Krijimtaria
letrare e Ajet Shalës lidhet me gjendjen historiko-kombëtare. Kjo dëshmohet në
shkrimet e tij poetike dhe veprat letrare. Përmes poezive të tij, ai i bëri të
pavdekshëm shumë, intelektualë, patriotë, trima, luftëtarë e vizionarë
shqiptarë.
Nga
vepra në vepër vërejmë elementë të rëndësishëm që shpeshherë na duken të
ngjashëm, e shpeshherë diametralisht të kundërt, është stili krijues që na ka
ofruar një qasje modelesh vargëzuese, është motivi i përbashkët i atyre që
poeti iu shkroi vargëzime, është ngjashmëria motivuese e personazheve në Rrapin Arbëror.
Të
gjitha ngjarjet e sintagmatizuara nuk janë brenda tekstore, ato përmenden
kalimthi si abstraksion që kërkon më përtej epilogët vendimtarë. Personazhet i
takojnë reales, asaj që u pa, asaj që u dëgjua, asaj që iu këndua. Por, që u
pragamatizuan nga pena e Ajet Shalës, si reflekse ndaj ngjarjeve që nuk duhet
t`i mbulojë pluhuri i harresës.
Poetika
e autorit është realisto-moderne e shkruar krejt natyrshëm, nga dëshira për ta
kujtuar Rrapin Arbëror. Për ta
kujtuar gjenezën, lindjen, plisin,
lavdinë, hukamën, emrin, autoktoninë, Ilirikumin, atdheun. Krijimtaria
letrare nuk njeh kufij kohorë, ajo bredh nga koha në kohë, siç bredh poezia e
Ajet Shalës nëpër Gadishullin Ilirik, si pikënisje nga Kopiliqi e duke vazhduar
në Skenderaj, Drenas, Prishtinë, Zabel, Çyqavicë, Çakor, Zhleb, Kullë, Rugovë,
Ulqin, Gostivar, Prespë, Jon, Malësi e Madhe, Luginë e Preshevës, Prevezë,
Devoll, Tivar, Janinë e Çamëri. Dhe kështu mendimet për ta hedhur të zezën mbi
të bardhën, ia krijojnë ngjarjet që lanë mbresa të pashlyera në memorien e tij.
Shtresa
aktuale e librit poetik Rrapi Arbëror
është kujtesë historike, një copë lavdie e krenarie, një rikujtim i asaj që mendjet arbërore nuk duhet harruar, por që
duhet vlerësuar. Libri poetik Rrapi Arbëror pasi të lexohet detyrimthi,
të obligon ta rilexosh. Arsyet janë natyrale, janë temat, shenjat artistike,
estetike, semantike, stilistike që e bëjnë Rrapin
Arbëror që të zë vend meritor në arkivin e letrarësisë shqiptare. Motivet
poetike i japin karakter, vlerë funksionale dhe kompozicionale, qoftë nga ana e
stilemave dhe trajtformave poezisë së Ajet Shalës.
Struktura
si sistem letrar i tekstit poetik është vlerësuese, me theks, intonacion dhe
ritëm. Poetika e Ajet Shalës përçon dije nga historia, filozofia dhe letërsia.
Gjuha poetike e Rrapit Arbëror është
e ngarkuar emocionalisht dhe shpreh në njëfarë mënyre qëndrimin emocional të autorit,
por më shumë e bënë kureshtar lexuesin, me plot kuptime të figurshme, ku rol të
madh në këto ngjyrime figurative luajnë morfo-stilemat e fjalës. Pror,
megjithëkëtë kjo ka të bëj me origjinalitetin tekstor dhe ideor të autorit;
është natyra e tij e krijimeve poetike, ndjeshmëria dhe qasja serioze e temave
në Rrapin Arbëror.
Po
ta lexojmë me kujdes do të gjejmë stil të rrjedhshëm, origjinal dhe të
ngjeshur. Variantin e dialektizmave mund ta konsiderojmë si kulturë e të
shkruarit varg. Metafora nuk shprehet gjithmonë në krahasimin e plotë,
ndjeshmëria e temave shkon përtej shkaqeve të krijimit artistik, e figuracioni
në Rrapin Arbëror është diçka që zë
vend meritor.
Në
strukturën gjuhësore të Rrapit Arbëror
vihen re zhvendosje të fjalëve nga kuptimet e zakonshme, nga kuptimi i parë
duke marrë kuptimin e dytë, ndërsa ndërtimi sintaksor është më pak i
shprehur. Ky është guxim i këtij shkrimtari
për të sjell në memoaret e historisë ngjarje të lavdisë nga fusha e letërsisë.
Këto janë përpjekje madhështore për të na rikujtuar Rrapin Arbëror. Autori u mbështet në ngjarjet popullore duke
krijuar artin letrar të poezisë, ngjarjet dhe motivet vijnë nga jeta arbërore,
nga ato ngjarje që harresa nuk duhet t`i marrë kurrë mbas veti. Autor i shkroi
me dashuri e pikëllim për ngjarjet e dhimbshme kombëtare, në poezitë e tij
qartas vërehen copa ngjarjesh që i krijon me anë të tipareve të thella
kombëtare. Diku – diku mund të shpreh mllefin e tij, dihamën e tij për diçka që
është më shumë se sa individuale, por kolektive.
Brenda
veprës Rrapi Arbëror janë shumë
faktorë që do ta bëjnë të vlerësuar, janë fatet e një kombi, fatet e njeriut,
fatet e njerëzve që i damkosi historia
me grushtin e saj të çeliktë, që poeti me forcën e tij krijuese, me një
laps dhe një letër i dha kthesë historike duke ua rikujtuar diçka që ndoshta
kishte filluar të harrohej.
Poezia
i shkurton distancat kohore, ajo afron ngjarje, detyra e saj e shenjtë arrihet kur poeti trajton
tematikat e duhura, që gjejnë
mbështetje
porsa të bien në duart e lexuesve pasionantë. Ne filluam vonë kultivimin e
artit poetik, por Rrapi Arbëror sikur
na thotë t`i kthemi të kaluarës sonë të lavdishme, ndoshta do të gjejmë diçka
nga rrënjët e Rrapit Arbëror, ky komb
megjithëkëtë rrugëtim historik, duhet t`i ketë trashëguar diçka nga poetika
arbërore, sigurisht që po, dëshmia më e mirë është ky libër si një thesar i
çmuar për arbëroret dhe për vetë letërsinë tonë kombëtare.
Në
letërsi më së vështiri është që të përcaktohet dallimi midis gjuhës së
përditshme dhe gjuhës së letërsisë, por përditshmëria jonë, ngjarjet XX
shekullore po na sjellin ndërmend
historira të harruara që ne vetë po i bëjmë të tilla, në këtë rrugëtim Rrapi Arbëror sikur na kthen në gjenezën
e ngjarjeve në Gadishullin Ilirik, duke na dhënë pak shpresë, duke na dhënë pak
motiv për ta nxjerrë dhe vlerësuar të kaluarën tonë të lavdishme arbërore. Kurse letërsia jonë përmes vargjeve të Rrapit Arbëror po ushqehet me vargëzime
të vlefshme si për kulturë,
letërsinë dhe po ashtu për
historinë.