Dr. Bexhet Asani |
Në prag të festës së 7 Marsit, ditën e mësuesit.
Gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit njëzetë, Fondi i Përbashkët Shqiptar në Nju Xherzi botoi tri fletushta për nevojat e Organizatës. Nga të tria fletushkat dy prej tyre ishin jetëshkurtra fletushka “Drini i Zi”, pati jetë të shkurtër, doli vetëm një numër, kurse fletushka për raporte financiare tremujore “Buletini” doli disa numra. Fletushka më jetëgjatë është padyshim fletushka “Tribuna” të cilën e ka pagëzuar mësuesi veteran Gani Alimi, kryeredaktor i së cilës ishte në disa numra të saj. Fletushka “Tribuna (Organ i KP të FPSH – Fletushkë e përkohshme informative), doli gjithsej 17 numra për pesë vjet vjet. Numri i fundit ka dalë në gusht të vitit 1988. Autorit të ktij studimi rastësisht i ranë në duar disa numra nga këto revista, gjatë një vizite që i bëri themeluesit të Fondit të përbashkët shqiptar Nazmi Demishaut në shtëpinë e tij në Linkoln Park të Nju Xherzit. Ai me dëshirën më të madhe më lejoi që të “gërmoja” në bibliotekëzën e tij. Të dy u gëzuam si fëmijë kur i gjetëm këto fletushka, të cilat i kishte zënë pothuaj pluhuri i harresës.
Gjatë kërkimit nëpër libra gjeta edhe dy fletushka tjera të cilat i ka përgatitur Gani Alimi, anëtar dhe mësues, “Dy dekada të Organizatës Fondi i përbashkët shqiptar (Një analizë)”, kjo fletushkë nuk e ka vitin e botimit por duke u bazuar në titull atëherë mësuesi veteran Gani Alimi duhet ta ketë shkruar në vitin 1997, por fletushka sheh dritën e botimit në vitin 2000, në 23 vjetorin e Fondit të përbashkët shqiptar, dhe fletushka të cilën e ka titulluar “Xixat e pesëvjeçarit të dytë të veprimtarisë së FPSH 1982-1987, Një analizë”, botuar në gusht të vitit 1987. Këtë fletushkë me 37 faqe e boton me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të Fondit të përbashkët shqiptar më 1987. Në këto dy fletushka edhe pse fund e krye shkruhet për historikun e Fondit të përbashkët shqiptar, nga veterani i arsimit shqiptar Gani Alimi, nuk janë botime në kuadër të Fondit të përbashkët shqiptar por janë botime private të autorit.
Mësuesi i popullit Gani Alimi, me një mjeshtëri të rrallë shkruan aktivitetet dhe peripecitë e Fondit të përbashkët shqiptar, si dëshmitar i kohës dhe si njohës i mirë i rrethanave në të cilat zhvillonte aktivitetet kombëtare Fondi i përbashkët shqiptar, i cili vepronte në Paterson të Nju Xherzit. Ai vë në dukje edhe ndërhyrjet e disa agjentëve të UDB-së jugosllave, nga Konsullata e Jugosllavisë në Nju Jork dhe disa bashkëpunëtorë të tyre shqiptarë, të cilët i kanë shërbyer regjimit jugosllav me devotshmëri (ndonjë e përmend edhe me emër e mbiemër), në punën dhe aktivitetin e Fondit të përbashkët shqiptar, deri në shpërbërje të saj. Falë qëndrimit stoik të disa atdhetarëve të flaktë nuk ia kanë arritur qëllimit.
Fondi i përbashkët shqiptar sot Qendra kulturore shqiptare, këtë vit 2019, i mbush 42 vjet që nga themelimi i saj më 14 dhjetor të vitit 1977. Pse i shkroi këto dy fletushka Gani Alimi? Përgjigjen e jep vetë Gani Alimi te faqja e parë e fletushkës “Dy dekada të Organizatës Fondi i përbashkët shqiptar”, i cili midis tjerash shkruan: “Arsyeja, e cila më shtyu të shkruaj për Organizatën tonë, ka qenë, që si një ndër anëtarët më të vjetër të kësaj Organizate dhe si mësues i parë i Shkollës shqipe, të cilën e hapi Organizata Fondi i përbashkët shqiptar në Paterson NJ (Nju Xherzi), në vitin 1982, si sekretar i kësaj Organizate në periudhën e ringjalljes së saj 1981-1985. Këtë e bëj për hir të veprave që ka bërë FPSH, gjatë dy dekadave të fundit me aktivitetin e saj. Nga ana tjetër, këtë e bëj që të dihet e vërteta mbi veprimtarinë njëzetë e tre vjeçare të Organizatës tonë, që shumë bashkatdhetarë kanë derdh djersë dhe para për ndërtimin dhe përparimin e kësaj Organizate”. Një mendim fisnik dhe i guximshëm i Mësuesit të popullit Gani Alimi. Në 47 faqe, në dy fletushkat, njëra me 37 dhe tjetra me 10 faqe, e Gani Halimit e gjen historikun e shkurtër njëzetëvjeçar të Fondit të përbashkët shqiptar.
Rrugën e Gani Halimit do ta ndjekë themeluesi i Fondit të përbashkët shqiptar Nazmi Demishau, i cili do të shkruaj për historinë e Fondit të përbashkët shqiptar, në librin e tij prej 238 faqesh “Midis dy zjarresh” Shtëpia botuese “Liria” Tiranë, 2003 tre vjet më vonë, pas botimit të fletushkës së Gani Alimit “Dy dekada të Organizatës Fondi i përbashkët shqiptar” 2000 (Një analizë).
Pasi erdha të jetoja përfundimisht në Nju Xherzi, në qershor të vitit 2015, i propozova kryetarit dhe kryesisë së Qendrës kulturore shqiptare të Riverdelit, që ta përgatitja një Monografi për këtë Qendër, sepse e njihja relativisht mirë aktivitetin e ish Fondit të përbashkët shqiptar dhe pasuesin e tij Qendrën kulturore shqiptare, ata jo vetëm që bëheshin indiferentë, herë pas here bëheshin edhe të shurdhër dhe mospërfillës! Në insistimin tim se Qendra ka një arkiv të pasur! Njëri prej tyre m’ u përgjigj: - Asgjë s’ kemi! E heshta këtë punë. Mendova se mbase janë të pa arsimuar sa duhet dhe nuk ia dinë rëndësinë dhe vlerën “Monografisë” e cila do të përfshnte tërë historinë e Qendrës kulturore shqiptare. Tani pas katër vjetësh, kur unë po studioj disa fletushka të Fondit të përbashkët shqiptar erdha në përfundim se ata të kryesisë e kishin njohur shumë më mirë, Fondin e përbashkët shqiptar sot Qendrën kulturore shqiptare, sesa unë!
Megjithatë unë do të merrem kësaj radhe me faqen e ndritur të historisë së Fondit të përbashkët shqiptar. “Tribuna” numër 13 me 13 faqe, Fletushkë e përkohshme informative, me redaktor Gani Alimin, del nga shtypi në korrik të vitit 1986; Tirazhi 300 copë. Në kopertinë të “Tribunës” shkruan: “Ruajtja e gjuhës dhe traditave kombëtare, është detyrë nderi dhe përgjegjësi morale për çdo shqiptar me moral dhe ndërgjegje të ngritur”, për kohën ka qenë një guxim i madh, sepse shqiptarët e ish Jugosllavisë ndiqeshin këmba – këmbës, burgoseshin dhe vriteshin, nacionalistët, irredentistët dhe separatistët shqiptarë, sa në trevat e tyre po aq në diasporë.
Në faqen e parë dhe të dytë shkruan për mbylljen e vitit shkollor 1985-1986, mbyllja e vitit të ri shënohet me një mbrëmje gazmore. Me këtë rast fjalën kryesore e ka pasur mësuesja Gjylasfie Ferati, e cila e entuziazmuar nga sukseset e arritura vështirësitë gjatë vitit shkollor, midis tjerash shkruan: “ Këtij procesi mësimor, këtë vit iu bashkua edhe mësuesja veterane zonja Jeta Hajdari që më dha krahë e vullnet. Ky kontribut të cilin ajo ia fali kësaj shoqërie znj. Hajdari meriton një admirim. Kjo është një punë vullnetare me vetëdije të shëndoshë e që duhet të shërbejë si shembull për të gjithë mësuesit veteranë.”
Fjalimi i mësueses Jeta Hajdarit që është aktual edhe sot e do të jetë edhe për mote, na kujton Mësueset e popullit Sevasti dhe Parashqevi Qiriazit me rastin e hapjes së shkollës së parë shqipe për çupa në Korçë: “Ne e dimë fort mirë se jetojmë në një vend, ku as gjuha, as traditat nuk i kemi të njëjta me popullin vendës (amerikan). Këto rrethana kushtëzojnë që brezi i ri të shkrihet në turmën e madhe të këtij populli dhe të asimilohet, ashtu si lumi që derdhet në detin e pafund.” E thënë bukur nga mësuesja Jeta Hajdari e cila ka parë rrezikun nga asimilimi në sy. Një parandjenjë e tmerrshme! Për të vazhduar më tej: “Gjuha e mbanë gjallë kombin. Kombi pa gjuhën e vet zhduket. Pra, a nuk është mëkat që një komb të lashtë si ky i yni ta lëm të shkrihet në kombet e tjerë? Jo. Këtë askush s’ e do...!” (Tribuna nr. 13, f. 1-2 1986).
Ndërkohë Fondit të përbashkët shqiptar i kanë ardhur letra përshëndetëse nga të huajt dhe nga shqiptarët. Nga letrat e shumtë që i kanë ardhur ata kanë zgjedhur për fletushkën “Tribuna” një letër të çiftit dhe intelektualëve amerikanë Rojas. Zonja Rojas është profesoreshë e arteve figurative. Kronisti (Gani Alimi) një kujdes të veçantë tregon për grupin folklorik të Fondit të përbashkët shqiptar me rastin e kremtimit të njëqind vjetorit të “Përmendores së lirisë” në Nju Jork. Në atë përvjetor kanë qenë të pranishëm kryetari i atëhershëm i Francës Fransua Miteran dhe kryetari i SHB të Amerikës Ronald Regan i cili ka ndezur dritat e Statujës së lirisë. Ndërsa themeluesi i Fondit të përbashkët shqiptar Nazmi Demishau ka një shkrim me rastin e një vjetorit të blerjes së godinës së Fondit të përbashkët shqiptar i cili shkroi: “...ideja dhe aksioni për blerjen e Shtëpisë së kulturës nuk zbriti nga qielli por ajo lindi, ja këtu, në mesin tonë...”
“Tribuna” nr. 16. Nëntor - 1987, ka 8 faqe. Redaktore përgjegjëse e saj është mësuesja Jeta Hajdari ndërsa korrektor Nazmi Demishai. Në Editorial vihen në pah të metat e disa anëtarëve të cilët edhe nuk japin kontributin e duhur dhe jo vetëm që kanë qëndrim oportun ndaj Fondit të përbashkët por ata “shkaktojnë urrejtje, sa që disa janë shndërruar edhe në sabotime e shantazhe”. Siç shihet edhe nga fjala Editoriale e kësaj “Tribune” rruga e Fondit të përbashkët shqiptar nuk ka qenë e shtruar me lule. Një rrugë plot me vështirësi e sakrifica e kërcënime deri në mbyllje të Fondit të përbashkët shqiptar. Shkrimet e “Tribunës” si Editorial, Pavarësia 1912, Në afërsi të Bostonit dhe Zgjedhjet e reja nuk kanë autor që lë të kuptosh se ato duhet të jenë shkrime të Jeta Hajdarit dhe të Nazmi Demishaut. Dhjetori i 1987 është kohë e zgjedhjeve të Fondit të përbashkët shqiptar, prandaj, ju bëhet thirrje anëtarëve dhe të tjerëve: “ Për të vazhduar me sukses veprimtarinë e organizatës tonë, është e nevojshme dhe demokratike që kuadrot e aktivit të zëvendësohen me aktivistë të rinj energjik, kështu që u jepet mundësi të shumtëve, të japin kontributin e tyre humanitar e patriotik. Është koha t’ i flakim mospajtimet, kundërshtimet tendencioze, egoizmin etj., dhe jo vetëm këto, por të lëm mënjanë inatin që është, jo vetëm dëm i vetvetes por edhe i mbarë shoqërisë..”
Fletushka e “Tribunës” me nr. 17 e cila ka dalë nga botimi aty nga fundi i gushtit 1988, duhet të jetë fundi i botimit të kësaj fletushke. Arsyet se pse nuk u botua mëtej “Tribuna” mbase i di themeluesi i Fondit të përbashkët shqiptar Nazmi Demishau dhe anëtarët e kryesisë së asaj periudhe! Redaktor përgjegjës i “Tribunës” nr. 17 është Nazmi Demishai, korrektorë Jeta Hajdari dhe Suria Qira, ndërsa kopertinën e ka idejuar piktori Zikri Meta. “Tribuna” nr. 17 i ka 21 faqe. Në kët numër shquhen Editoriali i mësueses Jeta Hajdari dhe reportazhi “Koncert në Ustër Masaçusets” i Suria Qirës. Faqet tjera të “Tribunës” janë mbushur me letra përshëndetëse për punën e Fondit të përbashkët shqiptar dhe disa reklama të kompanive me pronarë shqiptarë. Dhe në fund poezia e Jeta Hajdarit “Të mblidhemi të gjithë tok”. Një vjershë në të cilën autorja shpreh një ndjenjë gëzimi e hareje, se për mësimin e gjuhës shqipe tani kanë ku të mblidhen nxënës e mësues bashkë, te godina e re që Fondi e ka blerë për ta.
Në reportazhin e tij me titull “Koncert në Ustër” Suria Qira falënderon: “Këshillin e përgjithshëm të Fondit të përbashkët shqiptar, Komisionin për aktivitete të lira me në krye Ruzhdi Lumanin dhe grupin muzikor, të cilët bënë të mundur shfaqjen e disa koncerteve në Nju Jork , Kenerikë dhe Ustër (Worcester, Mass)... Iu afruam qytetit Ustër. Të gjithve zemrat na rrihnin nga gëzimi. - Ja kisha! - tha dikush pa pritur shpërtheu një brohoritje Yeeeeeeee.... që përcillej me duartrokitje.
U gjindëm në oborrin e kishës shqiptaro-amerikane “St. Mary’ s Orthodox Church”. Fëmijët u rreshtuan sipas lartësisë dhe me hapa të lehta u nisën derejtë hyrjes. Aty na priste njëri ndër organizatorët e mbrëmjes John Anas, i shoqëruar nga katër a pesë organizatorë, që si ne, kishin filluar me përpjekjet e tyre nja dhjetë muaj përpara. U mahnitën. Sytë u shkëlqenin nga entuziazmi kur panë fëmijët me atë veshje të bukur dhe të ngrohtë kombëtare, si qengjat e pranverës ecnin drejtë sallës ku do të jepej koncerti. Salla ishte zbukuruar për mrekulli . Vizituam tërë kishën. Në hyrjen kryesore ishte vendosur piktura e Fan S. Nolit, punuar nga një dorë e një mjeshtri profesionist... Salla u mbush me spektatorë...” Këto ishin disa nga mbresat e grupit të këngëve dhe valleve të Fondit të përbashkët shqiptar gjatë koncertit të tyre dhënë para vëllezërve të tyre në qytetin Ustër të Masaçusets- it, botuar te numri i fundit të fletushkës “Tribuna”.
Ndërprerja e botimit të fletushkës “Tribuna” e ka prekur rëndë Mësuesin e popullit Gani Halimi, ai ironizon të gjithë ata të cilët patën gisht dhe kontribuan që fletushka të mos botohej më. Me këtë rast ai do të shkruaj: “ Si duket se dhe “Tribunën” e zuri gjumi, ai gjumë që dikur e zuri të mjerin “Drini i Zi”. Ca që janë fare pak në numër e kanë dëshirë ta lexojnë, kanë zënë të murmurisin:
“.... o shokë, na zuri furtuna,
Shkoi te “Drini” dhe “Tribuna”;
Kujtuam se mos vallë na iku,
Na qenka bërë qiri dhe fiku!!!....” (Xixat...f. 37, 2000)
Pas këtij reagimi të veteranit të arsimit Gani Alimi “Tribuna” doli edhe tri numra. Kur e shkroi këtë reagim kishte dalë numri i 14 fletushkës “Tribuna” dhe për shtatë muaj nuk kishte dalë numër tjetër!
Themeluesi i Fondit të përbashkët Nazmi Demishai i jep mirënjohje në emër të këtij institucioni me motivacionin:
Kjo pllakë përkujtimore, i dedikohet mësuesit veteran Gani Alimi në shenjë mirënjohjeje si iniciator-mësimdhënës në Shkollën e parë shqipe, gjatë vitit shkollor 1982-1983 pranë Shkollës publike No. 18 në Paterson Nju Xherzi (New Jersey).
Këshilli i përgjithshëm i FPSH
Kryetari Nazmi Demishau,
Më 1 korrik 1984 Paterson N.XH. (Demishau, f. 137. 2003)
Fondi i përbashkët shqiptar sot vepron në godinën e re, me emër të ri Qendra kulturore shqiptare në Riverdel (Riverdale) të Nju Xherzit. Aktivitetet vazhdojnë...
Duke i lënë mënjanë thashethemet, mosmarrëveshjet, djallëzitë, intrigat, të metat e disa individëve të kohës, vitet tetëdhjetë Fondi i përbashkët shqiptar, ka kryer me sukses misionin e tij historik. Ishte kohë pa kohë. Regjimi jugosllav kishte arritur kulmin e persekutimeve dhe dhunën ndaj shqiptarëve. Shqiptarët me t’ u kthyer në atdhe iu merrej pasaporta dhe nuk mund të ktheheshin në vendet e tyre të punës, pasaporta u jepej vetëm atyre të cilët pranonin të bashkëpunonin. Agjentët e UDB-së vepronin kudo. Sipas themeluesit të FPSH Nazmi Demishau Organizatën veç UDB-ësë e paska “luftuar” edhe misioni diplomatik shqiptar!: “Prandaj, organizata FPSH, në asnjë mënyrë të mos mbetet me karakter të përgjithshëm kombëtar. Ajo, ja se të asgjësohet ose po, të shndërrohet në “Qendër Islamike”! (Demishau, f. 81, 2003). Duke i bërë një retrospektivë kësaj periudhe sa tragjike po aq fisnike për popullin shqiptar në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, disa anëtarë të Fondi i përbashkët shqiptar vlonin nga atdhedashuria. Ruajtja e gjuhës, veshjes, adeteve dhe zakoneve shqiptare ishte primare për shumicën, kjo mund të shihet pothuaj në çdo faqe, te këto pak fletushka të “Tribunës” që i kisha në dorë.
Blumingdel, më 1 mars 2019
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen