Kritikë letrare
Roman postmodern
me vlera të rralla
- Rrahim Sadiku “Shtetthasit” I,II, III, roman, Zgjimi, Ferizaj, 2011
Shkruan Ragip Kҫiku
Që në fillim të këtij punimi e ndjej të nevojshme të theksoj se romani voluminoz “Shtetthasit” i Rrahim Sadikut të shtyn të mendosh për vendin e një vepre, si kjo, në kohë e në hapësirë. E ndjej këtë nevojë sepse ky roman është nga ato krijime që shkruhen rrallë dhe për të cilat jeta dhe rrethanat shoqërore, për të ndodhur ai, nuk paraqiten shpesh. Për krijime të këtilla artistike as ecja e kohës dhe as ngjarjet që i ndodhin një vendi e një populli, si ishte rasti me Kosovën në fund të shekullit të kaluar, ngjarje këto që i kemi të përjetësuara këtu, nuk krijohen lehtë, lumturisht. Mu për këtë mund të themi lirisht se “Shtetthasit” është roman që lidh kohë, që analizon dhe sintetizon gjithanshëm shpirtin njerëzor, që çmitizon heroin e që lë pak shpresë edhe për njeriun e zakonshëm. Kjo arrihet përmes përkushtimit krijues të autorit; përmes formave dhe gjetjeve artistike nga më të ndryshmet dhe përmes gjuhës e stilit, që kombinohen me individualitetin e personazhit, me aspektin kohë dhe me kuptimin letërsi. Të gjitha këto e tipizojnë këtë roman në radhën e veprave postmoderne, të këtij drejtimi letrar, që realisht është një lëvizje e gjerë filozofike, me kërkime të shumanshme artistike e me qëndrime shoqërore që thyejnë tabu e norma, po gjithnjë duke pasuar për bazë modernizmin. Tejkalimi i shumë kërkesave që kishte letërsia modern e shekullit të kaluar, bënë që postmodernistët të shquhen për individualitet krijues, për qëndrime të theksuara të lidhjes së artit me realitetin e imagjinatën; për relativizim të vlerave e normave shoqërore e artistike, që deri dikur ishin të paprekshme dhe për skepticizëm shumë më radikal se paraardhësit e tyre. Të gjitha këto të veçanta të postmodenizmit janë realizuar bindshëm e natyrshëm në veprën e Rrahim Sadikut.
Ashtu si thuhet në trajtesat për postmodernizmin, romani i Rrahim Sadikut po ashtu shquhet për pluralizëm krijues, për këndvështrime të ndryshme në sistemin e vlerave dhe normave njerëzore e krijuese. Me gjithçka ky roman ka bërë lëvizje të duarnduarshme kërkimesh e gjetjesh dhe lexuesi e sidomos kritiku e ka shumë të vështirë për ta definuar plotësisht dhe saktësisht tërësinë dhe të veçantat e tij. Romani ofron strukturë shumëdimensionale dhe nga ky aspekt është novator në krijimet në prozë, në prozën e gjatë saktësisht, ndër ne.
II.
E fillova këtë shkrim kritik pas leximit të një serie romanësh të botuara në gjuhën shqipe e në gjuhë të tjera, viteve të fundit; duke krahasuar vlerat dhe mangësitë e tyre, prej vetvetiu më lindi pyetja: pse kritika letrare shqipe, njohësit e rrjedhave letrare ndër ne dhe lexuesit e kanë anashkaluar dhe nuk e kanë vlerësuar ashtu si duhet dhe si e meriton romanin trevëllimësh “Shtetthasit” të Rrahim Sadikut?! Dhe më ra ndër mend se Rrahimi Sadiku është autor që nuk imponohet, që nuk i keqshfrytëzon avantazhet e tij për mundësi reklamimi dhe se ai ka bindjen që vepra duhet të bëjë jetën e saj si vlerë e jo si shtytje nga autori i saj. Kjo sikur më obligoi të shkruaja një analizë kritike për këtë roman, duke dashur kështu që të mos kalojë në anonimitet kjo vepër me rëndësi e
letërsisë sonë në përgjithësi. Aq më shumë e ndjeva të nevojshme ta bëja këtë sepse janë shkuar recensione, kritika, studime e ode për vepra që nuk e meritojnë, për autorë që paguajnë të vlerësohen sa më lart për shkrimet e tyre, shpesh edhe për vepra mediokre e pa pikë vlere. Prandaj, në këto rrethana, është tronditës, por edhe i pritshëm fakti që askush nuk e ka parë të udhës të shënojë botimin e njërës nga prozat e gjata më të suksesshme të botuara shqip viteve të fundit. E pash të udhës të shkruaj për përmbajtjen, vlerat artistike e estetike të këtij romani; për risitë karakteristike e të vazhdueshme që sjell ai dhe për gjurmët kohë e hapësirë që e përcjellin atë.
Po e theksoj që në fillim se romani “Shtetthasit” i Rrahim Sadikut është vepër tipike e guximit krijues, e shumanshmërisë njohëse dhe për nga ndërtimi, prozë tipike postmoderne. Tiparet postmoderne të kësaj vepre janë lehtë të hetueshme, sepse shfaqen natyrshëm, pa ndonjë imponim formal apo të dhunshëm. Ato tipare janë skalitur thellë e fuqishëm të cilat nga autori janë të vëna në shërbim të rrëfimit, të paraqitjes dhe individualizimit të personazheve, meditimeve, dialogëve, monologëve e ecjes nëpër kohë, duke arritur që pjesët dhe tërësia të rrjedhin bindshëm nëpër atë që formon jetën në gjithëmbarshmërnë dhe tërësinë e veprës.
“Shtetthasit” është roman për thyerjen. Në një vend, në një kohë dhe në një hapësirë ka ndodhur thyerja. Një popull i robëruar dhe një vend i shkatërruar, pas një lufte rrëqethëse, gjenden në epokën që e synohet, dëshirohet e mendohet të jetë epokë e ardhjes së lirisë dhe përparimit. Por imagjinata për lirinë dhe përballja me realitetin në liri nuk përkojnë midis tyre, madje nga dita në ditë largohen dhe tëhuajësohen. Pjesa dërrmues e njerëzve, të gjendur midis një bote kaotike e që tejkalon pritjet e tyre, fillojnë të realizojnë ëndrrat e tyre të fshehura, shpesh pa i zgjedhur mjetet e pa asnjë skrupull. Ata janë në vendin ku nuk ka më pothuaj pa asnjë normë ligjore e njerëzore, ku sikur është humbur kufiri midis realitetit dhe ëndrrës. Aty realiteti është vrasës e ëndrra më joshëse se kudo. Duan të realizojnë ëndrrat që nuk ia kanë rrëfyer as vetes dhe nisin të kuptojnë veten e tyre, të shohin veten ashtu si nuk e kanë parë e njohur kurrë. Heqja e maskave, së pari para vetes e më vonë edhe para të tjerëve, i tregon ata se nuk ndryshojnë me asgjë nga të tjerët, se janë të mbrujtur me të keqen dhe kjo njohje i shtyn në veprime, nga të cilat përfitojnë shumë, bëhen të fuqishëm e të pushtetshëm, po të zhveshur shpirtërisht e moralisht. Ndërtimi kriminal i brendisë së tyre nis e shpaloset vrullshëm, në fillim si pa u hetuar, më vonë duke u tipizuar e duke marrë formë përditshmërie. Këta të burgosur nga vetja e nga i huaji, të shumtën edhe me mendjen e me zemrën të burgosur, nisin e krijojnë liri për të tjerët, gjithnjë duke i parë ata si objekt e veten si subjekt. Atyre u zgjohen etje përvëluese për të fituar emër, pasuri e lëvdata, duke u bindur, së pari para vetes e duke dalë me atë bindje para të tjerëve, se janë të lindur të mëdhenj e për vepra të mëdha. Madhështinë e matin me veten dhe përherë gjykimet i nisin nga vetja. Madhoshi, një nga personazhet kryesore të romanit, është tipizim i tyre. Shoqëruar nga Trullaci, ai krijon një tandem ligësie e mburravecërie, mendimesh e veprimesh pa kuptim, që në jetën e përditshme të asaj anarkie marrin kuptim dhe bëhen të ligjshme, sepse ligji e pushteti tashmë janë ata. Si pushtetarë të paskrupull ata dalin kur e ngacmojnë ndërgjrgjien e të tjerëve dhe i detyrojnë njerëzit t’i duartrokasin, t’i pranojnë e t’i mburrin për të gjitha ato që bëjnë, dhe në biseda e në ndeja flitet e kinse edhe besohet se ato veprime janë shumë të kuptueshme e shumë të drejta.
Përballja me joshjen, me mundësinë për të bërë ç´të teket, po edhe me oferta që tundojnë e që vijnë nga të gjitha anët, edhe në momente normale, i nxjerrin njerëzit nga binarët normal të jetës e lë më në kushte kaotike. Shohim në roman ase si njerëzit, edhe ata më të thjeshtit, fillojnë e krijojnë moralin e tyre të ri, i cili ata i shndërron në
kameleonë, ua humb unin dhe ua vë në gjumë vetëdijen e ndërdijen. Ata më nuk e dënojnë krimin, nuk distancohen nga krimineli, e lavdërojnë dhe madhërojnë vjedhjen, e nderojnë vjedhësin dhe ligësisë i thonë mirësi. Kudo hasen veprime që e arsyetojnë suksesin e pamerituar të të paaftit, që e mburrin paditurinë, mohojnë punën e i thurin ode grabitjes, kotësisë dhe jetës pa të ardhme. Realisht aty nuk ka të tashme, sepse jetohet si në ethe e pa menduar gjakftohtë, kurse për të ardhmen as e vret kush mendjen.
Ka ndryshuar sistemi i brishtë i vlerave, ka humbur rrënja e të gjitha kuptimeve dhe pakuptimsia ka zgjeruar mbretërinë e saj të errët. Paaftësia është shndërruar në aftësi, injoranca në dituri, shenjtëria në kotësi, drejtësia në pengesë, dituria në humbje kohe. Pjesa më e thyeshme, në gjithë këtë janë ata që dikur krenoheshin se ishin idealistë dhe se ishin të gatshëm të sakrifikonin, edhe veten e tyre, për ideale. Me t’u ballafaquar me joshjen e me pushtetin, ata më nuk kanë ideal, nuk njohin sakrificë dhe sillen plotësisht ndryshe nga ajo që kanë besuar se janë dhe me tërë qenien duan të jenë tjetër nga ajo që kanë thënë se duan të jenë.
Bashkëkohësia, e parë me gjithë shumëdimensionalitetin dhe monstruozitetin e saj, gërsheton të zakonshmen e të madhërishmen, shpirtin e dëlirë dhe shpirtprishjen, etjet për pushtet dhe pësimet nga pushteti. Kudo janë të dukshme gjurmët e robërisë së gjatë dhe pasojat e saj në lirinë e brishtë. Ato barten me unin e rrejshëm të individëve dhe me paraqitjet e tyre fryrëse, që tashti nuk duan të ndalin të keqen, sepse tashti mu ajo është e pritura dhe e pandalshmja, ata, me vetëdije e pa vetëdije, shkaktojnë pasoja te individët tjerë dhe pengojnë mirëqenien e të tjerëve: ”Ata thoshin se kishin luftuar e do të luftonin deri në fund për shtetin. Thoshin kështu e kujtonin se shteti ishin ata vetë dhe e trajtonin atë sikur ta kishin dhuratë për vete, si një timar të kohës së Perandorisë Osmane. Flitnin për ligjin në shtet e vetë jetonin plotësisht si të jashtëligjshëm, me krimin si shoqërues të përhershëm e të domosdoshëm” (vëll.I, f. 5). Një hyrje e këtillë dhe ky guxim për ta shikuar të vërtetën në sy, tregojnë se para lexuesit do të shpaloset groteska e një vendi dhe një populli që ka jetuar mbi dymijë vjet në robëri dhe që lirinë, njerëzoren, demokracinë, shkollimin, organizimin, shtetformimin e shumë veprimtari të tjera, jetike për të ekzistuar në kohë e në hapësirë, do t’i trajtojë joseriozisht, duke u përpjekur secili që ato t’i ketë për vete e për klanin e tij dhe që të përfitohet nga ato e jo të ndërtohen ato. Personazhet e romanit vijnë nga një shekull idealesh, me të cilat ishin brumosur e nga një realitet që e imagjinonin, po nuk e njihnin. Koha tregon se ata realisht nuk e njihnin as veten e tyre, sepse bien shpejt dhe pa skrupull në grackat e joshjeve që u siguron pushteti të cilin as e kishin menduar se do ta posedonin ndonjëherë, andaj duke vjedhur, shpërdoruar e duke u lidhur me krimin, ata dalin se realisht kishin qenë të zhveshur nga të gjitha vlerat njerëzore e se kishin qenë të frustruar, të dobët si intelektualisht ashtu edhe moralisht.
III.
Romanit i mungon heroi, edhe pse shumica e personazheve bëhen sikur vijnë nga bota e heronjve dhe e heroizmave. Të shumtën ata shtihen sikur kanë kryer veprime heroike e sikur janë të destinuar për të qenë një me heroikën. Nga këtu nis filozofimi për jetën, për dukuritë, për qenien e mosqenien, për brishtësinë e jetës njerëzore, që na del groteske e shpesh e shndërruar në absurd, brenda së cilës qenia njerëzore shkatërrohet për hiçgjë. Në këtë shkatërrim, ku e reja lindet bastarde dhe e zhveshur nga të gjitha cilësitë, shkrimtari nuk ndjehet i humbur, sepse diku në thellësinë e tij, të disa personazheve të tij, është besimi se e gjitha mund të jetë edhe ndryshe. Prandaj ai niset në vazhdimësinë e kërkimit, duke hyrë vogëlsive e madhësive, brendive e jashtësive, duke shpalosur para nesh edhe shumë gjëra që personazhi nuk ia pohon shpesh as vetes. Lind kështu lufta e brendshme, ajo e përjetshmja, që te shpirtprishësia kalohet me injorancë, me ngulfatje të unit dhe me tëhuajsim të vetes. Kujtohemi pastaj se gjatë leximit të romanit kemi hasur në gjerësinë e kundrimeve në jetë, në një vend dhe në brendinë e personazheve që me fjalë e veprime duken sikur nuk u bëhet vonë për asgjë, që duan të jetojnë, me çdo kusht dhe pa i zgjedhur mjetet.
Në aspektin e ndërtimit të veprës, kapitujt janë ndarë pa shkëputje të rrjedhës së ngjarjes, sepse ajo është një tërësi, e rrëfyer nga njëri e nga tjetri, ku narrator është secili personazh dhe autori nuk rrëfen, po shënon atë që mendon, dëshiron personazhi. Mu për këtë vepra fiton peshë dhe i jep mundësi autorit që të tipizojë bindshëm personazhet, të cilët janë mjaft shumë e secili ka qëndrim, kërkesa, botë të padeshifruar e realisht shumë deshifrueshme, në mënyrën e vet. Kjo është arritur me pasurinë e fjalorit që u vihet në shërbim personazheve, që e madhëron ngjarjen dhe që pasuron funksionalizmin e ligjërimit, që nis nga gjuha e përditshmërisë dhe kalon te gjuha e zgjedhur, nga fjalët më të zakonshme, deri tek neologjizmat, që gjithnjë janë në shërbim të vlerës e cilësisë së veprës. Kjo cilësi arrihet përmes stilit që ndërron sipas rastit, po që shpesh është pa stoli letrare, i zhveshur nga figurat e fjalët e zgjedhura, duke krijuar kështu ambientin për të njohur më mire atë botë, ato personazhe, ato gjendje karakteristike për një popull të tërë. Por, kur e do momenti, kur niveli i rrëfimit kalon nga përditshmëria lidhet me personazhe që kanë botë të pasur intelektuale e shpirtërore, ballafaqohemi me stilizime nga më të lartat, nga më të pasurat dhe nga më të larmishmet.
Rrahim Sadiku është krijues që e di mire se sa me vlerë e sa e fuqishme është pesha e fjalës. Andaj edhe fjala kërkohet, latohet dhe vihet mu në vendin e duhur, duke mundësuar kështu krijimin e një kalaje prej fjalësh, të cilën nuk e mposhtin dot keqpërdoruesit e ligjërimit poetik, që shpesh dalin në vepër dhe duan të shkatërrojnë edhe mendjen e edhe shpirtin e traditën e një populli. Romani përshkohet nga pjesë me ndërtim të theksuar poetik, nga mendimet pa mendime që u duhen personazheve për të mbijetuar në ato rrethana, për të dale te thellësia e meditimit, te shkoqitja e problemeve të jetës, të kohës e të hapësirës në të cilën ndodhin të gjitha.
Romani “Shtetthasit” është edhe roman i guximit. Autori ka guximin të merret me probleme shumë aktuale, me dukuri që ende janë në zhvillim, me shpalosjen e mangësive dhe plagëve që shumë i duan të mbyllura e të harruara. Kjo aftësi e ky guxim për t’u marrë me tema të ndjeshme kanë edhe koston e tyre, kështu që ai këtë e ka paguar me tentimin e vazhdueshëm për heshtjen e tij; me mohimin që i bëhet nga ata që dikur i kishte bashkëidealist dhe nga kritikë e krijues që nuk duan vlera që i tejkalon krijimet e tyre.
Kam lexuar dhe mbajtur mend një thënie të Rrahim Sadikut, i cili se thoshte se teoritë dhe rregullat letrare krijohen për të mësuar krijuesi nga ato, ndërsa krijuesi i vërtetë mëson nga ato teori e rregulla dhe, në mos i tejkaloftë, së paku përpiqet t’i tejkalojë ato. Me këtë pajtohem edhe unë, sepse po të mos ndodhin këto tentime e këto arritje, krijimtaria letrare mbetet në vend, bëhet e përsëritshme, rutinore dhe si e tillë do të mbetej pa arritje. Realisht, Rrahim Sadiku me romanin “Shtetthasit” ka krijuar një vepër që e tejkalon momentin krijues në letrat shqipe; na ka dhënë një vepër që nuk ka ngjashmëri me romane të tjera ndër ne dhe ka arritur të ndërtojë një strukturë të re të shkrimit postmodern. Pra, kemi të bëjmë me vepër madhore, e cila ka në thelb postmodernen autentike.