbështjellë e drithëron trupin
Trete errësirën e shndrite qiellin
Kombi im
Të kam diell
M’i ngrohë dejtë e gjakut 
Nga hiri njomesh e mban bajrakun 

Kombi im 
Të kam rreze drite
Gjallëron shpirtin 
I vret çakejtë me syrin e shqiponjës 

Kombi im 
Të kam dritë syri e flakë zemre 
Fjala shqipe rrjedhë si vala 
Godet shekujt me gjak pellazgu

Kombi im 
Të kam fron në tokë e qiell
Syrin det e shpirtin mal
Gurë e dru bëhen hi e Ti Rilinde 
Nëpër shekuj frymove Ilirinë

Kombi im 
Të kam nënë e babë 
Emrin ma bekove
Me diellin u shenjtëruam 
Me emrin Shqiponjë...




MBI LOTIN E FUNDIT

Këto rrugë sikur të kishin gojë 
Të rrëfenin për fjalët e njerëzve 
Çfarë flitet e pëshpëritet pas shpine 
Sikur të godisnin 
Fytyrën e mjegullt me të vërtetën
Sikur të godisnin e zgjonin ndërgjegjen
T’i trazonin e t’i shkundnin mendimet
T’i braktisnin e t’i degdisnin hidhërimet 
Sepse ndjenjat 
Dua të mbeten me ftohtësinë e yjeve 
Vetëm dëshira e fundit fjalë 
Të dehet me frymën time e tënden
Me pafundësinë e pendimit

Sikur era e bartë lotin e retë rëndohen
Ngushëllon heshtjen e shpirtin gërryen 
Sa të lehtësuar do ishim në zemër
Kjo rrugë e fundit e shtruar me lot
Bëhem mall i mallit të përqafimit tënd

Mbi lotin e fundit
Sikur shpejtësia godet zemrën e vdekjes 
Mëshirën e mërisë e përkul pikëllimi
Pesha puthjeve bie mbi trupin e ftohtë 
No pasaran 
Buzët mbesin vula e fundit

Si fantazmë inati me veten 
Vetëm heshtja e zjarri i mërzisë 
Më qëndrojnë aq pranë në këtë çast 
Sa pak paskam dashur në këtë botë

Kjo ditë po ikën me dashurinë tonë
Të mirët ikin lehtë 
Si me krahët e fluturës 
Aq shpejt ikën e ikën bashkë me erën
Dhe, një ofshamë e një afsh pikëllimi
Ma mbështjellin frymëmarrjen e pendimit

Frymëmarrjet dhe rrahjet e zemrës 
I numërojmë me shpejtësinë e ikjes 
Sikur tretëm nga vetja në këtë jetë 
I ëmbli qortim e i mjeri mallkim
Godet lehtë mirësinë e shpirtit
Kjo makinë bartë pengun tim e tëndin
Malli digjet me shkrumbin e ikjes
E shpirti e matë kohën 
Me frymën tonë e pikëllimin 
Sot pendimi e vendos pikën
Loti bie mbi lotin e fundit 
Ofshamë...



ETJA E FJALËS

Etja shuhet me lotin e fjalës 
Dehet me shijen e pritjes 
Ndizet me çmendurin e ikjes 
Shtohet me dhembjen e viteve


KULLA 

Dikur me burra të fjalës 
Me kuvende të shënuara në histori 
Sofra e begatonte syrin 
Oda shpërndante dituri



VENDI IM 

Përflakur me zjarrin 
E prillit të thyer e kryeneç 
Kryqëzohen idhujt 
E ngritëm bashkë me ty (z)emër 
Ante i emrit tim 
E Promethe i rrufeshëm 
Vendi im tokë e diellit 
E djep i humanizmit 
Ndarja e vëllait me vëlla 
Vret idhshëm shpirtin 
Vendi im 
Dy lot me ranë mbi drithërimat e hartës 
Një për pranverën 
E tjetri për dimrin zemërak të kufijve 
E shtatë lot malli 
Plagët e nënave m’i mbështollën 
Bleron në qiellin e shpirtit (I)liria 
Ndëshkon gjaku 
Gjethja e njomë sythin  e pranverës 
Ëmbël këndon gjinkalla në fusha e male 
Dimri triumfon brenda teje e lindi dielli 
Sytë e tu e blerojnë edhe shiun e pranverës 
E mbron çdo pëllëmbë 
Me syrin e dëshmorit 
Atdhe 
Ti je harta e zemrës 
Ti je tmerri i djajve 
Sikur shekujt e koha 
T’i bartin dhimbjet 
Vendi im tokë e diellit 
E djep i humanizmit



GRUA 

Në një milion yje 
Ti shkëlqen e fal mirësinë e dritës 
Je mëngjesi i rrëzës së syrit 
Je aroma e përqafimit të shpirtit

Dhuron jetë e jetë kërkon 
Krijon degë lumit, etja të mundon 
Zjarr e ke udhën e flakën e lufton 

Me lot vese plagët i shëron 
E ftohtë si guri e diell dhuron 
Të bluajnë duart ditë e natë 
Tempulli i lutjeve ti qëndron 

Frymon fjala jote e shkëmb bëhet 
Qiellin e grysur e bën me ylber 
Rrugët me dafina i mbulon

Grua 
Je rrugëtimi i mëkatit të Krishtit 
Emër i shkruar në harkun triumfit 
Me ty fillon shenjtëria e jetës 
Para teje përkulën edhe engjëjt 

Grua 
Je hyjnia që Zoti ia dhuroi tokës!




TË DUA NË HESHTJE 

Kur ti më harron 
Unë të dua në heshtje 
Më vjen hija jote 
Qeshë e zgjon mëkatin e fjetur 

Nëse të harroj unë 
Ti ma zgjon mallin 
Me zhurmën e shpirtit 
Mes kujtimeve çmallem 

Ti ma drithëron flakën e shikimit 
Ma zgjon mallin e fjetur 
Me ty e mund edhe veten 
Andaj të mbajë tatuazhe në zemër 

Në mes shkronjash të kërkoj 
Mes fjalësh e metropolesh 
Diku u tretëm e mbetëm 
E humbim mes njerëzish