Rita Petro |
DASHNORI KRISHT
E pashë
Si t’u hollua
Dhe t’u anua qafa
Mbi supin e majtë
Një njollë e madhe
E kuqërremtë
Mbeti atje
Prej dhëmbëve të mi
Ngulur si ushunjëza
Ta thitha tërë gjakun
Përzier me lëngun e bardhë
Të gjëndrave të tua
E ndjeva
Si t’u përpëlit
Shpirti
Rënkimi
T’u fundos nëpër frymë
M’u kryqëzove në prehër
Krahëlëshuar
Syperënduar…
ARDHJA E TIJ
Askush nuk po e beson më
Rikthimin e Krishtit,
Sidomos ata
Të vetëquajturit shenjtorë,
Njerëzit kanë dy mijë vjet
Që e përdhosin Krishtin,
Dhe festojnë madhërisht
Datëlindjen dhe Datëvdekjen e tij,
Po unë që jam femër
Po aq shenjtore sa “virgjëresha” Mari,
E ndiej Frymën e Shenjtë
Që ma gërryen përbrenda trupin
Dhe ma përgatit mitrën
Për riprodhimin e ri.
E nëse askush nuk beson më
Në virgjëri,
Fara e Tij me siguri
Një ditë do të zërë
Nga seksi i një myslimani
Me një të krishterë.
LIGJI I POHIMIT DHE I MOHIMIT NË KRYQËZIMIN E TRUPAVE
pohim
Maja e gozhdës
Ngulur në shpinën time
Pranë shtyllës vertebrore
Arrin deri në shpinën tënde
Pa e dëmtuar palcën,
Kjo është dashuri
Në moshën madhore.
mohim
A e keni parë
Apo e keni ndier
Si kryqëzohet mishi me mishin
Pa ndihmën e sendeve
Të hekurta apo të drunjta?!
Një elektrizim natyral
I përshkon trupat e mishtë,
Kur në brendësi të tyre
Derdhen trupat e lëngët,
Dhe si në djegien e dy qirinjve
Që qëndrojnë pranë e pranë
Prej zjarrit të brendshëm shkrihen
E lëshohen te njëri-tjetri
Duke humbur me dashje
Formën e tyre.
DHE KRISHTI THA…
Dhe Krishti tha:
- Kush nuk ka bërë asnjë mëkat
T’i gjuajë me gur kësaj gruaje!
…Dje më kapën në flagrancë
Në një shtrat me të dashurin,
Ata s’i njihnin mirë ato pozicione,
Por gurët i njihnin mirë, ama.
Dhe Krishti tha:
- Kush nuk ka bërë asnjë mëkat…
Një pasdite vere disa fëmijë
U gjuanin me gur dy qenve,
Tek po kryenin aktin seksual.
Dhe Krishti tha:
- Kush nuk ka bërë…
Bushtra nisi të japë shpirt e para
Me atë të mashkullit brenda.
Dhe Krishti tha:
- Kush nuk…
Mashkulli vazhdonte t’u rezistonte
Këtyre dhunuesve të vegjël,
Diktatorëve të mëdhenj të ardhshëm.
Dhe Krishti tha...
- Po unë si nuk po gjej një gur?!
...
KUR DASHURON NJË GRUA
TË GJITHA TELAT E ORGANEVE TË SAJ
VETAKORDOHEN
DHE PRODHOJNË MUZIKË ...
_ _ _ _ _
KRYQËZIMI I FRYMËS NGA DASHURIA
Rita Petro: “Gjithnjë më ka bërë përshtypje ajo fytyra e Krishtit të kryqëzuar, gdhendur e pikturuar në ikona apo në tablotë madhështore. Vuajtja e tij është e ngrirë. Ndërsa unë e kam parë prej vërteti vuajtjen e tij të thekshme. Po po e kam parë në fytyrën e burrit, lëshimin e tij pas orgazmës së dashurisë, dëshirën për të rënë në gjumin e vdekjes dhe ringjalljen e tij me një forcë akoma më të madhe. Këtë magji e ka vetëm forca e dashurisë. Krishti u vetëkryqëzua nga dashuria për njeriun, për një botë ideale; njeriu i dashuruar ka zotin me vete dhe vetëkryqëzohet për hir të një dashurie ideale; poeti vetëkryqëzohet se ka fuqinë e Zotit dhe me fuqinë e tij arrin të krijojë një botë edhe më të bukur se ajo që krijoi ATI.”
PËR ATË BURRË QË DI TË VDESË
PËR NJË GRUA
PËR ATË BURRË
QË DI TË RROJË PËR NJË GRUA.
_____
Marrë nga gazeta "ExLibris"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen