Elida Rusta |
DHJETOR KOSOVE
Asht dhjetor.
Në Kosovën e ftohtë nji dritë e zbehtë qiri,
merr me vete shtëllungat e duhanit të sertë që pshtjell plaku n'votër.
Shprúsh gacat e fundit e me ftyrë kah dielli pret lindjen e djalit.
Krejt ujt' e borës vjen afër shpis' së tij
aty ku rrin ndez drita e dashnisë e shpirti i lahet me njolla drite.
Nji lot e bán bacin me u ligshtu
Numëron frym'marrjet zi zana gurëzimet,
lshon nji fjalë guri.
"Bir, ti s'mund të dorzohesh para asnji stuhie
Ke bukurinë e nánës, hijeshinë téme, kalanë e Atdheut me bá luftën"!
Prej asaj nate dal te qoshja e kohës
shoh nji t'gjallë vesh e mbath n'pluhën purpuri.
Në shpindë i kanë mbetë frëngjitë e kullave.
Vuen, i therin dhimbjet tona.
Veshun me nji cohë reshë
i bjen sharkisë me gishta prej gjaku,
kndon prej nëntokës me iso dhjetorësh
"Thueji popit, mos i hin Rekës keqe se t'kam gastare në sy
e t'baj me shkel udhëve në syte e ty që kanë me kërsit deri n'zemër.
Kufinin e vorrit e shtyj për liri,
me nji grusht flokësh báj obeliskun e kalit t'bardhë.
Atdheu ma nxjerr shpirtin jashtë,
unë i ruj eshtrat me i blue bashkë".
A TË KUJTOHET KOSOVË?
A t'kujtohet Kosovë,
kur në shekullin e qorrtë,
na patën dënue me ndarje,
jo për faj tonë?
Nishanxhi të mdhenj qëlluen,
ná ranë mu në loçkë.
Prej mungesës tánde m'pat mbetë nji i ftoftë ma tepër,
nji krye i kthyem e sytë me gjak.
S'mujsha me lotue askund për ty,
sall ofshava nën zá robninë tonë.
Qava e s'të erdh' vaji jem,as lutjet e mia.
Me net' të tana ja kam lut mortjen vetes.
Ta kqyrsha vdekjen
e deksha vetë përditë.
Sot vi te ti e veshun pranverë
pi nji gllenjkë prej gjinit tánd
të dyja bashkë çojmë shkámin n'cep të synit,
bashkojmë Urën e Shenjtë me mitin e Rozafës,
ndezim qirinjtë e shpresës,
s'jetojmë me fatin në grushtin e askujt
Hej Kosovë e Bukura e Dheut!
A hiç nuk e ndin dashninë téme?
Sot nji lutje kam për ty:
Duaje veten e má ke kthye dashninë 100- fish!
Dielli ka me m'dal në krahnor
Kostandinët prap' kanë me e mbajt besën
s'bashku ja bajmë funeralin tradhëtisë,
s'bashku i ngjitena malit pá qá se asht i naltë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen