Donnerstag, 14. März 2019

Poezi nga Miradije Ramiqi (1)

Miradije Ramiqi

SKALITJA E BUZËQESHJES

Në tri ngjyra ta vizatova fytyrën 
Engjëll i shpirtit tim
Më mbylle në një kornizë të vrugtë

Në tri harqe ta skalita buzëqeshjen
Djall nëpër trupin tim të lig
Më ktheve mbrapsht deri te burimi
Të pi lotin tim në rënie

Më ngujove në ngjyrën e parë të hijes sime
Fytyra më mori peizazhin tënd të blertë
E i emërtova gjërat me Ty, mëkatar 



MBARIMI I LOJËS

Nëpër qeshjen tënde rritem 
E zvogëlohem duke të harruar
Para se të shkelësh në mua

Mëso edhe një herë paturpësisht 
Për mëkatin e atij
Që të ka ëndërruar

Derisa matesh me urrejtjen 
Që e mbjell dashurinë
Mos hy në këtë lojë

Me tri stinë blerim në kurorë



MË MBAJ SKAJ ZEMRËS SATE

Nëse më do 
më mbaj skaj zemrës sate
kështu në mua do jesh
edhe kur s’jam pranë teje 
ngrohtësisht më përqafo
nëse më do
më ngroh me zemrën tënde
më kërko me këmishën e bardhë
me shiun e freskët pranveror
derisa butësisht bie në mua në ty
përjetoje ngadalë këtë mahnitje
shndërrohu në melankoli
nëse më do
me shekuj
do të pres 
me etjen e pashuar 




PUTHJE NË VARG

Një puthje ta fal nga larg
në mungesë të asaj që dua
harro natën e kaluar në evergrinë
nëse dëshiron thjeshtësinë time
vazhdo udhëtimin nëpër varg
aty ku ndizet e fiket qiriu
në zemrën e pikturës
kallen ngjyrat në pritje
mbërthyer në nostalgji
kujtimi nuk të braktis
me gjethet e verdha të mbulon
hirësi përrallore që s’ka të mbaruar




NË KALTËRSINË E SYVE

Në kthinën e kësaj nate
U diktua edhe një dritare
Prej nga të shikoj në vetmi
Me katër sy shigjete

Ti nuk e njeh vetveten
Ashtu si e ke në mua
Peizazhi im i gjorë

Sharro edhe më thellë
Në kaltërsinë e syve të mi
Nëse do të arrish një herë
Të më gjesh aty ku më le

Peizazhi im i gjorë




LUTJA E PARË

Më fal thellësinë e syve tu 
Që të ëndërrojnë sytë e mi

Më humb në rrjetën e lulëzimit 
Vetëm atje mbin
Rrita ime e vjedhur

Më shpjer ndër yje
ku nusërohet 
Vallja ime pa dasmorë

Më fal fshehtësinë e buzëqeshjes sate
Se aty çelin buzët e mia




PRAPË I NJËJTI VEGIM

Kokën prapë e nxjerr
Nga korniza e drunjtë
Që t’i flasë murit të bardhë

Për të zitë e ullirit

Prapë i njëjti vegim 
Për të Përhiturën në dhomën time
Duke u zbledhur nëpër përralla

Për të zitë e ullirit 

Ec gishtave të mi
Pas aromës sime të trëndafiltë
Kokën e nxjerrë prapë pas pikës

Për të Përhiturën në dhomën time




ËNDËRROVA MËKATIN E PARË

Nuk më fale as në verë

Kallinjtë m’i mbështollën flokët
Dielli tinëzisht u fsheh në ta
Sërish ëndërrova mëkatin e parë

Një copë gjelbërim ta arnova
Në ecjen tënde deri tek unë pikturë

Ç’ndryshim: Mëkati të arriti
Si e vetmja bukuri që shijohet

Që nuk ma fale as në verë 




NË TELAT E KËPUTUR

Në natë
kalërojmë
ndjenjën dëshirën
duke ledhatuar
hënën e ngjizur në qiell

Në një vend ti
unë në tjetrin
vetminë e kemi të përbashkët
në kornizë mbyllim
mallin
prekemi symbyllazi
në heshtje përjetojmë
puthjet me afsh
dashurinë
zëri yt tingëllimë
le të kallet flakë
në telat
e këputur




PUHIZË

Më vjen të të shpall mbret
labirinteve të trupit tim
në emër të shpirtit të përbej
të fundmen dëshirë të ma falësh
etjen tonë merre me vete
fshehe në atë mbretëri pikturë
mos lejo të të ikë
ruaje me xhelozi në kraharor
të shtrenjtën dashuri
që nuk shteron kurrë




LULE ME ERËSIM PARAJSE

Në natën e errët
nga gjumi i vdekjes
kërkon të kthehet në kohë
me shpresën e pranverës
lule me erësim parajse
në kopshtin e Edenit
muzat që kalërojnë trotuareve
të bekuara me hirësinë e tij
shndritin hapësirave
me mbështjellës purpuri
mbathur në të bardha
vallëzojnë pa brenga
formojnë rrethe yjesh
shtojzovallet




TË DASHUROSH VETËM NJË NATË

Gjithmonë vrapon të marrësh atë 
të cilën shumë kush nuk e gjen kurrë 
derisa ti ikën nga dashuria  
ajo brenda teje të gërryen 
kërkon ta flakësh atë përshpirtërim 
në kohën kur beson e vrapon pas saj 
mbyllur është që atëherë 
me çelësin e shpresës 
nuk e shemb dot asnjë furtunë 
këmba këmbës dora dorës 
ditë e natë 
natë e ditë
mbolle farën skaj më skaj 
toka ime mbyllur je në kornizë 
me dytëshorin tënd jetëson 
një furtunë pret të vijë 
për t’u kthyer në një fillesë 
të dashurosh edhe një natë
tokën për ta mbarsë në shtratin tonë




DO TË EC DREJT DIELLIT

Të hënën nëpër hënë
krejtësisht e veshur
në të bardha
në rrugë do të nisem
drejt diellit do të ec
me trupin tim ta zë
dritën e tij
pastaj
në një kohë tjetër
do të mbërrijë
në një tjetër yll




STINËT E MALLIT

Derisa në shpirtin tim 
Luhej muzikë e Vivaldit
butësisht vinte pranvera
shkrihej zëri në ngjyrën e mallit
në frymën e saj
me vapën e mërzitshme
e ngrohtë dhe kryengritëse
stina e verës i jep zjarr etjes
derisa në piano luhej tingëllima
që vjeshtën paralajmëronte
të begatë e të ndjeshme
gjethet padiktueshëm zverdhen
nën diellin e portokalltë
ngjyrë e dhembjes ngjallet
nga një ton i largët




ÇELËSI I SHPËTIMIT

Në portat e pikëllimit 
dhembja e mori dheun 
zemrat e lënduara 
as çelësi i varur mbi shpresa 
nuk i mbyll dot 
peng i varur rri e pret 
të vijë ajo ditë e shpëtimit 
vargonjtë e prangimit t’i hapë
shpirtin frymëmarrje ta mbushë 
po ti more botën në sy 
larg çdo stine 
kërkon e ruan dëshpërimin 
për një jetë të vetme 
asgjë nuk vlen më vonë 
po nuk e kape hapin e duhur 
për t’u kthyer aty ku ishe më parë
për atë ndjenjë të shtrenjtë 
të përbirohesh në vetminë tënde 
e të zbulosh çelësin e shpëtimit




NË DRITËHIJEN TIME

”Përfito nga gjendja e rrallë shpirtërore,  sepse vjen rrallë herë”. Gëte

Nga çelësi i kohës pres 
t’i hapë portat e zemrës së pranguar 
mbyllur janë në ndryshkun e zymtësisë 
vallja ka humbur ritmin
në lojërat e gjata të dashurisë 
pak ngrohtësi në shkrirje të fundshekullit 
në hapat e shpejtë të bezdisë 
akrepat e kohës prapa kthehen 
për ta zënë atë që nuk zihet 
je vonuar shumë i dashur
në dritëhijen time 
kohën për ta ndalur




PENDIMI I VONUAR

Të zgjata dorën të më dërgosh 
në mbretërinë e harruar 
më lë qyqevetëm 
tek bredhja mureve gurë mbi gurë 
që frymojnë me etjen e kohëve 
hija më vinte para e prapa 
shputat e këmbëve tua 
pellg vjeshte në rrugët e përgjethura 
me hapnin shtegun e panjohur 
në një çast magjie 
brenda pendimit të vonuar




NË KUPËN E HIDHUR TË MALLIT

Lëre diellin e kuqërremtë
Në shuplakë të dorës
Le të ta ngrohë emrin

Ballin e ngrysur ta ngriu

Në kupën e hidhur të mallit
U derdh ngjyra si verë
T’i zërë grunajat ndër kallinj

Ti erdhe dhe i more buzëqeshjet
Më le vetëm me vetminë
Ç’koncert i llahtartë

Drejtuar nga buzëqeshja jote




ZOGU I PARAJSËS

Zogu i parajsës doli nga korniza
Zbriti në prehrin tim

Fluturo, i thashë, zog zogu

Ai më shikoi edhe njëherë
Befas u kthye prapë në kornizë
Aty e kam më mirë, o robi im, tha

Si nuk e njohu zërin tënd të artë
I dashur, a nuk foli Ai zog
Në gjuhën tënde të bukur zogu

Zbrit edhe për një shkallë
Ai të pret në parajsë, i dashur

Zogu i parajsës




MË MËSOVE PËR TRI MAGJI

Të këndoi në nënkresë ai zog
The: ç’mallkim i marrë

Ta vizatova me dush në kraharor
Ti i ëndërrove tri vera të tjera
Zbrite prapë në kafazin e heshtur

Aty këndove për atë zog

Ia përshkrove pendlën e artë
Si një totem të mallkuar

Më mësove edhe për tri magji
Si të arrish në një përdëllim
Tri herë më të bukur
____
Poezitë janë marrur nga libri: "Dashuria flet me zemrën e diellit"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen