Dienstag, 23. August 2016

Me sharki e çifteli, mjaltë e këngë për ty Shqipëri!

Rapsodi që kohët i gëdhendi në këngë...!
Me rastin e 31 vjetrorit të ndarjes nga jeta të këngëtarit Dervish Shaqa

Ese nga Xhevahir Cirongu     

Koha ecën me hapin e saj..! Bashkë me atë, edhe ne rrugëtojmë të kapur fort dorë për dore deri aty sa vjen një ditë e i themi lamtumirë! Para se t’i themi asaj lamtumirën e fundit, ajo na këshillon që kohën e madhe të Jetës ta shijojmë e ta gëzojmë; sepse koha që ne jetojmë na fton në oazin e madh të magjishmes Lirijetës për ta jetuar me ndershmëri atë. Ajo na bën me flatra mendimesh që ngjiten deri në qiellin e kaltër me yje të ndritshëm jetdhënës. Ne, si qenje njerëzore, të vetdijshëm për ato ç’ka bëjmë rreth botës që na rrethon, ajo që na lind e rrit, kjo që na fal frymarrje e tinguj kur flasim, ajo që na frymëzon e jep forcën e shkëmbinjve, por mbi të gjitha në shpirtin tonë Koha – Jetë na jep edhe fjalën e shkruar e tingullin e këngës ! Prandaj duhet të ecim me hapin e hohës, se kështu edhe kur largohemi prej saj një ditë, me gjurmët e mirësisë që lëm aty, Koha – Jetë na mban përgjithmonë të gjallë në gjirin e saj. Të dish ta vlerësosh kohën që jeton, sepse vetëm një herë vjen tek ne ajo, dhe kur Kohën- Jetë e vlerëson dhe i jep dimesionet e vlerat e duhura asaj; natyrisht, edhe ajo të jep vlera jete der në përjetësi, pavarsisht se jemi larguar fizikisht prej asaj kohe që na lindi. Të tillë njerëzjanë të rrallë që koha i vendos në peidestalin e saj. Ata i bën që të jenë gjithmonë në lëvizje në Kohë – Jetë edhe pas vdekjes si yjet që ndriçojnë në qiell. I tillë ishte dhe mbeti rapsodi i këngës popullore Dervish Shaqa.

Kanë kaluar 31 vite, pikërisht atë ditë të datës 11 prilli të vitit 1985, kur rapsodi ndaloi këngën për t’i thënë fjalën e lamtumirës Sharkisë e Çiftelisë aq të dashur; me të cilat u rrit e u thinj nëpër kohët plot tallaze , e me mjalitin e këngës që ai i këndonte me gjithë shpirt nënës Shqipëri; shëronte plagët e gjakosura të shpirtit të tij. I digjej shpirti, i bëhej copa – copa, sepse shikonte atdheun të gllabëruar nga shovinistët fqinjë ballkanas e ata perndimorë, të cilët me kthetrat e tyre po i zinin frymën tokës shqiptare. 

Këngëtari rapsodist si Dervish Shaqa janë të rrallë, ndoshta vetë Koha – Jetë i lind për të përjetësuar vetë kohën e ngjarjet historike ku edhe vet rapsodi i këngës popullore e jetoi  atë. Nuk është rastësi, por një mrekulli natyrore lindja e krijuesit e këngëtarit Dervish Shaqa, pikërisht në vitin e shalljes së Pavarsisë më 1912. Ai lindi atje në fshatin Llukë të Epërme të Deçanit, ku janë zhvilluar ngjarje historike që kanë ngelur përjetësisht në memorjen e historisë së kombit tonë. Rapsodi i këngës popullore, i cili i këndonte me aq zjarr e ngrohtësi që i buronin nga shpirti, frymëzimin e kishin te legjendat e historitë e treguara nga të afrmit nëpër shekuj që luftonin për lirinë e pavarsinë e atdhut. Ishte Dervish Shaqa që jetoi dhe përjetësoi me këngët e tija, me tingujt e sharkisë e të çiftelisë ngjarjet historike nëpër dekada të popullit tonë të shekullit XX- të. Në këngët e kënduara prej tij, frymon tingulli i jetës dhe i dashurisë për atdheun, për heronjtë, vendlindjen, njerëzit që sakrifikuan edhe me jetën e tyre për lirinë e atdheut. Ai i këndon Azem e Shote Galicës, Isa Boletini e Bajram Curri...! 

Në sofrat e gëzimeve familjare, ndonse i vogël në mosh, Dervish Shaqa merrte sharkinë e këndonte si një bilbil me sytë që vështronin bjeshkëve të larta të mbuluara me qeleshen e bardhë të borës. Ishte viti 1956, kur së bashku me shokun e tij Demush Neziri, lën fshatin e lindjes dhe lotin e mallit në kosovë, e vendosen me banim në kodrat e fshatit Rrashbull në Durrës. Një vit i acart politik, por tashmë Dervish Shaqa kishte kaluar në lumin e jetës edhe shumë ngjarje të tjera të dhimbshme për fatet e atdheut e të kombit tonë. Ai u rrit me ngjarjet e kobshme fatzeza me coptimin e tokave shqiptare nga politikat shoviniste që ndoqën shtetet ballkanase e perndimore ndaj vendit tonë. Në rrugëtimin e jetës Dervish Shaqa kaloi e provoi midis të tjerave edhe dy luftrat më çnjerëzore që provoi njerëzimi: Luftën e Parë e të Dytë botërore. La kullat e gurta të Dukagjinit, lodrat e fëmijërisë e këngët e rinisë atje në Llukën e Eprme, dhe prapë me valët e detit shpirtëror ai s’u nda këngës, por këndoi deri në çastet e fundit të jetës për atdheun, lirinë edhe në durrësin e mikpritjes. Me inisiativën dhe përkushtimin që e karakterizonte, Dervish Shaqa së bashku me një grup shokësh formuan grupin e rapsodëve në fshatin Rrashbull, që më von u bë i njohur në shqipëri e në diasporë, me prezencën e repertorit aq të pasur folklorik të kënduar me mjeshtëri. 

Grupi i rapsodëve të çiftelisë të Rrashbullit, me në krye Dervish Shaqa, merr pjesë për herë të parë në vitin 1968 në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Kënga, tashmë ishte bërë pjesë e jetës e s’mund ta ndante dot atë prej vetes këngëtari virtuos siç ishte dhe mbeti i tillë Dervish Shaqa. Edhe hijenat e regjimit komunist, s’e mposhtën dot këtë njeri me shpirt të madh artisti, sepse ai kishte lindur bashkë me këngën për ti kënduar lirisë, atdheut e heronjëve të tij. Këngët e grupit të rapsodëve me çifteli të Rrashbullit gjenden edhe në arkivat e Radiotelevizori Shqiptar, ato ruhen si thesare të kulturës të kombit tonë. Në këngët e kënduara të rapsodit të talentuar Dervish Shaqa me Demush Neziri, tashmë pas kaq vitesh kur i dëgjojmë, na japin frymëzim e jetëbardhësi të cilat kanë ndërthurje si një gërshet prej bore e ngjajnë si lulet e zambakëve të liqenieve të Lurës. Këtë e shpreh bukur kënga me titull ‘’ Moj e mira porsi bora! ’’. Këngët e Dervish Shaqes, frymëzuan edhe këngëtarët e tjerë siç ishte Fatime Sokoli etj, rapsodë që këndonin me sharki e çifteli. Te këngët e Dervishit dhe grupit të Rrashbullit, gjeti frymëzimin edhe i madhi kompozitori Tish Daija me kompozimin e këngës ‘’Fest të madhe ka sot Shqipëria’’. Rrapo Toska mësues nga Berati, por edhe mësuesi  e gazetari Devollit  Kadri Tarelli, Bajram Gashi e Fadil Berisha, japin vlerësimet e tyre për këngëtarin Dervish Shaqa, duke e cilësuar ‘’Një ishull i kosovës në mes të Shqipërisë’’ apo ’’ Luan i skenës’’ etj.  Megjithatë, Koha - Jetë  bën të vetën. 

Ka plot 31 vjet që Dervish Shaqa është larguar fizikisht nga kjo botë, por ai la pas këngën e do kujtohet në breza. Kënga është e përjetshme, i tillë mbetet edhe rapsodi i çiftelisë Drevish Shaqa, sepse kohën e ngjarjet historike ai i gëdhendi përjetësisht në këngë. 

Durrës, 21 gusht 2016    

Montag, 8. August 2016

Pak grurë në vend të heroizmave

Ullmar Qvick
(Vështrim mbi librin e albanologut suedez, Ullmar Qvick “Më shumë heroizma se sa grurë”, të përkthyer në shqip nga Hajdin Abazi)

Shkuar nga Bardh Frangu

Meqë edhe vetë suedezi Ulmar Qvick, mik i vjetër shqiptarëve, konstaton se shqiptarët bëjnë një jetë të vonshme nga suedezët për rreth 200 vjet, del që nevoja e përkthimit të librave me vlerë, çfarë edhe është ky i Kvikut, është shumë e madhe. Këtë mësim të Qvick-ut në mënyrë shumë domethënëse e dëshmon edhe titulli i librit “Më shumë heroizma se sa grurë”, varg ky i huazuar nga Kadare dhe i kthyer në një metaforë me kuptim semantik të përmbysur jo vetëm sa për ironizim.

Për një literaturë të tillë mendoj se kemi nevojë më shumë se kurrë. Nevoja për njohjen e vetes në këtë proces që po e kalojmë po dëshmohet edhe nëpërmjet përplasjeve debatuese, ku vetëdija institucionale me vështirësi po krijon hapësirë brenda një fryme folkloriste, të karakterizuar me ngjyrime të forta provinciale. Shkaqet e kësaj gjendje i gjejmë në formë leksioni të mrekullueshëm edhe në librin e Qvick-ut, i cili për dallim nga shumë autorë të huaj që janë marrë me shqiptarët, kryesisht nëpërmjet formateve bardhë e zi, ky merret me formatin e spektrit të ngjyrave që identifikojnë historinë dhe kulturën tonë.

Libri si i tillë nuk është as vetëm një kronikë, as vetëm një udhëpërshkrim, as vetëm një ditar, por është simbiozë e të gjitha këtyre, duke përfshirë edhe elementin e reportazhit dhe të tregimit. Si i tillë libri bën një model të veçantë shkrimi me një qasje postmoderne ndaj fenomeneve dhe dukurive shoqërore-politike. Duhet pranuar se nuk është lehtë të përzihet fakti me fiksionin dhe të mos dëmtohet e vërteta, e cila edhe e ka motivuar autorin që të bëjë një libër për shqiptarët, i bindur se në këtë mënyrë do t’i bënte një shërbim të mirë popullit, për të drejtën dhe të mirën e të cilit edhe është angazhuar gjatë jetës së tij.

Qvick-u i trajton shqiptarët ashtu siç i ka parë, përkatësisht ashtu siç e ka mësuar historinë dhe zhvillimin kulturor të tyre, mbase jo nga distanca, por duke qenë për shumë vite pranë tyre dhe me ta. Krejt këtë gjë, siç thotë edhe vetë autori i përkthimit, Qvick e ka parë dhe bërë me qetësinë tipike suedeze, ndërsa librin e ka mbaruar në vitin 2004, kur ngjarjet e marsit në Kosovë kishin krijuar imazhin më të keq për shqiptarët e Kosovës në botë.

Libri trajton ngjarje, personalitete dhe dukuri nga jeta shqiptare, të themi kushtimisht, brenda dy pavarësive, pra nga viti 1912 deri në vitin 2001. Autori tekstualisht do të thotë një të vërtetë të madhe, e cila reflekton fuqishëm edhe në kohën që po e jetojmë e që karakterizohet me përplasje konceptuale rreth emblemave dhe flamujve. “Ky libër do të bëjë fjalë për një popull që gjatë tërë kohës është tradhtuar nga të fuqishmit. Ata shpesh janë tradhtuar edhe nga liderët e tyre despot ose nga mungesa e një udhëheqje të mirëfilltë. Krimi i tyre i vetëm ka qenë dobësia e tyre sociale dhe ekonomike si dhe prapambetja”, kështu thotë Qvic-ku me plot të drejtë.

Autori e ka të qartë se nuk është punë e lehtë të evidencosh fakte negative për popujt e Ballkanit, të cilët gjumin e bëjnë mbi jastëkun e mbushur me mite, legjenda dhe gojëdhëna, të cilat bëhen pengesë serioze për ta ndërtuar të vërtetën. Ai vërtet ka gjetur një model interesant për t’i shfaqur edhe bindjet e veta mbështetur në referencat dokumentare mbi doket, zakonet, traditën, historinë personalitetet dhe zhvillimet politike ndër shqiptarët. Për bartjen e herëpashershme të tyre ai ka ndërtuar një personazh me emrin Anders Vestin, i cili është një gjimnazist suedez, i interesuar shumë për historinë e shqiptarëve. Në vazhdën e këtyre përshkrimeve të bën përshtypje fakti se shqiptarët respektojnë traditën, por që nuk çajnë kokën për ligjet dhe institucionet shtetërore. Pjesa më e bukur, ku fakti ndërlidhet me fiksionin është tregimi i mrekullueshëm që ka të bëjë me dashurinë e pamundshme të Lule Pal Markut. Pesha e kryqit që ka rënduar mbi fatin e femrës shqiptare të sanksionuar nga kanuni i Lekë Dukagjinit shfaqet këtu nëpërmjet një gjuhe aq të kultivuar letrare sa bën një dëshmi të pakontestueshme se autori nuk është vetëm një linguist dhe një publicist, por edhe një shkrimtar i njëmendët. Rrallë mund të ndeshësh ndonjë tregim në letrat tona që ka një forcë të tillë dramaticiteti dhe një dinamikë të tillë rrëfimi. Në bazë të këtij fakti të letrarizuar autori nxjerrë konkludimin se burrat shqiptarë i konsiderojnë femrat më shumë si pronë dhe gjësende të dobishme se sa si njerëz.
Qvick-u me një sens të jashtëzakonshëm trajton edhe mitet, legjendat, gojëdhënat, sikundër dhe thesarin e këngëve popullore, duke nisur nga këngët kreshnike, historike dhe ato të nizamëve, të cilat edhe nga ai vlerësohen si motive që ndihmojnë për shpjegimin më të mirë të fatit dhe historisë së shqiptarëve.

Galeria e personaliteteve me ndikim të madh në historinë dhe kulturën e shqiptarëve tek libri i Qvick-ut bëjnë një kapitull të veçantë. Ai flet për Isa Boletinin, për Mit’hat Frashërin, për Nolin, për Konicë, për Nesime Kokollarin, për Kristë Malokun, për Kristo Frashërin etj. Autori nëpërmjet referencave që sjell, edhe ndërton bindjet dhe qëndrimet e tij për shumë procese politike dhe shoqërore ndër shqiptarët. Personazhet e Qvick-ut në këtë libër janë përfaqësues të ideve dhe fenomeneve shoqërore, pra jo thjesht personale, apo aso të folklorizuar siç i njohim ne nga historianët tanë shepsh edhe nëpërmjet retushimeve.

Gazeta "Zëri", 8 gusht 2016