Donart Rexhbogaj |
E PADUKSHMJA
Sillet e derdhet mbi hijen tonë
e padukshmja...
Kasnec i orëve t'vona
tiktakun e kohës e vari në gushë.
Shtërngata që volli gazin e truem
thakët e dhimbjeve i dredh përhanshëm
si tojë për synin e keq.
Matanë,
kundrojnë andrra t'zbehuna
mbi kreshtën e mallit
rishtas ua dëgjova gjamën,
Gjamë pa namë
krejt si trosha buke
kur t'mbesin n'fyt...
A e sheh,
si asht e padukshmja...
Ajo s'pret uratë
mbin ngadalë në mishin tonë
e bahet dregëz e përthame harrimit.
Cingërojnë orët e fatit
e un’ vjerr vargje n'degë t'thyeme.
Gjaku i vluem thahet n'varg
Vargu
kujtim i përjetshëm...
NËSE
Nëse bota fshihet pas hijës tande
Çfarë të tjerr harrimi yt i hershëm
Nëse terri t’i zdesh rrobat e larme
Çfarë i thue gozhdës ngulitun në mur
Nëse grimca ajri të tharbin pështymën
Çfarë dredhie i ke ba shiut?
Nëse fryn e shfryn erë fshehtësive të malit
Çfarë faji kanë pafajësitë e lëndinave
Nëse vdesim ne
Tri ditë zie
E çfarë pastaj...
ELEGJI PER VETEN
Kanë me ardh zjarre
Zjarre me tymin e ditëve të laguna
Copëza gacash kanë me pehatë
Hinin e hudhun në gropa gëlqeresh
Kanë me ardh gëzhoja plumbash
E do mbijnë si pipa pranvere,
Në sqepin e tokës shtërpë
Ullishtja ka me i shtrydh bijtë e saj
Sarajet kanë me i shkymë qirinjët
Kthinave të brejtuna lakuriq,
Shkuma e kafeve të hidhëta
Ka me u derdh në arkmortin tim..
Kam me përbi terrin e kobin
Si të bardhën e vezës në fëmijëni
Pikëllimin e penjëve të dredhun
Kam me ba tojë, për synin e ylberin...
O Zjarre kanë me ardh
E unë s’kam me kenë aty...
LOTIN MA VODHËN YLBERET
Hakrroj motmotet
Stinët i lidh nyje,
N’sirtarin e lutjeve
Qejfe e qefinë
Shumoj me pluhunin e kohës...
Shytuem prej nji fati t’zgjebosun
Në andrra të hajshme
Kam lëshue trajtë
Tash,
Endem shpirtit si pëlhura n’vek,
Ashkla t’përhana
Më ndizen të shueme...
Lotin ma vodhën ylberet!
SOFRËN LEJE SHTRUEM
Nanë
Ish ardh
Brumi i Bukës
Ta ngjeshësh mirë
Nanë!
Hambarët i kam mbushë
Sa t’hjekmet tua...
Blueje drithin
Nanë!
Mullixhiut ja kam dhanë ujemin,
Mos më prit te dera
Nanë!
Kam shkue me gjetë kryp’ detnave
Kryp’me kullue prej lotëve t’mi..
Ndoshta, vonohem
Nanë!
Bregut rrufeja m’bani hi
E hinin era,
Ma fryu valëve,
Me detin Nanë u mishnova
Rrëshinë e pishës që djeg
Largësia...
Po, ti piqe Bukën, Nanë!?
Në tym të oxhakut do t'më shalojë hija
Dukem
Po nuk shihem
Nanë!
Sofrën leje shtruem...
Donart Rexhbogaj, u lind në vitin 1996 në Pejë, ku e kreu edhe shkollën fillore dhe ate te mesme. Tash është student në Fakultetin e Filologjisë, përkatësisht në Degën e Letërsisë Shqipe, në Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 2018, ka botuar përmbledhjen e parë poetike me titull "Njî zâ".
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen