Montag, 25. März 2019

Shaip Beqiri: Triptik nga Muranat e Muzgut

Shaip Beqiri

DHERAS

Këtu
Ku më prunë së voni
Fqinj kam një pyll

Njeri tjetër s`njoh
Përveç hijes së një cungu 
Gjymtuar rrufesh

Fqinjin tim të vetëm 
Që rritet fshehtas zjarrit
Përditë e prejnë në besë

Ai hap më hap më ndjek
Deri në fund të ëndrrës
Nën kupën e bluzhduar të qiellit

Tash 
Unë kalli vetëm ec 
Fushës sime të shkarëzyer

Ostermundigen, 18 qershor 2008



PEZULL

Hyri flaka në pyllin 
Ku kisha gjetur strehë
Dhe më nxori shakull 
Në mes të udhës së madhe

Ra mallkimi i shekujve
Në lulen time të ballit

U përmbys dhe qielli
Në çengel nofullash varur
E toka u ngrit gjunjas
Bregoreve të mia të harruara

Ostermundigen, 4 tetor 2010



KULMNAJA

Tevona zura vend
Në një horizont të ndrysur 
Kulmnaje pa anë

I erdhi fundi edhe udhës sime 
Që kryet s`i dukej dot askund

Nën rreze të mbërthyera 
Sodis myshkun krifëshprishur
Se si ndehet në mua me gjëmë

Tutje fërgëllin sall duhma
Që përdredhet drejt qiellit

Bern, 10 nëntor 2010

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen