Miradije Ramiqi |
VALLE E HESHTUR HIJESH
Ç’është ajo valle e heshtur hijesh
Që ujëvarët nëpër murin memec
E synon të na vërë në vorbullën e zhbërjes
Nëpër stinë arnova bukurinë
Që ti e hetove në një çast drithërime
Kur në përfytyrim u ballafaqove
Me zërin e thellësive
Midis meje e dhembjes
Ofshama e Urës së Artës
DHESHKRONJA
Kur kafenë e pi në qytet të huaj
Më mungon si ajri i mëngjesit
Dheshkronja - Alfabeti
qumështi i nënës e kënga e djepit
dheshkruar më mbyll
me mall më shkrin në pikturë lashtësie
balsamosur në gurë
dhembja në shekuj e mbuloi
shkronja e parë
dashuri mbolli përtej vargut
ec e ec nëpër vite drite
në mend t’i mbani këto shkronja
deri në këlthitje
GËRMIM NDJESIE
Gërmova nëpër arkeologji
trupit zbardhova ndjesinë
të festoj në Ulpianën antike
trazuar ishin të gjitha vitet
njëzetetre numërova një nga një
pajtuar nuk ishin si në kohën e Havës
mollë e zverdhur mbi komodinë
përthekohej relikti në dashuri
të ftohtit përpinte mendimet
luanin valle mbi pika shiu
bora që binte furtunshëm
kërkonte këngën e mallit
e djeshmja nuk harrohet
në kopshtin e Edenit
rrotullohej jeta
të rrimë ose të ikim
ose të kthehemi në origjinë
MBIJETESA
Kohët po ndryshojnë
e djeshmja
nuk do të vijë sot
e sotmja kërkon të nesërmen
ta vërë në lojë
pikënisjen
DARDANI
Nëse ka dy filozofë që nuk gabojnë
një nga këta është përvoja.
S. Frashëri
Përshëndetje
djemtë e djemve të mi
bukë e kripë shpirtërore
bukë e kripë
për zemrën e bardhë
fjalë në pergamenë
në kornizë dashuri përtej dhembjes
në portat e pikëllimit shpresë
gjysh e stërgjysh
i bënë nder sofrës
me të lashtat antike
për miqësi të re
e të ardhmen tonë të largët
dardane
në pikturë të bardhë
shkronja me ar
Kosovë Dardani
troje frymëmarrjeje
ndër shekuj
RILINDJE ARTISTIKE
Në qarjet e gjoksit drithërimë
Në ecejaket e dhembjeve të murosura
Ç’uditërisht rilind një pikturë
Ngadalë e përgjumur zbret deri tek unë
“Ecën nëpër gjakun tim të shprishur”
Lëkurë – rrjepur Atdheu im
Eshtrat kërkojnë qetësi
Nga vuajtja Shtegtimi apokaliptik
Përvuajtërisht në tablo paraqitet
Rilindje artistike
NË PLOTNINË TIME DO TË MBYLL
Tokës sime të përvuajtur
Në plotninë time do të mbyll
e të marr krejt çka dua
të shtrëngoj fort e etshëm
nuk do të lejoj të më ikësh
do të të ndjek deri në (I)liri
atje ku të gjithë fiset e saj tretën
me shekuj nën trysninë e huaj
heshtjen do ta k(th)ej sot e nesër
derisa të arrij atje prej nga erdhe ti
do të mësoj për shumëçka tjetër
deri në pleqërinë e vonë
që s’arrita ta zbuloj në rininë e hershme
lashtësinë që nuk e mësuam kurrë
dhembja
arriti deri në ri zbulimin tonë
me vonesë shekujsh
PO TI APOKALIPTIKE MBIJETOVE
Ndjeshmërisht për ty
mbëltova frymëmarrjen
e dashurisë në ngjyrë
thellësinë e plasaritjeve të dejve
nuk ta njoha sa duhet
nëpër vite gërvishta trupin
për ta lehtësuar dhembjen
sa munda këlthita
toka ime e përvuajtur
sa dhimbje durove
kundër egërsisë së prangosjes
ndër shekuj ta dërmuan
trupit tënd lakmues
e gjakun e derdhen si lumë
po ti apokaliptike mbijetove
ngadalë duke u rizbuluar
me artefakte arkeologjike
mbi qiellin e hapur
UNAZA E ROZAFËS
Gurin ja vura në qafë në vend të kokës
Atëherë vesha këmishën tënde të vdekshme
Tri fusha i kalova nëpër lashtësinë e amshuar
Ma ktheve unazën e artë të mbretërisë
Që vazhdoi të më pikonte gjak gishtërinjve
Në tri pika gjaku arrita të të njoh
Derisa mësova edhe për tri të tjera
Kthema atë unazë që më zbuloi lashtësia
Të ta fal pastaj mbretërinë që s’e kam
Rozafë, nuk më dëgjuan, Rozafë
THASHË, ROZAFË
Thashë, s’di ç’thashë, Rozafë
Mos m’i prekni ngastrat e mia
I mbaj të shtrënguara ndër grushte
M’i fshihen kallinjtë pas ballit
Tash më dhembin deri në shpirt
Ç’të bëj në këtë ftohtësi polare
Duke ta përkujtuar verën e zbrazët
Për qafe më janë varur tërë gurët-Rozafë
Mos ma shkel aq thellë Ilirinë
Rozafë, s’di a më dëgjuan
NGA KJO ANË E BOTËS
Në ballin tim ka më shumë ngjyra
Që më krijuan derisa i krijoja
Buzëqeshjen ta vodha nga mumia
Më kot e kërkoni nëpër pasqyrë
Nga kjo anë e botës po shikoj
Se si po rritem në shikimin tënd
Vetëm me një ngjyrë të padukshme
Në ballin tim ka më shumë viktima
Rozafë, prapë nuk më dëgjuan
TË PRES EDHE NË TË NJËJTËN UDHË
Lëshoma gurin nga qafa ime, Rozafë
A s’po sheh se si Iliria më dhemb
Deri në gjunjë të kam arritur
Ec me këmbët e mia të gurta
Më lehtë mund të arrish sërish në Iliri
Aty të pres edhe unë në të njëjtën udhë
Së bashku me dytëshorin tim që je ti
Në ballin tim të është zënë dielli
Pas dy mijë vjetësh pikëllimi të zgjon
Rozafë, s’më dëgjuan, Rozafë!
TEUTË, LIQENEVE PESHOJE MALLIN
Si ta mbyll përbrenda këtë mall
që përzjarr e ka trupin tim
e më bën ta kapërcej kufirin e arsyes
të të kem pranë meje
më ike ti lashtësi vetmitare
ta shoh hijeshinë tënde të dikurshme
tokës arbënore jetën kalëron
hijerëndë me trokun e kalit
lundroje deteve të kriposura
liqeneve të ëmbël mallin peshoje
vrapoje pa u lodhur
të shpëtosh atë çka mund të shpëtohet
ti sypatrembura jonë Teutë
e para mbretëreshë e Mesdheut
bukuria e trimëria
ishin frymëmarrja jote
PRISHTINË
Një këngë dhe një kujtim
në mesnatë lidhin nyje
mallin dhembjen gjakimin
pëshpërimë në ngjyrë
zë i ëmbël dhe i rrallë
valët flakë (k)thehen nga thellësitë
si Orfeu me telat e tij
një ngjizje në kornizë
në pëlhurë të zemrës
dridhet një shpirt
gjithmonë i (k)thyer
dritë e jetës
e shtrenjta dashuri
përmallshëm në një vend
ditë e madhe po lind
ENIGMË ULQ(I)NAKE
Shpirti ynë është ëndrra jonë më e mirë.
M.Jursenar
Ndër shekuj në trupin tënd
lindin e rritën të lidhura
dashuritë
përplasjet e moshës
jetë i falin Ulqinit
mureve të kalasë
flenë e zgjohen puthjet
në kohë enigmatike
bukuri e trazuar
me valët e detit
vjen e kthehet në kohë
arkeologji e pazbuluar
ME VARG E QËNDISIN HISTORINË
Poetet në Vushtrri
Çdo vit zbresin me mendje të bardhë
me lashtësinë e tyre të bukurat tona
shënojnë kujtesën në qytetin mitik
me vargun e tyre qëndisin historinë
valëviten shkronjat nëpër kohë
si kallinj në arë
rriten me ndjesinë e vargut
në çdo shpirt njeriu
mbjellin dashuri e shpresë
janë fjalë gruaje
me aromë luleje
rriten e pjekën me mallin
të mirat e Jetës
GRATË E HASIT TË THATË
Gratë e Hasit të Thatë
Ditën e lidhin në bistek
Për ta zgjidhur natën
Në trajtën e më të dashurve
Gatuajnë bukë mbrume
Për ta bërë gjeografinë e kurbetit
Në trajtën e burrave të tyre
Që ua kujtojnë dashurinë
Lindjen e fëmijët
Që i zëvendësojnë hijet e etërve
Mos ua lexoni rrudhat
Trishtimi u lidhet nyjë
Por shtroni sofrat dhe hani
Bukën e gatuar prej mundit
Në trajtën e burrave të tyre
Dua t’i kthej në ngjyrë dheu
Sa shumë u ngjasoj atyre
Në një portret të pikëlluar
Në trajtat e më të dashurve
Ditën e lidhin bistek
Për ta zgjidhur natën
Gratë e Hasit të Thatë
STATUJË E GJALLË
Dom Mikel Tarabulluzit
Në të prekur m’u ftohën gishtërinjtë
Të gurëzuar Statujë të pashë
Nga qepalla ime lotoi pagjumësia
Të shpirtërova në një ngjyrë
Nëpërmjet brushës në studion e vetmuar
Ti fillove të flasësh në gjuhën time
I ulur këmbëkryq m’i zbulove fshehtësitë
Gjurmëve të ngjyrave nëpër pëlhurë
Ç’shpirtërim i shenjtë ç’shpirtësim
Kthehu nëpër këtë Shkronjë
Të të ringjall në të njëjtën Statujë
Unë po flas në gjuhën tënde të shenjtë Shqipe
A po më dëgjon
Dom Mikel Tarabulluzi
Ç’BËMË PËR TA VRARË HESHTJEN
Azem Shkrelit
Gurgullimë e fjalë
ngrohtësi e valë
në një skaj unë
ti në tjetrin
nuk e thamë dot
atë që e menduam
për të ndodhur
në një kohë tjetër
në mes ngjarjeve
një ngjarje
mbeti e pa zbuluar
ç’bëmë për ta vrarë heshtjen
METAFORË
Anton Pashkut
I kthehem klithjes
heshtja s’ka kuptim
me Oh-et e jetës
tutje
ndalem në mbresë
mëngjeseve të përtëritura
për njerëzit
sa mall kemi për Ty
në gur e në mur
kohë e kthyer në urë
në rrasat e Hasit të Thatë
flasin hieroglifët
E-hoja e kësaj ane
prehet në qetësi
vepra dhe emri Yt
rrjedhë e pashuar
SHTRIRJE E MOLISUR
Artistit të fjalës Beqir Musliut
(Na munguan shumë gjëra, munguam vetë
Në kohë dhe hapësirë. B. Musliu)
Trupin tim të molisur
Shtrati nuk e mban
Nuk e duron dhembjen
Vetvetiu më çon peshë
Pikërisht në këtë natë të qetë
Përkujtoja dhembjen tonë të Madhe
Në shtrirje të Atdheut nostalgjik
Derisa lëkurë- rrjepur shkruhej
Tmerri e dhembja në parakalim
Rrugëve plot eshtra trishtimi
I mbledh një nga një
Antikën tonë-timen
Në shekuj tradhtie të mallkuar
Trishtueshëm ha me grushte
Dheshkruar
Të ringjall Rinjohjen në ngjyrë
Në pëlhurë i zë të gjitha ndodhitë e jetës
Në muret e lashtësisë i mbjell plot ngrohtësi
Të shtrenjtat të artat Dashuri
___
Poezitë janë marrur nga libri: "Dashuria flet me zemrën e diellit"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen