Samstag, 30. März 2019

Kujtim Stojku: Buqetë poetike pranverore

Kujtim Stojku


THASHETHEMET PËR POEZITË

Natyrisht që kam diçka për të thënë për vargjet që ke shkruar,
Nuk mund të jem kaq i ngurtë e indiferent, e as ti kaq perfekt...
Megjithëse fjalët i kuptoj mirë, por ideja e fjalisë ku s’më del,
Ngatërrestar i madh, më bën të notoj në ujërat e turbulluar,
Noton sëbashku me zhabat në moçal, e thua fluturoj si zgalem.
Po ç’është vargu për ty që s’di se ç’flet,
Poezia duhet të jetë një arratisje për intelektin,
E cila nuk ka rrugë tjetër veçse ikje në panik,
Për një njeri serioz dhe vetëm koherent,
Në imazhin e saj se si duhet të jetë,
Në një formë në të cilën përpjekjet nuk llogariten gjatë,
Në poetin, ku vështrimi i tij zhbiron thellë e më thellë,
Për të gjuajtur thesare fjalësh dhe aty ku fjala është e vakët...
Në injorancën tënde, ti qesh kur ai thotë se vesi qesh,
Vesi ironizon pushtetin që ka ndaj teje,
Shijon sesi nënshtrohesh ndaj dëshirave të tij...
Goja betohet duke thënë fjalët më gënjeshtare,
Ajo është inteligjenca që gjallërinë e vret,
Është gjumi që ëndërron dhe sheh qartë,
Është imazhi dhe haluçinacionet që mbyllin sytë
Është mungesa dhe zbrazëtia që krijohen.
E ti thua, e ata përflasin, e unë dëgjoj,
E nuk bën asgjë tjetër veçse më shtohet oreksi,
Më frymëzojnë për një tjetër poezi...
Më vjen keq për ata njerëz që duan të mësojnë,
Ato që tashmë mendojnë se i dinë,
Se po ta kuptonin injorancën e tyre,
Tashmë do të ishin një hap pranë intelektit.
Injoranca në këto ditë është mëkat.
Mjerë ata që pretendojnë se dinë ato që nuk dinë,
E lumë ata që dinë pak, e mendojnë se ata që dinë nuk janë asgjë...



AJO

Sa ëmbël t’i përkëdhel baluket mbi ballë një fllad,
Nën vetullat e holla gjarpërushe të shoh sytë e ndritur,
Qerpikët përzihen sa herë ato shkrpëtijnë flakë,
Gjoksi të gufon prej shpirtit krejt i dalldisur.

Dëshirat si shpuzë në mëngjes janë duke u fikur,
Duke u tallazitur largohen me hap të rëndë,
Hëna mbi ballë më gjithë hijeshi të është ngjitur,
Hijeshinë e shpirtit ta lexoj në fytyrë,
Thellë në mendime të ka vënë.

Në vatrën që të digjet shpuza shpirtin kush ta ka shpuzitur?
Zjarri nga jashtë vazhdon të na djegë,
Prej pëshpërimës sate zemra n’gjoks është duke trokitur,
Është ajo që troket pa reshtur me gjuhën e saj të nxehtë.

Këtij shpirti të brishtë ia ndjej dhimbsurinë,
Si heronjtë nëpët përralla ai më zhveshi krejt,
Mbaheshe hero i madh por e humbe krejt lavdinë,
Duke puthur buzët e saj të nxehtë.

Ajo me rrezet e yjeve thurte dantella të zjarrta,
Në djepin e ëngjëjve e pashë duke u përkund,
Ashtu lozonjare me fjalët mjaltë, o Zot sa të ëmbla,
Është fitimtare e vërtetë asgjë nuk e tund.



MARRAMENDJE NË HUMNERË

Mendtë të merren duke vështruar në humnerë,
Kështu lind edhe marramendja e lirisë,
Shpirti lind duke vendos sintezën mjaft prerë,
Duke parë honeve vetë e sheh mundësinë.

Në këtë marramendje shoh rënien e lirisë,
Aftësitë e dritës i themi përmendësh si vjershë,
Ndriçimi prej rrezesh, universale si koncept,
Për ta shporrur tutje injorancën si burim i ligësisë
Veprimet shtazarake të njeriut kriminel...

Shpirti rënkon duke nxjerrë spazma tingujsh,
Përmes grykës që si teneqe është tharë,
N’mes territ krahët shtrigës mundohesh me ia lidhur,
Na sheh me sy të përgjakur e ne na quan shtazë.

Gjurmët i fshin me krahët e lakuriqëve të natës,
Pas gjithmonë le vetëm vepra mizore,
Imazhi i djeshëm i zhyt thellë n’ujin e këllirtë të ligat,
Një shtjellë pluhuri prej erës përreth çohet.

Ajo regëtin honesh duke projektuar gërmadha,
Si n’legjendën e Rozafës një hije e zezë rrënon muret vazhdimisht,
Botë e kuisjeve të qenëve që të sosur nuk paska,
Në çdo vrimë e skutë gjithmonë angullijnë.

Drita shpalos ngjyrat e saj, ngjyrosur nga rrezet e dritës,
Koha rri e varë në akrepat e sahatit, fjalët kthehen në tinguj,
Duke e nxjerrë të çjerrur gjithë melodinë,
Pemët gjethe të kaltra paskan çelur,
Prej frutave asnjë këngë s’del, të gjitha mbajnë zi...



NËPËR ERRËSIRË

Endem nëpër skutat e errësirës,
Jam një flakëz e dobët, ajo mund t’më rrokullisë teposhtë,
Në ndërgjegje si një qiri mendja shpalos kujtesën,
Gjuha e verdhë e flakës dridhet, zbehtë ndriçon.

Maja e penës është bashkëudhëtare e dritës, vazhdon e shkruan,
Perden errësirës ia çajmë, qiriri e ndez flakë,
Përmes saj dëgjohen gulshet e vajtimit si uji që rrjedh në përrua,
Ngjarje që nxisin kujtesën, mendja pret agmin të zbardhë.



GJUHËT E LIGA

Ti kalëron mbi ëndërrat e tua,
Nëpër shtigje të pashkelura dua të të zë,
Nga pas ndizen flakë gjuhët e liga për të t’shkrumbuar,
Gënjeshtra ka më shumë, e vërteta rrënjët i ka shumë thellë.

Të shoh si bëhesh në fytyrë lulkuqe e të zihet fryma,
Kur bie nata yjet duke kërcyer përreth u mblodhën,
Në portat e shpirtit tënd me druajtje trokita,
Ëndrra ndërpritet kur vërtetë troket porta, ti zgjohesh.

E më në fund ndodh ajo që kish ëndërruar,
Buzët epshtake duke u puthur në një u shkrinë,
Të gjithë e dëgjuan hapsirën duke turfulluar,
Agu shkreptiu me krisma, zbardhi e bukura dritë.

Na dukej se ishim në kopshtin e parajsës vërtetë,
Vetëm duke u puthur mendonim që të mbeteshim gjallë,
Prej buzëve kurmë gjak jetën e shoh të rreshket,
Nuk e di se çfarë po ndjen, e çmendon për të vallë?

Nxehtësisht shtrëngon gishtrinjtë e agmit të trëndafiltë,
Bashkë me natën ëndrrat që pas i le,
Ditën fluturon bashkë me diellin e florinjtë,
Byzylykët prej ari në kyçet e dorës unë t’i vë...



HIJET TONA

Si gjuhë të errëta flakësh,
Shihja se mbi mua regëtinte,
Si një refleks drejt meje vinte e shpërndarë,
Vështrimit i dukeshim hije.

Botën e hijeve asnjëherë se kam besuar,
Sepse n’këtë planet ato janë produkt i dritës,
Edhe pse vështrimi me gënjeshtrat lesh e li ishte ngatërruar,
Është e dukshme se sëbashku me hijet jemi duke jetuar.

Në një lule që dridhet,
Ku krimbi i verbërt përpiqet,
E miu ndalon të këndojë,
Daci i përgjumur shtriqet,
Gjuhë flakësh dalin nga zjarri i jonë,
Prej këtyre flakëve asnjëra se ka dritën e vërtetë.

Çdo kafshatë e gëlltisim të tronditur,
Shpesh herë hijet i shohim të dridhen,
Ata janë pjesë e pandashme e jona,
As pas vdekjes nuk kanë për të na u shqitur.

Jashtë gurgullojnë të kapur dorë për dore,
Duke kërcyer përreth nesh hidhen e përdridhen.
Hijet tona ne s’ia kemi treguar askujt,
Se endemi në errësirë këtë akoma se kuptojmë,
Hijet e bishave mbi ne lëshojnë kthetrat, o Zot na ruaj,
Nga plagët e shpeshta dregëzat na kanë mbetur në fyt,
Fati i tyre endet me fillin që tjerr vdekja...

Mittwoch, 27. März 2019

Bejte nga Gjosho Vasia

Gjosho Vasia  28 tetor 1931 - 21 nëntor 2013


Alegori

"- Mullizezè mori sojnike
prej zabelit po pse ike?
Aty ishe n'mes t'blerimit,
kudò pate ujè burimit,
deri flladi ardhè prej shpatit
tè miklonte n'pupla t'shtatit,
perposhtè teje,n'atè blerojè
vinte qingji tè lodrojè,
e'ai trumcaku zog beqar,
t'cicirronte tash e parè,
pse e le çerdhen pra ku linde,
çka tè shtyni qè u binde?"-
"-Un e mjera mullizezè
shum vjet mbeta pa çelè vezè,
se nji gjarpen n'atè zabel,
nji gjaksor e kriminel,
asnji dhimbje per pà njoftè
hynte n'çerdhen time t'ngrohte,
kapte vezèt dy a tri
niste fillè me'i kaperdì...
Der'atè ditè qè nji sorkalle
nji mendtake e shpirt-madhe,
sa 'e ndigjoj ketè gjamen teme,
pau dhe lot't tue rrjedhè prej peme,
m'dhà nji kshillè t'nji mikes s'vjeter:
"Ik,ban çerdhe n'pyllin tjeter....
Tek ai vend,ku asht qetsija,
ku pà frigè tè rriten f'mja,
aty moter asht lirija...
Dhe gjithkush t'a kètè kète bindje
se Lirija asht vend-lndje...."
"-Kur u binda fluturova,
zogjet rrita dhe fitova.."-..




OROSKOPI SI RROSKOPI 


DASHI----20 MARS----19 PRILL 

Po ndigjo djali'i Lulashit(Bektashit) 
je tue i rà nè qafè shoqnisè, 
mos mendo se je mish "Dashit" 
rreh ma fort nga mishi i dhisè... 


DEMI-----19 PRILL---20 MAJ 

Nè ketè botè gjithkush me t'veten, 
pra gjithmonè me gjanè e shpisè, 
ti si "Dem"mbaje pak vehten 
mos trazo "loptè" e kojshisè.. 


BINJAKET--20 MAJ---21 QERSHOR 

Fjalè tè urtè m'kanè thanè do shokè 
mos e ço nanen n'kojshi, 
se ka ndodhè me lindè"Binjokè", 
njeni i bardhè e tjetri i zij.. 


GAFORRJA--21 QERSHOR--22 KORRIK 

Ju t"Gaforres" me 6 kambè 
dy me'u thy,prap kceni hop, 
kurse mue Zoti m'ka nàmè, 
nji me thy,do t'eci n'shkop.. 


LUANI--22 KORRIK--22 GUSHT 

N'oroskop njihesh "Lua", 
por trimninè e ke sa'i micè, 
sa herè don trimnì me ba 
e han shtjelmin n'mbrapanicè... 


VIRGJINESHA--22 GUSHT--22 SHTATOR 

Shej'i im ju ban me qeshè 
sa nuk qeshni as n'teater, 
n'oroskop jam "Virgjineshè" 
un qè ndrrova' i qind e kater. 


PESHORJA--22 SHTATOR--23 TETOR 

Nuk ke "Peshè" ma n'asnji vend, 
ke burrni sa'e zeza'e thonit, 
ti din vetem me shitè mend 
thue je nipi i Napoleonit.. 

Ishte dashtè kètij mende lehtit 
me'i lidhè mbarpa nji teneqe, 
qè tue krisè per gjatè qytetit 
me'u dallue per farè e keqe.. 


HAGREPI--23 TETOR-22 NANDOR 

Kje e bulur qyshè te djepi, 
hyllè u rrite n'duer t'satamè, 
n'oroskop quhesh"Hagrepi", 
bane Zot me ma ngjitè dhambè.. 


SHIGJETARI--22 NANDOR--20 DHJETOR 

Shum u fryne porsi gjeli 
tue shitè mend me oroskop, 
"Shigjetar" si Wilhelm Teli, 
por shkoj shtrembt se je "miop". 



BRIJCJAPI--21 DHJETOR--20 KALLNOR 

Ti' i "Vllaznisè" me atè lloj hapit 
porten tande po'e shet lirè, 
po tè kishè brena "Sqapit" 
do tè ishe mbrojt's i mirè.. 


UJORI--20 KALLNOR--19 FRORE 

Si nè frorè si nè qershorè 
mbushim kova n'pusa t'huej, 
t'marroftè Zoti ty"Ujorè" 
si na'i le çesmet pa ujè. 


PESHQIT--19 FRORE--20 MARS 

Ju tè "Peshkut" hani peshk, 
ka sa t'dushè lundra e Palok's, 
sidomos nè tavè kam rreshk, 
noten dhjetè krapit t'Shirokès- 




Ku janè shpresat?

Nè nji natè gjithè flakè e breshen,
dy perbindsha seç u ndeshen,
"Kuq-kulshedra dhe lugati,
ç'u nderzyen nè bigè t'nji fshati,
e s'u pà njiherè sahati,
por kur rrezja i "vikati",
veç atherè i luejti shtati...

Ma nè fund nga k'to stervina,
nga k'to bisha,k'to egersina,
linden mija proletarè,
faqezez,tè gjithè shqiptarè,
e tue qenè jashtè çdo kallepi,
seç u ndij nder nè gazepi...

Po ti shohish nga turini,
sa merr buza dhe bulshini,
si perpallè,si n'krah t'profilit,
i afrohen kokodrilit.
Sepse muskujt,pjesè e krimit,
q'i formon pushka e rregjimit,
tregojnè kjartè se k'to rrebela,
janè safì veç kriminela...

Po' i pè mirè te bira e synit,
seç i dridhet nji farè krymbit,
qè asht thelbi i karakterit,
krymbalesh me dy flet nderit.
Asht ai krymb nder proletarè,
qè jep lajmin tash e parè,
se filani asht reaksionar,
o me vrà a por me e vàr.

Se ma thojt,t'a fusin lakun,
kur ia sheh ashtu t'pergjakut,
tè stergjatun,tè perdredhun,
e kur marrin nga ti t'sjellun,
tè hynè friga deri n'palc,
me rà n'tokè,m'u marrè me shkalc..

Mjaft me dijtè se tè kujt janè,
lugat babè,kulshedren nanè,
kè me u bindè se nuk asht prrallè,
proletari'i rracès rrallè.
Me qè prindi asht kusàr,
edhe f'mijtè janè n'atè kulàr,
me qè prindi asht spiu,
edhe f'mijtè i kanè ngjasue,
me qè prindi asht "taliban",
njashtu f'mijtè i ka taman.

Tash mendo kèto barbar,
(barabar po'i thè tartar),
u vuen fillè n'sherbim tè shkjaut,
me ia nxjerrè germazin vllaut.
Kaq e rrahen kete "tokè" t'mjerè,
çou e rrxou,dimen e verè,
der qè s'pat ma nderè e vlerè,
sa qè askush s'dinte me'e njoftè,
a i ka mbetè ndoj pjesè e ngrohtè.?

Dhe ma n'fund kèto barbar,
(barabar po'i the tartar),
nga qè' e pànè se s'ka ma jetè,
seç e ngriten pak perpjetè,
dhe tue 'i hjedhè sejcili pshtymen,
nè humnerè i dhanè tè shtymen.

E ç'u nis "Nanè-madhja" e mjera,
rrokollisè sa merr humnera,
shkoi teposhtè e nè fund mbeti,
atje thellè ku lindè termeti,
n'atè errsinè u shtrij e treti,
deri' atè ditè qè ndrroj dhe shteti

... .......................................
Per mbas "Murit tè Berlinit",
meturinat e rregjimit,
prà fèmijtè e ba'bs lugat,
dhe t'kulshedres malukat,
qenkan shkrue nè Demokrat..
Edhe marrin shtetin n'dorè,
dhe jehonè i bajnè çdo orè,
se ne jemi zot't e Vendit,
qè n'Mursì,der n'Bjeshkè t' Kelmendit

Madje ulè janè nè Kuvend,
nè Kuvend,por krejtè pa rend,
se shumica ka ndermend,
me i perdredhè diçka k'tij Vend..
Edhe nisin diskutojnè,
bisedojnè,por zanin çojnè
"--Sot Shqipninè duhet t'a pshtojmè ...

Pra siç jemi,forca burra,
poshtè do zbresim turra,turra,
e t'i thurim Shqipnisè caqe,
e t'a mshtesin neper praqe,
der t'a nxjerrim n'syperfaqe,
dinje mirè,kur t'zbrazim gropen,
fusim n'dorè edhe Europen."-

Seç po zbresin "proletarèt",
menjifjalè tè gjithè kusarèt,
don me thanè pra milionarèt,
pa lanè jashtè parlamentarèt..

"-Forca burra jepini,
shtyjeni bre kapeni,
çojeni dhe hipeni,
futeni e ngrijeni"-

Por e mjera nanè amtare,
nuk livizè nga vendi fare,
dhe pse'i nxoren para lekun,
dhe pse e tremben me dyfekun,
ajo ndodhet krejtè e mekun,
madje duket si e vdekun....
............
Qe..Po duket n'grykè tè honit,
nji flok bardhè si shkumba e Jonit,
e lèshon nji zà tè broshtè,
qè po'i jep rrugen teposhtè,
atje thellè e nè humnerè,
tue kalue gur e qemerè,
e kur zani n'fund ushtoi,
kokat nalt sejcili çoi..

"--Po ndigjoni ju perfundit,
mos tè tretni kurrfarè mundit,
se e shkreta "Manushaqe",
nga duert tueja gjithè handraqe,
kurr nuk del nè syperfaqe....

Derisa s'njihni ndergjegje,
veç kusar nder njimij tregje,
fanatikè me krye n'"ferexhe",
Derisa se njihni Zotin,
as mèshirè per kush derdh lotin
ju shqiptarè ju fundi i thesit,
mbytè e zhytè me gjithfarè vesit,
po çka pret Shqipja prej jush?

Per ta nxjerr asht tjeter kush,
jemi ne urtija e vendit,
qè n'Morsi der n'Bjeshkè t'Kelmendit.
ndersa ju atje n'errsinè,
brez mbas brezit nè greminè.

Dhe pse jemi tè nji praku,
tè nji gjuhe, tè nji gjaku,
kurr njisoj si ju nuk jemi,
kurr nji gja t'perbashkèt s'kemi.

Dienstag, 26. März 2019

Avdush Canaj: FATI

Avdush Canaj

FATI

Është fat të jesh flutur
me çantë në krah 
e mësuese ta kesh pranverën.

Edhe ta takosh poetin është fat,
fiton një libër
me vargje të karamelta!

Fat është t`ia dhurosh
buzëqeshjen tënde prej lulesh.

Deri në shtëpi fluturon
me krahët e lumturisë.

Kur hap faqet në ballkon,
në sofrën e vargjeve
ulen kumritë,
mjaltin nëpër hoje rimash
e shijojnë
bashkë me ty.

Fat i madh është ky.

Buqetë poetike nga Lumturi Plaku

Lumturi Plaku

PERQAFOVA PERENDIMIN...

Mbrëmë, 
në mbylljen e një dite, herë sy rreze e herë sy nxir
e ngarkuar me mendime, si mal mbi shpinë,
hodha shikimin larg,
e buzëgaze u përqafova me perëndimin …
E njof e më njef mirë,
e kam mikun më besnik të fatit tim …
Pranë, çdo hap,
qëkur sytë më panë agimin,
e gjer tani, që shkoj drejt tij, në udhëtim



DORA E NËNËS

Kudo që shkova pata pranë dorën tënde,
ajo, që më ngrohu në të ftohtin e dimrit,
e më freskoj ne verën e nxehtë...
mu bë krahë shqiponje,më dërgoi në krahët e ëndrrave,
sikur të isha një pupël, një flutur krahë lehtë.

Dora jote më dha forcën në zemër,
kur si ganxha më kishte mbërthyer trishtimi
lehtë më fërkoj mbi flokë, mbi supe e krahë …
më ngriti, nga ku isha rrëxuar, gjakosur gjunjët,
e më mësoj të vazhdoja sa më larg rrugët.

Dorën tënde e ndjeva mes etheve të vetmisë,
në dridhërimat e egërsive
e në shijet e hidhura, farmak të intrigave...
dora jote më mori e më largoj prej dikujt,
që dinte të më jepte vetëm ankthe e rënkime.

Dora jote më fërkonte kokën lehtë
kur e lodhur kthehesha prej rropatjeve
e më zbukuronte, më bënte si një hyjneshë …
dora jote gjente dobësinë e shpirtit tim,
më mërmërije me fjalë e më bëhej mehlem. 



OH MORE BIRI NËNËS...

Mos më bëj me faj, pse pas ty të ndoqa,
unë jam zemër nëne e ty të kam bir,
tani je i madh, më kupton pse e bëra
ç'ndjehet për fëmijën, shpirti ta njef mirë.

Atë ditë që ike, vërrdallë si e çmëndur,
tek porti, ndër rrugë, s'lash vend pa gjëmtuar,
qaja e të thërrisja, nuk më vinte turp
në se dikush, thoshte; “ E mjera paska lujatur!”.

Gjithë natën kalova si një hije e zezë,
me zemër në ganxha, mu duk se të humba,
të nesërmen të tre me babin e motrën,
u nisëm me vaporin, që mbushej me turma.

Unë s'ika për llukse e as për dëfrime
por për ty o bir, pjesë e qënies time,
ika shumë e munduar, nga një jetë skëterr,
me shpresë që me ty, të gjeja pak diell.

Bir të dua shumë, mos më thuaj më;
“erdhe pas dhe ti e na u shkulën rrënjët”
unë për ato rrënjë e kam zemrën të fyshkur,
por pa ty ajo zemër, di ishte copë e këputur.

Bir i nënës tënde, ky qe fat jonë,
jetojmë të mallosur, si degët pa rrënjë,
këtu në dhe të huaj, asgjë nuk mungon,
por ajri s'na ngop e drita s'na ndriçon.



O NËNË...

Këtu s’mungon asgjë, gjënden me tonelat,
mëndafsh, të pambukta, deve, ç’mban bota e tërë,
veshje të markave të njofura, me famë,
ka dhe me flori të qëndisura, gërmë më gërmë...

Për mua mbi të gjitha është bluza, që ti më thurre,
se ka shpirtin e zemrën, gjithë mundin tënd
ka aromën e atyre duarve, të zhubravitura prej punëve,
më të bukurat duar e kam shumë mall, o nënë.

Vlera e atyre duarve, më shpie në kohët larg,
kur s’kishim veshje e asgjë për të ngrënë
e ti e rropatur e ktheje në ditë edhe natën,
se vuajtjet tona të fyshknin zemrën, o nënë.

Kur, këtu larg mbyll ditën, që më lë pa frymë,
i mësuar prej teje, bëj diçka për të ngrënë
sikur lodhjen ma heq dikush me magji,
kur vesh pupat e tua, që më ngrohin këmbët, o nënë.

Më duket vetja ai vogëlushi i atëhershëm,
kur në të ftohtë e acar, dridheshim pa zjarr,
ti thaje në kurmin tënd, ndrresat e të gjithëve,
na ngrohje me puthje e me frymën tënde, o nënë.



MBRËMË...

Mbrëmë, përgjumësh të përjetova ty...
Të pashë sytë e ndritur si dy yje,
e mbi faqen time
bashkë me aromën tënde të veçantë
ndjeva disa puthje malli, me shpirt,
siç puthje ti, ja ashtu, siç puth nëna të bijën...

Shpejt zgjata buzët, se edhe unë kisha mall,
por ngela me zhgënjimin, që ishte vetëm një ëndërr,
ti s'ishe më,
edhe pse të kam gjithëmonë në zemër...

U ngrita e pa lëvizur, si një copë gurë
me lotët që më digjnin në krahëror,
ulur ndënja, gjatë.
Doja shijen e atij momenti mjalt,
ta ktheja me imagjinatë.

Oh, nënë! Edhe pse ishte një ëndërr, unë prek faqen
e puthjen tënde, edhe sot e ndjej të freskët ...

Kur ju tregova ç'kisha ëndërruar, më thanë;
“Të të puthi në ëndërr një person,
që s'ësht' më në jetë, të jep vetëm shëndet”...

Ohhh... e di o Nënokja ime,
po të mvaresh prej teje
më dhuron dhe pjesën e jetës tënde, që ike aq shpejt.



EMRI NANË

Kërkova pikën e pikës së mjaltit,
se doja të shkruaja për emrin tënd o Nanë,
por ky emër kishte vet gjithë mirësitë e botës,
mbushur me ëmbëlsirë, kaluar çdo nektar.

Ju luta zogjve që nisnin pa gdhirë, ciërrimën
të këndonin për ty, më të bukurën këngë,
“ç'kërkon”, me një zë, të gjithë mu përgjigjën,
melodinë më madhështore e ka brënda emri, Nanë...

Ju luta poetëve më të mirë, kudo ndër botë
t'më shkruanin për ty, më të bukurin varg
dhe ata mu përgjigjën sikur të ishin në një mëndje
“Poezia më e arritur është brënda emrit, Nanë”.



ME ENDERRA NE ZEMER E MBAJA

Mos u krekos shumë për ca arritje të tuat 
e cmirëzezën për mua hiqe, se s'jemi njëlloj...
ti, ecje kapardisur, ishe i përkëdheluri i atyre kohëve
kur brohoritej dhe për çarahoshët e teneqet boshët,
e vlerat, tapet jua shtronin këmbëve, poshtë.

Në ato kohë ti e kishe gurin e arrën në dorë,
Çaje,
e sa të doje haje...
Mua gurin ma mbanin rënduar përmbi kokë
më vënin dhe grumbullin e arrave përpara
e asnjë kokërr s'më linin të haja...

Ti jetës, ja hidhje vallen si sorkadhe,
me rrugët, semafor jeshil, gjithëmonë hapur,
me lirinë, lumturuar e lulëzuar si pranvera ...
Unë e mjera, e adhuroja atë valle ta kërceja,
por e gjakosur, buzëqeshja mbi dhimbjet e këmbëve,
që plekseshin, ku më kishin detyruar të ecja, 
mbi strrall, driza e ferra.

Ne vërtetë kemi udhëtuar në të njëjtën kohë,
por me rrugë, që ndaheshin larg,
ti dhe pa merita, të jepnin dorën, të ngrenin lartë,
mua më shtypnin kokën me gurë, për të mos arritur kurrë.

Ti kishe lirinë e fjalës e të gjitha të drejtat
dhe kur ishe veshur kokë e këmbë me gënjeshtra
unë, për lirinë qaja, por me ëndrra në zemër e mbaja
e asnjëherë si humba shpresat, deri sa më në fund e gjeta.

Montag, 25. März 2019

Falënderim nga zijafeti i bejtexhinjëve


Shkruan: Boksh Baruti nga qyteti Of-la-la

Dje në qytetin Of-la-la, nën patronazhin e mbretit Suxhuk nga Prishtina, më prokurë nga “zëvendës-bajraktari” i fisit, “Shoqata Shqiptare e Bejtexhinjve” mbajti mbrëmje me bejte kushtua vatanlive, ku ishin të ftuar përfaqësues fisesh, bejlerët e xhunglës, pastaj, bejtexhi nga gjithë Evropa e sidomos nga Gjermania, Austria... 
Siç lajmërojnë agjencitë e lajmeve, në manifestimin e këtij zijafeti, ku pati gosti me mish n´hell dhe, pasi bejtexhinjtë u ngopën mirë e mirë me mish dashi, më autorizim të posaçëm të “zëvendës-bajraktarit” të fisit që erdhi nga kryeqyteti dhe më leje të “mis-hanëmes” që punon si përfaqësuese e fisit në “çadrën” afër qytetit Of-la-la; Mareshali i I-rë, i ndau dekoratat, mirënjohjet dhe shpërblimet. Pasi mexhlisi ia afroj rezultatet e bejteve, ai në emër të parimeve prej bejtexhiut më të madh i ndau mirënjohjet, dekoratat duke iu falënderuar përulësisht i thirrjeve dhe ovacioneve te të pranishmëve.
-Së pari u falënderua Sekretari gjeneral ( I Flotës së parë të bejtexhinjve), Mareshali i II-të. Ai mori falënderim të dyfishtë si nga Mareshali i I-rë,  ashtu edhe nga “Zëvendës-bajraktari” i fisit që kishte ardhur nga kryeqyteti. Bashkë me falënderimin, atij ju nda edhe një fjalor metodologjik si të shkruaj bejte kushtua fisit të ve.
-Gjeneral (Admirali) për administratën e fisit, mori lavdërime nga dy mareshalët për dëgjueshmëri deri në përulje dhe për bejtet e tij në stilin fisnore. Sidomos ky u lavdërua për muhabetin e tij ala-fisnor. 
-Mbase rreth sofrës së fisit dhe rreth mishit të pjekur duhej rregull dhe disiplinë, për ketë ishte kujdesur vet Mareshali i I-rë, i cili i falënderoj bajraktarët e paneli. Atyre Mareshali përveç falënderimeve u dha edhe nga dy stilolapsa për të mbajt shënime nëse dikush flet pa rend.
-Gjeneral Majori nga Fisi i admiralit, që tregon përralla për mbretin me (pa)brirë, përveç që u falënderua për bejten e tij, atij ju dha edhe një bashkë lesh të majmunëve të bardhë që t´ua tjerrë shokëve qeleshet e fisit...
-Gjeneral-Majori, u duartrokit gjatë mbase mexhlisi i kishte ndarë shpërblim për bejten e saj.  
-Gjenerali i moçaleve, që po e luan rolin e Tarzanit në çdo zijafet të bejtexhinjve, me kravatën shara-shara, u shpërblye si novator i bejteve, sado që ai me bejte ka filluar në moshën gjashtëdhjetëvjeçare pasi një natë kishte pa ëndërr se mund të bëhet  Omer Khajami i fisit.... 
-Më duartrokitje të gjata u duartrokiten të gjithë bejtexhinjtë për lukun e tyre, e sidomos për kravatat klasë. Pastaj, lokët e tyre, shumica të ngjyrosura lanë shumë për t´u dëshirua...
Ajo që i impresionoj të pranishmit ishte prezenca e togerëve veteranë (jo të luftës) që morën pjesë. U tha se roli i tyre si në “luftë” ashtu edhe në paqe është i madh pasi po e ruajnë mirë Mareshalin e I-rë, nga sulmet e fiseve tjera...
Në promovimin e shoqatës kishin ardhur edhe shumë gjeneral, major, kapiten  të fiseve tjera simotra që shkruajnë bejte (muhalife), qoftë në Prishtinë, Gjermani, Francë, Austri, Maqedoni...

Buqetë poetike nga Bexhet Asani

Bexhet Asani

Ç’DO TË MË MARRËSH MË?

Më more vëllanë,
Nënës mbi faqe,
 Iu tha loti.

Më more farefis,
Një mal me mall.
Më more fëmijët,
Lotët m’ u shterruan.

Gjysmën e shpirtit,
E kam te ti.
Gjysmën tjetër,
Në atdhe e shtëpi.

Sa kam frikë:
Çdo të më marrësh më,
Amerikë?

Tetor, 2010



SHTËPIA ME EMËR

(Shtëpisë së Kongresit të Alfabetit)

Dikur në këtë shtëpi,
Dyert – hapur,
Mirëseerdhët!

Udhë e mbarë:
O udhëtarë,
O pishtarë!

Përshëndetje të përhershme, 
Dikur ,
Te shtëpia me emër,
Këmbëkryq u ulën,
Burrat e dheut,
Dhe çlodhën eshtrat, 
E dërmuara.
Në prag të derës, 
Bari ka mbirë, 
Dritaret, si dera, 
Pa çelur kurrë!
Vetëm mbishkrimet
Të joshin sytë :
Kongresi ABC – së shqipe 1908…

Afrohem pranë xhamit  
Të pluhurosur,
Se dera s’është ,  si dikur,
Sodis banka dhe karrige, 
Pa dekor,
Salla e Kongresit kjo!
Urdhëroni!
Më ushtuan veshët,
M’u kujtuan emrat e vëllezërve,
Të shtëpisë së madhe:
Gjerasimi, Gjergji, Konstandini…

Me zë i përmenda këta emra  
Të ndritur,
Ushtoi salla e Kongresit;
Dhe, si në ëndërr, zëri humbi,
Me gurgullimën e lumit të Draorit!
E unë derën e mbyllur vështroj,
Dritaret e pluhurosura;
Pllakat përkujtimore të ABC – së,
Shtëpinë e madhe me emër të madh
Vështroj e vështroj.



NJË DIELL I ZJARRTË PO LIND

Diçka po ndodh në Manastir,
Në shtëpinë e Qiriazëve,
Diçka e madhe,
Draori plak gufon,
Kanë shpërthyer shirat e vjeshtës,
Krenar qëndron Pelisteri i lashtë,
Hija dhe ushtima e tij
Manastirin stolis,
Nga minaret – zërat
E perënduar;
E ngazëllyer pret dhe përshëndet
Motër Qiriazi Delegatët,
Një diell i zjarrtë po lind,
Këto ditë të vjeshtës së tretë,
Që ngroh zemrat e njerëzve
Të etur për dituri...
Me padurim Parashqevia pret 
Vendimet e Kongresit të Alfabetit,
Abetaren e parë, me alfabet të ri,
Do ta shkruaj
Që të mësojë vogëlushet
Mësuesja Parashqevi.

Nëntor, 1988



KËNGË PËR BABAIN

Ti shkoje në arë për të hedhur farë,
Unë në universitet për t’u bërë dijetar,
Ti e doje arsimin, s’kishe fjalë të dytë,
Me krenari thoshe: “SHKOLLA T’I ÇEL SYTË”.
Të erdha, kur ti kositje bar vërtet,
Por, ti kurrë s’erdhe te unë në fakultet,
Më mësoje si lërohet ara me parmendë,
Çudi ,kurrë s’dita ta  mbajë atë përnjëmend.
Më mësoje ta dua tokën, si të hedh farë,
Po unë e doja tokën, si i marrë…
Ti hodhe farë,  në arën tonë të vjetër,
Unë hedh germa, në të bardhën letër,
Unë shkoja në teatër dhe në bibilotekë,
Ty të rrihte era, dridheshe si purtekë.
Doje të kishe një copë tokë, se kishe uri,
Të dy ishim të etur për pak dituri.
Ti e doje tokën edhe unë sa ti,
Unë shkoja në shkollë, ti kishe dashuri.
Kë donim më shumë shkollën, apo tokën?
Për të dyja bashkë ne linim dhe kokën!



KËNGA ARBËRESHE

Vjen nga thellësitë e shekujve si gurgullim', 
Sjell me vete: një dashuri, një trishtim.
O këngë arbëreshe, këngë e vendit tim, 
Që ngërthen në vete, tërë atë përdëllim.

Këngë arbëreshe, o këngë e rrall',
As Vjosë, as Drin, s' ta shuan dot mall’.
Si rojte në shekuj, tërë atë dashuri,
Për tokën e Skënderbeut, për mëmën Arbëri?!



ÇANTA E QAZIM BEJ VLORËS

(Kushtuar djalit të Ismail Qemalit)

Nga Vlora ike, more rrugë,
Erdhe këtu, te ne në Strugë.
Qytetarët e mi, a thua dinin se kush ishe ti 
Që me Ismail Qemalin, kishit bërë Shqipëri?
Jetove në Strugë, si i thjeshtë njeri,
Po, në çantë mbaje, gjithë atë histori.
Kur shëtitje, rreth Drinit të Zi,
Çantën nga duart, nuk e hiqje ti.
Dhe bukë, kur haje, s' e hiqje nga dora,
Ashtu të kish porositur, Ismail bej Vlora!
Dhe kur faleshe në teqe a në xhami,
Me çantën në duar, luteshe për Shqipëri.
Kur ndërrove jetë, shtëpia plot xhandarë,
Kujt ia le çantën, çantën me thesarë?!...
Ç' mbaje në atë çantë, Qazim bej, o djalë i ri,
Deklaratën e Pavarësisë, të shenjtën tapi?

Maja e Spasit, më 28 Nëntor 2014



NË SYTË E TU

(Zonjës Xhoana)

Nuk e di, në je,
Mbesa a stërmbesa,
E Mis Durhamit
Që kushtrimin e maleve dëgjoi
Që pa varret e hasmërisë,
Malësorët e gjakosur pa!
Këtu e nëntëdhjetë e sa vjet,
Më parë.
Tok me çetën e Antonit,
Mbesë a stërmbesë e Durhamit!
Burrat e dheut gjak falin!
Gjakmarrje kurrë më!
Dëgjon betimin,
Te lëndina e pajtimit!
E Ti lot gëzimi derdh.
Në sytë e tu, shoh
Mis Edit Durhamin,
E Re!



LOTËT E POETIT

(Shkrimtarit Mehmed Kajtazit nga Drenica)

Kur zemra e poetit 
                            Lëndohet,
Prehje, qetësi s’ka.
Kur zemra e poetit 
                            Lëndohet,
Lotët rrjedhin rrëke… 
Kur zemra e poetit
                            Lëndohet,
Ajo pikon gjak.
E tillë kjo botë,
O miku im,
Dikush duhet të vdes 
                            Nga skamja ,
                                             O miku im!



NINULLË KOSOVARE


Fli, bir i nënës, fli,
Në Kosovë digjen shtëpi.

Fli, bir i nënës, fli,
Në Kosovë luftojnë dhe fëmi’.

Fli, bir i nënës, fli,
Kosova lufton për liri.

Fli, bir i nënës, fli,
U zgjofsh në liri!

1999



ALEPPO

Nuk doja ta dija emrin tënd,
në këtë mënyrë, Aleppo,
Nuk i dëshiroja kurrë retë e zeza
mbi qiellin tënd.
Gërmadhë nuk doja të të shikoja,
Aleppo...!
Nuk më pëlqen,
kur ti bëhesh shkrumb e hi!
Nuk doja të dëgjoja
klithmat e tua!
Nuk doja të shihja
rrugët e lara me gjak...!
E bota e pabesë bën sehir Aleppo!
Nuk doja të shihja,
sesi nxirren kufomat e gjakosura gërmadhave!
Nuk doja të shihja,  ku vriten fëmi'
Unë arnauti
që arnautët i prite me dashuri...!
Aleppo, ti gërmadhë, i gjallë varr,
Aleppo, ti je turpi, i botës mbarë...!
Aleppo tmerr, lemeri, llahtari..!
Unë arnauti,
që arnautët në gjirin tënd i prite me dashuri...!
Toka jote u bë shkrumb,
qielli jot u nxi!...



PSE S’ MË PRITE?

(Subi Kazaferit)

Më premtove se do të më prisje, miku im,
Më premtove se do ta pinim kafenë,
Si ngaherë,
Te restoranti i preferuar buzë liqenit,
Ku pulëbardhat hareshëm vallëzojnë,
Ku mjellmat lozonjare çajnë dallgët,
Ku ndonjë çift çuçurit si dallëndyshet
Për jetën e re,

The se do të më prisje,
O dollibash,
Përmallshëm ta ngrinim dollinë
Për shëndetin tënd,
Burrë i rrallë
Që mban konak,
O fjalë xhevahir,
S’ të pa njeri
Të dergjesh
Në shtrat,
Mbete si
Lis,
Në këmbë,
Si kreshnik…

Po ti ike, Subi
në përjetësi,
Pa na thënë
Lamtumirë…
Ti ike, Subi,
S’ më besohet,
Për perëndi,
Si do ta pimë
Kafenë pa ty?
S’ ngremë dot asnjë dolli!
Na ike, pa na thënë
Lamtumirë,
Ike
Në përjetësi!

7 qershor 2017



DHE VALLËZONIM NE TË DY

Nën tingujt e kitarës vallëzonim ne të dy,
Të shtrëngoja dorën siç bëje dhe ti.

Ne vallëzonim tango, çonim dashuri,
Po tingujt e Shotës na vlonin në gji.

Nën tingujt e kitarës vallëzonim ne të dy,
Të shikoja unë, me buzëqeshje ti.

Më shikoje ëmbël, ah! Me ata sy,
Po tingujt e Shotës, na vlonin në gji.
____
Poezitë janë marrë nga liri "Hyjnia e syve"