Donnerstag, 28. Juli 2016

Kujtim Stojku - Cikël poetik



ORAKULL

U këshillova me orakullin,
Megjithëse isha zhyer në mëkate deri në fyt,
Si sekularist,thosha me vete ndoshta s’dalin,
Një litar i padukshëm më dukej se ishte duke më mbyt.
Gjithë dyshim në shpirt,me të u këshillova,
Duke më zhbiruar tej për tej ai m’u përgjigj,
Mbi yllin e vdekjes nga larg zjarr dallova,
Epokat e kaluara i shihja krejt pakuptim.
Petkat që kisha veshur ç’po ma ngjethnin shtatin,
E ardhmja nga ne po largohej e fyer,
Për shekuj me radhë frymën deshën të na e marrin,
Më vajtojnë me lotë krokodili, e më djallin janë duke u shkërdhyer.
Fjalët bashkë me shpirtin dalin nga një varr ari,
Disa këtë varr e braktisën,bashkë me bishat janë turrur mbi ne,
Ujqërit ulërijnë kur në qiell shohin të rrëzëllijnë yjet n’formën e brirëve t’ cjapit,
Sytë i kanë të skuqur gjak,nxitoni, atyre mos u bini pre…



NGJYRAT E NATËS

Drita bredh mbi kuaj argjendi,
Xixat e patkonjëve u bëhen yj,
Nata merr ngjyrën e tymit,
Shetit nëpër mendjet tona,
Këmbëngul që të qëndroj aty.
Ajo udhëton duke kalëruar korbat,
Shihet në pasqyrë n’vështrimin flakërues të maceve,
Kur dëgjon hingëllimën e kuajve të argjendit,
Shalon lepujt dhe krisën e ikën,ka frikë të mos kapet.
Ajo me ëmbëlsi na i përkdhel qepallat,
Ëndrrave u hap udhën e lirisë,
Tingujt e këngës në gji i marrka,
Ngjyrë tymi ka nata deri në të gdhirë.
Shpesh ajo tjerr fijet e budallëkut,
Dikujt i nxit ëndrrën të udhëtoj n’mes yjsh,
Sytë i shohin mace fildishi, shqartha kristali,
Një hije zgjatet, përthyhet në dysh,
E më pas shpërfytyrohet krej në fytyrë...



EKSATZË

Ngurtësim linjash,
Formë e mahnitshme që qëndron pezull,
Vegime që kalojnë përmes hapsirës qiellore,
Ekstazë mistike që flet në delir,
Lajmëtarë janë ëngjëjt,
Dhe ti thua:
-Më shpëto o Zoti im.
Këto fjalë tej per tej ta shpojnë zemrën,
Dhimbja kthehet në gëzim,
Luginës së kaltër qiellore plot lumturi udhëtonte,
Shaluar kishte retë,
I ndritshëm ishte ky portretizm.
Një shakullinë ngrihet prej qiellit,
E cila përzihej me shkulmat e dritës,
Engjëlli krahpraruar me dashuri të prek,
Ekstazë pa ndjenja,
Nga lart derdhen trajta rrezesh fërfëritës,
Vizion brenda kornizës hyjnore,
E ti në theqafje drejt kafshës turr po merr…



NË KËTË VERË

Në këto ditë të nxheta të verës,
Ku dielli si saç të pjek,
Pikërisht kjo verë është liria ime,
Etja dhe ankthi nga pas më ndjek,
Mendja copton zinxhirë,
Dhe si e marrë kapërcen çdo shteg…

Nehat Jahiu: Art muzikor apo komercializëm?!..,

Veprat artistike kryejnë një shërbim të rëndësishëm në jetën shoqërore, duke zgjuar tek njerëzit ato synime, idealet dhe nevojat shpirtërore, stërhollojnë shijen e tij ndaj të bukurës dhe ushtrojnë ndikim të fuqishëm edukativ në formimin e personaltetit të tij. Për tu shijuar një vepër artistike si duhet, lypset të ketë shije artistike te njeriu, ndërsa e gjithë ajo mund të arrihet duke u paisur me njohuritë elementare të artit përkatës, kështu njëherë ato na duken më të kuptueshme , me të afërta, më të bukura, më të dashura dhe e kënaqin lexuesin dhe dëgjuesin. Njeriu nuk mund të argëtohet as nuk mund  të shijojë si duhet një vepër artistike, nëqoftëse nuk e ka estetikën e vet. Çdo vepër artistike  duhet të ketë të bukurën dhe të pësosur në vetvete që ka një farë vlefte e që na pëlqen fort, pra edhe kënga dhe muzika e saj duhet të ketë këtë. Pra, artisti është ai i cili di dhe duhet të vërej më së miri se ç,është e rëndësishme dhe e vlefshme, duke i dhënë trajtë më të pasur e përmbajtje të zgjedhur veprës së tij.  E atë mund ta arrijë duke ia dhënë mjetin e tyre. Muzika është njëri nga artet që e shijojnë me anë të shqisës e të dëgjuarit. Në kohën e fundit jemi dëshmitarë se për çdo ditë pasurohemi me këngëtarë të rinj që na lindin si këpurdhat pas shiut, ndërsa këngët e tyre të inçizuara nëpër kaseta dhe…, dita- ditës vijnë  duke u shtuar, e muzika shqiptare pasurohet me një fond të pasur këngësh, qoftë me atë popullore, folklorike, zbavitëse etj. Këta këngëtarë aq na e kanë kultivuar dhe po e kultivojnë artin shqiptar, gjegjësisht muzikën, saqë e kanë ngritur në një” nivel” dhe “pediestal” të lartë,kështu që duhet ndalur dhe menduar shumë për të dhënë   një përgjigje. – A thua vallë kemi pasur, por ndoshta nuk kemi pasur këngëtarë të talentuar që ti kompononin dhe ti këndonin siç komponojnë dhe i këndojnë disa nga këta  këngëtarë “ të talentuarë” që po na lindin si meteorë ?! Sot këta këngëtarë “ të famshëm “ aq na kanë shkuar lart saqë vetë na e shkruajnë tekstin e këngës, vetë e komponojnë, vetë e këndojnë, e çka jo tjetër. Vetë  këngëtarë, vetë producent, vetë recensent, vetë..., e çfarë jo tjetër??! Po me siguri ndoshta ashtu e do koha, pra me një fjalë, koha e bëka të veten...Koha pluraliste, demokratike, kush qysh të doje, secili siç di vetë, siç ia merr mendja. Po, me siguri ndoshta ashtu duhet, ashtu e kërkon Evropa dhe bota. Po me siguri ndoshta edhe ata i kanë pranuar disa  këngëtarë “profesionistë” me këngët e tyre “shqipe” të modernizuar në Bashkësinë e tyre evropiane, e botërore. Sepse një numër i madh i popujve të Evropës e të botës në këngën e këtyre këngëtarëve ose “ambasadorëve” të melosit shqiptar, siç na i quajnë disa gazetarë gjatë promovimit të kasetave , CD-ve  dhe..., të tyre në radio, televizione, gazeta etj. Po me siguri  do ti kuptojë Evropa dhe bota, sepse këndohen me ” shqipe” të kulluar, të mbushur plot e përplot fjalë të huaja, barbarizma dhe..., që nuk i duron fjalori i gjuhës shqipe, por as ai evropian e botëror. Disa prej tyre aq kanë shkuar lart, janë afirmuar dhe i japin të drejtë vetes që këngën e inçizar  në një kasetë apo..., ta inçizojnë në tjetrën, vetëm duke ia ndrruar dy- tri fjalë ose emrin, që në njërën kasetë ta pagëzojnë me emrin Ali Hoxha e në tjetrën Hoxhë Alija. Tjetri në bëhet aq “profesionalist” dhe njohës i mirë i muzikës saqë ia kalon në profesionalizëm atij që me të vërtetë është profesional në lëmin muzikor...! I jep të drejtë  vetes që të punojë në ndryshimin e këngëve të krijuara nga shpirti i popullit me lloj-lloj ndryshime kujt si ti teket dhe ti konvenojë. Atë ai e bën si ta kishte kultivuar vetë, e jo populli që e kultivoi dhe e ruajti shekuj me radhë. Kësaj nuk mund ti them  asgjë tjetër pos bastardhim i artit shqiptar nga ata  që nuk dinë fare se çështë arti dhe çfarë vlera ka ai. E gjithë kjo bëhet vetëm e vetëm për një komercializëm të mirë e për art të dëmtuar e të sakatosur që nuk duhet ndejtur duarkryq. Duhet të kemi kujdes të madh që mos të na humbë gjithë ajo që e kemi me vlerë të madhe në artin tonë muzikor. Njerëzit  që merren me lëmin muzikor njohës të mirë të saj, e që besa nuk jemi pa to, duhet njëherë e përgjithmonë ta thonë fjalën e tyre, sepse ndoshta dikur do të jetë vonë. Askush nuk është kundër telentve dhe talenteve të rinj e të reja, ata edhe duhet ndihmuar, por s’duhet lejuar që me ta dikush të manipulojë, ti fusë në grackë e të luajë me ta dhe me artin tonë duke shikuar vetëm anën – komerciale. Njeherë e përgjithmonë  duhet thenë stop! Duhet ndalur hovin disa “kuazi patrotve” të cilët me inçzimin e disa kasetave të ndryshme dhe të lloj-llojshme pasurojnë tregun, mbushin xhepat e tyre, ngarkojnë popullin, e dëmtojnë këngën dhe muzikën, gjegjësisht tërë artin shqiptar. Flitet dhe shkruhet nga ndokush se në një numër të madh të këtyre këngëve  e ndoshta te të gjithë ka tekst që koorospondon me atë origjioinalen dhe autoktonen që fare nuk është e vërtetë. Por, së fundi besoj se njohësit e mire të muzikës do ta japin fjalën e tyre dhe nuk do të lejojnë që të luhet me artin. Kështu ,ai do të krijohet me një mbikëqyrje profesionale e cilësore që do do të ketë shije artistike e ti kënaqë artdashsit muzikor shqiptarë.

Donnerstag, 21. Juli 2016

U RADIKALIZOVA!

Driton Smakaj
Opinion nga Driton Smakaj

U zgjova herët në mëngjes. Sapo kalova qendren e qytetit milionësh, dëgjova një shpërthim të fuqishëm. Britma pafund vinin nga një skenë e tmerrshme tymi, gjaku dhe flake. Njerëz të pafajshëm që shkonin në punë për të mbajtur fëmijët e tyre, për të kaluar atë kohë jete që Zoti ua kishte dhënë dhuratë, vdisnin për çmendinë njerëzore, gjakoseshin e terrorizoheshin për shkak të një ideologjie të shtrembëruar nga mendje të sëmura njerëzish mjeranë. Vrasësi ishte një besimtar i radikalizuar, përtej arsyes së besimit.
Duke u kthyer në mbrëmje, në një lagje tjetër të po të njëjtit qytet dëgjova një shpërthim tjetër të fuqishëm. Skena të njëjta të tmerrshme plot gjak, copa trupash të ndarë dysh nëpër rrugë ngjanin me epokalipsin, me fundin e trishtë të botës.
Vrasësi ishte një ateist i radikalizuar. Ideja e tij që ateistët janë të rrezikuar nga besimtarët e kishte bërë atë të vetflijohej për grupin. Të mbronte ideologjinë e tij prej ateisti duke shkatërruar besimtarët.
'Kush beson në Zot, është armiku ynë' kishte bërtitur vrasësi para se të aktivizonte eksplozivin.
Ende pa arritur në shtëpi një shpërthim tjetër kishte marr jetën e disa qindra njerëzve të pafajshëm që ishin duke festuar martesën e një djali me një vajzë.
Fustani i bardhë i nusës ishte shëndrruar në një leckë të kuqe nga gjaku i çiftit të sapo vrarë.
Vrasësi kishte qenë një homoseksual i radikalizuar. Ai ishte maltretuar disa ditë më herët nga një grup burrash vetëm pse ai kishte qenë anëtar i grupit LGBT. Pak ditë më parë ishte publikuar një video në 'youtube' ku shihej keqtrajtimi mizor ndaj antarit të LGBT-së nga një grup burrash. Ata pas rrahjes barbare, në fund të videos shihet sesi ia fusin në prapanicë një shishe të coca-colës dhe pasonte mesazhi në video 'kështu përfundojnë këta'.
Kishte qenë kjo video që e kishte shtyrë personin e dhunuar të radikalizohej dhe të merrte vendimin për t'u vetflijuar për grupin.
I lodhur nga pamjet e ditës, hyra në banesë, u shtriva në kanape dhe ndeza Televizorin. Ekrani nuk shfaqte asgjë tjetër përveçse eksplodime, vrasje në masë, gjak nëpër rrugë, tym, zjarr e pamje të trishta.
Në pjesën e lajmëve për kulturë flitej sesi një grua deputete kishte hyrë në Parlament e armatosur dhe kishte ekzekutuar 8 burra në mbrojtje të të drejtave të gruas. Ajo ishte radikalizuar pasiqë burrat në fjalë e kishin kushtëzuar ngritjen e saj në karrierë politike, nëse ajo ofronte sherbime shtesë pasiqë ishte jashtëzakonisht e bukur. Pagesa natyrore i quanin.
Ajo edhe pse kishte fjetur me të gjithë, prapë nuk kishte arritur pikën e karrierës që i kishin premtuar burrat. Çmimi që burrat paguan në fund ishte një breshëri plumbash në organin mashkullor.
Ky lajm i takonte hapësirës për kulturë. Nuk e dija nëse isha në ëndërr, apo thjeshtë jetoja në ndonjë planet tjetër.
Ditët e javët në vazhdim ishin me pamje edhe më të trishta, më të tmerrshme. Njerëzit e pafajshëm që vdisnin rrugëve pa i bërë kurrgjë askujt në jetë, filluan të transformohen në qënie të rrezikshme. U radikalizuan edhe ata. Shkencëtarët bënin studime shoqërore dhe publikuan vështrimet më të fundit mbi radikalizmin. Studimi ishte shokues: 'Radikalizmi është një sëmundje ngjitëse, e transmetueshme përmes fjalës'.
Pritej që bota të infektohej me virusin më shkatërrues që njerëzimi kishte pasur ndonjëherë. Disa thonin që edhe kafshët do të infektohen me virusin njerëzor të radikalizmit. Për t'a bërë këtë edhe më të besueshme, një njeri kishte veshur një dele me eksploziv dhe e kishte dërguar mes derrave. Delja kishte eksploduar duke lënë me qindra derra të vrarë. Videoja e postuar në 'youtube' kishte kaluar mb një miliard shikime.
Çdo ditë objektet fetare rrënoheshin nga shpërthimet e fuqishme. Ashtu siq ishin ndërtuar ndër shekuj, tani rrënoheshin nga po të njëjtat qënie që i kishin ndërtuar ato. Arsyeja njerëzore për jetën dhe për Zotin kishte humbur arsyen. Njerëzit ishin shëndrruar në bisha radikale.
U ktheva në shtëpi dhe ajo nuk ishte më aty, ishte rrënuar. Për çudi kanapeja kishte mbetur dhe televizori që punonte me energji të Diellit. U ula dhe nuk e ndeza. E dija që do shihja fundin e trishtë të tragjikës njerëzore.
-Babë babë- Dëgjova një zë të ëmbël që më thirri. Ishte djali im i vogël që më zgjoi nga gjumi. Çela sytë dhe qajta me lotë, e përqafova sikur të mos e kisha parë që një shekull. Mu kujtuan mijëra fëmijë të botës që humbnin jetën për marrëzinë e të mëdhënjëve. Mu kujtuan fytyrat ëngjëllore të foshnjave nën gërmadha nga luftërat në Siri, luftërat në Lindje. Fytyrat e fëmijëve ëngjëllorë të vrarë nga shpërthimet vetëvrasëse në Perëndim.
Zot, u luta në heshtje. Na mbaj të gjallë arsyen e jetës në paqe. Na kthe dashurinë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Nëse shoqëria njerëzore do të mbijetojë dhe do ia arrijë të sjellë paqe mes njerëzve, atëherë ata njerëz do jenë njerëzit e arsyes që nuk shpërndajnë virusin e radikalizmit të asnjë ideologjie.
Vetëm pranimi i pikëpamjeve të ndryshme, i bënë njerëzit të kultivojnë paqe dhe dashuri.
Vetëm dituria është ajo që kur përdorët shtohet. E me shtimin e diturisë shtohet paqja njerëzore.

Mittwoch, 20. Juli 2016

Nehat Jahiu - Cikël poetik









MË E MIRË NËNA SE E BIJA


Tërë natën për ty rrija vashë pa gjumë,
të kam dashur me shpirt shumë,
 seç çmendesha për e te bukurit sy,
 u  dashurove tek nëna jote me shume se tek ti.

Kur më binte në mend ajo kënga:
 " Burek, burek,or Usta Murat,
  ty të them , moj çikë nëna
yte i ka më të bukur vetullat e sytë.

 Një burek kushton dyqind lira,
më e mirë e ëma se bija,
 tani vashë kam filluar ty me të harru ,
 tek nëna jote shumë jam dashuru.

 Kur më kujtohet kënga " O Usta Murat".
 Nënën tënde vashë dua ta kem më ngat,
 treqind pare thonin bëjnë tre lira
më i mirë është shumë nëna se e bija...



A TE KUJTOHET DADUSHE?...

 A të kujtohet ,moj Dadushe?
Vjeshta kur u bëre nuse,
veshur me dimia të bardha
 e ëmbël si bakëllava me arra ...

 Mos vallë ndoshta na ke harruar
 Lushi kur të kishte përqafuar,
nuk harrohet Dadush ajo vjeshtë
 kur Lushin e thithëje si bletë ...

 A të kujtohet ajo vjeshtë me shi
 kur Lushi ta hante syrin e zi,
 kur ti thoje të duhemi edhe pak,
se je i lezetshëm si kajmak ...

A të kujtohet, moj Dadushe?
 Kur buzët i kishe ngjy me të kuqe,
 A të kujtohet ajo vjeshtë?
 Kur edhe Lalushi të thithte si bletë…

 E mban mend ti , moj atë natë me shi?
 Kur i thoje Lushit dua të vdes mbi ty,
 eh, Dadushe si s,të kujtohet ajo vjeshtë
 kur Lalushi të thoshte të ha si pjeshkë..

A po të kujtohet tani , moj Dadushe,
 kur ti atëherë na u bëre, moj nuse,
 e di se nuk e harron kurr atë vjeshtë
, kur ia thithëje Lushit buzët si bletë...


VAJ VATANI E MJERË MILETI

 Ku je nis djalë, ku ju tuj shku?
 Ia ke nis shumë me u lazdru,
 herë në livadhe e herë në lëndinë
 me çikat je tue u shtri.

 Shpesh dashnia po të ze në vneshta
 duke i përkëdhel çikat e shkreta,
në prehër të çikave po të vjen gjumi
herë te kroni e herë te lumi.

Eh, mor djalë ti djalë katundi,
 lum nëna që ty të përkundi,
 herë nën dardhë e herë nën pjeshkë,
 çikave dashnin po ua ndez me eshkë.

 Pasha besën çikë nuk jam lazdrue!
Veç me ty po dua me ndejt nën ftue,
 pasha sytë e nanës tande!
Dashnin me ty do e ndezi me dy krande.



KUSH E NISI LUFTËN MBRËMË I PARI ?...


 Kush e nisi luftën mbrëmë te Koria Plakë!
kur tërë mali po digjej tym e flakë,
më thuaj të lutem, moj mike Dadush,
Kush e nisi betejën aty te vreshtat me rrush?

Për besë mbrëmë luftën i pari e ka nis Lushi
i pari për qafe mua mbrëmë më kapi,
ai më puthi në faqe e buzë te hardhija e rrushit
 e unë pastaj u kalla sikur gaca e prushit.

Pse more Lush ti na e nise luftën më i pari?
Aty te Koria e Plakë, aty tek livadhi,
 më thuaj kush ia futi dashurisë i pari flakën
që të rrokulliseni në lëndinë tërë natën?

Unë besa mbrëmë kam qenë shumë i qetë
 tërë natën Dadushi nuk më ka lënë me fjetë,
 dashurinë ma ndizte flakë me një copë eshkë
 deri në mëngjes në prehër më ka rreshkë.

 Tym e flakë u atje dogj te Koria e Plakë mali
nuk pranonin pranonin kush e nisi luftën i pari.


TE LUGU I DHIVE...

 E mban mend, more dajalë i ri?
Kur të fuste ty Dada në gji,
Atje ne lëndinë te Lugu i Dhive
në prehër të saj kur të shtrinte.

Me ujë kroi ajo ti lante sytë
Së bashku hanit pogaçen e ngrytë,
 në prehër Dada të përkundëte
ëmbël gushën ty seç ta puthte.

 E mban mend, mor djalë beqar?
 Për ty Dadën malli sa e kish marr,
 të priste aty te Livadhi i Dalipit
 për ta shuar etjen e shpirtit.

Ti falte Dada dy kokrra qershi
 që i kishte ruajtur vetëm për ty,
 mu aty nën hije të asaj thënës
 ta nxirrte Dada tamlin e nënës.

 A të kujtohet sot Lugu i Dhive?
 Kur ti puthte bebëzat e syve,
 kur të fuste ty, or djalë në gji
 në mes të lëndinës Dada Hajri.


DO JU MBESIN BREKTË...


 Mirëmëngjesi për ty Hardhuc e ti Lalush,
 që përpak nuk ngordhët si qeni në rrush,
aty ku ishin mbledhur kuajt pa tredhë,
aty ku i silleshit rrotull të shkretës pelë.

 Aty ku silleshit tërë natën rreth mullarit
 ku prisnit se mos po i binin në tokë dashit,
eh, more Lalush e ti more Hardhuc aga,
 të egra ju dolën të shkretat ato dardha.

 Rreth e rrotull ju sollët mbrëmë livadhit
ti kapni në dorë kur ti bien në tokë dashit,
 në sy nuk futët gjumë, o të shkretë aspak
 mëngjezi në mes të livadhit ju gjet cullak.

 Eh, more Hardhuc e ti more peziveng Lush,
 sa keq është me ngordhë si qeni në rrush,
 mos ju sjellni kot e kot mullarit,
 se do ju mbesin brektë në derë të pazarit.




TYM E FLAKË...



 Seç është pjekë në vreshta rrushi,
në mbrëmje dalin Dadushi e Lalushi,
 për njëri tjetrin sa i ka marr malli,
 dashurisë ia nisin dikur pasi iftari.

Tym e flakë e çojnë  atja në vreshta,
 duke ngrërë rrush e pjeshka,
rrotullohen nëpër lëndinë,
 aty nën  hije pranë lisit të Dajës Dinë.

 Seç i ka kapluar kjo ëmbla dashuri,
 njëri tjetrit i puthin në ballë e sy,
 Lalushi i thot të kam llokum me arra,
 je më e ëmbël Dadush se bakëllava.


 Eh, more Lalush me ata dy sy si rrush,
 të ha si llokum ty unë Dada Dadush,
 do ta kalli sonte malin e fushën,
do ti ha sonte Lalush sytë dhe gushën.

 Kështu Dadushi dhe Lalushi mbrëmë,
 njëri tjetrin donin për ta ngrërë,
 dashurinë e kallën si fitil llampe,
deri në syfyrë aty deri pas mesnate.

 Seç e kallën dashurinë dytë me eshkë,
mua aty mbi katund në vreshtë,
 kur nuk do e harrojnë këtë natë
kur na u kallën  tërë malin tym e flakë...













Samstag, 16. Juli 2016

Rezart Palluqi dhe “Shtëpia me dy çati”

Për paqen 
dhe reagim ndaj diktatit

Nga Adil Olluri

“Shtëpia me dy çati” është vepra e radhës e shkrimtarit Rezart Palluqi, i cili i shfaqet opinionit letrar shqiptar si një romancier që prek tema e ide që janë për t’u diskutuar. Kjo gjë e bën atë shkrimtar që qëllim parësor e ka idenë dhe porositë që i jep rrëfimi letrar.

Titulli “Shtëpia me dy çati” është metafora më e mirë përmes së cilës mund të shpjegohet i tërë romani i Palluqit. Kështu që, na ofrohen si në pasqyrë dy çatitë reale të një personazhi, dy çatitë e identitetit të një vendi e të një mentalitetit kulturor, siç është ai ballkanas. Personazhi kryesor, Panajoti, një historian i moderuar grek, e kishte ndërtuar shtëpinë me dy çati, ku në njërën i kishte lënë veprat e kulturës së lashtë helene, ndërsa në tjetrën ato të kulturës bizantine greke, të cilat i parapëlqenin gruas së tij të ndjerë, Kristinës dhe Antonit, por jo edhe historianit, që të vërtetën dhe të drejtën nuk e shihte te bizantinizmi grek.  Ky është shkaku pse ai bëhet i padurueshëm e i papëlqyeshëm për kishën ortodokse, shtetin dhe shoqërinë greke. Ndiqet në çdo hap nga Antoni, një mendje bizantine, që flet ndryshe, mendon ndryshe dhe vepron ndryshe, i cili si figurë e përfaqëson atë pjesën e shoqërisë së sotme greke, që themelet e së drejtës i shohin te ortodoksizmi dhe bizantinizmi. Panajoti është figurë që i përfaqëson të paktët grekë që i shohin gjërat më ndryshe dhe janë më mendjehapur ndaj të tjerëve dhe fqinjëve. Kjo gjë shihet te mendimet e tij në raport me shqiptarët dhe turqit, e në veçanti me çamët dhe çështjen çame, që është pikë fragjile e Greqisë së sotme. Një dimension i tillë tematik e ideor e bën këtë roman të Rezart Palluqit që të cilësohet si narracion historiko-politik, i gërshetuar përmes gjuhës artistike. Është historik për shkak se përmes tij i kapim disa të dhëna të rëndësishme të zhvillimeve në kohë të ndryshme. Duke qenë se personazhi kryesor është historian, nga një diskurs i tillë nuk kemi se si të shmangemi. Andaj, një gjë e tillë i jep petk njohës kësaj vepre artistike, duke mos e lënë vetëm në suaza të një loje letrare e narrative. Është politik për shkak se prek dimensione ideore që ndërlidhen me qasjen e politikës zyrtare greke, në veçanti në raport me çamët.

Ky roman mund të lexohet edhe si reagim ndaj diktatit të mendimit, që tentojnë ta instalojnë grupet e ndërlidhura me religjionin dhe pushtetet politike. Ato bëjnë çmos që ta mbyllin në burg individin që mendon në mënyrë të pavarur, dhe ia arrijnë qëllimin. Panajotin e burgosin, por jo edhe mendimin e tij, meqë është i biri i tij që merr përsipër t’ia shpërndajë mendimet përtej kufirit të vendit, që e stimulon këtë lloj diktati.

Duke e vendosur thuajse tërë ngjarjen në qytetin e Pargës, në një ambient grek e me personazhe greke, Palluqi na ka treguar se ka informacione të hollësishme për këtë areal kulturor. Po të mos e dinim se kemi të bëjmë me një autor shqiptar dhe po të mos e shihnim emrin e tij në ballinë, sinqerisht do të hamendësonim se kemi të bëjmë me një roman të shkruar nga një shkrimtar grek, marrë parasysh motivimin e karaktereve me ambientin, gjë që është zotësi e autorit të këtij romani. Ne që e njohim Palluqin dhe e dimë që ai për një kohë ka jetuar në Greqi, edhe do ta prisnim një narracion të tillë, që për mendimin tonë është një nga homazhet më të mira që mund t’i bëhen të gjithë të persekutuarve shqiptarë nga “antonët” e fqinjit jugor të vendit tonë.

Përpos vijës historike e politike, një peshë të rëndësishme në këtë roman ka edhe vija emotive, raportet personale të personazheve mes vetes. Spikatet dashuria, flirti, urrejtja, dyshimi e tradhtia. Panajoti vazhdimisht dyshon se Antoni është duke flirtuar me gruan e tij, ndërsa ky i fundit tenton t’ia veshë historianit damkën e shkelësit të kurorës. Pra, armiqësia në mes të Panajotit dhe Antonit, përpos që është ideologjike, është edhe personale. Një linjë e veçantë në këtë roman është edhe dashuria në mes të kryepersonazhit dhe holandezes Roos, që këtij historiani, përpos që i ofron dashuri, i ofron edhe ndihmë të pakusht sa herë që ky përballet me gjyqet e inskenuara nga Antoni.

Nëse e shikojmë nga aspekti formal, këtë roman të Palluqit e karakterizojnë dialogët e gjata, që e mbizotërojnë diskursin narrativ, përmes të cilave shpalosen jo vetëm idetë, por edhe përcaktimi kohor e hapësinor i rrëfimit. Njashtu, dialogët e pranishëm vazhdimisht, i japin kah më shumë veprimit të personazheve, e përshpejtojnë ritmin dhe e gjallërojnë ecurinë e ngjarjeve në këtë roman. Karakteristikë tjetër që bie në sy te “Shtëpia me dy çati” është edhe shumësia e situatave dhe kohëzgjatja e shkurtër e tyre. Një gjë e tillë i jep sens aksioni këtij romani dhe nuk e bën të mundimshëm gjatë leximit. Për zbërthimin e të gjitha veçorive formale do të duhej një trajtim më i gjatë e më detajizues, meqë përmes një shkrimi të shkurtë është vështirë të arrihen rezultate të lakmueshme në këtë plan.

Rezart Palluqi me këtë roman na vjen i ndryshëm me Rezart Palluqin e romanit të tij paraprak, si në aspektin tematik, po ashtu edhe në atë stilistik, gjë që është për t’u përgëzuar.

Dienstag, 12. Juli 2016

JEZUSI E MUHAMEDI, APO - MEHMETI

Liri LOSHI
Nga Liri LOSHI

Duke lexuar disa nga reagimet pro dhe kontra të letrës së Mehmet Krajës vura re dy taborre ekstremistësh. Ekstremistët e parë u vunë në mbrojtje të “dinit e imanit” dhe në mënyrë perverse shanin shkrimtarin. Grupi tjetër pothuaj aq ekstremist, me një diskurs vulgar ishte vënë në mbrojtje të Mehmet Krajës, duke e quajtur absurde kurajon për të kontestuar ndonjë argument të tij. Kishte edhe plot sharje të nivelit të ektremistëve të parë! Sepse, sipas tyre kishte folur i madhi Mehmet Kraja dhe c’dreqi donim ne të tjerët që nuk peshonim as sa thoni i tij ta lodhnim mendjen prej mediokri! Kjo ma kujtoi veten kur isha ushtar i APJ-së. Kur filloja përgjigjen time në ndonjë nga pyetjet e eprorëve me “Ja mislim” (unë mendoj) ata ma kthenin: “Nemash ti sta da mislish, ti samo radi. Mi mislimo za tebe!” Shqip: “Ti nuk ke cfarë të mendosh. Ti vetëm puno, ne mendojmë për ty!” Edhe këta po thoshin. Ka folur Mehmet Kraja! Qepeni ju liliputë!
Pastaj doli që një “profet” tjetër, Ibrahim Rugova (pa dashur t’i ofendoj as Rugovën e as Krajën, sepse ruaj respektin tim normal për të dytë) paska pas deklaruar se feja e tij dhe e shumices në Kosovë ishte Islami. Ai e quante veten mysliman simbolik, por jo sekular, do me thënë jo i pafe, sic konstatonte Mehmet Kraja per shumicen e tij. Kjo i vuri në siklet ata. Sepse njerëzit që iu mungonte mendimi nuk dinin kah t’ia mbanin. A të vazhdonin t’i besonin profetit Ibrahim, apo profetit Mehmet! Ishte punë e thjeshtë, por nuk donin ta lodhnin kokën! Kishin harruar edhe sa para i kanë dhënë xharrahit per ta plotesuar njerin nga ritualet e fese islame!
Këta shokë tanë të FB vec sa nuk na shpallën për herezinj pse guxuam t’ia kthenim fjalën profetit të tyre, Mehmet Krajës. Përseri kerkoj falje nga Mehmet Kraja duke e vënë emrin e tij në këtë kontekst. Por nuk mund t’i ik të vërtetës se emri i tij për disa ditë u gjend në lartësi të profetit. Thjesht u manipulua nga idiotet! Ata harruarn se Mehmet Kraja, pikërisht kundër profetizmit dhe profetërve po fliste. Ai nuk po thoshte lërini profetet e juaj e ta shpallnit atë për profet! Por ju “ushtarë t” e denjë në tokë saora e ngritet në qiell dhe e zëvendësuat Akademikun tuaj Mehmet me profetin Muhamet.
Për fat të keq Mehmet Kraja u ofendua dy herë. Nga ata që po e shanin pse ai po mendonte ndryshe dhe nga ata që po e mbronin duke sharë të tjerët, pse ata po mendonin ndryshe nga ai.
A dini ju miq të Facbook-ut, se profetet krijohen aty ku nuk ka mendim intelektual, pra aty ku mungon mendimi kritik, aty ku njerëzit presin që të tjerët të mendojnë për ta. Me një fjalë, aty ku s’ka mend. Ata u krujuan kur ishte një disbalanc i madh mes të diturve (një grusht) dhe injorantëve (që ishin gati shumica absolute). Më nuk krijohen! Tani vetëm përdoren ikonat dhe emir i tyre për ta trembur dijën.
Dhe, a e dini ju se së cili intelektual shqiptar që e ka hapur gojën për të thënë dicka, edhe ka gabuar. Vetë të menduarit kritik dhe shprehja e atij mendimi bart në vete rrezikun për të gabuar. Por, ai rrezik është cmimi që paguan intelektuali guximtar, sepse pa këtë guxim nuk do të kishim asnjë ndërrim pozitiv në shoqëri. Profiti nga mendimi kritik është shumëfish më i madh sesa dëmi që mund të bëhet. A mendoni ju se asjnëhere nuk kane gabuar Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja… Kanë gabuar jo njëherë , jo dyherë, jo treherë, por shumëherë ! Dhe do të gabojnë prapë. Prandaj na lejoni edhe neve të gabojmë. Sepse, duke thënë fjalën tonë, ne bëjmë që ata nesër të gabojnë më pak. Ata duhet ta dinë se ne ekzistojmë që të mendojnë dyherë para se të shkruajnë, apo të flasin. Nëse keni nevojë për profet, merreni ndonjë të ditur dhe shpalleni për profet tuaj. Por mos prisni që profeti juaj të jetë edhe profeti im. Sepse unë nuk kam nevojë për asnjë profet. Por, as besimtarët e krishterë e as ata myslimanë nuk e lënë Jezusin, apo Muhametin për Mehmetin.

Dienstag, 5. Juli 2016

Bukuria e gjakimit jetësor dhe krijues


Edhe pse, në shikim të parë, vepra e këtij autori duket e vështirë për komunikim, sepse ajo kërkon njohje dhe sens të veçantë, një pjesë të suksesit a të shkëlqimit të vet ajo e pati edhe për të gjallë të shkrimtarit. Por, Beqir Musliu, edhe nëse nuk arriti të krijojë ndonjë shkollë të veten letrare, së paku me potencën e ideve dhe të imazheve ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit.

(Ese: Në vend të homazhit për shkrimtarin, Beqir Musliu)

Shkruar nga Ragip SYLAJ 


Nga udhëtimi i mbramë i maestros

Udhëtimi i mbramë nga Prishtina i maestros Beqir Musliu, njërit nga themeluesit e poetikës sonë moderne, ndodhi më 24 qershor 1996. Ai, që në rininë e hershme, e kultivoi shprehjen e pastër artistike, duke i refuzuar klishetë dhe shkollat ekzistuese letrare të kohës. Edhe në poezinë brilante, ekskluzivisht estetike (ku shquhen librat “Bukuria e zezë” dhe “Libri i anatemave”) edhe në prozë (ku veçmas shquhet romani i imazheve “Mbledhësit e purpurit”), edhe në dramat e karakterizuara si libër-teatër e teatër-libër (“Shtrigani i Gjel-hanit” dhe “Rrakullima”), Beqir Musliu është poet i ndjenjës subtile, i mendimit filozofik dhe i formave harmonike të përpjesëtimeve të përkryera e të pazakonshme në letërsinë shqipe. Artin e flijimit, Beqir Musliu e krijoi me durimin dhe sensin e artistit, flijim i profetizuar dhe i shpërfaqur në teatrin e flisë që e përjetoi Kosova dhe shqiptarët, në epopenë e fundit të luftës për lirinë. Gjuha specifike e veprës së këtij autori ishte një sprovë e veçantive të strukturës së tekstit letrar dhe e ekspresivitetit të tij. Së këndejmi, ai ishte edhe shembulli më tipik i blasfemisë së modeleve shkrimore stereotipe. Arti i tij, i dimensioneve poliedrike, i suksesshëm në secilin lloj të kultivuar letrar: poezi, prozë, dramë etj., është i karakterit elitar.

Veçantia e veprës së Beqir Musliut, para së gjithash, shquhet për natyrën e materies specifike, me të cilën është e brumosur ajo. “Materia” metafizike, me të cilën është e përshkuar vepra e gjithëmbarshme e tij, si te asnjë autor tjetër yni, madje edhe te tekstet e kritikës teatrore e të natyrës publicistike, atë e shpërfaqin me krejt dendurinë kuptimore dhe me sensibilitetin e personalitetit të tij fisnik. Çiltëria e shkrimit të paimponueshëm të veprës së këtij artisti, pos nga kontakti i drejtpërdrejtë i veprës me lexuesin, mund të nënkuptohet edhe nga një deklaratë e një interviste të tij, kur thotë se, “unë tërë jetën e kam shkruar përrallën e melankolisë pagane”.

Gjurmët e tij të ndritura, Beqir Musliu do t’i lërë kudo që punon, duke mbetur shembull i guximit të qytetarisë, i fisnikërisë dhe i dinjitetit, veçmas në fushën e letërsisë, po edhe të kulturës në përgjithësi: redaktor në “Zërin e rinisë”, redaktor profesional i “Jetës së re” etj.

Ai shkoi në përjetësi, kur kishte për të thënë edhe shumëçka të shtrenjtë, por së paku arriti ta shkruajë rekuiemin e vetvetes – “Rekuiem i vitit 1995”. Edhe pse më 24 qershor të vitit 1996, Beqir Musliu e ndërpreu gjëllimin e tij (bio)fizik, mund të thuhet se, vepra që la pas e arriti konsolidimin e nevojshëm dhe autorin e saj e shquan si njërin prej klasikëve të fundit të letërsisë shqipe. Kjo mund të thuhet për faktin se shkrimtari Beqir Musliu, edhe nëse nuk arriti të krijojë ndonjë shkollë të veten letrare, së paku me potencën e ideve dhe të imazheve ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit. Dhe, kjo mund të hetohet fare lehtë nga veprat e autorëve, të cilët nuk arritën t’i shpëtonin magjisë dhe mrekullisë së veprës së Beqir Musliut.


Artistit i ikën e tashmja, por e ardhmja është e tij

Përvjetorët e vdekjes së shkrimtarëve të shquar, në mos për asgjë tjetër, do të ishin një shtytje që së paku kolegët e tyre t’iu rikthehen librave të tyre, sa për ta kujtuar mikun e letrave, po aq edhe për t’i zbuluar të fshehtat e tjera që mban akëcila vepër artistike. Në përvjetorin e vdekjes së Beqir Musliut, jam orvatur të bëjë një përsiatje për disa këndvështrime karakteristike të veprës së tij, sidomos të opusit të tij poetik, i cili për shumëçka është i veçantë si për formën, si për mënyrën e artikulimit të ideve poetike, si për gjuhën e kursyer dhe subtile artistike. Jo vetëm poezia e tij, sepse vepra letrare e Beqir Musliut në përgjithësi është thellësisht poetike, por edhe proza e drama, madje edhe shkrimet e tjera ligjërimore janë të një ndjesie të thellë. Ndonëse edhe arti është dije, gjë e cila nuk i mungonte këtij autori, cerebraliteti artit të ndjeshmërisë subtile të tij asnjëherë nuk ia nxë frymën. Ndërkaq, gjuha retorike, që del si përkryerje e stilit dhe e vulos individualitetin e tij, ta kujton një mëtim tjetër që i fle veprës letrare të Beketit, te e cila esenca është formë dhe forma është esencë (R. M. Shala). Shkalla e lartë e abstraksionit poetik të Beqir Musliut disa herë është vlerësuar si refuzim i formave ekzistuese kanonike në letrat tona dhe si kërkim i përhershëm i origjinalitetit dhe me qëllim që artin e tij ta dominojë artistikja.


Metafizika – segment i filozofisë së artit poetik

Dëshmi e këtij origjinaliteti është arti i modernitetit dhe i pasionit të lartë që ka kultivuar ky krijues, esencë e të cilit pos të tjerash janë edhe figurat stilistike autoriale, si: mbledhësit e purpurit, dafrunga hyjnore, lulëkuqet e gjakut etj. Duke qenë estetizant i madh, Beqir Musliu është kundruar edhe si lartpurlartist. Në këtë kontekst nuk duhet harruar konstatimin e Çabejt që autori e nxjerr edhe moto të ciklit poetik “Albanopoli” se çdo thellësi është edhe e errtë. Kësaj errësire për ata që nuk kanë vështrim të thellë, jo pa qëllim, ky krijues i ishte përkushtuar, duke e pasur të njohur thënien e Shën Palit, sipas të cilit, ne nuk i drejtomë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme. Po, cilat janë gjërat që nuk duken, e me të cilat ishte i mishëruar përhershmërisht ky artist? Është bota metafizike, e cila kërkon njohje të thellë dhe mundësi të mëdha krijuese për ta materializuar artistikisht atë. Vdekja, ëndrra, dashuria, pikëllimi, magjia etj. janë disa nga “objektet” e përsiatjeve që përbëjnë filozofinë e artit poetik të këtij shkrimtari. Kontemplacionet e tilla gjithmonë ofrojnë mundësi për ta përftuar kohën subjektive, brenda së cilës rrjedhin e shkrihen, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Këto janë disa nga premisat qenësore që një mjeshtri të artit letrar t’i mundësojnë që të përftojë vlera të karakterit universal. Veçantitë e këtij arti doemos e kërkojnë edhe recepientin e veçantë, të niveleve të larta energjetike ose të atillë që janë në të njëjtat valë të botëpërjetimit të krijuesit të tyre. Arti i tillë prore i grish shpirtrat e privilegjuar, ata që gjuhën e tillë e shqiptojnë si gjuhë të fisnikërisë së lartë. Sipas dijetarit Xhon Raskin, kjo mund të shprehet edhe kështu: “Vepra në të cilën qenia e përsosur flet duhet ta ketë edhe qenien e përsosur që ta dëgjojë”. Këtij konstatimi do t’i shtohej edhe një segment tjetër i Lasgushit tonë, i cili, sipas Petraq Kolevicës, thoshte se arti nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata shpirtra të lartë që e ndiejnë. Më tej, moskorrespondimi i artistëve të mëdhenj me bashkëkohësit dhe përbuzjen që iu shkaktohet për të gjallë të tyre, italiani De Sanktis do ta shtronte në këtë mënyrë ngushëlluese: “këtyre qenieve vetmitare u ikën e tashmja, por e ardhmja është e tyre”.


Misteri poetik dhe dendësia e figuracionit

E shëmtuara, si kategori estetike, disa herë bëhet bazament i artit letrar të këtij autori, madje edhe frymëzuesja kryesore e tij. Mbase në këtë rrafsh, ky shkrimtar i merr shtytjet më të forta krijuese, sepse zemërimi lind vargun (Juvenali). Pësimet e subjektit lirik, por edhe të protagonistëve të veprave të tjera (“Mbledhësit e purpurit”, “Vegullia”, “Shtrigani i Gjel-Hanit”, “Rrakullima” etj.) janë dhënë me tone melankolike dhe me nota baladike. Shfrytëzimi i mitologjisë së antikitetit e i asaj kombëtare dhe shkrirja mjeshtërore në tekstin poetik e kontekstualizon mesazhin universal të veprës së tij. Disa nga të veçantat e përmendura më suksesshëm janë realizuar te libri poetik (sepse B. Musliu nuk botonte përmbledhje poezish), “Bukuria e zezë” (1968). Ndërkaq, misteri poetik i kësaj vepre, për të mos thënë i krejt opusit poetik të Beqir Musliut mund të shprehet me thënien e Santorit “Kam në zemër një diçka që as unë s’di ta them”. Strukturën tekstore të kësaj poezie e dendëson figuracioni i pasur e në këtë kuadër disa herë edhe paradoksi poetik, si mbindërtim i thënieve antitetike, p. sh. “Asgjë s’more nga unë e s’më le gjë” etj. Përjetimi i kësaj poezie nga lexuesi, prandaj, kërkon jo vetëm njohjen e shkrim-leximit letrar por edhe një art të leximit, thënë sipas Sabri Hamitit. Për gjuhën specifike e të racionalizuar artistikisht, Beqir Musliu, bashkë me Lasgush Poradecin, Ernest Koliqin, Mitrush Kutelin, Martin Camajn, Anton Pashkun, Azem Shkrelin etj., mbetet njëri ndër klasikët e letrave shqipe. Ai, pos të tjerash, ishte edhe njëri nga autorët më me ndikim në poezinë shqipe të Kosovës.


Rituali i këngës, i këngës që është jetë, i jetës që është dhembje

Qysh si fëmijë kishim fituar përshtypjen se shkrimtarët janë vetëm ata njerëz krijues që nuk jetojnë më fizikisht në mesin e të gjallëve, prandaj edhe na dukeshin disi figura mitike. Vetë shkrimtarët, në kohë të hershme, kishte raste që nuk i nënshkruanin veprat e tyre me emër e mbiemër, duke ua dhënë atyre shenjën e universalitetit, të gjeniut popullor, të krijimit që ishte përsosur, duke “u redaktuar” brez pas brezi. Kjo flet edhe për një fakt tjetër, që i ka të dy anët e medaljes: për modestinë dhe për anën e vështirë për t’u identifikuar me veprën, që e kërkon edhe një trajtë tjetër të përgjegjësisë e të flijimit. Më vonë, ndërkaq, do të mësoj se në Kosovë kishte pothuaj vetëm shkrimtarë të gjallë, por ky nuk ishte ndonjë zhgënjim imi, madje më të shquarve ndër ta as që do t’u zbehet aureola mitike që kisha imgjinuar. Kjo brerore hyjnore mbase më kishte bërë ta adhuroja librin deri në fetishizim dhe më kishte yshtur që edhe unë të mëtoja për ta nyjëtuar fjalën e të fshehtave që i ndryn vetëm zemra dhe që mund t’i flasë në heshtje veç shpirti. Ky gjakim dhe nevoja për ta përplotësuar atë më kishte mundësuar që me disa shkrimtarë të bashkëjetoja miqësisht nëpërmjet librave të tyre, ndërsa me disa të tjerë të jem, përveç koleg, edhe mik i tyre. Kjo miqësi e ky kolegialitet shpeshherë ka edhe një masë të madhe naiviteti, por pikërisht këtu buron çiltëria dhe shenjtëria që fle te qeniet krijuese, që për shumëçka dallon nga qeniet e tjera njerëzore.


Harta e shenjave shpirtërore dhe mbretëria e metaforave

Njohja ndërmjet krijuesve, kur është nevojë e brendshme dhe një miqësi pasionante që e lidh shkrimi, shpeshherë ndihmon për të zbuluar shtresa të reja të veprave të tyre. Gjithashtu është ndihmesë që ta njohësh veten edhe në dimensione të tjera dhe fiton mundësinë që në fushën e krijimtarisë ta bësh edhe një hap përtej vetvetes. Bota e misterit prore merr trajta të reja dhe si e tillë të provokon pandërprerë për ta vënë interkomunikimin shpirtëror të ndërmjetvetshëm. Kjo ndodh sidomos me atë vepër që ka strukturë interesante tekstore, veçanti dhe pasuri gjuhësore, ndjeshmëri të thellë dhe mesazhin a kumtin e përkorësisë së gjithkohshme. Një studiues yni njëherë tha se libri është si je vetë. I tillë mund të thuhet se ishte edhe poeti, prozatori e dramaturgu Beqir Musliu: I mbyllur e i hapur ashtu siç e kishte veprën letrare. Ai ishte me përvojë të pasur jetësore dhe me kulturë të gjerë letrare e artistike. Prandaj, për të depërtuar te ai e te vepra e tij, duhej ditur me gjetur çelës të posaçëm. Duhej njohur hartën e shenjave shpirtërore për t’u bërë rob i mbretërisë së metaforave të tij. Arti i fshehtësive të tij përbën një ritual poetik, origjina e të cilit i ka rrënjët në thellësinë mijëvjeçare. Ai është rituali i këngës, i këngës që është jetë, i jetës që është dhembje. Por, ku shpie kjo dhembje? Kjo dhembje më në fund i falet amshimit, qoftë në rrafshin metafizik, kur shpirti ndahet përgjithmonë nga trupi, qoftë në rrafshin artistik, e cila mbetet qenësi e gjallë e letrave për t’u deshifruar nga lexuesi i kohëve të ndryshme. Kjo ma kujtoi edhe kohën kur shkrimtarët e gjallë (prijatarë, në Kosovë, ishin Esad Mekuli e Martin Camaj) e nisën udhëtimin e tyre për në përjetësi. Në këtë udhë të mbramë shkonin shkrimtarët modernë të letrave shqipe dhe bëheshin gurë të paçmueshëm në themelet e traditës sonë më të re: të rilindjes sonë moderne. Shkuan për ta lënë vazhdën e tyre të ndritur: Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Martin Camaj, Fahredin Gunga, Hajdar Salihu, Anton Pashku, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Azem Shkreli, Latif Berisha, Ymer Elshani etj. Pastërtinë e qenies së tyre të gjallë, këta artistë e lanë në letrat shqipe, pjesën më sublime të frymës së tyre që arritën ta bënin art të pavdekësisë së tyre dhe tonës.


Vepër e sensualitetit të stërholluar dhe e ligjërimit filozofik

Shkrimtari Beqir Musliu jetoi 52 vjet dhe ndonëse nuk arriti t’i botojë të gjitha veprat e tij, mund të thuhet se, megjithatë, ai ia doli ta rrumbullakësojë opusin e tij krijues. Që në rininë e tij të hershme, Musliu do të shpërthejë me talentin e tij, shenjat e individualitetit të të cilit do të vazhdojnë të pasurohen dhe të zgjerohen në spektrin e opusit letrar të paralajmëruar. Këto shenja më pastaj do ta konstituojnë hartën e botës krijuese të autorit, si në poezi, në tregime e romane, në drama dhe në veprat mikste, që dikush i ka quajtur, bie fjala, romane kentaurë etj. Kështu, edhe drama e tij, sado që duket krejt laboratorike dhe një pjesë e kritikës e ka quajtur teatër eksperimental, a teatër në teatër, ajo shpërfaq botën krijuese dhe krejt origjinale të autorit të saj, Beqir Musliu, i cili prore sillte freski, qoftë me sensualitetin e stërholluar, qoftë me botën e mendimit filozofik, edhe kur bosht i saj është mitologjia kombëtare ose ajo e antikitetit. Edhe pse, në shikim të parë, vepra e këtij autori duket e vështirë për komunikim, sepse ajo kërkon njohje dhe sens të veçantë, një pjesë të suksesit a të shkëlqimit të vet ajo e pati edhe për të gjallë të shkrimtarit. Mund të thuhet kështu, qoftë pse opusi i tij poetik u bë objekt trajtimi nga studiuesit tanë më eminentë, qoftë pse dramat e tij u inskenuan nga teatrot tona, madje edhe u ekranizuan dhe si të tilla arritën një sukses të konsiderueshëm me modernitetin e niveleve të tyre estetike. Andaj, bukuria e gjakimit jetësor dhe krijues të Beqir Musliut nuk përfundon me udhëtimin e mbramë të maestros nga Prishtina për në Gjilan, aty, ku trupi i tij prehet në qetësinë e amshueshme, për të mbretëruar në kujtesën historiko-letrare.  

(2000-2005)

Marrë nga faktinews.com