Samstag, 19. März 2016

Kadri Mehmeti - Cikël poetik

Kadri Mehmeti ka lindur në fshatin Mikushnicë të Skenderajt, më 14.07.1994.
Ka mbaruar shkollën fillore dhe te mesmen. Studimet i ka filluar me 2012 ne Prishtinë, fakulteti Filologjisë, Dega Letërsi Shqipe, ku aktualisht është në vitin e fundit të studimeve. Po ashtu është student në degën e Psikologjisë, Fakulteti Filozofik. Ka filluar të shkruajë në moshën 13 vjeçare. Librin e parë me pozi e botoi në vitin 2016, pas fitimit të konkursit letrar "Jeronim De Rada" në Ferizaj, i cili titullohet "Pritje".



Poezi nga autori Kadri Mehmeti



Shoku

Do ditë të bardha i kam n'mendje,
tue e ndjekë fillin e ditëve të kërkueme,
e dikur mbasi kaloi vjeshta
kam shtegtue e nëpër lisa
kam za shok ,
e me vete tu thanë
nder bjeshkë të randa
kam qindrue .
E gjithmonë jam takue me nji lis, i kam thane,
shok i dashtun me prit .


Peri

Ne zallishten e prroit të vjetër kundruall te djeshmës se hareshme,
një përcjellëse zakonesh të vjetra,
me tuniken e ngjitur sipër reje
tund sirenat nga  radiostacioni,
krokatet profani i plagjiosur
hedh perden e vobektesisë
mbi zhguna,
një qilim dredhur në enë druri
levaret në vijat e përdredhura të një furke,
poshtë,atje,me larg sikur leviz pakohësia
e nëpër këtë gjë që s'është as fluturonjëse ,mikluese
pikluese terratiset e guximshme ne shpejtesinë e dy vijave harbonjëse,
nën fuqinë e dy gomave fshirëse,
në syzet e xhamosura nga asfalti kalon përmes zmaltit pabesia ,
si diçka që përbihet pa u verejtur
nxehur në vlugun e felterës
e mbushur në një qese plastike një raft i tërë në kutia
livoriset ,në helamtisjen e një letre prej celule,
rrafshohet i tëri në majet e thengjillta,
një përshendetje e ngrohtë nga gjithësia
që ngrohet ecur me sytë lodronjëse
nje grua me parukë që shpesh ndërrohet në fytyra,
timonet e bartur me duart nëpër sfera
disa fëmijë poshtë rrugës ngrehin lemshin
që edhe e kanë nënë  edhe grua të tyre .


Heqama

Ndonjëherë ndjenjat shtrydhen,
pjeshkët çelin trëndafile,
jeshilja e kafenjtë e hajthme përtypet,
dëborërat veshin xhinse të shkurtra,
kurora e maleve shpotitëse  pluhrohet,
nektar i thekshëm rozë në një
film të metrazhit të shkurtër
pranverëzat pudrosen,
bletëza zë krahë pyjet e mështeknës,
në një Meridiano shtrigat plotësohen kukulla,
dhe unë mbes duke kafshuar gjëra të ftofta,
heqamë e avullt e gojëzave të njelmeta,
e proshkët gjeturia,erëra e qepeve fanitet nga liturgjia
dhëmbëzohet,eglendiset e pafajshme nëpër trotuar verbëria
një tuhaf si unë kafshon lodra ,
ndjenja ,kofshë të forta tendosen ,gjindosen,
mavijosen ,ambalazh nëpër shporta ,
të mblidhen ngadalë pemët e lira
kallajisura në të florinjta
pikasen,hakërrohen gozhdohen në arkivole
zberthyeshëm arnohet fije e fildishtë bastardohet
molepset e zgjebosur angështia
kungohet gjithë padituria
që s'fundi gjithçka është e neveritshme .


Unë jam ënderrimtar

Nuk me duheshin fjalët,
nuk me duheshin letrat për t'me ndëgjuar të tjerët 
ritualin e përmortëshem të spektatorëve të vdekur .
S'më duhej njeri t'me thotë se ç'po thoja,
në psheretitje,pëshpëritje të nuhas shijen e fjalimeve oratorike në skena .
Kështu s'me duhet t'me duan ,edhe pas një marrëveshjeje mirëkuptimi ,
edhe ashtu askush s'është i përshtatshem për përjetësime,
secili do gjejë një çast 'të do përgjithmonë dhe humb përgjithmonë'
për të mos e harruar mendjen ënderrimtarit ,
atij qe jeton blerimeve të pakrehura në oborre të kuqerremta  ,kur Dielli bie
kah tendat e begatshme ,udhëtimeve në karvane me qiell  tregtie,
pyllëzon  rëra t'mëdha shkretetire ,
renditë kilometra ,analizon harta që s'gjenden në globe ,
për  ti mos i zënë besë atij që do plotninë e kuptimit të rinjohjes
që kur të tjerët s'e dashurojnë i dashuron
e kur ia kthejnë i dashuron por s'ua kthen
sepse përseri do i dashuron do ngris tempuj kushtrimi
dhe se dijnë dhe s'marrin vesh kur harrojnë
për ti mos i harruar mendjen atij që përgjon 
që vnon në skenë gjithçka që si pershtatet rregullit
që mbrehë  shtiza brenda një akti solemn
per ta katandisur neverinë në kuptim për nderrimin,
pamundesinë e mundesive
kujisjen e qenit endacak
Ketrit te palodhur në gështenja,shkarravitës pëlhure,
raftesh me libra mbushur plot
maces që përgjon fshehurazi
një varrmihës që gropon një gjë që u dashurua kohë me parë
në metim për habi nga kundrimi i veshtrimit të dallimit 
nga ënderrimi që s'është shikimi 
por verimi i syve me mpikset gjakut se gjuetia me ngec mbrapa 
nga ajo që shkruaj ende ska vlerë për tu thënë .


Droja

Ka buze te medha,kosherë e brishte bletesh
miza mbushese çorapesh
shishe vaj ulliri ,lekure e rrezatuar
theposen pergjate nga bliri
shkallezohet biberoni ne piper i mbushur
llastiket regjen me shufer
nen hijen prehet kau
gjindoset briri prej fyelli
raft i zbrazet librash ne syte e mavijosur
ne dhembë te shkumbezuar
nje sofer plot kripe buke
molleza te daluna ,menge te shpervjeluna
rrotullon grepat levizes
me guret perndjelles
hobe hobetare
ne ankthe qe kujisin
fluska qe ngacmohen
gojeza te shpushpurisura
ne kembeza thatanike
Altoparlantet s'ndalen
ne derëzat e Gramafoneve
nje polen i fabrikuar
i gajaset dhomezez se mjegullt
ne gjirin e porteve shorti i agsholit shkermoqet
'Prika'festival i zakonshem nusesh
me gulçon valsin e ures .


Harku

Aroma jote po me sjellë shumë dhimbje,
lekurë e rreshkur e kapur per një fije,
pejsazh i ngrysur ,gjarper me
zile
druvar kasollje ,ti,marangoz pishe
kopshtar i fismë ,harketar rrufeje
flokegjatë ,kreshperimesh gjer në ije
nga gjunjet e poshtë se mas dot veten
ju puthi buzët ,asgjë s'del  nyje
shigetat drejtuese nga unë s'terhiqen ,
flasin një kumt të dale feje
mengji e hershme e një fisi
në perin e një rruze harrimi
krahrorit tim po i vije fundi
një fletë e nxirë ,mendje thengjilli
 thelloj karremin , nxjerri gjuhën
e vë si purtekë atje diku larg fushës
dhe mblidhen nën freskinë e lisit gjithë të vdekurit
ma mekojnë syrin me
gji zane
protesojnë ,e rrejshme ,demokracia
ma hijeshojnë emrin dhe unë përpij peshtymen o
ua vë flakën dhe s'ndjen në to pulitjen
e tjerrë në  furkë krizantemin
që si përket askujt pos buzeve tmia.


Anatema

Gjithëherë due të shkruej nji varg të hedhun ,në nji bark
të plasun ,
për nji humnerë të rrjedhun
si një barkë e rrasun ,
që është e pavjelun.



Labirinthi

Me kurthuan !Dhe kurthen per kurthen time ,
me gjahun qe ndjek gjahun per gjahun tim ,
me copëtuan per te copëtuar eshtrat e copëtuar ,
hijet e ndjekura per te ndjekur ,
ato ne vrapim me ndjekin mue
tue i ndjek shtigjet ,e shtigjet tu e ndjek gjahun
gjahun e lodhur per te copëtuar eshtrat e gjahut
qe ngadale pushon mbi mue e une pushoj mbi shtigjet .
Une i kerkoj ,aty me kerkojne nder shtigje ,
deget e plasura tlisit tim te mire
me ben hije ,e lisi ndjek hije
ndersa une ndjek hijen e lisit ,
per gjahun tim,me gjahun qe ndjek gjahun per gjahun tim
eshtrat e copetuar me copetuan per te copetuar
kurthen time per te kurthuar kurthen time te re
qe me kurthoi kembet dhe fytin tim .


Askush s'ndjen dhimbje

Për pritjen e gjatë ,që lëshoj përdhe ,
tunel i krijuar nga turma !
Gota e mbushur ,dhe muzgu .
E lart ngjitën për kupën që rrëzoj edhe dje .
Bordel i blinduar për hurma .
Xhepi i zbrazur .Nj' ag i ri .
Dikush duhet te dijë se ç'bëri prifti .
Ku marangozi gdhend dru .
Pijaniku koven ,përralla .
Askush s'bluhet, e di  ç'është mishi,
mbi kokën sipër , një hu.
Merre  përpara
këtë gjë.


Pamje

Drita po avitet në fron ,
kur nuk i kemi bërë asgjë ,
thurë lavdin e trimerisë,nder sytë dhe zemrat tona ,
sytë kalimtarë vëzhgojnë njëmijë pamje drite ,
e ërrësojnë dritën e verbër dhe verberinë nder sy ,
si ato bjeshkë që na pëlcasin nga soditja ,
dhe veshtrimi që duartroket
vizëllimen në dejt e mufatun të syve ,
që ngopen vazhdimisht me gogësimen e sofrës se mbushur
në rrjedhen e hinkës
pafuqinë e zemrës për të bërë zhurmë .


Kohë e kurdisur

Tërë ditën pres ta pastroj këmishën ,
dhe tërë ditën pushoj me mendimin se gjithçka ka mbaruar .
Në fund kam mbetur vetëm unë ,
këmisha dhe rrobat e palara,
që me ngulin sytë pa i nda .
Pres rrobat e gruas  së zhveshur ,pret vetë rroba e kurdisur për mua ,
për mua ka qenë e lehtë edhe e kundërta .
Vetëm se diçka e fshehur afër trupit më pret ,
dhe mi ngulë sytë sikur vuan për mua .
Tash,komodina e fshehur ,dhe buza e muzgut ,
shumë  afër ,mbrëmje,mengjes.
Si mund të quhet gjithë kjo ?
Një peshore syri ,zemër e ndarë n'dysh ,
ku në botë ekzistojnë gjëra të kyqura ,
për ti kurdisur në çdo kohë .


Ngjalë deti

N'ërresirë darka me gjak e shtruar ,
që të flet djep i gjumit të ngjyrës së kashtës ,
dhe pritet zjarri me zhurma t'mesditës
vij si kalorës eremit e rënkoj pranë lumit
shtratit që dergjet ti jap frymë .
Po stufë metalike e djegur s'ndizet ,
e shpatet të përziera me stuhi ,
frymen e nxitjes se ndezjen e lumit se gjej ,
e si përbindësh me ajrin shtrihu,
ke parë vello e saj noton përmbi.
Do të thahesh që në shtrat të hudhen,
duart ti zgjidhesh me  valën,
se je pellg lumi.
Asgjë s'do jetë në dritë,
kur vala që të lemon,
ishte ngjalë deti.


Ndijimi

Prapë me tingullin që u shua në mbrëmje ,
u zgjua në mengjes tingulli i erës dhe ndjeu
deri kur fluturojnë dallendyshet me krahë ere ,
humbje e trup i vyshkur që ndjen vetën përseri.
More trupin e vyshkur në njëmijë trupa ,
ktheve përkujtimin e prekjes se indit të ri ,
ndëgjon skenën dhe zhurmën dhe klithmen e brendshme pa faj ,
sa bertet me iluzione se lidh dot gjuhën .
Këmbën e varur në mur dhe dorën poshtë ,
eshtrat e përkulur në pikën e takimit hapjes së plagës ,
në ujëvaren që buron edhe loti i parë edhe shiu rigon ,
aty ku shumë barka erdhën e u zhyten në ty ,
dërrasa në ujëvarë dhe pupla zogjësh ,
të lulet atje një shegë u mboll
dhe një zog jeton në krahët e erës .

Freitag, 18. März 2016

Qazim Muska - Reçension

Për romanin “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” të autores Viktoria Xhako.

Ngjarjet e këtij romani me titullin metaforik, që aludon për diçka të pastër e të shtrenjtë, zhvillohen në Shqipërinë e mesme dhe kryesisht në Durrës, Tiranë dhe Elbasan si dhe përtej kufijve, matanë detit, tek fqinji ynë perëndimor Italia. Boshti i romanit është një vajzë e re, pa shkuar ende në adoleshencë, e mbushur me ëndrra, shpresa, besim dhe dëshira të cilat janë rrjedhojë e moshës dhe temperamentit të saj impulsiv dhe inteligjent. E mbështetur edhe nga familja e saj e varfër, e thjeshtë, por e ndershme, punëtore dhe fisnike në mes anëtarëve të saj dhe me të tjerët, ajo kalon përtej reales, në imagjinatën e saj duke abstraguar të ardhmen plot madhështi dhe sukses. Por jeta i ka përcaktuar të tjera udhë e shtigje, të kundërta ekstremisht nga ato që ajo ka ëndërruar dhe rrjedha e saj do të marrë një drejtim shumë të ashpër për të, shumë të ndërlikuar, me situata dhe ndodhi të dhimbshme dhe rrënuese, jo vetëm për ëndrrat e djegura tashmë, por deri sa të vihet në mëdyshje edhe personaliteti njerëzor dhe ekzistenca fizike. Konflikti nis papritur kur Gita, vajza personazh në roman, bie në kurthin e Avdullait, mësuesit të saj, i cili e detyron të martohet kur ajo ende nuk ishte 15 vjeç. Pre e këtij njeriu pervers me moshën sa dyfishi i saj, Gita s’do të mundë të bëjë realitet asgjë nga ëndrrat e veta si p.sh. pasioni për poezinë apo dhe pikturën e të tjera. Gjithçka do të shkojë pakuptuar në kundërshtim me qëllimet e saj në jetë, falë nënshtrimit ndaj fatit për arsye mentaliteti, por edhe kërcënimeve të të shoqit fanatik, zemërngushtë e të ashpër jo vetëm ndaj Gitës, por edhe ndaj familjes e fëmijëve më pas. E vetmja mbështetje mbeten të afërmit e sidomos babai, por të pafuqishëm për të bërë diçka që ajo të zgjidhte kontradiktat e saj me këtë martesë alogjike, jo vetëm nga formaliteti, por edhe nga moraliteti dhe nga mungesa e respektit të ndërsjellë, e ç’është më kryesorja, nga mungesa e dashurisë, kushti themelor për të funksionuar një marrëdhënie. Mundimet, zhgënjimet, plagosjet shpirtërore, mospërfillja dhe përçmimi do ta ndjekin në çdo hap të jetës duke e bërë të ndihet e pavlerë dhe e pafuqishme për të përballuar jetën, aq sa disa herë tenton vetëvrasjen e disa herë të tjera ekzistenca fizike e saj vihet në pikëpyetje si rezultat i goditjeve të mëdha psikologjike dhe vështirësive  jetësore konkrete si ushqimi dhe veshmbathja. Dhe e gjitha kjo, rrjedhojë e shpirtligësisë e kopracisë, cinizmit dhe moskujdesit të qëllimshëm të burrit të saj që vjen dhe bëhet gjithnjë dhe më i padëshirueshëm për të. Si pasojë, kjo do të bënte të zgjohej në shpirtin e zbrazët prej dashurisë dhe kujdesit më të thjeshtë njerëzor, po edhe më të zbrazët prej dashurisë bashkëshortore të injektuar me përçmim ekstrem deri në monstruizëm, një idil i vjetër dashurie, që kishte ndenjur i strukur në ëndërrimet e saj vajzërore. E gjithë kjo klimë e ky mjedis mbytës e shterues për nga humanizmi dhe jo vetëm, patjetër që do të sillte një ditë buisjen e shpirtit të ndrydhur për të gjetur hapësirat e veta për jetën, për dashurinë dhe për të ardhmen. Pas ndarjes me të shoqin ajo lidhet me piktorin D. me të cilin ruante prej vajzërisë së hershme disa kujtime si copëza drite të mbyllura në kuti hermetike, por që herë pas here, kur shpirti i saj binte në boshllëk, edhe prej atje së brendshmi ato e trazonin me dritën e tyre që ende regëtinte. Kjo dritë e idilit të hershëm kish mbetur pa u shuar edhe në kujtimet e D. Pas një aksidenti tragjik ai humb gruan e tij që e donte shumë dhe bie në pesimizëm. Por ky çast fatkeq për të dy platonikët e dikurshëm, pas disa peripecish, do të kthehej si me një shkop magjik në lumturinë e rigjetjes së njëri-tjetrit, paçka se tani në moshë të shtyrë dhe prindër me fëmijë madhorë. Ata mundën më së fundi të përjetonin lumturinë e të qenit bashkë, e cila shumëfishohej nga ngarkesa e madhe e dëshpërimit që koha kishte hedhur mbi ta. Por edhe kjo lumturi nuk zgjati më shumë se një skenë filmi. Arinjtë e bardhë të premtuar të dashurisë së tyre filluan të vriten një pas një duke i rikthyer sërish në akullsinë e vetmisë polare. Mes arsyesh apo mosarsyesh, mes dyshimesh dhe besimesh, mes vrarjesh ndërgjegjeje apo pendimesh, mes moskuptimesh a keqkuptimesh pak rëndësi ka të shpjegohen të gjitha këto, kur fati sërish të sjell në udhën ku u nise. Veçse asgjë nuk shkon të humbasë në asgjë. Mes ekzistencializmit si përvojë jetike dhe fatalizmit si praktikë zgjedhjeje mbeten gjithmonë zgjidhje, që ndonëse ekstremisht të vështira, të japin në dorë si eksperiencë të çmuar atë që të mban gjallë: humanizmin dhe dashurinë për jetën.
Diçka për romanin si qenie letrare.
“Mos m’i vrit arinjtë e bardhë” është një roman ku ndërthuren mes tyre disa lloje të zhanrit, si realizmi, sentimentalizmi dhe elementë modernë, ku dominanca është e vështirë të përcaktohet pasi raportet janë pothuajse të barabarta mes elementëve zhanrorë. Romani ka një strukturë të vetme rrëfimi derisa degëzohet në mënyrë paralele me rrëfimet e piktorit D. duke formuar një strukturë binare rrëfimi, të ndryshme nga njëra-tjetra: i pari në vetën e tretë ku rrëfimtar është i gjithëdijshmi që tregon ngjarjen dhe në të dytën kemi një autorrëfim të piktorit D. në vetën e parë dhe për veten. Romani hapet me një paratekst të shkruar nga autorja që në mënyrë profetike dhe metafizike përmbledh atë çka do të jetë më pas teksti i rrëfimit. Pastaj vijnë disa fjali eliptike të përzgjedhura nga teksti që paraqesin në mënyrën më sintetike fillimin dhe fundin e ngjarjes, që sigurisht, të vendosura në fillim të shtjellimit të rrëfimeve të japin kalimthi ndjesitë e asaj që do të mësohet. E përsëri kemi një lloj teksti të papërcaktuar të quajtur Fantazmat, në të cilin është dhënë kulmi i konfliktit të të gjithë historisë së rrëfyer: ndarja me Avdullain dhe fillimi i një kohe tjetër që ka emrin e D, e paralajmëruar nga një fantazmagori plot dritë, ngjyra dhe simbole fatsjellëse... Romani ka 10 kapituj dhe mbaron me epilog. Veç tyre, pas kapitullit të tretë, funksionalizohet linja paralele e rrëfimit të piktorit D. Në tre kapitujt e parë rrëfimi është, si e thamë edhe më lart, në vetën e tretë, e në vazhdim ndërthuret me rrëfimet e D. Kjo lloj ndërthurjeje të të dy llojeve të rrëfimeve e bën narracionin më të zhdërvjellët, më interesant e më tërheqës si rrjedhojë. Rrëfimet e D, të cilat në dukje të parë janë si një linjë e veçuar nga rrëfimet e narratorit të gjithëdijshëm, kanë një lidhje logjike dhe organike me linjën tjetër të rrëfimit. Koha rrjedh paralelisht po në hapësira të ndryshme deri në pikëtakimin e tyre. Të dy programet narrative janë të thurura në një marrëdhënie të tillë, mes një dashurie platonike, por me tërheqje magnetike si qendër graviteti mes tyre. Kjo mendoj se i bën subjektet në aksion të jenë sa të veçantë aq edhe konkretë. Kontradiktat e njëpasnjëshme të personazheve, të papriturat dhe kthesat e rrjedhave të ngjarjeve narrative i japin befasinë dhe intrigën romanit. Veç këtyre kemi në roman edhe rrëfime brenda rrëfimit në formë shkallareje ku më i realizuari është ai i Tatianës nga Korça, shoqe e Gitës, në studion e piktorit D, e ndërfutur në rrëfimet e tij. Retrospeksionet bëjnë kapërcime në kohë duke krijuar larmi në rrëfim dhe vijimësi kuptimësie të ngjarjeve dhe rrethanave. Elipsat në mes të rrëfimit shërbejnë për të evituar kohën jo efiçente brenda narracionit ndaj janë shumë të rëndësishme si nga ana teknike ashtu edhe nga ana e performancës artistike. Të tillë mund të përmendim atë të kapitullit pa numër në faqen 264 dhe i përcaktuar me titull “Kaluan dy vjet”, por edhe elipsa me kohë më të shkurtra në mes të tekstit. Në roman kemi edhe përjetime metafizike në formën e digresionit si fanepsje, ëndrra, përfytyrime etj, të cilat shpesh janë të ndërfutura si intertekste dhe japin kumte gati profetike. Po ashtu kemi edhe shenja parathënëse si varësja e floririt, stilografi “Parker” etj, të cilat së bashku me ndërthurjen e rrëfimeve, alternimin e llojit të strukturës së rrëfimeve, metafizikën në rrëfim, mënyrën e përjetimeve psikologjike, vetë titullin metaforik të romanit dhe të kapitujve të tij e ndonjë tjetër, përbëjnë elementë modernistë që janë strukturuar në vepër në mënyrë të natyrshme. Poetika e përdorur, sidomos pas kapitullit të tretë, vjen e rritet duke shtuar akoma më shumë estetikën letrare. Veprimet në roman janë të motivuara nga drejtimi shkak-pasojë me tendencën realiste të zhvillimeve të ngjarjeve. Personazhet janë ndërtuar në bazë të përshkrimeve të jashtme, veprimeve dhe mendimeve të tyre, por edhe në bazë zbërthimesh përmes dialogëve dhe zhbirimesh meditative e gjithashtu nëpërmjet monologëve që vihen re shumë shpesh këtu. Sentimentalizmi i përshkon më së shumti qeniet e tyre, sidomos Gitën, përgjithësisht dhe D. Në raport me këta të dy kjo frymë është dominuese me nota dëshpërimi, vajtimi dhe herë-herë fataliteti deri në mendimin për vetëvrasje. Kjo padyshim të sjell ndërmend personazhe të tilla si “Bardha e Temalit”, Dija te “Sikur të isha djalë” e Haki Stërmillit, apo edhe deri te Ana Karenina e Tolstoit, me të cilën ka dëshitë të identifikohet edhe vetë personazhi gjatë rrëfimeve në roman. Por te personazhi i Gitës kemi një sentimentalizëm të dyfishtë: atë në raport me të shoqin, Avdullain, që i shkakton vuajtje, poshtërim dhe neveri dhe atë në raport me piktorin D, raport i cili i mban gjallë shpresën e dashurisë së vërtetë dhe që i kujton se jeta mund të ketë edhe gëzime dhe lumturi. Me notat më të errëta është ndërtuar Avdullai, bashkëshorti pervers i Gitës: i vrazhdë, i shëmtuar, shpirtlig, zemërngushtë, i pamoralshëm dhe i paskrupull: tip i personazhit negativ në kuptimin e një përcaktimi bardhezi. Nuk mund të gjendet asnjë ngjyrim tjetër tek figura e tij artistike. Antipod i tij janë njerëzit e dashur të familjes së Gitës: nëna, babai, gjyshebabai dhe gjyshemamaja si dhe gjithë të afërmit e tjerë, bashkë me shoqet e saj të fëmijërisë dhe të rinisë, dhe padyshim fëmijët, që i mbështjell me aureolën më njerëzore që vetëm një nënë e vuajtur mund ta japë. Përshkrimet në roman janë të shumta si për njerëzit, mjediset ngjarjet apo peisazhet duke kaluar ndonjëherë edhe në një lloj realizmi mimetik e deri në natyralizëm. Ndoshta një thukëti e tyre do të ishte e nevojshme për të evituar pasazhe që nuk funksionalizohen sa duhet. Gjuha e përdorur, e cila është pjesë e rëndësishme e stilistikës, është një gjuhë e pastër në vetvete nga ana e sintaksës dhe e gramatikës dhe ka një pasuri leksikore me fjalë të trevës ku autorja është rritur e ndoshta edhe të vetë familjes të tilla si: nënkua, gjyshebabai, gjyshemamaja, qepshe, dritë konizme, mesnik, bokshe, baboja, paramanë, garroç etj. Përtej fundit të romanit ku nëpërmjet rreshtave poetikë të epilogut përcillet semantika e ndarjes dhe e harrimit, gjithkush që e mbaron së lexuari, mund të mbyllë kapakët e librit dhe të meditojë pasi përtej asaj që mund të na ketë ofruar jeta, ajo gjithmonë ia vlen të jetohet dhe se sakrificat për të, sado sublime të jenë, asnjëherë nuk janë të kota.

Maj 2015

Freitag, 4. März 2016

Kujtim Stojku - Ajo


Tregim

Ajo kur u kthye nga jashtë shtetit ku kishte jetuar përreth  tre katër vjet, kishte ndryshuar e tëra. Filloi që të jetonte në qytetin ku kishte lindur dhe ishte rritur. Nuk e kishte më atë ndrojtjen e mëparshme kur ishte këtu,por tani ishte më e qeshur,më e hapur në biseda, atë ndruajtjen tradicionale femrore të edukimit zakonor patriarkal e kishte flakur tej. Tashmë ajo kishte blerë një aparament të ri të ndërtuar në një nga lagjet e qytetit, ku me fqinjët e rinj u miqësua menjëherë. Nga shokët e fëminisë të mëhallës së vjetër akoma nuk kishte takuar asnjë. Nuk e dinte se ku mund të ishin shpërndarë nëpër botë, apo ndonjëri edhe mund të kishte mbetur këtu. Ajo nuk kishte asnjë lidhje me ta. Edhe kur dilte për të bërë ndonjë shëtitje të vogël, apo kur shkonte në supermarket për të blerë diçka, ajo shkonte me ndonjë shoqe të re ose fqinjë me të cilat kalonte aq mirë sa nuk kishe se çfarë të thoshte. Apartamentin që kishte blerë ishte i ndërtuar sipas projekteve të reja, me ashensor dhe me shkallë të mermerta.Ishte instaluar kaldaja për ngrohje me gaz gjë që ishte e re, deri tani këto paisje nuk i kishin apartamentet e tjera. Apartamenti i saj kishte dy ballkone dhe kishte njëkohësisht  një hapsirë të bollshme si kubaturë banimi. Nga ballkoni shikonte parkun e qytetit të zbukuruar me palma dhe pemë të tjera dekorative, stola të lyera me bojë të gjelbërt,dhe në mes të parkut një shatërëvan. Ajo ishte veshur në një mënyrë të dallueshme,disi me një stil artistik lidhej me fustanin e saj të modës “cavalo”  që vinte i puthitur pas trupit dhe afërsisht rreth njëzet cm mbi gju. Ky petk me një prerje të mrekullueshme ku rrobaqepësi kishte shkrirë tërë talentin e tij nxirrte në pah këmbët e saj të kolme, kokën e bukur e vendosur mbi një qafë të drejtë,pastaj vinte gjoksi që të binte menjëherë ny sy me rrumbullakësinë e tij dhe, kur ajo ecte me ato këpucët me taka duke kërcitur nëpër pllakat e trotuarit, herë pas here shfaqeshin  linjat,që vinin e shpërndaheshin në idealen e tyre e shtjelleshin duke na paraqitur kështu një profil model që nuk mund të ishte më shumë se njëzet – njëzet e dy vjeçare.Kishte një të ecur të përsosur dhe një hap të vogël delikat,djemtë qerratenj  nuk mungonin që ta ngacmonin duke e thumbuar tek ajo kur kalonte si në një paradë mode dhe, këtyre romuzeve ajo ose bënte sikur nuk i dëgjonte ose ua kthente me një buzqeshje të ëmbël sa edhe atë më të pacipin e shpartallonte. Nuk e di sepse kur e shihja atë më kujtoheshin personazhet e Shekspirit. Ajo e mbante hirshmërinë e saj sepse ecte me ëmbëlsi duke tundur duart e vogla ku dukeshin si shumë duar,vështrimi epshndjellës maskil mundohej që të mos i shpëtonte syrit të tij por, si mund të kapet një rreze drite e lindur brenda një sekonde në dritën e diellit që reflekton në bardhësinë dëborës dhe bie në xhamin e dritares,lejon atë dhe ne që të rrëshqasim dhe të kapemi në shpirtrat tanë aq lehtë në këtë peizazh mahnitës që të rrëmben me bukuritë e magjishme të tij. Kjo dukej pikërisht si një film që shfaqej dhe  aktorët vraponin duke nxituar mbi shkallë që nuk mbaronin kurrë dhe më pas për çudi vinin e coptoheshin në mijëra copra të panumërta vezulluese,ku më pas transformoheshin që të gjithë  në një buzqeshje. Dhe kjo buzëqeshje më dukej se ishte shumë mbresëlënse dhe depërtonte brenda teje me disa konture të holla të padukshme duke lënë gjurmë.Kështu shpirtrat tanë mbushen me misionin e tyre fisnik për t’u pastruar nga mëkatimi.Pikërisht kjo më dukej se ishte skena e saj ku ajo ishte duke shfaqur një pjesë të dramës të luajtur nga ajo dhe, ne,spektatorët e shikojmë ku ajo është duke luajtur rolin e saj në këtë skenë. Ngacmimet ndaj saj hidhen nga figurantë të rrugës ku disa tymosnin hashash,ca të tjerë kanë kthyer nga një gotë dhe u është zgjidhur gjuha duke u bërë më të guximshëm dhe më të paturpëshëm me gjuhën e tyre që i drejtoheshin asaj me fjalën “hë zogu as po vjen këtej nga ne”.Ajo duke luajtur në këtë skenë  nuk e kupton se është kapur në kurthet e saj. Në  rolin e saj ajo kalon përmes tërë gjërsisë së skenës ku me  mijëra kapriço në të cilat ajo është përfshirë si të gjithë  në kulmin e  evolucionit.Pak më tutje kaloi një vajzë tjetër që tërhoqi mbi vete vështrimet e spektatorëve të rrugës dhe, të atyre që ishin ulur  duke pirë kafe apo çaj në karriget e vendosura jashtë në trotuare.Ajo ishte e mbuluar krejt me një vello të zezë dhe nuk shihje asgjë tek ajo.Bile  edhe sytë i kishte të mbuluar,ishte shumë e vështirë të përcaktoje moshën e saj.Por edhe kjo megjithëse e mbuluar  nuk u shpëtoi thumbave të rrugës.Ajo kaloi para syve të tyre duke u larguar ngadalë si një hije e zezë.Nëpër vështrimin e syve të spektatorëve të rrugës dhe të kafeneve nuk e di se diçka ngriu dhe erdh u bë si qelq.Në këto qelqe vështrimesh pasqyroheshin hije që vraponin njëra pas tjetrës sikur i trembeshin vetes së tyre,dikujt iu duk sikur kjo hije i nxorri gjuhën por pastaj me shpejtësi e fshehu përsëri nga shpella e gojës nga ku kishte dalë.Pas pak këto vështrime të ngrira erdhën dhe u shkrinë nën temperaturën e nxehtë të diellit të kryeqytetit ku bashkë me ta nuk deshte të ia dinte por vazhdonte të lëshonte rrezet e tij të nxehta dhe spekatatorët e ulur nëpër karriget e vendosur nëpër trotuare këtë nxehtësi mundoheshin ta thyenin duke kthyer krikëllat me birrë të ftohtë dhe të freskët.Ndërsa kalimtarët e tjerë mbanin në dorë nga një shishe uji mineral edhe këto për të sfiduar nxehtësinë e vapës së korrikut që sa vinte bëhej edhe më e padurueshme.Por personazhi ynë që zgjodhëm është krejt ndryshe.Ky personazh as që don të ia dijë se ç’flitet për të dhe të tjerët.Ky vazhdon t’i sfidojë me elegancën dhe kulturën që ka ata që e thumbojnë me fjalët e tyre sëbashku me rrezet e nxehta të diellit.Gjithsekush mund të mendojë si të dojë,qysh nga syri i një vagabondi,i një intelektuali apo një filozofi.Ne kemi bërë përzgjedhjen me vështrimin tonë duke skalitur në mes të shumtëve figurën e saj.Një figurë perëndeshë që ka zbritur prej qiellit në tokë dhe ecën në mes të njerëzve.Me lëkurën e bardhë si qumshti i porsa mjelë,vetullat e holla në formë harku me ngjyrë të zezë dhe veçanërisht ato sytë me ngjyrë të kaltër që kur të vështronin dukeshin sikur të tejshponin tejpërtej.Pikërisht si në sklupturat e mermerta klasike që transmetonin ndijesitë më të holla të skluptorit duke gdhendur me daltë trupin e ngurtë duke i dhënë formën njerzore me imagjinatën dhe artin e tij.Prandaj ai ishte një artist...


          Duke e veçuar këtë personazh nga shumë personazhe të tjerë, ne, e veçojmë atë nga shumë të tjerë duke i mësuar edhe emrin.Ajo ka një emër të thjeshtë dhe mbahet mend përnjëherë. Atë e quanin Entela.Atëherë ne  thjeshtë mund të shtrojmë një pyetje se a mund të jetë Entela një qenie humane?Kështu e quanin vajzën që kishte ardhur nga jashtë për të banuar në qytetin e saj të lindjes. Çfarë do të thotë kjo një qenie humane? Qenie humane do të thotë  që të përceptohet në forma të pafundme në të cilat mund të jenë vendosur të gjitha gjërat.Mirëpo kush mund të bindet për këtë që sapo shprehëm, sipas një arsyetimi racional filozofik? Kjo do të thotë se nganjëherë gjenden mundësi që janë të realizueshme dhe kanë  një kufi momentalisht të pranueshëm që  hyn në një marrëveshje,por brenda këtyre kufijve ka një dhomë për të gjithë qiejt dhe ferrin.Mirëpo ne tashmë e dimë se  ishin dijetarët e vjetër  ata që nuk theksonin formën,por përmbajtjen. Dhe ishte ky konceptim i përmbajtjes që e prishte qenien humane, e thërmon atë ku e tëra vrapon drejt spektrit mitologjik.Të lashtët  e shihnin lindjen e zotave kudo. E shihnin kudo sepse e tillë knceptohej bota në vështrimin e tyre tyre prej paganësh e cila njëkohësisht përcakton edhe zhvillimin e tyre. Dhe ky zhvillim i ulët në formën e kopesë nuk kishte se si të koncepohet ndryshe, sepse ishin panteistë dhe zotat ishin në mes tyre.Ata jetonin bashkë me to duke pasur një shpirt dhe një shëmbëllim. Dhe kështu një pyetje rrjedh vetvetiu se kush jeni ju Entela? Ju kujtohet? Ti je një  perëndeshë që i shëmbëllen Afërditës.Ajo tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, pikërisht si ajo shkuma e bardhë në detin e qetë. Ajo çuditërisht kishte edhe një farë pushteti mbi ata vështrime që hidheshin mbi të por,ata nuk e kuptonin.Edhe sot Afërditën rrallë e kuptojnë dhe kujtohen për të.Ajo banon në pafundësinë qiellore,le gjurmë mbi tokë dhe struket  e heshtur në kujtesën tonë…

          Ajo thjeshtë ngriti sytë e kaltër, kishte atë pamjen e saj elegante,tërheqëse me atë shpirtin e saj  të dlirë dhe, sytë e saj xixëlluan dhe u bënë të mjegullt dhe më  ëndërrues.A mund të zbulohet ndonjë gjë e dallueshme se kush është ajo dhe nga çfarë bote ajo vjen se sa kjo buzëqeshje magjepëse, e pashpirt si një gur në shkatërrimin e lumturisë së saj? Me një buzqeshje të tillë u përgjigjet inkuizitorëve heretikë,me një buzqeshje të tillë duron agonitë e tyre.Entela nuk është e mbyllur në format e qytetit të saj,kështu që ajo mund të rrijë pezull në shenjtëri dhe, të kthehet në forcën e saj të natyrës.Kështu a di Entela më shumë se ka mësuar? Ajo është pjesëmarrëse para fillimit.Gjërat zbulojnë vetveten përmes saj.Pas shumë viteve heshtje një gardrobë fillon të trokasë,një tryezë fillon të lëshojë britmë me fjalë të gjymtuara.Pse ju duhet të jeni e rrethuar Entela nga këto vështrime dhe pëshpëritje nën zë? Përse ju tërhiqeni në çeshtjet e komplikuara njerzore, rrethanat sociale dhe ngjarjet? Ju nuk mund të shikoni marrveshje të tilla të ngushta të sajat. Kur ajo është vetëm, gjaku i saj lëviz,dhe brenda saj lëviz një fantazmë e madhe e butë dhe del jashtë duke u degëzuar,duke u përvijuar në mënyrë fantastike dhe të turbëllt,moria e gjymtyrëve të saj fërgëllojnë,mezi dallohen nga trupi i saj. Ajo përshkruan një rreth.Këtu ajo është djegur,ka filluar të shkërrmoqet si një mbeturinë letre e oksiduar,bëhet e pandjeshme në vija të zeza që rrjedhin lirshëm.Duken flakë të verdha që na përqeshin me atë gjuhen  e tyre të zjarrtë.Mirëpo kush mund ta kuptojë  gjuhën e flakës? Sepse ajo është  e etur, zhbiruese dhe plotësisht e bindur në atë çfarë ajo thotë dhe bën. Ajo flet me tërë qenien e saj,ajo i jep formë vetes me tërë trupin e saj në çfardo që ajo është dhe mund të thotë në etjen e saj ku  buron një lumë fjalësh,konturim pas konturimi në mijëra fjalë që i lexohen në sytë e saj.Ndoshta Entela është salamandër. Kokën e ka prej alabastri dhe prej kokës saj digjet një flakë e bardhë dhe, nderkaq ajo mbështet kryet e saj me sy të mbyllura.Kjo është e gjitha sepse arti i Entelës është si hënëza,si gjaku që kalon nëpër vena.Ajo ekranin e saj nuk e kontrollon përmes vizionit,por përmes një aftësie të një dore mbinatyrore,një organ i përjetësuar,një sy i verbër burri.Kushdo që ka parë duart e Entelës kupton se sytë e saj janë të panevojshëm,shumëfishohen degët e venave të saj dhe mbushin qenien si pemë e jetës,krijesat ecin në to.Entela mban nuancat e të gjithë krijimit,të gjitha ndryshimet e ritmit,në tropizmin e gjakut të saj,kafshët ecin në çift nga ajo sikur nga barka e Noes,por ajo artikulon nga thellësitë e gjoksit të saj tërë regjistrimin e Parajsës së Zotit.Ajo ushqehet me pangjyrësinë,çeshtja e zezë,lotët e së cilës avullojnë më shumë në dritë dhe hije,tensionohet në kufirin e errësirës,këto fragmente rrezëllyese të errësirës shqyhen tutje larg,përthithur nga shkëlqimi.Më në fund konkluzioni i saj ishte i thjeshtë,parajasa nuk është për qenien e vdekshme.Ajo u takon vetëm të pavdekshmëve,ëngjëjve dhe hyjnorit.

          A jeni e shqetësuar Entela, e fyer se ata kanë dështuar që të kuptojnë,se ata nuk kuptojnë mrekullinë, se ata nuk kuptojnë lidhjen midis të zezës dhe të bardhës,këto konture që rrjedhin lirshëm dhe ornamented tuaja të cilat kurrë nuk kanë qenë ndeshur më parë,ku nuk ka art përpara çdo produkti, dhe në të cilën ju e fshihni, e mjegulluat me një lloj turpi, ose maskë mbrojtëse,tragjikja juaj,krijimet sintetike,zhveshja nga të gjitha iluzionet, nga detajet e mendjeve të panevojshme.Ju i bëni shpirtrat e zinj të varur në çengela të ulërijnë mbi hone.Kështuqë sinteza e tyre është vetëm fati,lëvizja e tyre,rëndësia e betejës së tyre të nevojshme, që ju bashkoheni në rrugën tuaj të mrekullueshme në formën më sublime të shprehjes sublime.Manteli i veprave tuaja në të cilat ju jeni tërhequr bujarisht në to,thjeshtë bëhen një ornament,kështu që ata nuk mund të bërtasin me zë të lartë për dhimbjet dhe agoninë e tyre.Arti juaj nuk është gazmor.Ju keni realizuar dëshirën e zjarrtë të Hermesit për të bukurën i cili transformohet në një shqiponjë që ju vjedh sandalen e artë…pastaj rishfaqet përsëri i veshur me sandale prej lëkurësh marine dhe degësh mërsine.Ai në dorë mban “Shkopin e Mërkurit” që shpesh i ngrihet më lart se krahët e tij të vegjël.Mbi kokë mban një kapelë të çuditshme që është mjaft e veçantë dhe të tërheq vëmendjen menjëherë për formën e saj.Ai është krejt lakuriq me përjshtim të sandaleve dhe të kapelës.Ai një ditë rastisi në rrugë në dy gjarpërinj që po grindeshin me njëri tjetrin dhe ndesheshein  në mes tyre duke u përdredhur kularë kularë.Ai me qetësinë e madhe i ndau ato dhe i ruajti të përdredhur në shkopin e tij. Ju jeni e shqetësuar për të kuptuar mossukseset e tyre, që bile disa i perceptojnë si të sëmurë dhe çalltisin që ju të pergaditeni.Por ju nuk e bëni.Disa kohë kjo shpjegoi natyrën tuaj të mençur tek unë si një zëvëndësim për të kuptuar vazhdueshmërinë.Por atëherë këto kush nuk don t’i kuptojë? Kush nuk don të mendojë? Ose për të cilat ata duken të patretshme,largimi juaj i mrekullueshëm,sharmi i buzëqeshjes,largimi i elementëve të pashmangshëm që ngrihen deri në zakon.Koha ikën, ajo do t’iu ndihmojë ju,ajo do t’iu sjellë ju fitoren nëse kjo është çeshtja juaj.Por para se ndonjëri si ju,beson tek zotat,kush e ka gjetur shprehjen e vet në art pa pararendësit e mëparshëm i shtytur nga mendimi,shkurret,rreziqet e traditës, e cila nuk mund të shndrisë në vetë bukurinë e saj,kush do të jetë imituar me lakmi,kjo kështu është thënë,ngacmimi nga një grup parazitësh të cilët duan si të gllabërojnë thërrimet e artit tuaj për ju,unë them fitorja nuk mund të jetë më shumë se e vogël,pra e parëndësishme, por ju tashmë keni fituar ndaj errësisrës dhe hijeve që përthyhen në dritën e zbehtë duke shprehur fjalët që të burojnë nga thellësia e shpirtit:  “unë” jam e pa fëlliqur.

          Dhe nëqoftëse ata nuk pranojnë se ju nuk jeni viktimë e primitivizmit të folkut,ky arti juaj është i dallueshëm jo nga krahina, por nga tiparet universale. Mësuesi i juaj nuk është as natyra dhe as fotografia. Juve iu  pëlqen fotografia dhe, vetë keni pozuar dhe pozoni akoma.Por pasi i vështroni me kujdes e shikoni se nuk iu pëlqejnë më dhe vendosni që të pozoni  përsëri duke zgjedhur vende  dhe peizazhe tërheqëse për syrin tuaj. Më në fund ato harrohen diku në një album fotografish të plohurosur ose në një “file” kompiuteri ku mund të shihen rastësisht ose të kujtoheni për diçka dhe, padashur iu shfaqen parasyve. Ju i shikoni ato me interes duke u munduar që të gjeni  mangësitë. Por për të mësuar nuk keni se çfarë të mësoni nga ato përveçse një kujtimi të një kohe që është fiksuar nga syri i aparatit fotografik. Duke i soditur këto as që të shkon mendja se edhe këto foto të fiksuar në objektivin e aparatit kanë artin e tyre. Edhe ai lisi me atë nyjën e madhe që duke si gungaç, si një plak i kërrusur nga mosha që objektivi e ka kapur aq rastësisht i  ka dhënë këti peizazhi një pamje të mrekullueshme,mahnitëse që të vë në mendime. Në gjithë këtë pamje,ne deduktojmë në lashtësi duke ndjekur fillin e Arianës duke arritur në pikën kulmore të mendimit se duhet të refuzojmë artin e lindjes,të Egjiptit dhe të vendeve arabe, në të cilën ata nuk kanë të bëjnë hiç me ne dhe se edhe  rrënjët nuk i kanë aq të  thella sa nuk mund t’i çrrënosësh dot,por janë rrënjë sipërfaqësore që aty këtu ushqehen nga ndonjë burim që buron nga ndonjë zonë e vdekur dhe ata përpliten për t’u zgjuar. Pikërisht këtë ne duhet ta dallojmë mirë duke mos rënë në prehërin e tyre që mbulohet me mëndafshe përrallore dhe,njëkohësisht për të mos rënë në fund tek ky primitivizëm i njohur i folkut, i cili e tall natyrën. Por ju bën të prisni Entela,koha e ka bërë zakon që ju të plagoseni me pranverën magjike të jetës suaj.

Në këto banesa shumëkatshe të qytetit shtruar me peshën atletike të një lakmie mbytëse, ku çdo hapsirë e lirë është në grahamat e saj të fundit,ku e gjelbëra po shnëdrohet në të zezë, ju jetoni në përputhje me ëndrrat e ethshme të gjakut tuaj.Ju e dini se era i ka vështërsuar rrugët nga ethet.A do të thoni ju diçka Entela,nëse ju do të gjeni në veten tuaj peizazhin tim nën qiellin e pamatë,në leshrat e tufave të qingjave në mes ngjyrave të buta dhe flladit të klimës sonë duke u krehur flokët yjeve të errët.Dielli ndahet trishtueshëm përtej fundit të tij duke mbetur larg.Peizazhit i bien ngjyrat tek ne mbi buzët e horizontit.Ndoshta sytë tuaj mund të hapen nga përvijimi i ritmit kalimtar midis konstelacioneve në qiell.Ndoshta një ditë  mjaft qartë,ngjyrimet nëpër botë do të kalojnë nëpër to, dhe ju do të bindeni të pranoni jetën për pak kohë mbi sipërfaqe duke thithur ngjyrat e qiellit dhe gjaku juaj të rrjedhë nga ngushticat e nëntokës.Atëherë në vështrimin tuaj do t’ju pasqyrohen mitet antike me imazhet e tyre të lashta të calat janë bartur përmes fjalës së shqiptuar nga qielli,përmes transformimit në evolucionin e zhvillimit mendor me ato figura me ngjyra të ndezura dhe të qarta të ngjizjes nga balta.Aty ku lëviz fryma dhe fillon e jep jetën,do të dalloni fronin e artë mbi qiellin e bruzët ku po mundohen ta përmbysin me mitet e shkretëtirave aziatike ku e kanë të pazhvilluar vizionin qiellor me ngjyrën e kaltër që është endur me rrezet e ndritshme të diellit dhe të zëvëndësohet  me erën përvëluese të shkretëtirës në ngjizjen e poligamisë me vizione të çoroditura, ku qiellorja triumfon….e shkrirë në linjat tua që të magjepsin ku ti je një sfidë….me një gërshet të ndërthurur nga rrezet e dritës që tundet mbi shpinë duke lëshuar dritë dhe hijeshuar vendin përreth.Hijet e zeza fillojnë e terratisen nga shkëlqimi i dritës.Ata dangadalë shpërbëhen duke kërkuar strehë në gjirin e errësirës.Pikërisht atje ku kërkojnë azilin ata mbajnë frymën gjallë duke u ushqyer me lëmoshat dhe më pas të fillojnë përsëri udhëtimin e tyre pa gjurmë,pa konstrukt duke vallëzuar nënë rrezatimin e hënës së zbehtë kërkojnë të kalërojnë përmes vegimeve tona me makthin e ëndrrave të frikshme që shpartallohen nga oshëtimat gjëmuese të agimit që na përkëdhel me gishtrinjtë e tij të trëndafilta…

Mittwoch, 2. März 2016

Stephane Mallarme - Llulla



Llulla

Dje gjeta llullën time teksa ëndërroja një mbrëmbje të gjatë pune, pune të mbarë dimërore. Flakur cigaret tok me gjithë ngazëllimet fëmijnore të verës në të shkuarën ku i shkëndrisnin gjethet e kaltëruara nga dielli, byrynxhykët, llullën e vrazhdë e marr porsi një njeri hijerëndë që do të tymoste me orë pa e shqetësuar kush,që të mund të punojë më mirë: por nuk prisja që të më befasonte llulla e harruar kur, me ta thithur, i lashë librat e mëdhenj që kisha për të thurur dhe, gjithë habi dhe mallëngjim,dihata dimrin e vjetshëm tek po kthehej. Nuk e kisha prekur miken time besnike qysh kur isha kthyer në Francë, dhe Londra gjithë,Londra siç e jetova krejt i vetëm,vitin e shkuar, m’u shfaq përpara syve, në fillim mjegullat e dashura që na mbështillnin kryet dhe që kanë, atje, një tjetërlloj kundërmimi, tek hynte që nga baxhat. Duhani kundërmonte dhomë e errët me orendi lëkure mbuluar pluhur qymyri, mbi të cila rrokullisej maçoku i ngartë thatim, zjarret e mëdhenj! Dhe shërbëtorja me llërë të skuqura tek zbrazte qymyrin, dhe zhurma që bënte qymyri duke rënë nga kova prej llamarine herë solemnisht, gjë që më jepte jetë! Pashë prapë nga dritarja ato pemë të sëmura të kopshtit të shkretuar – pashë detin, që aq herë e kisha çarë në dimër duke mërdhirë mbi urën e anijes, nga mjegullat lagur dhe nxirë nga tymi – me të dashurën time endacake, në tesha shtegtarje, një fustan të gjatë nga pluhur’i rrugëve pahitur, një pallto që i ngjitej e njomur pas supeve të ftohtë,një nga ato kapelet prej kashte pa pendë e pa kordele pothuaj,që zonjat e kamura i flakin më të mbërritur,meqë era e detit i shqepi, dhe që dashnoret e varfëra i mbajnë edhe për shumë kohë. Gushën ia mbështillte lahuri i frikshëm që e tundnin kur thonë lamtumirë përgjithmonë.