Fadil Curri |
IKJE-ECJA
Nuk e dua ikjen
ajo është pjellë e frikës
e urryer nga djepi i kullës
E dua ecjen
qoftë vetëm me kukëzat e mia
hijen time të ngadaltë pa ikje e dua
Ikja është busull e thyer e toruas
Ecja e gjen hartën e dashurisë së vjedhur
e para është fall i huaj, e dyta dhiatë e juaj.
TË KAM THËNË
Tri herë të kam thënë për të
Për të të kam thënë tri herë
Të kam thënë për të tri herë
Se dashurinë jetike të kalasë
E tradhton me laviren puthje-helm
Në Hanin e Ferrit me pëlitje sysh
Ai me epoletat e padukshme të djallit
Me ty në faltore drekën e fal pasdarkeve
Kur ti i këndon himn, ai ty elegjinë me pjalm
Përsëri me ritin e fshirjes së gjurmëve
Në tokën pa popull me replikë e pa polemikë
Krah tij në varr do të shkosh me strajcën thatë
Të kujtohet kur popullin e këmbeu me tokën
Për hirë të trinisë së ecjes pa busull
Kah shtëpia e ndërtuar pa oborr e rrugë?
As fëmijët nuk do të besojnë se ke jetuar
Certifikata të njeh vetëm lindje e vdekje
Kur fletëjeta t’u nxi me Beatriçen e braktisur
U KËNAQËM DUKE MOS U KËNAQUR
Heeeeejj, u kënaqëm duke mos u kënaqur
Duke mos u kënaqur po kënaqemi
U copëtuam me trumbetat e bashkimit
I duam të tjerët duke i urrejtur tanët
E gjejmë shtëpinë me sytë e qorrit
Po kënaqemi me dijen e të paditurve
Matematikën e mbledhjes e pjesëtojmë
Epokën e shkruajmë me shëmtinë e ditës
Gjeografinë ia besojmë sallonit të bixhozit
Po dashurohemi prore në të ndjerat
Po kënaqemi duke u ushqyer nga të vdekurit
Të gjallët po e bartin varrin si hijen e tyre
Me diell po flemë e me hënë po vjedhim
Jemi bërë antitezë e përdalë e autoportretit
Duke mos u kënaqur po kënaqemi
U kënaqëm duke mos u kënaqur, heeeeejj!
U LODHËM
U lodhëm duke dëgjuar këngë
U lodhëm duke lexuar poema
U lodhëm duke vrarë armiq si ata ne
U lodhëm duke marrë mirënjohje
U lodhëm duke rrëfyer heroizma feniksi
Për luftën ende e pashkruar me gjak
Për tokën e djegur nga harresa
Për Ilirinë varr e Çamërinë pa shqiptar
Për copat e hartës në kokër të shpinës
Për lirinë që me decenie e japim me lirim
Për Veriun e Jugun si fëmijët tanë, jetim...
Pëlqej
Dashuri
EJA
Eja sonte
Nesër e kur të duash
Të kam pritur dje e tërë jetën
Kurrë nuk më erdhe
As nuk më gjete si deshëm
Nëse do të më urosh
Merre me vete kohën
Mos më eja pa kokën
Varrose pjalmin e djallit para nisjes
Mjaft më me gjysmat e dashurisë
Rrugës etja të ketë kujdes nga tretja
Mos fli në grykat e tista
As nëpër sallonet e pista
Banorët e parë vrasin meritat
Të dytët ngjesin hartat të grisura
Bëjnë bixhoze me gjakra të thithura
Në daç e në dish Perëndinë
Eja si je pash dashurinë
Si dhiatën e bëjmë shtëpinë,
Trashëgiminë me dashurinë
Eja te unë pash t’ lumin Zot
Te kushdo tjetër do të jesh kot!
LAVIRET QË I DUA
Poezia nuk është për gjithkë
Prandaj e dua këtë lavire si askë
E dua edhe kur mendojnë se është
Fjala nuk është lavire që në shtrat
Me të fle ku do e kur do secili shtat
Ndaj e dua se e do vetëm poetin
Shteti nuk është lavire kur i hyp gjithkush
Ky lloj dashurie e ka emrin prekje në gjak
E dua këtë lavire për ta me jetë e pa lak
Haha
...?!
Ju më thoni për të ligun
Se është burrë i mirë,
E më thoni për të mirin
Është dreq i vështirë
Ju më thoni për disfatën
Është fitore e kohës
Ju më thoni për fitoren
Është disfatë e epokës
Ju më thoni për dashurinë
Është kancer i jetës
Ju më thoni për vëllazërinë
Është pezmi i kremtës
Ju më thoni për gjumin
Është pisha e ëndrrës
Unë ju them për zgjimin
Është flamur i zhgëndrrës
POEZIA
Është arare e denjë me ndjenjë
Me fyellin në qiellin e padiell
Urrejtjen e ledhaton me dashuri
Në çdo vend mbin shend
Është shpresë për skepsë
E himnit sall të trashëguar
Resh nga qielli okë për tokë e kokë
Pallë mbi qepalën e qorrit vërdallë
Me poezinë sheh, mpreh e preh
Është vetja e vetme baritore
Shpresë e ëmbël e jugut tim
Valë e ngrohtë e veriut trim
Dhiatë kumtimi plot premtim
Dekret sekret i bekimit perfekt
Është poezia e frymimit tim
HUQJET
Duket se na është bërë shprehi
Huqja në lagjen tonë me shamata
Bëhet shpesh para golit kundërshtar
Kur lojtari verbohet nga lavdi që fitoren
Ta arrijë vetëm ai e jo ekipi
E huq portën e rojen
Shoku i tij në anën tjetër të fushëbetejës
I huq shpresat dhiatë në logun e burrave
I merren mendtë nga bukuria e shëmtisë
jep autogolin e disfatës së a(h)fatit
Duket se huqjet ishin ves
I humbjeve në legjenda
Mozomokeq të bëhen stil
Edhe i lojës moderne
ADEM
Emri yt
Nis me të parin e njeriut
Emri yt
Nis me të parën e A-Bë-Cë
Emri yt
Nis me datëlindjen e flamurit
Emri yt
Nis me agun e diellit të shtetit
Emri yt
Mbiemër i shpresës së ngushëlluar
Adem...!
TË ZHDUKURIT
Më janë zhdukur shumë toka e troje në gjeografi
Më janë zhdukur shumë bëma e heronj në histori
Më janë zhdukur shumë martirë në përditshmëri
Më janë përmendore varret e tyre verëm në poezi
Nënat me mallin e varrit të paparë të bijve ikin në varr
Vejushat për dashurinë e këputur të tyre ende kanë zjarr
Fëmijët ëndërrojnë prindërit e tyre t'u dalin në shtëpi
E varrtarët e të zhdukurve jetojnë me lavd e pafajësi?!
POEZIA ËSHTË E DËSHPËRUAR
O njerëz, poezia ka rënë në hall.
Me mote në shpirt ka shumë mall.
I mungojnë poetët me fuqi vargu
Çdo miqësi i duket se e ka së largu.
I mungon Naimi, Noli, Fishta e Migjeni,
I mungon dashuria, vetja e vendi,
I mungon figura, i mungon porosia.
Poezisë i mungon vetë poezia.
I mungon stina, oda, besa e mikpritja;
I mungon shkolla, mësuesi, libri e dija;
I mungon, Afërdita, Dija e Luli I Vocër;
I mungon era e lules në fushë e kodër.
I mungon besnikëria flijuese në dashuri,
I mungon loçka e nënës që jep jetë për liri,
I mungon djersa e punës në fabrikë e në are
I mungon "këndimi i çunave", pesat në ditarë.
Poezia pa masë është e dëshpëruar.
Nuk e ka lumin, kreshnikët, Tanushën e bekuar,
Nuk e ka njeriun që e do njeriun,
Nuk e ka tufën e bagëtisë që shëtit me bariun.
Poezia qëmoti po bën grevë urie si qortim.
Kërkon lavd e meritë kur ndjen zhvlerësim.
Do vrullin e rinisë guximtare e urtinë e plakut
E do vendin që e kishte në ballë të oxhakut.
KËRDI
Muzat nuk e duan luftën pa liri
kur epika e lirika ia nxjerrin sytë tjetrës
ato përhumben pas hakërimit, dehen
epika ujit pa pikë lirikën e skllavëruar
lirika pa liri në tri pikat e epikës së (ç')liruar
peshoret u janë prishur nga tregtarët orëzi
Muzat kanë rënë në hall me këtë kërdi
nuk kanë parë që ashti me mishin të hahen
edhe derickën e kanë harruar për në poezi
Poradecin nuk do ta gjenin në jug me ëmbëlsi
as në veri nuk ka më energji, kudo vetëm babëzi
si ta hajë vetja trupin e vet me kërdi
edhe muzat agoniike nuk kanë më gjak
janë molisur dhe nuk bëjnë poezi
NATËN E MIRË, NATË
Homer, kur ti e shihje botën
njerëzia nuk të shihte ty
të verbrit thonin se ishe i verbër
edhe natën edhe ditën të ngjatjetonin
natën e mirë, natë!
Homer, kur lapsi i dashurisë thahet
gjithçka të duket lëngatë e gjatë
se rrezet luajnë vallen e patrajtë
se shpresa nuk e kalon lumin me flakë
sytë e aedit nuk e shohin floçkën
vetëm e ndjejnë bukurinë e saj
kur dëgjojnë klithmën e përgjërimit
Natën e mirë, d(r)itë!
Natën e mirë, natë
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen