Samstag, 26. Dezember 2015

Agim Shehu - Dy poezi


"KARRIKJA" - MONUMENT ME TRI KËMBË
PARA KOMBEVE TË BASHKUARA

Diplomatët hyjnë hijerëndë
pa parë rreth e rrotull.
Zinxhirët e bardhë të çantave të zeza
ndryjnë halle të rënda popujsh.

Vështirë t'u kuptosh nga pamja
se ç'mëndje të saktë kanë!
Udhën drejt takimit e bëjnë
ca mbi paralele,
ca mbi meridianë.

I shoh në Gjenevë, e s'kuptoj
pse nxitojnë aq sovranë te hyrja,
thua, rrotullimi i globit varet
nga ulja e tyre në zyra!

"KARRIKJA" vigane-statujë me tri këmbë
rri te hyrja si mbi erë
(kombin tim prerë nga diplomatët,
e shoh te këmba e saj e prerë).

Ajo vështron asnjanëse zyrtarët
(të vjetër e të rinj),
e u thotë: - gjersa unë jam e prerë,
ju çaloni, zotërinj!



DORA E PRERË

Në murin e kabinetit shtetëror të Gjenevës -
portreti i "njeriut me një dorë",
(ministrit që dikur pat vjedhur,
iu pre dora si fajtor).

Po të bëhej një portret i tillë
për qeverinë time të uruar,
do kishim tablonë e një Kabineti
pa duar.

1999

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen