Freitag, 15. März 2019

Poezi nga Miradije Ramiqi (5)

Miradije Ramiqi

MOS MË LËSHO HIJE PASQYRE

Çdo gjë që pata
E mbylla në një imazh

Sytë tu më shikojnë në pëlhurë
Duke pikturuar mungesën tënde

Kthema dimrin e vjetëm në tatuazh
Dua t’ju bëj homazh kujtimeve
Në një peizazh pikëllues

Shiu po zbret në vazo
Ti e harrove lulëzimin e borzilokut
Në Ndejën e fshehtë në olio

A nuk të kujtohet Davinçoja, maestro,
Ulu dhe haji për drekë gishtërinjtë e mi



VDEKJA E ORFEUT

Sipas Albreht Dyrerit

Çdo përgjasim me Ty
Nuk është i rastësishëm

Të varrosa Orfe
Tri ditë pa vdekur
Dhe qe, të krijova sërish
Të përftoj në Studion time
Me skalpelin-brushë
Zemrën ta mora, të thashë,
Më duhet t’i jap gjak
Kësaj dite solemne
Mbase e marte është

Ec vetë deri në pikturën time
Kërkoje buzëqeshjen e parë
Që t’ishte shndërruar në afresk

Jo, të thashë, filloi konservimi
A nuk u shpirtëzova edhe unë
Në të njëjtin portret

Çdo gjë pastaj ndodhi

Të varrosa Orfe
Tri ditë pa vdekur
Dhe qe
Të krijova sërish
Unë, Euridika



NATA KACAVARËT NË VETMINË E PAFTUAR

Për të dalë nga labirinti lypsen vite
Harrimi dhe kalorësit
Që dinë ta vjedhin heshtjen

Me thonjtë e maces e skalis hijen
Banore e murit tim të bardhë
Dhe një zog prej dylli flet i zgjuar

Nata kacavarët nëpër vetminë e paftuar
Që më mbyll në trazimin e ngjyrës
Për ta mbajtur gjallë flakën e epshit



MALLI E SHUAN DHE LUMIN

Ç’është kjo sëmundje e pashuar
Që e shuan edhe lumin
Në rrjedhën e pandalshme

Po unë ta përmend emrin e shenjtë
Që malli e burgosi në kohë

Mos duhet të ringjallemi, Maestro



GJURMË HARRIMI

Të hetova krejt vonë
Me një pendël zogu në dorë
Duke kërkuar kokën time në kornizë

Zogu të zbuloi në kafazin pa dry

Pastaj ike udhëve të pakthim
Gjurmët e harrimit për t’i fshirë
Në një skaj të pikturës rigonin trazueshëm
Belbëzimet e harruara

A nuk u njohëm përsëri
Në formën e zogut të shenjtëruar?



PIKËLLIMI I HIJEVE

Nëpër cepin e buzëqeshjes sate
Mund ta ndjek hijen tënde të dytë
Që e përthekon me duar

Fëmijët ta vodhën ditën në ëndërr
Mbete pa të duke u kërrusur
Rrudhave tua që s’i fshinë motet

Kur të arrijmë në dhomën e ftohtë
Do ta mbushim me hukamë
Para se të na zërë pikëllimi i hijeve

Kështu më në fund Ëndërrimtarë
T’ia vëmë kornizat dimrit
Që nuk do të na njohë as nga pikëllimi



DHEMBJEN NUK E MBAN ASNJË SHKRONJË

Nuk e përballoj dot
këtë përzierje ndjenjash
në botën e askujt
e shqetësimin e vazhdoj në pikturë
me shpresën kryeneçe
të takohemi një ditë
pas ikjes së plagosur në zemër
si zog hapësirash
folenë e ndërtuar e braktise
për ta fshehur gëzimin
dhe brendinë e lënduar
dhembjen nuk e mban asnjë shkronjë
as edhe një varg
as edhe një poezi
as më le as më merr
një dashuri pezull më mban
për një natë tjetër
përtej masës larg



NGA SYRI YT LOTI FLET

Edhe një rrugëtim të ka mbetur
të arrish në vargun tim
me njomësinë e trupit
pushto gjakun e shprishur
vite të tëra e ke vënë në gjumë
përtheko jetën me shikim miklues
nga syri yt loti flet
me guximin tënd nisu
qëndro në dhembjen tënde
me portretin tim të humbur
në rrugëtimin e paharruar



TI VETËM DERËN LËRE HAPUR

Do të vij edhe nesër
Derën lëre hapur
Edhe pse nuk do të jesh aty

Edhe nesër do të vij
Më dhemb gjuha
Të flas nuk mundem
Mall sytë më pikojnë

Nuk do të shoh kur të vij
Në mbrëmjen e freskët të marsit
Mos ke frikë se nuk do të qortoj
Për mungesën, moskujdesin
Ti vetëm derën lëre hapur
Unë përherë do të pres aty pranë
Në mesin e librave të radhitura në vitrinë
Dhe një puthje rrjedh ëmbëlsisht
Një e vetme shije
Një natë Një ditë
E në dhembjen time
Bukuri e pikturuar

Ti vetëm derën lëre hapur



DHEMBJE E BUKUR NË SHI

Më dhemb deri në Iliri
Kur jam larg e afër teje
Derisa Ti ik në turmën ecejake
Në majë gishtash ndalur
Në pëlhurë t’i zë të gjitha ikjet
Bukuria shndërrohet në pikturë
Aty krijohet ëndrra e dhembjes



NË UDHËKRYQ

Tash s’di
A kam zbritur ende në vetvete
Apo kam dalë prej saj

Me një lot më tepër
Jam nisur kësaj rruge
Të arrij
Pa u mplakur prej pritjes

Në udhëkryq
Bredh mendueshëm nëpër rrudha
Që malli i ndërton me ngulm.

Tash s’di
A kam dalë nga vetvetja
Apo jam mbyllur në të



HESHTJA MA VJEDH GËZIMIN

Në ëndërr vrapoj livadheve
Pa e kafshuar blerimin

E yjet pas meje hedhin valle

Dhembja në kraharor
Në vargonj më përthekon
E lodhjen mbështjell

Heshtja ma vjedh gëzimin
Hija më ndjek pas

E unë
Ëndërrueshëm vrapoj
Pa vdekjen time vdes



LËSHOJE ATË YLL

Ta përjetova frymëmarrjen në errësirë
edhe pse me shekuj ishe larg
në mes trishtimit pjell kishe dashurinë
fëmijërinë të kishin vrarë
në rrjedhën e rritës
me ritmin e djallëzisë
ti që kërkoje dritë në zemrën time
për të gjetur fëmijërinë e humbur
dikur koka jote 
prehej në prehrin tim
në sytë tu shpërthente shkëlqimi
jetën e doje si asnjëherë
për t’u mbushur me lumturi qiellore
hape grushtin dhe lëshoje atë yll
të derdhë dritë në botën mbarë
e unë trishtimin ta shuaj me dritë shpirti



KTHEHU NË BUZËQESHJE

Kur të merr dhimbja
vetmia të bën më të fortë
Hirësi braktise mospërfilljen
kthehu në buzëqeshje
përjeto atë kohë lumturie
hyn thellë në vete
përshko rrugës tutje
tokës fali dashuri në ngjyrë
natyrë e saj në ty mbjell
freskinë e ëmbël të jetës



BARDHËSI NË ERRËSIRË

Isha dhe nuk isha me ty Orfe

Në errësirë hapej dritarja
Bardhësia me duar përthekohej
Për një hap ika nga vetmia
Në pasqyrë të thyer u shkrinë edhe dy ngjyra

Të kërkova Orfe
Me këngën e lahutës së lashtë
Brenda errësirës që na mbuloi

Ç’të bëj në këtë cegëm polare
Duke kujtuar natën pa gjumë
Në qafë më është varur pikëllimi
Mos ma shkel aq thellë psherëtimën
Në kohën kur mbyllemi në bardhësi
Mos u shiko edhe njëherë
Në atë pasqyrë ovale

Orfe isha apo nuk isha me Ty



HIMN NATE

Në Prishtinë
Në një pasqyrë të bardhë
Djajtë shikohen në mua
Një natë të vetme Apokaliptike
Në vallëzim me ta numëroj
Dymijë vjet harrimi

Skenë teatri
Luhet (p)lojë tragjike
Zgjohem nga trishtimi i vonuar
Thërras Orfeun të lozë
Muzikën e tij magjepse
Të thërrmojë në mua pikëllimin
Shpirtin tim të ndruajtur
Nga apokalipsa ta shpëtojë
Në Prishtinë 
Skenë trishtimi
Himn nate ...



HYN MË SHUMË NË VETVETE

Kur tundesh në vetmi
tërë bota të rëndon mbi kokë
mendojnë se je çmendur
për jetën për dashurinë
në mungesë rrugësh
hapësirave të tymosura
nuk pushojnë së llafosuri
për dashurinë e etjen
derisa mall ndjejnë për ty
por ti kokën nuk e çan fare
vazhdon në studio vetminë
në rrugën tënde të pafund
të arrish atje ku nuk arrihet
sa më shumë hyn në vetvete
më shumë ngjizësh me vetminë
që nuk të braktis asnjëherë



MALL E DRITHËRIMË

Kërkoj strehim
trotuareve të harruara
shpirti ofshan
me puthjet e tua
e flladin e lehtë
kur je larg
loti vizaton dhembjen
më bën të qaj e të qesh
më përqafon apo më hedh
kur pa përshëndetje ik
kjo aspak s’ka rëndësi
Prishtinë makthi ynë
ofshamë shpirti
deri në thembër
kthimi yt
mall e drithërimë
deri në lashtësi



DERI TEK UNË

/Të jetosh është shumë e vështirë, por tejet më vështirë është
të tregosh jetën tënde. Margerit Jursenar/

Ik e kthehem
në veten time-tënden
padiktueshëm më shfaqesh pranë
kaherë nuk të kërkoj
lirohem nga malli
jetoj në vende me njerëz të huaj
si ti dikur-diku në horizont 
e mall nuk ndiej 
kujtimi për një dashuri
më mungon
ai që dikur ishe Ti…
në veten tënde-timen
kthehem dhe iku
përtej kohës




REQUIEM I SHQETËSUAR

Beqir  Musliut

Isa Ga Nocri Thanë u hap Qielli
Si kurrë më parë Shi ndodhi në Gjilan
Elvan Jusufi Dora vetë
Kishte derdhur Ibrigun e tij
Aty mbante të mbyllur Ringjalljen
Tha Duhet të ketë Shpërlarje arti
Për Mëkatarët e jetës në Amshim
Unë duhet të Ec Edhe për Dy Mileniume
T’i plotësoj Dy rrathët e pakryer Mbetën 
Në rrathët e mi Magjikë
E lutem për Ju
“Im Zot fali Ata nuk dinë ç’bëjnë”, tha
Elvan Jusufi VETËPROFETI
“E kam ditë se do të jem i Pesti”, tha Maestro
Shqetësim dhembje Atë ditë qershori ‘96
Pikëllim i thanë në Prishtinë e Gjilan
Profeti me lutjet e Tij Jehonë e Namë
Qeshte “Bukuria e zezë” 
Kësaj vdekje si mund t’i thonë
Ja e dëgjoni Rrakullimë qielli thellë rënkon
Me Ju është Profeti dhe Arti i tij i gjallë
Nderojeni pra Muzën Vepra e tij çdokund frymon
Në mesin tonë shëtit Ringjallja

Në hyrje luhej drama “ DARKA E MAGJISË”.



STATUJË SATANË

Dhe kur në studio hyri
Trupi im në trupin tënd
Atëbotë u shfaqën çuditë
Duke ta latuar lëkurën në baltë
Qielli të mbuloi me bar

Ngadalë të zbulova në Iliri
Në një vertikale qëndroje në kavalet
Edhe njëherë filloi hulumtimi i trupit tënd
Fillova të skalis dorën e djathtë dhe syrin e majtë
Ashtu i shëmtuar kërkova të flasësh pa gojë
Dorën e drejtuar nga unë shikoje me një sy
Rastësisht u shndërrove në çudi
Që kurrë më parë s’e kisha parë
Në këtë bukuri
Pa gojë pa një dorë me një sy
Rrjedhë e lotëve
Statujë Satanë
E shëmtuar

Me fajin tënd
___
Poezitë janë marrur nga libri: "Dashuria flet me zemrën e diellit"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen