Montag, 25. Juni 2018

Buqetë poetike nga Maxhun Osmanaj

Maxhun Osmanaj

Në  cilën degë ta var shpresën

Në cilën degë
Ta var shpresën-shpresë
Kur ti as nuk vyeshkësh
Kur ti as nuk vdes?!

Në cilën degë
Të  var ëndrrat që më ndjekin
kush do t’i ujit
rrënjët  e trungut
për frytat që do t’i dhurojnë stinët
në cilën dhembje,në cilën ujëvarë
loti rrjedhën  do ta ndalë



Ndodh…

Ndodh  nganjëherë kur me diellin nuk flas
Pa e ditur se cili kemi faj
Ai  rrugën e përditshme ndjek
Ëndrrat s’mund t’i m’i shpjegojë
Padrejtësisht ndodh
Që  pikërisht atë e fajësoj
E çka s’ndodh në vorbullën time
Kur zeniti herë më afrohet
Herë nga largësia më shikon
Ndodh autobiografinë e copëzuar
E ha n’mëngjesin e kohës
Veç me një kafshatë
E vjell me  shpejtësi për një minutë
E ndodhka shumë hpesh
Të gjitha dhembjet
Kur zgjohem e kur bie n’mesnatë
Të më  mbesin në kalendarin e kohës
Bar-shërimi,  “kënaqësi”
Me to futem në oqeanin e thellë t’mendimit
Mezi dal në sipërfaqe
Pa u mbytur nga furtunat
Dhe kurrë nuk nxjerr të saktë, në fund
Formulën e kohës sime të barazimit!



Kur të ik ...

Kur të ik një mëngjes 
dua ta marr me vete 
vetëm këngën e dhembjes 
që më përcolli gjithnjë 
hap pas hapi"besnikërisht - miqësisht"
telat e instrumenteve 
ishin te shumtë 
asnjërit s'ia dita çfarë 
timbri po nxirrte 
çfarë melodie po lëshonte 
edhe pse "melodia " shtrinte 
krahët mbi qiellin e fatit tim
ani s'ka gjë !
le të më përcjellë edhe në amëshim 
ndoshta atëhere kur të ik
thashethëmet e lagjeve tona 
a do të vdesin bashkë me mua?!
apo vargu do t'u mbetet 
gjithnjë temë diskutimi 
dhe unë i lumtur do ta pranoi 
këtë formë për- kujtim-i!



Kam me puthë jetën

Kam me puthë jetën n’fytyrë,
Edhe nëse ma vrisni pafaj,
S’kam me lënë, askë,
Ta vajtojë  pa dëshirën time
Se ajo ishte e vetmja rrugë
Shtruar me vullnet, dashuri-dhembje
Ndërsa ju, më përcillni
Hap pas hapi,edhe tinëzisht
Më ndiqni deri në buzëvarr,
Por një  gjë  ta dini:
Rrënjët e jetës sime,
Kurrë s’do të thahen,
Edhe nëse i hudhni, digjni
Si druri në zjarr,
Kam me folë me Feniksin
Edhe kur s’jam gjallë,
Lë të ma ruajë si farë-mbjellje,
T’vetmen pasuri-dhuratë time
Të ruajtur si gjurmë n’shkëmbin e kohës
Të shkruar në fjalë,
Të ruajtur si amanet në arkivin e kohës…




Çka të të them poezi?!

Një frikë ndjej saherë më viziton
Grindem me ty sesi të të shqiptoj
Ti këmbëngul ashtu si do
Unë bëhem rebel, të kundërshtoj.

Dhe bluajmë drithërimat deri në pagjumësi
Unë egon time,ti unin tënd
Koha kë do ta lerë fajtor, mua apo ty
Në cilin arkiv do të zëmë një vend?!

Unë s’mund të shtyhem kurrë me ty
Jam veç një shpirt-bote prore i shqetësuar
Ti si nuse që më pushton gjithnjë
Dramën e jetës ma bën më të shikuar.

Eja mbretëreshë, koha po na ik
Vetë me ty mund ta pranoj edhe vdekjen
Dikush mund të na quajë të ligë
N’folenë e "zjarrtë" ta fikim apo kallim etjen…!




Baladë për të sotmen e ikur nëpër kohët e foljes

Unë  zgjohem duke mashtruar vetveten për ëndrrën e nesërme
Ti zgjohesh pa t’i njohur dhembjet e sotme
Ai zgjohet pa i llogaritur fitoret a humbjet autobiografike.

Ne zgjohemi të plakur për të sotmen e ikur
Ju zgjoheni për ne si diell-yje,Atdheut t‘i bëni dritë
Ata zgjohen me mallin e djegur që i mbyt çdo ditë n’shpirt.

S’di a zgjodha zgjedhjen e zgjedhimit të duhur
Koha mund të më zgjedhë edhe sot
Ushtar i thjeshtë për beteja t’pafundme
Ta refuzoj ftesën s’e kam ndërmend!
Vetëm mosnënshtrimi është emblemë e rebelizmit jetësor…
Pishë e pafikur përballë  fatit të egër.

*Ju-dëshmorët
*Ata-mërgimtarët

23 Janar 2016



Në shpirtin tim

Në shpirtin tim pikon çatia
Dhe ende s'ka kush ta ndalë
Mos ndoshta keq është rrebeluar stuhia
Eja mike, thuaja veç një fjalë…
Ta ndalim detin e tërbuar
Se valët e egra s'kanë të ndaluar.



Dialog me ditën

Në mëngjes pi kafe me të
Deri në mbrëmje s'takohem dot
Mashtroj veten, s'mund ta zë
Me trastën shpirtërore ngarkuar plot.

Pasdarke provoj diçka ta pyes
Për të sotmem dhe të nesërmen të më këshillojë
Nga pakënaqësia vetullat ngrys
Më lë vetë n#vorbullën e jetës ta përthekoj.

Para se të ikim për gjumë
Një këshillë ma diktoi shpejt
Jeta, betejë e rëndë-furtunë
Me forcën e vullnetit fitoje vetë



Atë  natë…

Atë natë…
Do ta pi  shpresën e thyer
Veç dehjen dua ta pranoj si mikeshë
të më shpëtojë  nga mallkimi
do t’ia fal kohës - vitit t’vjetër
të gjitha mëkatet që m’i fali
atë  natë…ndoshta me një gëllenjkë-hurpë
thinjat e kohës do t’I ndali
miq, veç atë natë…
dua të bëj valle me vetëveten e lazdruar
s’di, mëngjesi, a do të më falë
apo do të m’i kërcetë dhëmbët
për zgjimin e vonuar…
miq-mikesha, ejani të gjithë
ta mbajmë botën e dhembjes-dashurisë  
tërë natën zgjuar
hajt ta pimë këtë çast-jetë 
me lëngun GEZUAR  2o16 !

Dhjetor  2o15



Atë  ditë…
(8 maj 1999, me rastin e dëbimit për në hqipëri)

Atë  ditë
Dhembja dhe vdekja udhëtonin bashkë
Dashurinë s’e morën me vete
Vetëm Liria e dinte rrugën përmendësh
Deri në stacionin e tokës - nanë
Hijenat vrastare n’çdo vend
Prita kudo kishin zanë
Lirinë e shigjetonin, por s’mund ta qëllonin
Një vagon tonelata dhembjesh
Kisha ngarkuar rrugës
Me mijëra bashkëfshatarë
Lokomotiva e shpirtit
Bashkë me derivatin e tmerrit
Mezi ibartte deri në shkarkim, dikund
Por atëherë edhe sot
Atë peshë loti, gjëme, dhembjeje
Kurrë s’e shkarkova askund

8 maj  2o16



Arkitekt mendimi
(Ukshin Hotit)

Herët projektove
Rrugët e atdheut
Kah duhet udhëtuar
Të mbuluara me eshtra e gurë
S’të njohem sa duhet
Kur u dashtë për të njohur
Ballë i kombit - burrë
Edhe nëpër kazamate të hegjemonëve
Ngrite kokën lart - Flamur
Për popullin tënd të shkelur
Kur shqiptove fjalë e fjali
Binde popullin tënd për qenësi
Se vetëm pushka çlirimtare
Then mitin e rremë
Se s’mund të zhduket
Kjo egërsi - koloni.

Për jetë e mot
Ta paçim borxh  mos-harrimin
Nga Kosova shtet,Republikë
Ta paçim borxh fatin tënd-enigmatik
Ta paçim borxh
Sa të frymojë çdo gjë 
Mbi këtë tokë
Ndriçimin, nderimin, përkujtimin

Freitag, 22. Juni 2018

Fan Noli, muzikaliteti, harmonia dhe kumbimi i fjalës poetike.


Shkruan: Myzaljen Hoxha, poet dhe eseist

Fan S. Noli përcjell emocionalisht shpirtin e revoltuar të tij lirik, që regëtin për realitetin e viteve 20-30-të, të shekullit 20-të, duke bërë një kritikë të gjithanshme të tij.

Noli na ka përcjellë bukur intonacionin e revoltuar të tij, dhe tragjedinë e vdekjes së njeriut me ideale humane dhe demokratike. Filozofia krijuese e Nolit, e këtij “vigani liberator” të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, na dha poezinë e tij të fuqishme, që pati një ndikim reformues në letersinë shqiptare. Po bije për vetëdijen tuaj poetike, poezinë “ Syrgjyn vdekur “, elegji për Luigj Gurakuqin, ku Noli shpërthen :

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t'a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m'a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s'i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Poezia është gjinia letrare më e vështirë për t’u krijuar, sepse ajo është gjuha e shpirtit. Vështirësia e parë lidhet me specifikën e gramatikës, me morfologjinë, sintaksën, semantikën dhe anën tingullore të fjalës poetike. 
Vështirësia tjetër lidhet me stilin e Nolit, me filozofinë e tij krijuese, me temperamentin, me preferencat e tij stilistike dhe estetike, si dhe me teknikën e tij lineare të vargut, metrikës, ritmit, rimës dhe konstruktit të strofës poetike. Njohja e kohës historike të tij, si askush tjetër, e stilit të rrymës apo të epokës, që ai krijoj poezinë e tij si revoltë ndaj realitetit shqiptar të përthyer, të zymtë dhe të trishtë, ka patur peshën e vetë në edukimin dhe kulturimin e shqiptarëve.

Poezia e Nolit është një manifest i filozofisë së jetës me kredon poetiko - estetike të saj: “Poezia është një mendim sintezë liriko-epik, me ritme kumbuese të protestës së shpirtit njerëzor “, me të cilën ai spikat si një romantik në kohën e modernitetetit poetik. Dhe manifesti artistik i Nolit na shfaq përballë një shpirt rebel, një dashurues i zjarrtë dhe ëndërrimtar i papërsëritshëm, një adhurues i përjetshëm i bukurive të natyrës e të njeriut. Por, siç ndodh me poetë të tillë, poetët e zjarrit të pasionit, me konturet e hijshme të trilleve thuajse hyjnore, nëpërmjet lirizmit të tij triumfues jep fuqishëm imazhin frymëzues të një Shqipërie në ndryshim, si një fiksion artistik, i përftuar nga pasionet me të cilat Noli e ka dashur jetën. 
Noli është Poeti që jetën e jeton si një poezi. 
Metodat tradicionale të vargëzimit të tij. shfaqen si tipar i romantizmit, që janë lirikat e natyrës. Duke lexuar repertorin poetik të Nolit, ne kuptojmë arsenalin e gjerë e të thellë të figuracionit dhe prozodinë e pasur të një artisti të fjalës me pasion të madh dhe eksperienca të gjata leximesh dhe përkthimesh shekspiriane dhe khajameniane të krijimtarisë vetjake.
Qëllimi kryesor i tij, sipas hamendësimit tim, në motivin e të shkruarit poezi ka qenë hulumtimi dhe zbulimi i sekretit mjeshtëror të vargut, figuracionit, ritmit dhe rimës që e bëjnë lirikën e tij të dashur dhe të kërkuar nga njerëzit.

Në poezinë e tij figuracioni popullor është i shkrirë në vatrën e ngrohtë të frymëzimit, dhe me fjalën e zgjedhur e të pasur të gjuhës së folur ka sjellë vargje me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse. Me mjeshtëri Noli ka përdorur në poezinë e tij figura si alegoria, epiteti, antiteza, mitonimia, simboli, alteracioni dhe skluptura mendore. 
Rima e vargut të Nolit, si një nga elementët më të spikatur të muzikalitetit, të harmonisë e të kumbimit të këndshëm, si një ngjyrim poetik që është memorizuar në kujtesën e lexuesit falë këtij elementi magjik, që vjen qysh nga antikiteti dhe që bëhet “pronë” e denjë e poetëve të vërtetë të fjalës. Poezia e Nolit është bërë një nga dëshmitë më konkrete të ekzistencës së talentit poetik tek shumë poetë të kohës sonë.
Rimat në vargjet e Nolit vijnë vetvetiu, si jonet e një muzike të harmonizuar nga një dorë hyjnore dhe e padukshme. Një aspekt tjetër i përveçën i poezisë së tij, që është tipar i spikatur, është edhe ndikimi i thellë nga intonacionet popullore: me motive filozofike, meditative, plazmuar në mendime e vargëzime elegante.

Format e strofave dhe njësive poetike të Nolit janë të larmishme, dhe të lindura nga çaste të vërteta frymëzimi. Në njësinë poetike të tij është thënë e gjitha. Ai përdor edhe strofën katërshe, por edhe strofën monokollonë, duke shfrytëzuar natyrën stilistike të gjuhës sonë, dhe rritur vlerën artistike të vargëzimit.
Poeti në poezinë e tij nuk ka inflacion fjalësh, sepse marrëdhënia e gjuhës poetike me mendimin e formësuar në vargun poetik është e përkryer. Arti i fjalës e bënë poezinë e Nolit, thesarin më të çmuar të poezisë sonë kombëtare. Poezia e Nolit, si çdo formë tjetër krijuese e tij, ka dal nga emocionet dhe pasionet e distiluara, jo në konflikt me arsyen e tij, por shprehëse kulmore e saj. Poezia e tij ka arritur “lartësi shqiponje”, ku metaforat nuk përdoren kurrë me imazhe. Vetëm se imazhet janë të përzier në strukturën e poezisë së tij, dhe duket se largohen me dëshirën për t`u dhënë hapësirë emocioneve që guxojnë të shkojnë përtej arsyes.
Poezia e Nolit është e bukur dhe e thellë në mendimin poetik të shprehur, dhe si e tillë, ajo është e fuqishme dhe e bukur për të gjitha kohërat. Terapia e saj është shikimi i Natyrës dhe Shoqërisë. Natyra në të pëshpërit sekretet e saj, ndërsa Shoqëria tregon vuajtjet e saj.

Prandaj dhe Poezia noliane kurrë nuk zhgënjen rrënjët e saj të natyrës dhe shoqërisë, të shprehur bukur dhe fuqishëm te poezia “ Anës lumenjëve “, ku po veçojmë një “dromcë” të saj :
……………………………..
Dhe një zë vengon nga lumi, 
më buçet, më zgjon nga gjumi, 
se mileti po gatitet, 
se tirani lebetitet, 
se pëlcet, kërcet furtuna, 
fryhet vjosa, derdhet buna, 
skuqet semani dhe drini, 
dridhet beu dhe zengjini, 
se pas vdekjes ndriti jeta 
dhe kudo gjëmon trumbeta. 
ngrehuni dhe bjeruni, 
korini dhe shtypini, 
katundar' e punëtorë, 
që nga shkodra gjer në vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim 
më bën djal' e më bën trim, 
më jep forc' e më jep shpresë, 
anës elbë-s, anës spree-së. 
se pas dimrit vjen një verë, 
që do kthehemi njëherë, 
pranë vatrës, pranë punës, 
anës vjosës, anës bunës.

Këtë kombinim, ai mrekullisht e ka arritur nëpërmjet bashkimit të muzikës dhe poezisë, duke sjell një dimension të ri për kohën e vetë, por që vazhdon të frymëzojë dhe gëlojë edhe sot.

Repertori poetik i Nolit është shkruar dhe sistemuar për herë të parë në vitin 1948 nga shkrimtari dhe kritiku letrar i shquar Mitrush Kuteli, që si pasuri kulturore përmban gjithë poezitë e tij: Hymni i Flamurit, Anës lumenjëve, Fryn moj erë, Jepni për nënën, Mosiu në mal, Marshi i Barabajt, Rend or marathonomak, Marshi i Krishtit, Shpella e Dragobisë e tj.
Poezia Noliane është një zgjatje e vetevetes kulturore të Nolit, që shprehet në mendimin e ndritur të filozofit dhe gazetarit austriak Karl Krausit : “ Kulturën shumë e marrin, shumë e transmetojnë, por pak e kanë “.

Noli u largua nga kjo jetë duke patur në dorë një libër me poezi, ( s`ka se si të ndodhte ndryshe në apogjeun e jetës së tij ) të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Noli dha frymë në natyrë, në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje :

“Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! 
Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! 
Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! 
Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare, ku lirikat e tij ngërthejnë dhe shpërthejnë në përgjithësime të rëndësishme artistike. Ai shprehu aspiratën e shqiptarëve për liri, për drejtësi dhe përparim. Lirikat e Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patundur i poetit drejt përparimit në mbarësimin e jetëve të shqiptarëve. Fan Noli është poeti i emocionit që ka gjetur mendimin e thellë, mendim që ka gjetur fjalën e fuqishme për tu shprehur, dhe që dijti ta ngrinte kulturën tonë, në piedestalin e kulturës europiane dhe atë botërore.

Noli është krenaria jonë kombëtare, që e dëshmojnë fuqishëm mëndjet më të ndritura të panteonit të kulturës sonë, dhe vlerësimet e disa prej tyre janë :

“Fan Noli për ne poetët e rinj mbetet një ndër mësonjësit e mëdhenj të vargut. Ai na thotë se fjala në varg duhet të jetë e tillë që askush të mos guxojë ta lëvizë nga vendi. Provo dhe hiqi një fjalë apo një tingull vargjeve të Fan.S. Nolit ! Vargu i tij është kala, fjala shkëmb kalaje, që nuk e lëviz dot. Ai shkroi me dashuri e dhëmbje të madhe për popullin. Poezia e tij mund të futet thellë në shpirtin e çdo njeriu ”. Dritëro Agolli

“Ai nuk është poet i lartësive eterike, po është shkrimtar i plisit të dheut. Është një Ante i letërsisë sonë, që i merr fuqitë prej mëmës tokë. Ai ka të vetën diçka demonike, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijonjës, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë. Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar, që sot bleron e nesër thahet; nuk është as lule, që sot shkëlqen e nesër vyshket. Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj; lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij. Në këtë nuk dihet ëmbëlsia e flladit të verës sesa furia e murrërit të dimrit. Ajo nuk ka aromën e luleve, por ka erën e shëndoshë të dheut. Ka edhe diçka prej pikash të rënda e të idhëta, në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare. Në këtë poezi shihet sa mund të jetë gjuha shqipe e ashpër dhe e vrazhdë, dhe e fortë në ashpërsinë e saj ”. Eqerem Çabej

“Fan Noli është mjeshtër i krijimit të gjuhës letrare shqipe. Stili i tij është i fuqishëm, i rrëmbyeshëm, lirik dhe epik njëkohësisht. 
Ai përfaqëson shpirtin heroik të racës sonë”. Mitrush Kuteli

“ Figura e Nolit ndriçohet akoma më shumë, jo vetëm në sipërfaqen e saj, por sidomos në brendësinë e thellë. Noli si shkrimtar dhe poet bëri epokë në letërsinë shqipe. Cikli poetik i tij është kaq i veçantë dhe origjinal sa mund të quhet një nga subjektet më të veçanta të poezisë ballkanike dhe evropiane. Në të Noli vërteton fjalët e Juvenalit “ Ira facit poetam” (“Zemërimi të bën poet”). Fan Noli është një poet tribun. Substanca poetike e tij është prej diamanti: Edhe ndriçon, edhe pret “. Moikom Zeqo

Tërë profilin poetik të Nolit, na i bie me nota të larta muzikore të vargut dhe ritmit të fjalës poetike, biografi i shquar i tij, shkrimtari dhe studiuesi i letersisë Profesor Nasho Jorgaqi, i cili thotë : “ Poezia madhore e Fan Nolit lindi si një poezi politike, e mpleksur me problematikën e kohës, larg çdo tendence meditative dhe mbyllje në vetvete. Në të do të shkrihen emocionet e poetit me patosin e militantit dhe brenda kufijve të poezisë do të ndihet dhe gjykimi i studiuesit të historisë.
Në këto poezi gjejmë të pranishëm jo vetëm frymëzimin dhe mendimin e mishëruar artistikisht, por dhe elemente të punës këmbëngulëse për një shprehje sa më të bukur e më të fuqishme poetike. Ndihet puna këmbëngulëse për një shprehje të saktë e konçize, disa herë eliptike, e shoqëruar me kujdesin për një kadencë ritmike sa më funksionale……..…..të tërheq vëmendjen kujdesi i posaçëm dhe puna e hollë e autorit për muzikën e poezisë së tij. Kjo mund të shpjegohet jo vetëm me formimin muzikor, por dhe me faktin se poeti, duke jetuar një kohë në gjirin e lëvizjes demokratike, ka sjellë në poezi jehonën e saj. Prandaj vargu i tij, siç është vënë në dukje, ka karakter auditiv, në të ndihen tingujt e luftës e të shqetësimeve të kohës, buçasin trumbeta dhe boritë e kushtrimit. Vetëm kështu mund të kuptohet tërë ai arsenal mjetesh të forta shprehëse, figurash e fjalësh, ritmesh e rimash, tingujsh e tonesh me të cilën ndeshemi në dorëshkrimet e poetit.

Ai e kërkon fjalën, i jep asaj peshë e ngarkesë emocionale, ja nënshtron një përpunimi të hollë stilistikor, e bën të këndojë në ritmin e marshit a të himnit, të kushtrimit a të një monologu rrëfimtar “. 
Fan Noli është dhe i pari e i vetmi Kryeministër shqiptar, Poet brilant, që bashkoj poezinë me politikën, pra njësoj procesin e zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve me shprehjen e ndjenjave, ambicjeve dhe botëkuptimit të shqiptarëve. Dhe kur ato bashkohen lind mënyra krijuese e të drejtës së njeriut për lirinë e tij.
Poezia dhe politika kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të dyja janë të ushqyera nga ndjenja e domosdoshmërisë dhe e dobishmërisë shoqërore. Të dyja apelojnë tek imagjinata, në kuptimin që gjërat mund të bëhen dhe të jenë ndryshe, pra të jenë si ndryshim për zhvillim të shoqërisë shqiptare.

Poezia noliane është poezi e protestës, që kërkon të adresojë nëpërmjet përmbajtjes dhe formës radikale të saj, sëmundjet që vuante shoqëria shqiptare. Ajo që ka rëndësi është drejtimi dhe natyra e kësaj poezie, ndaj njerëzve dhe ndaj botës. 
Ajo është zëri i lartë i arsyes i shkakëtuar nga emocioni i madh, i ushqyer nga realiteti i zymtë dhe i trishtë. Kjo poezi politike është morale në natyrë - moral që bazohet në sulmin ndaj status quo-së së keqe të shoqërisë. Kjo poezi është e domosdoshme për vërtetësinë, sinqeritetin dhe çiltërsinë e saj, në formësimin e vetëdijes sociale dhe kulturore të shqiptarëve.

Nuk është mëkat, si e vlerësojnë disa estetë idealistë, këtë pjesë të poezisë së Nolit, që identifikohet si poezi politike, pasi kjo poezi është zëri poetik i protestës së Nolit, është zëri i vetëdijes sociale dhe politike të njeriut që jeton në një shoqëri dhe lufton për zhvillimin e saj. Ajo shpreh një sërë tonalitetesh në emër të kërkimit dhe arritjes së qëllimit të saj. Është njëherazi idealiste dhe realiste, për idetë që mbartë dhe realitetin që mishëron, si një regjistër i kostove sociale, pra është një grumbullim i dëmshpërblimeve njerëzore.

Poezia e protestës është e plotë, dhe është jetike dhe e nevojshme përgjithmonë, si një thirrje estetike kundër përthyerjeve të shoqërisë, të konfliktit të shkakëtuar dhe dhunës së bërë në emër të "rendit dhe ligjit". Funksioni i saj kërkon të zgjasë në rrjedhën e kohës, fjalën e artikulimit politik, për të zgjeruar hapësirën verbale të mjaftueshme për të pranuar ndjenjat dhe potencialet njerëzore. Poezia e Nolit ka qënë kritike për atë që politika nuk arrinte të bënte në shoqëri. Por të dy qasjet, si ajo poetike dhe ajo politike kanë krijuar vlerat dhe idetë e Nolit për zhvillim dhe përparim kombetar.

Kultura letrare me poezinë e fuqishme noliane, kultura muzikore me studimin “Bethoveni dhe revolucioni francez“ dhe flauti i tij “magjik”, kultura politike me pamfletin “ 5 anarkitë e Shqipërisë ! “ e tj., kultura e përkthimit në shqip të Shekspirit, Servantesit, Khajamit, Ibsenit, Longfellout, Ibanjezit e tj., dhe Kultura fetare me krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe futjen e gjuhës shqipe në liturgjinë kishtare, si një e tërë Kulturë Shqiptare, është kurora e nderit, e krenarisë dhe e lavdisë së kulturës sonë.

Veçanësisht, poezia e Nolit ka qënë dhe është një gurrë e pashtershme bjeshkore, që ujit tokën e plasaritur dhe të etur të kulturës sonë kombëtare, duke e pasuruar atë, dhe duke e bërë konkuruese dhe të denjë për kulturën ballkanike, europiane dhe atë botërore.

Nostalgjikët shqiptarë duan ta bëjnë Serbinë të mirë

Shkruan: Gani Mehmetaj

         Pas afrisë Serbi-Shqipëri (Rama-Vuçiq) ka filluar të nxjerrë krye teza e mbrapshtë sikur gjatë historisë njëmijë vjeçare e kishim mirë me Serbinë deri atëherë kur shqiptarët (sipas tyre kosovarët) vranë e dhunuan serbë për hesap të Perandorisë Otomane! Bartës të kësaj teze antishqiptare janë disa nostalgjik jugosllavë (lexo serbë) e palo historianë që më parë e bënë çorbë arixhiu historinë e "Luftës Nacional çlirimtare" në Shqipëri. Imponohet në medie gazetari kooperativist, i frymëzuar nga mjelësja e dalluar Lenka Çuko. Nuk u rri larg as një portal propagandistik që burim frymëzimi e citimi e ka portalin turk "Osmanlinjtë". 
         Për dallim nga ajo që duan të na e gatuajnë dashamirët e Miladinit, Mugoshës e Vuçiqit, me serbët asnjëherë nuk e patëm mirë. Përkundrazi, nga shekulli VIII-XI, kur sllavët e vërshuan Gadishullin Ilirik, u bënë luftëra shfarosëse serbe-arbërore. Luftërat e përgjakshme vazhduan gjatë tërë mesjetës, kulmuan në kohën e re, ndërsa përfunduan me 1999. 
         Në një relacion të vitit 1332 kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelmi i Adës, për sundimin serb në trojet shqiptare raporton: "shqiptarët janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë... Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen". 
         "Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje (prerje të hundës, veshëve e buzëve, vërejtje ime), dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë arbërore të besimit katolik. Ato (masa) përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare". 
         Këto raporte flasin për krimet serbe në veriun shqiptar, pra në Dardani e bregdetin Adriatik.
         Ndërkaq, për jugun shqiptar, Anisa Demiraj shkruan: "Toma Preljuboviçi u mundua t’i zhdukte pabesisht me vrasje feudalët arbëreshë, por nuk ia arriti dot qëllimit. Kjo solli afrimin e Gjin Bua Shpatës me Pjetër Loshën, zotin e Artës, dhe luftën e tyre të përbashkët kundër sundimtarit serb. Më 1373 Pjetër Losha e rrethoi Janinën, qendrën e Thoma Preljuboviçit, dhe e rrezikoi... 
         Forcimi i Gjin Bua Shpatës solli bashkimin kundër tij të feudalëve serbë e grekë, të cilët me ndihmën e forcave napolitane që ishin vendosur në Epir e sulmuan atë, më 1379, në Artë. (Thoma Preljuboviçit, ishte i njohur për mizoritë që kryente ndaj arbëreshëve me mbiemrin Albanokton (vrasës i shqiptarëve). Për t’u mbrojtur nga këto sulme, despoti serb thirri ushtritë turke që kishin arritur në atë kohë deri në Thesali". Historianët thonë se goditja e Gjin Bua Shpatës ishte vendimtare në shkatërrimin e mbretërisë serbe. Serbët luftuan krah osmanëve deri në Ankara kundër mongolëve, ku u zu rob Sulltani. 
         Ta kenë harruar vrasësin e arbërorëve- Preluboviqin-Albanokton në Toskëri, nipërit bastard, palo historianët dhe gazetarët kooperativistë? Apo serbët u kanë dhënë detyrë t'i fshijnë krimet ndaj shqiptarëve?
         Në betejën e vitit 1389 në Fushën e Dardanisë, afër Prishtinës, aleanca e Gadishullit Ilirik kundër Sulltan Muratit pësoi disfatë, për shkak të pabesisë së princave serbë që u bënë me turq. Shumë vjet më vonë në betejën hungareze-turke, serbët prapë u bënë me osmanët, kështu që Gjergj Kastrioti, ndëshkoi pabesinë serbe me djegien e qyteteve e katundeve të Serbisë. 
         Mehmet Pasha Sokoloviq, serb (1506 – 1579), me postin e vezirit turk, me dekret të Sulltanit, ua mori shqiptarëve Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit e të Graçanicës (faltore katolike të ritit bizantinë) dhe ua dha serbëve. I dëboi priftërinjtë shqiptarë, ndërsa i solli priftërinjtë serbë, shkruan Mark Krasniqi. 
         Treqind vjet më vonë, në luftërat austro-turke (1664-1669), forcat arbërore me në krye Pjetër Bogdanin e çliruan Dardaninë. Pas vdekjes së ipeshkvit Bogdani e gjeneralit Pikolomini, forcat turke me pararojë serbët, bullgarët (pomakë) dhe tartarët e Krimesë bënë krime të shëmtuara kundër arbërorëve në Prishtinë. Tartarët, turqit e serbët nxorën nga varri trupin e Pjetër Bogdanit. 
         Edhe këto krime duan t'i fshijnë nostalgjikët shqiptarë mu si i pastrojnë paratë e pista grupet mafioze? 
         Historiani Milo, gazetari Nano e të tjerë si ata, gënjejnë me cinizëm, kinse nëna e Gjergj Kastriotit nuk është arbërore. Këtu u ndihmojnë hoxhallarët shqipfolës - nipërit bastardë të gjysheve të përdhunuara nga osmanët. 
         Gazetari Nano sulmin kundër nënës së Gjergj Kastriotit e bënë me agresivitet prej të çmenduri në emisionin e kanalit televiziv shqiptar me titull serbisht "Provokacija".
         "Historianët shqiptarë" gënjeshtrat serbe i shpërndanë në portale e televizione shqiptare.

Lule nga kopshti i poetit Adem Gashi

Adem Gashi

SHPJEGIM TË HUAJVE PËR DRININ E BARDHË

është një lumë në Kosovë
që buron nga guri i Bjeshkëve të Nemuna
një lumë shkumëbardhë
që shtegton në takim me vëllanë
Drinin e Zi

ndryshe nga ç’e shihni në hartë
më njëmijenëntëqindetetëdhjetenjë
u bë postier
e mori në gjirin e valëve
letrat e bardha me shkronja të zeza e gjak të kuq
mesazhe të studentëve demonstrues 
për matanë
në Shqipëri

i vetmi shteg i kalimit të kufirit
që s’njihte postbllok tela me gjemba polici




ME T’MBARUE SHEKULLI XX

m’u arratis me ik me shkue n’Shypni
kish andrrue njimij e nji herë

nepër tela me gjemba nji gardh me korrent
nepër plumba qorr
ma mirë i vramun a dekun se gjallë n’vorr

kufi vend i premë
shtatë pash nder tokë
shtatë pash nalt n'qjell

me t’mbarue shekulli XX
nepër ‘i derë trishtimi kambë e krye ra n’ferr
e nuk pushoi me e dashtë

të tjerat veç mundeni me i marrë me mend




MEDITIM PËR PRANGAT

i plakur shekulli XX me plot tetëdhjetedy
unë pothuajse i ri 
pa i mbushur tridhjetë

prangat në duar 
në makinë
anash dy policë me uniforma fringo

u dashka provuar dhe këto gjëra në jetë

matanë xhamave me tela
liria e ajrit dhe e rrezeve
dhe një dallëndyshe

nga ç’legurë qenkan bërë këto pranga
dy gjysmëharqe që mbyllin një rreth
për të menduarit ndryshe



RRËFIMI I GRUAS SË SHEFIT TË UDB-së
NË PROVINCË

edhe atë trohë burrëri që pati
im shoq
e la korridoreve të pista të hetuesisë
e kthinave me klithma e lagështirë

dhe nuk e pati vështirë
të bëhej urë
ama hoqi shumë derisa më bëri kurvë

tashti në demokraci
jetojmë në kryeqytet
dhe jemi qytetarë të respektuar




SAGË PËR BATOT*

midis përrallës dhe historisë së perandorisë
po zgjedh variantin e shembjes 
kur ra si një dinozaur
ngrehina e Ilirisë

sepse në fushëbetejat gri
griheshin e priteshin desidiatët e breukët*
dehur me sabai*

po qe për të pirë pinin batot

tashti Bato-ja shkrirë në një si një eunuk
tjerr lesh tërkuzë 
këmbëkryq në studio të tv-së

bato të tjerë të majtë e të djathtë,
zhvishen deri në palcë në qendër reflektorësh
derisa nga dhembjet i merren mendtë e këmbët 
Kosovës
__________
*Çuditërisht, prijësit e të dy fiseve ilire kishin të 
njëjtin emër: Bato!
*Fise ilire
*Lloj pije ilire




P I K A

e thamë ç’kishim për të thënë
domethënë rrëfyem
për gjëra të çuditshme të rëndomta fantastike
dhe i lamë vendin në fund një shenje
një pike

një pikë na la në mendje në zemër
në kujtime
një pikë peng ajo që iku

i rëntë pika pikës
që s’u mjaftua me vënien mbi i-në e vogël




NJË MILION VJET

kjo është parahistoria:
një fshatar goditi një gur me qysqi dhe çekan
dhe guri pa qenë sezam u hap
si gojë së pari pastaj si derë
mrekulli e GADIMES shpellë e mermertë

ky është çasti:
jashtë po bie shi i pranvertë
në labirintet e shpellës shiu i përjetshëm
derdh pikëllimin e pritjes së gurit
në LIQENIN E LOTËVE

kjo është ardhmëria:
speleologët thonë 
(dhe ky nuk është mit)
duhet një milion vjet atje
për t’u bashkuar stalagmiti me një stalaktit

e ç’është një milion për një bashkim
dashurie
pos sa çasti i këtij shiu për takimin me ty




I K J E

po fluturoj me një avion ëndrrash
s’e di se kah s’e di për ku
e di se pa rrënjë
s’ka pemë s’ka lis s’ka dru
e di se ti je diku

me një tren-kalë gjok a dori
po rend horizonteve pafund
më tund po s’më mund
një shpirt i humbur i zi
monstrum

e bardhë një velore më përkund
valëve të qilimit oqean
jam unë a deti kaq babaxhan 
edhe në stuhi e erë
lëmë timonin pa timonier

kaq qe
një ikje-fluturim larg realitetit
mos më kërkoni tani
në tri përmasat e planetit
jam me flatër në një të katërt




PËR SYRIN TËND E TË TJERA

mos fol mos shkruaj mos u duk për të gjallë
unë e di ti e di
të tjerët mund ta marrin me mend
rri aty ku je rri

mjaft më trazove më tundove 
më ngjethe mishtë 
me atë sy’në e fshehur pas perdes
në kullën e fildishtë

rri pra rri botërisht sa s’e kam shpallur
mos u duk mos shkruaj mos fol
po të panë rastësisht
do t’u them: shenjtërisht është ngjallur

në trupin e një gruaje një shtojzovalle




GISHTËRINJTË

i pashë duart e tua të bardha të buta të pastra
dhe m’u vjetruan figurat në çast

qenë duar të qelibarta

kur u përshëndetem
vura re se epitetet megjithatë çalojnë 
janë të pasakta

m’u dridh ethshëm truri mishi skeleti

s’qenë gishtërinjtë e tu ah gishtërinjtë
po të tmerrshmit dridhmuesit tela korrenti




SEÇ KISHA NDËRMEND T’JU THOSHA

e mendoj detin me yje e qiellin me lule
dhe shiun e florinjtë të rrezeve si ndërmjetës
hapësirë e duhur
për t’u ngjizur dashuria

kur them dashuria kam parasysh njeriun
domethënë ndjenjën në të tashmen
as e shkuar as e ardhme
as e falur si lëmosha

tjetër është tjetër ajo që doja t’ju thosha

mendoj gjëra të ndryshme po ç’rëndësi ka
se ç’them e ç’mendoj unë
lodhur nga mosgjëja
nga shkronjat flutura që mbyten në një lumë

seç kisha ndërmend t’ju thosha
ndoshta asgjë më shumë
veçse t’ju dhuroja diçka që t’ju bëja të lumtur



KALENDAR I HUMBUR

e gjetëm me gruan si krejt rastësisht
brenda ditëve tona të zhurmshme
e netëve të pagjumit
pak fletë të zverdhura pak fletë të grisura
të muajit të mjaltit të muajve të burgut

e pandehnim të humbur

më 4 korrik të tetëdhjetenjëtës 
atë e zunë të prerat e para të lindjes
të lindjes së parë
u nisëm tek stacioni i autobusit të linjës
pranë shkollës ku dikur qeshë arsimtar

nxënësit e fshatit si një kor zogjsh 
nisën pëshpërimën:
po vjen Ademi me Dritën

të djegur e pandehnim padyshim
arkivin e ndjenjave të vuajtjes të pasionit
ja që ndijat nuk na paskan lënë
shpërthejnë së thelli nga fundi i honit

veçse nxënësit e fshatit e fëmijët tanë
madje edhe ne
tashti kemi të tjerë kalendarë



PËR RESHPJEN

Fredi
baj be se ti je gjallë
e po pi sonte me mue fernet
si në t'nandëdhetën

Asht tjetër punë qi tjerët përreth
nuk kanë sy me t'pamë
qysh me heshtje bërtet:
erdhi koha të vdes përsëri

Be po t'baj
jemi vetëm na të dy
as krejt gjallë as krejt dekun
gand përpjekun




PROFILI TJETËR I NJË GRUAJE TË AZDISUR
(pos trillit mos ia kërkoni shëmbëllimin)

më ka rënë ta shoh ju ka rënë ta shihni
shpesh 
gjithandej hapësirash sallonesh shfaqjesh
herë fshehur herë në shesh

njëmend e çuditshme sa e vetëkënaqur
me pamjen shëndetin sukseset
me të veshurat mbathjet
krejt si një vepër arti në vargje ngjeshur

veç kur nata nxin me vetminë
në labirintin e saj tragjik
shpërthen një magmë me gjëmë e dhimbtë 
prej zgërbonjës së shpirtit cinik

më ka rënë ta shoh ta shihni ju ka rënë
me profil të gënjeshtërt një grua të azdisur 
është koha për ta lënë
në vetëkënaqësinë e lustërt të ditës



VËLLAMIRI

fjalëmbajtës mund të ketë pasur
njëqind e një njëmijë e një
njerëzimi

në kujtesën e popujve megjithatë
hyri e mbeti vetëm një
Konstandini

prandaj motrat tona
derdhin lot të kristaltë në shami jasemini
për vëllamirin



KARTË E DJEGUR

unë s’kam stoli floriri e smeralde për ty

krejt çka mund të bëj
janë ca rima varur në kangjele malli

goja nuk më bën të them se iku dhe një ditë tjetër
si një kartë e djegur

derisa hiri nuk është ftohur ende
them se unakët thellë tij
rrinë edhe natën ndezur



REGJISTROJE KËTË

po e nisim kështu:
je më e bukura me gjithë ç'vetëkupton bukuria

dhe e mençur domosdo

po unë s'të desha për të parën
as për të dytën jo se jo

eh, po ta dija...

dhe është kaq vonë ta marrë e mira

regjistroje këtë megjithatë
për çastet kur të të trokasë vetmia




NDJEKËSI DHE KËNAQËSIA E TË NDJEKURIT

nuk ndjek po jam i ndjekur
ah ç’kënaqësi
duhet të m’i ndjekë hapat gjurmët Ai Tjetri
edhe hijen dhe të më bëhet Hije e dytë

Ai s’ka orar itinerar
nuk e njeh hapësirën kohën
nuk i shikon të dhënat sinoptike të motit

është Ndjekësi Ai
dhe të vetmen busull ka të ndjekurin
nga pas
(domethënë mua)
me dhuntinë e nuhatjes prej kafshe Qeni

më në fund e kuptova
unë jam dirigjenti për të e për shefin
e Tij
orkestër e simfonisë së turpit e ligësisë

tani po fle pa kënaqësi
për sa më zgjat gjumi Ai është i lirë




QIELLI U MBUSH ME RE 1.

mund të rrinim gjithë ditën tek asnatasdita
po ja, u ndezën dritat

gjithë natën mund të rrinim tek asditasnata
por u zhbë hëna, ja
e ndezi zjarret inkandeshentë dielli

ditët javët muajt stinët
ngarendin e ndjekin ciklin
atë të përjetshmin
ku rrojmë ne të përkohshmit me grimca imitimi

mund të rrinim... e pe ç’thashë e dëgjova ç’the
mjaft tani se qielli u mbush me re



QIELLI U MBUSH ME RE 2.

mjaft tani
mund të iki unë mund të ikësh ti
pa ditur ku qemë e ku do të vemi

u lëmë radhë
gjërave të paqena, fjalëve
(ishin a s’ishin këtu këputësit e luleve)

mund të ikësh ti mund të iki unë
flurudhës së një plumbi
para se qiejt të shembin furtunë



QIELLI U MBUSH ME RE 3.

me re mllefi e mërzie të ndarjes
qiejt edhe mund t’i shembin furtunat

se ne qemë ardhës
që nuk njiheshim më parë
dhe ditëve ua thithem nektarin

ndoshta kështu qenka struktura e dashurisë
një amalgamë hyjnore
e prerë të rritet
midis toke e qiejsh




VAJI I NJË FËMIJE

gëzimet harbuese të ditës
mënjanë
a nuk e dëgjoni një fëmijë që qan

një zë që vjen fundbotshëm
e t'i këput gjymtyrët
një lot faqes së lëmuar uragan fytyrës

mund të jetë dhe vetëm për një lodër
fare të vockël
e ç'rëndësi ka ç'rëndësi

oh sesi prishet ritmi i botës
kur qan një fëmijë



PËR KORBIN, KORBZINË

ç’ngulni e ngulmoni tek ai i poemës së Poe-s
një sendërgji e skëterrshme nate
një sajesë

korb është ky i natyrshmi
përtej të shkretëtirtës të bardhë e të verdhë 
i bukuri me të vezullimtën e zezë
me kostumin e përjetshëm e solemn 
të vdekjes

...dhe përse u dashka 
ligjësi e natyrës të shembet të humbë 
për shijen tonë uniforme e meskine
korb i lavdishëm të bëhet pëllumb