Recension nga Bedri TAHIRI
(Sheremet Prokshi, FORTESA E FUNDPRILLIT ’99, Prishtinë, 2015)
Populli ynë përvojëhidhur qysh moti ka thënë: Kush bie në luftë për atdhe, nuk ka vdekur por ka le! Këtë urti më mirë së të tjerët e kuptuan krijuesit. Ata, me vargje e me vepra artistike, i thurën lavde pavdekësisë së atyre që me gjak mbëltuan LIRINË.
Mirëpo, edhe për ata që lartësojnë heroizmin dhe sakrificën e liribërësve ka vlerësime të mira. Me gjakun e dëshmorëve mund të krahasohet vetëm ngjyra e penës së shkrimtarëve që ndriçon shëmbëlltyrën e të rënëve për liri,- shkruan në një urtësi kuanore.
Për në këtë panteon të lakmueshëm ka mësyrë edhe poeti e mësuesi i palodhur Sheremet Prokshi nga Fortesa (Vërbofci) e Drenicës. Ai ka kohë që merret me shkrime poetike, kryesisht për fëmijë e të rinj, por me librin “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99”, mbështetur kryesisht në tabanin e atdhetarizmit, ka bërë hapa të sigurt në arritjet e vlerave artistike. Pena e tij, e ngjyrë në gjakun e lirisë, merr forcën e Feniksit dhe na fanitet si një pararojë shpirtërore, duke na shpjerë shtigjeve e labirinteve ku jeta e vdekja rrinin përqafuar...
Të shkruash për dëshmorët është krenari, por edhe përgjegjësi. Ata nuk duan fjalë të mëdha, ngase vetë janë të mëdhenj. Ata nuk duan lëvdata, ngase janë lavdia vetë. Ata duan të vërtetën, duan drejtësinë, duan thjeshtësinë, duan paanësinë. Dhe, kush nderon historinë, krijon ardhmërinë. Këto premisa i pati parasysh edhe krijuesi Sheremet Prokshi kur i vuri vetes atë barrë të rëndë që vendlindjes së tij dhe gjithë atyre dëshmorëve e martirëve të lirisë tu ngre këtë Lapidar pavdekësie me vargjet përkushtuese që burojnë nga gjirmë i shpirtit e nga thellësia e zemrës.
Akceptimi strukturor e përmbajtjesor i veprës “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99” synon të rrumbullakësojë një nga dramat e shumta të Drenicës heroike e të Kosovës në përgjithësi, atë të Fortesës, e cila u zhvillua në fundin e muajit prill 1999 e në të cilën ranë për të mos vdekur kurrë 85 veta (14 dëshmorë, 14 fëmijë e 56 të tjerë). Ajo është ngjizur e brumosur me ndjenja të përziera; tragjike e krenare njëherësh.
Libri qëndron mbi një trini shenjtërore, që në fakt mplekset natyrshëm, si gërshetë nimfash, në një tërësi tematike e motivore:
1. “85 martirë dhe dëshmorë”,
2. “A këputën lulet ende pa u rritur” dhe
3. Poezitë kushtuar Ilaz Kodrës, Antigonë Fazliut, Haki Prokshit, Sejdi Krelanit etj.
E para, një poemth përmbledhës për të gjithë të rënët e asaj dite kobtare, hapet me vargjet emblematike, të cilat përmbyllen duke reflektuar vizion të qartë të ripërtëritjes:
Tetëdhjetë e pesë
Martirë e dëshmorë
Me tetëdhjetë e pesë flamuj
Afër meje rrijnë
Flasim bashkë qa
Qajmë hallet me njëri-tjetrin
Arave, lëndinave
Jetën përtërijmë.
E dyta, poema kushtuar të rënëve të lagjes Gllareva të Fortesës, jep një vlerësim sublim për të gjithë ata që ranë për liri:
Lakmi ju kemi
O bijtë e shqipes
Jeni t’pavdekshëm
Gjak arbëror,
Një ideal
Ju rriti shtatin
Lavdi ju qoftë
Martirë, dëshmorë!
Ndërkaq, përkushtimet për dëshmorë e martirë, janë realizime të bukura artistike, me vlera mbi mesataren, që karakterizohen me variacione e gradacione shpërthimesh emocionale...
Kredoja e Sheremet Prokshit dhe vokacioni i tij poetik, padyshim është epizmi heroik, i përshkuar edhe nga lirizmi, që, si fije e hollë mëndafshi, na i gudulisë zemrat kur përflakën e zhuritën nga zjarrmia e përcëllimit të barbarisë. Ai, nuk i përfill fare rregullat e ngurta të kodifikimeve teorike të vargëzimit tradicional. Stili i tij është i lirë, i qartë, i lehtë, i thjeshtë, i kapshëm. Organizimi i lëndës nëpër strofa të larmishme e vargje të lira, me një rimë brendapërbrenda, arrin ta mbajë gjallë kureshtjen e lexuesve për të mësuar për fatin e personazheve e për fundin e ngjarjeve që trajtohen.
Prologu i veprës nis me një fragment nga poema kushtuar Adem Jasharit. Një veprim i qëlluar, ngase Komandanti legjendar, Adem Jashari, përherë do të qëndrojë në ballë të krenarisë sonë kombëtare si një frymëzues i brezave të ardhmërisë.
Fushë-Molla simbol i mirësisë, bujarisë, mikpritjes, strehë e të pastrehëve. Simbol i vuajtjeve, i mjerimit, i sakrificës. Simbol i qëndresës, i besës, i heroizmit. Aty poshtë, tek këmbët e Kalasë dardane, heroi ynë kombëtar-Skënderbeu, kishte lënë gjurmë: patkoin e atit të tij historik. Dhe, mu aty, bulbëruan edhe shumë lulëkuqe lirie, në mesin e tyre edhe komandant Ilaz Kodra e luftëtarët sypatrembur Ajet Prokshi, Antigonë Fazliu, Sejdi Kralani...Aty ngjau një hata, sepse siç shkruan poeti:
Nuk ndalej turri i djajve
Po nuk ndalej
As pushka e trimave çlirimtarë...
.
Libri “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99” është një simbiozë e shkëlqyer, ku rrezatojnë atdhedashuri: vargjet brilante, prozat poetike dhe ilustrimet që flasin shumë. Ky harmonizim e gërshetim ngjyrash ylberore, i ka mundësuar autorit për të na dhënë tablo realiste të një heroizmi e të një tragjizmi kombëtar me përmasa biblike.
Heronjtë e veprës janë prototipa realë që përfaqësojnë të gjitha shtresat e shoqërisë: janë fëmijë të pafajshëm, gra e pleq të mbetur, nxënës përplot ëndrra për ardhmërinë, luftëtarë e komandantë që vdekjen e shikonin drejt në sy e i thoshin plaç! Skalitja dhe portretizimi i tyre, është bërë në mënyrë individuale, e herë- herë edhe kolektive, ashtu siç edhe e patën fatin në aktin e fundit të asaj drame të përgjakshme kombëtare.
Tashmë s’ka dilema: Epoka ademjashariane kurorëzoi synimet tona shekullore, solli Lirinë e Pavarësinë dhe i hapi rrugë ribashkimit tonë kombëtar. Me këto ideale ranë në fushën e nderit të gjithë protagonistët e librit “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99”.
Rikujtimi dhe nderimi i dëshmorëve është një obligim moral, kombëtar e atdhetar. Të gjitha këto, ka mëtuar dhe i ka përmbushur autori Sheremet Prokshi dhe, besoj do të ndjehet më i lehtësuar, andaj edhe e përgëzoj dhe i uroj suksese e prurje të reja artistike.
Galicë, 24 tetor 2015
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen