Freitag, 15. März 2019

Vasil Vasili: PËLLUMBAT E SHTETIT

Vasil Vasili

PËLLUMBAT E SHTETIT

          Sa e thjeshtë është jeta për t’a kuptuar, veçse duhen pëllumbat e “Sheshit të Gjelbërt”.
          Atë ditë ata ishin të urritur si asnjëherë dhe, s’ishin fare pëllumba, por ca shpend të ankthshëm, grindavecë, po edhe të hutuar. Sytë e tyre ishin në pritje të një mëshire, që gjithsesi s’e dinin nga do t’u vinte: nga qielli apo nga dora e njeriut, prandaj e kishin humbur qetësinë dhe shpejt, diku mes tyre, filloi një dyluftim i frikshëm me sqepa, me gugatje hungurruese, me goditje me krah, me fryrje puplash dhe pastaj, me shkuljen e tyre nga sqepat majmprehtë.
         Pas pak shembullin e tyre e ndoqën edhe të tjerët dhe, gjithssa ishin në shesh, u përfshinë në luftë.
          Ç’gjë e frikshme, e pabesueshme! Pëllumbat hanin pëllumba. Në atë çast më dukeshim me pllanga gjaku, me mishra të shkulur.
          Të vërtetën e egërsimit të tyre e mësova fare rastësisht nga biseda fëmijësh. Kujdestari i ushqimit të shpendëve kishte tre ditë që s’u kishte hedhur haje dhe, për atë askush s’dinte asgjë. Unë s’prita t’i kthjelloja mendimet, por me copra të vërtetash në kokë, u gjenda në një shitore. Kur u ktheva, njerëzit e kishin shtrënguar qarkimin dhe po këqyrnin luftën me kënaqësi dhe me britma. Gjithçka ndryshoi aq shpejtë, sa s’u zija besë syve, kur hodha mbi kacafytjet e pëllumbave një grusht grurë. Ata i ndërprenë menjëherë dyluftimet dhe me një mirëkuptim shembullor, si etër të lashtë, harruan fyerjet, dhembjet, gjakun e derdhur dhe, sqepat luftarakë i zbutën ose përafërsisht mund të them se shpatat i kthyen në plugje. Ata çukitnin grurin dhe shpërndanin një trokth të vjetër, të rrënjosur thellë në trurin tim. Sytë, befas, i zbutën, u ra ngjyra e gjaktë, puplat e kreshpëruara i mblodhën rreth trupit.
          Unë kisha ndalur një luftë të tmerrëshme, që s’do t’a nderonte qytetin tim paqësor, por befas u gjenda në qendër të vëmendjes dhe më ranë mbi trup vështrimet e egërsuara të këqyrsve.
          Pse e bëre këtë, pse na ndërpreve shfaqjen? Ata më shikonin me përbuzje, mbi të gjitha, më shikonin me habi gryese dhe s’harrinin t’a kuptonin, se si një grua mund të bëjë ndryshe nga të tjerët. Isha rrethuar nga këta njerëz që mendonin armiqësisht për mua. Ata më vështronin ngultas sikur do zbulonin të veçantën mistike, fshehur nën lëkurën time të bardhë. Ishin sy që unë s’i kisha ndeshur asnjëherë. Dy njolla të hirta, që m’u kujtuan se të kujt ishin, më shikonin edhe më me habi. S’të paskam njohur, thoshnin. Pastaj qarkimi filloi të rrallohej, gjersa mbeta e vetme me pëllumbat. E shpërndava gjithë grurin që bleva dhe prita gjersa ata me afsh e mbaruan. Pastaj edhe pëllumbat filluan të fluturojnë dhe mbeta e vetme në shesh. Kishin ardhur njerëz të tjerë, që s’dinin asgjë për luftën dhe për mua. U ula në një stol dhe kujtova çastet e pakmëparshme. Zemra ende më rrihte vrrullshëm dhe vështrimet e njerëzve të pakmëparshëm s’e linin të qetësohej. Kisha shmangur një luftë, ndoshta më të pabesueshmen, midis qenieve më paqësore të Tokës dhe të Qiellit, por një ankth më kapi. Gjer në këtë çast, asnjëherë s’më kishte shkuar nëpërmend, se pëllumbat mund të hanin vetveten, pra vëllezrit dhe, unë, s’dija asgjë nga ky tjetërsim, ndërsa gjithë të tjerët, këtë të vërtetë e dinin.
          Kur mbrrita në shtëpi, isha krejt e dërmuar nga ata sy ndëshkues. Mbylla derën me përplasje të pazakontë dhe, kur ndodhesha në ajrin e dhomës time, mendova se çastet torturuese të pakmëparshme i kisha nxjerrë nga kujtesa, se ato diku rënkonin në një cep stoli, në një shesh. U plandosa në shtrat, por pakuptuar më kapi një dënesje dhe kur më pushoi ajo, e ndjeva veten të rrethuar nga vështrimet e këqyrsve të luftës së pëllumbave, që tinëzisht kishin hyrë në dhomë. Qindra sy të llojllojshëm, më shumë të zinj, me një armiqësi shekullore ishin drejtuar mbi trupin tim të hajthëm. Një çast e pashë veten në pasqyrë dhe u tremba gjer në dhembje. Flokët e verdhë, krenaria ime femërore, më ishin nxirë papritur, kishin marrë ngjyrën e shumicës së syve që më këqyrnin. Pas pak, ata sy më vunë në gjumë, jo për të më shpëtuar nga kjo botë me njerëz të çuditshëm, por për ravgimin tim të mëtejshëm, për të më dhënë ca ëndërra të makthshme.
          S’mbaj mend si shkova të kallzoj vetveten, por për një gjë jam fare e sigurtë siç është e sigurtë që erëzat i japin shije gjellës, nisja ime u bë nga shtati im, nën pushtetin e padhunshëm të gjumit, nën mbretërinë e harlisur të ëndrrave, në sigurinë ngjethëse të një somnanbuli. Jo, jo s’e di në ç’gjendje isha kur shkova të kallzoj vetveten, gjithashtu s’e mësova se me ç’shpirt isha pajisur në këtë rrugëtim.
          Punonjësi që mori shënim kallzimin tim më tha, ndonëse jeta është e mbushur me raste të tilla, çështja juaj është shumë e veçantë dhe, se ndodh rrallë, për të mos thënë se jeni rati i parë që do gjykojmë, prandaj përfundoi, çështja juaj është shumë e thjeshtë, por vendimin s’mund ta dimë. Bashkë me përfundimin e arsyetimit, iu çtendosën edhe miset e fytyrës. Pastaj më tha se do të gjykoheni menjëherë, sapo të jetë gati trupi gjykues.
          U ula në një ndenjëse me shpinore të dalëboje. Kur u qetësova, pashë se edhe njerëz të tjerë prisnin rradhën para shkruesve dhe, pasi bënin kallzimin, uleshin në ndenjëse.
          Më kaloi përpara njeriu që i kishte sytë si njolla të hirta. M’u duk se lëshoi një nënqeshje. Kishte shumë arsye, që gjithë këta njerëz, që uleshin pasi kishin bërë kallëzimin, të ishin pikërisht ata që kishin ndjekur luftën e pëllumbave. Tani kishin ardhur të bënin detyrën, që s’e di nga ç’sfera interesash u vinte apo nga ç’gjendje shpirtërore dilte. Tani prisnin të rregullonin me ligj interesat e cënuara apo prisnin të shkarkonin gjendjet shpirtërore të ndera, që u kishte kallur një grua, që kishte ardhur, s’dihej nga ç’kohë e largët, dhe të fitonin një ajër të lehtë, atë që u endej në shpirt pakmëparë, atë ajër që ishte lëndëngjizja e çdo gjëje, madje ai ishte vetë jeta e kthyer në këtë lloj ajri brenda shpirtit. Ai mund të ndizej nga një sqep pëllumbi dhe, trupat e rëndë, të pandjeshëm gjatë gjithë ditëve, mund t’ua bënte të ndjenin kënaqësinë më të shfrenuar dhe nga goja mund t’u dilnin ca “Oh!” të ndezura, ca fjalë cytëse.
          Unë sot, këtyre njerëzve, u kisha hequr përndezjen që u vjen rrallë, shumë rrallë. Dhe me se? Me një grusht grurë. Ata tani s’më shikonin me armiqësi. Unë kisha ndërruar ngjyrën e flokëve, kisha kallzuar vetveten dhe mund të bëja edhe hapa të tjerë, drejt tjetërsimit tim. Unë tani për ata, isha në kah të tyre, për të dënuar një grua tjetër me flokë të verdhë. Ata e dinin shumë mirë që unë isha gruaja e tjetërrsuar nga fuqia e syve të tyre, prandaj tani rinin shumë të qetë, sikur të mos më kishin mua përpara dhe, për ata rëndësi kishin çastet që do të vinin, ku do të luhej një shfaqje tjetër, shumë më argëtuese se e para, me pëllumbat. Ata prisnin të shikonin një çfaqje me njerëz, por unë s’e di se ç’rol do të kem në atë shfaqje, ndërsa për ata, dyshoj se e dinë se ç’rol do të kenë për vete dhe për mua.
          Kaloi një kohë dhe përpara shkruesve s’kishte ankues. Në sallën gjatoshe kishte rënë qetësia e plotë si në një natë ku mungojnë yjet, pemët dhe qeniet e gjalla. Gjithë shkruesit u ngritën dhe, me dosje në duar, shkuan te shkruesi që kishte marrë kallzimin tim. Ai diçka u tha atyre, që u kuptua se ata e miratuan. Ai u ngrit, doli nga kthina e qelqtë dhe u drejtua pikërisht për tek unë. Mendova se ai erdhi për të më shpallur përbërjen e trupit gjykues dhe u ngrita nga ndjenjsia për mirësjellje. Ai bëri një hyrje shumë të shkurtër, për të më përgatitur për të qënë e bindur dhe më tha:
            - Ju, jeni caktuar kryegjyqtare.
          Unë shpreha habinë më të madhe me një fjalë të vetme: “Unë?!”
            - Po, pikërisht ju.
            - Po pse, pikërisht unë? A s’jam unë...?
          Mirësjellja dhe dituritë e tij në artin e bindjes dukeshin se ishin të pashtershme, pastaj shto edhe fjalët e përkora dhe tonin që i përcillte dhe të mbetej të thoshe vetëm “po- në” dorëzuese. Ai vijoi mendimin me një fjali me shumë nënkuptime, “Shumë shpejt gjendjet shpirtërore ndryshojnë” dhe, si për t’u mbrojtur nga ndonjë përgjigje e tipit: “Po mendimet mbeten vetëm ato”, ai më la në dorë dosjen dhe shtoi: “Ju jeni e njohur me padinë. Kallzimi juaj është në krye, pastaj janë paditë e dëshmitarëve të lënduar, që janë edhe ata të pranishëm në sallë, keni edhe ligjin, urime!”
          Pa e shkëputur vështrimin nga unë, më drejtoi te ndënjset e larta të trupit gjykues, më tregoi ndënjsen nga e cila unë do drejtoja gjykimin dhe u largua, seku humbi në sallë.
          Unë kisha zënë vendin e kryegjyqtares. Anash meje u ulën një burrë dhe një grua, ishin ndihmësit e mi. Pak më poshtë rinte shkruesi i gjyqit dhe, përballë tij, e pandehura. Gjithçka po merrte pamje gjyqësore. Pushuan fjalët, pastaj edhe pëshpërimat. Unë ngrita çekiçin dhe godita tryezën tri herë. Gjyqi kishte filluar. Erdhi çasti që t’i drejtohesha të pandehurës.
            - Emrin?
          Në sallë u shtua qetësia dhe kërshëria. Asnjë përgjigje s’mora. Prita edhe pak dhe e përsëdyta pyetjen. Edhe këtë rradhë, nga askush s’mora asnjë përgjigje. Atëherë kuptova që duhej të përgjigjesha vetë, për gjithëçka. 
          Kujtova dhe kuptova më mirë fjalinë e përkorë të kryeshkruesit, “shumë shpejt gjendjet shpirtërore ndryshojnë”, që mund t’a përshtatja në qindra mënyra të tjera shprehjeje dhe nxorra nga kujtesa e plogët emrin tim, Mirsini.
          Sytë e paditësve të mi u gjallëruan. Më në fund, kishim mësuar zyrtarisht emrin e njeriut që kishin paditur dhe, ç’qe më e rëndësishmja, edhe unë kisha filluar seriozisht të gjykoja veten time. Me një ton të prerë iu drejtova shkruesit të gjyqit:
            - Shëno emrin dhe, gjithçka që do të vijojë, është nën përgjegjsinë time.
          Atje poshtë, ishte e pandehura, një grua dyzetëvjeçare, natyrisht e bukur, si e pacënuar nga gjithçka, madje as edhe nga shikimet e dëshmitarëve. Shpërfillëse edhe për pyetja tme, edhe për autoritetin që unë kisha për gjykim, e habitur që edhe unë kisha të njëjtin emër me të sajin. Nën ato flokë të verdhë, të çelët, fytyra i rrëzëllinte kujtesë me dritë. Ajo dukej se do të ishte e gatshme t’u përgjigjej me çiltërsi të gjitha pyetjeve të mija profesionale. Këtë isha në gjendje ta kuptoja. Një çast, papritur për të gjithë, kërkova një pasqyrë. Ndjeva nevojën të shikohesha, nëse edhe unë, një femër dyzetëvjeçare, kishte të tillë bukuri dhe qetësi shpirti në fytyrë. Një punonjës i shërbimit të gjyqit më solli një pasqyrë me kornizë briri kafe të çelët. E drejtova nga vetja dhe andej dolli fytyra ime. Në fillim u shfaqën flokët me një të zezë jo të pastër, si e ardhur nga një natë me re të përhimta. Kjo ngjyrë, aspak tërheqëse, gati sa s’mi shqeu, copa - copa, nervat. E lashë pasqyrën mbi tryezë dhe, me siguri, i habita me veprimin tim dy pjestarët e tjerë të trupit gjykues, që s’kishin gjetur në praktikën gjyqsore një rast të tillë, si ky i imi. Po aq të habitur kishin mbetur edhe dëshmitarpaditësit në sallë.
          Kisha mbaruar gjithë formalitetet e gjykimit dhe u futa menjëherë në thelb të çeshtjes me pyetje.
            - E pandehur, ju u bëtë zonjë e pëllumbave në një çast që s’e kishit marrë këtë të drejtë, rrjedhimisht ju ishit e papërgatitur për të administruar gjendjen e acaruar të tyre, e cila kërkonte njohje paraprake?
          E drejtova vështrimin në vendin e të pandehurës dhe prisja përgjigje nga ajo. Kaloi një kohë dhe ende s’po merrja përgjigjen, ndërsa paditësit ishin të bindur se në vendin e së pandehurës s’kishte asnjë zonjë të pëllumbave, asnjë flokëverdhë. Në krye të sallës kishte vetëm një gjyqtare, që ata me anë të shikimeve të tyre, i kishin ndëruar ngjyrën e flokëve dhe kishin arritur gjer në shpirt të saj dhe i kishin prishur gjithë klimën dhe ia kishin mbushur me një soje ndryshe, për të cilën mund të thuhet se është vetëm e sotme e sendeve, një arkitekturë gjeometrike dhe hedonistike e sëmurë nga gëzimi për shfaqjet luftarake. Me një marrëveshje të heshtur, kishin pranuar, që ajo të ishte kryegjyqtare për të gjykuar vetveten. Ndërsa unë shikoja në vendin e të pandehurës, pikërisht gruan, që rrethanat e quajtën të pëllumbave dhe i drejtohesha asaj me pyetje. Ndërsa paditësit e mi shikonin në veprimin tim (në pyetjet që i bëja të pandehurës), një mënyrë gjykimi të diktuar, më përpiktë, një ndarje timen me të kaluarën, prandaj bënin sikur s’e vinin re dyzimin. Shumë-shumë, për ata, në vendin e së pandehurës mund të ishte vetëm një hije dhe, nga hijet askush s’ka frikë.
          Përsëri iu drejtova shkruesit të gjyqit:
          E pandehura ngulmon: “Jo, jo, thjesht u ndodha pranë urisë së tyre dhe vetëm për një çast, rastësisht.”
          Dëshmitarpaditësit, gati njëkohshëm, bënë veprimin e të habiturit. Ata s’mund ta emërtonin të rastësishëm guximin me shumë siguri të veprimit të saj, prandaj në fytyrat e tyre u shfaq një nënqeshje e hidhët. Për t’i dalë përpara ndonjë zëmërimi të tyre, nxitova t’i bëj pyetjen tjetër, e cila në të vërtetë, vetëm tonin kishte pyetës.
            - Ju duke pronësuar pëllumbat dhe duke përpunuar instinktet e tyre, shkaktuat qindra viktima shpirtërore. E pandehur, e pranon këtë të vërtetë?
          E pandehura një çast e solli nëpër mend pyetjen time, seç pa diçka tinzare atje, mendoi se kjo kryegjyqtare, që ngjante me ’të në tipare, por që s’e kishte parë kurrë, ishte shumë e zellshme në mbrojte të padive kundër saj. I erdhën nëpër mend shumë trajta përgjigjesh, por mendoi se s’kishte arsye të mbrohej dhe tha:
            - Gjithçka që mund të them, përsëri, është se u ndodha pranë urisë së tyre dhe, vetëm për një çast, rastësisht.
          U ul në ndenjsen e vet, e drejtoi vështrimin mbi parzëm, si për t’u siguruar se nga brenda tij, kishin dalë fjalë zemre pra, të vërteta të amshuara. Erdhi çasti kur dëshmitarëpaditësit e mi shpërthyen në britma, secili sipas temperamentit, por të gjithë shprehnin të njëjtin kundërshtim, - Kjo vjen nga e kaluara pandryshim, kjo është monstër.
          Si kryegjyqtare e kuptova shumë mirë mendimin e tyre. Ngrita çekiçin prej druri, godita tri herë tryezën, vendosa qetësinë dhe shpalla vendimin:
            - Trupi gjykues, njëzëri, shpall fajtore gruan e pëllumbave për përvetësim pushteti, me pasojë – qindra viktima shpirtërore. Gjyqi mbyllet.
Dëshmitarpaditësit u çliruan nga ankthi. 
          Unë, kryegjyqtarja, mblodha me ngut fletët e gjykimit. Mbylla dosjen. Pëllumbat e Sheshit të Gjelbër nuk dinin gjë, që ishin futur nën tagrin e shtetit.

Memaliaj - Patra, qershor 2003.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen