Sonntag, 28. Juni 2015

“Zëri i Arbërit”, radio që përcjell mesazhe shqiptarie

  • Radio "Zëri i Arbërit" në Norvegji, më 2 korrik e kremton 14 vjetrin e punës së vet. 14 vjet përpjekje dhe punë e sukseshme, 14 vjet argat të palodhshëm të së vërtetës për shqiptarët, 14 vjet në shërbim të kuturës dhe traditave kombëtare, 14 vjet dëshmi e besnikërisë me dëgjuesit, 14 vjet shembull për të mirë se si duhet punuar...  

Nga Haxhi MUHAXHERI

Radio “Zëri i Arbërit” është musafiri më i mirëpritur në shtëpitë tona,  është radio që emiton programe të pasura me taban kombëtar. është radio që flet me gjuhë dashurie e respekti për njerëzit, është zëri arbëror që me vite përcjell besnikërisht dhe fuqishëm mesazhe të qarta shqiptarie… Kjo është arsyeja pse “Zëri i Arbërit” tash është bërë radio e dashur dhe dëgjohet gjithandej botës ku jetojnë shqiptarët. Kjo është arsyeja pse programet e kësaj radio dëgjohen nga njerëzit që u takojnë të gjitha moshave dhe profesioneve. Kjo është arsyeja pse përditë shtohen dëgjuesit dhe bashkëpunëtoret e saj. Dhe patjeter, kjo është meritë e punës vetmohuese dhe përkushtimit të stafit të saj të vyer dhe themeluesit e kryeredaktorit, Imri Trena.

Këto ditë “Zëri i Arbërit” po i bën 14 vjet të punës së vet të sukseshme, 14 vjet te përpjekjeve të parreshtura qe me shpirt e zemer të ju shërbej dhe të ju qëndroj besnik degjuesve të vet. Ndaj lirisht mund të thuhet se kjo radio,  me programet e veta të zgjedhura dhe të realizuara me shije, ka dhën një kontribut tejet të vleshëm në ngritjen e vetdijës së përgjithshme dhe në ruajtjen e dinjitetit moral, njerëzor e kombëtar të shqiptarëve të mërgatës; kontribut ky që drejtpërdrejt ka ndikuar në ruajtjen e kulturës dhe traditave nga kategoria e njerëzve që për shkaqe ekonomike e sociale janë detyruar ta braktisin atdheun, por asnjëherë nuk kanë reshtur që ta duan e ta nderojnë vendlindjen e tyre, asnjëherë nuk kanı reshtur të mburren e të krenohen për prejardhjen e tyre nga toka e shqiponjave.
 

Kësisoj, “Zëri i Arbërit” është bërë radio e dashur për mërgimtaret, sepse me laryshinë e pasur programore po e shuan mallin e tyre për vendlindjen dhe po i nxitë ata që ta duan edhe më shumë atdheun. Është bërë radio e dashur për fëmijë dhe shkollarë, sepse emiton programin që i dedikohet asaj moshe me titullin “E dua atdheun”. Është bërë radio e dashur për të gjithë ata që duan ta vën në provë diturinë e tyre, sepse emiton programin “Kuizi i diturisë”. Është bërë radio e dashur për dashamirë e artit dhe të letërsisë, sepse emiton programin shumë të pasur “Fjala artistike” ku prezantohen krijuesit e artit dhe lexohetn krijimet e tyre më të reja. Është bërë radio e dashur për familjët e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që i respektojnë bijt më të mire të shqiptarisë që janë flijuar për liri, sepse emiton me shumë përkushtim programin “Me yjet e lirisë”, ku përkujtohen të gjithë ata që me armë në duar i kanë dalur zot atdheut. Është bërë radio e dashur për dashamirër e tregimeve popullore, proverbave dhe anekdotave, sepse emiton programin shumë të qëlluar “Me thesaret e odave shqipotare”. Është bërë radio e dashur për rapsodet, sepse emiton këngët më të bukura folklorike. Është bërë radio e dashur për këngëtarët e muzikës popullore, sepse emiton këngët e tyre më të mira që kanë tekste të mira dhe tinguj burimor shqiptar. Është bërë radio e dashur për interpretet e muzikës së lehtë shqiptare, sepse emiton këngët e tyre që janë shëndrruar në hite. Është bërë radio e dashur për të pagjumët, sepse emiton drejtpërdrejt emisionin “Programi i natës” ku moderatori ju pëgjigjet thirrjeve të dëgjuesve dhe bashkëbisedon miqësisht me ta. Është bërë radio e dashur për të gjitha kategoritë dhe moshat e dëgjuesve, sepse me programin “Mikrofoni i deshirave tuaja” ua ka krijuar atyre mundësinë për të kërkuar këngët që duan ti dëgjojnë. Është bërë radio e dashur për njerëzit e angazhuar dhe për ata që kanë arritur për ti dëshmuar sukseset e tyre ne lëmi të ndryshme të jetës, sepse në emisionin "Ftesë në studio" ua ka krijuar mundësinë që ata të rrëfehen lirshëm dhe të bashkëbisedojnë shtruar me kryeredaktorin dhe degjuesit për veprimtarine e tyre dhe formën e angazhimit, për sukseset dhe të mirat që ia kanë sjellur shoqërisë.
 

Stafi i radios shqiptare “Zëri i Arbërit” në Norvegji, për 14 vjet radhazi ka bërë përpjekje tepër serioze për tu paraqitur në mënyrë sa me të dinjitetshme para dëgjuesve dhe për të na bindur se përnjëmend janë argat te së mires, që duan e dinë të punojnë dhe se kanë për qëllim qe më krenari ti shërbejnë kulturës, artit dhe begatimit të mirëqënies shqiptare. Dhe vërtetë kanë arritur që ta realizojnë misionin e tyre madhor që ia kishin ngarkuar vetës. Prandaj e meritojnë të përgëzohen.

Stafi i radios “Zëri i Arbërit” për 14 vjet të veprimtarisë se vet ka bërë një punë vërtetë të vleshme që patjeter meriton të respektohet, por mundi i tyre asnjëherë nuk është shperblyer. Ata nuk kanë marrur paga për përkushtimin dhe kohën që ia kanë falë moderimit dhe menagjimit të radios. Shperblim i vetëm për ta ishte përkrahja e sinqertë morale e dëgjuesve që shtoheshin përditë dhe urimet e tyre që ata të kishin edhe me shumë sukses në punën fisnike qe bënin. Prandaj e meritojnë të falendërohen, prandaj e meritojnë qe të përkrahen, prandaj e meritojnë qe të ndihmohen nga njerëzit e vullnetit të mirë.

Stafit i kësaj radio nuk ka pasur fatin qe të kenë kushte të mira të punën, nuk ka pasur fatin qe të kenë hapsirë të mjaftueshme dhe studio moderne, nuk ka pasur fatin qe të kenë aparaturë dhe teknologji të reja; por atyre asnjëherë nuk ju ka munguar dashuria për punën dhe vullneti për të qenë në shërbim te së mirës. Prandaj ata sot janë shembulli i suksesit dhe i krenarisë, janë shembulli më mire se si duhet punuar, janë shembulli që duhet ndjekur edhe nga koleget e tyre të radiostacioneve tjera shqiptare e private.

Radio "Zëri i Arbërit" më 2 korrik e kremton 14 vjetrin e punës se vet. 14 vjet përpjekje dhe pune e sukseshme, 14 vjet argat të palodhshëm të së vërtetës për shqiptarët, 14 vjet në shërbim të kuturës dhe traditave kombëtare, 14 vjet dëshmi e besnikërisë me dëgjuesit, 14 vjet shembull për të mirë se si duhet punuar...  


Suksesi i këtij radiostacioni pikësepari i ka gëzuar ata që për 14 vjet kanë bërë mund të madh qe më punën e tyre të lën gjurmë në kohë. Por njëkohësisht dhe padyshim, suksei i kësaj radio I ka gezuar edhe degjuesit dhe bashkëpunëtoret e saj besnik, më ka gëzuar edhe mua si autor i këtij shkrimi. Prandaj e meritojnë tu thuhet JU LUMT ! Prandaj e meritojnë urimin më të sinqertë me fjalët: JEHONA E ZËRIT TË ARBËRIT U DËGJOFTË ME SHEKUJ !

Austri, 28. 06. 2015






Opinione për radion "Zëri i Arbërit "

Ka disa kohë që jam bërë edhe vet degjues fanatik i  Radios "Zëri i Arbërit", i kësaj radio që falë programeve të pasura dhe materialeve të zgjedhura që emiton, ka bërë për vete shumë degjues dhe në mesin e tyre edhe nje numer të koniderueshem intelektualesh, si: shkrimtar, piktor, aktor, punetorë të arsimit, mbledhës të folklorit etj. Për ketë arsye vendosa qe të marr opinionet e disa miqëve të mi që janë dëshues të programeve të kësaj radio. Dhe, për te ju mbetur sa më besnik opinioneve të tyre, po i publikoj ato ashtu si më kanë arritur. /H.Muhaxheri/


RAGIP KÇIKU, krijues letrar - Kosovë:
Këto ditë  Radio "Zeri i Arberit" shenon 14 vjetorin veprimntarisë të cilës i urojmë nga zemra "ditëlindjen" e një zëri të pavarur dhe të ndritshëm të gjuhës shqipe. radio "Zëri i arbërit" është një dritare e eduimit estetik të shqiptarëve që jetojnë në kurbet për të cilët shumë pak janë në shërbim mediet vendore. Gjithë stafit të kësaj dritareje i uroj nga zemra shëndet dhe suksese!


SABIT ABDYLI, shkrimtar - Zelandë e Re:
Radio “ Zëri Arbrit”, si asnjë radio tjetër shqiptare në internet, falë moderatorit të saj z. Imri Trena ka gjetur mënyrën për të komunikuar aq afër, aq shqip, aq lirshëm e bukur me mërgimtarët shqiptarë nga katër anët botës. Mesazhet miqësore të dhëna me sinqeritet e zemër nga studioja e radios nxisin emocione te forta malli dhe respekti për fjalën e shkruar shqipe, këngët dhe muzikën e mirëfilltë tonën. Temat e përzgjedhura për të cilat debatohet drejtpërsëdrejti me dëgjuesit janë të karakterit edukativ, janë në shërbim të ruajtjes së vlerave më të mira kombëtare. Dëgjuesit e shumtë nga Evropa, Amerika deri edhe në Zelandën e Largët, flasin për sukseset, hallet, pse jo, edhe për dobësitë, ndarjet, inatet partiake e klanore që po pengojnë ecjen tonë përpara. Në mesin e dëgjuesve ka analistë, poet, shkrimtarë, humoristë e piktorë që e begatojnë programin e radios...


FRAN TANUSHI, poet – Gjermani:
Radio Zëri i Arbërit është një radio të cilën e përcjellë përherë kur kam kohe. Stafi i kësaj Radio i drejtuar  me përkushtim dhe profesionalizem nga  z. Imri Trena, përdite e më shumë arrinë qe këtë stacion te e bëjë  pjesë të shumë familjeve shqiptare në atdhe dhe veqanarisht në diasporë. E përgezojmë z. Trena dhe gjithë stafin e kësaj radio në ketë përvjetorë. Njëherit i deshiroj dhe dëgjueseve te saj besnikëri në përcjellje të programit të larmishem të Radio ZËRI i ARBËRIT. Përshendetje dhe respekt dhe punës suaj ne të mirë të letërsisë dhe kulturës shqiptare, Haxhi i nderuar…


AGIM GASHI – Drenica, poet - Francë:
"ZĒRI I ARBERIT" nuk ēshtē  veq radiostacion por edhe institution. E gjithē kjo ēshtē arritur falē punēs se palodhshme te familjēs atdhetare Trena.Padyshim meritat ma te mēdha i ka strumbullari i saj krijuesi dhe moderatori i shkēlqyrshem Imri Trena.
Nē këtē kohē kur çdo gjē komercializuar ēshtē e pabesueshme si ia arritē qe kjo radio tē mbijetoj dhe tē emetoj programme cilēsore qe edhe radiot prestigjiize me shume mjete dhe donavione,do ia kishin lakmi. Ketē e arrit vetem njē ardhetar çfare ēshtē Imri Trena. Dhe atē me te vetmin qellim , qe bashkatdhetarēve te vet t’ua sjell nga pak atdhe ku do qe janë nēpēr botē.
Andaj, ne vigjilje te pērvjetorit te 14 te punēs se kēsaj radioje ,fillimisht mikut Imri Trena dhe famikjēs Trena jetē te gjatē dhe shendet. Kurse radio "Zeri i Arberit" past jetē tē gjatē sa te jeton kombi shqiptar!


FEHMI SPAHIU, Vöcklabruck - Austri:
Radion "Zëri i Arbërit" kam filluar ta dëgjoj para disa kohe. Tash "Zëri i Arbërit" është bërë radio ime që e dëgjoj më shumë kënaqësi. E dëgjoj, sepse njeriu ka se çka dëgjon në këtë radiostacion, falë punës vetmohuese të kryeredaktorit, krijuesit dhe veprimtarit të palodhshem, z. Imri Trena dhe kontributit të bashkëpunëtorëve të tij besnik.


AVNI ALIMUSAJ, München - Gjermani:
Radion "Zëri i Arbërit" e dëgjoj une dhe shumë miq të mi. E degjoj këtë radio, sepse ajo me programet e saja të zgjedhura është bërë radiostacioni më i dashur për ne dhe duke e degjuar atë, ndjehemi më mirë. Njehemi mirë, sepse aty gjejmë mesazhet me të mira për njerëzit, për dashurinë, për krenarinë, kulturën dhe historinë shqiptare.

XHEVAHIRE RAMA, Palermo - Itali:
Ka kohë që radio "Zëri i Arbërit" është bërë njëra nder radiokanalet që dëgjohet më së shumti në familjen time. Dëgjohet kjo radio, sepse në programet e saja të pasura e gjejmë vetën të gjithë. "Zëri i Arbërit" liritsht mund të radhitet si njëra ndër radiot private më serioze shqiptare dhe kjo është arsyeja qe ajo na ka bërë për vete.


SINDRIT UKMATA, Richmond (Virginia) - SHBA:

Një miku im nga New Yurku më ka shkruar një ditë: "Kërko në internet radion "Zëri i Arbërit" po deshe ti japesh trurit ushqim shpirterorë!". Menjëherë e kërkova në internet dhe kësisoj fillova ta dëgjoj radion "Zëri i Arbërit". Vërtetë u binda për atë që më shkruante miku im. Është radio që ka programe të larmishme dhe të përzgjedhura me shije. Për programet e pasura të kësaj radio i kam informuar edhe shumë miq të mi në shtete te ndryshme të Amerikës, në Kanada, në Europe dhe në Shqipëri. Të gjithë më kanë falenderuar dhe tash e dëgjojnë me kënaqësi ketë radio. Ndaj, mua s'më mbetet tjeter veç ti uroj suksese Stafit të vyer të radios "Zëri i Arbërit"!


ERMIRA STEFALLARI, Tiranë - Shqipëri
Radion "Zëri i Arbërit" e kam gjetur rastësisht në internet dhe me tërhoqi emri i saj. Thash vetmevete: "Pse mos ta dëgjoj njëherë?!". Ditën e parë kur e hapa faqen e saj, dëgjova qe më shumë dashuri dhe respekt deklamoheshin vargjet e poeteve. Heren tjetër më nxiti ta dëgjoj muzika e zgjehur me shumë shije që emitohej dhe tash pothuajse jam bërë dëgjuese e pasionuar e kësaj radio. Uroj që radio "Zëri i Arbërit" të ketë suksese edhe me të medhaja në pasurimin e programeve të saja që jep për dëgjuesit!


MENTOR GASHI, Amposta - Spanjë 

Ka bukur do kohë që ne ketë zallamahi radiostacionesh në internet unë kam zgjedhur ta dëgjoj radion "Zëri i Arbërit". Aty jepen këngët me të mira popullore dhe folklorike, jepen këngët që ta kënaqin shpirtin, këngët e vërteta shqiptare. Aty i dëgjoj tregimet, anekdotat dhe proverbat nga thesari ynë i pasur popullor. Aty dëgjoj prurjet me të reja poetike të krijuesve shqiptar. Aty e degjoj zërin e vërtetë arbërorë. Kjo radio dëgjohet nga të gjithë pjestarët e familjës sime. Kjo radio na e heq mallin për vendlindjen dhe na e shton dashurinë për atdheun. Përshenbdetje dhe urimnet me të mira për themelusein e saj z. Imri Trena, stafin që po e moderon dhe për bashkëpunëtorët serioz që ka!

Donnerstag, 25. Juni 2015

Haxhi Muhaxheri: DRIDHJA TELAT ASAJ SHARKIE



Haxhi MUHAXHERI

DRIDHJA TELAT ASAJ SHARKIE

               /Mikut tim, rapsodit Agim Gashi/

Dridhja telat asaj sharkie
E thuaja këngës më të bukur që di
Le të pëlcas farë e keqe
E shqipet të ngriten në lartësi

Dridhja telat asaj sharkie
Kënga t'marr udhë shtigjeve të plisit
E dielli të na i ngroh ëndrrat
Damarëve të gjymtuar të fisit

Dridhja telat asaj sharkie
Zëri le të buçasë si rrufe
Dridhja telat asaj sharkie
Me mallin e ndezur për atdhe

Dridhja telat ore lum miku
Le të shkërmoqen të gjitha magjitë
Dridhja telat asaj sharkie
Dhe lutu të ketë më shumë dritë

Dridhja telat asaj sharkie
Dridhja e këndo si përhera
Me gjuhë e fjalë perëndie
Se veç kështu vjen pranvera

25. 06. 2015 

Dienstag, 23. Juni 2015

Shaban Pllana - Fjalët e gurta


1. ATDHEU
 

atdheu është si guri i poshtëm i mullirit
nuk lëviz asnjëherë qëndron stoik
por pa të guri epërm që sillet s`bluan dot.


2. U NGJITËT NË MAJA
(Akrostik)
 

U ngjtët në maja të majave
Ç ilët si lulebore lajmëtare
K ishit skalitur fjalën LIRI në lule të plagëve.



3. LIRIA
 

krushku i parë krushkëron trimërisht
dora i digjet në flamur
liria numëron hapat e ardhjes.



4. LIRIA S`ËSHTË …
 

krisi…
në male e…
liria s`është mysafir i paftuar.



5. NË VARGJE TË GURTA
 

vetëm vargjet e gurta
të ngjyrosur në ngjyrë gjaku
mund ta bartin madhështinë e heronjve



6. NDRIQIMI I RRUGËS SË LIRISË
 

para agut
trimat i ndezin pishtarët në tyta të pushkëve
për t`ia ndriçuar rrugën lirisë.



7. LULET E LIRISË
 

pikat e gjakut të trimave
ujiten lulet e mbjella të lirisë
në kopshtin e atdheut.



8. KULAÇI I LIRISË
 

kulaçin e lirisë e shtruam në livadh të atdheut
i thirrëm trimat e maleve me pushkë të zjarrta
tepsia e rrokullisur pas drekës ra mbarë.



9. USHTARËT E LIRISË
 

ushtarët trima të lirisë
janë lule të kopshtit të atdheut
që zbukurojnë faqet e historisë e tij.



10. DËSHMORËT
 

u linden
për të vdekur për këtë dhe
vdekja ua fali përjetësinë.



11. LAVDI DËSHMORËVE
 

emrat tuaj
qëndrojnë vertikal në lapidarë
lavdia bie mbi ju.



12. DHURATË E DËSHMORIT
 

eshtrat vrima-vrima shpuar nga plumbat
dhuratë le t`i mbeten atdheut
t`i bëjë fyej që me ta t`i këndojë këngë lirisë.



13. KUR T`EPET KUSHTRIMI
 

kur t`epet kushtrimi
të bijtë e shqipes i qepen malit
me sy në tyta të grykëhollave të flakta.



14. RREZET E FISIT
 

Mici në grykë të topit Sefa në majë të lisit
Ademi në frëngji të kullës Zahiri pushkën në maje plisit
rreze lirie që ia zbardhen fytyrën fisit.



15. HARTA E ETNISË
 

në sytë e tyre pishë vizatuan hartën për etni
Ademi e Zahiri me shokë shumë
fluturuan mbi male dhe hynë në përjetësi



16. HYRJE NË BALADË
 

jehon krismë pushke në male
Zahiri thërret trimëritë e trimave
të rreshtohen për të hyrë në balada.



17. NORA E KELMENDIT
 

ia kishte venë syrin ta çonte për ta zbukuruar haremin
shpata e Norës ia preu ëndrrat Vuqe Pashës dhe kokën
lum ajo që për ruajtje nderi ndërroi jetën me vdekje.



18. SHOTE GALICA
 

Shota fluturonte mbi Qiqavicë
korbat krrakatnin nëpër kaçuba
Shotë moj, sa armiq latë pa koka nëpër Drenicë me Azemin?



19. FEHMI DHE XHEVË LLADROVCIT
 

fejesën shpallët para xhelatëve në gjykatore
plumba mbollët nëpër koka të armikut maleve të Kosovës
të përqafuar përqafuat vdekjen jetën ja dhuruat trofe atdheut.



20. FOLEJA E TRIMËRISË
 

nëpër fjalët e mëdha s`është rruga për në folenë e trimërisë
rruga për në folenë e trimërisë është
nëpër tehun e shpatës e jo nëpër majën e gjuhës..



21. PËRMENDORJA
 

u ngjitën u ngjitën për ta kapur diellin
kush binte në këto beteja ua merrnin eshtrat
me të cilët ngritën përmendore për ta.



22. T`IA ZBARDHIM FYTYREN ATDHEUT
 

syrit t`ia ikim gjumin
faqes t`ia falim pushkën
po deshëm t`ia zbardhim fytyrën atdheut.



23. NDERIMI I TË RËNËVE PËR LIRI
o njerëzit e mi
nëse dëshironi t`i nderojmë të rënët për liri
të veprojmë pa reshtur për të mirën e atdheut.



24. I MBYLLËM UDHËKRYQET
 

rrugëtimit tonë të gjatë nëpër rrudhat e historisë
ja mbyllëm të gjitha udhëkryqet
vetëm duke ecur vertikal gjalluam që nga ILIRIA.



25. PLISI
 

në guri të fortë guri
në maje të gurit plisi
mbrojtës i Ilirisë.



26. NË ECJEN E MADHE
 

në ecjen e madhe drejt lirisë
bëje hapin të kujdesshëm
ruaju rrezikut të rrëshqitjes.



27. EVROPA I MBYLLTE SYTË
 

kurdoherë që katallanjtë e kafshonin ILIRINË
Evropa bënte sehir me sy mbyllur
kurrë s`ia shëroi plagët e kafshimit.



28. I KËNDOJMË KËNGËT
 

në gërshetat e krenarisë
i këndojmë këngët
të cilat u shkruan me gjakun e trimave.



29. ADN-ja E FISIT TIM
 

nëse kërkoni ADN-në e fisit tim
do ta gjeni nëpër eshtra që kanë mbetur këtyre gurëve
në ngarendje për t’i vrarë ujqit.



30. FJALË TË GURTA
 

me lot na ushqyen nënat
në ta na i njomën ca fjalë të gurta
që t`na e shtojnë gurësin në këto troje.



31. GURI
 

e sa herë na i ke lëpirë shputat
e sa herë na je bërë mburojë
tytat me ty na janë puthur për ta vrarë ujkun



32. GURËSI GURI NË KULLË
 

gurësi guri në kullë
sy e tytë në frëngji
trimëri në brendësi



33. PLISAT
 

plisat e bardhë të skuqur
lulet e plagëve skalitur në lule
dielli lindi nga këto lule



34. EMRAT SKALITUR NË GURË
 

emrat e heronjve skalitur në gurë
ata gurë i vumë në themele të kullës në mur
ujqërve ju thërrmuan dhëmbët



35. ËNDRRAT E PËRGJAKURA
natën e patëm shumë të gjatë
na mbyten ëndrrat e përgjakura
diellin e thërritnin krismat e dragonjve në male



36. QEPALLAT KURRË S`NA I TERI ERA
 

qepallat kurrë s`na i teri era
baroti solli aromë lirie
në fushat e atdheut



37. ATJE GJETËM LIRINË
 

në njelmësinë e lotit
patëm varë ujëvarë shpresash
në gjakun e luftëtarëve e gjetëm lirinë.



38. TË HYSH NË BALADË
 

me sytë e verbër të Homerit
shikoje jetën në balada
vetëm rrugës së trimërisë mund të hysh në to



39. EDHE NËSE BIEN LISAT
 

edhe nëse bien lisat
madhështia e tyre mbetet përgjithnjë
në vargje të këngësh dhe në faqe të historisë.



40. PRAGU I DERЁS
 

qëndron prag në derë
që të mos na shkelë brenda pragut
mysafir i paftuar



41. LIS E PLIS

lis plis lis plis lis plis
ky është i imi fis
që i përballoi gjithmonë stuhisë



42. KRIMBI NË LIS
 

piskat krimbi në lis
në lisnajën e sakatuar të atdheut ?
për lisin e prerë… dhe për vete.



43. LE TE RUHEN LISAT
 

le të ruhen lisat
që të shpëtojnë kaçubat
korbave t`u qesim barot në sofër



44. SËPATA PRET LISAT
 

në stuhira sëpata e armikut
pret vetëm lisat
kaçubave u rri orl mbi kokë t`ua thith gjakun



 45. ESHTRAT TANË
 

në eshtrat tanë mbinë lulet
në lule çelën zogj
që fluturimin ia falën dritës



46. FYELLI DHE ESHTRAT
 

pip në këmbë
eshtrat fyell
së largu dëgjohej zëri i lirisë



47. NË SHPATIE TË ATDHEUT
 

lëviznim çdo gur në shpatie të atdheut
nëpër ta të thithnim aromën e lirisë
që na mungoi në shekuj



48. NËPËR KOHËRA
 

nëpër kohëra të kobshme
armiqtë shpesh na lnurën me kërhanë dreqi
fatmirësisht s`na mori vdekja që na e dëshiruan



49. E KAPËM GJARPRIN
e kapëm gjarprin
ia thyem dhëmbët helmues
me të cilët na pati helmuar me shekuj



50. HISTORINË E SHKRUAM ME GJAK
 

historinë e shkruam me gjak
gjithnjë duke i mbrojtur trojet
të cilat na i çkafitnin lakenjtë fqinj



51.  RROTA E HISTORISE
 

sa herë u soll rrota e historisë
ne na shkeli e na ndau në copa
historia gjithnjë ishte njerkë për ne



52. SI ËNDËRR
 

ëndërr sikur ja dhamë gjoksin malit
eh si u ça mali
satana nga maja ra në theqafje



53. PUSHKA
 

trupin dru e hekur
zemrën barot e zjarr
në dorë të trimit flakë lirie



54. LEHJA
edhe nëse lehin qentë vazhdo ecjen drejt lirisë
nëse rastësisht ndalet lehja ki kujdes,
jo jo…qentë s`e ndalin lehjen



55. PËRTEJ URËS
 

krrakamë korbash gjaku shkon rrëke
përtej urës
kufomat e dëshmorëve i buzëqeshin lirisë



56. GJELI I KUQ
një gjel i kuq mbi një gardh me këngën e tij
na i numëronte orët e fundit të robërisë
dhe lajmëronte orët e para të lirisë



57. ECJA VAZHDON TUTJE
në ecjen tonë
edhe kur na ngadalësohej hapi
ecja vazhdonte tutje drejt lirisë



58. BARIU
 

delet shpërndarë monopateve të atdheut
bariu luan një melodi fyelli nga eshtrat e shpuar
askush s`i njeh oreksin e ujkut si bariu.



59. JEMI DËSHMITARË
jemi dëshmitarë të kësaj kohe
vijmë nga kohë të vrugëta
hapat të përgjakur i patëm.



60. ESHTRAT E VËLLAIT
 

edhe eshtrat ruaja vëllait
se ata do të nevojiten
për ta trembur ujkun.



61. DASHURI PËR LIRI
 

dashurisë për atdhe dhuroi sa më shumë dashuri
dashurinë për atdhe dashuroje dashurisht bëhu fli
nëse do që dashuria për liri të jetë vërtet dashuri



62. LINDJA E DIELLIT
 

herët është dashur
të kthehemi nga perëndimi
për ta parë lindjen e diellit



63. SI NË TROJËN E LASHTË
 

në këto troje nganjëherë
tradhtia u bart mbi potkoj
si në Trojën e lashtë

_______________
Cikël TERCINASH nga libri në dorëshkrim "333 TERCINA "

Mittwoch, 17. Juni 2015

Haxhi Muhaxheri - TAKIMI IM I FUNDIT ME GANI XHAFOLLIN

Në kujtim të shkrimtarit 

Gani Xhafolli: "E ndjej veten si të isha djal i ri !"

Nga Haxhi Muhaxheri

Lajmi për ikjen e mikut

Lajmi i trisht dhe i papritur për ikjën e Gani Xhafollit ma ndali frymën. U shtanga për një çast dhe nuk doja ta besoja. Pas pak u futa në internet. Në kërkuesin e internetit e shënova emrin e shkrimtarit. Dhe si për ironi, me dhjetra gazeta, revista e portale jepnin kumtin "Ndërroi jetë shkrimtari...", "Vdiq shkrimtari..."
       "O zot!" - klitha
Pse vallë jemi kaq të pa kujdesshëm për njerëzit përderisa i kemi pranë?  Pse nuk dijmë apo nuk duam ta respektojmë njëri tjetrin përderisa të jemi në ketë botë? Pse nuk dijmë apo nuk duam ti nderojmë vlerat njerëzore e krijuese të atyrë që gjithë jetë janë përpjekur për të na dhuruar vepra të mira letrare dhe artistike? Pse kemi harruar ta duam dhe respektojmë njeri tjetrin për të gjallë?

Pothuajse asnjëra nga gazetat, revistat dhe portalet e shumëta shqiptare që jepnin kumntin për ikjën e shkrimtarit, nuk ishin kujdesur që përderisa ai ishte gjallë të publikonin ndonjë pjesë nga krijimtaria e tij! Pothuajse asnjëra prej tyre nuk ishte interesuar të bënte së paku një bisedë me shkrimtarin që atij ti jepej mundësia të fliste për punën e vet krijuese dhe të merrnin ndonjë opinion nga ai për rrjedhat e letërsisë! 

Veq portali "Ora shqiptare" dhe "Bukureza" (Revistë elektronike për fëmijë) ishte kujdesur disa vite më parë për ta publikuar biografinë e shkrimtarit bashkë me një tufë me poezi. Kurse tash, pothuajse të gjithë shërbyer nga këto dy faqe internetike dhe askujt nuk i kishte shkuar mendja që ta shënonte se prej nga e ka marrur materialin!


Ai ishte ndryshe

E kisha mik dhe bashkëpunëtorë të mirë. Bashkë me Ganiun kemi organizuar dhe mbajtur shume manifestime letrare anë e kënd Kosovës dhe në kohë tejet të vështira, atehere kur pushtuesi përpiqej me të gjitha format ta mbyste fjalën shqipe. Bashkë me Ganiun kemi përgatitur faqe të ndryshme të revistave dhe gazetave. Bashkë me Ganiun kemi kaluar jo pak rreziqe në kohën kur njerëzit e hekurt provonin të na i ndalnin edhe rrezet e diellit.

Ganiu ishte mik i mirë dhe shumë i dashur, ishte njeri besnik dhe i guximshëm, ishte shkrimtar që nuk reshte së kërkuari përsoshmërinë e shprehjës artistike. Ai ishte ndryshe nga të tjerët. Ndryshe ishte në dukje, ndryshe ishte në jetë, ndryshe ishte në shprehje, ndryshe ishte në krijimtari. Ganiu ishte njeri i veçantë në plotkuptimin e fjalës. Ishte Ganiu i ynë që më fjalët dhe humorin e tij të çiltër na e shtonte disponimin. Ishte Gani Xhafolli që njerëzve u jepte veç dashuri. Ishte Gani Xhafolli që edhe fjalët i kishte të ngjyrosura me art.


Takimi i fundit me shkrimtarin

Herën e fundit me Gani Xhafollin u takum para dy vitesh në Prishtinë. Kur e pyeta se si ishte me shëndet, ai më është përgjigjur kësisoj:
       "Kurr më mirë nuk kam qenë. E ndjej veten si të isha djal i ri !"
Mëpastaj nxori nga çanta një album me fotografi dhe më tregoj për shtëpinë e re që e kishte ndërtuar pas luftës. Ishte vërtetë një shtëri shumë e bukur që më ngjante në pallatet mbretërore. 
      "E gëzofsh! - i thash.
Mëpastaj shkuam në një kokal ku pihej rakia. Më gostiti si shumë herë më parë. Biseduam gjerë e gjatë, për të kaluarën, për të tashmën, për miqët që na mungonin, për letërsinë dhe rrjedhat e saj. Më tha se kishte shumë plane për vepra të reja. Më tha se edhe në ëndërr i vinin idetë dhe frymëzimet! Më tha se shumë shpejt do të dalë para lexuesve edhe me një dyzinë librash të rinj. Më tha se jetën ia bënin edhe më të bukur tridhjetë e tri dashnoret e tij! Më tha se përditë përtërihej, rinohej dhe i vinin energji të reja! Më tha se të ai kishte ngjarë e pazakonshmja, se vitet kishin filluar ti ecnin së prapthmi! Më tha se ndjehej sikur të ishte mbret! Më tha e ç'nuk mı tha miku im i mirë... Dhe koha iku shumë shpejt e pahetueshëm. As vet nuk e di se sa gota i kemi zbrazur. Kurr nuk më ka shkuar mendja se ai mund të ishte takimi ynë i fundit.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për shkrimtarin Gani Xhafolli! Ai ishte vërtetë mbret i fjalës...



Poezi nga Gani Xhafolli

ZEMREN E KAM PLOT OQEANE

UNË JAM gani xhafolli
Zemrën e kam plot dritare
zemrën e kam plot unaza
zemrën e kam plot oqeane
zemrën e kam plot ajër
e plot diell
e kam plot dete
e plot zogj
e kam plot rrugë
e plot pemë
e kam plot lule
e plot dashuri
e kam plot bletë
e plot këngë
nuk e kam
asnjë miligram
urrejtje
 
 
 
KAM FLUTURUAR
       SHPESH
 
Erdhi koha të kthehem
në atdhe e t’u marr erë luleve
+ pemëve në degë
shtëpinë e kam parë shpesh
ëndërr
kam fluturuar mbi
pemë e mbi kroje
duart e gjyshes i kam
vizatuar çdo javë
do të pi ujë çdo orë
do të ha pemë të vendlindjes
çdo ditë
diellin do ta fotografoj
çdo mëngjes
 
 
DASHURIA U DUHET
TË GJITHA FAQEVE
 
Shumë bëhem nervoze
kur në mbrëmje
ndalet rryma
e librat mbesin në terr
nuk ka faj Luli që
nganjëherë i ha gishtat
zemra ime kërkon
sa më shumë këngë
JAM shumë e vogël
për nervozë
dashuria u duhet
faqeve e të gjitha luleve
 
 
NUK DI PSE GAFORRJA
       EC MBRAPSHT
 
E kam pyetur gjyshin
më ka thënë NUK DI
e kam pyetur një vajzë
në Francë
 
PYETE LUMIN
në vendlindje e
kam pyetur një ditë
GAFORREN në
Danimarkë
nuk di pse iku prej meje
kur unë nuk jam polic
 
 
 
DIELLI SHKRUAN
 PROZË NË FAQE
 
Kur e përqafojmë gjyshen
në mbrëmje
zgjohemi më të ëmbël
në mëngjes
e dielli shkruan prozë
në faqe
që mund të lexohet
vetëm me puthje
edhe hëna shkruan poezi
me buzë moderne
 
 
 
PJESHKAT I KA
 ZËNË GJUMI
 
Pjeshkat në katund
i ka zënë gjumi
presin dorën time
të butë
nw ëndërr i lexojnë
vargjet prej rëre
gjethet këqyrin
mos po më shohin
në rrugë
u kujtohet kur isha
zog mëndafshi në degë
dhe ylber në mollë
 
 
 
JAM BËRË SI
LEJLEK I LODHUR
 
Kam kohë tepër pak
të shkruaj vjeshta
është ulur mbi flokët e mia
dhe u jep krejt ngjyrë
bryme
 
jam bërë si lejlek i lodhur
 
ENDE nuk e kam harruar
MOLLËN në Toplicë
të gjyshit e gjyshes
 
më kujtohen të gjitha
dyert me zog flamuri
 
JAM lodhur shumë
prej malit në mal
prej trenit në tren
më duket 1000 vjet i kam
 

DËSHIRË GJATË NJË
NATE KUR FLUTURA
ISHTE NË MËRGIM
 
Ah sikur ta kisha një kalë
të bardhë
një kalë të bardhë
që fluturon përmbi pyll
e përmbi fusha
 
ah sikur ta kisha një mollë
një mollë të artë
një mollë të artë
një mollë të artë të Çamërisë
ose të Shkodrës
do të isha nisur
drejt fluturës
 
 
 
DY JAVË KA QARË DEGA
 
Mos ua thyeni pemëve duart
sepse mërziten tepër gjethet
e nuk i merr gjumi
dhe qajnë në heshtje
 
edhe shiu nuk e ndjen
veten mirë
 
një qershi është ankuar
shumë
kur një djalë ia ka thyer
pesë gishta
dy javë ka qarë dega
 
 
 
DASHURIA ËSHTË
ME SHUMË ZEMRA
 
Dashuria është e ëmbël si molla
E përqafon një ylber të vogël
Kënaqesh
Dashuria është me shumë zemra
I duhet lumit
I duhet detit i thua MERRE
Me dashuri e hap derën
Kur vjen dikush dhe i qet kafe
Me dashuri zgjohesh
Në mëngjes për një përqafim
Të diellit
E katër përqafime të nënës
Dashuri është edhe kur mbyll
Derën kur shkëlqen hëna
 
 
 
ÇDO DITË
FLET ME DIELL
 
Kur erdhi Skënderbeu
Në Prishtinë
Motra lindi djalë
Emrin e mori Trim
Skënderbeu në KALË
Diçka i thoshte dielli
HIJE I KA SHPARA
KALI i këqyri retë
E kishte marrë malli
Për krejt Dardaninë
ENDE s;e merr Gjumi
As KALIN as Gjergjin
të flet me DIELLIN
 
 
 
     DIKUR EDHE
TREGIMET PLAKEN
 
Sigurisht e keni parë
Peshku ha pa duar
Noton pa këmbë
Dimrit nuk di a nerth shumë
Dhe a ia di emrin botës
Edhe unë kam qenë peshk
Në barkun e nënës
Tash jam gjysh me mjekër
Edhe unë çuditem qysh i
Shkruaj vjershat e reja
E di: dikur edhe tregimet plaken
Pikëpyetjet a i lexon dikush
Plaket edhe banesa dikur
Plaket edhe nëna
Edhe makina e shkrimit
Dielli pikëpyetje a plaket
 
 
 
KUR FLUTUROJNË
BUZËQESHJET
 
E njoh një vajzë
I ka dy bylbyla
Në zemër
Këndojnë kur ajo
E vizaton diellin
Dhe mbjell lule
 
Këndojnë kur ajo
E shkruan fjalën
atdhe
 
këndojnë kur nëna lind djalë
dhe fluturojnë buzëqeshjet
 
 
 
DIÇKA MË KA DHËNË
        NJË KËRMILL
 
Jam munduar shumë
Ta shkruaj një vjershë
Të verdhë në vjeshtë
I kam lutur të gjitha
Lulet të më ndihmojnë
Edhe lumin
Edhe hënën
Diçka më ka dhënë deti
Diçka më ka dhënë pylli
Diçka më ka dhënë kërmilli
Diçka një patë e egër
Diçka më ka dhënë
Një vetull e një vajze
Diçka një krah i një fluture
Diçka më ka dhënë
Një buzëqeshje xheloze
 
 
 
      VJERSHAVE
U RRITET BUKURIA
 
Flokët i rriten Lises
dhëmbët i rriten Gentit
duart i rriten hënës
këmbët i rriten Yllit
e pëllumbave u rriten
krahët
 
plepave u rriten gjethet
dardhave u rritet bishti
mua më rriten vjershat
vjershave u rritet bukuria
 
 
 
KAM HARRUAR
SI DUKEJ SHTËPIA
       E VJETËR
 
Kam harruar si dukej
shtëpia e vjetër
me dy dhoma e një kuzhinë
me pak lugë e tri dritare
do ta pyes Agim Devën
dhe tash e shoh pak
Shtëpinë e Re
nuk di a ka dritë mbi kulm
nuk di si duken pikturat
e mia në terr
dhe a mërziten
që nuk i shoh mirë
të martën do të shkoj
në spital
kam menduar se do të shihja
edhe pa dritare
nuk di si duket as liria
as fletorja e parë
e bukurshkrimit me një zog
 
 
 
LETËR MOTRËS
 NË GJENEVË
 
E vogël ishe
kur të puthte era
kur të buzëqeshte
shiu
nën kumbulla dhe degë
fustanin e kishe
me ngjyra
 
e vogël ishe atëherë 
kur u ke kënduar
gjetheve
dhe një cope buke
flamurin e ke vizatuar
tinëz në shuplakë
 
mos i harro ëndrrat
mos e harro nënën
as hijen tënde të vogël
 
MË KUJTOHET kënga JOTE:
ende ka shumë borë


.   .   .
Biografia e shkurtër e shkrimtarit

Gani Xhafolli u lind në fshatin Drenofc, afër Prishtinës, më 25 nëntor 1942. Ka kryer Akademinë pedagogjike në Prishtinë. Ka punuar në arsim: në Drenofc, Barilevë, në Lipjan dhe në Magure, si mësues. Mëpastaj ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës prej vitit 1979 redaktor në programin për fëmijë deri në 1990, kur pushteti okupues i Beogradit e dëboi me dhunë nga puna së bashkume 1340 punëtorë të RTP-së. Ka fituar shume çmime letrare.
Gani Xhafolli ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare në Prishtinë, më 16. 06. 2015

 

Disa nga veprat e botuara:

  1. TE PORTA E EDHAVE.
  2. ZOG SHIU (poezi) 1979.
  3. ËNDRRA NË SHUPLAKË (poezi) 1981.
  4. ZOGJËT FLUTUROJNË MBI LULE (poezi) Tiranë,1984.
  5. VJERSHEN S’E ZË GJUMI (poezi) 1985.
  6. LULE MA JEP DORËN (poezi) Shkup,1986.
  7. KROI THËRRET DALLËNDYSHET (poezi) 1987.
  8. SHTËPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) 1988.
  9. PLESHTI HA ME DY LUGE (poezi) 1990.
10. KUQ E ZI (poezi) Cyrih, Zvicër,1990.
11. LEJLEK I SYRIT (poezi) Shkup, 1992.
12. PO (roman) Shkup, 1996 (i shpërblyer me çmimin e dytë).
13. TË DUA (roman i shpërblyer me çmimin e parë,1997).
14. NUSE NËN MOLLË (dramë) 1997.
15. GJEOMETRIA E SYRIT (poezi) 1999 ( e shpërblyer për veprën më të mirë nga LSHK ).
16. GISHTI IDIOT (poezi) 2000.
17. PRINCESHA E VOGËL (poezi) 2000.
18. SHTEPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) Shkup, 1999 (ribotim) .
19. DIELLI ME TRI DRITARE (monografi letrare) 2000.
20. NË GOJË TE GJARPRIT (roman) 2000.
________
Fotografia e shkrimtarit Gani Xhafolli është bërë nga mjeshtri Sadri Miftar Hadergjonaj