Nikollë Loka |
Përmbytur nga një ndjenjë
Qiellin tim vesh
një re që sjell shi.
Shpirtin
ma tret era që fryn.
Me vështrimin tënd,
ringjallem,
ndoshta rizgjohem
ndoshta fle….
A ndihem më mirë unë
apo ti!
Je horizont,
që lëviz
në pak hapësirë,
një hënë e plotë,
që del ditën për diell.
Më djeg me një shikim
e më rrëmben me një brengë,
por shpirtin ma fsheh,
nën një qiell të ngrirë,
në një mëngjes përtac,
dhe shpirti im
s'mundet të flasë,
përmbytur nga një ndjenjë.
Të fola me gjuhën e zemrës
Të fola
me gjuhën e zemrës,
e sy ndër sy
luajtëm me vetëtimat,
derisa prej qiellit tënd
zbriti një re
dhe ma fshiu mendimin.
Të fola
me gjuhën e diellit
në një mëngjes të ri,
mëngjesi u shkri
në ditën që s’erdhi,
dhe u gjeta
në muzg
shpinë për shpinë
me diellin,
e mbi një urë
na u lagën premtimet,
teksa terri
në një arkë me dry,
na i futi zemrat.
Të fola
me gjuhën e luleve në syth,
para çeljes së gjetheve.
Pranvera m’u shfaq në ty,
e në sytë e tu
mbolla trëndafila të çelur,
e një mëngjes të ri
e lashë pranë zemrës,
një mëngjes
të ndarë më dysh.
Edhe bukuria vdes
Në fillim ndaj saj
ndjen thjesht tërheqje,
pastaj meditim
mbi tërheqjen që ndjen.
Të vjen një dëshirë
e të ngjall etje,
tek sheh
një lulezonjë që të gënjen,
të deh me aromë,
para se ta prekësh,
e me një prekje
asgjë
nuk mbledh prej saj,
bukuria
humbka brenda shpirtit
në një dhomë
pa dyer dhe dritare.
E ti i dehur
në ato mure pret,
të hapet një derë
vetvetiu,
pa e ditur
se dhe bukuria vdes,
kur ikën
dhe fshihet nga njeriu.
Sikur të isha...
Sikur
të isha vetëm fjalë,
do të pikoja nën strehë,
në ditënetët pa shi,
deri sa ta largoja
një brengë...
Sikur
të isha brengë,
litarit të lotit tënd
deri te qielli im,
vetëm dashurinë
do të kisha në mend.
Sikur
të isha dashuri,
lule mbi murriz,
gjembat e jetës
do t'i shkulja
pa më dhemb.
Sikur
të isha për ty,
e fundit dëshirë,
do të rropatesha
gjithë jetën
për t'i mbyllë sytë
me dhimbjen time,
e do të kisha thënë:
Prehu e qetë
në botën tënde,
në këtë botë jetime...
Të shoh në sy
Të shoh në sy,
je një pasqyrë me mjegull,
nga sytë te zemra,
nëpër shkallë,
hutimin zbres
e në thellësi
të shpirtit tënd të virgjër,
për ty,
një qiri po e ndez.
Ai qiri
mbi një altar
po shuhet,
e nën altar po pres,
i rënë në gjunjë,
sa herë të shoh,
zemra më bëhet akull,
kur do të shkrijë,
më thuaj!
Një ëndërr e verbër
M’u shua
padashur në dorë,
ditë të panumërta
m’u tretën.
Mbeti
një pikë vesë
në sytë e mi.
Një pikë vesë e ylbertë
në shtatë ngjyra,
në shtatë shkallë,
në shtatë diej.
Në shtatë humnera
të rrathëve të ferrit,
rrëzohen ëngjëjt
dhe yjet pikojnë.
Ngurtësohet shikimi
si breshër,
prej qiellit tim
tejpërtej…
Në shtatë ferre
e në shtatë diej,
përnjëherësh.
Nikollë Loka ka lindur në Sang të Fanit në Mirditë me 25 mars 1960. Autor i gjashtë librave poetikë: “Njerëz që plaken udhëkryqeve”, botimet “Mirdita”1998; ”Koha e shkelur” botimet “Mirdita” 1999; “Larg Atdheut” botimet “Mirdita” 2001; “Nje hark Ylberi”, botimet “Emal” 2013; „Koha tjetër”, botimet “Geer” 2015, si dhe vëllimin poetik “Natën kapërceje pa leje”, botimet “Gazulli” 2017, fitues i çmimit “Din Mehmeti” në mitingun XXXIV poetik, të organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë.
Pjesëmarrës me 15 poezi në librin poetik “Gherbino”, bashkë me pesë poetë italianë, botuar nga shtëpia botuese „Aletti Editore“, Romë 2014. Gjithashtu ka botuar në italisht librin “Un arco dell”arcobaleno”, botimet “Emal”, Tiranë 20017.
Fitues i çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar të poezisë “Terra Lontana”, 2016 në Itali në vitin 2016 dhe fitues i “Dëshmisë së meritës” në këtë konkurs për vitin 2017; fitues i “Dëshmisë së meritës” në konkursin kombëtar “Patricia Graciani” 2017, në Gioia dei Marsi në Itali; Çmim special në “Premiul literar internațional Corona 2018, Trebisacce-Itali.
Poezitë e tij janë publikuar jashtë vendit në antologji të ndryshme poetike në italisht, anglisht, frëngjisht dhe rumanisht. Pjesëmarrës në antologjinë poetike “Poetry from Balkans”, botues “Inner Child Press”, New Jersey, USA; pjesëmarrës në antologjinë shumëgjuhëshe “Amarati Poetic Prism 2018” në Vijaywada, Anthra Pradesh, Indi; botuar poezi në revistën e njohur letrare amerikane “California Quarterly”.
Fitues çmimesh letrare në disa festivale poetike mbarëkombëtare. Antar i Jurisë së Festivalit Ndërkombëtar Poetik “Veliero” 2017, që u mbajt në Cirò Marine të Kalabrisë në Itali, në vitin 2017.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen