Mittwoch, 2. März 2016

Stephane Mallarme - Llulla



Llulla

Dje gjeta llullën time teksa ëndërroja një mbrëmbje të gjatë pune, pune të mbarë dimërore. Flakur cigaret tok me gjithë ngazëllimet fëmijnore të verës në të shkuarën ku i shkëndrisnin gjethet e kaltëruara nga dielli, byrynxhykët, llullën e vrazhdë e marr porsi një njeri hijerëndë që do të tymoste me orë pa e shqetësuar kush,që të mund të punojë më mirë: por nuk prisja që të më befasonte llulla e harruar kur, me ta thithur, i lashë librat e mëdhenj që kisha për të thurur dhe, gjithë habi dhe mallëngjim,dihata dimrin e vjetshëm tek po kthehej. Nuk e kisha prekur miken time besnike qysh kur isha kthyer në Francë, dhe Londra gjithë,Londra siç e jetova krejt i vetëm,vitin e shkuar, m’u shfaq përpara syve, në fillim mjegullat e dashura që na mbështillnin kryet dhe që kanë, atje, një tjetërlloj kundërmimi, tek hynte që nga baxhat. Duhani kundërmonte dhomë e errët me orendi lëkure mbuluar pluhur qymyri, mbi të cila rrokullisej maçoku i ngartë thatim, zjarret e mëdhenj! Dhe shërbëtorja me llërë të skuqura tek zbrazte qymyrin, dhe zhurma që bënte qymyri duke rënë nga kova prej llamarine herë solemnisht, gjë që më jepte jetë! Pashë prapë nga dritarja ato pemë të sëmura të kopshtit të shkretuar – pashë detin, që aq herë e kisha çarë në dimër duke mërdhirë mbi urën e anijes, nga mjegullat lagur dhe nxirë nga tymi – me të dashurën time endacake, në tesha shtegtarje, një fustan të gjatë nga pluhur’i rrugëve pahitur, një pallto që i ngjitej e njomur pas supeve të ftohtë,një nga ato kapelet prej kashte pa pendë e pa kordele pothuaj,që zonjat e kamura i flakin më të mbërritur,meqë era e detit i shqepi, dhe që dashnoret e varfëra i mbajnë edhe për shumë kohë. Gushën ia mbështillte lahuri i frikshëm që e tundnin kur thonë lamtumirë përgjithmonë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen