Donnerstag, 28. Juli 2016

Kujtim Stojku - Cikël poetik



ORAKULL

U këshillova me orakullin,
Megjithëse isha zhyer në mëkate deri në fyt,
Si sekularist,thosha me vete ndoshta s’dalin,
Një litar i padukshëm më dukej se ishte duke më mbyt.
Gjithë dyshim në shpirt,me të u këshillova,
Duke më zhbiruar tej për tej ai m’u përgjigj,
Mbi yllin e vdekjes nga larg zjarr dallova,
Epokat e kaluara i shihja krejt pakuptim.
Petkat që kisha veshur ç’po ma ngjethnin shtatin,
E ardhmja nga ne po largohej e fyer,
Për shekuj me radhë frymën deshën të na e marrin,
Më vajtojnë me lotë krokodili, e më djallin janë duke u shkërdhyer.
Fjalët bashkë me shpirtin dalin nga një varr ari,
Disa këtë varr e braktisën,bashkë me bishat janë turrur mbi ne,
Ujqërit ulërijnë kur në qiell shohin të rrëzëllijnë yjet n’formën e brirëve t’ cjapit,
Sytë i kanë të skuqur gjak,nxitoni, atyre mos u bini pre…



NGJYRAT E NATËS

Drita bredh mbi kuaj argjendi,
Xixat e patkonjëve u bëhen yj,
Nata merr ngjyrën e tymit,
Shetit nëpër mendjet tona,
Këmbëngul që të qëndroj aty.
Ajo udhëton duke kalëruar korbat,
Shihet në pasqyrë n’vështrimin flakërues të maceve,
Kur dëgjon hingëllimën e kuajve të argjendit,
Shalon lepujt dhe krisën e ikën,ka frikë të mos kapet.
Ajo me ëmbëlsi na i përkdhel qepallat,
Ëndrrave u hap udhën e lirisë,
Tingujt e këngës në gji i marrka,
Ngjyrë tymi ka nata deri në të gdhirë.
Shpesh ajo tjerr fijet e budallëkut,
Dikujt i nxit ëndrrën të udhëtoj n’mes yjsh,
Sytë i shohin mace fildishi, shqartha kristali,
Një hije zgjatet, përthyhet në dysh,
E më pas shpërfytyrohet krej në fytyrë...



EKSATZË

Ngurtësim linjash,
Formë e mahnitshme që qëndron pezull,
Vegime që kalojnë përmes hapsirës qiellore,
Ekstazë mistike që flet në delir,
Lajmëtarë janë ëngjëjt,
Dhe ti thua:
-Më shpëto o Zoti im.
Këto fjalë tej per tej ta shpojnë zemrën,
Dhimbja kthehet në gëzim,
Luginës së kaltër qiellore plot lumturi udhëtonte,
Shaluar kishte retë,
I ndritshëm ishte ky portretizm.
Një shakullinë ngrihet prej qiellit,
E cila përzihej me shkulmat e dritës,
Engjëlli krahpraruar me dashuri të prek,
Ekstazë pa ndjenja,
Nga lart derdhen trajta rrezesh fërfëritës,
Vizion brenda kornizës hyjnore,
E ti në theqafje drejt kafshës turr po merr…



NË KËTË VERË

Në këto ditë të nxheta të verës,
Ku dielli si saç të pjek,
Pikërisht kjo verë është liria ime,
Etja dhe ankthi nga pas më ndjek,
Mendja copton zinxhirë,
Dhe si e marrë kapërcen çdo shteg…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen