Montag, 25. März 2019

Buqetë poetike nga Bexhet Asani

Bexhet Asani

Ç’DO TË MË MARRËSH MË?

Më more vëllanë,
Nënës mbi faqe,
 Iu tha loti.

Më more farefis,
Një mal me mall.
Më more fëmijët,
Lotët m’ u shterruan.

Gjysmën e shpirtit,
E kam te ti.
Gjysmën tjetër,
Në atdhe e shtëpi.

Sa kam frikë:
Çdo të më marrësh më,
Amerikë?

Tetor, 2010



SHTËPIA ME EMËR

(Shtëpisë së Kongresit të Alfabetit)

Dikur në këtë shtëpi,
Dyert – hapur,
Mirëseerdhët!

Udhë e mbarë:
O udhëtarë,
O pishtarë!

Përshëndetje të përhershme, 
Dikur ,
Te shtëpia me emër,
Këmbëkryq u ulën,
Burrat e dheut,
Dhe çlodhën eshtrat, 
E dërmuara.
Në prag të derës, 
Bari ka mbirë, 
Dritaret, si dera, 
Pa çelur kurrë!
Vetëm mbishkrimet
Të joshin sytë :
Kongresi ABC – së shqipe 1908…

Afrohem pranë xhamit  
Të pluhurosur,
Se dera s’është ,  si dikur,
Sodis banka dhe karrige, 
Pa dekor,
Salla e Kongresit kjo!
Urdhëroni!
Më ushtuan veshët,
M’u kujtuan emrat e vëllezërve,
Të shtëpisë së madhe:
Gjerasimi, Gjergji, Konstandini…

Me zë i përmenda këta emra  
Të ndritur,
Ushtoi salla e Kongresit;
Dhe, si në ëndërr, zëri humbi,
Me gurgullimën e lumit të Draorit!
E unë derën e mbyllur vështroj,
Dritaret e pluhurosura;
Pllakat përkujtimore të ABC – së,
Shtëpinë e madhe me emër të madh
Vështroj e vështroj.



NJË DIELL I ZJARRTË PO LIND

Diçka po ndodh në Manastir,
Në shtëpinë e Qiriazëve,
Diçka e madhe,
Draori plak gufon,
Kanë shpërthyer shirat e vjeshtës,
Krenar qëndron Pelisteri i lashtë,
Hija dhe ushtima e tij
Manastirin stolis,
Nga minaret – zërat
E perënduar;
E ngazëllyer pret dhe përshëndet
Motër Qiriazi Delegatët,
Një diell i zjarrtë po lind,
Këto ditë të vjeshtës së tretë,
Që ngroh zemrat e njerëzve
Të etur për dituri...
Me padurim Parashqevia pret 
Vendimet e Kongresit të Alfabetit,
Abetaren e parë, me alfabet të ri,
Do ta shkruaj
Që të mësojë vogëlushet
Mësuesja Parashqevi.

Nëntor, 1988



KËNGË PËR BABAIN

Ti shkoje në arë për të hedhur farë,
Unë në universitet për t’u bërë dijetar,
Ti e doje arsimin, s’kishe fjalë të dytë,
Me krenari thoshe: “SHKOLLA T’I ÇEL SYTË”.
Të erdha, kur ti kositje bar vërtet,
Por, ti kurrë s’erdhe te unë në fakultet,
Më mësoje si lërohet ara me parmendë,
Çudi ,kurrë s’dita ta  mbajë atë përnjëmend.
Më mësoje ta dua tokën, si të hedh farë,
Po unë e doja tokën, si i marrë…
Ti hodhe farë,  në arën tonë të vjetër,
Unë hedh germa, në të bardhën letër,
Unë shkoja në teatër dhe në bibilotekë,
Ty të rrihte era, dridheshe si purtekë.
Doje të kishe një copë tokë, se kishe uri,
Të dy ishim të etur për pak dituri.
Ti e doje tokën edhe unë sa ti,
Unë shkoja në shkollë, ti kishe dashuri.
Kë donim më shumë shkollën, apo tokën?
Për të dyja bashkë ne linim dhe kokën!



KËNGA ARBËRESHE

Vjen nga thellësitë e shekujve si gurgullim', 
Sjell me vete: një dashuri, një trishtim.
O këngë arbëreshe, këngë e vendit tim, 
Që ngërthen në vete, tërë atë përdëllim.

Këngë arbëreshe, o këngë e rrall',
As Vjosë, as Drin, s' ta shuan dot mall’.
Si rojte në shekuj, tërë atë dashuri,
Për tokën e Skënderbeut, për mëmën Arbëri?!



ÇANTA E QAZIM BEJ VLORËS

(Kushtuar djalit të Ismail Qemalit)

Nga Vlora ike, more rrugë,
Erdhe këtu, te ne në Strugë.
Qytetarët e mi, a thua dinin se kush ishe ti 
Që me Ismail Qemalin, kishit bërë Shqipëri?
Jetove në Strugë, si i thjeshtë njeri,
Po, në çantë mbaje, gjithë atë histori.
Kur shëtitje, rreth Drinit të Zi,
Çantën nga duart, nuk e hiqje ti.
Dhe bukë, kur haje, s' e hiqje nga dora,
Ashtu të kish porositur, Ismail bej Vlora!
Dhe kur faleshe në teqe a në xhami,
Me çantën në duar, luteshe për Shqipëri.
Kur ndërrove jetë, shtëpia plot xhandarë,
Kujt ia le çantën, çantën me thesarë?!...
Ç' mbaje në atë çantë, Qazim bej, o djalë i ri,
Deklaratën e Pavarësisë, të shenjtën tapi?

Maja e Spasit, më 28 Nëntor 2014



NË SYTË E TU

(Zonjës Xhoana)

Nuk e di, në je,
Mbesa a stërmbesa,
E Mis Durhamit
Që kushtrimin e maleve dëgjoi
Që pa varret e hasmërisë,
Malësorët e gjakosur pa!
Këtu e nëntëdhjetë e sa vjet,
Më parë.
Tok me çetën e Antonit,
Mbesë a stërmbesë e Durhamit!
Burrat e dheut gjak falin!
Gjakmarrje kurrë më!
Dëgjon betimin,
Te lëndina e pajtimit!
E Ti lot gëzimi derdh.
Në sytë e tu, shoh
Mis Edit Durhamin,
E Re!



LOTËT E POETIT

(Shkrimtarit Mehmed Kajtazit nga Drenica)

Kur zemra e poetit 
                            Lëndohet,
Prehje, qetësi s’ka.
Kur zemra e poetit 
                            Lëndohet,
Lotët rrjedhin rrëke… 
Kur zemra e poetit
                            Lëndohet,
Ajo pikon gjak.
E tillë kjo botë,
O miku im,
Dikush duhet të vdes 
                            Nga skamja ,
                                             O miku im!



NINULLË KOSOVARE


Fli, bir i nënës, fli,
Në Kosovë digjen shtëpi.

Fli, bir i nënës, fli,
Në Kosovë luftojnë dhe fëmi’.

Fli, bir i nënës, fli,
Kosova lufton për liri.

Fli, bir i nënës, fli,
U zgjofsh në liri!

1999



ALEPPO

Nuk doja ta dija emrin tënd,
në këtë mënyrë, Aleppo,
Nuk i dëshiroja kurrë retë e zeza
mbi qiellin tënd.
Gërmadhë nuk doja të të shikoja,
Aleppo...!
Nuk më pëlqen,
kur ti bëhesh shkrumb e hi!
Nuk doja të dëgjoja
klithmat e tua!
Nuk doja të shihja
rrugët e lara me gjak...!
E bota e pabesë bën sehir Aleppo!
Nuk doja të shihja,
sesi nxirren kufomat e gjakosura gërmadhave!
Nuk doja të shihja,  ku vriten fëmi'
Unë arnauti
që arnautët i prite me dashuri...!
Aleppo, ti gërmadhë, i gjallë varr,
Aleppo, ti je turpi, i botës mbarë...!
Aleppo tmerr, lemeri, llahtari..!
Unë arnauti,
që arnautët në gjirin tënd i prite me dashuri...!
Toka jote u bë shkrumb,
qielli jot u nxi!...



PSE S’ MË PRITE?

(Subi Kazaferit)

Më premtove se do të më prisje, miku im,
Më premtove se do ta pinim kafenë,
Si ngaherë,
Te restoranti i preferuar buzë liqenit,
Ku pulëbardhat hareshëm vallëzojnë,
Ku mjellmat lozonjare çajnë dallgët,
Ku ndonjë çift çuçurit si dallëndyshet
Për jetën e re,

The se do të më prisje,
O dollibash,
Përmallshëm ta ngrinim dollinë
Për shëndetin tënd,
Burrë i rrallë
Që mban konak,
O fjalë xhevahir,
S’ të pa njeri
Të dergjesh
Në shtrat,
Mbete si
Lis,
Në këmbë,
Si kreshnik…

Po ti ike, Subi
në përjetësi,
Pa na thënë
Lamtumirë…
Ti ike, Subi,
S’ më besohet,
Për perëndi,
Si do ta pimë
Kafenë pa ty?
S’ ngremë dot asnjë dolli!
Na ike, pa na thënë
Lamtumirë,
Ike
Në përjetësi!

7 qershor 2017



DHE VALLËZONIM NE TË DY

Nën tingujt e kitarës vallëzonim ne të dy,
Të shtrëngoja dorën siç bëje dhe ti.

Ne vallëzonim tango, çonim dashuri,
Po tingujt e Shotës na vlonin në gji.

Nën tingujt e kitarës vallëzonim ne të dy,
Të shikoja unë, me buzëqeshje ti.

Më shikoje ëmbël, ah! Me ata sy,
Po tingujt e Shotës, na vlonin në gji.
____
Poezitë janë marrë nga liri "Hyjnia e syve"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen