Samstag, 26. Dezember 2015

Zabit Sulo - Cikël poetik


NJË DASHURI TJETËR

Mos ta dëgjoj shumë herë në veshët e mi 
Dhe mos me thuaj për t’u ndarë, 
Se po më bën për të qeshur, e dashur,
Mos harro sa e çmendur ishe ti me parë!
Por edhe kështu, të lejoj të shkosh në kullotë,
Të prekësh një tjetër dashuri magnetike.
Shijoje, e dashur, veçse nuk dua të derdhësh lot
Dhe zjarrin e shpirtit tim, mos kujto se e fike!
Unë siç kam parë, kam vepruar, zemra ime grabitqare,
Është e lehtë të biesh në të tjera duar me dashurinë zullumqare. 
Është shumë lehte për t’u ndarë, 
Dashurinë që të ofrova e zhubrose e çartallose.
Por me dashurinë tjetër zemrën tënde ke për të vrarë 
Dhe shpirti im si myshqet e gurëve do të qulloset
Aq sa as shekujt s’kanë për ta tharë.
Ti vrapo,vrapo në skutat e nxehta te dashurisë 
Dhe mos e kthe përsëri të shikosh pas,
Se do të të lëndoj dhe ditën e virgjërisë,
Dashuria ime e parë ta dish se kur të humbas jetën, 
Atëherë edhe ty do të të humbas!...


DY MATERIE

Sa shume ëndrra me solli ky mëngjes
Dhe ngjyra e përhimtë ra mbi zemrën time.
Seç me shtyn të hyj në klasë,
Si magnet me tërheq dhe banka ime. 
Ky magnet në orën e fizikës seç po largon edhe zyshën matanë.
Kjo bankë seç po luan nga vendi,
Bankës tënde kërkon t’i ngjitet pranë.
Një zë i trembur prej zallahisë,
U përplas mbi zemrën time,
Si dy molekula në laboratorin e kimisë,
U ndan dy puthje në polarizime.
Dhe kjo materie e fizikës,
Seç na mblodhi ca thërrime,
Një shkreptimë në mes të ditës
Ra si puthje në zemrën time.


MATURA IME

Me fal që s’të kushtova 
Një vjershë të vetme për ty, 
Unë kam faj, matura ime, 
Vargjet që nuk t’i mblodha
Atëherë në bankën time,
Jetën time e detyroi të kthehet tek ti përsëri,
Atje ku të lash, të takoj, 
Te puth në faqe me dashuri. 
Më fal, matura ime, 
Të vetmin varg që s’të dhurova,
Kohën për ty po ia vjedh jetës sime, 
Të të dhuroj dhe vitin që u largova.
Për ty jetën time po e kthej mbrapsht,
Dhe kohës, që kaq shumë ka nxituar,
Po i them që për pak të ndalojë,
Dhe shokët e shoqet e maturës,
Të shpërndarë gjithandej t’i takoj.
M’i mblidh pak ata, matura ime,
Me këtë vjershë buzëqeshjen t’ua freskoj.


PËRSHËNDETJE POETIKE

Ju përshëndes miq e shokë,
edhe ty, o lagjja ime, 
Që në krahë më ke mbajtur e më ngrite,
kur nga gurët e rrugës time,
pengohesha dhe puthja me dhimbje pluhurin tënd plot thërrime. 
Ju përshëndes, o kushërinj të mi,
Në këtë vjershë po ju përshëndes ,
Paçka se dikush mund do të më mbaj mëri,
mbi te gjitha jemi zemra qe shkruajmë dhimbje,
por dhe hare në kujtesë.
Të përshëndes dhe ty o fshati im,
me emrin Karbunarë, 
Që në krahët e tu më përkunde fëmijërinë, 
Më dhe penën që për ty të shkruaj ,
Në zemrën tënde përjetësinë. 
Ju përshëndes, o miq, kudo që jeni,
duke ju prezantuar një mikeshë të re, poezinë.
Të gjithëve ju lutem,
një përshëndetje në zëmrën time do të gjeni,
edhe sikur në fund të qiellit, të ma gjeni shtëpinë.


TË NDIHMOJMË NJËRI - TJETRIN

T’i bashkojmë krahët të punojmë,
të ndihmojmë njeri-tjetrin!,
zemra lë gjurmët e saj,
vulos në shekuj identitetin.
Indentiteti nuk është pasaportë, 
ku vulosin vetëm organet policore,
identiteti është një rreze e ngrohtë,
që na lidh zemrat njerëzore. 
Ta ndihmojmë njeri-tjetrin,
ti japim krahë të fluturojë!
Te mos tregojmë me gisht të keqin,
sepse ngrohtësia do t’i mungojë.
Nëse Driteroi i madh thotë; 
Ta mburrim njeri-tjetrin,
Unë do shtoja që njeri tjetrin edhe ta ndihmojmë 
Dhe mos të bëhemi fodulle, ziliqarë;
Se kur ka bollëk fqinji pranë,
Ngopen dhe lypësit, bukë hanë. 
Ta ndihmojmë njeri tjetrin,
te jemi me plot termin njerëzore ,
nëse besimin në një zot e kemi larë, 
ta dini se vet ndihma na bën shenjtorë.
sepse si njerëz jemi shenjtëri e rallë.


GUR MBI ZEMËR

Ky qerpik i lotit syrin seç ma zuri,
të prek Shqipërinë-nënë.
Çamërisë një gur mbi zemër ky lot seç i pruri 
Të vijë dorë për dorë.
Unë, Çamëria me baba Alinë, 
Te shuaj mall në përmendore.
në prehër të nënës, Shqipërinë.


ISHE NJË VOGËLUSHE

Vogëlushe ishe kur te njoha,
edhe pse kanë hyrë mes nesh shume vite,
Dashuria u shkri dhe lau sytë e tu te njomë 
Dhe ti si gjaku ndër dejet e mi mu ngjite.
Edhe pse vrapuan shumë vite,
shpirti yt u be një me trupin tim
Dhe u shpërnda në qeliza pa fund, pa limite.
U shpërnda në universin e gjakut të shpirtit tim. 
Dhe dashurinë e shpërndave si buqetë në çdo qelizë në ato vite. 
Vërtetë ishe dhe je akoma shkëndijë e jetës sime.
Një shpirt i brishtë i larë në vesë yjesh,
Ishe dhe je një meteorit i zemrës sime, 
Ishe dhe je vetëtimë në shkretëtira hijesh.
Vogëlushe ishe kur te njoha për herë të parë,
Veç gjashtëmbëdhjetë pranvera në kurriz ti mbaje,
Atëherë kur strukeshim si dy yje në një re të bardhë 
Dhe prisnim te pikonte dashuria jonë e parë.


ADOLESHENCA

Erdhi në trupin tim me të gjitha të papriturat,
duke më sjellë të nesërme dhe ditë të tjera të mërzitura.
Në fillim me erdhi e ndrojtur,
ashtu ngadalë duke më joshur,
me gjëra që nuk më takonin,
në ëndrra të pa realizuara më çonin.
Megjithatë mua më pëlqente, 
të ndihesha burrë para kohe,
por nuk e kuptoja se më gënjente, 
në shtigje pa vlerë për të më futur,
ndonëse më dukej se ishte e bukur,
Se shpesh rendja mbas ndonjë fluture, 
Harrohesha në botëkuptimin e papjekur,
iluzione të kota duke ndjekur.
Por gjithsesi kur adoleshenca në rrugë të gabuar me çonte, 
nëna ime rrinte gati të më qortonte.


KUR ÇEL DASHURIA

Si lulja që buis sythet,
Një dashuri në zemrën time afron,
Koha adoleshente kërkon të zbythet,
Një tjetër moshë dashuria kërkon,
Dhe fillon të kundërmojë manushaqe e limon. 
Skuqjen e faqeve të vajzës që dua,
E sheh burimi dhe lajmëron një krua,
Lumi merr revanin dhe si ngjala rrëshqet, 
Takon rrahjet e zemrës sime dhe bëhet dallgë në det.


FJALA GRUA

Fjala grua është butësi,
Si bari i livadhit në mëngjes.
Fjala grua është dritësi,
Si dielli që shkëlqen në mëngjes,
Fjala grua është lëndinë, 
Pranverë në shtrat,
Të shtruar me trëndelinë.
Aromë e jetës që sa një shekull zgjat. 
Fjala grua është parajsë,
Çelësi i çdo gëzimi në këtë jetë, 
Por është dhe lot që mbush një det.


GOMARI I SHTËPISË

Ej ti, gomari i shtëpisë,
Hajde këtu të të vë kapistrën! 
Mos më shiko se kam trup të vogël,
Unë të marr, të lidh në kasolle, 
Mos më thuaj se jam i vogël,
Unë tani jam bërë burrë i rritur,
Nuk ja më sa një gogël,
Të bëj të kërcesh duke më mbajtur hipur.
Mos më thuaj se s’ma ke frikën, 
Mos më zbardhë dhëmbët se s’ke nga ikën,
Duke pëllitur, se të godas me shkop thane,
Nga mëngjesi e gjer në mbrëmje!
Mos i ngri veshët e gjatë përpjetë,
Mos më zemëro e mos më fut në siklet, 
Se ti në këtë jetën tonë ke ardhur
Për tu ngarkuar, jo kot për të pallur!

Pakoha shqiptare

Shkruan: Rrahim Sadiku

(Parathënie e librit “Kosova” të Branislav Nushiqit, botuar në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Zgjimi” e Ferizajt)

Krimet e kriminelët ndaj shqiptarëve

Veprimtaria e quajtur diplomatike, por tejet antishqiptare e hegjemoniste e Nushiqit, në Kosovë, u zhvillua në momentin më të pavolitshëm për shqiptarët, mu në mbarim të shekullit XIX dhe në fillim të atij XX, kur Turqia po dridhej nën peshën e trysnive të shteteve të fuqishme të kohës e nga problemet e brendshme, që e kishin rënduar e varfëruar secilën pjesë të saj. Edhe për shqiptarët, të cilëve u ishte shtuar edhe dhuna dhe trysnia tejet e egër e fqinjëve, gjendja ekonomike dhe shoqërore ishte bërë e padurueshme dhe për ta kishte aguar një kohë shumë shumë kritike, e cila po i shpiente gjithnjë e më shumë drejt greminës. Serbia punonte me të gjitha mjetet që kishte për ta kthyer këtë gjendje tëpavolitshme në agoni e vdekje. Populli jetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira, varfëria kishte kapluar secilin, kurse amullia dhe apatia ishin bërë gjithëpërfshirëse. Nushiqi e studion dhe përdoron këtë gjendje, për qëllime të shërbimit të fshehtë të shtetit të Serbisë dhe të aktiviteteve diplomatike që zhvillonte në qendrat e vendosjes ky shtet. Kështu, ai bëhet personazh i njohur për asimilimin e shqiptarëve ortodoks dhe për lidhjen e tyre me kishën serbe. Megjithatë, në shkrimet që boton dhe në relacionet që dërgon në organet e shtetit të tij, që merreshin shumë intensivisht me veprimtari për aneksimin e trojeve shqiptare, e të Kosovës në veçanti, shpesh jep edhe fakte reale, që mbesin dëshmi e qëndrueshme e asaj kohe. Kjo vlen sidomos për banorët e Kosovës, që gjithnjë janë shumicë shqiptare, kurse përqindja e serbëve asnjëherë nuk e kalon dhjetëpërqindëshin. Ai vepron, ndikon dhe kushtëzon me të gjitha mjetet për asimilimin e shqiptarëve, duke u nisur nga bashkëkohësi i tij, Jovan Cvijiqi, i cili në shkrime të botuara serbisht e në shumë gjuhë botërore, ngulte këmbë se shqiptarët e Kosovës, po edhe të shumë viseve të tjera, ishin vetëm serbë të shqiptarizuar. Cvijiqi shpiku termin Serbi e Vjetër për Kosovën, kurse Nushiqi dhe të tjerë e trumbetuan dhe u munduan ta shndërronin në realitet. Të gjitha këtyre sulmeve dhe rreziqeve, me të cilat i kishte rrethuar Serbia, po edhe shtetet tjera fqinje, shqiptarët nuk kishin as mundësi e as kapacitet shkencor e njerëzor që t’u kundëviheshin. Prandaj edhe ndodh moskoha shqiptare, e cila i jep krahë krimit kundër tyre dhe favorizon e ushqen kriminelët e tyre. Nushiqi, Cvijiqi e Rakiqi ishin vetëm tre nga ata.


Tre nga shumë përgatitës të pushtimit serb të Kosovës (që ndodhi më 1912)

Në mbarim të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Serbia, që kishte fituar një stabilitet realitiv si shtet dhe e përkrahur nga politika pansllaviste e Rusisë e nga disa shtete të tjera, shprehte hapur pretendimet e saj për dominim në Ballkan dhe vepronte me të gjitha mjetet për përgatitjen e terrenit, që me rënien e Perandorisë Osmane, e cila tashmë ndjehej, të pushtonte sa më shumë toka, sidomos ato shqiptare, për të cilat kudo thoshte se historikisht i përkisnin asaj, ashtu si synonte edhe zgjërim në veri, në territore hungareze e ndaj territoreve kroate. Pretendimet e saj ndaj Panonisë i realizonte përmes Klubit kulturor “Matica Srbska” të Novi Sadit; pretendimet ndaj Bosnjes i realizonte Klubi çetnik “Mlada Bosna” me seli në Sarajevë dhe për habi veprimtaria e tyre nuk pengohej nga Austrohungaria, e cila si perandori, nuk shihte ndonjë rrezik real nga shtet i vogël serb. Vetëm me rastin e atentatit në Sarajevë, kur tashmë ishte vonë, Austrohungaria e kuptoi se sa kishin punuar serbët brenda saj, e sidomos pas pushtimit të madh që bëri politika e më vonë ushtria serbe, në Panoni.
Kosova dhe viset tjera shqiptare zinin vend të veçantë në planet hegjemoniste serbe dhe për këtë u punua pa ngutje, së pari përmes klerit vendor, serbosllav e filoserb, mandej duke kërkuar favore për serbët e Kosovës nga Perandoria Osmane, që realizohej përmes kërkesave ultimative ndaj Portës, të përkrahura automatikisht nga Rusia, që e bënte Turqinë të lëshonte udhë për hapjen e shkollave serbe, për futjen e detyruar të serbëve në institucione shtetërore dhe për trajtimin adekuat ligjor të tyre, po që shikuar me të tjerët, ishin privilegje shumë të mëdha. Duke i shfrytëzuar këto privilegje, spiunë e vrasës serbë endeshin nëpër Kosovë të papenguar ose të veshur me petkun e klerikut ose të njeriut të përkushtuar për krijimin e kushteve për veprimtari kulturore e fetare serbe, dhe nga kjo rezultoi hapja e punkteve për llogari të shtetit serb pothuaj kudo, madje edhe në ato vendbanime ku ishin qoftë edhe 20 familje serbe. Kur i kishte arritur këto, Serbia vlerësoi se kishte ardhur koha e saj e pritur dhe dërgoi njërin pas tjetrit në Kosovë diplomatët dhe intelektualët më të spikatur që kishte. Përfaqësuesit serbë, të ardhur në Kosovë kishin emër e reputacion edhe në rrethe intelektuale botërore dhe i njohnin shqiptarët e rrethanat e jetës së tyre deri në imtësi. Kjo u mundësonte të kishin ndikim dhe të bënin propagandë të pashoqe, për të futur te ortodoksët besimin se Serbia ishte shpëtimi i të robërurarëve nga Turqia. Me ardhjen në Kosovë, realisht e me sukses, ata punuan për të përgatitur terrenin për pushtimin e trojeve shqiptare, për çka mblodhën të dhëna, për nevoja ushtarake, për kushtet e jetës së njerëzve, për disponimin e tyre ndaj Turqisë e ndaj Serbisë dhe të gjitha i dërguan në qendrën e përpunimit në Beograd, duke filluar nga të dhënat më të imta e deri te ato më të mëdhatë. Pa shkuar shumë kohë Serbia kishte të dhëna të sakta për banorët, gjendjen e rrugëve, gjendjen ekonomike të vendit, për qytetet, fshatrat, urat, po edhe për për lidhjen e familjeve shqiptare me kombëtraren etj. Ata realisht e trasuan pothuaj po u rrezikuar nga askush, rrugën e pushtimit sa më të lehtë të Kosovës. 
Tre nga diplomatët, krijuesit dhe shkencëtarët serbë, më të shquarit e këtij vendi në atë kohë, e kryen me përkushtimin më të madh misionin e ngarkuar nga qeveria e tyre e ata ishin: Branisllav Nushiqi, komediograf, udhëpërshkrues e konsul i Serbisë në Prishtinë; Jovan Cvijiqi, gjeograf me famë botërore, themelues i disa disiplinave të reja gjeografike, i cili disa vjet me radhë punoi e studioi terrenin në Kosovë e në vise të tjetra shqiptare, prej nga botoi studime të hollësishme për tokën, njerëzit, pasuritë etj. të cilët më shërbyen edhe si manuale ushtarake. Ishte edhe Milan Rakiqi, poet kombëtar serb (konsul i Serbisë në Prishtinë, pas Nushiqit) i cili me shkrime të ulëta u mundua të mbillte kudo disponimin antishqiptar, sidomos në rrethe intelektuale botërore. Ai dërgoi të dhëna të detajuara për ato që ndodhnin e çka duhej të ndodhnin në Kosovë, që ajo të pushtohej më lehtë dhe për të legjitimuar pushtimin që po përgatitej. Këto të dhëna, shumë interesante dhe tejet antishqiptare ai i botoi pasataj në librin “Letra konsulare”.
Për fat të keq e për neglizhencë të historiografisë shqiptare, vepra dhe veprimtaria antishqiptare e këtyre tre diplomatëve e shkencëtarëve antishqiptarë, për shqiptarët ka mbetur sot e gjithë ditën pothuaj e panjohur, edhe pse ata kanë të botuara vepra e kanë lënë pas edhe shumë dokumente sekrete, të cilat gjenden në arkive dhe të cilat mund të ishin publikuar e ishin studiuar nga historianët tanë.


Nushiqi, Kosova dhe shqiptarët

Koha, kur në Kosovë po ushtronte aftësitë e tij diplomatike dhe po nxirrte në dukje antishqiptarizmin e tij të thellë Nushiqi, ishte ajo kur Serbia kishte shtrirë ndikimin e saj në shumë vende të Evropës, kur politika serbe nuk shihte rrezik nga lëvizjet shqiptare e nga idetë e tyre për formimin e shtetit shqiptar, sepse në horizontin e rrjedhave ballkanike, botërore dhe brenda Perandorisë Osmane nuk dukej asgjë që ta përkrahte e mundësonte këtë. Atë kohë Serbinë dhe politikën serbe e mundonte qenia fizike e shqiptarëve dhe ajo donte ta heqte edhe atë pak rrezik që i vinte prej tyre, kështu që Nushiqi, Cviqiqi dhe Rakiqi, krahas mbledhjes së informatave me karakter ushtarak e tërësorë, që do ta hapnin rrugën e pushtimit, kishin detyrë të vazhdueshme etiketimin, fajësimin dhe paraqitjen e shqiptarëve si popull jashtë kohe e jashtë hapësire. Donin ta bënin këtë sa më heret, që kur të vinte koha për eliminin e tyre fizik, askujt të mos i vinte keq për këtë dhe kështu kjo ndërmarrje të kalonte pa u vërejtur. Këtë gati edhe e kishin arritur, në shumë aspekte. Kësaj politike të ndytë e këtyre synimeve gjakatare u ndihmojnë në shumë aspekte edhe vetë shqiptarët me shkapërderdhjen e tyre dhe nga fakti se lufta për çlirim kombëtar ende nuk kishte marrë formë dhe përmbajtje të duhur. Ende nuk ishte zgjidhur dhe përqafuar nga i gjithë kombi çështja e alfabetit. Nuk kishte në moment e as në horizont ndonjë figurë emblematike shqiptare, që të kishte fuqi ndikimi politik dhe organizativ, i cili do të bashkonte fijet e shpërndara të kombit. Mu në kohën kur po forcoheshin shtetet me aspiratat më gllabëruese të mundshme ndaj trojeve shqiptare, jeta për shqiptarin ishte gjithnjë e më e rëndë dhe ai ishte i detyruar të bëhej shërbëtor i të gjiithëve, për të mbetur fare pak i vetes.
Nushiqi, shpesh dhe me dashje, bën sikur nuk i dallon shqiptarët nga turqit, edhe pse pas pak faqesh e thekson këtë dallim, për të përbaltur sa më shumë paraardhësit e tij. Kur flet për turqit, ai shprehet: “Rrethanat e brendshme e kanë lënë shumë prapa Kosovën, të cilat vijnë si pasojë e sundimit të një populli të pakulturuar”. Por ai shpesh mundohet të hyjë edhe në çëshjtje të së kaluarës së këtij trualli dhe pohon se dukuria e latinizimit të popullsisë ilire kishte ndodhur që me ardhjen e pushtuesëve romakë, prej nga pastaj erdhi këtu feja krishterë, ashtu si erdhën edhe popuj e ndikime të shumta. Por ky pohim i tij është i paqëndrueshëm, sepse në territoret ilire kishte të krishterë edhe para se krishtenizmi të bëhej fe zyrtare në Romë. Kur flet për turqit, Nushiqi thotë se turq nuk ka në Kosovë dhe se kudo dominon shqipja, edhepse nuk përdoret në adminstratë. Vetëm 16 familje serbe ishin atë kohë (fundi i shek. XIX) në rrethin e Novo Bërdos. Nushiqi njeh disa lloje shqiptarësh: të pasurit janë turq, të ardhurit janë muhaxhirë, disa të papërcaktuar e disa kombinim popujsh. Jetën e shqiptartëve ai e sheh shumë të pakuptimtë, shqiptarët i sheh si papunëtorë, të dhënë pas ndejave e gjahut, pa ndonjë kujdes për pamjen e shtëpisë, pa kushte normale jetese në dhomat e tyre. Varfërinë e fshatarëve ai e sheh tek kasollet, tek veshja gjithë arna, te mungesa e luleve dhe gjelbrimit në oborre, te mungesa e pemëve dhe drunjëve në hapësira të tëra. Ai pohon se dikur vendbanimet e shqiptarëve kishin, së paku, zabele përreth, por se edhe ata ishin zhdukur, sidomos pas ardhjes së muhaxherëve. Ai te shqiptarët sheh njerëz të larguar nga dëshira për punë, që jetojnë sot për sot e pa shikime ardhmërie dhe sikur të painteresuar për asgjë. Po dallon edhe disa nga ata që kanë pasuri, ndjenjë kombëtare e synime për të qenë dikushi dhe të atillët i cilëson si rrezik për serbët. Në shumë pjesë të librit ai përmend cincarët, që janë ilirë (shqiptarë të sllavizuar) dhe diku pohon se edhe ai është cincar.
Sipas Nushiqit, feja ortodokse në Kosovë ishte pronë e serbëve dhe serbë ishin të gjithë ata që nderonin e besonin këtë fe. Kjo “pronësi” e proklamuar nga ai bëri dhe ndikoi dukshëm për përgatitjen e një pjese të madhe të shqiptarëve ortodoks të Kosovës të serbizoheshin, si kemi rastet në Neredime, Gaçkë, Viti, Kamenicë, Novo Bërdë e kudo në Kosovë. Kjo veprimtari e tij ndikoi që shumë fshtra ortodokse shqiptare të serbizoheshin dhe më pas të viheshin në shërbim të plotë të politikës dhe të antishqiptarizmit serb. Nushiqi përvetëson shumë zakone, tradita dhe ngjarje historike shqiptare, duke i quajtur si serbe, madje edhe besën, edhe pse ajo nuk njihej fare nga serbët, as si normë e as si kuptim. Madje ai thot se: “Shqiptarët e Kosovës nuk e mbajnë më “besën” dhe se kinse “Fjala e tyre nuk është e besueshme”. Në anën tjetër, ai e diplomatët dhe shkencëtarët tjerë serbë, që vijnë të veprojnë në Kosovë, tregohen shumë të përulur ndaj pushtetarëve turqë, që këta të mos e kuptonin dhe pengonin veprimtarinë që bënin, po sa herë u jepej rasti shpifnin të gjitha të zezat e mundshme për shqiptarët. Prandaj, kurdo te Nushiqi na del në dukje koncepti shtetëror serbomadh dhe ngulmimi për të ardhmën e Kosovës, si pjesë të shtetit serb.


Disa pohime e mohime të Nushiqit

Nushiqi ishte në shërbim të politikës hegjemoniste serbe dhe të gjitha krahasimet për Kosovën i bën me Serbinë e asnjëherë me Shqipërinë. Megjithatë, ai pohon: “Kur fillon epoka historike e njerëzimit, i gjen në Kosovë Dardanët, një fis ilir, të cilët i banonin rajonet rreth Skardës së vjetër apo të Sharrit të sotëm.” Për të shtuar më pas: “Luginën e Kosovës, të ujitur shumë të plleshme, të pasur me ari, argjend e xehe të tjera; me bukë, verë dhe ushqime të tjera për njerëz e për kafshë, si e thonë edhe anelet tona, sigurisht që nuk kanë mundur t’i tejkalojnë ata pushtuesë, të cilat që nga fillimi i shekullit IV para Krishtit, janë vërsulur nga të gjitha anët dhe janë ndërruar si sunduesë të kësaj ane.” Për të vazhduar: “Nga ato pushtime, ai që pati më së shumti ndikim në popullatë dhe mjedis, ishte sundimi romak, që u vendos pas luftërave të gjata iliro-romake dhe zgjati deri nga mbarimi i shekullit të katërt. Ndikim më të madh kanë patur kolonitë romake, të cilat sipas gjurmëve që gjenden, kanë qenë me shumicë në Kosovë e rrethinë, aty ku janë minierat e njohura, nga të cilat romakët kanë përfituar më së shumti. Por, sipas Nushiqit, mesjeta për të është kohë e serbëve, që dynden në Ilirik dhe aty merr hov fanatizmi i tij serbomadh: “Me dyndjen e serbëve në shekullin V e VI-të edhe Kosova, në të cilën ata vendosen, nuk fitoi ndonjë emër të veçantë, sepse serbët u kolonizuan sipas fiseve dhe formuan zhupanitë dhe këto të shumtën morën emrin sipas lumenjve, maleve ose qyteteve, si: Lapi, rreth lumit Llap; Lipjan, përreth qytetit të njohur nga lashtësia, Ulpinanës. Por, disa nga zhupanitë (si dhe lumenjëve të përmendur) serbët u vunë emra nga paraatdheu i tyre, si janë Sitnica dhe Drenica. Si zhupani, me këta emra, ato edhe më vonë përmenden në dokumente qeveritare e në të tjera.” Realisht serbët nuk arritën të vendoseshin asnjëherë plotësisht si popull shumicë në Kosovë dhe ndaj saj ishin dhe mbetën gjithmonë në rolin e pushtuesit, duke e mbajtur vendin me luftë, terror dhe fanatizëm antishqiptar. Ndaj edhe Nushiqi e thellon këtë qëndrim, por pohon edhe se, në kohën kur ai ishte në Prishtinë e kishte vërtetuar se “Osmanlinjё ose turq të vërtetë nuk ka në Kosovë. Këtë racë e përfaqësojnë nëpunësit e nëse duhej të kishte ndonjë mbetje të luftëtarëve të vjetër, ata me siguri kanë ikur nga rrethanat e pavolitshme. Rreth Novo Bërdos kishin mbetur deri vonë 15 shtëpi turke, të cilët aty kishin ardhur menjëherë pas Betejës së Kosovës. Në fund të shekullit XIX nga ato kishin mbetur vetëm dy shëpi, pasi disa kishin vdekur, disa ishin shpërngulur e disa ishin vendosur në Prishtinë. Ai pranon se shqiptarët ishin popull plotësisht shumicë në Kosovë, por ata ai i trajton përmes grupëzimeve, duke i ndarë në: pak shqiptarë me prejardhje të mirëfilltë nga ilirët, shumicën e tyre i quan si të shqiptarizuar nga serbët dhe një pjesë i quan muhaxhirë, duke u vesh tipare sa më të egra e jonjerëzore, me çka kinse ata dalloheshin shumë nga shqiptarët tjerë. Kështu ai shndërrohet kështu në cytës për ndarje brendashqiptare. Për t’i treguar shqiptarët si popull që jeton i ngujuar në arkaizmin e vet, ai sikur kënaqet me jetën fisnore të shqiptarëve dhe shkruan: “Fiset më të forta në Kosovë janë Gashët dhe Berishët, fise të cilat me të madhe ende jetojnë në bashkësi. Të tjerët që janë shpërndarë nëpër qytete, fshatra e kodrina. Në anën jugore të Kosovës janë këto fise: Dërmjakët, Sopët, Krasniqët, Shalianët, Kryezinjtë, Kelmendët (Klimentët), Thaçët etj., kurse në anët tjera janë Bytyçët, Hotët, Shalajt, Elshanët, Metplakët e të tjerë.” Edhe pse më vonë flet për kishën katolike në Prishtinë e për katolikët e Janjevës, ai në një kapitull të librit pohon: “Në Kosovë nuk ka shqiptarë katolikë, nga të cilët më shumë ka në Dukagjin dhe në nahitë e Pejës dhe Gjakovës.” Nushiq shpesh përpiqet të hyjnizojë serbët, si popull, dhe sikur harron se ata e shpallën të shenjtë Stefan Deçanskin, atvrasësin e njohur, si të këtillë nga të gjithë dhe nuk e thot se realisht nuk ka mundësi që nga populli e besimtarët të mos mallkohet ai që vret shenjtin e tyre, po që njëkohësisht ishte edhe babai i tij! Ai i paraqet si serbe të gjitha familjet që i ishin dukur të disponuara për t’u serbizuar dhe thot se në Vushtrri bashkësinë e serbëve e përbëjnë disa familje, por edhe ato janë të ardhura nga jashtë. Familje të këtilla janë Qamiloviqët, të cilët kanë ardhur nga Trepça; Fërtuniqët nga Kuçët e Kosarës së Malit të Zi; Studiqët nga Zhazha e Shalës; Luliqët nga rrethina e Shkodrës; Parliqët nga fshati Brazdë i rrethit të Shkupit; Murganiqët nga Drenica dhe Kijametoviqët nga Kopaoniku. Por janë edhe këto familje: Zdravkoviqët, Pop-periqët, Çkovriqët, Cupiqët, Vlajiqët, Nesvrtoviqët, Elezoviqët, Kojiqët, Topliqanët etj. Pra, të gjithë atë që në realitet është shqiptare, ai e përvetëson si pa të keq. Për ta arsyetuar këtë ai thekson se “Shqiptarë në Kosovë ka pak, kurse serbë të shqiptarizuar janë pjesa më e madhe e banorëve. (!!!) Ata përbëjnë tri të katërtat e banorëve të Kosovës dhe gati me të drejtë e quajnë Kosovën shqiptare, pra tokë në të cilën ata janë zotëruesë. Realisht ata ende janë të shpërndarë në rrëzat e maleve, por e kanë zotëruar edhe luginën dhe qytetet. Mund të thuhet se tokat më të mira tashmë janë në duar të shqiptarëve.” Dhe shton: “Toka në Turqi mund të jetë: shtetërore (miri), e objekteve fetare (vakëf), ose pronë e individëve (mylk). Mylqet janë të gjitha çifligje dhe ato punohen nga çipçinjtë. Por, sot ka edhe raste kur fshatarët kanë tokën e tyre, derisa dikur raste të tilla kishte tejet rrallë. Pronarë të tokave janë kryesisht shqiptarët, e pak janë edhe turq.”
Në kulturën serbe Nushiqi njihet edhe si etnograf, folklorist e etimograf, mu nga ato të dhëna që ka sjellë në këtë libër, ku veshja, tradita dhe familja shqiptare na dalin si serbe. Ai thot se serbët atë kohë bartnin plis në kokë, visheshin me tirq e xhurdi dhe se qytetaret bartin dimi, të cilat janë të qepura pak më të shkurtëra se ato të grave turke dhe shtrëngohen me brez të mëndafshtë. Dimitë gjithnjë bëhen nga basma ose nga jum-basma. Mbi to vishet këmishë. Ai analizon edhe fjalorin e serbëve të Kosovës dhe ai na del përplot me fjalë shqipe, në mesin e të cilave është edhe fjala zgura, që ai e quan me prejardhje të dyshimtë, por nuk e thot se është shqipe. Ashtu si pretendonte politika zyurtare serbe, Kosova duhej të shihej si vend shumetnik dhe serbët duhej të ishin më në dukje kudo. Nga ky shkak ai pohon se në Kosovë kishte edhe vllehё që merreshin kryesisht me tregti. Kishte nga ata edhe nëpër fshatra, ku kishin hapur shitore, por mё me dёshirё tuboheshin rreth tregjeve tё mira, si ishin ai i Mitrovicёs, i Prishtinёs, i Ferizajt dhe sqaron se ata kudo quheshin gog. Shumica e tyre ishin tё ardhur nga Vilajeti i Manastirit dhe ishin të gjithë tё besimit ortodoks. Më tej përmend se hebrenj kishte nёpёr qytete, ku merreshin me sarafllёk e me tregti gruri, lёkure e me mallёra manifakture. Nё fshatra dhe nё qyteza nuk qёndrojnё. Nё Vushtrri, pёr shembull, nuk kishte asnjё hebre. Nё Prishtinё ata kishin edhe komunёn e tyre dhe rabinin, po edhe shkollёn me shtatё nxёnёs. Njё sasi e vogёl e tyre ishin tё punёsuar edhe nё shёrbimin shtetёror, si hebrenj tё muslimanizuar, që vinin nga Selaniku, tё sektёs Donme. Duke shkruar për hebrenjtë në Kosovë, Nushiqi thot se “Pas dёbimit nga Rusia, njё numёr i madh i hebrenjёve u vendos nё Turqi, nga tё cilёt 50 shtёpi erdhёn nё Prishtinё. Dhe, pёr habi, tё gjithё pjesёtarёt e kёtyre familjeve vdiqёn prenda dy vitesh dhe asnjё prej tyre nuk ёshtё mё nё jetё.
Nushiqi megjithatë, pohon se zhvillimi i brendshëm i familjes shqiptare mbetet kryesisht i ruajtur dhe se ajo mbetet veti e mbijetesës së tyre edhe në situate të vështira. Kjo bënë që familja shqiptare të jetë edukuese e anëtarëve të saj. Kurse raportet në jetën e familjes, të cilat i kanë ruajtur në vete të gjitha zakonet e patriarkalizmit, janë siguria më e mirë e ruajtjes së karakterit të kësaj popullate. Kurse kur shkruan për Ferizajn (Ferizoviq) ai as e kishte idenë që serbët një ditë këtë qytezë do ta emëronin Uroshevac.
Nushiqi nuk mund e të mos e vajtojë “shpërnguljen e madhe serbe nga Kosova”, të vitit 1689, e cila realisht e sipas dokumenteve ishte vetëm shpërngulje e shqiptarëve dhe mundohet të ngulis bindjen se pas kë saj “ikjeje të serbëve” ndryshoi fizionomia etnike e Kosovës thënë se “atëherë serbët braktisën fshatrat e mrekullueshme e tokat pjellore, shtëpitë e pasuritë dhe shqiptarët erdhën nga malet e tyre, të shkreta e shterrpa dhe u vendosën në fshatrat e bukura serbe. Për një pjesë të shqiptarëve ai përdoron termin muhaxhirë, duke harruar se ky emërtim mund t’u jepej vetëm atyre që e lëshojnë vendin e tyre e shkojnë në dhe të huaj. Kurse, kur ndërron vendbanim e mbetesh në tokën tënde, ky term nuk vlen. Muhaxhirë janë ata që shkuan në Turqi, Siri etj. Por jo edhe ata që nga një trevë shqiptare dolën në tjetrë. Por, nga Nushiqi e të tjerët, brenda Kosovës termi muhaxhir u ngulit për të shtuar ndarje të reja midis shqiptarëve. Po të vlente ky term, atëherë ne shumica, të gjithë ata që nuk jetojmë në qytetin tonë të lindjes, do të duhej quheshim muhaxhirë.
Në fund ia vlen të themi se pikturat e piktorit të njohur, Paja Jovanoviqit dhe disa pjesë të shkrimeve të Nushiqit mbesin si dëshmi e kohës, që flasin e tregojnë për doke, traditë e sjellje të serbëve, që nuk kanë në vete asgjë serbe e që janë plotësisht shqiptare. Pra një dëshmi për asimilimin e popullit tonë dhe për moskohën, brenda se cilë ndodhën të gjitha këto.

Agim Shehu - Dy poezi


"KARRIKJA" - MONUMENT ME TRI KËMBË
PARA KOMBEVE TË BASHKUARA

Diplomatët hyjnë hijerëndë
pa parë rreth e rrotull.
Zinxhirët e bardhë të çantave të zeza
ndryjnë halle të rënda popujsh.

Vështirë t'u kuptosh nga pamja
se ç'mëndje të saktë kanë!
Udhën drejt takimit e bëjnë
ca mbi paralele,
ca mbi meridianë.

I shoh në Gjenevë, e s'kuptoj
pse nxitojnë aq sovranë te hyrja,
thua, rrotullimi i globit varet
nga ulja e tyre në zyra!

"KARRIKJA" vigane-statujë me tri këmbë
rri te hyrja si mbi erë
(kombin tim prerë nga diplomatët,
e shoh te këmba e saj e prerë).

Ajo vështron asnjanëse zyrtarët
(të vjetër e të rinj),
e u thotë: - gjersa unë jam e prerë,
ju çaloni, zotërinj!



DORA E PRERË

Në murin e kabinetit shtetëror të Gjenevës -
portreti i "njeriut me një dorë",
(ministrit që dikur pat vjedhur,
iu pre dora si fajtor).

Po të bëhej një portret i tillë
për qeverinë time të uruar,
do kishim tablonë e një Kabineti
pa duar.

1999

Pagëzimi i shqiptarëve me emrat e shtazëve dhe shpendëve


Shkruan: Haxhi MUHAXHERI

Dashuria e shqiptarëve për shtazët e shpendët dhe pagëzimi me emrat e tyre

       Vërtete, ne si popull jemi treguar kurdoherë human dhe kemi dhuruar vetëm dashuri. Shqiptaret nje dashuri te madhe e kanë shfaqur gjithmonë edhe ndaj shtazëve dhe shpendëve. E ti dush kafshët dhe shpendët, është përnjëmend fisnikëri. Populli ynë jo vetem qe i ka dashur, ushqyer dhe mbajtur ne shtëpi ato, por edhe i kanë adhuruar dhe kanë marrë emrat e tyre për vete.

       Kësisoj, shumë prinder pas sjelljes se fëmijeve të tyre në jetë, kanë vendosur qe ata ti pagezojnë me emrat e shtazëve dhe shpezëve qe më së shumti i kanë adhuruar dhe dashur! Prandaj sot të shqiptaret janë shumë të përhapur emrat, si:


01.  Luan - i
02.  Pëllumb - i
03.  Sokol - i
04.  Sokoleshë
05.  Bilbil - i
06.  Shqiponjë
07.  Skifter - i
08.  Shpend - i
09.  Dallëndyshe
10.  Dren - i
11.  Drenushë - a
12.  Shotë
13.  Gjeraqinë
14.  Zog - u
15.  Zogë
16.  Zogëz
17.  Fellëzë - Thëllëzë
18.  Laureshe
19.  Bletë
20.  Flutur - a
21.  Dem - i
22.  Dash - i
23.  Sutë - a
24.  Hut - i
25.  Ujkan
26.  Sorkadhe
27.  Petrit - i
28.  Astrit - i
29.  Delfina
30.  Kanarinë
31.  Asllan (Luan)
32.  Rudina
33.  Gusë - a
34.  Bibë - a
35.  Bibaj (mbiemer)
36.  Taraku (mbiemer)
37.  Knusi (mbiemer)
38.  Pula (mbiemer)
39.  Bufi (mbiemer)
40.  Sykë
41.  Uk -a -u
42.  Bal - i
43.  Mul - a
44.  Daci (mbiemer)
45.  Gjeli (mbiemer)
46.  Galë




Ja si i shpjegon fjalori i shqipes disa nga këta emra:


L U A N: ( m. sh.)
•1. zool. Kafshë e egër gjitare, e madhe e mishngrënëse, me lesh të shkurtër e të verdhemë, me një tufë qimesh në fund të bishtit (dhe te mashkulli me një kreshtë a kurorë qimesh të gjata në qafë e rreth kokës), që ndodhet në disa vise të Afrikës, të Azisë etj. dhe që mbahet si kafsha më e fortë në përleshje me të tjerat. Gjuetia e luanëve. I fortë si luan. Luftoi si luan.
• 2. fig. Njeri trim, guximtar e i fortë. Luanët trima (partizanë).
• 3. fig. Përd. mb. m. sipas kuptimit 2 të emrit Djalë luan. * Pjesa e luanit libr. iron. pjesa më e madhe e më e mirë e diçkaje, që e merr më i forti për vete pa përfillur të tjerët LUANI I DETIT zool. Lloj foke e madhe e me veshë, që jeton zakonisht në oqeane.


P Ë LL U M B: ( m.sh. zool.)
•1. Shpend i butë a i egër me krahë të shkurtër, me pendë të bardha ose ngjyrë hiri në të kaltër, me gushë pak të dalë dhe me pupla në këmbë, që mund të bëjë fluturime të gjata dhe që mbahet si simbol i butësisë, i pastërtisë, i bukurisë dhe i paqes. Pëllumb i butë. Pëllumb i egër. Pëllumb poste. Çift pëllumbash. Gugatje pëllumbash. Kafaz pëllumbash. Mish pëllumbi. Vezë pëllumbi. Gjuetia e pëllumbave. I butë (i bukur, i urtë) si pëllumb. Si pëllumb i shkruar shumë i bukur.
• 2. fig. përk. Fëmijë a djalë i vogël, i bukur dhe i dashur. Pëllumbi i nënës! Fli, mor pëllumb!
• 3. fig. iron., shaka. Përdoret kur i drejtohemi dikujt me një qortim të lehtë etj. Ku ishe, mor pëllumb? Na erdhi ky pëllumbi. *


S O K O L: ( m. sh.)
•1. zool. Shpend grabitqar me sqep të kthyer dhe me krahë e thonj të fuqishëm; petrit. Sokoli kthetrazi. Hidhet si sokol.
• 2. fig. Djalë a burrë, zakonisht shtathedhur, trim e i zoti, petrit. Sokol mali. Sokol me fletë. Sokolat e brigadës (e batalionit). Sokoli i nënës! përk.


S O K OL E SH Ë: ( f. sh.)
•Vajzë a grua zakonisht shtathedhur, që shquhet për trimëri e për shkathtësi në punë; gjeraqinë. Sokoleshë mali. Sokoleshat e Malësisë. Sokoleshat e brigadës. Grua sokoleshë. Luftuan si sokolesha.


B I L B I L: ( m. sh.)
•1. zool. Zog i vogël shtegtar; me pupla të përhime në bark dhe te murrme në krahët, që njihet si këngëtari më i mirë ndër gjithë zogjtë. Bilbil pylli. Bilbil uji. Zë bilbili. Kënga e bilbilit. Këndon si bilbil. Fëmija është bilbili i shtëpisë.
• 2. Mjet i vogël me një pip, te cilit i fryjmë për të nxjerrë fërshëllimë. Bilbil druri. Bilbil i gjyqtarit të lojës (i policit, i rojës). Bilbil fëmijësh. Fërshëllima e bilbilit. Lugë me bilbil. I ra (i fryu) bilbilit.
• 3. Reze për të mbyllur dritaret, me një thith me sustë i cili hyn në një unazë. Bilbila për dritare.
• 4. përd. mb. Që këndon shumë bukur; që flet shpejt e bukur; që është i mprehtë, që e kap shpejt diçka. E ka gjuhën bilbil. Është bilbil nga goja. I ka veshët bilbil. * Bilbil gjyzari figurë e përrallave popullore: bilbil me zë shumë të bukur, që paraqitet sikur bën çudira. U bë bilbil u ndreq, u bë lule (për njerëz qe nuk kanë qenë të rregullt). Mbeti bilbil mbeti fare pa gjë ose pa njeri. Ishte si bilbili në kafaz ishte i mirë e i zoti dhe i kishte të gjitha për të jetuar por nuk kishte liri; ishte pa liri e pa shpresë.


SH Q I P O NJ Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Shpend i madh grabitqar, me sqep të kthyer, me kthetra të gjata e të forta dhe me sy të mprehtë, që rron në male e në stepa dhe mbahet nga shqiptarët si simbol i lirisë e i trimërisë; shqipe, shkabë. Shqiponjat e maleve tona. Krahët (kthetrat) e shqiponjës. Sy shqiponje. Fole shqiponje. Sulet si shqiponjë. Më mirë shqiponjë një ditë, se sorrë një vit. fj. u.
• 2. fig. Njeri trim, i guximshëm, sypatrembur e krenar; njeri shumë i zoti e i shkathët. Shqiponjat partizane. E ka shqiponjë këtë djalë (këtë vajzë).
• 3. bot. Bimë shumëvjeçare zbukurimi, përherë e gjelbër, me gjethe të mëdha e të prera thellë, që u përngjajnë krahëve të shqiponjës, luleshqiponjë. * Shqiponja dykrenore vizatim i një shqiponje me dy krerë në stemën dhe në flamurin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Shqiponja nuk ha miza fj. u. njerëzit e shquar nuk merren me çikërrima e me gjëra të ulëta.


S K I F T E R: ( m. sh.)
•1. zool. Shpend grabitqar me sqep të kthyer e me kthetra të fuqishme, që rron nëpër shkëmbinj; fajkua. Skifteri kthetrazi. Krahët e skifterit. Ra në thonjtë e skifterit. E rrëmbeu skifteri. Hidhet (sulet) si skifter.
• 2. fig. Njeri trim e i vrullshëm në sulm.


SH P E N D: ( m. sh. zool.)
•1. Kafshë kurrizore me trup të mbuluar me pendë e me pupla, me dy krahë, me dy këmbë e me sqep, që bën vezë dhe që në përgjithësi mund të fluturojë; klasa e këtyre kafshëve. Shpendët shtëpiakë. Shpendët e egër. Shpendë shtegtarë (të përhershëm, endacakë). Shpendë ujës (uji). Shpend i balsamosur. Shpend deti. Shpend gjahu. Mish shpendësh. Plehu i shpendëve. Shtimi i shpendëve. Rritësit e shpendëve. Thertore shpendësh. Sëmundjet e shpendëve.
• 2. krahin. Kafshë a zogj që jetojnë në natyrë në gjendje të egër. Shpendë gëzofi kafshë si dhelpra, kunadhja e lepuri. Shpendë puplash zogj si pata, rosa, thëllëza, shaptorja etj.
• 3. euf. Ujk; kafshë grabitqare. Ia hëngri shpendi dhinë. Ruanin natën mos vinte shpendi. * Ha qen e shpend shih te QEN,~I. Kolera e shpendëve veter. shih te KOLER/Ë,~A.


D A LL Ë N D Y SH E: ( f. sh.)
•1. Zog shtegtar i vogël sa trumcaku, me krahë të mprehtë, me bisht të bigëzuar si gërshërë e me sqep të hollë, që fluturon shpejt e me zhdërvjelltësi të madhe dhe e bën folenë zakonisht nën strehët e ndërtesave. Foleja e dallëndyshes. Erdhën dallëndyshet. Dallëndyshet janë lajmëtaret e pranverës.
• 2. Pjesë e avlëmendit, e ndarë si bigë, që shërben për të mbajtur varur lisat e pëlhurës.
• 3. Kunj i vogël druri që lidh dorezën e parmendës me shtizën.
• 4. Pjesa e butë e thundrës së kalit. * Dallëndyshja e parë shenja e parë e diçkaje që do të vijë me shumicë; ai që çan i pari drejt diçkaje të re e pak të njohur. Qumësht dallëndysheje shih te QUMËSHT,~I. Janë si zogjtë e dallëndyshes janë fare të brishtë e të pafuqishëm dhe kanë nevojë për ndihmë, përkrahje e kujdes të drejtpërdrejtë. Me një dallëndyshe (me një lule) s'vjen pranvera (behari) fj.u. shih te LUL/E,~JA. Bar dallëndysheje bot. shih te BAR,~I I.


D R E N U SH Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Femra e drerit, sutë.
• 2. përd. mb. fig. E urtë dhe e butë (për një vajzë a nuse).
SH O T Ë: f. sh. zool., krahin.
•Një lloj rose e madhe; rosë. Shota të egra.


GJ E R A Q I N Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Shpend i madh grabitqar, me pendë të larme, me krahë të gjatë dhe me kthetra; petrit.
• 2. fig. Grua e shpejtë dhe e shkathët.
• 3. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. E ka nusen gjeraqinë.


Z O G: ( m. sh.)
•1. zool. Kafshë e vogël kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve; emër i përgjithshëm për shpendët e vegjël si trumcaku, dallëndyshja, bilbili etj. Zog i bukur. Zogjtë shtegtarë. Zog këngëtar. Vezë zogu. Fole zogjsh. Tufë zogjsh. Cicërima e zogjve. Zë zogj. Vrau një zog.
• 2. I vogli i një shpendi. Zog pule (pate, shqiponje, petriti). Zogu i dallëndyshes (i korbit). Zogj inkubatori. Rritja e zogjve. Klloçka me zogjtë. Çel zogj.
• 3. krahin. I vogli i një kafshe, pjella. Zog maceje. Zog gomari. Zogjtë e arushës.
• 4. krahin. Bir. Zog malësori. Zogu i shqiptarit.
• 5. anat. Muskuli i gjymtyrëve, zogthi. Zogu i krahut muskuli i llërës. Zogu i këmbës pulpa. * Nxjerr (çel) zogj iron. a) dergjet në shtrat, lëngon për një kohë të gjatë; b) rri për një kohë të gjatë në një vend pa bërë asnjë punë, rri kot. Me pula e me zogj shih te PUL/Ë,~A. Si zog pa pupla shih te PUP/ËL, ~LA. Është bërë me rrashta zogjsh është bërë pa një mbështetje të sigurt, qëndron fare në ajër; nuk e ka të gjatë, do të prishet shpejt. Nuk guduliset me pupël zogu shih te PUP/ËL,~LA. I iku (i shpëtoi) zogu nga dora nuk arriti ta shfrytëzonte rastin si duhej, nuk qe në gjendje të bënte diçka kur iu dha mundësia. Është si zogu mbi cipal shih te CIPAL,~I. Janë si zogjtë e dallëndyshes shih te DALLËNDYSH/E,~JA. Janë si zogjtë e klloçkës shih te KLLOÇK/Ë,~A. S'ka zog (bir) nëne thjeshtligj. shih te BIR,~I. Mbetën si zogjtë pa klloçkë shih te KLLOÇK/Ë,~A. Mbetën si zogjtë e korbit shih te KORB,~I. U shpërndanë si zogjtë e korbit shih te KORB,~I. Vë pulën në zogj i vë punët në vijë, i rregulloj punët. Bufi mburr zogjtë e tij iron. shih te BUF,~I. E mban si zogun majë gjembit dikë shih te GJEMB,~I. Me një gur (me një të shtënë) vret dy zogj shih te GUR,~I. Mbaje (ruaje) zogun sa e ke në dorë! fj.u. shfrytëzoji të gjitha mundësitë që të jepen për të arritur diçka, mos e humb rastin kur të vjen. Lule zogu bot. shih te LUL/E, ~JA. Zog bari zool. lloj shpendi i vogël, i egër, në ngjyrë të barit. Zog blete zool. bregca. Zog bore (zog dimri) zool. bores, zborak. Zog çaush zool. zog arash me sqep të kthyer, me pendë në ngjyra të ndryshme dhe me kaçul mbi kokë. Zogu dervish zool. laureshë me kaçirubë, çafkëlore. Zogu i dhenve zool. bishtatundësi. Zog miu (zog ferre, zog shtrige) zool. ferrës, cinxami. Zogu mizë zool. kolibri. Zogu i natës zool. lakuriqësi i natës. Zog nuseje (zog rrëfeshku) zool. kryeartëza.


Z O G Ë: ( f. sh.)
•1. Pulë e re, që nuk ka filluar ende të bëjë vezë. Rritja e zogave. Theri një zogë.
• 2. Bletë e re. Mjaltë zogash.
• 3. përk. Vajzë a grua e re dhe e bukur.
Z O G Ë Z: ( f. sh.)
•1. Zvog. e ZOG/Ë, ~A. I mblodhi zogëzat.
• 2. kryes. sh. Vrangullat. Zogëzat e avlëmendit


F Ë LL Ë Z Ë - TH Ë LL Ë Z Ë: ( f. sh. zool.)
•1. Zog i madh sa një pëllumb, zakonisht me ngjyrë të murrme në të përhime me sqep të kuq, që jeton në tufa fushave e maleve dhe që këndon bukur. Thëllëzë mali (fushe). Mish thëllëze. Tufë thëllëzash. E bukur si thëllëzë. Këndojnë thëllëzat. Doli për thëllëza. Ecën si thëllëzë.
• 2. fig. përk. Vajzë a nuse e bukur. Mori një thëllëzë. * Gjeti vezët e thëllëzës a) arriti a bëri diçka thuajse të pamundur; b) iron. e pa mirë se ç’mund të bënte; e pa sa pisk e kishte. Kusia mbi prush, thëllëza fushë fj.u. shih te KUSI, ~A. Bar thëllëze bot. shih te BAR,~I. Rrush thëllëze bot. shih te RRUSH,~I.


L A U R E SH Ë: (f.sh. zool.)
•1. Çafkëlore. Lauresha e malit. Kënga e laureshës.
• 2. Zog këngëtar, pak më i madh se harabeli, me ngjyrë të përhime e me pika të errëta, që rri arave; çerdhukël.


B L E T Ë: (f.sh.)
•1. zool. Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin e polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bletë mjaltëse. Bletë e egër. Bletë punëtore. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Rritja e bletëve. Zukasin bletët.
• 2. përmb. Tërësia e këtyre mizave, që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
• 3. përd. mb. fig. I shpejtë, i shkathët në punë. * Bletë e vulosur shih te VULOSUR (i, e). Si bletë shkëmbi i padobishëm, që nuk jep fryte (për njerëzit). Ia bëri bletë ia mori mendtë, e trullosi; e ngatërroi keq. Mbledh me bar blete shih te BAR,~I I. Bar blete bot. shih te BAR,~I I. Lule blete bot. shih te LUL/E,~JA. Zog blete zool. shih te ZOG,~U.


F L U T U R: (f. sh.)
•1. zool. Emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirthë për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. Flutur shumëngjyrëshe. Flutur bishtartë. Flutur mashkull (femër). Flutura e bardhë e pemëve. Flutura e verdhë e jonxhës. Flutur nate. Flutura e mëndafshit. Flutura e lakrës. Flutura e duhanit. Flutura e misrit. Flutura e orizit. Flutura e hambarëve. Flutura e gjembave. Krahët e fluturës. Brirthët e fluturës. Vezë fluturash. Ndjek fluturat. Kap (zë) flutura.
• 2. zool. Krimb i shtypur si gjethe e vogël që rron në gypat e mëlçisë së zezë zakonisht te dhentë dhe shkakton sëmundjen e këlbazës. Flutura e këlbazës.
• 3. Diçka që ka trajtën e një kandrre të tillë ose që lëviz si ajo. Flutur metalike. Flutura e rregullatorit. tek. Flutur për peshkim paftë metalike e ndritshme, me fletë të lëvizshme, që përdoret për të peshkuar. Fluturat e dëborës.
• 4. kryes. sh. Vizatim, qëndismë ose palë, në trajtën e krahëve të kësaj kandrre, që bëhet në një petk për zbukurim. Fustan me flutura.
• 5. përd. mb. Që ka pamjen a trajtën e një kandrre të tillë ose që lëviz si ajo. Kollare (kravatë) flutur. Stil flutur. sport, mënyrë notimi me trup të shtrirë, me kokë të zhytur në ujë e me të dy krahët të hapur, që lëvizen në të njëjtën kohë.
• 6. përd. mb. Shumë i shpejtë e i shkathët; shumë i lehtë. Grua (nuse, vajzë) flutur. Është flutur.
• 7. përd. ndajf. Me shpejtësi, shpejt. Të shkosh e të vish flutur.
• 8. përd. ndajf. Shumë (zakonisht me mbiemrat i lehtë, i shpejtë). Flutur i lehtë. Flutur e shpejtë. * Pesha e fluturës sport, vjet. kategori e boksierëve, e ngritësve të peshave dhe e mundësve me peshë trupore nga 47-52 kg


D E M - I: (m. sh.)
•1. Viç dy-tre vjeç; ka i ri dhe i patredhur, që mbahet për ndërzim. Dem i fortë. Dem race (damazi). Demat e ndërzimit. Kokë demi. Ndeshje me dema. I fortë si dem. E ka qafën si të demit.
• 2. Trari më i trashë që vendoset në dyshemenë e një shtëpie. U thye demi. Demi zgjidhet i trashë.
• 3. fig. bised. Djalë i shëndoshë e i fortë. Është bërë dem. * Dem me brirë shih te BRI,~RI. Mori dem lopa shih te MARR 33. E kap (e zë) demin (kaun) për brirësh (nga brirët) shih te BRI,~RI. Demin e shtron zgjedha fj.u. shih te ZGJEDH/Ë,~A.


D A SH: (m. sh.)
•1. Mashkulli i deles. Dash i bardhë (i zi). Dash i egër dash me brirë të përkulur që rron zakonisht në pllajat e maleve të larta. Dash shyt. Dash i tredhur (tredhak). Dash vargër. Dash race. Dashi i këmborës. Mish dashi. Kokë dashi. Brirët e dashit. Zihen si deshtë. Avash, avash bëhet shelegu dash. fj.u. Dashit të rritur nuk i dridhet briri. fj.u.
• 2. kryes. sh. Pjesët e dala prej guri në të dy anët e vatrës. Deshtë e oxhakut. Deshtë e zjarrit.
• 3. hist. Tra i madh me majë prej metali, që përdorej si mjet për të shpuar muret e kështjellave a për të shpërthyer portat e tyre. E goditnin portën me dash. I shembën muret me dash.
• 4. astr. Yjësia e parë e zodiakut.
• 5. fig. Njeri i shëndoshë, i bukur dhe i hijshëm (sidomos për fëmijët). * Dash me flokë shih te FLOK,~U. Dash me këmborë shih te KËMBOR/Ë,~A. Si dashi me këmborë shih te KËMBOR/Ë,~A. Dashi i kurbanit shih te KURBAN,~I. Shkoi si dash kurbani shih te KURBAN, ~I. Si dashi me rrurëzën shumë mirë, në pajtim të plotë. Kërkon shtjerrat e deshve kërkon diçka të pamundur. Mori dash delja shih te MARR 33. Vajti si lëkurë dashi shih te LËKUR/Ë,~A. Dash hidraulik tek. mekanizëm që shërben për ngritjen e ujit.


H U T: ( m. sh.)
•1. zool. Një lloj bufi, me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron nëpër pyje dhe këndon natën sikur vajton. Huti me veshë buf me veshë. Zog huti. Kënga e hutit.
• 2. fig. shar. Njeri i trashë nga mendja; njeri i shushatur, matuf. * U bë hut iku me vrap, iku me të katra (për meshkujt). I ka kënduar huti dikujt i shkojnë punët mirë, i ecën fati.


S O R K A DH E: ( f. sh.)
•1. zool. Femra e kaprollit, kaprolle. Sorkadhe mali. E lehtë si sorkadhe. Ngjitet si sorkadhe.
• 2. fig. Vajzë me trup të hajthëm e të derdhur, e lehtë dhe e shkathët


P E T R I T: ( m. sh. zool.)
•1. zool. Shpend grabitqar i ngjashëm me skifterin, me kurrizin të murrmë a të hirtë, me barkun të bardhë e me këmbët të verdha, që ka sqep të kthyer dhe thonj e krahë të fuqishëm; sokol. I shpejtë si petrit.
• 2. fig. Djalë a burrë i ri, trim, i fuqishëm, i shkathët e guximtar. Petritët e nënave. Ishte petrit (petrit me fletë). Ra dëshmor një petrit.
• 3. fig. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. Djem (burra) petritë.


A S T R I T: ( m. sh.)
•1. zool. Gjarpër i madh me ngjyrë të verdhë e shpesh i shkruar me pika, që është shumë i shpejtë e i shkathët. Astrit me pika. Hidhet si astrit.
• 2. fig. Njeri shumë i shkathët, trime sypatrembur.


DELFIN - A: ( m. sh. )
•Gjitar deti i fuqishëm e i shpejtë, me trup të gjatë deri në tre metra, me kurriz të zi e me bark të bardhë, me turi të zgjatur e me dhëmbë të mprehtë, që jeton në tufë e ushqehet me peshk dhe që shpesh u vihet pas anijeve. * Stil delfin sport. shih te STIL,~I


K A N A R I N Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Zog këngëtar sa trumcaku, me trup të bukur e të shkathët, me pupla në ngjyrë të verdhë të hapur, që mbahet në kafaz për zërin e tij të këndshëm.
• 2. fig. përk. Vajzë e hijshme, që ka zë të bukur.


B I B Ë: ( f. sh.)
•1. Zogu i vogël i patës ose i rosës. Bibë pate (rose).
• 2. Pulë deti; zogu i pulës së detit.
• 3. fig. keq. Grua ose vajzë e trashë nga mendja. budallaqe. * I shtypur me këmbë bibash i trashë nga mendja, i shushatur. Bar bibe bot. shih te BAR,~I.


G A L Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Stërqokë. Tufë galash. Fluturojnë galat.
•2. Dele e zezë; lopë e zezë.
•3. përd. mb. Që i ka qimet të zeza (për lopën a delen). Dele (lopë) gale.


          Veç meje, në gjetjen e këtyre emrave kontribuan edhe Dan Kosumi, Rrahim Sadiku, Halil Xani, Agim Metbala, Fehmi Spahiu, Nexhmi Graca, Rexhep Dedushaj, Sadik Përvetica, Ramiz Selimi, Gjon Rroku, Halit Methasani etj.

         Këtë shënim e bëra vetëm nga kurreshtja dhe emrat nuk janë radhitur ne bazë të alfabetit.

Dienstag, 15. Dezember 2015

Lapidar në vargje për pavdekësinë

Recension nga Bedri TAHIRI

(Sheremet Prokshi, FORTESA E FUNDPRILLIT ’99, Prishtinë, 2015)

         Populli ynë përvojëhidhur qysh moti ka thënë: Kush bie në luftë për atdhe, nuk ka vdekur por ka le! Këtë urti më mirë së të tjerët e kuptuan krijuesit. Ata, me vargje e me vepra artistike, i thurën lavde pavdekësisë së atyre që me gjak mbëltuan LIRINË.
        Mirëpo, edhe për ata që lartësojnë heroizmin dhe sakrificën e liribërësve ka vlerësime të mira. Me gjakun e dëshmorëve mund të krahasohet vetëm ngjyra e penës së shkrimtarëve që ndriçon shëmbëlltyrën e të rënëve për liri,- shkruan në një urtësi kuanore.
         Për në këtë panteon të lakmueshëm ka mësyrë edhe poeti e mësuesi i palodhur Sheremet Prokshi nga Fortesa (Vërbofci) e Drenicës. Ai ka kohë që merret me shkrime poetike, kryesisht për fëmijë e të rinj, por me librin “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99”, mbështetur kryesisht në tabanin e atdhetarizmit, ka bërë hapa të sigurt në arritjet e vlerave artistike. Pena e tij, e ngjyrë në gjakun e lirisë, merr forcën e Feniksit  dhe na fanitet si një pararojë shpirtërore, duke na shpjerë  shtigjeve e labirinteve ku jeta e vdekja rrinin përqafuar...
         Të shkruash për dëshmorët është krenari, por edhe përgjegjësi. Ata nuk duan fjalë të mëdha, ngase vetë janë të mëdhenj. Ata nuk duan lëvdata, ngase janë lavdia vetë. Ata duan të vërtetën, duan drejtësinë, duan thjeshtësinë, duan paanësinë. Dhe, kush nderon historinë, krijon ardhmërinë. Këto premisa i pati parasysh edhe krijuesi Sheremet Prokshi kur i vuri vetes atë barrë të rëndë që vendlindjes së tij dhe gjithë atyre dëshmorëve e martirëve të lirisë tu ngre këtë Lapidar pavdekësie me vargjet përkushtuese që burojnë nga gjirmë i shpirtit e nga thellësia e zemrës.
        Akceptimi strukturor e përmbajtjesor i veprës “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99” synon të rrumbullakësojë një nga dramat e shumta të Drenicës heroike e të Kosovës në përgjithësi, atë të Fortesës, e cila u zhvillua në fundin e muajit prill 1999 e në të cilën ranë për të mos vdekur kurrë 85 veta (14 dëshmorë, 14 fëmijë e 56 të tjerë). Ajo është ngjizur e brumosur me ndjenja të përziera; tragjike e krenare  njëherësh. 
Libri qëndron mbi një trini shenjtërore, që në fakt mplekset natyrshëm, si gërshetë nimfash, në  një tërësi tematike e motivore:
        1. “85  martirë dhe dëshmorë”,
        2. “A këputën lulet ende pa u rritur” dhe
        3. Poezitë kushtuar Ilaz Kodrës, Antigonë Fazliut, Haki Prokshit, Sejdi Krelanit etj.
        E para, një poemth përmbledhës për të gjithë të rënët e asaj dite kobtare, hapet me vargjet emblematike, të cilat përmbyllen duke reflektuar  vizion të qartë të ripërtëritjes:

Tetëdhjetë e pesë
Martirë e dëshmorë
Me tetëdhjetë e pesë flamuj
Afër meje rrijnë
Flasim bashkë qa
Qajmë hallet me njëri-tjetrin
Arave, lëndinave
Jetën përtërijmë.

         E dyta, poema kushtuar të rënëve të lagjes Gllareva të Fortesës, jep një vlerësim sublim për të gjithë ata që ranë për liri:

                Lakmi ju kemi
               O bijtë e shqipes
               Jeni t’pavdekshëm
               Gjak arbëror,
               Një ideal
               Ju rriti shtatin
               Lavdi ju qoftë
               Martirë, dëshmorë!

Ndërkaq, përkushtimet për dëshmorë e martirë, janë realizime të bukura artistike, me vlera mbi mesataren, që karakterizohen me variacione e gradacione shpërthimesh emocionale...
         Kredoja e Sheremet Prokshit dhe vokacioni i tij poetik, padyshim është epizmi heroik, i përshkuar edhe nga  lirizmi, që,  si fije e hollë mëndafshi, na i gudulisë zemrat  kur përflakën e zhuritën nga zjarrmia e përcëllimit të barbarisë. Ai, nuk i përfill fare rregullat e ngurta të kodifikimeve teorike të vargëzimit tradicional. Stili i tij është i lirë, i qartë, i lehtë, i thjeshtë, i kapshëm. Organizimi i lëndës nëpër strofa të larmishme e vargje të lira, me një rimë brendapërbrenda, arrin ta mbajë gjallë kureshtjen  e lexuesve për të mësuar për fatin e personazheve e për fundin e ngjarjeve që trajtohen.
          Prologu i veprës nis me një fragment nga poema kushtuar Adem Jasharit. Një veprim i qëlluar, ngase Komandanti legjendar, Adem Jashari, përherë do të qëndrojë në ballë të krenarisë sonë kombëtare si një frymëzues i brezave të ardhmërisë.
          Fushë-Molla simbol i mirësisë, bujarisë, mikpritjes, strehë e të pastrehëve. Simbol i vuajtjeve, i mjerimit, i sakrificës. Simbol i qëndresës, i besës, i heroizmit. Aty poshtë, tek këmbët e Kalasë dardane, heroi ynë kombëtar-Skënderbeu, kishte lënë gjurmë: patkoin e atit të tij historik. Dhe, mu aty, bulbëruan edhe shumë lulëkuqe lirie, në mesin e tyre edhe komandant Ilaz Kodra e luftëtarët sypatrembur Ajet Prokshi, Antigonë Fazliu, Sejdi Kralani...Aty ngjau një hata, sepse siç shkruan poeti:

Nuk ndalej turri i djajve
Po nuk ndalej
As pushka e trimave çlirimtarë...
.
      Libri “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99” është një simbiozë e shkëlqyer, ku rrezatojnë atdhedashuri: vargjet brilante, prozat poetike dhe ilustrimet që flasin shumë. Ky harmonizim e gërshetim ngjyrash ylberore, i ka mundësuar autorit  për të na dhënë tablo realiste të një heroizmi e të një tragjizmi kombëtar me përmasa biblike.
      Heronjtë e veprës janë prototipa realë që përfaqësojnë  të gjitha shtresat e shoqërisë: janë fëmijë të pafajshëm, gra e pleq të mbetur,  nxënës përplot ëndrra për ardhmërinë,  luftëtarë e komandantë që vdekjen e shikonin drejt në sy e i thoshin plaç! Skalitja dhe portretizimi i tyre, është bërë në mënyrë individuale, e herë- herë edhe kolektive, ashtu siç edhe e patën fatin në aktin e fundit të asaj drame të përgjakshme  kombëtare.
       Tashmë s’ka dilema: Epoka ademjashariane kurorëzoi synimet tona shekullore, solli Lirinë e Pavarësinë dhe i hapi rrugë ribashkimit tonë kombëtar. Me këto ideale ranë në fushën e nderit të gjithë protagonistët e librit “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99”.
      Rikujtimi dhe nderimi i dëshmorëve është një obligim moral, kombëtar e atdhetar. Të gjitha këto, ka mëtuar dhe i ka përmbushur autori Sheremet Prokshi dhe, besoj do të ndjehet më i lehtësuar, andaj edhe e përgëzoj dhe i uroj suksese e prurje të reja artistike.

Galicë, 24 tetor 2015