Ullmar Qvick |
Shkuar nga Bardh Frangu
Meqë edhe vetë suedezi Ulmar Qvick, mik i vjetër shqiptarëve, konstaton se shqiptarët bëjnë një jetë të vonshme nga suedezët për rreth 200 vjet, del që nevoja e përkthimit të librave me vlerë, çfarë edhe është ky i Kvikut, është shumë e madhe. Këtë mësim të Qvick-ut në mënyrë shumë domethënëse e dëshmon edhe titulli i librit “Më shumë heroizma se sa grurë”, varg ky i huazuar nga Kadare dhe i kthyer në një metaforë me kuptim semantik të përmbysur jo vetëm sa për ironizim.
Për një literaturë të tillë mendoj se kemi nevojë më shumë se kurrë. Nevoja për njohjen e vetes në këtë proces që po e kalojmë po dëshmohet edhe nëpërmjet përplasjeve debatuese, ku vetëdija institucionale me vështirësi po krijon hapësirë brenda një fryme folkloriste, të karakterizuar me ngjyrime të forta provinciale. Shkaqet e kësaj gjendje i gjejmë në formë leksioni të mrekullueshëm edhe në librin e Qvick-ut, i cili për dallim nga shumë autorë të huaj që janë marrë me shqiptarët, kryesisht nëpërmjet formateve bardhë e zi, ky merret me formatin e spektrit të ngjyrave që identifikojnë historinë dhe kulturën tonë.
Libri si i tillë nuk është as vetëm një kronikë, as vetëm një udhëpërshkrim, as vetëm një ditar, por është simbiozë e të gjitha këtyre, duke përfshirë edhe elementin e reportazhit dhe të tregimit. Si i tillë libri bën një model të veçantë shkrimi me një qasje postmoderne ndaj fenomeneve dhe dukurive shoqërore-politike. Duhet pranuar se nuk është lehtë të përzihet fakti me fiksionin dhe të mos dëmtohet e vërteta, e cila edhe e ka motivuar autorin që të bëjë një libër për shqiptarët, i bindur se në këtë mënyrë do t’i bënte një shërbim të mirë popullit, për të drejtën dhe të mirën e të cilit edhe është angazhuar gjatë jetës së tij.
Qvick-u i trajton shqiptarët ashtu siç i ka parë, përkatësisht ashtu siç e ka mësuar historinë dhe zhvillimin kulturor të tyre, mbase jo nga distanca, por duke qenë për shumë vite pranë tyre dhe me ta. Krejt këtë gjë, siç thotë edhe vetë autori i përkthimit, Qvick e ka parë dhe bërë me qetësinë tipike suedeze, ndërsa librin e ka mbaruar në vitin 2004, kur ngjarjet e marsit në Kosovë kishin krijuar imazhin më të keq për shqiptarët e Kosovës në botë.
Libri trajton ngjarje, personalitete dhe dukuri nga jeta shqiptare, të themi kushtimisht, brenda dy pavarësive, pra nga viti 1912 deri në vitin 2001. Autori tekstualisht do të thotë një të vërtetë të madhe, e cila reflekton fuqishëm edhe në kohën që po e jetojmë e që karakterizohet me përplasje konceptuale rreth emblemave dhe flamujve. “Ky libër do të bëjë fjalë për një popull që gjatë tërë kohës është tradhtuar nga të fuqishmit. Ata shpesh janë tradhtuar edhe nga liderët e tyre despot ose nga mungesa e një udhëheqje të mirëfilltë. Krimi i tyre i vetëm ka qenë dobësia e tyre sociale dhe ekonomike si dhe prapambetja”, kështu thotë Qvic-ku me plot të drejtë.
Autori e ka të qartë se nuk është punë e lehtë të evidencosh fakte negative për popujt e Ballkanit, të cilët gjumin e bëjnë mbi jastëkun e mbushur me mite, legjenda dhe gojëdhëna, të cilat bëhen pengesë serioze për ta ndërtuar të vërtetën. Ai vërtet ka gjetur një model interesant për t’i shfaqur edhe bindjet e veta mbështetur në referencat dokumentare mbi doket, zakonet, traditën, historinë personalitetet dhe zhvillimet politike ndër shqiptarët. Për bartjen e herëpashershme të tyre ai ka ndërtuar një personazh me emrin Anders Vestin, i cili është një gjimnazist suedez, i interesuar shumë për historinë e shqiptarëve. Në vazhdën e këtyre përshkrimeve të bën përshtypje fakti se shqiptarët respektojnë traditën, por që nuk çajnë kokën për ligjet dhe institucionet shtetërore. Pjesa më e bukur, ku fakti ndërlidhet me fiksionin është tregimi i mrekullueshëm që ka të bëjë me dashurinë e pamundshme të Lule Pal Markut. Pesha e kryqit që ka rënduar mbi fatin e femrës shqiptare të sanksionuar nga kanuni i Lekë Dukagjinit shfaqet këtu nëpërmjet një gjuhe aq të kultivuar letrare sa bën një dëshmi të pakontestueshme se autori nuk është vetëm një linguist dhe një publicist, por edhe një shkrimtar i njëmendët. Rrallë mund të ndeshësh ndonjë tregim në letrat tona që ka një forcë të tillë dramaticiteti dhe një dinamikë të tillë rrëfimi. Në bazë të këtij fakti të letrarizuar autori nxjerrë konkludimin se burrat shqiptarë i konsiderojnë femrat më shumë si pronë dhe gjësende të dobishme se sa si njerëz.
Qvick-u me një sens të jashtëzakonshëm trajton edhe mitet, legjendat, gojëdhënat, sikundër dhe thesarin e këngëve popullore, duke nisur nga këngët kreshnike, historike dhe ato të nizamëve, të cilat edhe nga ai vlerësohen si motive që ndihmojnë për shpjegimin më të mirë të fatit dhe historisë së shqiptarëve.
Galeria e personaliteteve me ndikim të madh në historinë dhe kulturën e shqiptarëve tek libri i Qvick-ut bëjnë një kapitull të veçantë. Ai flet për Isa Boletinin, për Mit’hat Frashërin, për Nolin, për Konicë, për Nesime Kokollarin, për Kristë Malokun, për Kristo Frashërin etj. Autori nëpërmjet referencave që sjell, edhe ndërton bindjet dhe qëndrimet e tij për shumë procese politike dhe shoqërore ndër shqiptarët. Personazhet e Qvick-ut në këtë libër janë përfaqësues të ideve dhe fenomeneve shoqërore, pra jo thjesht personale, apo aso të folklorizuar siç i njohim ne nga historianët tanë shepsh edhe nëpërmjet retushimeve.
Gazeta "Zëri", 8 gusht 2016
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen