PER IDENDITETIN POETIK
Ta themë troç, s’e kam të lehtë poezinë qytetare.
Në vend të Pushkinit do të preferoja Eseninin-
Lirikun harrakat të Rusisë fshatare,
Që me shpirt i këndoi brengën dhe trishtimin;
Dhe s’i shkruaj dot katër vargje t’ëmbël, të butë,
Thjesht një strofë me rime e ritëm lëmuar,
Që drithëron në shtrat një lëneshë, një prostitutë
Duke u përpirë nga malli i një çasti të shkuar;
Trazovaç i lig edhe unë dikur kam qënë
Natën u kam prishur gjumin vajzave nën dritare,
Gërshetin gjer te beli ua kam shpleksur nën hënë
Dhe kokën e kam futur mes leshrave- zjarre;
Por s’dua të kujtoj gazin e ëndërrave të rreme,
Më mirë kujtoj çairin e tharë në lëndina,
Kujtoj me kast lëkurën e rrudhur të një peme
Dhe lirinë e ciganëve mbrëmjes në rrethina…
Në se ndodh që grindeni sipas shijeve tuaja
Mua më rreh zemra për drerë edhe kuaj,
Të pastroj drithin nga egjra dhe lëndët e huaja
Diellin ta mbledh në shpirt duaj-duaj;
Po një zë i fshehtë më thotë: lirika s’ka të çmuar-
Zogj që flënën në shpirt mërgojnë me ligjërime;
Për idenditetin tim poetik kurrë s’kam menduar
Shpërndarë nëpër vargje-pluhur e thërime;
INFERMIERJA
Në ballkonin e spitalit, infermiere,
Një çast të vetëm dole këtë mbrëmje;
Se ç’të pa hëna prapa një reje
E çuditur krejt me bardhësinë tënde;
Dhe qeshin sytë e tu të thellë
Si kjo natë e bukur vere,
Lirikat e zogjve që po flenë
I zgjove ti, moj infermiere;
Ziliqare hëna pas malit zbriti…
Ta la këtë natë, ti ta ndriçosh,
T’i shërosh dhimbjet e trupit, shpirtit
Prej ëndërrave qytetin ta zgjosh!
SEPETI I VJETER
U ndala sot para sepetit të vjetër,
E kishte sjellë nëna me pajën e nusërisë;
Ngadalë e hapa, nga frika mos ish tretur
Çdo kujtim i hershëm i nënës, fëminisë;
Hambar malli ishte dhimbjesh, dashurishë
Nga vërshuan aroma gjiresh e ninullash,
Lule-parfumë u mbush çdo cep i shtëpisë
Duke joshur shpirtra ëngjëjsh dhe muzash;
Ç’ndjeva ca rrënqethje, ca gulshe, drithërime
Nga kujtimet e nënës të shenjta, plot nur
Më jehuan ca këngë, ca lodra dhe ngjyrime
Që m’i mësonte e këndonte gjyshja dikur;
Duke lëvizur çdo send plot mallë edhe shpresë,
Ma ndillte zemra të shkuarën te sytë,
Ato ditë të largëta, kopshtin bleruar me vesë
I përçartur, o nënë, i kujton sot djali yt…
Oh, në fund të sepetit gjeta ca fletore!
Fletore të moçme nga klasa e parë
Më kumbuan tingujt e zileve shkollore,
Po shkrimi s’dallohej, boja ishte tharë;
Kujtova kur vija nga shkolla i uritur
Më priste e dhimbshura krahëhapur te dera,
E ndërsa haja drekën e pakët, të shijshme
Ajo hapte fletoret, numëronte yjet që merrja…
Ca pika lot se ç’më ranë befas në fletore
U gjallërua boja, yjet edhe shkronjat
Dhe filluan të ndrisnin ato shenja gazmore
Siç ndrisnin dikur në mbrëmje xixëllonjat;
Rrodhën para meje ujvara dhe ylbere,
Bleruan lëndina, male me tinguj floriri,
U zgjidhën nyje, fjalëkryqe fushash dhe mistere
Tre Zotat bashkova në flamurin trengjyresh*
E mbylla sepetin, mbi të mbështeta kokën
Siç e mbështesja dikur në prehrin e saj,
Më puthte gushën e më shpurpuriste flokët
Pranverë e bënte dimrin- prill edhe maj…
Nga vendlindja ime e bukur e shtrenjtë
Përherë më vijnë aroma dhe zëra të ngrohtë;
Si faltoren e besimtarëve në Malin e Shenjtë
Shtëpinë e tim eti Zoti ma bekoftë!…
* Flamuri trengjyrësh-flamuri fetar
HORIZONTALE
Dëgjonte nënën, dëgjonte babanë
Në familje ishte një ogur i mbarë;
Dëgjonte mësuesit, dëgjonte drejtorin
Mëshirim i gjallë i vetë rregullores;
Dëgjonte gruan, dëgjonte vjehrrin
Gjer në adhurim e kishte respektin;
Dëgjonte eprorët, dëgjonte shefat
Në punë model i nëpunësit të shtetit;
Dëgjonte të gjallët, adhuronte të vdekurit
I qetë, i ftohtë si balancë prej hekuri;
Në një thes i vinte të mirë e të ligj
Dashurisë i vinte emrin ofiq;
Dhe bëri karrierë dhe bëri pasuri
Po një herë s’e dëgjoi zërin e tij;
UDHETARI I ETUR
Udhëtarit djersa i digjte sytë,
Puliste qerpikët ritmikisht…
Vegime ujërash në çdo pritë
I dilnin para çmendurisht;
Ndal diku e shtridh këmishën
Djersa e kripur kullon rrëke;
Befas i shfaqet atje magjishëm
Një vajzë e ëmbël plot hare…
Eja pas meje, vajza i thotë
Këtu pranë gjëndet një burim,
Ja, pak më tej, tek ai kopsht
Ku ndrisin frutat si rubin…
E ndjek djaloshi i vëmëndshëm
Dhe s’ndihet më aspak i etur,
Në trup breron një zjarr i lëngshëm
Sikur zemra t’i jetë tretur;
Dhe shfaqet kopshti i praruar
Ku molla tund degët e blerta,
Kristal burimi rrjedh i shtruar
Ku reflekton rezet e serta;
Ulet udhëtari grushtambledhur
Ta përpijë do krejt burimin;
Prit, flet vajza gjirehedhur
Aromë e gjurmë lë mes blerimit;
Një pagur pruri nga kasollja
Ia mbushi vetë me ujë të ftohtë;
Dhe i iku vapa djalit, lodhja
Nga buzëqeshja e saj e ngrohtë;
E mbushi prapë pagurin vajza
E futi në qesen ku kishte
Rrush të pjekur edhe dardha…
Dhe nuk e la djalin të priste;
Vëlla, i tha, udhë të mbarë!
Ke pak fruta e ujë për udhë.
Kur të mbrish te shtegu i bardhë
Pusho e merr një sy gjumë…
U nis djali hapamenduar,
Kthente kokën, atë vështronte;
Nga një zjarr i shenjtë e i pashuar
Një etje tjetër gjakun i vlonte;
Pas gardhit vajza e turbulluar
Dyshonte vetë te Perëndia…
Po më shumë nga zemër e truar
Se mos digjej nga dashuria…
VAJZE SHQIPTARE
Shkëlqe ti, vajzë shqiptare,
Shigjetë dhe jatagan
Para të huajit shkon krenare
Nga mëndja ai s’të ndan;
Dy sytë e tu e trembin
Aman, kur e shikojnë
Sikur dy shigjeta hedhin
Që zemrën ia qëllojnë…
LIQENI I BUTRINTIT
Një mjelmë mbi liqen
Në ujërat e kaltra-
Një gëzim i zambaktë
Në mbrëmjet e paqta;
Qyteti ynë antik
Vozit dalëngadalë
Si një gondolë-lule
Ndër shekuj në kanal*…
* Kanali i Butrintit
JAM RRITUR NE MALE
Jam rritur në male me pyje e me borë,
Endërrat e mia mbajnë aromë trëndelinë;
Kam mbledhur me grushta qiellit vjeshtor
Yjet, që me dritë ma mbushën shtëpinë;
Jam rritur në kodra ku kullotat kreh era
Dhe flladet trazojnë trifilin fije-fije,
Ku sorkadhja kërcen me lëvizje të prera
Në kërkim të drenushës me hove dashurie;
Jam rritur në fshat me bujq e blegtorë
Kam korrur grurin e thekrën duaj-duaj;
S’e mbaj mend ç’muaj, ishte maj a qershor,
Kur në lëmenj kam shirë drithin me kuaj;
Lëndina buzë përroit mbushur luleshqerra
Ishte qilim i butë, ku dielli pranë më ulej,
Me gishta më shpurpuriste leshrat kaçurrela,
Të më merrte në gji, mbi mua ai përkulej;
Në gjirin e natyrës kam lindur e jam rritur
Kënga e laureshës më ka nanurisur,
Ndan një gurre, ndan një shtegu duke pritur
Atje unë këngës herët ia kam nisur…
HEROINA
Dhe pati njerëz që vetëm me një shpikje
U bënë të famshëm në këtë botë.
Dikush ka shpikur një pasqyrë
Dhe dikush tjetër po një rrotë;
Pati dhe poetë që vetëm me një libër
Emrin në shekuj e kanë lënë…
Po ti, o gruaja ime e thjeshtë,
Që katër herë u bëre nënë?
Katër herë u bëre heroinë
Heroinë në dhimbje, në dashuri;
As nëntë mijë shpikje ty s’të arrijnë
Ti katër herë bëre NJERI!
I DASHURUAR ME NJE PORTRET
Ju s’besoni mrekullitë? Mua sot më ndodhi.
Thjesht me një portret, një portret bardhezi;
Pa kuptuar më magjepsi, zemrën ma vodhi
Si një Xhokondë, si virgjëresha shën Mëri;
Një portret i ftohtë, si vetë drita që zbret
Në këtë vorbull galaktikash mes tyre rri ngrirë
Më shikon e menduar sikur diçka po më pyet:
O mik i ngrysur, kush të tha ty lamtumirë?
Eh sa lamtumira i kam kyçur unë në gji!
Sa herët më ikën të dashurit në këtë botë!
Stresi i sulet shpirtit-ujk i uritur sygri
Një shteg mes të gjallëve lehtë s’e gjej dot…
Më flet nga portreti e trishtë e tërë nur:
Jemi kaq larg, por fort të ndryshëm s’jemi
Ndonëse mes nesh sot ngrihet një murë
Nesër në një portë të praruar do të vemi…
Oh, vështrimin magjik dot s’e përballova
M’u duk se tërë shpirtin ma mbylli në kupë…
Zërin tim të ngjyrur e zbuta e pastrova
E madhërishme ish ajo, po zemra ra në kurth
Mos vallë këto janë fije ëndërrash fantazie
Dhe shtegu mes portretit dhe unit tim u gjend?...
Ishte një urë besimi e padukshme dashurie
Dhe ne buzë së largu i tokëm përnjëmend;
Si një Bukuroshe e fjetur, vegim nga perëndia
Ajo merr frymë thellë, plot shëndet e fuqi…
Unë nisa të thurr vargje me zjarret e mia
Dhe çdo varg asaj i kumbonte thellë në gji;
Tani zemrën ma çlodh kjo dhëmbje e qetë
Një dhimbje e ëmbël për sytë e portretit;
Kaltërsi mbi kaltërsitë, e bukur e thjeshtë
Ajo rri e dëgjon dërdëllisjet e poetit…
SA FISNIK ISHTE GJYSHI YT
Ja, në shtëpinë e tim eti u ktheva sërish…
Sërish jam përballë qershisë sonë intime,
Me pusin e bardhë në fund të oborrit pëshpëris,
Po im nip më pyet dhe pret nga unë përgjigje…
Ti më pyet sa fisnikë ishin të parët, shpirti im!
Ytgjysh ish i përkorë, po nga ne donte rregull
Nga puna s’trëmbej, jetën e merrte me guxim
Ndonëse fati qibar mbi kokë i rrinte pezull;
Të keni harmoni, thoshte, motra dhe vëllezër,
Që s’e çmonim dhe aq sa s’ishim bërë prindër.
Dy gurë s’linim bashkë, kur ishim ne të vegjël,
Po ndaj fjalës së tij përherë ishim të bindur;
Ishte burrë i sertë, shpesh vetullngrysur,
Ndershmërinë e kishte pikën më të fortë,
Kur u hiqte një brisk faqeve dhe i buzëqeshte gjyshes
Bëhej burri më i bukur e më i ëmbël në botë;
Mes të urtëve ai s’fliste, dëgjonte i heshtur
Në kuvende burrash ishte fjalëpak e i matur;
“T’ia blesh fjalën me para”, thonin të tjerët
Dhe zemrën e kishte të butë e të pastër;
Flori e kishte dorën, bënte punë të paqme,
Gdhëndëte parmënda në oborrin me pllaka;
Kalimtarët e përshëndesnin nga porta e hapur
“Punë të mbarë, o Xhelo Taka!”
Këndonte parmënda vjeshtës në ugare
I këndonte në pyllin e gjelbër sopata,
Mbi mokrën e mullirit tek bluante përpara
Këndonte e kërcente si zog trokashka;
Gjyshit tënd i qeshte dielli i punës në sy,
Buzëqeshjen e vet i jepte gurit të latuar
Dhe bleronte toka nga këngët e tij,
Aromë buke përhapte pahu i grurit të bluar;
Po për dreq i kishte ca huqe, ca teka:
Kafen e donte taze, të posapjekur,
Edhe ujin e donte nga burimi të freskët
Dhe bukën e hante gjithmonë të thekur;
Të rëndë e pinte duhanin, të hapur
E dridhte me merak me letrën e bardhë;
Një cigare në buzë e tjerin pas veshit
Kur nisej për punë me hapin e mbarë;
Një dobësi të vetme kishte ytgjysh në jetë
E donte gjyshen sa nëntë mijë burra…
Dhe dukej i vrejtur dhe dukej i rreptë
Po zjarrin s’ia ftohnin as nëntë mijë gurra…
Eh, sa e donte ai gjyshen! Sa na donte dhe ne!
Na donte trima, të mençur, punëtorë,
Dhe, kur na merrte në duar, na grente lart me hare
Zogj qielli ndiheshim, të lirë e gazmorë…