Freitag, 18. März 2016

Qazim Muska - Reçension

Për romanin “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” të autores Viktoria Xhako.

Ngjarjet e këtij romani me titullin metaforik, që aludon për diçka të pastër e të shtrenjtë, zhvillohen në Shqipërinë e mesme dhe kryesisht në Durrës, Tiranë dhe Elbasan si dhe përtej kufijve, matanë detit, tek fqinji ynë perëndimor Italia. Boshti i romanit është një vajzë e re, pa shkuar ende në adoleshencë, e mbushur me ëndrra, shpresa, besim dhe dëshira të cilat janë rrjedhojë e moshës dhe temperamentit të saj impulsiv dhe inteligjent. E mbështetur edhe nga familja e saj e varfër, e thjeshtë, por e ndershme, punëtore dhe fisnike në mes anëtarëve të saj dhe me të tjerët, ajo kalon përtej reales, në imagjinatën e saj duke abstraguar të ardhmen plot madhështi dhe sukses. Por jeta i ka përcaktuar të tjera udhë e shtigje, të kundërta ekstremisht nga ato që ajo ka ëndërruar dhe rrjedha e saj do të marrë një drejtim shumë të ashpër për të, shumë të ndërlikuar, me situata dhe ndodhi të dhimbshme dhe rrënuese, jo vetëm për ëndrrat e djegura tashmë, por deri sa të vihet në mëdyshje edhe personaliteti njerëzor dhe ekzistenca fizike. Konflikti nis papritur kur Gita, vajza personazh në roman, bie në kurthin e Avdullait, mësuesit të saj, i cili e detyron të martohet kur ajo ende nuk ishte 15 vjeç. Pre e këtij njeriu pervers me moshën sa dyfishi i saj, Gita s’do të mundë të bëjë realitet asgjë nga ëndrrat e veta si p.sh. pasioni për poezinë apo dhe pikturën e të tjera. Gjithçka do të shkojë pakuptuar në kundërshtim me qëllimet e saj në jetë, falë nënshtrimit ndaj fatit për arsye mentaliteti, por edhe kërcënimeve të të shoqit fanatik, zemërngushtë e të ashpër jo vetëm ndaj Gitës, por edhe ndaj familjes e fëmijëve më pas. E vetmja mbështetje mbeten të afërmit e sidomos babai, por të pafuqishëm për të bërë diçka që ajo të zgjidhte kontradiktat e saj me këtë martesë alogjike, jo vetëm nga formaliteti, por edhe nga moraliteti dhe nga mungesa e respektit të ndërsjellë, e ç’është më kryesorja, nga mungesa e dashurisë, kushti themelor për të funksionuar një marrëdhënie. Mundimet, zhgënjimet, plagosjet shpirtërore, mospërfillja dhe përçmimi do ta ndjekin në çdo hap të jetës duke e bërë të ndihet e pavlerë dhe e pafuqishme për të përballuar jetën, aq sa disa herë tenton vetëvrasjen e disa herë të tjera ekzistenca fizike e saj vihet në pikëpyetje si rezultat i goditjeve të mëdha psikologjike dhe vështirësive  jetësore konkrete si ushqimi dhe veshmbathja. Dhe e gjitha kjo, rrjedhojë e shpirtligësisë e kopracisë, cinizmit dhe moskujdesit të qëllimshëm të burrit të saj që vjen dhe bëhet gjithnjë dhe më i padëshirueshëm për të. Si pasojë, kjo do të bënte të zgjohej në shpirtin e zbrazët prej dashurisë dhe kujdesit më të thjeshtë njerëzor, po edhe më të zbrazët prej dashurisë bashkëshortore të injektuar me përçmim ekstrem deri në monstruizëm, një idil i vjetër dashurie, që kishte ndenjur i strukur në ëndërrimet e saj vajzërore. E gjithë kjo klimë e ky mjedis mbytës e shterues për nga humanizmi dhe jo vetëm, patjetër që do të sillte një ditë buisjen e shpirtit të ndrydhur për të gjetur hapësirat e veta për jetën, për dashurinë dhe për të ardhmen. Pas ndarjes me të shoqin ajo lidhet me piktorin D. me të cilin ruante prej vajzërisë së hershme disa kujtime si copëza drite të mbyllura në kuti hermetike, por që herë pas here, kur shpirti i saj binte në boshllëk, edhe prej atje së brendshmi ato e trazonin me dritën e tyre që ende regëtinte. Kjo dritë e idilit të hershëm kish mbetur pa u shuar edhe në kujtimet e D. Pas një aksidenti tragjik ai humb gruan e tij që e donte shumë dhe bie në pesimizëm. Por ky çast fatkeq për të dy platonikët e dikurshëm, pas disa peripecish, do të kthehej si me një shkop magjik në lumturinë e rigjetjes së njëri-tjetrit, paçka se tani në moshë të shtyrë dhe prindër me fëmijë madhorë. Ata mundën më së fundi të përjetonin lumturinë e të qenit bashkë, e cila shumëfishohej nga ngarkesa e madhe e dëshpërimit që koha kishte hedhur mbi ta. Por edhe kjo lumturi nuk zgjati më shumë se një skenë filmi. Arinjtë e bardhë të premtuar të dashurisë së tyre filluan të vriten një pas një duke i rikthyer sërish në akullsinë e vetmisë polare. Mes arsyesh apo mosarsyesh, mes dyshimesh dhe besimesh, mes vrarjesh ndërgjegjeje apo pendimesh, mes moskuptimesh a keqkuptimesh pak rëndësi ka të shpjegohen të gjitha këto, kur fati sërish të sjell në udhën ku u nise. Veçse asgjë nuk shkon të humbasë në asgjë. Mes ekzistencializmit si përvojë jetike dhe fatalizmit si praktikë zgjedhjeje mbeten gjithmonë zgjidhje, që ndonëse ekstremisht të vështira, të japin në dorë si eksperiencë të çmuar atë që të mban gjallë: humanizmin dhe dashurinë për jetën.
Diçka për romanin si qenie letrare.
“Mos m’i vrit arinjtë e bardhë” është një roman ku ndërthuren mes tyre disa lloje të zhanrit, si realizmi, sentimentalizmi dhe elementë modernë, ku dominanca është e vështirë të përcaktohet pasi raportet janë pothuajse të barabarta mes elementëve zhanrorë. Romani ka një strukturë të vetme rrëfimi derisa degëzohet në mënyrë paralele me rrëfimet e piktorit D. duke formuar një strukturë binare rrëfimi, të ndryshme nga njëra-tjetra: i pari në vetën e tretë ku rrëfimtar është i gjithëdijshmi që tregon ngjarjen dhe në të dytën kemi një autorrëfim të piktorit D. në vetën e parë dhe për veten. Romani hapet me një paratekst të shkruar nga autorja që në mënyrë profetike dhe metafizike përmbledh atë çka do të jetë më pas teksti i rrëfimit. Pastaj vijnë disa fjali eliptike të përzgjedhura nga teksti që paraqesin në mënyrën më sintetike fillimin dhe fundin e ngjarjes, që sigurisht, të vendosura në fillim të shtjellimit të rrëfimeve të japin kalimthi ndjesitë e asaj që do të mësohet. E përsëri kemi një lloj teksti të papërcaktuar të quajtur Fantazmat, në të cilin është dhënë kulmi i konfliktit të të gjithë historisë së rrëfyer: ndarja me Avdullain dhe fillimi i një kohe tjetër që ka emrin e D, e paralajmëruar nga një fantazmagori plot dritë, ngjyra dhe simbole fatsjellëse... Romani ka 10 kapituj dhe mbaron me epilog. Veç tyre, pas kapitullit të tretë, funksionalizohet linja paralele e rrëfimit të piktorit D. Në tre kapitujt e parë rrëfimi është, si e thamë edhe më lart, në vetën e tretë, e në vazhdim ndërthuret me rrëfimet e D. Kjo lloj ndërthurjeje të të dy llojeve të rrëfimeve e bën narracionin më të zhdërvjellët, më interesant e më tërheqës si rrjedhojë. Rrëfimet e D, të cilat në dukje të parë janë si një linjë e veçuar nga rrëfimet e narratorit të gjithëdijshëm, kanë një lidhje logjike dhe organike me linjën tjetër të rrëfimit. Koha rrjedh paralelisht po në hapësira të ndryshme deri në pikëtakimin e tyre. Të dy programet narrative janë të thurura në një marrëdhënie të tillë, mes një dashurie platonike, por me tërheqje magnetike si qendër graviteti mes tyre. Kjo mendoj se i bën subjektet në aksion të jenë sa të veçantë aq edhe konkretë. Kontradiktat e njëpasnjëshme të personazheve, të papriturat dhe kthesat e rrjedhave të ngjarjeve narrative i japin befasinë dhe intrigën romanit. Veç këtyre kemi në roman edhe rrëfime brenda rrëfimit në formë shkallareje ku më i realizuari është ai i Tatianës nga Korça, shoqe e Gitës, në studion e piktorit D, e ndërfutur në rrëfimet e tij. Retrospeksionet bëjnë kapërcime në kohë duke krijuar larmi në rrëfim dhe vijimësi kuptimësie të ngjarjeve dhe rrethanave. Elipsat në mes të rrëfimit shërbejnë për të evituar kohën jo efiçente brenda narracionit ndaj janë shumë të rëndësishme si nga ana teknike ashtu edhe nga ana e performancës artistike. Të tillë mund të përmendim atë të kapitullit pa numër në faqen 264 dhe i përcaktuar me titull “Kaluan dy vjet”, por edhe elipsa me kohë më të shkurtra në mes të tekstit. Në roman kemi edhe përjetime metafizike në formën e digresionit si fanepsje, ëndrra, përfytyrime etj, të cilat shpesh janë të ndërfutura si intertekste dhe japin kumte gati profetike. Po ashtu kemi edhe shenja parathënëse si varësja e floririt, stilografi “Parker” etj, të cilat së bashku me ndërthurjen e rrëfimeve, alternimin e llojit të strukturës së rrëfimeve, metafizikën në rrëfim, mënyrën e përjetimeve psikologjike, vetë titullin metaforik të romanit dhe të kapitujve të tij e ndonjë tjetër, përbëjnë elementë modernistë që janë strukturuar në vepër në mënyrë të natyrshme. Poetika e përdorur, sidomos pas kapitullit të tretë, vjen e rritet duke shtuar akoma më shumë estetikën letrare. Veprimet në roman janë të motivuara nga drejtimi shkak-pasojë me tendencën realiste të zhvillimeve të ngjarjeve. Personazhet janë ndërtuar në bazë të përshkrimeve të jashtme, veprimeve dhe mendimeve të tyre, por edhe në bazë zbërthimesh përmes dialogëve dhe zhbirimesh meditative e gjithashtu nëpërmjet monologëve që vihen re shumë shpesh këtu. Sentimentalizmi i përshkon më së shumti qeniet e tyre, sidomos Gitën, përgjithësisht dhe D. Në raport me këta të dy kjo frymë është dominuese me nota dëshpërimi, vajtimi dhe herë-herë fataliteti deri në mendimin për vetëvrasje. Kjo padyshim të sjell ndërmend personazhe të tilla si “Bardha e Temalit”, Dija te “Sikur të isha djalë” e Haki Stërmillit, apo edhe deri te Ana Karenina e Tolstoit, me të cilën ka dëshitë të identifikohet edhe vetë personazhi gjatë rrëfimeve në roman. Por te personazhi i Gitës kemi një sentimentalizëm të dyfishtë: atë në raport me të shoqin, Avdullain, që i shkakton vuajtje, poshtërim dhe neveri dhe atë në raport me piktorin D, raport i cili i mban gjallë shpresën e dashurisë së vërtetë dhe që i kujton se jeta mund të ketë edhe gëzime dhe lumturi. Me notat më të errëta është ndërtuar Avdullai, bashkëshorti pervers i Gitës: i vrazhdë, i shëmtuar, shpirtlig, zemërngushtë, i pamoralshëm dhe i paskrupull: tip i personazhit negativ në kuptimin e një përcaktimi bardhezi. Nuk mund të gjendet asnjë ngjyrim tjetër tek figura e tij artistike. Antipod i tij janë njerëzit e dashur të familjes së Gitës: nëna, babai, gjyshebabai dhe gjyshemamaja si dhe gjithë të afërmit e tjerë, bashkë me shoqet e saj të fëmijërisë dhe të rinisë, dhe padyshim fëmijët, që i mbështjell me aureolën më njerëzore që vetëm një nënë e vuajtur mund ta japë. Përshkrimet në roman janë të shumta si për njerëzit, mjediset ngjarjet apo peisazhet duke kaluar ndonjëherë edhe në një lloj realizmi mimetik e deri në natyralizëm. Ndoshta një thukëti e tyre do të ishte e nevojshme për të evituar pasazhe që nuk funksionalizohen sa duhet. Gjuha e përdorur, e cila është pjesë e rëndësishme e stilistikës, është një gjuhë e pastër në vetvete nga ana e sintaksës dhe e gramatikës dhe ka një pasuri leksikore me fjalë të trevës ku autorja është rritur e ndoshta edhe të vetë familjes të tilla si: nënkua, gjyshebabai, gjyshemamaja, qepshe, dritë konizme, mesnik, bokshe, baboja, paramanë, garroç etj. Përtej fundit të romanit ku nëpërmjet rreshtave poetikë të epilogut përcillet semantika e ndarjes dhe e harrimit, gjithkush që e mbaron së lexuari, mund të mbyllë kapakët e librit dhe të meditojë pasi përtej asaj që mund të na ketë ofruar jeta, ajo gjithmonë ia vlen të jetohet dhe se sakrificat për të, sado sublime të jenë, asnjëherë nuk janë të kota.

Maj 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen